PDSH-ja në qeveri, shans i vetëm i Gruevskit për të mbijetuar

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se hyrja e Thaçit në qeveri do t’i shërbente Gruveskit, që të përforconte pozitën e lëkundur pas aferës së përgjimeve. Ish nënkryetari i PDSH-së Sulejman Rushiti vlerëson se Thaçi dëshmoi sërish se gjithmonë ka qenë në shërbim të drejtorit të DSK-së Sasho Mijallkov. Ndërkaq për analistin Ibrahim Mehmeti, Gruevski në këtë kohë krize përpiqet të sigurojë mbështetje aty ku ndihet më sigurt. “Dëshmuan që ky ka qenë në shërbim të përhershëm të drejtorit të shërbimit sekret dhe tani kur të gjithë shohin dhe të gjithë kërkojnë, pra shqiptarët kërkojnë që edhe BDI-ja të dalë nga Qeveria, del një parti tjetër që do të futet në bashkëqeverisje për t’ia zgjatur jetën VMRO-së e cila po dëshmohet se ka bërë shkelje, qoftë ligjore dhe kushtetuese dhe ka pasur një trajtim diskriminues ndaj shqiptarëve. Është veprim i palogjikshëm që do ta paguajë vetë kryetar i PDSH-së”, deklaroi Sulejman Rushiti, ish nënkryetar i PDSH-së.

“VMRO tani që ballafaqohet me presion të dukshëm nga opinioni dhe partitë opozitare, përpiqet ta zgjerojë mbështetjen aty ku ndihet më e sigurt. Dhe nëse i shohim reagimet e partive shqiptare lidhur me përgjimet telefonike, të dy partitë shqiptarë janë mjaft të rezervuara ndaj shpalljeve të LSDM-së dhe mendoj se kryeministri këtu e shikon shansin për të forcuar bazën dhe të absorbojë këtë presion”, tha Ibrahim Mehmeti, analist.

Rushiti gjithashtu vlerëson se Thaçi po përpiqet të zhvendos vëmendjen nga bisedat e publikuara me drejtorin e DSK-së Mijallkov por edhe për të shpëtuar veten nga shpërdorimet që ka bërë.

“Në procesin e çkriminalizmit, apo kroatizimit, individë të caktuar do të bëjnë akrobacione të tilla për të shpëtuar. Thjeshtë është një tentativë e kotë, dëshpëruese për të mbuluar keqpërdorimet e bëra me dekada, të disa individëve të cilët e kanë marr peng jetën politike”, u shpreh Sulejman Rushiti, ish nënkryetar i PDSH-së.

Përfshirja edhe e PDSH-së në Qeveri, sipas analistëve do ta ndrydhte akoma më shumë hapësirën për kritikë ndaj politikave qeveritare, sidomos tek shqiptarët. Një ditë më parë, kreu i PDSH-së Menduh Thaçi deklaroi hapur se ishte në bisedime me VMRO DPMNE për të hyrë në qeveri, por se postet ministrore nuk janë përcaktuar ende. Semra Jakupi

Opozita përplaset me eurodeputetët, Bumçi debate me Macovei-n

Durimi i opozitës zgjati deri kur përfunduan fjalën disa nga ministrat e kabinetit qeveritar që raportuan mbi reformat e ndërmarra në tryezën e takimit të tetë parlamentar Shqipëri– BE, një format i bashkëdrejtuar nga eurodeputetja rumune Monica Macovei dhe Taulant Balla nga pala shqiptare. Si një takim mes deputetëve të Parlamentit Europian dhe atyre shqiptarë opozita e denoncoi si të paprecedente praninë dhe deklarimet e ministrave në të, denoncim i bërë fillimisht në shqip, ndërsa tonet e larta të opozitës me përfaqësuesin e Parlamentit Europian u përcollën në anglisht, duke thyer edhe mitin se në këtë gjuhë shqiptarët dinë të merren vesh më mirë.

“Për herë të parë vendoset një format i ri. Nuk mund të na imponosh një formulë që nuk është ndjekur kurrë në 10 vitet e fundit. Kjo është qesharake! Mazhoranca po pyet ministrat e saj. Demokraci është kjo?! Unë jam opozita, opozita merr vendimet e saj dhe unë dua kohën time për të folur. Nuk mund të më imponosh një axhendë”, iu drejtua deputeti demokrat, Aldo Bumçi eurodeputetes rumune, Monika Macovei.

