Në Shqipëri, autoritetet më të larta shtetërore dhe politike të vendit reaguan sot në mbështetje të autoriteteve në Kosovë për zbatimin e masave të reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe, që çuan mbrëmë në përshkallëzimin e tensioneve në Veri nga ana e qytetarëve serbë që bllokuan rrugët drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë.
Presidenti Bajram Begaj, gjatë takimit më kryeministrin e Spanjës Pedro Sanchez ka përshëndetur “autoritetet e Kosovës për maturinë e treguar, që në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë shmangën një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës, veçanërisht në këtë situatë të ngarkuar me kërcënime e rreziqe të mëdha e të shtuara, për paqen dhe sigurinë për rajonin tonë pas agresionit rus në Ukrainë”. Më vonë, presidenti Begaj pati dhe një telefonatë me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ku theksoi ndër të tjera se “vetëm nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe intensiv do të mund të adresohen drejtë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë”.
Kryeministri Edi Rama duke komentuar zhvillimet e mbrëmshme foli për “një përshkallëzim krejtësisht të paarsyeshëm pasi qeveria e Kosovës ka të drejtën, jo vetëm të drejtën, por edhe detyrën, që të zbatojë marrëveshjet, duke ushtruar sovranitetin territorial, që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit. Marrëveshjet e dakordësuara me palën tjetër janë marrëveshje për t’u zbatuar, nuk janë marrëveshje për t’u diskutuar” deklaroi ai duke i bërë “thirrje autoriteteve në Beograd, Presidentit të Serbisë, që të mos ushqejë me asnjë lloj justifikimi dhe asnjë lloj alibie për grupe të caktuara në veriun e Kosovës, që për arsye të tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje, që jo vetëm duhet zbatuar, por është e vlefshme të zbatohet edhe për t’i dhënë më shumë besueshmëri dialogut mes Serbisë dhe Kosovës”.
Këto komente zoti Rama i bëri gjatë konferencës së shtypit me homologun e tij Pedro Sanchez, në të parën vizitë në Tiranë të një kryeministri spanjoll. Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, pasi siç u shpreh dhe sot zoti Sanchez “ne mendojmë që është shkelur e drejta ndërkombëtare, ndaj nuk mund të jemi në favor të këtij pranimi. Me gjithë respektin që kemi për popullin shqiptar, por është një opinion që nuk e ndajmë me qeverinë shqiptare”.
Kryeministri Rama replikoi menjëherë: “Ju jeni në të drejtën tuaj të nxirrni konkluzione ekstreme, nuk ka asnjë problem; unë jam në të drejtën time t’iu them që e kundërta është e vërtetë”, deklaroi ai.
Vizita e zotit Sanchez në Tiranë ishte në kuadër të një turi në rajonin e Ballkanit, ku Kosova ishte i vetmi vend që ai e anashkaloi. “Kjo – theksoi kryeministri spanjoll – nuk tregon që në kuadrin europian të mos jemi në përkrahje të punës të përfaqësuesve tuaj dhe nuk do të thotë që ne nuk e nxisim dialogun me Prishtinën për t’u afruar ndaj Bashkimit Europian”.
Duke ju rikthyer zhvillimeve të mbrëmshme, kryeministri Rama tha se “e përgëzoj kryeministrin e Kosovës, i përgëzoj autoritetet në Kosovë për sensin e vetëpërmbajtjes dhe për dëgjimin e aleatëve që sugjeruan një shtyrje 30 ditore, jo për të ndryshuar marrëveshjen, por për t’i dhënë kohë, kohës për të sqaruar, nëse ka nevojë të sqarohet çfarëdo qoftë, në mënyre që kur marrëveshja të hyjë në fuqi, të mos ketë probleme të kësaj natyre”.
Zoti Rama, këmbënguli disa herë në nevojën e ndërtimit të mekanizmave të paqes, për më tepër në situatën e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë. “Pikërisht sepse Rusia ka një potencial ndikimi deri në një përshkallëzim që mund të çojë në luftë këtu në Ballkan ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe duhet të jemi shumë të vendosur për të vazhduar në rrugën e forcimit të lidhjeve që ndërtojnë paqe”.
