Ballkani Perëndimor mes Brukselit dhe Parisit

Ursula von der LeyenDitën kur Ursula von der Leyen, Josep Borell e Oliver Varhelyi i dërguan njëzëri mesazh Ballkanit Perëndimor se e ardhmja perëndimore e Ballkanit nuk vihet në diskutim, Emanuel Macron përsëriti ”jo-në” e tij.

A e kishte pritur presidenti francez Emanuel Macron, kur Franca bllokoi në tetor hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, që kundërshtimi, që i bëri vazhdimit të politikës ekzistuese të zgjerimit, do ta ngrinte Ballkanin Perëndimor dhe të ardhmen e tij në krye të agjendës së BE-së?

Pas debatit të liderëve të BE për zgjerimin në tetor, i cili vuri në hije të gjitha temat e tjera të Këshillit të Evropës, mbledhja e Parlamentit të ri Evropian aprovoi rezolutën në mbështetje të zgjerimit me Ballkanin Perëndimor dhe kryetari i ri i Parlamentit David Sasoli vizitën e parë zyrtare jashtë BE-së e bën në Shkup.

Von der Leyen: Ndryshimet mund të bëhen edhe paralelisht me zgjerimin

Edhe ditët e para të punës së Komisioni Evropian i zuri Ballkani Perëndimor. Në konferencën e saj të parë për shtyp pas marrjes së detyrës kryetarja e Komisionit, Ursula von der Leyen iu drejtua rajonit.

”Nga ana strategjike është absolutisht e rëndësishme, që t‘i tregojmë Ballkanit Perëndimor se i duam në anën tonë dhe se jemi shumë të interesuar t‘i afrojmë ato me BE-në”, tha von der Leyen.

Ajo theksoi se është e rëndësishme, që BE ”të qendrojë te ideja e negociatave të pranimit”, por edhe të dëgjojë pozicionet e vendeve anëtare, kur është fjala për ndryshime të këtij procesi

”Kur bëhet fjalë për negociatat e pranimit unë do të thoja që ndryshimet e procesit të ecin paralelisht, ose që vendeve t‘u ofrohet mundësia për të nisur negociatat për pranim”, tha von der Leyen.

Borell: Evropa është e vetmja zgjidhje

Në të njëjtën ditë, Ministri i ri i Jashtëm i BE-së, Josep Borell, theksoi në Parlamentin Evropian, se pavarësisht çështjeve të hapura dhe debatit për metodologjinë e zgjerimit, ky proces nuk mund të vihet në pikëpyetje.

”Duhet ta ruajmë dinamikën dhe të vazhdojmë të punojmë me të gjitha vendet anëtare, që të gjithë ta kuptojnë se nuk mund ta mbyllim dhe as ta anulojmë perspektivën evropoane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Borell.

Borell, diplomat me përvojë, ish- kryetar i Parlamentit Evropian dhe shefi i diplomacisë së Spanjës, kujtoi pasojat tragjike që ka lënë lufta në ish-Jugosllavi për Ballkanin Perëndimor.

”Trashëgimia e kësaj tragjedie ka krijuar ndarje, varfëri dhe grindje në baza etnike dhe kombëtare, por Evropa është e vetmja që ofron zgjidhje për këtë situatë”, thotë Borell.

Zgjidhje” për Ballkanin Perëndimor

”Zgjidhjen” për Ballkanin Perëndimor komisioneri i ri për Ballkanin Perëndimor Oliver Varhelyi e sheh në rritjen e kredibilitetit dhe dinamizmin e shpejtë të procesit. ”Në fund të mandatit tim pesëvjeçar duhet të kemi së paku një vend të gatshëm për të hyrë në BE”, thotë Varhelyi

.

Ai bëri të ditur se Komisioni Evropian në fillim të janarit do të dalë me propozim konkret për ndryshimin e metodologjisë së pranimit, në bazë të së cilës do të zhvillohen diskutimet ndërmjet vendeve anëtare.

”Flasim për ndryshimin e metodologjisë dhe askush nuk e vë në diskutim perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ajo është e paprekshme, ajo nuk do të diskutohet”, thotë Varhelyi.