Nga ana e saj, Macovei ftoi opozitën që të bënte pyetjet e saj,por opozita nuk pati asnjë pyetje për prioritetet kyçe që ka si synim ky takim dhe këmbënguli në kërkesën e saj për të diskutuar.

Ben Blushi deputeti i PS: Besoj që është një luks i madh që opozita nuk ka pyetje dhe meqë opozita nuk ka pyetje, ja vlen ta shfrytëzojmë këtë boshllëk.

Majlinda Bregu, deputete e PD: Po vras mendjen se si t’i japim kuptim këtij debati këtu, një pyetje do të kisha se përse deputetët e PS, nuk gjejnë kohë t’i bëjnë pyetje ministrave të tyre kur jeni bashkë, por gjeni kohën këtu për të bërë shoë?!

I gjithë takimi i tensionuar mes palëve në prani të europarlamentarëve u bë në konteksin e qendrimit zyrtar të Tiranës për dëshirën e hapjes së bisedimeve për anëtarësim.

Ditmir Bushati, Ministër i Jashtëm: Ne kemi shprehur dëshirën për të diskutuar me Komisionin për një kornizë kohore dhe një koreografi të veprimeve që do ta na çojnë drejt një rekomandimi për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, pasi për ne negociatat janë më shumë se një instrument. Nuk janë thjeshtë një etapë e procesit, por vetë procesi që garanton reformat transformuese.

Majlinda Bregu, deputete e PD: Këtu jam dakort me Ministrin e Jashtëm. Nuk është vetëm çështje gërmash, duhet një koreagrafi, ju e quani koreagrafi, unë e quaj frymë dhe vullnet politik për të zbatuar reformat.

Largimi i ministrave nga salla nuk ishte kushti i rikthimit të një diskutimi të qetë. Opozita sërish me zërin e Aldo Bumçit kundërshtoi edhe zhvillimin me dyer të mbyllura të diskutimeve.

Rikthimi i medias u pasua me deklarimin e pritshëm të opozitës, nevojën e dekriminalizimit.

Gjosha, Tahiri e Naço informojnë për reformat

Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha informoi përfaqësuesit e delegacionit të PE-së me reformat kryesore të ndërmarra nga qeveria dhe reformat e parashikuara në të ardhmen. Ajo tha se janë shtuar përpjekjet në luftën kundër korrupsionit, ndërkohë që është rritur edhe bashkëpunimi me vendet e BE-së dhe me Europol-n në luftën kundër aktiviteteve të paligjshme.

Pas Gjoshës fjalën e mori Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ai njohu eurodeputetët me reformat e ndërmarra nga qeveria në Policinë e Shtetit përgjatë vitit 2014.

“Gjatë 2014 për t’i dalë përballë sfidës mesatare të policisë qeveria ndërmori hapin për shtimin e numrit të policëve të rinj dhe rekrutimin e të rinjve me konkurse të hapura. Për t’i paraprirë mungesës së arsimimit në radhët e policisë, Akademia e Policisë u shndërrua në një institucion i arsimit të lartë për të përgatitur hetues të mirëfilltë dhe të përgatitur profesionalisht. Miratuam një paketë mbështetje buxhetore për policinë, duke filluar që nga rritja e rrogave, sigurimin, pensionet dhe investimet themelore në infrastrukturë dhe teknologji. Kemi mbyllur reformën më të plotë ligjore në fushën e sigurisë”, tha Tahiri.

Tahiri u ndal edhe tek Byroja Kombëtare e Hetimit dhe kompetencat e saj. Ai tha se detyra e kësaj Byroje do të jetë hetimi në sektorë të veçantë në mënyrë specifike, përfshirë këtu edhe krimin pasuror.

Ndërkohë, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço vuri theksin te reforma në drejtësi.

