Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandër Vuçiç në një takim shprehën dëshirën që liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit të fillojë sa më shpejt në Ballkan.
Iniciativa e “Minishengenit”, në rajonin e Ballkanit dhe jetësimi sa më parë i kësaj nisme ishte tema kryesore e një takimi virtual që zhvilluan të martën me (29.06) kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç. Të tre udhëheqësit shprehën dëshirën që “liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit të fillojë të zbatohet sa më shpejt në të gjithë rajonin”.
Në një komunikatë të përbashkët për medie, që u lëshua nga presidenca serbe thuhet se “të tria vendet do të vazhdojnë përpjekjet për të gjetur mënyra të reja, mundësi politike dhe instrumente financiare, në mënyrë që të rrisin kontributin e tyre në Evropë dhe të forcojnë lidhjet me Bashkimin Evropian”, duke integruar kështu gradualisht rajonin me tregun unik evropian.
Kosova nuk ka pranuar që të jetë pjesë e nismës së “Minishengenit Ballkanik”, dhe për këtë arsye asnjë nga kryeministrat e Kosovës, as ky i fundit, Albin Kurti, nuk ka pranuar që të jetë pjesë e takimit. Ideja e hapjes së tregut ballkanik apo siç njihet “Minishengeni Ballkanik”, është një nismë e përbashkët e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Ndonëse Kosova vazhdon të refuzojë të jetë pjesë e “Minishengenit Ballkanik”, në marrëveshjen për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar me 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, njëra nga pikat parasheh edhe bashkëpunimin e Kosovës në kuadër të Mini-Shengenit. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti. Ndërsa, para se të fitonte zgjedhjet dhe të bëhej kryeministër, Albin Kurti, në mënyrë kategorike kundërshtonte idenë e “Minishengenit ballkanik”, dhe preferonte afrim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Parimet gjithëpërfshirës dhe të reciprocitetit duhet të udhëheqin nismat rajonale. Rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon përmes Prishtinës. Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të qëndrojë mes nesh. Ne na duhet më shumë bashkëpunim e jo konfrontim”, kishte thënë Albin Kurti.
Në nëntor të vitit 2020, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, Shqipëria Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina, nënshkruan në Sofje të Bullgarisë deklaratën mbi Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Thirrje BE dhe SHBA që të mbështesin zhvillimin e projekteve në Ballkan
E duke folur për “Agjendën e Gjelbër”, në takimin e sotëm virtual, Rama, Vuçiç dhe Zaev i bënë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që të mbështesin “zhvillimin e projekteve në vendet e rajonit, përmes së cilave do të mund të investohej sa më shpejt të jetë e mundur në mbrojtjen dhe rritjen e përdorimit të gjerë të burimeve të rinovueshme, si pjesë e zbatimit të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”.
Në Samitin e Sofjes u fol edhe për lëvizjen e lirë në rajonin e Ballkanit. Për këtë Qeveria e Kosovës më 21 maj të këtij viti miratoi nismën për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, që do të lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe të qytetarëve të vendeve tjera që hyjnë në këtë rajon.
“Nisma ka të bëjë me lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe palëve të treta. Me këtë marrëveshje rregullohen kushtet e hyrjes, lëvizjes dhe qëndrimit të qytetarëve të palëve të treta në territorin e vendeve në marrëveshje. Qytetarët e palëve të treta janë të gjithë personat që nuk janë shtetas të palëve nënshkruese, pra të këtyre vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhej në njoftimin e qeverisë së Kosovës.
Këto marrëveshje janë rezultat i zotimeve të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes, që u mbajt në nëntor të vitit 2020, në kuadër të Procesit të Berlinit. Pas takimit të sotëm virtual ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, të tre liderët ranë dakord për një takim tjetër më 29 korrik, që do të mbahet në Shkup. Në të do të shqyrtohet ecuria e zbatimit të iniciativave dhe projekteve ekzistuese dhe do të nënshkruhen marrëveshje shtesë për zbatimin e angazhimeve që dalin nga Procesi i Berlinit.
dw