Në Shqipëri kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha ju përgjigjën sot pozitivisht thirrjes së presidentit Bujar Nishani që palët të ulen në tryezën e bisedimeve me vullnetin për kompromis. Ndërkohë pasdite zoti Basha ka njoftuar një mbledhje urgjente të grupit parlamentar të partisë së tij ku pritet që të ketë dhe një komunikim direkt të deputetëve me Komisionerin për Zgjerim Johannes Hahn.
Duket se një përpjekje e re do të ndërmerret për gjetjen e një zgjidhjeje që do të mundësonte pjesmarrjen e opozitës në zgjedhjet e 18 qershorit. Pasdite, presidenti Bujar Nishani përmes një deklarate u shpreh “i shqetësuar për përmasat që po merr kriza politike në vend”. Presidenti ju drejtua me një thirrje kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës “të ulen në tryezën e bisedimeve me vullnetin për kompromis, për të tejkaluar këtë situatë të vështirë për vendin” duka saktësuar se ai “ofron të gjithë gatishmërinë dhe angazhimin e tij institucional në shërbim të këtij dialogu”.
I pari që ju përgjigj publikisht ftesës, përmes një statusi në Facebook, ishte kryeministri Rama, i cili shkruante se ishte “po aq i shqetësuar për krizën” e cila sipas tij, ndryshe nga vlerësimi i Presidenti, është “krizë e Partisë Demokratike”. Ndonëse e cilëson “të vonuar” thirrjen e presidentit, ai shton se është gati të ulet me Lulzim Bashën.
Nga ana e saj opozita tha se e mirëpret ftesën e presidentit Nishani, ndërsa vë në dukje se “ndonëse shkaktari i kësaj krize, Edi Rama, me veprimet dhe qëndrimet e tij ka vendosur interesin e tij vetjak para interesave të qytetarëve shqiptarë, opozita dhe Partia Demokratike kanë kërkuar gjithmonë rrugën e dialogut të vërtetë dhe jo fasadë për t’u bashkuar në luftën kundër krimit, drogës, korrupsionit dhe kthimit të shtetit në garnizon elektoral të pushtetit, që kërcënojnë asgjësimin e zgjedhjeve, demokracisë dhe stabilitetit përmes zgjidhjes së ofruar”, shkruhet në deklaratën e koalicionit opozitar.
Javën e shkuar përpjekja për ndërmjetësim e eurodeputetëve David McAllister dhe Knut Fleckenstein dështoi. Palëve ju paraqit një dokument kompromisi, por opozita këmbënguli në kërkesën për qeveri teknike. Dje disa prej figurave të Partisë Demokratike e konsideruan një shans të humbur, refuzimin e propozimeve të eurodeputetëve. Deputeti Eduard Selami, i cili foli në një interviste për Zërin e Amerikës, deputetja Majlinda Bregu apo dhe ish numri dy i partisë Demokratike për shumë vite Jozefina Topalli, kritikuan publikisht zotin Basha se po merr vendime pa i diskutuar ato më parë me forumet e partisë.
Pas këtyre kritikave zoti Basha ka njoftuar thirrjen sot pasdite të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ndonëse gjatë fjalës së tij në çadrën ku opozita proteston prej më shumë se dy muaj nënvizoi se nuk do të ketë tërheqje: “Kush më kërkon mua, shqiptar apo i huaj, pazar me Edi Ramën, për hir të stabilitetit pa demokraci, duhet ta kuptojë se ajo që ka lindur me 18 shkurt, është më e madhe se Partia Demokratike, është më e madhe se opozita, patjetër, është më e madhe se Lulzim Basha, më e madhe se Shqipëria dhe shqiptarët”.
Megjithatë duket se përpjekjet edhe të komunitetit ndërkombëtar nuk kanë rreshtur. Gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PD pritet që të ketë një komunikim direkt edhe me Komisionerin europian për Zgjerimin Johannes Hahn.
Nga ana tjetër komuniteti ndërkombëtar duket se po e shton trysninë e tij edhe duke i mëshuar faktit se zgjedhjet do të njihen dhe në rast të mospjesmarrjes së opozitës. Pas ambasadorit amerikan Donald Lu, I cili tha se “zgjedhjet mund të jenë të ligjshme dhe legjitime dhe pa pjesmarrjen e opozitës”, sot edhe ambasadorja gjermane Suzanne Schutz, u shpreh se “nëse Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare vazhdojnë t’i mbeten qëndrimit të tyre për të mos marrë pjesë, ky do të jetë një vendim i trishtueshëm për ne. Por ne do t’i njohim këto zgjedhje”, deklaroi ambasadorja gjermane. (voa)