Revista prestigjioze britanike “The Economist” shkruan se Serbia është në ndër pesë vendet e para në botë për fshehjen e numrit të viktimave të koronavirusit.
Para Serbisë, për fshehjen e shifrave të viktimave të COVID-19 renditen: Peruja, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Rusia.
Në një hulumtimi të kryer në periudhën 1 prill 2020 – 30 qershor 2021, në Serbi janë evidentuar 7.030 të vdekur, derisa në të njëjtën periudhë kohore kanë vdekur 30.210 persona më shumë se mesatarja e pesë viteve të fundit.
“The Economist” shkruan se numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjes nga pasojat e koronavirusit mund të jetë më i lartë se numri i rasteve të raportuara për arsye të ndryshme. Një prej arsyeve kryesore është kapaciteti i ulët I testimeve në shumicën e vendeve. Një tjetër arsye mund të jetë trajtimi i vonuar ose jo i rregullt i sëmundjeve të tjera gjatë periudhës së pandemisë.
Për fshehjen e shifrave të të sëmurëve dhe të vdekurve nga COVID-19 e kishin tërhequr vërejtjen edhe mjekët anëtarë të shoqatës “Të bashkuar kundër Kovidit” (Ujedinjeni Protiv Kovida – UPK).
“I fshehin të dhënat e vërteta për të pasur për çfarë të lavdërohen”, ka thënë kjo shoqatë, citon “Danas”.
I bindur se autoritetet po e fshehin numrin real të të vdekurve nga COVID-q19 është edhe Rade Pançiq, kryetar i sindikatës së mjekëve dhe farmaceutëve të Serbisë. Ai ka thënë se është i bindur se pushtetarët nuk i publikojnë shifrat e sakta të të vdekurve, siç është shprehur, “në mënyrë që të ketë me çka të krenohen, sepse pandemia ua ka hequr nga dora të gjitha për çfarë kanë folur deri më tash”.
Në favor të konstatimeve se autoritetet në Serbi i fshehin shifrat e viktimave të COVID-19 flasin edhe statistikat. Sipas të dhënave zyrtare të Entit Republikan të Statistikave, numri i të vdekurve në Serbi prej 1 prillit deri më 31 dhjetor të vitit 2020 ka qenë për 15.372 më i lartë se numri të vdekurve në të njëjtën periudhë të një viti më parë ose për 13.089 më i lartë se numri mesatar i të vdekurve gjatë dhjetë vjetëve të fundit.
Ndërkaq numri i të vdekurve në 6 muajt e parë të këtij viti ishte 14.032 më I lartë se numri i të vdekurve në të njëjtën periudhë kohore të dhjetë vjetëve të fundit.
(Ramadan Muçolli / ullyria)