Deri në Vitin e Ri, Nikolla Gruevski do të përgjigjet për keqpërdorimet dhe krimet e tij. Kështu është shprehur lideri i opozitës, Zoran Zaev, në një intervistë për të përjavshmen Fokus. Ai është i bindur se Prokurori Special do ta nxjerrë përpara drejtësisë kryeministrin aktual. Zaev gjithashtu ka paralajmëruar se ‘bombat’ e pa publikuara, përfshirë edhe atë për rastin Monstra, do t’i dorëzohen prokurorit të ri në formë të padive të reja që po përgatiten nga një grup punues partiak. Lideri opozitar thotë se Prokurori Special do të sjellë drejtësi edhe për palët e tjera, të dëmtuara nga afera e përgjimit.
“Gjithçka që lidhet me përgjimet dhe gjithçka që del nga ato është kompetencë e tij. Jo vetëm rasti ‘Puçi’ dhe bisedat, por edhe nëse gazetarët, OJQ-të, biznesmenët, siç kanë paralajmëruar ngrenë procedura penale për ta kërkuar drejtësinë. E gjithë kjo do të jetë në kompetencë të Prokurorit Special. Pres edhe si njeri edhe si politikan një hetim të pavarur dhe apeloj, nëse Zaevi me njerëzit e tij janë fajtorë, le të përgjigjen, por nëse Gruevski dhe njerëzit e tij janë fajtorë, edhe ata të përgjigjen. Nuk duhet të kursehet askush”, thotë Zaev.
Prokurori i ri Special do të zgjidhet më 15 shtator me konsensus të katër partive më të mëdha, VMRO, LSDM, BDI dhe PDSH. Për më 1 shtator Zaev ka paralajmëruar edhe kthimin e deputetëve të opozitës në Kuvend, ashtu siç parasheh marrëveshja e Përzhinos dhe aneks marrëveshja e 15 korrikut.
Arben Zeqiri