“Në Tetor Presidenti i Republikës dhe Ministri i Drejtësisë organizuan konferencën për reformën në drejtësi, që ka një mbështetje nga të gjitha kahet e politikës. Po në tetor u zhvillua tryeza me ekspertët në fushën e drejtësisë, po ashtu edhe në nëntor misionet e huaja shprehën nevojën për reformimin e drejtësisë, që nga Gjykata e Lartë, mënyra e emërimit të gjyqtarëve dhe të tjera. Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunuar me të gjitha institucionet dhe në Dhjetor 2014 Kuvendi miratoi për këtë një Komision të Posaçëm për reformën në sistemin gjyqësor”, deklaroi Naço.

/ Top Channel

Gjykata Speciale do të gjykojë 12 ish-ushtarë të UÇK-së

Dymbëdhjetë pjesëtarë të ish- Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të akuzohen dhe do të gjykohen në Gjykatën Speciale, kanë thënë burime ndërkombëtare.“Do të jenë gjithsejtë 10 raste, ku sipas të gjitha gjasave do të gjykohen 12 ish- pjesëtarë të UÇK-së”, ka thënë ky burim për Gazetën Blic.

Sipas këtij burimi, ka gjasa që numri i të akuzuarve të shtohet gjatë procesit të gjykimeve, mirëpo, momentalisht kaq është numri i të dyshuarve.

Sipas këtij burimi, shumica prej këtyre ushtarëve, kanë qenë eprorë të lartë të ushtrisë çlirimtare, dhe shumica nga ta janë në skenën politike.

“Shumica e të akuzuarve do të jenë nga Partia Demokratike e Kosovës. Madje, 2/3 do të jenë nga kjo parti. Të akuzuar do të ketë edhe nga partitë tjera”, ka thënë ky burim ndërkombëtar, duke mos dhënë emra dhe detaje tjera.

Pritet që shumë shpejt në Kuvend të procedohet edhe projektligji për themelimin e kësaj gjykate. Sipas burimeve ndërkombëtare, pritet që në Kosovë të jetë një vjeshtë e nxehtë.

Ndërkohë, para disa javësh, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se draftet për themelimin e Gjykatës Speciale do të vijnë të gatshëm nga ana e Brukselit./Gazeta Blic/

Gjykata Speciale e Kosovës, në maj arrestimet e para

Ekipet përgatitore për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë kanë finalizuar detajet dhe të gjitha dosjet e para, të cilat do t’u vihen në dispozicion prokurorëve të dhomave të specializuara për ngritjen e aktakuzave të para. Top Channel ka mësuar nga burime ndërkombëtare në Prishtinë se në muajin maj priten arrestimet e para të zyrtarëve të lartë në institucionet e Kosovës, të cilët gjatë luftës kanë qenë në hierarkinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe antarë të partive që u formuan pas luftës nga fraksionet e UÇK.

Mësohet se shumica e dosjeve për të akuzuarit tanimë janë gati, por numri i të akuzuarve ende nuk dihet, ndërsa për të gjykuar pretendimet për krime lufte do të jenë në dispozicion pesë panele gjyqtarësh në të njëjtën kohë.

E ndërkohë që ekipet përgatitore ndërkombëtare po bëjnë përgatitjet rreth funksionimit të gjykatës, në Prishtinë institucionet janë në fazën e ndryshimeve kushtetuese për t’i krijuar bazën ligjore themelimit të saj.

Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar përmes një përgjigjeje zyrtare për Top Channel se ka pranuar kërkesën e Kryesisë së Kuvendit me amendamentet e propozuara dhe kjo kërkesë tashmë është duke u proçeduar.

Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se, në përputhje me proçedurat ligjore brenda afatit do të vendosë për kushtetutshmërinë e amendamenteve të propozuara nga qeveria. Institucioni më i lartë i drejtësisë kosovare nuk ka dhënë përgjigje rreth përjashtimit të gjykatës kosovare në rastet e ankimuara nga Gjykata Speciale.

Ndërsa në Kushtetuese po shqyrtohen amendamentet e reja, në Kuvend kanë nisur përgatitjet për marrëveshjen ndërkombëtare që duhet të arrihet mes Kosovës dhe Holandës për vendosjen e Gjykatës Speciale të Kosovës në territor holandez.

