Fushatë kundër faturave të shtrenjta të EVN Maqedoni

Në Maqedoni po vazhdon revolta dhe pakënaqësia ndaj korporatës elektroenergjetike EVN Maqedoni, për shkak të çmimeve të larta dhe pamundësisë së qytetarëve për të përballuar këtë.Reagimet janë shtuar edhe pas territ disajavor që kishte përfshirë zonën perëndimore të Maqedonisë, nga Malësia e Mavrorës deri në Strugë, si pasojë e rrënimit të rrjetit nga moti i keq dhe vonesat e sanimeve.

Një pjesë e këtyre qytetarëve për shkak të dëmeve masive që kanë përjetuar kanë kërkuar dëmshpërblime nga kjo kompani dhe sanimin e të gjitha dëmeve të përjetuara.

Kësaj i janë bashkëngjitur edhe biznese dhe aktivitete tjera që kanë përjetuar dëme të mëdha.

Tani reagimet dhe fushata aktive po vazhdon edhe përmes rrjeteve sociale, ku apelohet përkrahje masive kundër faturave të shtrenjta të EVN Maqedoni. (INA)

Tom Doshi publikon videon “bombë”. Deputeti bashkë me videon, në Prokurori

Deputeti Tom Doshi këtë të enjte u paraqit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për t’u marrë në pyetje e për të dhënë deklaratën e tij në lidhje me hetimet e nisura për dyshimet se ndaj tij ka patur një tentativë për ta vrarë. Për këtë shtohet se është dorëzuar pranë organit të akuzës edhe një video nga deputeti, thanë burimet, në të cilën shfaqet personi që sipas Doshit kishte marrë porosinë për ta vrarë atë dhe deputetin tjetër, Mhill Fufi.

Deputeti Doshi u paraqit rreth 09:30 minuta në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dorëzuar videon, e cila është edhe elementi kryesor në këtë hetim.

Ndërkohë që ka qendruar në prokurori më shumë se pesë orë, ku edhe është pyetur nga prokurori Perparim Kulluri dhe dy oficerë të Policisë së Shtetit.

Burimet thanë se Doshi ka thënë se dëshmitari Durim Bami është manipuluar dhe është frikësuar dhe ndaj e ka ndryshuar rrëfimin e tij duke i mohuar të gjitha.

“Unë mbaj përgjegjësi dhe do t’i shkoj deri në fund kësaj çështjeje që të dalë e vërteta në dritë”, mësohet të ketë shtuar deputeti.

Më pas Doshi i ka qendruar versionit të paraqitur në media duke ju referuar më së shumti dëshmisë së Durim Bamit.

Videoja “bombë”

Mbrëmjen e së mërkurës, Tom Doshi ka publikuar në rrjetin social “Facebook” videon e shumëpërfolur, ku shfaqet Durim Bami, duke rrëfyer përpara tij, gjithë planin dhe porositë që kishte marrë për eliminimin fizik të tij.

Në videon që zgjat 8 minuta, Durim Bami tregon momentet e para kur një person me emrin Toni, sipas tij, e ka kontaktuar për të kryer vrasjen e Tom Doshit; bisedën e zhvilluar me të; mbështetjen që i ofrohet, pasi sipas tij, këtë gjë e ka urdhëruar Ilir Meta.

“Përshëndetje të dashur miq. Po ju paraqes një video me të vërteta të frikshme për realitetin shqiptar. Një video që do tregojë kush na udhëheq dhe sa të sigurt e kemi jetën. Një video që do nxjerr lakuriq deklaratat e deritanishme të shtetit. Prita deri sot reagimin e të gjitha institucioneve. I lejuam porositësit e vrasjes të tregonin edhe njëherë sa frikë kanë nga e vërteta. Manipuluan dëshmitarin, fshehën të vërtetën, akuzuan njerëz pa asnjë lidhje me vrasjen. Nxirreni vetë përfundimin se kush e thotë të vërtetën”, ka shkruar në “Facebook” deputeti Doshi.

Deklarimet kryesore të Bamit në videon e publikuar nga Doshit

Durim Bami: Më mori në telefon dhe më tha se do të bëjmë një punë me Tomën. Kanë dhënë lekë për të vrarë Tomën. Më tha: a më gjen një njeri për ta kryer këtë punë? Për Mhill Fufin hodhën 200, prandaj e anulova. I thashë që kjo punë është e rëndësishme dhe nuk bëhet për këtë shumë. Ai më tha se kjo punë nuk është aspak problem dhe nuk ka për të bërë zhurmë, pastaj ne kemi mbrojtje. Ka dorë shteti këtu, më tha, pasi në këtë mes është Iliri dhe ne e kemi rrugën e hapur. Edhe për Mëhill Fufin tha që është porosi e Ilirit.

