SHBA do mund të aplikojë masa ndalese për politikanë, gjykatës, gazetarë dhe biznesmenë

Një pjesë e politikanëve, përfaqësues të gjyqësisë, gazetarë, biznesmenë dhe zyrtarë të tjerë të Maqedonisë mund të përballen me “sanksione” nga administrata amerikane.Sipas gazetës “Vest”, administrata amerikane mundet që shumë personaliteteve publike të këtyre sferave t’ua anulojë vizat apo edhe t’ia ndalojë hyrjen në SHBA, tek të cilët ka dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Kjo masë mund të hyjë në fuqi, në rast se kriza politike në Maqedoni vjen në një situatë të mosrespektimit dramatik të të drejtave të njeriut. Kjo masë përveç ndalesës, përfshin edhe bllokimin e llogarive bankare dhe pronave të shtetasve të Maqedonisë që i kanë në SHBA.

Masa të ngjajshme janë aplikaur për shumë zyrtarë dhe personalitete publike të vendeve që nuk respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, por edhe shkelin frymën e demokracisë. (INA)

A do të dal e vërteta për dënimet e shqiptarëve për “terrorizëm” në Maqedoni

Përgjimet a do të nxjerrin të vërtetën për dënimin e dhjetërave të rinjve shqiptarë përmes proceseve të dyshuara dhe të montuara.Në Maqedoni burgjet janë duke vluar nga numri i madh i të dënuarve shqiptarë me dhjetëra vite burg e deri në burgim të përjetshëm të dënuar me vepra penale për terrorizëm, informon agjencia e lajmeve INA.

Dënimet e shqiptarëve mbeten drakonike, lidhur me rolin që kishin Gjykatat e Shkupit, posaçërisht te ata që konsiderohen si raste të montuara.

Viktima të këtyre proceseve politike që vërshuan pas vitit 2001, menjëherë pas konfliktit futën nëpër burgje qindra ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

Opinioni i gjerë mirë i din dënimet për civilët e Brodecit, Sopotit, dënimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së për vënien e bombave në Kumanovë dhe hekurudhën që lidhet me Serbinë, dënimi me burgim të përjetshëm për dy qytetarë të fshatit Haraçinë, dënimi për ish-pjesëtarët e Rakovecit, dënimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së nga Tetova, Ibrahim Sulejmani, gazetarin kumanovar Agim Behluli i dënuar po ashtu për terrorizëm, por edhe shumë raste të tjera që kanë çuar në burg kryesisht ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Rexhail Qerimi (41) nga fshati Opajë të Kumanovës, Agim Islami (27) nga fshati Rashçe të Shkupit, dhe Almir Drlanjin (31) nga Shkupi më 30 prill 2010 u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Ramadan Shaqiri, i akuzuari i katër për dhënien e ndihmës është akuzuar me gjashtë vite burg. Rexhail Qerimi, Agim Islami dhe Ramadan Shaqiri kanë qenë ish-pjestarë të UÇK-së, mirëpo ata në gjykatë kanë pohuar se asnjëherë nuk janë njohur, raporton agjencia e lajmeve INA.

Kësaj i shtohen edhe listat e MPB-së për aktivistë dhe personalitete politike nga diaspora, të cilët me vite nuk guxojnë të vijnë në Maqedoni, për shkak të fletëarresteve nga autoritetet e Shkupit.

Rastet me dënime të larta janë ato të Sopotit me rreth 200 vjet burg, Brodecit me 192 vjet burg, ish-pjesëtarët e Kumanovës e Shkupit për shpërthimet e vitit 2003 në Kumanovë dhe Likovë.

Shumica e të dënuarve që po dergjen nëpër burgjet e vendit janë kryesisht ish-pjesëtarë të UÇK-së.
Përveç vuajtjes së tyre nëpër burgje, familjet e tyre po pësojnë rëndë duke mos qenë të ndihmuar dhe duke u lënë në harresë. Shumica e pjesëtarëve të familjeve kanë ndërruar jetë, për shkak të dhimbjes së tyre për fëmijët e tyre.