Edhe ndryshimet kushtetuese, por edhe marrëveshja ndërkombëtare duhet të miratohen nga dy të tretat e deputetëve kosovarë. Në rast se Kosova dështon të miratojë këto ndryshime për t’i hapur rrugë gjykatës, ndërkombëtarët kanë paralajmëruar se ajo do të formohet me vendim të posaçëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. / Top Channel

Rruga e Arbrit, koncesion te kinezët. Qeveria çon në Kuvend draft-kontratën

Rruga e Arbrit do të financohet dhe ndërtohet nga “China State Company”, përmes një procedure të veçantë jashtë ligjit të koncesioneve dhe atij të partneritetit publik-privat. Qeveria ka dërguar në Kuvend një projektligj të posaçëm, i cili akordon kontratën për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e rrugës drejtpërdrejt te kompania kineze, pa konkurrim.

Në relacionin e draftit, Qeveria thotë se përjashtimi nga ligji bëhet për fillimin sa më shpejt të veprës, duke mundësuar shkurtimin e kohës së udhëtimit dhe kursimin e kostove për mjetet.

Por, cila është procedura e propozuar në projekligj? Sipas saj, i gjithë procesi i negocimit për lidhjen e kontratës do të ndiqet nga një komision i posaçëm, i kryesuar nga Ministria e Transporteve, por me anëtarë edhe nga Ministria e Financave, ajo e Zhvillimit Ekonomik, e Drejtësisë dhe Avokatura e Shtetit.

Komisioni do të ketë për detyrë të shqyrtojë propozimin, që kompania kineze ka paraqitur në Ministrinë e Transporteve. Në këtë propozim janë përcaktuar kushtet financiare, afati dhe gjithë detajet e tjera të draft-kontratës, që kërkon kompania kineze.

Nëse komisioni do t’i vlerësojë këto kushte si të përshtatshme, pasi të ketë përfunduar me shqyrtimin do të përgatisë një projektkontratë, e cila u dërgohet për firmosje tre ministrave: atij të Transporteve, ministrit të Financave dhe atij të Zhvillimit Ekonomik.

Të tre ministrat kanë të drejtë të kërkojnë nga komisioni rinegocim të kontratës, nëse kanë rezerva për termat e saj. Nëse jo, pas firmosjes së tyre, ajo do të dërgohet për miratim në Kuvend.

Ndërtimi i Rrugës së Arbrit është një angazhim elektoral i Qeverisë. Për shkak të madhësisë së investimit, përzgjedhja e një procedure të veçantë për dhënien e veprës pa konkurrim, edhe pse e parashikuar në ligj, mund të ndezë debate. Megjithatë, ajo që mbetet për t’u parë është se cilët do të jenë kushtet financiare të propozuara nga “China State Company” dhe çfarë do të pranojë prej tyre Qeveria.

Ndonëse propozimi i kompanisë kineze ka mbërritur në Ministrinë e Transporteve, kjo e fundit ende nuk e ka bërë publike. Deri tani, ajo që dihet me siguri është se 26.8 kilometrat e patenderuar të rrugës do të ndërtohen nga kompania kineze dhe, me gjasa, aksi do të jetë me pagesë nga qytetarët; drejtpërdrejt ose përmes buxhetit, apo një kombinim i të dyjave; kjo mbetet për t’u parë kur kontrata të bëhet publike. / Top Channel

Teknologjia dhe virusi hiv

Diagnostikimi i infeksioneve si virusi HIV, kërkojnë prova klinike të shtrenjta, duke i bërë procedurat shumë të kushtueshme për shumë pacientë të varfër apo për ata që jetojnë në zona rurale. Por një teknologji e re mund t’i bëjë testimet më të qasshme për shumë njerëz.Telefonat inteligjentë janë si kompjutera që futen në xhepa, të aftë për të luajtur shumë programe të komplikuara – që nga lojrat e deri tek ndihma mjekësore.

Aplikime të tjera i shtojnë edhe më shumë këto mundësi të telefonave sot.

Shkencëtarët në universitetin Kolumbia në Nju Jork kanë zhvilluar një pajisje që kur lidhet në telefon, e kthen atë në një mjet për të diagnostikuar sëmundje infective si Hiv apo sifilisi.

Sam Sia është ndihmës profesor për inxhinierinë biomjekësore në universitetin Kolumbia. Ai thotë se diagnostikimi i hershëm mund të jetë çështje jete apo vdekje për pacientët si përshembull për grate shtatëzëna në pjesë rurale të Afrikës.

