Me një vendim të datës 2 Maj 2017, Gjykata Administrative e Tiranës vendosi të anulojë konçesionin duke e konsideruar të jashtëligjshme kontratën dhe të gjithë dokumentacionin shoqërues. Por, le ti marrim gjërat me radhë. Në vitin 2014 përgatitet studimi i fizibilitetit për hidrocentralin e Poçemit nga kompania turke “Çinar”.
Në Shkurt të vitit 2015, në qytetin e Fierit mbahet dëgjesë publike e organizuar nga kompania GR Albania për llogari të turqve të “Çinar”. Siç shihet, në dokumentin e kompanisë listohen edhe emrat e pjesëmarrësve dhe disa foto nga aktiviteti i konsultimit. Pjesëmarrësit janë të profesioneve të ndryshme.
Në listë renditet si pjesëmarrës në konsultim edhe administratori i GR Albania dhe ndihmës administratori. Kompania është kujdesur të thërrasë fermerë e agronomë që të mund të japin mendimin për pasojat që sjell diga, por askush prej tyre nuk preket pasi janë nga fshatrat e Fierit. Pra, çuditërisht mungojnë fermerët nga fshatrat Poçem dhe Kutë në Mallakastër duke e bërë konsultimin të pavlefshëm. “Ne na ka rezultuar që dëgjesa nuk është bërë siç e kërkon legjislacioni, jo në vendin dhe me njerëzit e duhur”, thotë Olsi Nika, Eco Albania
Në dokumentacionet shoqëruese thuhet se vlerësimi i Ndikimit në Mjedis u është prezantuar banorëve gjatë konsultimeve, por realiteti në terren tregon se banorët e Kutës u ngritën në protesta kundër projektit. Aktivistët e organizatave vendase dhe të huaja, analizuan në mënyrë të imtësishme VNM-në. Njësoj si në rastin e hidrocentralit të Kalivaçit, edhe ktu u konstatua se raporti ishte plagjiaturë.
“Ne e kemi çekuar dhe sot falë teknologjisë çekon dokumente softëere dhe vlerëson sa autentik është dhe rezulton se ka qenë mbi 60 % i kopjuar nga materialet e tjera, kjo është edhe shkelje e të drejtës autorit”, thotë Olsi Nika, Eco Albania. Në studimin e VNM-së kanë marrë pjesë edhe profesorë austriakë e gjermanë. Mes tyre, edhe profesor Fritz Schiemer i cili i ka dërguar një letër kryeminsitrit Edi Rama ku e vë në dijeni për plagjiaturën dhe gjithë problematikat e tjera të dokumentit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis.
Në Prill të vitit 2015 Ministria e Mjedisit lëshon Deklaratën Mjedisore dhe në 29 Korrik të vitit 2015 qeveria miraton 8 % pikë bonus për kompaninë “Çinar”. Në Shkurt të vitit 2016, Ministria e Energjisë shpall tenderin për konçesionin e pa kërkuar në Poçem. Fitues u shpall bashkimi i kompanive turke “Çinar”, dhe “Ayen Energji”, që nuk kishin asnjë konkurrent tjetër.
“Ka qenë një propozim i pa kërkuar, është futur në garë i vetëm e ka fituar, ka marr 8 pikë bonus nga 10 të mundshme vetëm se ka dorëzuar një studim fizibiliteti, kjo step investitorët seriozë kur dikush është afër binishit”, thotë Olsi Nika, Eco Albania.
Për të gjitha shkeljet e konstatuara, gjykata u dha të drejtë 37 banorëve të zonës së Mallakastrës dhe 3 organizatave që e çuan çështjen në gjykatë. Siç thuhet në vendimin e gjykatës, kontrata u vlerësua totalisht e jashtëligjshme, njësoj si Deklarata Mjedisore dhe procedurat e tjera të tenderit. Sot, çështja është në Gjykatën e Apelit dhe lufta e ambjentalistëve nuk ka përfunduar, pavarësisht se një betejë e rëndësishme u fitua.
Aktivistët, nuk i ndalën përpjekjet. E gjithë beteja në rrafshin juridik, po mbështet fortë edhe në studimet shkencore në terren.
Top Channel