I pari që kaloi pragun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ishte kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. I thirrur nga Akuza për të dhënë deklaratat e tij mbi çështjen “Doshi”, Meta foli para prokurorëve nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 9 e 30. Në dalje të institucionit, i akuzuari kryesor nga deputeti Tom Doshi se kishte porositur vrasjen e tij u shpreh para mediave se nuk ka asnjë provë kundër tij.
“Kam shprehur gatishmërinë, nëse prokuroria do ta shohë të arsyeshme, të bëj ballafaqim me dy akuzuesit e mi, Doshin dhe Berishën dhe me cilindo që pretendon se ka prova që përfshijnë Ilir Metën me këtë çështje. Videon e Tomës me Tomën për provë vetëm Doktori mund ta marrë, ndërsa Toma si person përbën më shumë një antiprovë sesa provë juridike. Videoja e Tomës me Tomën nuk mund të përbëjë provë. Edhe vetë Toma si person është një antiprovë. Megjithatë, unë jam këtu për të respektuar shtetin ligjor dhe për t’iu nënshtruar hetimit në mënyrën më transparente. Ilir Meta vërtet është kryetar i Kuvendit, por nuk ka asnjë ndikim në raport me drejtësinë”, deklaroi Meta.
Me korrektesë i është përgjigjur ftesës edhe kryeministri Rama, duke u paraqitur në orën 12, orar i paralajmëruar më herët. Pasi qëndroi nga ora 12 deri në 13.30, Rama përmes një deklarate i bëri apel prokurorisë që t’i shkojë deri në fund hetimit.
“Koha kur kryeministri i Shqipërisë e trajtonte Prokurorinë si ushqim për qentë ka mbaruar më 23 qershor 2013. Uroj që ftesa për të ardhur sot këtu të jetë shprehje e vullnetit të prokurorisë për ta zbardhur plotësisht të vërtetën e kësaj historie të shëmtuar. Publiku është marrë pëng në këtë histori me personazhe politike, me gangsterë, të cilët aktrojnë në bazë të një skenari që pas serisë së djeshme në Parlament ka vendosur në rolin e protagonistit kryesor të filmit edhe ish-kryeministrin. Çfarëdo të themi ne, ato mbeten fjalë dhe shqiptarët janë të mbingopur me fjalë. Vetëm hetimi i plotë dhe nxjerrja e përgjegjësive ligjore të kujtdoqoftë mund të çlirojnë edhe publikun, por edhe politikën. Unë besoj se e gjithë kjo shëmti e turpshme mund të kthehet në një mirësi për publikun dhe për politikën nëse nxjerr fajtorët që duhet të përgjigjen ligjërisht. Kjo histori e shëmtuar nuk mund të mbarojë si një film dhe jeta politike e shqiptarëve nuk mund të vazhdojë më tutje nga filmi në film”, tha Rama.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri qëndroi para prokurorëve më shumë nga të gjithë. Nga ora 10 deri në 13.30, Tahiri ka përsëritur edhe njëherë gjithçka që dinte për çështjen “Doshi”.
“Unë thashë gjithçka për të cilat jam vënë në dijeni gjatë gjithë kësaj kohe. Ua thashë prokurorëve, duke shpresuar që kjo që bëj unë, që bëjmë ne të gjithë, është ndihma më e madhe për t’i dhënë kohën e duhur dhe mundësitë e duhura prokurorisë që të bëjë hetime të plota dhe të zbardhë gjithçka lidhur me këtë ngjarje. Mua më vjen shumë keq që publiku është ngarkuar me këtë rrëmujë, por është koha për të lënë institucionin që të flasë”, tha Tahiri.
Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme njofton se për thirrjen e personave të tjerë që kanë dijeni për çështjen “Doshi” është hartuar një grafik kohor. Ende nuk është bërë e ditur në rrugë zyrtare se kur do t’i riniset ftesa ish-kryeministrit Berisha, megjithëse burime anonime u shprehën se ai është kërkuar që të paraqitet ditën e hënë.
Të njëjtat burime pohuan se edhe deputeti demokrat Mëhill Fufi, i përmendur nga Tom Doshi si person ndaj të cilit është bërë plan për ta vrarë, do të paraqitet para grupit të prokurorëve ditën e hënë.
/ Top Channel