Që nga nisja në muajin shkurt e publikimit të bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve qeveritar, nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, kreu i opozitës, Zoran Zaev kishte paralajmëruar zbardhjen edhe të rastit “Monstra“, të vrasjes se pesëfishtë në Smillkovcë.
Por, deri më tani, përveç paralajmërimeve, ai nuk ka zbardhur asnjë dëshmi, përkundër pritjeve të shumta në opinion, te i cili ka dyshime se i gjithë rasti është i montuar nga struktura të caktuara për qëllime politike dhe destabilizuese.
Zoran Zaev, disa herë ka thënë se rasti është shumë i ndjeshëm, me paqartësi e dilema të shumta, nëse vërtetë të dënuarit për këtë rast, janë autorët e vërtetë të krimit.
Por, kreu i Lidhjes social-demokrate të opozitës këtë nuk e ka thënë ende publikisht në konferencat e shumta për media që mbanë për “shkeljet e paligjshme të bëra nga zyrtarët“.
Vonesat në publikimin e bisedave të zyrtarëve për këtë rast kanë nxitur debate nëse Zaev taktizon për qëllime tjera, apo për mos nxitje të trazirave të mundshme.
“Ajo që tani përmendet si rast shumë sensitiv për marrëdhëniet ndëretnike, rasti Monstra është me siguri rast nga i cili do të preken dy partitë që tani përbëjnë koalicionin qeveritar, VMRO-në dhe BDI-në dhe duket qartë se ky rast përdoret nga ana e liderit të LSDM-së për të arritur deri te ndonjë pikë e bisedimeve tek e cila ne si opinion nuk kemi qasje”.
“Paralajmërimi se do të publikojë gjithë atë që posedon rreth këtij rasti të mistershëm dhe zbardhjen e tij deri në fund, sikur u hesht pas takimit të fundit të liderëve, andaj ka hapësirë që të dyshojmë se ka ndodhur diçka brenda apo se ky rast është përdorur për të bërë një presion, apo për të shtyrë para procesin negociues në kuadër të takimit të liderëve“, thotë analisti Xhelal Neziri.
Nga ana tjetër, Sonja Stojadinoviq, njohëse e çështjeve politike, beson se taktizimet e kreut të opozitës më tepër kanë të bëjnë me përgatitjen e opinionit shqiptar me atë që mund të publikohet, për të mos u përshkallëzuar situata, ashtu siç ndodhi me rastin e Martin Neshkovskit, kur u zbardhën bisedat lidhur me vrasjen e tij, e që u përshkallëzuan në dhunë mes policisë dhe protestuesve.
“Paralajmërimet e para të zotit Zaev lidhur me rastin ‘Monstra’ ishin se dëshmitë e publikuara për këtë rast do të jenë ‘bombat’ më të fuqishme që do të zgjidhin problemin me diktaturën në Maqedoni, por ku u panë reagimet dhe protestat për rastin e vrasjes së Neshkovskit, atëherë kreu i opozitës bëri një hap pas duke parë se sa mund të jetë i ndjeshëm rasti Monstra”.
“Besoj se kalkulimet e tij kanë të bëjnë me përgatitjen e popullatës shqiptare me atë se çka do të publikohet në opinion, të mos ketë përshkallëzim të gjendjes dhe në anën tjetër të pastrojë dilemat që kanë të bëjnë me këtë rast, në njërën anë t’i njoftojë familjarët e viktimave se kush në të vërtetë janë vrasësit e bijve të tyre dhe në anën tjetër të nxjerr në dritë të vërtetën për atë që po mbahen në burg“, thotë Stojadinoviq.
Ajo shton se kreu i opozitës e ka për obligim që të zbardh gjithçka që posedon për kërë rast që të mos humb besimin dhe pritjet e shumë njerëzve lidhur me këtë rast.
Por, ndryshe vlerëson analisti, Xhelal Neziri. Ai thotë se publikimi i të vërtetës për rastin “Monstra”, jo që nuk do të lëkund raportet ndëretnike apo të shkaktojë trazira, por do të forcojë edhe më shumë besimin ndaj njëri tjetrit, pasi qytetarët, qofshin shqiptar apo maqedonas, siç thotë ai do ta kenë të qartë një herë e përgjithmonë se kush janë nxitësit e vërtetë të tensioneve ndëretnike.
“Zbardhja e së vërtetës sikur edhe të mos jetë në favor të ndonjë bashkësie etnike në Maqedoni nuk do të përkeqësojë raportet ndëretnike, por përkundrazi do të përfocojë besimin mes tyre”.
“Edhe bisedat që janë zbardhur deri më tani nga lideri i opozitës përmbanin fjalor fyes apo përmbajtje të urrejtjes për shqiptarët, por reagim nga ana e shqiptarëve nuk pati, pasi të gjithë ne dëshirojmë të dimë se çfarë në të vërtetë ndodhi ditën kur u vranë pesë personat në Smillkovcë, në atë që njihet si rasti ‘Monstra’ dhe a janë në të vërtetë fajtor njerëzit që po mbahen në burg“, thotë Neziri.
Vrasja e pesë të rinjve maqedonas në afërsi të liqenit të Smillkovcës kishte ndodhur më 11 prill të vitit 2012.
Ky krim, i cilësuar si rasti “Monstra”, pati shkaktuar tensione dhe trazira ndëretnike në Maqedoni, meqë vepra ishte klasifikuar si terroriste nga qeveria. Për këtë vepër, gjashtë shqiptarë janë dënuar me burg të përjetshëm. (rel)