Raketa e Nasa-s

Motori më i madh në botë për raketa është vënë në provë sot për dy minuta gjatë një testimi në shtetin Utah, duke shënuar kështu një tjetër arritje në sistemin e ri të NASA-s për lëshimin e raketave në hapësirë.Raketa e re do të përdoret për të lëshuar në hapësirë mjete të reja të teknologjisë së ardhëshme për eksplorime, si përshembull fluturimet drejt planetit Mars.

Inxhinierët nga kompania kontraktuese e NASA-s Orbital ATK, që ndërtuar dhe testuan motorin, thanë se ishin të kënaqur me rezultatet. Fuqia e përftuar nga ky motor është e barabartë me 14 avionë Boeing të tipit 747 gjatë ngjitjes së avionit në ajër.

Fluturimi i parë me këtë motor është parashikuar në vitin 2018 ndërkohë që udhëtimet e para me ekuipazh drejt hapësirës pritet të fillojnë në vitin 2021. (voa)

Koment: Vonesë simbolike

Kancelarja e ka vendosur: Angela Merkel nuk do të marrë pjesë më 9 Maj në Moskë në paradën me rastin e fundit të Luftës së Dytë Botërore. Një vendim i vështirë, por i domosdoshëm, mendon Christian F. Trippe.Në fund ishte befasues vetëm çasti kur u mor vendimi: madje edhe bashkëpunëtorët e ngushtë të kancelares prisnin, që Angela Merkel do t’i linte vetes kohë për këtë vendim. Që ajo së pari do të priste të shihte se si do të zhvillohen ngjarjet më tej në Lindje të Ukrainës. Që ajo këtë kartë të bisedimeve me një vlerë jashtëzakonisht të lartë simbolike do ta ruante sa më gjatë të ishte e mundur. Dhe që ajo do t’i peshonte në qetësi të plotë argumentat pro dhe kundër.
“Dita e fitores” ka për Rusinë një rëndësi të jashtëzakonshme. Nuk ka asnjë ditë tjetër feste në Rusi, furia emocionale e së cilës t’i afrohet sado pak asaj që shkakton 9 Maji. Dita e kapitullimit gjerman është një ditë, që për rusët ka domethënie konstitutive – më shumë se dita e Kushtetutës, më serioze se 1 Maji, e pa asnjë mënydshje edhe se të gjitha festat fetare.
Lufta e Dytë Botërore ishte për Rusinë një luftë për ekzistencë
Bashkimi Sovjetik ka luftuar në Luftën e Dytë Botërore për më shumë se sa për fitore a humbje. Rusët kanë luftuar për mbijetesën e tyre si popull, Rusia për mbijetesën si hapësirë kulturore. Edhe sot 70 vjet më pas shoqëria ruse kudo mban gjurmët e kësaj lufte me Gjermaninë naziste, e cila u kushtoi jetën mbi 20 milionë qytetarëve sovjetikë.

Të gjitha këto i di Angela Merkel, të gjitha këto ajo i ka përjetuar vet gjatë udhëtimeve si studente përmes Rusisë. E megjithatë ajo tani e refuzon ftesën, për të shkuar më 9 Maj në festën zyrtare në Moskë. Nuk mund të përjashtohet, që në Sheshin e Kuq të kalojnë në paradë edhe njësi, për të cilat mund të konstatohet, se këto trupa kanë marrë pjesë në luftën e pashpallur të Rusisë në Lindje të Ukrainës apo në goditjen e shpejtë ndaj Krimesë.
Rusia në Luftën e Dytë Botërore është mbrojtur prej fashizmit gjerman. Ky fakt historik dhe rezultati po zhvleftësohen këto ditë prej vet propagandës ruse: e cila agresionin e Moskës kundër Ukrainës gjithashtu e cilëson si ‘luftë kundër fashizmit’ – kësaj here gjoja kundër ‘juntës’ në Kiev. Edhe këto mendime ndoshta kanë luajtur një rol, që Angela Merkel tani e refuzoi ftesën për të dalë në tribunë në Sheshin e Kuq. E meqënëse ra fjala kjo tribunë ndodhet piëkrisht përballë vendit, ku në fund të shkurtit u vra politikani i opozitës Boris Nemcov.
Sot Rusia për shumë është një kërcënim
E megjithatë refuzimi i Merkelit dallon prej refuzimeve të mëdhenjve të tjerë europianë: polakëve, lituanezëve, estonezëve dhe letonezëve, që nuk duan të marrin pjesë në festën e fitores, sepse me avancimin e Ushtrisë së Kuqe për ata nisi koha e re e shtypjes dhe – ajo që është edhe më e rëndësishme – sepse ato sot ndihen të kërcënuar prej politikës neo-imperialiste të Putinit.
Merkel në të kundërt përballet me kujtimin ndaj vuajtjes, që kanë shkaktuar trupat gjermane në Rusi. Një ditë pas festës zyrtare me pompozitet ushtarak, ajo bashkë me Putinin do të vendosë një kurorë në varrin e ushtarit të panjohur në murin e Kremlinit. Një kujtim në heshtje pra atje, ku çdo lloj toni i lartë këto ditë shumë shpejt mund të shkaktojë disharmoni diplomatike. Rusët do të dinë ta vlerësojnë këtë gjest të kancelares gjermane.
Eshtë ende e paqartë, se ç’qendrim do të mbajnë Obama, Cameron dhe Hollande, nëse ata do të shkojnë ose jo në festën e fitores si përfaqësues të aleatëve të dikurshëm të Bashkimit Sovjetik. Në të kundërt është e qartë, se diktatori koerano-verior Kim Yong-un do të shkojë në paradë. Se ç’kërkon ai atje, kjo mbetet një enigmë. Angela Merkelit tani nuk i duhet më ta zgjidhë këtë. (dw)

