Reforma në drejtësi, Lu-gjyqtarëve të korruptuar: Do ju fusim në burg

Donald Lu

I pranishëm në Konferencën Gjyqësore Kombëtare, ambasadori amerikan Donald Lu, iu drejtua gjyqtarëve të ndershëm të Shqipërisë duke thënë se duhet të kenë besim, pasi ndryshimi po vjen.

Ambasadori amerikan shtoi se, “nuk është se nuk ka politikanë të korruptuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës , por rreziqet e ekspozimit janë të mëdha”.30

Sipas tij, në Shqipëri ka gjyqtarë të korruptuar dhe gjyqtarë të ndershëm. “Ma merr mendja se shumë prej jush nuk do ta identifikonin veten si gjyqtarë të korruptuar. Më lejoni t’ua them këtë në shqip, për të qenë i qartë. Prova ime për korrupsionin është e thjeshtë: U them të korruptuarve se nëse keni marrë para në shkëmbim të një vendimi gjykate, qoftë edhe një herë, jeni të korruptuar. Nëse ulni kokën dhe mbani një orë që kushton më shumë se makina ime, jeni të korruptuar. Nëse është ky rasti, iu rekomandoj që ta lini këtë profesion menjëherë”, theksoi Lu.

“Së dyti, për gjyqtarët e ndershëm: kini besim, ndryshimi po vjen. E di që është e vështirë të jesh një gjyqtar i ndershëm. Nuk punon për shumë para dhe ka trysni nga çdo drejtim për të marrë vendime të rëndësishme për të gjitha arsyet e gabuara. Gjyqtarët e ndershëm, si ju, meritojnë të punojnë në një sistem që shpërblen integritetin. Ju meritoni të promovoheni në bazë të meritës dhe të përvojës. Të ndershmit e dinë se ndryshimi i sistemit të drejtësisë nuk do të jetë i lehtë, duhen reforma të mëdha e të menduara”, përfundon fjalën Donald Lu.

Ndërkohë në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani theksoi se “parimi i pavarësisë së gjyqësorit është i padiskutueshëm”.

“Gjykata mbi pushtetet e tjera është standardi që dua unë të arrij. Gjyqësor i besueshëm është që t’i shërbesh komunitetit sipas nevojës”, tha Manjani.

Ministri i Drejtësisë deklaroi: “Nuk besoj që korrupsioni më i madh është në radhët e gjykatësve. Ky fenomen është i përhapur edhe në sektorë të tjerë, por ne kërkojmë nga gjykata të ndëshkojë korrupsionin, të vetin po e po, por edhe të të tjerëve. Për këtë arsye duam një pushtet gjyqësor mbi pushtetet e tjera. Shpresa e vetme për një shtet të pakorruptuar është gjykata”.

(10:06) Reforma në drejtësi, Vlahutin: Kjo reformë nuk është kundër gjyqësorëve 

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, është shprehur se “po të ishte gjyqtare në Shqipëri, që e bën punën e saj me përkushtim dhe pa korrupsion, do të ishte a para që do të kërkonte reformën në drejtësi”.

Sipas saj, kjo reformë është projektuar në mënyrë që të sjellë sërish besimin dhe dinjitetin atyre që punojnë sipas standardeve. “Ka një mungesë thelbësore besimi në sistemin gjyqësor shqiptar. Një nga arsyet kryesore se përse ekziston kjo mungesë besimi është aludimi për korrupsion. Ata që i shërbejnë ligjit janë në fakt mbrojtësit kryesorë të kushtetutës dhe demokracisë”, tha Vlahutin.

Ambasadorja e BE-së tha se, “një keqkuptim i kësaj reforme është heqja e të gjithë prokurorëve. “Ne e kemi thënë shpesh herë dhe do vazhdojmë ta përsërisim, se kjo nuk është një reformë kundër gjyqësorëve”.

Zaganjori: Të mos eksperimentojmë modele të reja për reformën në drejtësi 

Ka nisur punimet Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Xhezair Zaganjori, kreu i Gjykatës Kushtetuese tha për reformën në drejtësi se nuk duhet të eksperimentohen modele të reja, në kushtet e presionit të momentit.

“Apeli jonë drejtuar institucioneve shtetërore është se ne kemi nevojë dhe jemi të interesuar për hartimin e një kuadri ligjor e kushtetues, që inkorporon standarde ndërkombëtare në drejtësi dhe adopoton modele që kanë treguar se janë të suksesshëm”,është shprehur Zaganjori.

Kreu i Gjykatës Kushtetuese tha se gjyqtarët do të mbështesin forcimin e shtetit ligjor, duke kërkuar më shumë përfshirje të gjyqësorit në reformën në drejtësi.

/Shekulli Online/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>