Ekspertët e drejtësisë, shprehen kundër këtyre dënimeve kaq të mëdha, dhe e udhës sipas tyre, është, “që të kërkohet rishqyrtimi i lëndës te shumica e rasteve”.

Revolta e familjeve dita ditës po shtohet dhe se janë paralajmëruar masa radikale në kërkim të përsëritjes së rasteve që kanë të bëjnë pas përfundimit të konfliktit të vitit 2001, ku janë të dënuar shumica e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Përgjimet e fundit mund të nxjerrin në shesh shumë prapaskena dhe procese të montuara të përgaditjes së këtyre skenareve dhe dënimeve drakonike të ish-pjestarëve të UÇK-së. Familjarët e të dënuarëve presin që të dal e vërteta, sepse ata janë të bindur se bëhet fjalë për procese të montuara dhe për pafajësi të djemëve të tyre. (INA)

Oscar, triumfon filmi ‘Birdman’

Në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve Oscar është filmi ‘Birdman’ ai që triumfon duke marrë plot 4 statuja të arta: filmi më i mirë, regjisori më i mirë (Alejandro Gonzalez Inarritu), kinematografia më e mirë dhe skenari origjinal më i mirë. Michael Keaton është protagonisti i komedisë së zezë që tregon historinë e një aktori dikur të famshëm për interpretimin e një superheroi, i cili tashmë shpreson të rikthehet në maja duke vënë në jetë një pjesë teatrore në Broadway.

Ndërkohë, çmimin e aktorit më të mirë e fitoi Eddie Redmayne për interpretimin e tij në ‘The Theory of Everything’, ku luan rolin e fizikantit Stephen Hawking, ndërsa aktorja më e mirë u shpall Julianne Moore (‘Still Alice’).

Aktori më i mirë joprotagonist shkoi për JK Simmons në filmin ‘Whiplash’, ndërsa aktorja më e mirë joprotagoniste u shpall Patricia Arquette në filmin ‘Boyhood’.

Ja lista e të gjithë fituesve të çmimeve Oscar:

Filmi më i mirë – Birdman

Regjisori më i mirë – Alejandro G. Iñárritu, Birdman

Aktori më i mirë – Eddie Redmayne (The Theory of Everything)

Aktorja më e mirë – Julianne Moore (Still Alice)

Aktori më i mirë joprotagonist – JK Simmons (Whiplash)

Aktorja më e mirë joprotagoniste – Patricia Arquette (Boyhood)

Kinematografia më e mirë – Birdman (Emmanuel Lubezki)

Filmi i huaj më i mirë – Ida

Skenari më i mirë i përshtatur – The Imitation Game

Skenari më i mirë origjinal – Birdman

Make-Up-i më i mirë – The Grand Budapest Hotel

Kolona zanore më e mirë – ‘Glory’ (Selma)

Filmi i animuar më i mirë – Big Hero 6

Efektet më të mira vizuale – Interstellar

Kostumografia më e mirë – The Grand Budapest Hotel

/ Top Channel

Çmimet “Spirit” për filmat e pavarur

Më pak se 24 orë para ceremonisë së çmimeve Oscar, yjet morën pjesë në një ceremoni më të thjeshtë ku për të 30-in vit me radhë u dhanë vlerësimet për filmat e pavarur, të quajtur çmimet Spirit.Dhe fitues në ceremoninë e djeshme, ishte një film i përfolur si një nga kandidatët kryesorë për Oscar, “Birdman” i regjisorit Alejandro Inarritu, i cili mori çmime në kategoritë e filmit më të mirë, aktorit më të mirë për Michael Keaton dhe kinematografinë më të mirë.

Filmi elegant fitoi ndaj konkurrentit më të fortë “Boyhood”, një film për të cilin u deshën 12 vjet që të realizohej dhe regjisori i të cilit, Richard Linklater, mori çmimin në këtë kategori.

Ceremonia e çmimeve Spirit, e transmetuar këtë vit për herë të parë drejtpërdrejt është vënë gjithnjë e më në qendër të industrisë kinematografike ndërsa Hollivudi u përkushtohet filmave që sjellin fitime në sallat e kinemasë.