Konflikti greko-gjerman për reparacionet e luftës

Greqia kërkon nga Gjermania që të paguajë dëmshpërblime nga Lufta e Dytë Botërore. Pala greke thekson, se dëmet nuk janë shlyer, ndërsa Berlini mendon se kjo është një çështje e mbyllur.Greqia kërkon nga Gjermania që të paguajë dëmshpërblime nga Lufta e Dytë Botërore. Pala greke pohon se dëmet nuk janë paguar, ndërsa Berlini mendon se kjo është një çështje e mbyllur.
Dëmet e pësuara janë bërë para 70 vitesh. Nën pushtimin gjerman janë vrarë shumë grekë gajtë Luftës së Dytë Botërore. Gjatë luftës është shkatërruar edhe infrastruktura, ndërkohë që gjermanët e kishin detyruar Bankën Qendrore greke t’i shesë me dhunë letrat me vlerë. Megjithatë kjo temë për qeverinë gjermane është e përfunduar. Zëdhënësi i saj Steffen Seibert, përsëriti edhe njëherë të mërkurën (11.03) se çëshjta e dëmshpërblimit “është mbyllur përfundimisht juridikisht dhe politikisht”. Edhe Martin Jäger, zëdhënës i Ministrisë së Financave, bëri të qartë: “Ne nuk do të zhvillojmë kurfarë negociatash me grekët”. Qeveria federale ka pohuar shpesh se në vitin 1960, në kuadër të marrëveshjeve me shumë qeveri evropiane, janë paguar 11 milionë marka. Ndërkohë që ka pasur edhe shumë masa të tjera për dëmshpërblim, nga të cilat ka përfituar edhe Greqia.

Por Greqia pohon se kjo temë ende nuk është hequr nga rendi i ditës. A thua Athina mund të ketë sukses kësaj radhe?Juristi nga Berlini, profesori Ulrich Battis, thotë për DW: “Ata janë përpjekur shpesh para gjykatave vendase dhe ndërkombëtare, jo vetëm qeveria e tanishme, por edhe të mëparshmet, për t’i ngritur këto pretendime. Deri tani nuk kanë pasur sukses. Por shanset në tërësi nuk duhen përjashtuar.”
Marrëveshja për borxhe
Marrëveshja e Londrës për borxhe ka parashikuar në vitet 50-të që marrëveshja paqësore të kushtëzohet me pagesën e borxheve. Në kuadër të ribashkimit të Gjermanisë, pala gjermane, sipas Battis, i është shmangur qëllimisht arritjes së një marrëveshjeje paqeje. “Si rrjedhojë është menduar: nuk ka marrëveshje paqeje, ndaj nuk ka as dëmshpërblime”, pohon Battis. Këtë e ka menduar edhe kryeministri Alexis Cipras, kur në pralementin grek deklaroi: “Pas ribashkimit të Gjermanisë, në vitin 1990 janë krijuar bazat politike dhe juridike për ta shpjeguar këtë çështje. Por qysh atëherë qeveritë gjermane kanë heshtur dhe kanë reaguar me truke juridike dhe shtyrje.” Cipras nuk ka përmendur shifra, por gazeta greke “To Vima” të dielën e kaluar ka cituar një raport të cilësur si top sekret nga viti 2013, ku flitet për një kërkesë të përgjithshme prej rreth 300 miliardë eurosh. Rastësi apo jo, por kjo shifër është gati në përputhje të plotë me borxhet e tanishme greke në vlerën prej 320 miliardë euro.

