Kryeministri Rama në Bruksel: Të gatshëm të plotësojmë prioritetet

Në përfundim të vizitës një ditore në Bruksel ku takoi Presidentin e Komisionit Europian, Juncker dhe Presidentin e Bashkimit Europian, Tusk, Kryeministri Edi Rama në një komunikim me gazetarët shqiptarë atje iu përgjigj një serie pyetjesh që lidheshin me integrimin e Shqipërisë në Union dhe përplasjet e brendshme me Presidentin Nishani apo ndikimet që mund të kenë ato me Brukselin. TCH: Zoti Kryeministër, në 2014 kur ju nisët mandatin tuaj premtuat se brenda 10 vjetësh Shqipëria mund të bëhej anëtare e BE. Duke patur parasysh situatën gjeopolitike për Europën, më shumë sesa për Shqipërinë, a mendoni se projekti juaj mund të realizohet?

Edi Rama: Unë besoj se Shqipëria mund dhe do të bëjë gjithçka që ka për detyrë të bëjë për të qenë një vend europian, një shtet i standardeve anëtare të BE dhe pastaj do të varet nga zhvillimet në BE, nga dinamikat që sot janë të paparashikueshme, nëse anëtarësimi i Shqipërisë do të jetë për 10 vjet, për më shumë apo për më pak. Në këtë aspekt mund të ndodhë gjithçka, por ajo që ka rëndësi është që ne jemi jo vetëm në rrugën e duhur, por në këtë rrugë të vlerësuar dhe të inkurajuar. Nga të dyja takimet e sotme ne kthehemi në Tiranë me energji pozitive të marra nga këto takime për gjithçka kemi arritur të bëjmë në planin e brendshëm dhe në planin e jashtëm. Në takime morëm vlerësime të larta për reformat dhe hapat e ndërmarra nga Qeveria për modernizimin e vendit tonë.

TCH: A mendoni se përplasja mes Qeverisë dhe Presidentit të Republikës për emërimin e disa ambasadorëve mund të ndikojë në marrëdhënien me Brukselin, për sa i takon rekomandimit të mundshëm, ndoshta jo këtë tetor?

Edi Rama: Unë mendoj që do të ndikojë padyshim jo vetëm në raportet me Brukselin, por edhe në zhvillimin e brendshëm të qëndrueshëm të Shqipërisë përplasja pa asnjë kompromis me krimin në të gjitha format e veta dhe shpartallimi në vazhdimësi i krimit. Kjo forcë deri dje ishte ulur në prehrin e Qeverisë, ndërsa sot është ballë për ballë me Qeverinë dhe po zmbrapset dita ditës, siç tregojnë shifrat dhe mbështetja gjithmonë e më e madhe që ne po marrim në këtë aspekt. Fatmirësisht në Bruksel merren me faktet dhe me shifrat dhe bëjnë krahasimin e qartë midis asaj që ishte dhe asaj që është.

TCH: Zoti Rama, meqenëse keni folur edhe për shifra, a keni marrë ndonjë angazhim për sa i takon fondeve? Ndonjë angazhim më konkret se Konferenca e Berlinit për sa i takon fondeve për rajonin?

Edi Rama: Sigurisht që ne po punojmë dhe duhet të punojmë shumë fort dhe do të varet shumë nga puna që ne po bëjmë dhe nga produktet e kësaj pune që ne do të bëjmë prezente në muajt në vijim për partnerët tanë në BE. / Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>