Megjithatë po të kesh parasysh përvojën e vitit të kaluar përputhja mes çmimeve Oscars dhe Spirits është bërë pothuajse e plotë, kur “12 years a slave” triumfoi në të dyja ceremonitë.

Gjasat janë që edhe këtë vit do të ketë përputhje në raste si ai i më të përfolurës në kategorinë e aktores më të mirë: Julianne Moore me filmin “Still Alice”. (voa)

Filmat më të këqinj të vitit

Dhe megjithëse është e vështirë ta imagjinosh, ekziston një çmim që askush në Hollivud nuk do të donte ta fitonte. Bëhet fjalë për çmimet Razzie për interpretimet dhe filmat më të këqinj të vitit. Këtë “nder” në thonjëza e meritoi Kirk Cameron për filmin “Kirk Cameron’s saving Christmas”, që fitoi edhe si filmi më i keq, kombinimi më i keq në ekran mes Cameron dhe egos së tij dhe skenari më i keq.

Cameron Diaz u përzgjodh si aktorja më e keqe jo për një, por dy filma: “The other woman” dhe “Sex tape”.

Filmi “Annie”, ku Diaz gjithashtu kishte një rol së bashku me Jamie Fox dhe Quvenzhane (Kuavenzhenei) Wallis, fitoi si riprodhimi më i keq i një filmi të mëparshëm.

Michael Bay, një i preferuar i Razzie fitoi përsëri si regjisori më i keq për “Transformers: Age of Extinction”. (voa)

Koment: Plagë të hapura në Ukrainë

Një vit pas kryengritjes, krimet në Maidan nuk janë sqaruar. Ukrainasit fituan atëherë kundër një regjimi të korruptuar, por dëshira e tyre për një jetë më të mirë deri tani ka mbetur e parealizuar, mendon Bernd Johann.Para një viti, ukrainasit mundën një regjim autokrat dhe të korruptuar. Ata zgjodhën demokracinë dhe duan një perspektivë evropiane për vendin e tyre. Por lufta e tyre për dinjitet dhe vetëvendosje tani ka një kundërshtar shumë më të fuqishëm: Rusinë. Nga frika e një Ukraine demokratike, Kremlini ka cytur një luftë në Evropë. Ai do që të pengojë me çdo kusht, që Ukraina të bëhet një vend evropian, i cili t’u mundësojë qytetarëve të saj një jetë në demokraci, mirëqënie dhe para së gjithash paqe.

Për muaj të tërë demonstruan qindra mijëra vetë në Ukrainë kundër sistemit autoritar të Viktor Janukovicit dhe kundër një pushtet shtetëror, i cili reagonte në mënyrë gjithnjë e më brutale. Dhe kthesa erdhi. Pushtetmbajtësit kapitulluan dhe u arratisën në Rusi, e cila i quan protestat deri më sot gabimisht si grusht shteti. Por në të vërtetë sistemi pësoi kolaps nga brenda. Në fund ishin madje edhe forcat e sigurisë që nuk pranuan ta ndjekin Janukoviçin. I frikësuar autokrati morri arratinë. Me një puç nuk patëm të bënim. Vetëm pasi Janukoviçi kishte kohë që ishte larguar, parlamenti e shpalli atë të rrëzuar.
Zemërim për luftën dhe dhunën
Moska reagoi për ngjarjet në Ukrainë me agresion dhe me dhunë. Kundër rregullave të së drejtës ndërkombëtare ajo aneksoi Krimenë dhe provokoi pastaj një luftë në Ukrainën Lindore. Pas Janukoviçit tani është Rusia ajo që kërkon t’u marrë ukrainasve të drejtën për vetëvendosje dhe për dinjitet. Në këtë kuadër, ukrainasit i kujtuan tani me krenari dhe me pjesëmarrje të madhe personalitetesh ndërkombëtare protestat në Maidan në Kiev para një viti. Atje u hap dera e lirisë, por u hapën edhe plagë të reja. I madh është dëshpërimi para së gjithash për rreth 100 vetët, të cilët u vranë nga protestat në Kiev nga snajperët. Por me dëshpërimin përzihet edhe zemërimi. Dhe ai është i drejtuar në radhë të parë kundër qeverisë ukrainase. Sepse deri sot nuk është sqaruar se kush ka shtirë atëherë kundër demonstruesve dhe policëve. Kush ishin dorasit? Kush ua dha atyre urdhrat për masakrën në Maidan? Të afërmit e viktimave ende presin përgjigje. Drejtësia e Ukrainës ka dështuar deri tani në sqarimin e këtyre krimeve. Plagët janë të hapura.

