Besimi fetar është një çështje PRIVATE e vullnetit të lirë të individit, një ushqim shpirtëror që nxit dhe formon PAQEN brenda vetes. Është marrëdhënia PRIVATE që vendoset përmes lutjeve dhe ritualeve tjera, mes një personi dhe një apo më shumë hyjnish ose fuqish mbinatyrore, pa pasur nevojë të publikohet dhe të vërtetohet logjikisht nëse këto të fundit ekzistojnë.
BESIMI FETAR NUK ËSHTË DHE NUK DUHET TË JETË NË ASNJË MËNYRË POLITIKË!
BESIMI FETAR NUK MUND TË JETË ZËVENDËSIM I JETËS SOCIALE DHE KULTURORE TË TË RINJVE SHQIPTARË!
Ky do të duhej të ishte mësimi për shoqërinë shqiptare nga ky rast tragjik, në të cilin një i ri shqiptar i indoktrinuar dhe manipuluar përmes fesë në shërbim dhe synime POLITIKE të shteteve të treta, me bashkautorët e tjerë terroristë vrau 4 kalimtarë të pafajshëm, në mes të cilëve dhe një të ri shqiptar, në një vend miqësor, i cili i strehoi dhe u dha mundësi për një jetë më të mirë, të cilën nuk ishin në gjendje ose të aftë ta ndërtonin në vendet prej nga vinin.
Ky rast i hidhur, padyshim shqetësues për të gjithë shqiptarët, e në veçanti për ata që për një jetë më të mirë zgjodhën emigrimin në një nga shtetet e perëndimit, do të duhej të ishte një mësim, që do t’i shtynte ata të braktisin oportunizmin dhe dyfytyrësinë, duke ndarë qartë të mirën nga e keqja dhe të drejtën nga e gabuara. Të distancohen qartë nga feja në shërbim të politikës, por edhe të denoncojnë xhami të shndërruara në çerdhe të indoktrinimit, manipulimit, dhe rekrutimit të shqiptarëve të ri si terroristë në shërbim të të huajve, siç ishte rasti i të riut nga Tetova.
Të distancohen qartë dhe me vendosmëri nga partitë, të cilat ngjajshëm me këta terroristë që vranë njerëz të pafajshëm në rrugët e Vjenës, përdorin fenë për synime politike në shërbim të shteteve të treta.
E pse jo, të nxjerrin edhe mësimin më të rëndësishëm, se duke ikur në vende të huaja, në vend të ballafaqimit dhe zgjidhjes së statusit të tyre, për të ndërtuar një jetë më të mirë në vendin e tyre, vërtetë zgjidhin një pjesë të problemit, zakonisht atë financiar, por, bashkë me brezat që vijnë, ngelen peng përjetë i të gjitha çështjeve të tjera të pazgjidhura, që më vonë, rezultojnë të jenë po aq të rëndësishme sa edhe çështja financiare.
Afrim Fanda
“… si e gjithë shoqëria shqiptare, ca të mllefosur, ca të shqetësuar, ca në pozita mbrojtëse, kërkojnë fajtorin për këtë që ndodhi…
Ndërkohë, përgjigjen e gjejmë tek vet ngjarja tragjike, e cila jep pasqyrën reale për situatën në të cilën gjendet e gjithë shoqëria shqiptare: edhe fajtorin edhe viktimën e gjejmë tek vet shoqëria shqiptare, ashtu siç gjejmë edhe agresorin (terroristi – shqiptari nga Tetova) edhe viktimën (i riu shqiptar nga Struga) në të njëjtën ngjarje tragjike në Vjenë.
Fajtorin nuk duhet ta kërkojmë tek austriakët. Dhe para se ta kërkojmë tek 20 vjeçari shqiptar, që mori pjesë në një krim makabër, dhe për këtë mori dënimin e merituar, fajin duhet ta kërkojmë tek shoqëria shqiptare dhe tek secili nga ne, si pjesëtar të saj, për atë që kemi bërë, dhe për atë që nuk kemi bërë!
Është po kjo shoqëri e cila nuk merr mundimin që të merr në duar të ardhmen e fëmijëve të vet, dhe të ndërtojë një mjedis të përshtatshëm jetese, me rrugë, shkolla, institucione kulturore dhe mirëqenie, por gjen zgjidhjen më të lehtë duke ikur, për të gëzuar të gjitha këto, që i kanë ndërtuar të tjerët për veten e tyre duke mos ikur, por duke qëndruar dhe ballafaquar me problemet.
Po kjo shoqëri duke ikur në një vend të huaj, fëmijët e vet i nxjerr para dy rrugëve të mundshme: integrimin në shoqërinë e atyre vendeve, duke mos qenë kurrë të vetëdijshëm se integrimin i plotë do të thotë asimilim, qoftë edhe pas disa brezash. Dhe rruga e dytë, ngushëllimi në fe, për t’u ndjerë ndryshe nga vendi “i huaj”, ku grabitqarët e ndryshëm do të kërkojnë, dhe herë pas here, do të gjejnë prenë e tyre të “humbur”, duke ua grabitur atë të fundit që u mbeti, pasi grabitqarët fqinjë ua rrëmbyen malet, detin, historinë – shpirtin e tyre, për ti shndërruar në vrasës pa shpirt!” – Afrim Fanda