Uzurpimi i pronave
Ministri i Drjetësisë Nikos Paraskevopoulos mendon se për disa pagesa mund të merren peng madje pasuritë e patundshme gjermane në Greqi. Sipas një vendimi të Gjykatës Supreme greke nga viti 2000, pagesat në vlerën prej 28 milionë do të ishin në rregull. Mendohet se këto pagesa mund të bëhen përmes mabjtjes peng të godinave gjermane në Greqi, si ato të Institutit Goethe dhe Institutit Arkeologjik Gjerman. Paraskevopoulos tha se “sipas ligjit, ministri duhet të japë urdhër për zbatimin e ligjit”. Zëdhënësi i qeverisë gjermane tha se “paralajmërimet e ministrit grek nuk do t’i komentojë”. Europarlamentari liberal Alexander Graf Lambsdorff e ka quajtur mundësinë e mbajtjes peng të pasurisë gjermane si “të palejueshme dhe kundërligjore”. “Një drejtësi e pavarur nuk duhet të lejojë të tërhiqet prej karvanit të fushatave politike”. Edhe ai mendon se Gjermania i ka shlyer të gjitha detyrimet e saj nga lufta. “Në vend që të vazhdojë betejat nga e kaluara, më mirë do të ishte që qeveria greke të përqendrohet tek lufta për të ardhmen”. (dw)

BE: EULEX-i nuk ka agjendë politike në Kosovë

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Prishtinë mohuan të ketë pasur ndërhyrje në një proces gjyqësor kundër kryetarit të Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.Në Kosovë, Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit mohoi të ketë pasur çfarëdo ndërhyrjesh në një proces gjyqësor kundër kreut të Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, dhe shefi i misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, Gabriele Meucci, diskutuan të enjten me udhëheqësit e Nismës për Kosovën, pohimet se Partia Demokratike në bashkëpunim me ish-shefin e këtij misioni, Bernd Borchardt dhe disa zyrtarë të Brukselit, mund të kenë ndërhyrë në Gjykatën e Apelit në shtator të vitit të kaluar që të dënoheshin zoti Limaj dhe nëntë të tjerë të akuzuar për krime lufte.

E përditshmja Koha ditore, citon një burim të paidentifikuar nga EULEX-i sipas të cilit dënimin e zotit Limaj e kishte garantuar gjyqtari portugez i EULEX-it, Manuel Soares. Dënimi, shkruan gazeta, ishte parë si mundësi ideale për prishjen e koalicionit të atëhershëm ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Në shtator u hap rigjykimi ndaj zotit Limaj dhe nëntë të akuzuarve të tjerë për torturimin dhe keqtrajtimin e civilëve shqiptarë në një burg në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore në vitin 1999. Ata ishin liruar si të pafajshëm në shtator të vitit 2013.

Partia Demokratike nuk i komentoi shkrimet, ndërsa partia e zotit Limaj bëri thirrje që sa më shpejt të nis një hetim i plotë dhe i gjithanshëm ndaj të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë rast brenda dhe jashtë EULEX-it. Këtë kërkesë Nisma e ka shtruar edhe në takimin e së enjtes.

Në një njoftim të zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, zoti Zhbogar citohet të ketë thënë se “EULEX-i nuk është në Kosovë për të ndjekur asnjë agjendë politike, por është për drejtësi dhe sundim të ligjit” dhe se sipas tij “ekzistojnë mekanizma për gjetjen e parregullsive të mundshme”.

Ndërsa shefi i EULEX-it Gabriele Meucci, i ka cilësuar pohimet për ndërhyrje si jo faktike.

Çështja ka nxitur shumë reagime në Kosovë, përfshirë edhe presidenten Atifete Jahjaga e cila i kishte dërguar shefit të EULEX-it vënien e drejtësisë në rastin e zotit Limaj.

Hetime ka kërkuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe lirive të njeriut. Këshilli, siç thuhet në një komunikatë, “dyshon dhe është i shqetësuar pse këto informata po rrjedhin pas përfundimit të misionit të një pjese të personelit ndërkombëtarë të EULEX-it dhe pse ata nuk po flasin gjatë mandatit të tyre?!”

Nuk është hera e parë që shfaqen pohime për parregullsi në radhët e EULEX-it. Në nëntor të vitit të kaluar, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini emëroi francezin Jean Paul Jacqué, si ekspert të pavarur për të shqyrtuar zbatimin e mandatit të EULEX-it me përqendrim në dyshimet e hedhura për korrupsion në radhët e këtij misioni.

Vendimi i zonjës Mogherini, pasoi dyshimet e publikuara në një seri shkrimesh të së përditshmes Koha Ditore, se zyrtarë të tij mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të disa të akuzuarve për vepra penale. Zyrtarë të EULEX-it besojnë se dokumentet kanë rrjedhur nga prokurorja britanike e këtij misioni Maria Bamieh.

Hedhja e dyshimeve të tilla nxiti shume reagime dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se ishin shqetësuar me mundësinë që ato të dëmtojnë imazhin dhe besimin e EULEX-it, i cili u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008.

Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndjeshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas. (voa)

Shumë kushte për Kosovën – Rezoluta e Parlamentit Europian

Parlamenti Europian i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës për forcimin e shtetit juridik, luftimin e korrrupsionit dhe krimit të organizuar. Europarlamentarët kanë bërë edhe kërkesa të tjera.Parlamenti Europian (PE) edhe një herë i ka bërë thirrje pesë vendeve të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë. Në rezolutë thuhet se njohja e Kosovës, do të ndikonte në normalizimin e mëtejshëm të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë si dhe në afrimin e Kosovës me BE. Kjo do të ndihmonte edhe në zgjidhjen e disa problemeve të tjera. Sekretarja letoneze e shtetit për Evuopën, Kalinina Lukashevica ka theksuar në emër të Këshilit të Ministrave të Bashkimit Europian se rezultatet e arritura në dialog me Serbinë dhe reformat në Kosovë janë parakushte kryesore për futjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim mes Kosovës dhe BE. Lukashevica dhe komisioneri europian Johannes Hahn nënvizuarn, se autoritetet në Kosovë kanë bërë përparime të dukshme në miratimin e ligjeve. Por ligjet dhe rregullat e miratuara duhet të zbatohen. Një prej sfidave kryesore është funksionimi i shtetit juridik dhe pavarësia e organeve juridike, si dhe luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar dhe krijimi i gjykatës speciale për krime lufte në Kosovë.
Përballja me të kaluarën
“Kosova duhet të angazhohet fuqishëm për normalizimin e raporteve me Serbinë, sepse kjo është me rëndësi për afrimin me Bashkimin Europian, theksoi udhëheqësja e radhës e BE. Raportuesja e posaöme për Kosovën Ulrike Lunacek theksoi se autoritetet në Prishtinë duhet të fitojnë luftën kundër korrupsionit, edhe në raport me personat që janë në pozicione të larta të shtetit. Në këtë rezolutë thuhet se Kosova duhet t’i japë përparësi vendosjes së raporteve të mira me vendet fqinje dhe bashkëpunimit me gjykatën speciale për krime lufte. “Kjo do ta ndihmojë Kosovën që të përballet me të kaluarën e saj.”

Europarlamentarët e kanë përshëndetur raportin e ekipit të EULEX-it të bërë publik në gusht të vitit 2014 për zbardhjen e akuzave për krime lufte. Në këtë raport janë hedhur akuza për disa përfaqësues të lartë të UÇK-së, por jo edhe për UÇK-në në tërësi. Për të mos penguar drejtësinë dhe hetuesinë, në raport nuk janë bërë publik emrat e personave që dyshohen për krime lufte. Është bërë e ditur se gjykata do të veprojë në kuadër të organeve juridike të Kosovoës, por e zhvendosur në Holandë, për shkaqe sigurie.

Keqardhje për mosrealizimin e Marrëveshjes së Brukselit

Në rezolutë shprehet keqardhje për shkak të mos realizimit në tërësi të marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë-Beograd, gjatë negociatave në Bruksel. Por nga qeveria e Kosovës kërkohet edhe zbatimi i denjë i reformave ekonomike, që duhet të mundësojnë hapjen e vendeve të reja të punës. Eurodeputetët janë të mendimit se duhet vazhduar edhe me kalimin e plotë të kompetencave nga EULEX-i në duart e organeve kosovare. Megjithatë qeveria dhe institucionet duhet të japin sinjale të qarta për vendosmëri në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në të gjitha nivelet. Europarlamentarët kanë përshëndetur përfshirjen e Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe kanë shprehur shqetësim për shkak të “radikalizimit të të rinjve atje”, sepse disa prej tyre kanë shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak.

Në dokumentin e PE thuhet se në Kosovë është shënuar përparim në lirinë e lëvizjes, por Serbia dhe Kosova duhet të vazhdojnë negociatat për kodin telefonik të Kosovës. Sa i përket forcave të sigurisë, thuhet se një prej prioriteteve të qeverisë së Kosovës është që këto forca të mund të ruajnë integritetin territorial dhe sovranitetin. Këto forca duhet të “jenë në përputhje me rregullat e BE”, thuhet në dokument.

Përparime edhe në veri

Në dokument thuhet se përparime janë shënuar edhe në veri të Kosovës, në veöanti pas zgjidhjes së kryetarëve të bashkive në zgjedhjet e organizuara nga institucioneve kosovare. Por janë nisur edhe disa projekte të tjera që kanë të bëjnë me veriun. Këto projekte financohen nga paratë e BE. PE pohon se duhet vazhduar përpjekjet edhe për krinjimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe si dhe për afrimin e bashkësisë etnike shqitpare dhe serbe. Në rezolutë bëhet thirrje edhe për respektimin e lirisë së mediave dhe të drejtave të minoriteteve të tjera. në dokument u bëhet thirrje autoriteteve që të lutojnë me vendosmëri rrjetet kriminale për trafikim me njerëz. (dw)

Tiranë, opozita në protestë

Manifestimi kundër qeverisë për Cështjen Doshi. Kryetari demokrat Basha: Ne nuk ndalemi derisa Rama e Meta të largohenNë Tiranë opozita zhvilloi sot një protestë në bulevardin qëndror të kryeqytetit për të kërkuar largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryetarit të parlamentit Ilir Meta, pas debateve të forta që ka shkaktuar prej disa ditësh cështja e deputetit Tom Doshi i cili ka akuzuar drejtpërdrejt zotin Meta si organizator i një plani për vrasjen e tij dhe të deputetit tjetër demokrat Mhill Fufi.