Lufta për dinjitetin nuk është fituar

Por i madh është ndërkohë hidhërimi për mijëra vetët, të cilët i ka kërkuar deri tani lufta në Ukrainën Lindore. Mbi një milion njerëz janë kthyer në refugjatë në Ukrainë dhe jetojnë sot atje në strehime provizore. Atdheu i tyre është kthyer në një tokë të shkretuar. Qeveria e Ukrainës dhe Presidenti Petro Poroshenko ndodhen nën presionin në rritje të publikut. Në luftën kundër separatistëve të drejtuar nga Moska, ushtria e Ukrainës ka shënuar disfatë pas disfate. Dhe askush nuk e di nëse tani do të ketë vërtet armëpushim dhe tërheqje të armëve të rënda.
Fuqia e Ukrainës konsiston në atë, që njerëzit treguan në Maidan se janë në gjendje të vetëorganizohen dhe të ngrihen kundër gënjeshtrave politike. Është ky guxim i njerëzve ai që duhet t’i fusë frikën Rusisë. Sepse shoqëria civile është një forcë e madhe, e cila një ditë do të veprojë jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Rusi.

Në Ukrainë, shumë kërkesa të Maidanit ende nuk janë vënë në jetë. Krahas reformave në ekonomi, bëhet fjalë para së gjithash për krijimin e një drejtësie të pavarur dhe për t’i dhënë fund korrupsionit në vend. Një vit pas kryengritjes popullore ukrainasit nuk e kanë fituar ende luftën. (dw)

Renzi i sigurtë në timon

Një vit pas marrjes së pushtetit, kryeministri i Italisë, Matteo Renzi ka pak arsye që të ketë frikë nga opozita – por ndoshta duhet të ketë frikë nga partnerët e tij politikë. Një vështrim në një karrierën të rrufeshme.Tri vjet të shkuara unë ndodhesha në zyrën madhështore të Matteo Renzi-t, në Palazzo Vecchio në Firence. 37 vjeçari ishte atëherë kryetar i bashkisë së Firences. Në këtë kohë, borxhi i Italisë kërcënonte që ta destabilizonte plotësisht euron. Silvio Berluskoni sapo kishte lënë në mënyrë të palavdishme postin e kryeministrit dhe pasardhësi i tij Mario Monti kishte ndërtuar një qeveri teknokratësh.
“Që ne jemi në situatën në të cilën jemi, nuk ka të bëjë me faktin se i kemi humbur gjenialitetin dhe aftësinë tonë krijuese italiane”, më tha atëherë Renzi me anglishten e tij jo krejt të rrjedhshme, “por politikanët italianë për fat të keq nuk janë drejtuar nga vizionet, por nga ndasitë. Kjo është pika me rëndësi vendimtare”.
Karrierë e rrufeshme
Më pak se dy vjet më vonë, në dhjetor 2013, Renzi arriti që ta bënte Partinë Demokratike (Partito Democratico) ta zgjidhte atë kryetar, me gjithë kundërshtitë. Shumë shpejt ai i bëri presion kryeministrit tjetër kalimtar, shokut të partisë së tij, Enrico Letta. Letta dha më në fund dorëheqjen, dhe në shkurt 2014 Renzi qe në gjendje ta merrte vetë drejtimin e qeverisë.
Megjithëse vizionet e Renzit për një Itali të re nuk ishin vërtet të reja – as reforma e tij e kushtetutës, as ajo për ligjin elektoral, as reforma e tregut të punës – ai e shiti atë megjithatë me dinamikë të madhe si të tillë. Një gjë të tillë, koalicioni mes-i majtë i përfshirë nga grindjet nuk e kishte përjetuar: në një peizazh politik, të cilin deri atëherë e patën formësuar burra të moshuar, Renzi ngriti një nga kabinetet më të reja politike të Evropës, gjysma e të cilit përbëhej nga gratë. Dhe ai u mor vesh me të vetmen forcë të vërtetë opozitare në Itali – me Forza Italia-n e Silvio Berluskonit. Me këtë ai arriti që një shumicë e senatit të votonte për një ligj të ri elektoral, i cili shpresohet se do të sjellë stabilitet më të madh politik në të ardhmen.