Tom Doshi: Po me mua çfarë kishte Iliri?

Durim Bami: Për punën e një videoje, por nuk e kam fiksuar mirë, pasi nuk më interesonte kjo pjesë.

Tom Doshi: Po ti i more ndonjë lekë?

Durim Bami: I mora 20 mijë euro.

/ Top Channel

Rama: E gjithë historia një farsë

Maxhoranca nuk u përfshi në debatet parlamentare të dominuara nga ish-kryeministri Sali Berisha me kryeparlamentarin Ilir Meta. I vetmi që replikoi me Berishën ishte deputeti Paulin Sterkaj.
“Kjo ishte një shfaqje shumë e trishtueshme, në të cilën janë përfshirë një ‘tufë politikejsh dhe rrugeçërish’. Kostoja e këtyre sjelljeve është e shqiptarëve, të cilët presin të dëgjojnë për reformat, për ligjet, për të cilat ka nevoje procesi i reformave dhe i modernizimit të vendit, për ekonominë. Eshtë për të ardhur keq që Shqipëria sot, jo vetëm që nuk ka opozitë, por ka një opozitë, e cila përveçse ka braktisur misionin e saj për të përfaqësuar zërin e qytetarëve që e kanë votuar, është kthyer në zërin e skutave më të errëta të një bote, me të cilën politika është e vendosur të ndahet”, tha Rama.

Duke u ndalur në zhvillimet e fundit politike në vend pas deklaratave të Tom Doshit, Kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo maxhorancë ka vendosur tashmë një standard të ri në marrëdhëniet me Prokurorinë.

“Ish-kryeministri na tha hapur, atë që në fakt ka qenë për të gjitha vitet e qeverisjes së tij, standardi i tij, pra një njeri në krye të pushtetit i mbyll gojën Prokurorisë dhe që ende sot ka lënë pa përgjigje 21 janarin dhe shumë drama e skandale të tjera korruptive. Ne kemi një standard tjetër, që është i shpallur dhe mbi të cilin jemi të vendosur të ecim përpara; standardin e punëve të ndara. I takon drejtësisë të zbardhë të vërtetën e kësaj farse që na turpëron të gjithëve. Ne do ia lëmë drejtësisë që të merret me këtë çështje deri në fund. Nëse flasim për institucione, këto janë institucionet”, tha Rama. / Top Channel

Pa lopë, pa makinë, pa azil, vetëm kthim: Fati i refugjatëve në Gjermani

Dy muajt e fundit kanë ardhur në Gjermani më shumë se 18.000 azilkërkues kosovarë. Bahri Cani vizitoi Qendrën për Vendstrehim në Hemer. Azilkërkuesit rrëfejnë për vuajtjet e shpresat për një jetë më të mirë në Gjermani.Ajo është më pak se 2-vjeç, me kollë dhe hundët që i rrjedhin. Nëna shtatëzënë, Zoja Alijaj e shtrëngon në gji dhe përpiqet ta qetësojë. I ati, Valdet Brahimi mban fytyrën me dorë dhe ofshan thellë. “Sikur ta dija se çfarë tmerresh na presin gjatë rrugës prej Kosovës deri në Gjermani, nuk do të isha nisur kurrë”, thotë ai.
Rrëfimi rrënqethës i 25- vjeçarit të lindur në Prishtinë, fillon me premtimet dhe mashtrimet në Kosovë. “Na kanë rrejtë. Shumë njerëz na kanë thënë se në Gjermani menjëherë të japin punë, banesë, letra për qëndrim, ndihma… kjo nuk është fare e vërtetë.”
Po kush janë ata? Në këtë pyetje Valdeti nuk kan ndonjë përgjigje të saktë. “Të gjithë flisnin, të gjithë!” Valdeti është vetëm një nga dhjetëra mijëra kosovarët, të cilët në muajt e fundit kanë rënë pre e thashethëmeve dhe spekulimeve se kosovarët në Gjermani, Austri, vendet skandinave dhe në përgjithësi në Perëndim i pret “qumshti dhe mjalti në tavolinë”.