Një orë përpara se të niste protesta, përplasjet mbi këtë temë nisën që në hapje të punimeve të parlamentit, kur sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani kërkoi sërish dorëheqjen e zotit Meta. Përfaqësuesit e opozitës u grumbulluan rreth foltores së parlamentit, ndërsa deputetët e majtë miratuan me shpejtësi disa ndryshime të një ligji dhe ratifikuan dy marrëveshje duke mbyllur në një kohë rekord seancën. Një veprim që sipas opozitës ishte “dëshmi e frikës së shumicës ndaj manifestimit të qytetarëve”.

Pak pas orës 11.00 përkrahësit e opozitës ju drejtuan bulevardit qëndror. Kryetari demokrat Lulzim Basha u bashkua me ta pasi doli nga selia e partisë i shoqëruar nga një tjetër grup protestuesish, duke ecur në këmbë deri përpara selisë së Qeverisë dhe zyrave të parlamentit, ku ishte vendosur dhe skena nga ku drejtuesit demokrat ju drejtuan mbështetësve të tyre të grumbulluar nga qytete të ndryshme të vendit. Në fjalën e tij zoti Basha nënvizoi fillimisht situatën e rëndë ekonomike në të cilën sipas tij gjendet vendi, “varfërinë që thellohet dhe papunësinë që shtohet”, tha ai. Më tej, ai përmendi “gjendjen problematike” të rendit dhe sigurisë, “tritoli e krimi që godasin cdo ditë. Nuk mund të ketë rend e siguri kur vjen në pushtet me krimin e qeveris me krimin”, deklaroi kreu i opozitës.

Lidhur me akuzat e deputetit Doshi ai u shpreh se kjo “është ngjarja më e rëndë e 25 viteve të fundit”. Zoti Basha tha se sot kërkesa është “Meta ik! Jep dorëheqjen, dhe përballu me akuzat. I kërkojmë Ramës, ndal trysninë ndaj Prokurorisë. Jep llogari para drejtësisë dhe të cojë ministrin e Brendshëm për ndjekje penale”. Ai akuzoi drejtuesit e shumicës se “për 6 muaj kanë mbajtur të fshehtë krimin, u përpoqën që t’ja faturojnë opozitës, 6 muaj të zhytur në krim, në zyrën e kryetarit të parlamentit, kryeministrit e ministrit të Brendshëm është bërë pazar me jetën e deputetëve”, u shpreh zoti Basha.

Ai theksoi se opozita është “e gatshme t’i dalë për zot me cdo mjet demokratik, vendit, fateve të shqiptarëve dhe demokracisë së cuar në buzët ë humnerës nga dyshja Rama – Meta. Eshtë koha e një zgjimi të vrullshëm e një kushtrimi të madh, për të zbritur pa dallim në rrugët e sheshet e protestës për të demonstruar sovranitetit e drejtpërdrejt ndaj një qeverie që ka devijuar nga rruga e ligjit. Ne nuk ndalemi derisa të ketë ligj e drejtësi, derisa krimi të mposhtet dhe qytetarët të kontrollojnë qeverinë dhe jo qeveria ata, derisa të shporrim të keqen, derisa Rama e Meta të largohen”, deklaroi zoti Basha.

Për manifestimin e sotëm policia kishte marrë masa të shumta, duke ushtruar kontrolle në akset rrugore që cojnë drejt kryeqyteti. Një numër i madh forcash dhe mjetesh, ishin vendosur dhe në zonën pranë qeverisë aty ku u zhvillua dhe mitingu, i cili kaloi pa asnjë incident. (voa)

Kush do ta kryejë dekriminalizimin e politikës shqiptare?

