Komiteti Teknik i Ekspertëve në një dalje për mediat mbi situatën epidemiologjike në vend, ka bërë publike vendimet e fundit për masat për kufizimin e covid19. Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Mira Rakacolli tha se mbeten në fuqi masat e vendosura 2 javë më parë.
“Masat të cilat u propozuan para dy javësh kanë filluar ta japin efektin e tyre dhe prandaj mendojmë që të vazhdojmë të mbetemi aty, duke e vlerësuar më ngushtësisht në kohëra edhe më të shkurtra efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e kësaj tendence ulje që ne kemi vënë re në këtë periudhë”, tha Rakacolli.
Prof. Rakacolli gjatë fjalës saj tha se situata në vend mbetet delikate, por shifrat tregojnë që në ditët e fundit kemi një tendencë në ulje të cilat do të vlerësohen në vazhdim.
Në komunikimin me mediat të Komitetit Teknik të Ekspertëve, Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, prof. Albana Fico, tha se incidenca dy javore ka një tendence ulje, ndërkohë që moshat nga 15 vjeç në 64 vjeç përbëjnë 79% të rasteve të testuar pozitiv.
“Mesatarja ditore e javës së 7-të, e rasteve të konfirmuara ka pësuar një rënie nga 1106 në 1024. Pozitiviteti I monstrës mbetet i qëndrueshëm. Incidenca dy javore edhe pse mbetemi në një trasmetim komunitar të gjerë, sipas gjetjeve të ISHP-së, ka një tendencë ulje. Nëse do duam të vlerësojmë ndryshim dinamik, sot nga mosha 15-24 vjeç, 55-64vjeç, janë 79% të rasteve të testuar pozitiv”, tha prof. Fico.
Në mbledhjen e sotme, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të lërë në fuqi masat e e vendosura para dy javësh:
Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania)
Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery),
Shkollat e mesme në ato vende në të cilat u përcaktuan para dy javësh do të vazhdojnë të mbeten online.
Universitetet po ashtu do të vazhdojnë të mbeten online, me përjashtim të provimeve, që do të jenë të kombinuara. Provimet do të rekomandohet të bëhen online, por për ato provimet të cilat kanë domosdoshmëri për t’u zhvilluar në auditore, mund të zhvillohen në auditore, duke respektuar në mënyrë shumë rigoroze protokollet antiCovid.
Fluturimet me Britaninë e Madhe vazhdojnë të mbeten të pezulluara edhe për një periudhë kohe.