Nisja dhe kalimi i kufirit
Rrugën në kërkim të një jete me të mirë, familja Brahimi e ka nisur me 29 janar, ashtu si edhe dhjetëra mijëra kosovarë të tjerë. Fillimisht nisja nga Suboticë, me shpresë se do të kalonin deri në Gjermani. Deri në Suboticë ata shkuan me autobusë dhe atje janë vendosur në hotelet, që muajt e fundit kanë shërbyer më shumë si një vendstrehim kalimtar i kontrabanduesve dhe viktimave të premtimeve të kota.
Trafikantët në hotel u kërkuan 400 euro për kokë njeriu për të kaluar kufirin. Në fund kanë pranuar që këtë shërbim t’ua bëjnë edhe për 200 euro. “Por ne kemi vendosë me kaluar vet, me ndihmë të GPS, sepse atë natë u kthyen disa njerëz nga kufiri dhe thanë që trafikantët i kanë mashtruar – i kanë dërguar deri afër kufirit dhe u kanë treguar një rrugë të gabuar.”
Rruga prej kufirit deri në Segedin të Hungarisë ka zgjatur rreth 11 orë me këmbë. “Ka qenë tmerr – kemi shkuar nëpër male, nëpër ujë, nëpër therra dhe rrugica. Dikur me qëllim kemi dalë në autostradë, me shpresë se do të na kapë policia”. Më në fund i ka ndaluar edhe policia hungareze, por gëzimi për rënien në dorë të “një policie të një shteti demokratik, anëtar të BE, ishte tepër i shkurtër”.

Nata dhe rrahja në burg
Valdetin, Zojen shtatëzënë (në muajin e tetë) dhe gocën e vogël së bashku me bashkëudhëtarët e tjerë i kanë dërguar menjëherë në një burg. Burrat i ndanë prej femrave dhe fëmijëve. “Sjellja e policisë ka qenë e tmerrshme. Na kanë mbyllur si kafshë dhe na kanë mbajtur të mbyllur tërë natën, deri në ditën e nesërme në ora 11.” Në një dhomë prej rreth 100 m2, kanë qenë të vendosur, sipas Valdetit, më shumë se 200 burra, të cilët nuk kanë mundur as të shtrihen në beton. “Më e keqja ishte që nuk e dija se ku janë gruaja shtatëzënë dhe çika e vogël!”
Gratë dhe fëmijët ishin në një dhomë tjetër. “Dhoma ka pasur shipka në dritare dhe beton në tokë. Nuk ka pasur asnjë shtrat, Në beton as edhe një batanije për fëmijët e vegjël”, shpjegon Zoja dhe shton: “Nuk kemi pasur as ujë, nuk kemi mundur të shkojmë në banjo dhe nuk kemi pasur pampersa për çikë. Çika ka kërkuar tërë natën ujë, por nuk kam pasur.”
Ditën e e nesërme diku nga ora 11 i kanë hapur dyert. Në përpjekje për t’i dhënë zemër Zojës, Valdeti i thotë gruas: mos ke frikë se nuk do të na ndajnë (sepse do familje të tjera më parë i kanë ndarë!). Kur të na lirojnë do të na lirojnë të gjithëve së bashku!” Asnjë fjalë tjetër. “Kur e kanë parë që po flas me gruan, menjëherë i kanë mbyllur dyert. Në dhomën time kanë ardhur pesë policë dhe më kanë goditur me shufra, pa asnjë fjalë. Pas goditjes së dytë kam rënë në tokë dhe më nuk di asgjë. Kam humbur vetëdijen dhe jam zgjuar pas katër orësh… më kanë rrahur kaq brutalisht, vetëm pse i thash gruas që të mos shqetësohet…”