Një akord mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri për dekriminalzimin e parlamentit dhe politikës në tërësi po përcillet me skepticizëm në rradhët e analistëve.Eshtë termi më i përdorur së fundmi në diskurin politik të Shqipërisë. Oratorë dhe komentatorë flasin dhe argumentojnë për dekriminalizimin e parlamentit dhe politikës në tërësi. Partitë kryesore e kanë shumë për zemër këtë proces, duke shkëmbyer emra deputetësh dhe personazhe të tjerë të politikës nga krahu kundërshtar, si të përzjerë në afera dhe me të kaluar të dyshimtë, të lidhur direkt ose indirekt me botën e krimit. Ajo që mbetet për t’u vlerësuar për momentin është se të paktën kasta politike flet për këtë temë hapur. Kjo mbase dhe nga qëndrimet që kanë mbajtur ditët e fundit diplomatët kryesorë të akredituar në Tiranë, kur në valën e akuzave mbi një plan të supozuar të ekzekutimit të një deputeti të mazhorancës, ata kanë theksuar nevojën e realizimit të procesit të dekriminalizimit. Ambasada e SHBA-së në Shqipëri ka theksuar se nxit të gjitha partitë politike në Shqipëri që të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive. “Mbështesim me forcë punën e Kuvendit për të hartuar një legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014.” Më tej, i bëjmë thirrje prokurorit të përgjithshëm të Shqipërisë të hetojë dhe të ndjekë penalisht kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar në të gjitha nivelet.
Nga ana tjetër edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka shprehur mbështetje për zbatim të plotë të marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës për largimin e atyre individëve me rekorde kriminale, të cilët mbajnë pozicione publike. “BE-ja i jep rëndësinë më të lartë zbatimit të ligjit dhe zbatimit të plotë të shtetit ligjor, përfshi luftën kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar, që janë përparësi kyçe për Shqipërinë”, thuhej në një deklaratë të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.
Një komision parlamentar që kryesohet nga opozita është në hapat e parë të angazhimit për të hartuar bazën ligjore të dekriminalizimit. Por në rradhët e analistëve ka pikëpyetje dhe mosbesim për konkretizmin e këtij procesi.
Shembuj nga vende të tjera
Drejtori i lajmeve në Televizionin News 24, Enton Abilekaj e konsideron si të pamundur procesin e dekriminalizimit me parlamentin ekzistues. Janë pothuajse 20 deputetë që preken nga procesi, ose rreth 18 përqind e numrit total, thotë ai për Deutsche Welle-n.”Për mendimin tim nuk mund ta bëjnë këtë pastrim ata që bënë të kundërtën. Kjo ngjan gati me shprehjen ‘Miloshevici që bëri luftën, mund të bëjë edhe paqen’. Një faktor është se nuk ka asnjë mekanizëm të mundshëm për heqjen e mandatit të një deputeti pasi e ka marrë atë.”

Drejtori i Qendrës për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve, Ilir Aliaj, e konsideron si domosdoshmëri dekriminalizimin e politikes shqiptare, pavarësisht se ai e përshkruan atë si të vështirë dhe shpeshherë të rrezikshëm. Shqipëria nuk po kryen një akt të pandodhur në vendet e tjera, shprehet ai për Deustche Welle-n.
“Përshembull Rumania ka bërë dikriminalizimin e politikës dhe është një standard që ne duhet ta marrim dhe ta zhvillojmë edhe më tej. Jam i sigurtë që nuk do na mungojë dhe asistenca e miqve tanë në vendet e Europës për të konkretizuar një proces të tillë, duhet të kujtoj që në fundin e vitit që kaloi dy përfaqësues të Parlamentit Europian ishin garantët e marrëveshjes me mazhorancës dhe opozitës, e cila si pikë të veçantë kishte pikërisht dekriminalizimin”.
Pengesë nuk janë ligjet por vullneti
Ndërkohë shkrimtari dhe publicisti Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Tiranë është skeptik për finalizmin e marrëveshjes pozitë-opozitë për dekriminalizimin, pasi sipas tij, jemi në një atmosferë ku diktojnë shantazhet, përbetimet, killerat dhe tritoli. Kjo kulturë lemeritëse, që po instalohet në të gjitha rrafshet e përditshmërisë sonë, ka ngjallur një psikozë të rëndë frike e pasigurie, duke e shndërruar habitatin tonë shoqëror në një xhungël, thotë Tufa për Deutsche Welle-n.
“Instrumentat ligjor janë, nuk duhen shpikur. E keqja nuk qëndron tek ligjet dhe institucionet, por tek vullneti për t’i zbatuar ato institucionalisht. Një vullnet i tillë nuk ekziston, sepse vetë institucionet që duhet t’i zbatojnë këto ligje, komandohen nga struktura të kriminalizuara. Rendi publik ka dështuar në përballje me ta. Madje me një dështim fantastik, duke u vetëdiskretituar. Drejtësia po ashtu. Partitë kryesore të pozitës dhe opozitës, që janë tutorë të vërtetë të figurave të inkriminuara në pushtet, kanë përgjegjësinë për këtë gjendje të pashpresë ankthi e pasigurie. Çdo mendje e shëndoshë, normale, nuk do të dëshironte ta shihte vazhdimin e jetës së vet e të familjes së tij këtu, në perspektivën e një Shqipërie të tillë ku sundon retorika dhe tritoli, droga dhe vrasjet e porositura. Kjo që po shohim sot, është veçse pasoja. Shkaku është higjena e pistë politike që e ndërton identitetin e saj me portrete të errët banditësh e killerash.”

