Në këto biseda ndëgjohen se si janë përgaditur skenare për manipulime, falsifikime, presione dhe forma të tjera të keqpërdorimit të procesit zgjedhor Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka publikuar materiale tjera të bisedave të përgjuara të krerëve të pushtetit aktual.
Në këto biseda ndëgjohen se si janë përgaditur skenare për manipulime, falsifikime, presione dhe forma të tjera të keqpërdorimit të procesit zgjedhor dhe vjedhjes së votave, me qëllim që partia në pushtet siç thuhet të vazhdojë qeverisjen e saj.
Ja disa nga temat e biseduara midis kryeministrit Nikola Gruevskit, ministres së brendshme, Gordana Jankullovska, ministrit të transportit dhe lidhjeve, Mile Janakievski, shefit të kabinetit kryeministror Martin Protugjer dhe biseda me zyrtarë të tjerë dhe ministra, përfshirë sërish si protagonist gazetarin Llatas.
Manipulimi me votuesit nga Pusteci i Shqipërisë
Në një bisedë dëgjohet kryeministri Nikolla Gruevski në bisedë me ministrin e transportit Mile Janakievski, lidhur me rrjedhën e zgjedhjeve në komunën Qendër të Shkupit.
“Po t’i kishim presparët në rrethin e parë, do të kryenim punë”, ka thënë Gruevski. Termi presparë sipas tij është ëprdorë për votuesit nga “Pusteci”. Poashtu është lëshuar një incizim ku sipas Zaev dëgjohet ministrja Jankullovska se si i quan votuesit e Pustecit “çoveçinja”, term ofendues në gjuhën maqedonase për termin “njeri”.
Po ashtu është publikuar edhe një bisedë mes Jankullovskës dhe një zyrtareje të VMRO-DPMNE-së, ku ajo i thotë se në disa fshatra me disa banorë, janë regjistruar dhjetëra votues të rinj. Poashtu diskutojnë mundësitë se si të fshehin këto parregullsi, duke thënë “frikohem se do të në zbulojë OSBE-ja”.
Romët protagonistë të manipulimeve
Në bisedat që i lëshoi Zaev, gjatë tërë kohës dëgjohet se si funksionarë të lartë përdorin termin “ciganë” dhe biseda që tu jepen atyre thasë me miell për votën për pushtetin. “Ciganët në Kumanovë i ka nën kontroll Cic. Të kam treguar se në çfarë linje”, ka thënë në një bisedë Jankullovska me një zyrtar të VMRO-së.
Jankullovska: Do i kapim për fyti shqiptarët në Kumanovë
Në një bisedë të publikuar, dëgjohet Jankullovska duke biseduar me Janakievskin lidhur me zgjedhjet lokale në Kumanovë. Ata bisedojnë se në bashkëpunim me BDI mund ta fitojnë Kumanovën. “Duhet të bisedohet me BDI që shqiptarët të kapen për fyti që të mos dalin në zgjedhje”, dëgjohet duke thënë Jankullovska.
Siç është e ditur ky skenar I VMRO-së dhe BDI-së dështoi në Kumanovë, por më vonë vlerësohet se pati sukses në zgjedhjet presidenciale kur BDI I ftoi shqiptarët të mos dalin në zgjedhje me çka u pamundësua fitorja e Pendarovskit kundër Zaevit.
Jankullovska: Atë qe bëjmë ne e bën edhe BDI
Në një prej bisedave të publikuara, Zaev thotë se dëgjohet ministrja e punëve të brendshme Gordana Jankullovska duke biseduar me një person tjetër nga radhët e VMRO-së. Aty ajo flet se VMRO me BDI kanë strategji të njëjtë.
“Edhe BDI është në fushatë. Atë që e bëjmë ne e bën edhe BDI”, thotë Jankullovska duke folur për pengim të pjesëmarrjes së njerëzve në tubimet parazgjedhore të opozitës.
Zaev: Janakievski kërcënon me largime nga puna
Në një material tjetër dëgjohet një bisedë e ministrit Janakievski me një zyrtare.
“Thirri mësuesit dhe falënderoj që votuan për ne, por thuaju se për fitore të VMRO-së duhet të sjellin edhe nga një votë”, thuhet në instruksionet që i jep zyrtares.
Poashtu u publikua edhe një bisedë ku Jankievski porosit një zyrtar që t’i transmetojë dikujt se “do të ja verifikojmë listën dhe nëse nuk voton për ne do ta largojmë nga puna”.
Dëshmi për keqpërdorime zgjedhore edhe nga BDI
Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, kryetari i LSDM-së Zoran Zaev tha se posedon dëshmi edhe për presione dhe manipulime zgjedhore që ka bërë BDI.
“Gjithsesi që posedojmë. Patët rastin të dëgjoni se pushteti ka bë bashkërisht skenare për presione. Gjithçka që kemi do të publikojmë, pa marr parasysh a janë për maqedonasit apo për shqiptarët”, tha Zaev. Ai shtoi se në mesin e “bombave” ekzistojnë edhe dëshmi për shkaqet e ndërprerjes së regjistrimit të popullsisë. Pas publikimit të bombës së shtat, kryetari i LSDM-së Zoran Zaev tha se kjo “bombë” ishte vetëm fillimi i ciklit për nxjerrje në shesh të manipulimeve zgjedhore.
Konjanovski e cakton Llatasin si ministër për ‘bombardime’
Në mesin e bisedave të publikuara nga ana e liderit të LSDM-së Zoran Zaev ka qenë edhe një bisedë mes ish ministrit të mbrojtjes Zoran Konjanovski dhe gazetarit Dragan Pavloviq- Llatas.
Në një moment ish ministri Konjanovski thotë se nga ministër për mbrojtje është shndërruar në ministër për sulm dhe se në një bisedë me disa miq ka menduar që “Llatasin ta propozojë bombardues”.
Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev deklaroi se ka regjistrime të bisedave që dëshmojnë se ka pasur indikacione për ndërprerjen e regjistrimit të popullsisë.
“Sigurisht se ka incizime në të cilat ka indikacione për të ndërprerë regjistrimin e popullatës”, tha Zaev .
Të martën “bomba” tjera për falsifikimet dhe skandalet zgjedhore
Lideri opozitar maqedonas theksoi se këto materiale dëshmojnë se si në rrugë kriminale ky pushtet po qeverisë me vendin dhe se ai paralajmëroi se do të vazhdojë me serinë e publikimit të materialeve të tjera për skandale dhe falsifikime zgjedhore.
“Ne do të vazhdojmë me publikimin e materialeve të tjera që janë edhe më skandaloze dhe që nxjerrin kriminalitetin e zgjedhjeve nga ana e këtij pushteti”, theksoi Zaev, duke paralajmëruar të martën një konferencë më të gjërë në sallën universale në Shkup, ku do të publikohet një cikël maraton i bisedave të përgjuara lidhur me manipulimet dhe falsifikime të zgjedhjeve. Materialet e publikuara kanë të bëjnë me zgjedhjet e fundit lokale dhe ato presidenciale e parlamentare. (INA)