Azilkërkim me dhunë
Një ditë më vonë, Valdeti dhe Zoja me fëmijë janë detyruar të kërkojnë azil politik në Segedin. “Nuk kemi dashur të kërkojmë azil në Hugari. Por na kanë kërcënuar se nëse nuk kërkojmë azil, do të mbetemi disa muaj në burgje”, shpjegon Valdeti, i cili as vet nuk e di se pse ka qenë e domosdoshme që të kërkojë azil në Hungari?! Një ditë më pas u kanë dhënë bileta dhe kanë kërkuar prej tyre të shkojnë me autobusë në një qendër për vendosjen e azilkërkuesve kosovarë. Por Valdeti me familje kanë vazhduar rrugën për Budapest dhe janë vendosur në një hotel. Nga vuajtjet e ditëve të kaluara, Zoja shtatzënë është sëmurë keq dhe u desh të thirrej urgjenca për të shkuar në spital. Pas shërimit dhe dhjetë ditëve të kaluara në hotele të ndryshme të kryeqytetit hungarez, janë nisur për në stacionin hekurudhor në Budapest.
“Policia e kishte shtrënguar kaq fort udhëtimin sa që ishte i pamundur të futemi në tren për Gjermani. Në afërsi të stacionit më janë ofruar disa persona të panohur dhe kanë kërkuar 2.500 euro për të na dërguar deri në Dyseldorf të Gjermanisë”, shpjegon Valdeti. Ai thotë se nga torturat dhe vuajtjet e ditëve të fundit, nuk ka pasur më besim të mbetet në Hungari dhe ka pranuar të pagujë edhe këtë shumë të kërkuar nga trafikantët.
Në Dyseldorf policia i ka drejtuar në Dortmund, në qendrën për pranimin e azilkërkuesve, ku edhe kanë kërkuar azil politik. “Prej 29 janarit kur jemi nisur e deri më 12 shkurt, kam shpenzuar më shumë se 4000 euro. Tmerr i vërtetë, por nuk kam pasur zgjidhje tjetër.”
Shitja e makinës dhe lopës
Viktima e premtimeve se në Gjermani do të gjejë një jetë shumë më të mirë, ka pranuar të shesë pasurinë për t’u nisur me familje. “Kam shitur një makinë që kam pasur, një lopë dhe kam marrë para borxh. Kam paluar 5000 euro dhe jemi nisur, por sikur ta dija se çka na pret rrugës, nuk do të isha nisur kurrë.” Valdeti pohon se ai nuk ka pasur zgjidhje tjetër veçse të largohet, sepse në Kosovë nuk ka gjetur kurrfarë perspekive.
“Deri në vitin 2011 kam jetuar në Belgjikë dhe Holandë. Në Hagë kam përfunduar fakultetin e Kriminologjisë me Penologji. Por në vitin 2011 jam kthyer për shkak të sëmundjes së babait dhe kam qenë i bindur se me shkollën e kryer mund t’i kontribuojë vendit tim – Kosovës.”
Plot katër vjet ka kërkuar Valdeti punë në profesionin e tij, pa asnjë rezultat. “Kam qenë edhe në kabinetin e ish-kryetarit të Prishtinës Isa Mustafa, kam dërguar dokumentacionin edhe në zyrën e kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, kam konkurruar edhe në polici, por askund nuk kam gjetur vend pune. Nuk më ka ndihmuar as diploma holandeze. Ndërkohë që në Kosovë thonë se duan t’i mbështesin kuadrot që kthehen. Do të më kishte mjaftuar një pagë prej 300 eurosh në muaj, por jo – nuk më dha kush punë.”
Valdeti ndan fatin e rreth 45% të të rinjve kosovarë, të cilët janë të papunë. Kosovarët e ikur nga vendi thonë se në Kosovë nuk ka kurrfarë perspektive për ta. Gjendja e mjerueshme ekonomike, nepotizmi, punësimi mbi bazë njohjesh apo me ryshfet, varfëria e skajshme, korrupsioni i lartë janë ndër shkaqet që përmenden më së shpeshti nga kosovarët që kërkojnë azil në Gjermani.
Për të gjetur punë atij nuk i ka ndihmuar as kontributi i familjes gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999. Një vëlla i është vrarë në luftë, një është plagosur nëntë herë, është plagosur edhe babai, nga familja e tij e madhe në Keqekollë dhe Prapashticë janë vrarë 72 anëtarë të familjes, të gjitha shtëpitë u janë djegur.
Po si ka mbijetuar deri tani: “Në Kosovë e kam mbijetur duke e prerë dhe shitur nga mali i babës dhe babgjyshit. Kohët e fundit jam marrë edhe me shitjen e pjesëve të makinave të aksidentuara, por pas lindjes së fëmijës këto para nuk mjaftonin për të mbijetuar. Ndaj jam detyruar të ikë me shpresë se do të gjej një jetë më të mirë. Por njerëzit në Kosovë na kanë rrejtur dhe mashtruar”, shpjegon Valdeti.
Valdeti me familje kanë qenë në ditën e zhvillimit të bisedës (24.02.2015) në Qendrën për Strehimin e Azilkërkuesve në Hemer, afër Dortmundit. Sipas marrëveshjes, në këtë vend mund të vendosen 300 persona. Numri mund të rritet më së shumti deri në 500, por vetëm për një javë. Ndërkohë që në momentin e vizitës atje ishin rreth 650. 54% e të gjithë të vendosurve janë nga Kosova. Ka dhe nga Serbia, Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Maqedonia… Nga Ballkani në këtë Qendër janë 75% e të strehuarve.