Një nga ideatorët, së bashku me presidentin serb Aleksandar Vuçiç të Ballkanit të Hapur, nismës së kundërshtuar me forcë nga Kosova, zoti Rama tha se “këto situata nuk tregojnë që Ballkani i Hapur është i panevojshëm apo është i gabuar, këto situata nuk tregojnë që qasja jonë ndaj Serbisë dhe politika e afrimit, dialogut, ndërtimit të paqes është e panevojshme apo është e gabuar. Këto situata tregojnë, pikërisht, pse ne kemi nevojë për këtë. Këto situata tregojnë pikërisht pse duhet Ballkani i Hapur”, u shpreh ai duke shtuar se “unë besoj shumë fort te fuqia e njerëzve kur ulen rreth një tryeze edhe kur janë komplet në pozicione të ndryshme me njëri-tjetrin. Asgjë nuk vjen nga qëndrimi në distancë dhe nga qëndrimi me kurriz përveç se moskuptimi i tjetrit, i arsyeve të tjetrit”.
Kryeministri i Shqipërisë nënvizoi më tej rëndësinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. “Kosova duhet të jetë shumë e angazhuar në dialogun me Serbinë. Edhe sikur Serbia të mos dojë, Kosova duhet ta kërkojë dialogun pa pushim, pa pushim, pa pushim. Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi me aleatët strategjikë, me Shtetet e bashkuara, me Bashkimin Europian është domosdoshmëri dhe mbi të gjitha pa atë dialog dhe pa njohjen reciproke, strategjikisht e ardhmja nuk është aq e ndritur sa mund të ishte. Me armiqtë bëhet paqja, nuk bëhet me miqtë. Me miqtë bëhet sherri. Paqja bëhet me armiqtë”, deklaroi kryeministri Rama.
Për zhvillimet në Kosovë, reagoi dhe kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla. “Parimi i drejtë i reciprocitetit duhet zbatuar me maturi, vetëpërmbajtje nga të dy shtetet dhe në konsultim me ShBA-të dhe BE-në. Përmbajtja e Qeverisë së Kosovës dhe bashkëpunimi i saj me partnerët ndërkombëtarë nuk tregojnë dobësi, por fuqinë që buron nga e drejta, si edhe vizionin e pjekurinë e Qeverisë së Kosovës”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
Duke vlerësuar shtyrjen 30 ditore të zbatimit të vendimit të reciprocitetit, ministrja e Jashtmë Olta Xhaçka, nënvizoi se “Kosova ka çdo të drejtë të ushtrojë sovranitetin e saj mbi çdo centimetër katror të territorit të saj. Të gjithë aktorët e përfshirë në aktet destabilizuese të 24 orëve të fundit, duhet të mbajnë përgjegjësi për veprat e tyre kriminale. Ne qëndrojmë përkrah Kosovës dhe u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve dhe aleatëve tanë që të flasin njëzëri, kundër retorikës në rritje dhe kërcënimeve për dhunë ndaj Kosovës”.
Partia Demokratike po ashtu i dha “mbështetje të plotë qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të saj ligjzbatuese, të cilët janë në të drejtën e tyre legjitime dhe sovrane, për të garantuar sundimin e ligjit në të gjithë territorin e Republikës. Ne e inkurajojmë si të drejtë vendimin e qeverisë së Kosovës për të vendosur reciprocitet në marrëdhëniet me Republikën fqinje të Serbisë”, deklaroi anëtari i kryesisë së PD-së, Aldo Bumçi, duke i bërë thirrje qeverisë së Serbisë, “t’u përmbahet të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut, dhe t’i zbatojnë ato pa vonesë. Ne dënojmë përpjekjet e Serbisë, përmes deklaratave dhe veprimeve që nxisin konfliktin, synojnë destabilizimin e Kosovës, dhe janë me pasoja për të gjithë rajonin”.
Nga ana e tij, ish presidenti Ilir Meta, i cili drejton Partinë e Lirisë deklaroi se “ngjarjet e mbrëmshme janë tregues i qartë që Serbia nuk është e interesuar të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të ndërmjetësuara nga faktori ndërkombëtar, të firmosura në Bruksel me Kosovën, përkundrazi i bllokon ato dhe i keqpërdor maksimalisht vetëm në interes të politikave destruktive dhe destabilizuese duke u fshehur pas grupeve kriminale në Veri të Republikës së Kosovës”. Sipas tij “Bashkimi Europian duhet të jetë më këmbëngulës dhe të detyrojë Serbinë të zbatojë marrëveshjet e firmosura me Kosovën, si dhe të jetë i qartë se çdo tendencë për destabilizimin e rajonit do të dënohet dhe do të ndëshkohet ashpër”.
voa