“…Duke përdorur diagnostikim më të lehtë për këta pacientë, ata mund të trajtohen, foshnjet e tyre mund të lindin dhe të jetojnë normal. Pra nuk është më çështje jetë a vdekje në se i kanë këto diagnoza. ”

Për 10 vjet Sia dhe ekipi i tij punuan për të zhvilluar një pajisje që ata thonë se mund të kryej prova laboratorike si ato të pajisjeve që kushtojnë 18 mijë dollar.

“Në vend që të marrin gjak dhe ta dërgojnë në laborator, ata mund ta bëjnë testimin këtu dhe ta marrësh përgjigjen për 15 minuta me një cilësi të ngjashme me ato të testeve në laborator.”

Testimi i një numri të vogël pacientësh në Ruanda dha rezultate me saktësi të lartë. Ndjeshmëria në gjetjen e antitrupave ishte 92 deri në 100 përqind, ndërsa përjashtimi i njerëzve të painfektuar ishte 79 deri në 100 përqind i saktë.

Zoti Sia thotë se kapaciteti i pajisjes nuk është i kufizuar vetëm për sëmundjet seksualisht të transmetueshme, si virusi Hiv dhe sifilisi.

“Ne mund të shohim sëmundje të tjera si hepatiti, sëmundje të tjera infektuese si malarja por edhe sëmundjet kronike.”

Sia dhe ekipi i tij po përgatiten tani për një prove klinike në shkallë të gjerë që kërkohet për miratimin e pajisjes nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. (voa)

Krimeja – një vit në duart e Rusisë

Që prej aneksimit të Krimesë prej Rusisë ka kaluar një vit. Rusia po e zgjeron gadishullin në Detin e Zi në një kështjellë ushtarake. Humbës të rrethanave të reja janë para së gjithash tartarët e Krimesë.Në kohë me furtunë në rrugën e Kerçit, në ngushticën detare në Lindje të Krimesë, ndërpritet lidhja me traget me Rusinë kontinentale. Atëherë krijohen bllokime trafiku me kilometra të gjata. Kur Rusia e aneksoi Krimenë para një viti, rruga e Kerçit u kthye në rrugën më të rëndësishme të furnizimit. Moska dhe Kievi i kanë ndërprerë lidhjet e tjera: nuk fluturojnë avionë, nuk qarkullojnë trena pasagjerësh dhe as autobuzë. Ai që kërkon të udhëtojë nga Krimeja në Ukrainë ose anasjelltas është i varur nga firma të vogla private ose ecën në këmbë. Edhe furnizimin me ujë Kievi në pjesën më të madhe e ka ndaluar. Nga Ukraina vjen energji elektrike dhe disa ushqime.
Para pak kohësh, Presidenti rus bëri të ditur në një film dokumentar të televizionit shtetëror detaje për aneksimin e Krimesë. Vladimir Putini pranoi se e kishte vendosur që në fund të shkurtit 2014 “kthimin” e gadishullit dikur rus tek Rusia. Si argumentim, shefi i Kremlinit përmendi rezultate të sondazheve, në bazë të të cilave gjoja 75 përqind e banorëve të Krimesë donin të bëheshin pjesë e Rusisë. Në një “referendum” më 16 mars 2014, i cili u mbikqyr nga ushtarë rusë pa simbole nacionale në uniforma, sipas të dhënave ruse më shumë se 96% u shprehën pro kthimit tek Rusia. Ukraina, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe shtetet perëndimore e dënuan mënyrën e veprimit të Rusisë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. 90 përqind e banorëve do të votonin sot sërish për një “ribashkim me Rusinë”. Këtë thotë se e ka konstatuar Instituti kërkimor shtetëror WZIOM në shkurt 2015. Kjo shifër nuk gjendet në burime të pavarura. Ekspertët ukrainas kanë dyshim për një vlerë të tillë kaq të lartë.