Kushtet e jetesës janë të rënda. Familjet janë të vendosura në një dhomë të vogël. Ndërsa ata ndodhen shpesh në dhoma me 5-6 persona të tjerë. Duke i falënderuar angazhimit të organizatës Malteser, ata kanë për të ngrënë tri herë në ditë. Por Valdeti pohon se ushqimi është shumë i dobtë. “Shpesh nuk po e han as çika e vogël. Papastërtia është e madhe”, thotë ai. Në Qendër ekziston edhe një kopësht për fëmijë, por ai është i stërmbushur. Brenda një zhurmë e padurueshme. Fëmijë nga të gjitha rajonet e botës, që flasin në gjuhë të ndryshme. Dominon gjuha shqipe, me theks nga Kosova.
Situatë stresi
Që situata nuk është fare e lehtë, konfirmon edhe drejtori i Qendrës, Horst Labrenz. “Kjo është një situatë stresuese për të gjithë, në veçanti për personat që përkujdesen për ushqimin dhe mirëmbajtjen e Qendrës”, shpjegon ai. Në përgjithësi, situata në vendstrehimet e azilkërkuese në landin Renania-Veriore Vestfalia është e rëndë. Të gjitha vendstrehimet janë tejmbushur, sepse ky land, për shkak të numrit më të madh të banorëve, është i obliguar të marrë 23,5 % të të gjthë azilkërkuesve në Gjermani. Shumë prej 18.000 kosovarëve që kanë ardhur në Gjermani në dy muajt e fundit, janë vendosur pikërisht në këtë land. Të gjithë ata kanë kërkuar azil politik. Por cilat janë shanset për azil?
Asnjë shans për azil
“Jo, nuk kanë shanse për azil. Ata janë duke dëmtuar vetveten. Kanë rënë viktimë e premtimeve të kota. Ne e dimë që në Kosovë mbretëron një situatë shumë e vëshirë ekonomike, por varfëria nuk është shkak për azil. Të gjithë ata kanë kërkuar strehim sipas paragrafit 16a të Kushtetutës – që do të thotë strehim politik për persona e përndjekur dhe ata të cilët janë të rrezikuar fizikisht në rast kthimi në vendlindje”, shpjegon Labrenz.
Në janar të këtij viti, nga rreth 3.600 kërkesa të përpunuara, vetëm 0,3 % e kosovarë në Gjermani kanë marrë azil politik.
Ministrat e landeve gjermane kanë vendosur nga mesi i shkurtit që kërkesat e kosovarëve për azil të përpunohen brenda dy javësh dhe shumica dërmuese e tyre, gati të gjithë, po marrin dhe do të marrin përgjigje negative. Zbatimi i vendimit të minstrave ka filluar me 23 shkurt. Azilkërkuesit e refuzuar mund të ankohen brenda një jave, por shanset për ndryshimin e vendimit nuk ekzistojnë. Kjo do të thotë se brenda disa javësh ata do të detyrohen të kthehen në Kosovë. Sa i përket atyre që kanë kërkuar azil më parë, ekziston mundësia që procedura e tyre të zgjazë më shumë, madje deri në 18 muaj. Nëse kështu edhe do të mbetet, kjo varet prej mundësive të Zyrës për Migrantë dhe Refugjatë.
Ndihmat sociale
Azilkërkuesit kanë të drejtë në Gjermani, në kushtet normale, që të marrin ndihma sociale për një person të rritur prej 354 eurosh. Për familjarët ekzsiton edhe ndihma për gruan, fëmijët. Por kosovarët nuk do të mund të përfitojnë shumë nga këto ndihma. “Dje më kanë dhënë nga 22 euro për mua dhe për gruan, si dhe 12 euro për çikën e vogël – për një javë”, shpjegon Valdet Brahimi. Kjo do të thotë se për një muaj, ndihmat do të jenë 224 euro në muaj. Ndërkohë që nuk dihet se sa gjatë do të mbeten atje.
Këshilltari për migrantë në Kryqin e Kuq të Gjermanisë në Bon, Lothar Strunk thotë se për kosovarët e refuzuar ekzistojnë dy mundësi: të kthehen vullnetarisht apo të dëbohen me dhunë. Ata që kthehen vullnetarisht mund të marrin bileta gratis, nëse është hera e parë që janë paraqitur azil në Gjermani. Ndërsa të tjerët duhet të paguajnë vetë. Edhe të dëbuarit kthehen pa pare, por nëse dikush dëbohet me dhunë, atij i shënohet në pasaportë ndalimfutja në zonën Shengen për një periudhë deri në pesë vjet, e madje në rastet më të rënda deri në 10 vjet.
Valdet Brahimi me familje është i dëshpëruar, sepse nuk e di ku të shkojë nëse e kthejnë. “Në Kosovë nuk kam shtëpi, nuk kam punë. Do të mbetem në rrugën e Zotit. Nuk e di çka të bëj”, ankohet dhe sugjeron: “Mos u nisni për Gjermani. Mos u besoni atyre që po rrejnë se këtu nuk ka azil, punë dhe shtëpi të premtuara për familje!” (dw)

