Akademik Rexhep Qosja ka përsëritur edhe një herë se bashkimi i shqiptarëve është i pashmangshëm. Ai ka bërë me dije se ideja e bashkimit është forca që e ka lëvizur historinë e shqiptarëve, duke shtuar se kjo ide e ka formuar UÇK-në dhe e ka çliruar Kosovën.Në një intervistë të gjatë për emisionin “Shqip” në “Top Channel”, pjesë nga e cila sjell “Epoka e re”, Qosja ka deklaruar se një arsyeje se pse nuk mund të heqim dorë prej kësaj ideje, është edhe mendimi për një jetë më të mirë të shqiptarëve në një shtet. “Është mendim që e kam mbrojtur gjithmonë në shkrimet e mia, shqiptarët të bashkohen. Ideja e bashkimit të shqiptarëve është forca që e ka lëvizur historinë shqiptare. Kjo ide e ka çuar Kosovën tek liria dhe pavarësia që ka sot. Ushtria Çlirimtare e Kosovës hyri në luftë me këtë ideal, me këtë ide të madhe. Mendimi për një jetë më të mirë të shqiptarëve është edhe arsyeja pse nuk mund të heqim dorë prej kësaj ideje, ideja e bashkimit të shqiptarëve, e cila pashmangshmërisht do të ndodhë një ditë”, ka thënë Qosja.
Duke folur për këta shatë vjet të shtetit Kosovës, ai ka thënë se në ndërtimin e shumë institucioneve dhe në anëtarësimin e Kosovës në shumë organizata rajonale dhe ndërkombëtare është shënuar sukses. Mirëpo, sipas Qosjes, shteti i Kosovës ka ngecur në disa fusha. “Unë para ca kohësh shkrova se Kosova e sotme nuk është Kosova që kam ëndërruar. Pse? Sepse ka shumë padrejtësi në Kosovë, demokracia parlamentare është një mbulesë, një mbulesë e një realiteti politik jodemokratik. Në shtetin e së drejtës përfshihet edhe e drejta sociale, nuk përmendet kurrkund kjo. Të zbatohej kjo e drejtë sociale, njerëzit nuk do të iknin kaq lehtë, nuk është e lehtë ta lësh shtëpinë, tokën. Është shumë e vështirë”, ka thënë Qosja.
Mjaft kritik ai është shprehur edhe ndaj privilegjeve të mëdha të pushtetarëve dhe ndaj pasurimit të shpejtë të disa individëve. “Si mund të jesh për aq pak kohë në pushtet në Kosovën e varfër dhe të kesh aq shumë miliona, aq shumë privilegje? Nuk mund të pajtohem me këto padrejtësi”, është shprehur akademik Qosja.
Fajtorë për ikjet janë shqiptarët, jo serbët
Akademik Rexhep Qosja në këtë intervistë ka folur edhe për eksodin e ikjeve të qytetarëve të Kosovës. Ai ka vlerësuar se qytetarët e Kosovës po ikin nga vendi për shkak të situatës së pashpresë në vend. Qosja ka shtuar se këtë e kanë nxitur gjendja e rëndë ekonomike dhe mungesa e institucioneve qendrore për gjashtë muaj. “Kjo ikje tregon shumë dhe nuk flet mirë për Kosovën. Kjo ikje që po zgjat që katër muaj, ndoshta prej shatorit të vitit të kaluar dhe nuk e di se sa do të zgjasë dhe a do të ndërpritet, tregon se diçka është e paqartë, e pacaktuar në këtë politikën tonë. Janë shfaqur mendime të ndryshme për këtë eksod të ri të ikjeve të shqiptarëve prej Kosovës. Unë them se fajtori më i madh dhe kryesori jemi ne, shqiptarët”, është shprehur akademik Qosja.
Pretendimet e politikanëve të Kosovës, se për këtë eksod është fajtore Serbia që i ka hapur kufijtë, sipas tij, janë të pavërteta. “Tashti këta të politikës mund të arsyetohen se serbët kanë faj por, jo, tani serbët nuk kanë faj për eksodin e shqiptarëve, aspak nuk kanë faj. Serbia i ka çel kufijtë edhe për të tjerët, edhe për shqiptarët”, ka thënë Qosja. Ndër të tjera, ai ka treguar se, pavarësisht gjendjes në vend, nuk do ta lë kurrë Kosovën. “Nuk do ta lë, natyrisht. Është lehtë t’i duash Amerikën, Francën, Anglinë, Gjermaninë, janë shtete të mëdha dhe të pasura, por t’i duash Kosovën dhe Shqipërinë bashkë është atdhetarizëm i vërtetë”, ka thënë ai.
Qosja edhe një herë e ka kritikuar koalicionin qeverisës PDK – LDK, duke e cilësuar këtë partneritet si “aleancë e baltës”. Ai ka thënë se është koha të kemi një politikë me etikë. Ndërkaq, i pyetur për fitoren e ‘Syrizas’ në Greqi, akademik Qosja ka thënë se ai është një formacion i rëndësishëm jo vetëm për Greqinë, por edhe për Evropën. “E para, sepse sjell një politikë të re. E dyta, sepse sjell një etikë të re në politikë. Ne jemi mësuar të kemi politikë pa etikë. Imanuel Kanti thotë se herët a vonë politika pa etikë dështon. Ata sollën një etikë të re dhe në atë etikë të tyre, ata ia sollën besimin popullit. E keni parë çfarë bën? 700 vetura të administratës së qeverisë së mëparshme i nxorën në shitje, veturën 750 mijë euro të kryeministrit të mëparshëm e nxorën në shitje. E dini se me çfarë shkojnë në punë ata? Me veturat e veta”, ka deklaruar Qosja.
Rugova nuk është arkitekt i pavarësisë
Akademik Rexhep Qosja e ka kritikuar presidenten e vendit, Atifete Jahjaga dhe gjithë ata që ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, i drejtohen si arkitekt i pavarësisë së Kosovë. Ai ka thënë se si mund ta ketë Rugova këtë epitet kur për pavarësinë e Kosovës janë paraqitur individë dhe grupe, duke filluar prej Adem Demaçit në vitet 1958 e këndej. “Ne e dëgjojmë kryetarin e Kosovës përditë duke thënë se Rugova është arkitekti i pavarësisë së Kosovës. Po mirë, si mund të jetë ky njeri arkitekt i pavarësisë së Kosovës, kur për pavarësinë e Kosovës janë paraqitur individë dhe grupe duke filluar prej Adem Demaçit në vitet 1958 e këndej, duke filluar prej grupeve ilegale të disa organizatave, duke filluar prej organizatave të vitit 1981, duke filluar prej intelektualëve që kanë shkruar shumë para se ta çelte gojën kryetari i Lidhjes Demokratike, Ibrahim Rugova, me kolegët e tij. Jo, ai s’është arkitekt. Si mund të jetë arkitekt i pavarësisë së Kosovës njeriu që bëri programin e partisë për një autonomi të Kosovës më të dobët se autonomia e vitit 1974, një autonomi pothuajse komunale ose kulturore. Nuk mundet”, ka thënë Qosja, i cili është shfaqur kritik edhe ndaj Isa Mustafës për të kaluarën e tij dhe të tashmen, duke thënë se ai nuk e meriton të jetë kryeministër i Kosovës.