Mosrespektimi i afateve, për zbatimin e marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, do të shkaktojë probleme serioze në vend.
Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Europian, Ivo Vajgl, gjatë vizitës së tij në Shkup ka tërhequr vërejtjen se, pa zbatimin e tërësishëm të marrëveshjes së 2 qershorit, vendi nuk mund të dalë nga kriza politike.
“Vazhdimi i procesit për zbatimin e marrëveshjes duhet të jetë në interes të të gjithëve, por përfundimisht është në interes të shtetit. Mendoj se, vonesat e paarsyeshme mund të shkaktojnë probleme më të mëdha për Maqedoninë. Nëse marrëveshja nuk zbatohet në tërësi, vendi do të konsiderohet në krizë, megjithëse ne besojmë se kriza u kapërcye përmes marrëveshjes”, tha Ivo Vajgl, deputet në Parlamentin Europian.
Lidhur me raportin e progresit për Maqedoninë, eurodeputeti slloven, Ivo Vajgl tha se do të jetë i ngjashëm me atë të vitit të kaluar.
“Unë besoj se, raporti nuk do të jetë i ndryshëm nga ai i një viti më parë, gjë që do të thotë se, ne duam ta shohim Maqedoninë si një vend kandidat të besueshëm për anëtarësim në BE. Natyrisht, që kjo do të varet nga debati shumëpërmbajtësor në Parlament, por varet gjithashtu nga zbatimi i marrëveshjes e natyrisht, nga perspektiva se në prill do të ketë zgjedhje demokratike e transparente në këtë shtet”, tha Ivo Vajgl, deputet në Parlamentin Europian.
Pas takimeve që pati me përfaqësuesit e opozitës dhe pushtetit në Shkup, eurodeputeti slloven kërkoi nga mediat, që të ushtrojnë presion më të madh ndaj partive politike, për përmbushjen e detyrimeve të marrëveshjes për zgjidhjen e krizës.
/ Top Channel