Radikalizimi i të rinjve myslimanë

Myslimanët e rinj po radikalizohen “në dhomat e tyre të gjumit”, përmes kontaktit të drejtpërdrejtë në internet me luftëtarët e Shtetit Islamik, thonë ekspertët e terrorizmit. Ka shqetësime në rritje se autoritetet dhe kompanitë e internetit nuk janë duke bërë sa duhet për të luftuar ekstremizmin në internet, që analistët thonë se është përhapur nga një rrjet i sofistikuar i mbështetësve që përdorin internetin në mbarë botën.Në një natë të ftohtë shkurti në Stamboll, kamerat e survejimit kapën tre vajza britanike, dy prej të cilave janë të moshës 15 dhe tjetra 16 vjeç, në një stacion të autobusëve, në rrugën e tyre për t’u bashkuar me Shtetin Islamik. Pas një udhëtimi 18 orësh me autobus, besohet se ato kaluan në Siri disa ditë më vonë.
Çfarë i shtyu këto nxënëse të suksesshme të lënë familjet e tyre për një zonë lufte dhe të bashkohen me luftëtarët e Shtetit Islamik? Zyrtari britanik i kundër-terrorizmit fajëson mediat sociale.

“Ndryshimi që kemi parë gjatë disa viteve të fundit është se këto mesazhe ekstremiste tani po shpërndahen përmes internetit drejt në dhomën e gjumit të fëmijës tuaj”.

Hetuesit thonë se një tjetër grua britanike, Aqsa Mahmood, e cila ka shkuar në Siri për t’u bashkuar me Shtetin Islamik, ndihmoi në rekrutimin e tre adoleshenteve.

Është një fenomen që po ndodh gjithnjë e më shpesh në mbarë botën, si pjesë e përpjekjeve të Shtetit Islamik për rekrutimin e burrave dhe grave, sipas ekspertit të terrorizmit, Shiraz Maher të Universitetit Kings College në Londër.

“Sot, ju mund të bisedoni drejtpërdrejtë me një luftëtar. Ju mund të pyesni ata se si është jeta në terren dhe se si ata kanë arritur atje. Dhe kjo në shumë aspekte ju ndihmon të kapërceni frikën tuaj, apo gjërat e tjera që ju ndalojnë të shkoni atje”.

Zoti Maher thotë se këto pyetje në internet shpesh përqëndrohen në ndikimin e tyre mbi familjet që ata kanë lënë pas.

“Si i treguat nënës që ju keni shkuar në Siri? Si e keni tejkaluar këtë dhe nga ana emocionale si jeni pajtuar me faktin se ju keni rënduar zemrën e saj?”

Zoti Maher thotë se propaganda e Shtetit Islamik gjithashtu mbështetet në një rrjet të grupeve të simpatizantëve në internet.

“Ne i quajmë ata ‘shpërndarës’. Dhe këta shpërndarës janë tepër të rëndësishëm sepse ata nuk janë në terren, ata janë në gjendje të mbledhin dhe përhapin sasi të mëdha informacioni nga burime të shumta”.

Një nga këta persona ka jetuar në këtë banesë në Bangalore të Indisë që vepronte nën emrin ‘ShamiWitness’ në Twitter. Ai u arrestua në dhjetor.

Llogaria ShamiWitness në Twitter, tani është joaktive por ende mund të kontrollohet dhe ka mbi 17 mijë ndjekës. Ajo përfshinte propaganda të Shtetit Islamik, këshilla për rekrutët e rinj dhe mesazhe lavdërimi për luftëtarët e vdekur.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, James Clapper tha të hënën se shqetësimi i tij më i madh është rritja në vend e ekstremizmit të frymëzuar përmes internetit.

“ISIL-i është shumë i sofistikuar në përhapjen e propagandës, rekrutimin dhe ata janë përdorues shumë të mirë të mediave sociale. Pra, kjo është një sfidë për ne dhe për Evropën”.

Analistë të sigurisë thonë se propaganda ekstremiste në internet duhet të luftohet me mjete të internetit, për të parandaluar radikalizimin e të rinjve. (voa)

Turqia po thyen dhëmbët tek Asadi

Katër vjet pas fillimit të kryengritjes kundër Bashar al Asadit Turqisë i duhet të marrë në konsideratë se ka dështuar në objektivin e saj kryesor: Assadi vazhdon të jetë në pushtet. Po tani?Si ministër i Jashtëm i Turqisë, kryeministri Ahmet Davutoglu u përpoq menjëherë pas shpërthimit të trazirave në Siri në mars 2011 që ta nxisë për reforma politike qeverinë e Asadit. Por kur apelet e Davutoglusë kaluan pa asnjë vëmendje, Ankaraja kaloi në një armiqësi pa kompromis kundër Assdit. Qeveria turke ishte e sigurtë se përballë kryengritjes, kryetari i shtetit sirian ndodhej para fundit të tij. Assadit i mbeten më e shumta disa javë ose muaj, tha Davutoglu në gusht 2012.
“Është katastrofë”
Por Davutogluja u gabua. Pas katër vjetësh luftë civile sot askush nuk e pret më largimin e shpejtë të Asadit. Forcat e moderuara të opozitës, si “Ushtria e lirë siriane” (FAS) po kalojnë gjithnjë e më tepër në defensivë. Atyre u duhet të mbrohen sot si kundër trupave qeveritare të Asadit, ashtu edhe përballë milicëve islamikë që po bëhen gjithnjë e më të fortë, para së gjithash ndaj “Shtetit Islamik” (IS). IS ka vendosur pjesë të tëra të Sirisë dhe të Irakut nën kontrollin e tij dhe po zhvillohet në një kërcënim për vetë Turqinë.

