Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, kryebashkiaku Erion Veliaj, mblodhi 24 administratorët e Tiranës për t’u dhënë udhëzimet e fundit për përballimin e kaosit që shkaktohet në trafik.
Veliaj njoftoi një sërë masash për të shmangur trafikun.
“Do bllokohet qarkullimi brenda Unazës së Vogël për mjetet e rënda. Nga ora 6 deri në orën 9 të mëngjesit dhe nga ora 4 deri në orën 5 pasdite, ndalohet qarkullimi mjeteve të transportit të mallrave tregtare, pavarësisht tonazhit që kanë, brenda Tiranës. Asnjë mjet komercial nuk do të qarkullojë në Tiranë në këto orë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj tha se do të bashkëpunohet ngushtësisht me Ministrinë e Arsimit për projektin e shkollave komunitare.
“Tirana duhet të shndërrohet në pararojë e shkollës komunitare, ndaj projekti do të ketë nevojë për ndihmë nga ana e të gjitha njësive administrative”, tha ai.
/ Top Channel