Pa Apple por ndoshta me armë bërthamore
Ajo që është e sigurtë, është se 2,3 milionë banorët e Krimesë jetojnë në një realitet të ri. Problemet e qarkullimit janë vetëm një gur mozaiku në këtë realitet. Kur Perëndimi vendosi sanksione kundër Rusisë, shumë sipërmarrje amerikane u tërhoqën nga gadishulli. Kështu që atje nuk gjen më sot filiale të rrjetit të restoranteve McDonalds. Visa dhe Mastercard, dy sipërmarrjet më të mëdha të kartave të kreditit nuk u shërbejnë më klientëve të Krimesë. Edhe Apple Store në Krime qenë të detyruara të mbyllen.
Por ndryshimet me siguri më të mëdha ndodhën në sektorin ushtarak. Rusia po e kthen Krimenë me shpejtësi të madhe në kështjellë. Në bazë të të dhënave të mediave shtetërore ruse, numri i ushtarëve rusë në Krime mund të rritet nga aktualisht 25.000 në 40.000. Furnizimet me karburant për Rusinë janë dyfishuar që tani. Rusia po i armatos trupat e saj: me tanke të reja, me anije dhe me avionë. Edhe për një stacionim të mundshëm të armëve atomike spekulohet. Moska nuk e përjashton këtë.
Pagat bien…
Viti i kaluar u karakterizua nga transformime të mëdha: erdhi monedha ruse, punëdhënësit rusë dhe ligjet ruse. Para së gjithash për pagat më të larta duhet të jenë gëzuar fillimisht shumica e njerëzve. Por ndërkohë gëzimi është turbulluar, i tregon Oleg Skromnow (emri i ndryshuar nga redaksia) Deutsche Welle-s.” Rrogat ukrainase të atyre që punonin në shtet fillimisht u dyfishuan. Por tani ato janë përshtatur me kontratat ruse të punës dhe situata nuk duket më e trëndafiltë”, ankohet programuesi nga qyteti provincial Simferopol. “Gruaja ime, që punon në një spital, tani fiton gjysmën e parave që fitonte më parë, kurse çmimet janë rritur.”

Diskriminimi i tartarëve të Krimesë
Ata që refuzojnë më fort ta marrin nënshtetësinë ruse janë me siguri tartarët e Krimesë. Ata konsiderohen humbësit e madh të aneksimit. Herë pas here bëhet e ditur se përfaqësues të këtij minoriteti zhduken. Disa i kanë gjetur të vdekur. Komisari për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Nils Muiznieks i dënoi në një raport të tij raste të tilla. Ka herë pas here lajme se policia ruse dhe shërbimet e fshehta i kërcënojnë tartarët e Krimesë. Shumica e rreth 300.000 tartarëve të Krimesë patën marrë gjatë aneksimit të gadishullit nga Rusia një qendrim pro-ukrainas. (dw)

Kina kërkon të ndërmarrë reforma “të dhimbshme”