Planet e Turqisë për të luajtur në konfliktin e Sirisë një rol si fuqi rajonale rendi, përballë kaosit në Siri janë kthyer në letra pa vlerë. “Është katastrofë”, i tha DW Osman Nuri Özalp, politolog në Universitetin Gjermano-Turk në Stamboll. Turqia ka humbur në Siri dhe në rajonin e Lindjes së Afërt shumë nga ndikimi i saj.

Konstante në politikën turke ndaj Sirisë
Megjithatë, rrëzimi i Assdit mbetet objektivi i parë i Turqisë në Siri. Vetëm pak kohë më parë, Davutoglu theksoi se qeveria siriane duhet të japë llogari për “masakrat e kryera në katër vitet e fundit ndaj popullit”. Së dyti, Turqia vazhdon t’i përmbahet “politikës së dyerve të hapura” përballë refugjatëve nga Siria. Kjo megjithëse numri i madh i refugjatëve në qytetet turke përgjatë kufirit poshkakton ndërkohë probleme sociale.
Konstantja e tretë në politikën turke ndaj Sirisë është mbështetja për forcat opozitare siriane. Koalicioni Kombëtar Sirian, një organizatë ombrellë që përmbledh kundërshtarët e moderuar të Assadit, takohet rregullisht në Stamboll. Vëzhgues, si ish-Ambasadori i SHBA në Ankara, Francis Ricciardone, e kritikojnë veç kësaj Ankaranë se mbështet edhe grupe radikale-islamike në Siri. Turqit janë kanë qenë të bindur se mund të punonin me këta milicë, tha Ricciardone vitin e kaluar. Zona kufitare me Sirinë ka qenë e hapur për ekstremistët.
Ankaraja i hedh poshtë këto kritika.Për ta forcuar pozicionin vetjak, Turqia kohët e fundit mbështetet më shumë sërish tek fuqia drejtuese perëndimore SHBA. Ankaraja dhe Uashingtoni i stërvitin së bashku trupat qeveritare siriane. Por diferencat bazë me SHBA deri tani nuk qe e mundur të sqarohen. Sipas informacioneve të shtypit, Uashingtoni – ndryshe nga Turqia – nuk e shikon më një largim nga posti të Asadit si kusht bazë për një zgjidhje të situatës në Siri. (dw)

Apartamentet e miliarderëve në Nju Jork

130 deri 150-milion dollarë. Këto janë çmimet e fundit rekord të apartamenteve luksoze në qiellgërvishtëset e Nju Jorkut. Ndërtesat sa vjen e po bëhen më të larta, çmimet po rriten dhe reagimet sa vjen e shtohen.Kjo ndërtesë quhet 432 Park Avenue. Është e lartë 426 metra, aktualisht më e larta ndërtesë banimi në hemisferën Perëndimore. Por ka edhe të tjera.

Janë 12 qiellgërvishtëse të reja në faza të ndryshme të ndërtimit. Ato ndodhen kryesisht në rrugën 57 të Manhatenit.

Me çdo ndërtim të ri, rritet edhe çmimi i apartamenteve. Është bërë i zakonshëm 30 deri në 40-milion dollarë për një apartament luksoz që mund të mos përdoret kurrë. Sipas gazetës New York Times, shumë prej këtyre apartamenteve janë pronë e kompanive joaktive që merren me manovra financiare. Nuk ka problem, thotë avokati Edward Mermelstein, i cili përfaqëson disa investitorë të huaj. Ai thotë se çmimet në Nju Jork janë mjaft të lira dhe klientët e tij paguajnë me para në dorë.

“Ne kemi plot blerës të huaj. Ata e shohin Nju Jorkun si një qytet më pak të shtrenjtë në krahasim me qytetet e tjera dhe me shumë vend për rritje.”

Kështu mendon edhe kritiku i arkitekturës Paul Goldberger. Por ai sheh një problem te fakti që apartamentet mbahen bosh.

