Përfaqësuesit politikë shqiptarë në Luginë të Preshevës kanë paralajmëruar se këtë të shtunë do ta shpallin themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi, si kundërpërgjigje ndaj krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.
Këtë e ka konfirmuar për KTV-në kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, i cili ka thënë se për këtë do të vendoset në mbledhjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Mustafa ka thënë se këtë ua garanton edhe rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës në maj të 2013-ës.
“Ne kemi mbështetjen e Kosovës dhe të Shqipërisë, pasi këtë na e garanton rezoluta e Kuvendit të Kosovës dhe deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili në Preshevë pati deklaruar se shqiptarët e Luginës duhet t’i gëzojnë të drejtat sikur serbët në Kosovë”, ka thënë kryetari i Preshevës, duke shtuar se është e drejtë e shqiptarëve në këtë pjesë që të vendosin për vete.
“Ne presim mbështetjen dhe njohjen e Asociacionit nga autoritetet e Kosovës dhe të Shqiptarisë si dhe më pas edhe të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Mustafa.
Mediat në Serbi e kanë cilësuar si plan të ferrit mundësinë që shqiptarët të krijojnë Asociacionin e Komunave Shqiptare në Serbi. (ktv)