Të mërkurën (17.01) përfaqësuesit e Athinës dhe të Shkupit negociojnë në Nju Jork lidhur me emrin e “Maqedonisë”. Shpresa për zgjidhje është e madhe. Por vështirësi mund të krijojë partneri i koalicionti të Ciprasit
Që prej njëzet vjetësh diplomati me përvojë Matthew Nimetz përpiqet për një kompromis në grindjen, për një palë të tretë të pakuptueshme, lidhur me merin e “Maqedonisë”. Me emrin e ankoruar në kushtetutë “Republika e Maqedonisë” ky vend i vogël i Ballkanit më 1991 pas shpërbërjes së Jugosllavisë shpalli pavarësinë. Por Greqia e pretendon këtë emër për vete si pjesë të trashëgimisë historike dhe druan, se prej tij mund të zgjohen pretendime territoriale ndaj provincës greke me të njëjtin emër. Megjithatë partive politike pro-europiane në Greqi u është dashur të tërhiqen disi dhe të pranojnë një emërtim, që përmban atributin “maqedonase”. Po thjeshtë “Republika Maqedoni”? Jo, kjo nuk pranohet, mendon pala greke. Në këtë drejtim as sot nuk ka ndryshuar asgjë.
Përse pra pikërisht ky raund bisedimesh duhet të jetë i favorshëm për një zgjidhje me kompromis? “Sot në Shkup ka një udhëheqje të re politike, që vepron me arsye dhe është e interesuar me seriozitet për një afrim”, shpjegon Spiros Danellis, i cili është deputet i partisë social-liberale To Potami në parlamentin grek. Me këtë ai nënkupton largimin e kryeministrit populist të djathtë Nikola Gruevski, i cili fiksohej pas toneve nacionaliste. Pasardhësi i tij socialdemokrat Zoran Zaev ka sinjalizuar, që ai do të rifillojë bisedimet me Athinën të mbetura pezull që nga viti 2014. Por që afrimi me palën greke nuk është i vetëkuptueshëm, këtë Danellis e ka përjetuar në lëkurën e vet: Pas një interviste javën e kaluar atij ia kanë cunguar deklaratën duke e cituar gabimisht, sikur ai e pranon emërtimin për shtetin fqinj “Republika Maqedoni”. Ndaj tij vërshuan sulmet e urrejtjes nga skena e djathtë. Në atdheun e tij Kretë madje atë e kanë konfrontuar me kërcënime të hapura, thotë politikani socialdemokrat. Në bisedë për DW Danellis thekson, se ai nuk ka folur për një “Republika Maqedoni” dhe se as nuk do ta bëjë këtë. Megjithatë ai beson, që edhe pala greke duhet të shprehë gatishmëri për kompromis në bisedimet aktuale.
“Maqedonia e re” apo “Maqedonia e Vardarit”?
Ndërmjetësuesi Nimetz tregohet optimist. “Ka një qeveri të re në Shkup, e cila është shumë e interesuar ta trajtojë këtë çështje. Unë mendoj, se edhe qeveria greke e ka kuptuar, se një zgjidhje i shërben politikës së saj të jashtme në rajon”, u shpreh diplomati në intervistë për televizionin shtetëror grek ERT të hënën (15.01). Sidoqoftë: “Nuk ka asgjë krejtësisht të re, apo magjike në këtë debat, ne e dimë, se çfarë mendojnë të dyja palët.” Thënë qartë pra: edhe në Nju Jork pjesëmarrësit nuk presin një propozim nga ndërmjetësuesit që nuk ka qenë deri më sot temë e bisedimeve. Për këtë arsye shumë analistë në Athinë janë skeptikë. Jorgos Tzogopoulos, bashkëpunëtor i Think-Tanks ELIAMEP, i tha DW-së, se ai nuk e kupton optimizmin për bisedimet aktuale, sepse të dyja palët parimisht nuk do të tërhiqen nga qendrimet e tyre. “Vërtetë kanë marrë fund provokimet e Gruevskit, por kjo nuk do të thotë, se paasardhësi i tij do ta ndryshojë emrin e shtetit”, tërheq vëmendjen politiologu.
Sipas një informacioni të gazetës së Athinës Real News, që nuk është përgënjeshtruar, ndërmjetësuesi i OKB-së, Nimetz gjatë tri ditëve të ardhëshme do të paraqesë propozime alternativë në kontestin për emrin: Maqedonia Veriore, Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia e Vardarit. Propozimi i tretë të kujton lumin qendror maqedonas, Vardar, dhe duket si i pranueshëm për grekët konservatorë, sepse ai nuk zgjon asnjë asosacion me historinë greke. E diskutueshme është tani, se sa do ta mbështesë qeveria e majtë e Aleksis Ciprasit një zgjidhje kompromisi. Kjo për më tepër që partneri populist i djathtë i koalicionit, partia ANEL, pozicionohet kundër emrit “Maqedoni” në çdo lloj forme. Të martën (16.01) kryetari i ANEL, Panos Kammenos, doli me një propozim të vetin: vendi fqinjë mund të quhet thjeshtë “Vardarska” pa shtesën “Maqedoni”, deklaroi ai në Twitter. “Për Kammenos do të ishte vetëvrasje politike çdo emërtim që përmban shtojcën ‘Maqedoni’, mendon analisti politik Tzogopoulos. Kjo do të kishte pasoja edhe për kryeministrin e majtë Cipras, që pas një largimi të mundshëm të partnerit të koalicionit nuk do të kishte më shumicën në parlament – e kjo pikërisht tani në kohën, kur ai sipas deklaratave të veta pret, që t’i jepet fund mbikqyrjes financiare të vendit dhe që Greqia të kthehet sërish në tregjet e financave.
Cipras do që zgjidhja e kompromisit të miratohet në parlament
E megjithatë qeveria e Athinës është optimiste. Pak pas miratimit të një pakete të re kursimesh dhe reformash në parlament një natë më parë, përfaqësuesi i qeverisë i surprizoi gazetarët që prisnin jashtë parlamentit me deklaratën, se në votimin tjetër të shpresojmë që të rregullohet edhe grindja për emrin. Formulimi ishte zgjedhur me mençuri: Ciprasi do që zgjidhja e ardhëshme e kompromisit të miratohet në parlament, pra jo me referendum. Kësisoj ai do të mbështetet nga një sërë partishë të opozitës. “Demokracia parlamentare ka rregullat e veta, të zgjedhurit nga populli duhet të marrin përsipër përgjegjësinë”, thotë Danellis. “Vetëm parlamenti në Athinë është vendi i duhur për debatin lidhur me zgjidhjen e kompromisit për emrin.” (dw)