Politikan postmodernist
Leonardo Morlino, profesor i politologjisë në Universitetin Luiss në Romë është i impresionuar nga Renzi. Puna e tij duhet vlerësuar, po të kesh parasysh se sa e fortë është në Italinë e pas 1945-ës fryma e mosmarrëveshjeve politike dhe e mosbesimit midis partive. Renzi qendron në pushtet dhe popullariteti i tij rritet tek partitë e majta dhe të djathta. “Nuk duhet të harrojmë se Italia ka përjetuar thuajse për 20 vjet një stanjacion politik”, thotë Morlino. Renzi ka ardhur “me vullnet, energji dhe me ide dhe kërkon ta ndryshojë demokracinë e Italisë. Po të flasim hapur dhe të heqim syzen partiake, duhet të pranojmë se me siguri do të duhen kohë, derisa t’i shohim rezultatet.”
Massimiliano Panarari, ekspert i komunikimit politik dhe autor kronikash thotë se Renzi është një revolucion politik për Italinë, ndonëse atij do t’i duhet shumë kohë t’i arrijë ato që thotë. Ai është një politikan postmodernist, thotë Panarari, një “paradigmë për çdo udhëheqje politike pas tij” – një njeri me aftësinë, që ta përkapë shpejt vullnetin e italianëve dhe të politikës italiane” dhe ta orientojë mbi këtë bazë agjendën e tij politike. Autori i kronikave lëvdon veç kësaj reformën e taksave të Renzit si një lëvizje të zgjuar. Përmes saj, personat me të ardhura të pakta kanë 80 euro më shumë në muaj në portofolet e tyre.
Panarari thotë se në Partito Democratico, në forcën e vetme stabile politike në vend, ka konflikte të brendshme. Këto konflikte në rritje mund të bëhen një ditë të vetmet armike të vërteta politike për Renzin. Nëse stili i drejtimit të Renzit i bën mirë vendit, për këtë ai ka dyshim. “Me stilin e Cezarit” e drejton Renzi Italinë, thotë Panarari. Këtë javë, Renzi mbajti në parlament mbledhje të gjata pa pushim, për t’u pamundësuar deputetëve që të përpunonin ndryshime për reformën e kushtetutës që ka planifikuar ai. Projekti përmban ndër të tjera që senati i tejfryrë të shndërrohet në një dhomë më të vogël, me fuqi më të dobëta ligjvënëse. (dw)

Bullgaria kërkon më pak gaz rus

Bullgaria kërkon të ndërtojë një rezervuar të madh gazi, për të siguruar furnizimin me energji, edhe për Evropën Juglindore, pasi Rusia e ndaloi projektin e South Stream-it. Ka vetëm një problem: mungon gazi.Në sektorin energjetik, Bullgaria është thuajse krejtësisht e varur nga gazi rus. Njëkohësisht midis Moskës dhe Sofies ka mendime të ndryshme për linjën e furnizimit me gaz, South-Stream. Qe parashikuar që kjo linjë ta transportonte gazin nga Rusia në BE, nëpër Bullgarisë, duke anashkaluar territorin e Ukrainës. Por pas mosmarrëveshjeve politike, qeveria ruse e ndaloi projektin në dhjetor – në një kohë kur Bullgaria qe e interesuar të vazhdonin ndërtimet.