Jo rritje ekonomike me çdo kusht, por mbrojtje më e mirë e ambjentit dhe më shumë ekonomi tregu. Këto janë objektivat më të rëndësishme të qeverisë pas përfundimit të Kongresit Popullor Kombëtar.Linjat e mëdha të politikës kineze u bënë shumë të qarta në Kongresin Popullor Kombëtar, i cili përfundoi të dielën (15.03.2015): qeveria dëshiron ta hapë edhe më tej Kinën, ekonomikisht dhe në politikën financiare. “Ne nuk mund të lirojmë frenën e dorës dhe të vazhdojmë ta mbajmë të shtypur frenën e këmbës”, kritikoi kryeministri Li Keqiang në konferencën përmbyllëse të shtypit gjendjen e deritashme.
Synohet “frymë sipërmarrëse masive”
Më shumë treg dhe më shumë inovacion janë të dyja temat e mëdha të kongresit të këtij viti: “Tregu vendos a mbijeton apo jo një sipërmarrje,” tha Kryeministri Li në deklaratën e tij qeveritare. Reformat e ardhshme nuk janë si “prerje thonjsh, por sikur t’ia ngulësh thikën trupit tënd”, shtoi Li në konferencën e shtypit. Ai kërkoi që të veprohet me “shpirt masiv sipërmarrës”, në të cilin të gjithë të mund të tregojnë talentet e tyre. Veçanërisht të rinj në rajonet më të varfra do të kenë më shumë shanse. Më pak kontroll ekonomik nga qeveria do të thotë rritje më e madhe ekonomike për Kinën. Megjithatë ekziston një presion për rënie në ekonominë kineze. “Vitet e fundit nuk na u desh ta stimulojnë kaq shumë ekonominë tonë”, tha Li duke pasur parasysh SHBA, Japoninë dhe Evropën, pa i përmendur këto shtete, “prandaj ne tani kemi hapësirë veprimi”. Veç kësaj shteti ka mbledhur rezerva të mëdha dhe numri i kredive të këqia, në krahasim me vendet e tjera është i vogël, tha ai.
E rëndësishme rritja e ndikimit ekonomik
Njëkohësisht do të zgjerohet rrjeti social, do të konsolidohet sistemi juridik. Dhe kryeministri Li do ta nxisë para së gjithash që të shënojë hapa përpara mbrojtjen e ambjentit. Kina nuk do të mbyllet në vetvete si iriqi, por të forcojë lidhjet ekonomike me botën. Investuesit ndërkombëtare do të marrin hapësirë më të gjerë veprimi në Kinë. Sipërmarrjet kineze do të investojnë më fort në botën e jashtme dhe do të mbështeten në këto veprime nga qeveria.
Qeveria vendosi një rritje të moderuar të buxhetit ushtarak, para së gjithash po ta krahasosh këtë me Indinë. Ushtria megjithatë nuk luan rol qendror në politikën e jashtme të qeverisë. Kina kërkon që në marrëveshje dhe në bashkëpunim të ngushtë me vendet e tjera të shtojë ndikimin e saj ekonomik: “Këtë nuk duhet ta gjykojmë me një mentalitet të prapambetur të luftës së ftohtë”, paralajmëroi Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi javën e kaluar.
Fushata antikorrupsion mbetet
Nuk bëhet fjalë për liri më të mëdha politike, megjithatë as për kufizim. Impulset më të reja, për t’i shtrënguar edhe më fort frerët vijnë nga partia. Për këtë temë me sa duket ka dallime të mëdha qendrimesh midis partisë dhe qeverisë, e edhe brenda qeverisë. Deri në fund u diskutua se në ç’formë duhet të përfshihej kjo pikë në deklaratën qeveritare. Propozimi i Ministrit të Arsimit, Yuan Guiren kundër përhapjes së vlerave perëndimore nuk arriti të dalë në deklaratën qeveritare. Një goditje e hidhur për ministrin.
Fushata antikorrupsion e Partisë Komuniste nga ana tjetër mbështetet plotësisht nga qeveria, por mbetet çështje e partisë. Në përgjithësi, politika qeveritare është në përputhje me “katër direktivat e gjera” të kryetarit të shtetit dhe të partisë, Xi Jipping: ndërtim i një shoqërie që rritet në mënyrë të moderuar, nxitje e reformave, rrënjosje e shtetit juridik dhe respektim i disiplinës së partisë. (dw)

Reichel në Tiranë: Mbështesim përpjekjet që strukturat kriminale të mos depërtojnë në politikë

