Dështon nisja e bisedimeve me BE-në për Tiranën dhe Shkupin, pengesë Bullgaria

Problemet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut u bënë sërish pengesë për një vendimmarrje në favor të organizimit të Konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut nga njëra anë dhe Bashkimit evropian nga ana tjetër, që do të shënonte dhe nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim për të dy vendet ballkanike.

“Megjithë angazhimin e madh, nuk u bë e mundur që të arrihet në një marrëveshje për kornizën e bisedimeve, e për pasojë nuk qe e mundur që të nisnim me konfernzën ndërqeveritare me këto dy vende kandidate”, deklaroi të martën pasdite Ana Paula Zacarias, Sekretare e Shtetit për Çështjet europiane e Portugalisë, vendi i cili ka mbajtur presidencën e BE-së në 6 mujorin e parë të këtij viti.

Deklarata e saj u bë në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, e zhvilluar sot në Luksemburg. Gjithshka të të spostohet tanimë në shtator, kur presidencën e radhës do ta ketë Sllovenia. “Presidenca Slovene është angazhuar për të çuar përpara zgjidhjen e kësaj çështjeje”, bëri të ditur zonja Zacarias.

Për Shqipërinë, ka një konsensus të pranuar nga të gjithë shtetet, për t’i ndezur dritën jeshile përparimit të mëtejshëm të vendit në rrugën e integrimit. Së fundmi dhe Hollanda një ndër vendet më skeptike, ra dakort me vlerësimin e Komisionit europian për ecurinë pozitive të Shqipërisë.

Për Maqedoninë e Veriut, problem mbetet vetoja e Bullgarisë e cila nuk lëshon pe, ndonëse shumë vende anëtare po këmbëngulin që problemet bilateral të mos bëhen pengesë në procesin e integrimit. Mosmarrëveshjet mes Sofies dhe Shkupit lidhen me historinë dhe gjuhën. Bullgaria kërkon garanci se Maqedonia e Veriut nuk do të mbështesë asnjë pretendim ndaj një pakice maqedonase në Bullgari. Po ashtu kërkon që dokumentet zyrtare të BE-së të shmangin përmendjen e “gjuhës maqedonase”, që thotë se rrjedh nga bullgarishtja.

Duke qenë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, janë trajtuar së bashku në këtë proces, shtetet anëtare nuk kanë preferuar që t’i ndajnë ato nga njëra tjetra në këtë fazë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>