Rrugëdalje do të ofrojë një rezervuar mbirajonal gazi. Projekti pritet të kushtojë mbi 2,2 miliardë euro dhe kryeministri bullgar, Boiko Borissov e prezantoi atë në një forum të nivelit të lartë për energjinë në Sofie. Të pranishëm ishin ministra të Energjisë nga Austria, Kroacia, Greqia, Rumania, Hungaria, Italia, Sllovenia, Sllovakia dhe Bullgaria -shkas për takimin e tyre ishte vendimi i Moskës, për ta varrosur projektin South Stream.

Rezervuari i gazit do të mundësojë tani një lidhje më të ngushtë të rajonit me tregun evropian të gazit. Komisari i BE për Bashkimin Energjetik, Maros Sefcovic theksoi se varësia nga furnizimet me gaz rus duhet të pakësohet. “Ne ramë dakord që çdo shtet i Evropës Juglindore të marrë gas nga të paktën tri burime”, tha ai.

BE do të ofrojë financimin

Një pjesë e madhe e vëllimit të gazit për rezervuarin e ri, rreth 63 miliardë metra kub duhet të vijë nga Rusia, sasi më të vogla nga Bullgaria, Rumania dhe nga rajoni rreth Detit Kaspik. Ky gaz mund të furnizonte pastaj pjesërisht Bullgarinë dhe Rumaninë, ndërsa rreth 43 miliardë metra kub do të përcilleshin në drejtim të Evropës Qendrore. Një sasi të vogël mund të merrte edhe Serbia. Sipas qeverisë bullgare, për këtë qëllim duhet të shtrohen gjithsej 844 kilometra tubacione të reja gazi. Për financimin, qeveria bullgare shpreson para nga plani i gjerë i investimeve të Presidentit të Komisionit Evropian. Jean-Claude Juncker.

Por ideja ka megjithatë një defekt: i gjithë projekti bazohet në supozimin, se pjesa nënujore e South Stream-it, deri në qytetin e Detit të Zi, Varna do të ndërtohet. Por kjo nuk është aspak e sigurtë.

Riorganizim i tregut të gazit

Christo Kazandjiev nga organizata joqeveritare F”orumi Energjetik Bullgar” beson se depozita e gazit në Bullgari do të ishte në vendin e duhur, sepse Bullgaria ka një pozicion të mirë gjeografik dhe një rrjet të gjerë tubacionesh gazi. Por për këtë projekt do të ishte e rëndësishme që të riorganizohen rrjetet e gazit në të gjithë Evropën. “Rëndësi vendimtare kanë furnizimet e sigurta me gaz nga burime të ndryshme”, thotë eksperti i energjisë. Sepse projekti në fjalë vazhdon ta shohë South Stream-in burim kryesor furnizimi.

Një hap përpara, Bullgaria, Greqia dhe Rumania tashmë e kanë bërë: ato kanë vendosur të lidhin me njëra-tjetrën rrjetet e tyre të gazit. “Ne presim që me ne të bashkohet edhe Hungaria”, deklaroi ministrja bullgare e Energjisë, Temenushka Petkova. Brukseli duhet të japë ndihmë financiare. (dw)

