Pas përsëritjes së votimeve të mërkurën në shtatë qendra në zonat zgjedhore numër 5 dhe 6 në Maqedoninë e Veriut, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe koalicioni Fronti Evropian humbi një vend deputeti, ndërsa koalicioni Vlen fitoi një vend më tepër në parlament.
OBRM-PDUKM ka 58 deputetë,
LSDM 18
BDI 18,
VLEN 14,
“E Majta” 6 dhe
ZNAM 6.
Rivotimi në fshatin Llërcë të komunës së Zhelinës pranë Tetovës rezultoi në fitoren e koalicionit Vlen, duke e çuar në 14 numrin e ligjvënësve të këtij koalicioni të partive shqiptare. Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim me koalicionin e tij do të ketë një deputet më pak, përkatësisht 18, aq sa ka dhe Lidhja Social Demokrate dhe nuk mund të quhet më forca e dytë politike në vend.
Në zonën e pestë, që përfshin Ohrin, Strugën, Krushevën dhe vendbanime të tjera u rivotua në gjashtë qendra, por rezultati mbetet i njejtë, pa ndryshime në numrin e deputetëtve. Por këto nuk janë rezultate përfundimtare për shkak se mund të ketë akesa nga palët e përfshira në procesin e rivotimit.
Votimi u përsërit në shtatë qendra votimi të zonave 5 dhe 6 në perëndim dhe jugperëndim të vendit pas ankesave të koalicionit Vlen, VMRO-DPMNE-së, LSDM-së dhe partisë “E Majta” për parregullsi në zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
BDI-ja dhe Fronti Evropian e kanë cilësuar vendimin për rivotimin si një skenar i përbashkët i të gjitha partive dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për ta devijuar vullnetin e popullit dhe shkelur legjitimitetin e dalë nga pocesi i votimit më 8 maj.
Ndërkaq, “Vlen” dhe VMRO akuzuan BDI-në për blerje votash, për trysni dhe shantazhe ndaj votuesve në zgjedhjet e para dy javëve.
VMRO dhe “Vlen”, sipas pritjeve, mund të pajtohen deri në fund të javës për ndarjen e ministrive dhe posteve të tjera qeveritare dhe për programin e kabinetit qeveritar të drejtuar nga Hristijan Mickovski. Por, këto parti nuk kanë shpjeguar qëndrimin lidhur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese për të futur pakicën bullgare, që paraqet kusht për ecjen e vendit drejt Bashkimit Evropian. Zoti Mickovski ka përsëritur shprehjen se qeveria e tij nuk do të veprojë sipas “diktatit bullgar”.
Nga ana tjetër, në Shkup ka shqetësime nga mundësia e izolimit të vendit sa i takon procesit të integrimit evropian, nëse nuk respektohen marrëveshjet ndërkombëtare me Greqinë dhe Bullgarinë.
voa