Agron Tufa shton se nuk ka ndonjë pritmëri për realizimin e dekrimanlizimit përderisa palët politike përlyhen e zhyten në krim e korrupsion. Një pengesë është dhe degradimi i elitave politike. “Fatkeqësisht ata e kanë në dorë përfaqësimin, mënyrën si të përfaqësohen. Ata kanë të drejtë të zgjedhin dhe zgjedhin më të pasurit, më të fortët, më të aftët për të kallur tmerr e shantazh. Dhe deri sa të kemi një qasje të tillë mentale të politikës, e cila zgjedh të identifikohet në këtë mënyrë, zor se do të ketë shpresë për dekriminalizimin e pushtetit. Sepse një qasje e tillë terrorologjike, mbush radhët e parlamentit dhe institucioneve publike të shtetit me këtë format terroristi. Ajo që kemi në dorë tash për tash, është vota për t’i hequr qafe. Por dhe kjo kërkon guxim të madh, vetëdije të palëkundur, sepse liria e votës tënde, vjen duke u ngushtuar nga presioni i parasë, shantazhit, premtimeve dhe formave të tjera të frikësimit”.
Partitë e kanë të vështirë pa “skalionet e forcës”
Drejtori i lajmeve në Televizionin News 24, Enton Abilekaj thotë se të dyja partitë janë mandatuese të deputetëve të problematikë në parlament. Kjo është vështirësia kryesore. Betejat politike në vend, sipas arsyetimit të tij janë zhvilluar në bazën e të fortëve që kur Shqipëria u bë pluraliste. “Kjo i ka bërë ata të domosdoshëm për të dyja palët, ndaj duket e vështirë që partitë të dalin në betejë pa ‘skalionet e forcës’. Do të dukeshin të çarmatosura në një situatë lufte politike të ashpër. Kjo është një tjetër vështirësi. Raportet e thella personale dhe jo vetëm miqësore që ka krijuar lidershipi politik me këtë kategori është një tjetër vështirësi për suksesin e dekriminalizimit. Por ky term është shumë i besueshëm për t’u përdorur si shkak apo justifikim politik.”
Ndërsa për Ilir Aliajn nga Qendra për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve, vështirësia e procesit të dekriminalizimit qëndron te kryetarët e partive, pasi “ata i kanë paraqitur këta njerëz me të kaluar kriminale para elektoratit shqiptar si alternativa më e mirë.” (dw)

Skandal i ri në Shërbimin Sekret të SHBA

Dy agjentë të Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara janë nën hetim, pas akuzave se u përplasën me pengesat e sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, pasi kishin pirë deri vonë në një mbrëmje.Ngjarja u zbulua në një artikull të botuar dje në gazetën The Washington Post, ku thuhet se policia lokale dhe oficerë të shërbimit sekret po zhvillonin hetime lidhur me zbulimin e një pakete të dyshimtë pranë Shtëpisë së Bardhë, kur punonjësit e shërbimit sekret e përplasën makinën tek pengesa e sigurisë.

Oficerët e policisë në vendin e ngjarjes donin t’i arrestonin agjentët e sigurisë dhe që ata t’i nënshtroheshin provës së alkoholit, sipas Washington Postit, por një shef i policisë urdhëroi që ata të liroheshin.

Njëri prej agjentëve u identifikua si njëri prej komandantëve të personelit të sigurisë të Presidentit Obama dhe hetimi është duke u zhvilluar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, që mbikqyr Shërbimin Sekret të Shteteve të Bashkuara. (voa)

Han: Politikanët në Shkup po luajnë me të ardhmen e vendit

Brukseli vazhdon të alarmojë seriozitetin e situatës politike në vend. Komisioneri për zgjerim Johanes Han përpara europarlamentarëve theksoi se politikanët në Shkup luajnë me të ardhmen e vendit, ndërkohë që bëri thirrje për hetim të plotë rreth bisedave të përgjuara pavarësisht burimit të tyre. “Pavarësisht burimit të përgjimeve, ato duhet të hetohen, çdo keqpërdorim potencial që zbulohet në përmbajtjen e tyre duhet të hetohet dhe të merren masa adekuate, në veçanti nëse shkelin çështjet fondamentale sikurse sundimin e të drejtës dhe ndarjes së pushteteve. Në kohën kur besimi ndaj institucioneve është i ulët, të gjithë personat publik duhet të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të bartin përgjegjësi për veprimet e tyre”, deklaroi Johanes Han, komisionar për fqinjësi dhe zgjerim.

Euro-parlamentari Riçard Houit nga ana tjetër theksoi se nuk ekziston asnjë dilemë rreth skandalit të përgjimeve masive si dhe vërtetësisë të një pjese të materialeve. Ai theksoi se Brukseli nuk mund ti injorojë dëshmitë e tilla.

“Kërcënimi për burgimin e liderit të opozitës në Maqedoni është moment i rrezikshëm për demokracinë në vend. Fakti që akuzat në drejtim të Zaevit i theksoi personalisht kryeministri në konferencë për media, përforcoi shqetësimin tonë që kishim rreth dëshmive të prezantuara në audio incizimet e publikuara, dhe të cilat flasin për ndërhyrje politike në gjykata dhe media”, tha Riçard Houit, raportues në hije për Maqedoninë në PE.