Shpërbërja e Kombit tim

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)
Ngjarjet dhe historia duhet të thuhen realisht që të mësojmë, e jo të rrejmë vetveten dhe sërish të pësojmë.Apeloj te atdhetarët: Të mos keni aspak mirëkuptim dhe keqardhje për këta aventuristë të pandërgjegjshëm sepse ashtu nxisni dhe motivoni tjerët të ikin në askund. Gjendemi në rrezik vdekjeje të shpërbërjes së vetvetes. Do të luftojmë s`bashku që askush më të mos kërkojë fatin jashtë trojeve arbërore, përndryshe do të mbetemi edhe pa territor edhe pa popull.
***
Kalemxhinjve (që e gjejnë veten në përshkrim):
Urdhërimi i parë i komunikimit është: MOS Gënjej!
Kosovën e ka kapluar çrregullimi politik dhe konfuzioni. Nuk kemi kohë. Bëhu më i qartë që të mos keqkuptohesh. Nëse nuk ke aftësi për këtë, nuk ka asnjë logjikë të shkarravitësh kot. Pa hipokrizi, jo servil dhe puthador nëse duash të tregosh diçka, ose qërohu. Ti nuk mundesh të kontribuosh duke u frikuar se dikujt do t`ia prishësh qejfin dhe se pastaj pronari i portalit nuk do t`i boton plehrat.
***
“Emigrantëve” të përkohshëm:
Ju vuani nga një ndijim a përfytyrim i rremë që i shfaqet një njeriu kur është i sëmurë rëndë, kur është në kllapi, kur është tronditur shumë shpirtërisht etj. O“emigrant” taze, mos u bën një viktimë! Duhet vetëm për të gjetur një zgjidhje tjetër, më të mirën nga situata. Jepi fund ndjenjës së keqardhjes për veten tënde! Mos ik me bishtin nën vegë o “burrë i fortë, trim, i besës e fisnik”.
Është lehtë të fillosh një aventurë por vështirë ta mbarosh me sukses. Të gjithë do të dëboheni nga vendi “pritës”; nuk duan të ndajnë me ju hise nga kasa shtetërore e tyre. “Eksodi nga Kosova dhe abuzimi me të drejtën gjermane të azilit duhet të ndërpriten menjëherë dhe në mënyrë efektive“, – kanë thënë gjermanët. Dhe, grupin e parë me 30 pasagjerë kosovarë e dëbuan për në Prishtinë. Fukarenjtë e vërtetë nuk kanë shumë mijëra euro si ju që të “emigrojnë”. Fëmijët e juaj qajnë nga dhembja fizike/psikike dhe tmerri që ju ua keni sjellë në këtë dimër të ftohët nëpër baltat e Serbisë-Hungarisë. Prej ku i morët lekët të paguani kontrabandistët? Si u njoftuat me trafikantët? Si nuk u frikuat të kaloni nëpër Serbi?! Xhelatit që vetëm në gjenocidin e fundit masakroi 20.000 vëllezër dhe motra të juaja? Serbia i ka në listën e zezë të gjithë ata që luftuan kundër saj në vitet 1998-99, pse nuk u arrestoi juve? Juve bile u jep edhe pasaporta?! Përgjigja është e qartë. Ju vuani nga çrregullimi i personalitetit. Jeni tjetërsuar. Askush nuk e kupton misterin e pakuptimtë të ikjes në kope. Nuk kam më shumë keqardhje për ju se për të tjerët që janë më të varfër se ju por nuk e braktisin atdheun. Mbrojnë dinjitetin.
Ishte Amerika me presidentin Bill Clinton që çliroi Kosovën, të mos ia dorëzoni më kurrë Serbisë. Çka tani?
***
Sundimtarëve të Kosovës:
Jeni shkaktarët kryesor të tragjedisë kombëtare në at pjesë të trojeve shqiptare. E kuptoni vetëm forcën. Ju despotë të korruptuar të tipit arabik.
Krimi i organizuar është një term që përdoret në një aktivitet të themeluar kriminal që zgjat me kalimin e kohës – shpesh me role të qartësuara – dhe synon fitime ekonomike dhe / ose marrjes së pozicioneve të pushtetit në shoqëri.
Ju sundimtarë nuk i burgosni shoferët kontrabandist të autobusëve që ngarkohen me milet analfabet. Është e papranueshme që kriminelët të cilët paraqesin kërcënim fatal për Kosovën dhe interesat gjithë-shqiptare të jenë në gjendje të ecin lirisht rreth e përqark.
Dëshira njerëzore për liri është diçka zanafillore që e gjejmë që tek kafshët e fëmijët e vegjël. Në fushën politike, ndërkaq, liria kthehet në një çështje problematike, sepse, liria e pakufizuar e çdo individi, e bën të pamundur bashkë-jetesën njerëzore. Kur jam i lirë të bëj çka dua, atëherë jam i lirë t’u vjedh të tjerëve lirinë e tyre.
***
Pronarëve të pseudo-35ve – Buburrecave:
Kur psikologët e mirëfilltë marrin pjesë në debatin publik (si për shembull vogëlsia ime), është shpesh për të shpjeguar se pse është ashtu siç është, ose ishte ashtu siç ishte. Pa doreza, pa hipokrizi, me ndershmëri; një lopatë e quajnë për një lopatë. Njohuritë psikologjike aplikohen për të kuptuar ngjarjet: dhunën dhe konfliktin; dhe nga koha në kohë të ngjarjeve të lumtura. Duke shpjeguar ngjarjet sociale psikologët mund të krijojnë një pasqyrë më të plotë, të tregojnë lidhjet e mundshme dhe ndoshta i bëjnë ato më të kuptueshme…
Këto gjëra duheshe t`i dini edhe ju buburreca neo-komunistë të pseudo-35ve. Ju nuk respektoni aspak të Drejtën Ndërkombëtare për Shprehjen e Lirë. Nuk i botoni artikujt e mi sepse nuk u konvenon vetëdijesimi i Kombit tim. Konflikt interesi kjo. Nëse arsyetoheni se kinse letrat e mia nuk kanë kualitetin e duhur, atëherë dilni haptas me kundër-argumente bindëse, ju liliputë. Nëse arsyetoheni se nuk u kam dërguar fotografin time mos u mërzitni aspak, nuk jam aspak buburrec si ju (O i keq o i shtremt je ti). Kur është terr buburrecat lozin lirisht.
***
Nuk është e mjaftueshme vetëm të bëhet pyetja “Kush duhet të qeverisë a të drejtojë”, por pasi t`i shkarkojmë nga pushteti despotët dhe të zgjedhim më të mirët prej më të mirëve të gjejmë mënyrë “Si të kontrollohen ata që drejtojnë”, apo më saktë, “Si t`i organizojmë institucionet politike në mënyrë që t`i ndalojmë qeveritarët e këqij a të pazotë të na bëjnë shumë dëm”.
Problemi i parë i Shqipërisë Natyrale është demografia, rreziku i shuarjes (zhdukjes) së kombit.
Shqipërinë e shpëton vetëm vetëdijesimi kombëtar:
1. stimulimi i natalitetit
2. ndalja e emigrimit
3. kthimi, riatdhesimi i emigracionit
4. hapja e vendeve të punës
***
Çka ka për të ndodhur tani me “kosovarët”? Kjo është një pyetje që nuk mundem t`i përgjigjem, sepse çfarëdo që të them, ngjarjet do ta kalojnë.