Macron: Pranim, e ndoshta edhe partneritet strategjik

Thuajse në të njëjtën kohë, vetëm në anën tjetër të La Manche, duke folur në konferencën përfundimtare të samitit të NATO-s, presidenti i Francës e kthen të gjithë historinë në fillimin e saj, pra në bllokadë. ”Shprehimisht them se dua të reformohen procedurat e negociatave para ndonjë hapjeje të re bisedimesh”, tha Emanuel Macron.

Macron shtoi gjithashtu ”në mënyrë të qartë” se do të jetë kundër çdo zgjerimi të BE, që nuk është shoqëruar nga një reformë e thellë e funksionimit të unionit.”

Për presidentin francez ”zgjidhja” për Ballkanin Perëndimor është që të lidhet fortë me BE. ”Kjo hedhje e spirancës për disa ndoshta do të thotë hyrje në BE – por duhet të jemi të qartë: kjo do të thotë edhe fazë e partneritetit strategjik dhe e fuqizimit të investimeve”, shpjegon Macron.

Ndërsa Komisioneri i ri i Zgjerimit thotë se reforma institucionale e BE-së nuk është parakusht për zgjerim dhe se BE “do të jetë në gjendje të punojë përsëri me 28 anëtarë”, për Macron funksionimi i BE me numrin aktual të anëtarëve është jashtëzakonisht joefikas dhe me anëtarë të rinj – i papërballueshëm.

Samiti në Zagreb ”kyç” për zgjerimin?

Në kundërshtim me presidentin e Francës, i cili po ”betonon” gjithnjë e më fort idenë e tij për frenimin e zgjerimit, për të cilin ai pretendon se ka mbështetjen edhe të „disa vendeve anëtare”, në Bruksel flasin për zhvillime pozitive për vendet në rrugën e integrimit evropian dhe inkurajojnë rajonin që të vazhdojë reformat evropiane.

Kështu Komisioneri i zgjerimit Oliver Vrahelyi njoftoi për javën e ardhshme hapjen e një kapitulli të ri në negociatat e pranimit me Serbinë. Për Malin e Zi Varhelyi thotë, se është më i përparuari në negociatat për pranim dhe i bën thirrje e atij, si dhe Serbisë, për reforma më të shpejta në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së mediave dhe ligjeve zgjedhore. Bosnja dhe Hercegovina u lavdërua në fjalimin e parë të Komisionerit të ri të Zgjerimit për emërimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave. Asaj iu bë thirrje për „formimin e funksionimin e plotë” të të gjitha niveleve të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në vend. ”Vetëm kështu ky vend mund të lëvizë drejt zgjidhjes së problemeve kryesore dhe prioriteteve, që i ka paraqitur Komisioni”, thotë Varhelyi.

Oliver Varhelyi thotë se është e rëndësishme, që në Prishtinë të formohet shpejt një qeveri e re, sepse Kosova ka përpara „punë të rëndësishme”, përfshirë fushat me prioritet, siç janë zhvillimi ekonomik, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe vazhdimi i dialogut me Beogradin.

”Kur është fjala për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë Komisioni Evropian

do të ndërhyjë për hapjen sa më të shpejtë të negociatave për pranim, që presim të ndodhë para samitit të majit në Zagreb”, njoftoi komisioneri.

Varhelyi, Macron dhe Borell janë dakord për një gjë, e kjo është që samiti i BE-Ballkani Perëndimor, i planifikuar për muajin maj 2020 në Zagreb, pritet që të bëhet pikëkthese për politikën e zgjerimit. Deri atëherë do të duhej të përcaktoheshinn dhe të dakordësoheshin pozicionet e vendeve anëtare dhe të institucioneve të BE lidhur me të ardhmen e zgjerimit, dhe në këtë kuadër të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Kroacia, e cila merr presidencën e Këshillit të BE-së nga 1 janari 2020, thotë se dëshiron që samiti i Zagrebit të jetë një pikë referimi që do të japë drejtim ose një “hartë rrugore për 10 vitet e ardhshme të politikës së zgjerimit”.

Duke patur parasysh vazhdimin e debatit për zgjerimin në Bruksel theksohet se politika e zgjerimit të BE-së nuk mund të varet nga shtetet e veçanta anëtare ose politikat e tyre të brendshme dhe se funksionaliteti i brendshëm i Unionit, si dhe roli i tij gjeopolitik global do të vihej në provë në zemër të kontinentit evropian, në Ballkanin Perëndimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>