Në Shqipëri, shumica socialiste pritet të nisë së shpejti përgatitjet për realizmin e ndryshimeve kushtetuese për të zgjatur mandatin e institucioneve që kryejnë rivlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Këtë e bëri të ditur sot kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla në mbledhjen e kryesisë së këtij grupi.
Në Qershor të vitit të ardhshëm përfundon mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit si dhe i Komisionerëve publikë. Idea e shumicës, siç e bëri të ditur javën e shkuar dhe ministri i ri i Drejtësisë, Ulsi Manja, është që mandati të zgjatet deri në përfundim të të gjithë procesit të rivlerësimit. Por për këtë do të duhet dhe konsensusi i opozitës e cila ka kritikuar mënyrën e zbatimit të reformës duke hedhur akuza se procesi po kontrollohet nga qeveria.
Pak ditë më parë, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadorja amerikane Yuri Kim deklaroi se për këtë çështje, ku përfshihet dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, po shihen disa opsione.
Nëse nuk bihet dakort për shtyrjen e mandatit atëherë rivlerësimi do të duhet të bëhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjyqtarët dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për prokurorët.
Deri tani, i janë nënshtruar procesit të rivlerësimit, pak më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë.
voa