Mijalkov – Llatas: Thaçi jostabil, Ahmeti më i mirë dhe parimor

Ja se çfarë flasin drejtori i DSK-së, Sasho Mijalkov me gazetarin Llatas për koalicionimet e shqiptarët. Në një bisedë të shefit të shërbimit sekret DSK, Sasho Mijallkov dhe kryeredaktorit të TV Sitel, Dragan Pavloviq – Llatas, flitet për zgjedhjet dhe koalicionimet e ardhshme me partitë shqiptare.

Në bisedën e shtruar, Llatas thotë se nëse do të arrihen 55 deputetë nga VMRO-DPMNE, atëherë në koalicionin të merret PDSH nga shqiptarët dhe jo BDI.

Por këtë e refuzon shefi i shërbimit sekret, Mijallkov duke theksuar se Thaçi është jostabil dhe më parimor dhe më i mirë për politikë është BDI dhe Ali Ahmeti.

Ja edhe biseda e tyre në minutën e 9.00 të materialit të përgjuar:

Llatas: Me 55 deputetë ti mundesh edhe Thaçin të bësh koalicion.

Sasho: Po, ama jo, ai është jostabil.

Llatas: Ali Ahmeti është më principiel dhe më i mirë për politikë…

Sasho: Po po, unë mendojë se ne do t’i befasojmë, ta dijsh. (ina)