Në Shqipëri, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani dha sot shpjegime pranë prokurorëve lidhur me fondet që kjo parti ka paguar për lobim në Shtetet e Bashkuara. Një artikull i revistës amerikane “Mother Jones” si dhe të dhënat e publikuara nga kompania e lobimit Muzin Capitol ngrejnë paqartësira mbi këto fonde që kapin shumën e 675 mijë dollarëve në favor të PD. Ndërkohë që vetë Pd pranon se i ka paguar kompanisë Muzin Capitol vetëm 25 mijë dollarë
Verifikimet e prokurorisë shqiptare lidhur me fondet e Partisë Demokratike nisën që në fund të muajit nëntor 2017 kur për herë të parë u bënë publike nga rrjeti ballkanik i gazetarisë investigative, Birn, financimet që kishte marrë kompania Muzin Capitol për aktivitetet në favor të PD. Çështja është rikthyer në vëmendje këto ditë pas një tjetër publikimi këtë herë nga revista amerikane “Mother Jones”. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, shpjegoi sot për mediat, pas daljes nga Prokuroria se kishte dëshmuar mbi pagesat e PD për lobim, duke shtuar se prokurorët sipas tij, kishin marrë indicje nga kontratat e publikuara në SHBA. Zoti Ristani ka theksuar se “PD nuk ka asgjë për të fshehur” dhe se ajo “ka zbatuar me përpikëri kontratat”, ndërsa ka saktësuar se “të gjitha pagesat për këto kontrata janë kryer përmes rrugëve bankare”.
Sipas kompanisë ‘Muzin’, e cila plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë, rezulton se ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë është e datës 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë kryer nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.
Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, që është paguar nga Partia e tij. Dy të tjerat janë ato që mbeten ende të paqarta. Mbrëmë në emisionin “Opinion” në Tv Klan, zoti Basha theksoi disa herë se PD, “ka paguar vetëm aq sa ka deklaruar dhe asgjë më shumë”.
Lidhur me kompaninë Biniatta Trade, zoti Basha mohoi çdo lloj lidhjeje, duke theksuar se në kontratën që kjo kompani kishte me Muzin Capitol, nuk përmendet fare Partia Demokratike. Por vetë Muzin Capitol ka shpjeguar në dokumentat e dorëzuar në Departamentin e Drejtësisë se me shumën 150 mijë dollarë ajo është “kompensuar nga “Biniatta Trade LP” për aktivitetet e organizuara në emër të Partisë Demokratike për të promovuar lidershipin konservator shqiptar pranë biznesve dhe udhëheqësve politike në Shtetet e Bashkuara”.
“Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”, këmbënguli disa herë mbrëmë zoti Basha, duke dhënë të njejtin arsyetim dhe për shumën prej 500 mijë dollarësh e cila në dokumentat e Muzin rezulton e paguar nga PD. “Nuk është bërë asnjë pagesë e tillë nga Partia Demokratike”, theksoi zoti Basha, ndërsa në nëntor e kishte shpjeguar këtë shumë me pagesën e kryer falë një mbledhje fondesh nga një numër i madh shqiptaro amerikanësh, por që nuk kishte kaluar përmes partisë.
Por ndërsa PD pranon që ka paguar vetëm 25 mijë dollarë, nga ana e saj Muzon ka deklaruar se vetëm shpenzimet e saj për nënkrontraktorët e angazhuar për aktivitetetet në favor të partisë shqiptare, shkojnë mbi 100 mijë dollarë. (voa)