Flet ekskluzivisht për DW Dr. Ernst Wolfgang Reichel, i ngarkuar me punë i qeverisë së Gjermanisë për Europën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s. Në Tiranë ai pati takime me përfaqësues të qeverisë dhe të opozitës.DW: Dr. Reichel, duke u fokusuar tek zhvillimet në Shqipëri pas marrjes së statusit të vendit kandidat, cilat mbeten sfidat kryesore tashmë në procesin e integrimit europian?
Dr. Ernst Wolfgang Reichel: Shqipëria ka shumë për të bërë për përmbushjen e pesë prioriteteve të identifikuara, mes tyre lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma administrative, çështje që lidhen me të drejtat e njeriut etj. Janë aspekte që realisht Shqipëria duhet të përmbushë më tepër, me qëllim që të vijojë hapat e tjerë në rrugën drejt BE-së. Marrja e statusit të vendit kandidat, vitin e kaluar, ishte një vlerësim për përpjekjet e bëra dhe fokusimin te reformat. Duke monitoruar ç’ka është duke u bërë në kryerjen e reformave, mbi të gjitha vlerësojmë angazhimin dhe hapat e ndërmarra, duke shpresuar se do të vijohet më tej, për të parë momentin e hapjes së negociatave.
DW: Që nga gushti i vitit të kaluar, kur u mbajt Konferenca e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, a shikoni ndonjë impakt konkret në intensifikimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit?
Dr. Ernst Wolfgang Reichel: Ne kemi ndërtuar tashmë procesin e konferencave të përvitshme të këtij formati, që siç dihet do të vijojë me Konferencën e Vienës, në gusht të këtij viti, dhe më pas në vende të tjera. Një nga efektet pozitive mendoj se është përmirësimi në marrëdhëniet biletarale mes Shqipërisë dhe Serbisë. Kryeministri Edi Rama udhëtoi për në Beograd dhe qartazi duket interesi i të dy vendeve për të përmirësuar marrëdhëniet, për t’i normalizuar ato. Ky është një aspekt, por ne jemi duke punuar për të arritur rezultate konkrete në këtë periudhë, mes Konferencës së Berlinit dhe asaj të Vjenës. Kjo kërkon përpjekje nga vendet e përfshira, qeveritë dhe parlamentet e tyre të arrijnë në kompromise për të bërë të mundur dhënien e asistencës nga BE.
DW: Nga Gjermania ka shqetësim mbi rritjen e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria apo vende të tjera të rajonit. Çfarë masash do të duhet të ndërmerren për të ndalur këtë fenomen? A shikoni ndonjë rrezik që të rivendoset regjimi i përdorimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit që udhetojnë në territorin e Schengen të BE-së?
Dr. Ernst Wolfgang Reichel: Mendoj se gjëja më e rëndësishme është që njerëzit këtu të dinë dhe të kuptojnë se nuk është opcion për të përmirësuar jetesën e tyre nga emigrimi i paligjshëm drejt BE-së apo Gjermanisë, me kërkesa për azil. Ne jemi duke asistuar për ndihmë dhe kam besim se autoritetet janë duke bërë atë që duhet për të parandaluar këtë lloj industrie krininale të organizimit të transportit ilegal të njerëzve. Për këtë unë shpresoj se në fund të fundit do të vijmë tek situata normale. Ajo për të cilën ju pyesni, mbi mundësinë e pezullimit të procesit të liberalizimit të vizave, përgjigja është se ekziston mundësia e kjo mundësi bazohet në legjislacionin e BE-së. Por kushtet për të vendosur këtë janë të larta dhe mund të ndërmerren në një situatë dramatike. Ka arsye të mira për të pasur vëmendje ndaj kësaj dukurie dhe mendoj se shoqëria e tërë ka interes që t’i parandalojë të tilla situata dramatike.
DW: Dr. Reichel, një nga temat më të debatuara aktualisht në Shqipëri është procesi i dekriminalizimit të parlamentit apo politikës në tërësi. A keni diskutuar mbi këtë çështje me autoritetet në kontaktet që keni pasur gjatë qëndrimit tuaj në Tiranë? Cila është pikëpamja juaj për këtë?
Dr. Ernst Wolfgang Reichel: Më duket një interesim i natyrshëm për kapjen e standardeve të Bashkimit Europian në procesin e dekriminalizimit, që nënkupton se njerëzit me rakorde politike kriminale të mos kenë poste zyrtarësh dhe të mos luajnë rol politik. Për këtë janë përfshirë në debat mes tyre aktorët relevantë. Ne mbështesim të gjitha përpjekjet duke u siguruar që strukturat kriminale të mos arrijnë të depërtojnë në politikë. Kjo nuk është çështje vetëm e Shqipërisë, por është edhe e vendeve të tjera, ndaj dhe për këtë ne jemi në mbështje të këtij qëllimi. Çdo gjë tjetër është më shumë çështje e debatit të brendshëm në shoqërinë shqiptare, se sa e jona. (dw)

Vladimir Putin shfaqet në publik

Presidenti rus Vladimir Putin u shfaq sot në publik pas disa ditë spekulimesh se ishte i sëmurë, kishte vdekur ose ishte rrëzuar nga pushteti me grusht shteti.Zoti Putin u shfaq sot para gazetarëve me presidentin kirgiz Almaz bek Atambayev në pallatin Kostandin në Shën Petersburg para se të dy udhëheqësit të zhvillonin bisedime. Do të ishte mërzi pa thashetheme, tha zoti Putin. Zoti Putin nuk ishte parë në publik që nga 5 marsi kur u takua me kryeministrin italian Matteo Renzi në Moskë. (voa)