Tusk: Zgjerimi mbetet prioritet. Rama: Ballkani, jo periferi e periferisë

Për herë të parë që pas zgjedhjes së tij në krye të Bashkimit Europian, Donald Tusk priti zyrtarisht Kryeministrin Edi Rama, të cilin e siguroi se zgjerimi me Ballkanin mbetet prioritet. Shefi i qeverisë shqiptare kërkoi që të shmangen boshllëqet në aspektin ekonomik për këtë rajon, i cili sot kërcënohet po ashtu nga terrorizmi. Politika rajonale e Shqipërisë u vlerësua më shumë se ajo brenda vendit. Tusk çmoi ecurinë e Tiranës, por për nisjen e negociatave të anëtarësimit kërkohet dialog politik, si dhe zbatim i 5 prioriteteve kyçe. Përmbushja e reformave politike ka rëndësi dhe për zgjedhjet e ardhshme lokale, sipas Tusk.

Kryeministri Edi Rama: “Falenderime të veçanta për mbështetjen konsistente që Presidenti Tusk tregon për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Patëm mundësi të bisedonim mbi agjendën e zgjerimit të BEsë, në të dy aspektet, si një projekt politik dhe gjeostrategjik, i cili qëndron në thelb të politikave të brendshme e të jashtme që ndjek Shqipëria. Gjithashtu, në kuadër të kryesimit shqipëtar të procesit të bashkëpunimit për Europën Juglindore, e informova Presidentin Tusk mbi tendencat e bashkëpunimit të rajonit në energji dhe siguri. Egziston rreziku për ngecjen e Ballkanit Perëndimor në kuptim të standarteve të demokracisë dhe të sigurisë, në një mjedis të ri sfidues ku vendet e rajonit duhet të bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të përballur kërcënime ndërkombëtare dhe ky rrezik është terrorizmi. Me fjalë të tjera, ka një rrezik në rritje për vendet e Ballkanit që të mbeten periferia e periferisë europiane, sidomos në aspekt të boshllëqeve ekonomike dhe kjo është ajo që duam të evitojmê. Ballkani Perëndimor ka potencialin për të qënë histori suskesi në BE.

Donald Tusk, President i Këshillit të BE: Zgjerimi mbetet një prioritet i fuqishëm për Bashkimin Europian dhe mua, personalisht. Gjithësesi, siç i rrëfeva dhe kryeministrit Rama, çdo hap përpara në këtë rrugë sjell përgjegjësi të reja dhe kërkon një punë më të madhe, por, këtë ju e dini shumë më mirë se unë. Shqipëria tashmë është kandidate për në BE dhe ne presim që ajo të intensifikojë përpjekjet e saj për reforma. Në fokus duhet të mbeten prioritetet e përcaktuara Dhjetorin e kaluar, për të dorëzuar gjurmë provash, çfarë na mundëson për të marrë vendimin mbi hapin tjetër të radhës në procesin e anëtarësimit. Shumë është arritur, sidomos në luftën ndaj krimeve dhe drogës, megjithatë, ajo që nevojitet është zbatim i prioriteteve, përgjithësisht. Në përfundim, biseduam për nevojën e rritjes së dialogut politik brenda vendit në Shqipëri. Politikat konfrontuese, bojkotet dhe sjellja që fituesi merr gjithçka, nuk ndihmon shqipëtarët. Për të qenë një vend më europian, Shqipëria nevojitet të ndërtojë një kulturë të dialogut politik që bazohet mbi kompromis. Kjo krijon kuadrin optimal për kryerjen e reformave aq të kërkuara politike, megjithëse të vështira. Kjo është me rëndësi edhe në këndvështrimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale. Shqipëria duhet të jetë po aq e arsyeshme dhe konstruktive në jetën e saj politike, sa ç’është dhe në rajon”.

Kryeministri Rama tregoi se janë miratuar vendimet e Konferencës së Berlinit mbi Ballkanin dhe pas identifikimit të projekteve tê përbashkëta për zhvillim, punësim dhe rritje të konkurrencës, ai “pret që konferenca e Vjenës në gusht të jetë gur kilometrik për to”. / Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>