Në kushte të tilla eurodeputetët theksuan se BE-ja nuk mund të qëndrojë duarkryq, por të duhet ta ndihmojë Maqedoninë të dalë nga kriza. Në këtë kuadër zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi theskoi se Brukseli akoma nuk e ka definuar formën e asistencën por sipas tij kjo ndihmë duhet të jetë tre dimensionale.

“Gjendja kërkon një qasje tre dimensionale si në aspektin politik, në aspektin juridik dhe atë ndërkombëtar. Tre janë komponentat të cilat do të mund që në këtë situatë mund ta mbajnë Maqedoninë në kursin e duhur, atë të integrimeve euro-atlantike”, deklaroi Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.

Ndryshe, Parlamenti Evropian në rezolutën që sot miratoi mbi Maqedoninë, dënon përgjimet joligjore, kërkon shpalljen e të gjitha materialeve si dhe hetimin e tyre të plotë në një proces të pavarur dhe transparent gjyqësor. Semra Jakupi

Thaçi i thotë Mijallkovit: Këtu jam nëse të duhet diçka trego, për gjithçka, deri në vdekje!

Në kuadër të bombës së tetë të opozitës, u publikuan edhe bisedat e liderit të PDSH-së opozitare Menduh Thaçi me drejtorin e DSK-së Sasho Mijallkov, që kishte të bëjë me një votim në KSHZ-
Biseda telefonike:

Biseda 1- Menduh Thaçi-Sasho Mijallkov
S.M.: Menduh, çfarë bën?
M.Th.: Përshëndetje
S.M.: A të kam mirë?
M.Th.: Nuk të kërkoj be për asgjë mos u frikëso. Vetëm të të them se këtu jam nëse të duhet diçka, vetëm thuaj.
S.M.: Jo bre, ti mund të më kërkosh për çfarë të duash mua.
M.Th: Këtu jam nëse të duhet diçka trego, për gjithçka, deri në vdekje!
S.M.: OK, në rregull.

Biseda 2 – Menduh Thaçi-Sasho Mijallkov
S.M.: Menduh!
M.Th: Fol
S.M.: Çfarë bën?
M.Th.: Ja këtu rij me njerëz.
S.M.: Kam një urgjencë për ty.
M.Th. Po?
S.M.: Mund të votoni për ne tani për Strumicë? Të mos….
M.Th.: Në komision?
S.M.: Po, në KSHZ
M.Th.: Mundet, ja do të lajmërohem menjëherë.
S.M.: Ama duhet tani menjëherë të fillojë, për 5 minuta. Ne e shtymë pak.
M.TH.: Menjëherë, menjëherë lajmërohem për një minutë dhe të tregoj…
S.M.: Hajde!

Biseda 3 Menduh Thaçi-Bedredin Ibrahimi
M.Th.: Tash e keni Strumicën apo?
B.I.: Jemi duke diskutuar për atë.
M.Th.: Do të votosh për këta, për tu prishur.
B.I.: Për dy minuta
M.Th.: Do të votosh për tu prish, sepse jemi marrë vesh për Çairin.

Pro kreu i PDSH-së Thaçi tha sot se bëhet fjalë për material të montuar nga partia e Zaevit.

“Asgjë e pa pritur nga ana ime, një petardë e xhelatëve të shqiptarëve 60 apo 70 vjet siç është LSDM-ja dhe Zaevi. Një bisedë komplet e konstruktume dhe e montuar, kjo s’më bën aspak përshtypje vetëm se t’u them shqiptarëve se beteja politike me xhelatët e shqiptarëve do të vazhdojë deri në vdekje. Vota e PDSH-së për ta prishur Strumicën në Komision Shtetëror ka qenë publike dhe e hapur, po ashtu publike ka qenë edhe vota e VMRO-së për ta prishur, Çairin dhe për ta shpall falsifikimin e zgjedhjeve”, deklaroi Menduh Thaç. Kryetar i PDSH-së.

Analisti Ramadan Ramadani vlerëson se me këtë bisedë, dëshmohet nënshtrim i plotë i Thaçit para Mijallkovit

“Po mendoj që nuk ka gjë për të shtuar në atë që opinion pati rastin ta ndëgjoj mbrëmë. Kjo është vetëm një përfundim i një sagës e cila ka filluar diku nëpër Krivenik dhe që mbaron me një bisedë telefonike. Tani biseda dhe vëmendja e opinionit duhet të përqendrohet në krejt legjitimitetet tjera që fillojnë prej legjitimiteteve partiake deri te ajo e deputetit, sa meriton në njësinë numër 6, Tetova e tjera, të përfaqësohen nga njerëz të nënshtruar kështu totalisht, psikologjikisht që pa kurrfarë nevoje dhe pa kurrfarë relacioni i lajmërohen bossit të vet për të shprehur dashuri”, u shpreh Ramadan Ramadani, analist.

Ndërkohë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka thënë sot se posedon edhe materiale tjera me të cilat do të dëshmojë, siç u shpreh ai, tradhtitë e Menduh Thaçit ndaj anëtarësisë së PDSH-së dhe shqiptarëve në tërësi. Arben Zeqiri