Tensione në Shkup, protesta para qeverisë

protestaNë Shkup kanë shpërthyer protesta para qeverisë së Maqedonisë lidhur me vrasjen e një të riu maqedonas, vrasja e të cilit u bë objekt i aferës së përgjimeve të publikuara nga opozita.

Para godinës janë tubuar disa mijëra persona duke brohoritur parulla si “Vrasës”, “Gruevski ik” e të tjera.

Ata kanë gjuajtur me gurë dhe vezë në drejtim të ndërtesës, ndërsa pati edhe përpjekje për hyrje brenda ndërtesës, por protestuesit u ndaluan nga forca të shumta speciale të qeverisë.

protesta 1Nuk ka raportime për të plagosur, përveç për dëme materiale, që duken nga thyerja e xhamave të qeverisë.

Në protestë kanë marrë pjesë pjesëtarë të të gjitha komuniteteve, ndërsa veçohet për herë të parë valëvitja së bashku e flamurit shtetëror maqedonas dhe atij shqiptarë.

Ndryshe,  protesta ka filluar rreth tre orë pas konferencës për shtyp të liderit të opozitës Zoran Zaev, i cili publikoi dëshmi të reja nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve ndërsa kishte të bënte kryesisht me vrasjen e një të riu maqedonas, në vitin 2011.

Zaev tha se Martin Neshkovski ishte vrarë nga policia, por rasti ishte fshehur nga pushteti. Për këtë ai publikoi biseda mes kryeministrit, Nikolla Gruevskidhe ministres së Brendshme, Gordana Jankullovksa, por edhe mes zyrtarëve të tjerë se si merren vesh për të fshehur rastin.

“Nikolla Gruevski në mënyrën më jo njerëzore ka gënjyer tërë opinionin maqedonas, nënën, familjen e të vrarit Martin Neshkovski. Që të shpejtoj sigurimin personal dhe veten e tij, ai Ministres së Punëve të Brendshme Jankullovska i sugjeron se çfarë epilogu duhet të ketë vrasja e këtij të riu”, ka deklaruar Zoran Zaev.

Por, pretendimet e kreut të opozitës janë kundërshtuar nga partia e kryeministrit, Nikolla Gruevski. VMRO DPMNE-ja sërish ka dalë me akuza ndaj Zaevit për destabilizim të vendit.

“Është më se e qartë se Zoran Zaev dhe LSDM-ja janë të vetëdijshëm për forcën e argumenteve të punës së tyre të jashtëligjshme dhe dështimin e skenarit të tyre të errët, andaj përmes materialeve të montuara që nuk kanë asgjë të përbashkët me kontekstin politik dhe nuk dëshmojnë asgjë joligjore, tentojnë që të tërheqin vëmendjen e opinionit. Zaev nuk mund të manipulojë​, të përvetësojë​ apo të shtrembërojë​ të vërtetën ashtu siç atij i konvenon madje as me materiale të montuara”, thuhet të reagimin e VMRO DPMNE-së.

Ka reaguar edhe ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska, e cila në momentin e nisjes së protestës po mbante një konferencë për mediat brenda qeverisë. Ajo tha se pretendimet e opozitës janë monstruoze, pasi sipas saj, policia ka vepruar në përputhje me ligjin, duke nxjerr para drejtësisë autorin e vrasjes. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>