Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli një një deklaratë për mediat rreth orës 14:00 për të njoftuar arritjen e një marrëveshjeje për reformën në drejtësi.
Basha tha se marrëveshja është arritur në bazë të një formulimi të propozuar nga Komisioneri Hahn për rolin e ndërkombëtarëve në procesin e vetingut.
“Sapo kam përfunduar një komunikim intensiv me partnerët amerikanë dhe europianë. Pas komunikimit më të fundit të rakorduar nga komisioneri Hahn, roli i misionit ndërkombëtar do të jetë rekomandues, ndërsa vendimmarrja tërësisht në duart e shqiptarëve”, tha Basha.
Basha foli në këtë dalje për “fitore të parimeve të Partisë Demokratike”.
“PD zhvilloi një betejë të gjatë dhe këmbëngulja e saj pati rezultate pozitive. Është vendosur që OMN të ketë rol rekomandues dhe vendimarrja të jetë në dorë të institucioneve shqiptare”, tha Basha.
Sipas kreut të demokratëve, kjo marrëveshje është mbyllja me sukses e një procesi në përputhje me Kushtetutën dhe rekomandimet e Venecias.
“Konkludimi në këtë mënyrë i këtyre çështjeve, të lëna si litar jashtë në negociatat e të hënës, është konkludimi me sukses i PD për një draft kushtetues në përputhje me propozimet e Komisionit të Venecias dhë bazuar mbi propozimin e zonjës Nuland. Kjo betejë ka patur dy qëllime: Kushetuetshmërinë dhe të drejtat e liritë themelore”, vijoi kreu i demokratëve.
/ Top Channel