“Kuptohet se ata nuk paguajnë taksa pasi zyrtarisht kjo nuk është banesa e tyre kryesore. Gjithatu, në ligjet tona ka boshllëqe dhe kjo ka lejuar që të ndërtohen ndërtesa shumë, shumë të larta pa pyetur shumë për mendimin e publikut.”

Kjo çështje ishte temë e një takimi të Bordit të Komunitetit lokal. Bordi po kërkon ndryshime në ligjet e ndërtimeve dhe thotë se ndërtime të tilla të larta janë problem për publikun e gjerë.

Layla Law Gisiko, është anëtare e bordit

“Këto ndërtesa do të bëjnë hije të mëdha në Parkun Qendror. Dhe po flasim për të paktën 12 ndërtesa që ne e dimë se janë në planifikim në Manhattan.”

“Kjo do të thotë se gjatë ditës në dimër parku do të jetë më i ftohtë, pra njerëzit nuk do të mund ta përdorin parkun si më parë”.

Por ndërtuesit nuk flasin. Ata vazhdojnë punën. Në tryezë është hedhur propozimi për një qiellgërvishtës 433 metra të lartë, më i larti i Hemisferës Perëndimore. Edhe ai do të jetë në Rrugën 57, e cila tani quhet Rruga e Miliarderëve” (voa)

Meier: “Vullneti për dakordim ekziston”

Bisedimet atomike me Iranin vazhdojnë, megjithë kritikën nga kryeministri i Izraelit, Netanjahu. Shanset për një përfundim me sukses të negociatave janë përmirësuar, thotë eksperti Oliver Meier nga SWP në bisedë me DW.Deutsche Welle: Si i shihni shanset për një përfundim me sukses të bisedimeve atomike me Iranin deri në afatin e caktuar, në fund të qershorit të këtij viti?
Oliver Meier: Shanset, që deri në fund të qershorit të arrihet një rezultat me detaje të negociuara janë përmirësuar javët dhe muajt e fundit. Kjo ka të bëjë nga njëra anë me faktin se Irani u përmbahet detyrimeve të tij në bazë të marrëveshjes kuadër të nëntorit 2013. Veç kësaj, të dyja palët, sa mund ta gjykosh së jashtmi, janë afruar edhe në disa çështje të diskutueshme. Tek pjesëmarrësit më të rëndësishëm është i qartë vullneti, që deri në verë të jetë rënë dakord për një marrëveshje të tillë.
Cilat janë kërkesat minimale të bashkësisë ndërkombëtare, në mënyrë që Marrëveshja të nënshkruhet?
Obama e bëri edhe njëherë të qartë: nga njëra anë synohet të garantohet që Iranit t’i duhet të paktën një vit kohë, për të prodhuar një sasi të konsiderueshme materiali bërthamor për t’u përdorur në në një bombë atomike. Nga ana tjetër, duan që inspeksionet të organizohen në mënyrë të tillë, që të ekzistojë një siguri e madhe për të zbuluar edhe pajisje eventuale sekrete të Iranit, dhe kjo kërkohet të fiksohet për disa vite me radhë. Kërkesa e Obamas për një kohëzgjatje të paktën dyvjeçare të një marrëveshjeje të tillë në thelb nuk është e re, ajo është shtruar vitin e kaluar.
Çfarë roli kryen çështja e sanksioneve kundër Iranit në negociata?
Çështja e “heqjes ose e suspendimit të sanksioneve” është ajo ku aktualisht çalon puna, sepse pala iraniane kërkon sa më shpejt heqjen e sanksioneve. Këtu mundësitë e Perëndimit, veçanërisht të SHBA, janë të kufizuara, sepse në disa raste në SHBA duhet të votojë edhe kongresi. Prandaj synohet që në fillim sanksionet të suspendohen, për të pasur mundësinë për t’i rivendosur ato më vonë, po të dalin probleme me vënien në jetë të marrëveshjes.
A janë frikërat e Netanjahut për një Iran të armatosur me armë bërthamore jorealiste?
Jo, të tilla ato nuk janë, sepse Irani në fakt ka mashtruar dhe ka bërë truke për shumë vjet. Por Netanjahu ndjek një rrugë tjetër: ai do që në bazë të marrëveshjes me Iranin të vihet edhe theksi tek vlerësimi politik për besueshmërinë e një shteti të kontrolluar, në këtë rast të Iranit. Por këtu duhet të zbatohen kritere teknike matjeje. (dw)

Ëndrra nuk mund të vdes, për aq kohë sa SHQIPTARI jeton

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Armiqtë janë të elektrizuar nga ëndrra se me veprimet antishqiptare do të arrijnë shkombëtarizimin e tyre dhe një ditë, do të ushtrojnë një kontroll të plotë mbi ta. Kodoshët shqipfolës, në bashkëpunim me armikun e jashtëm, duan ta shtrydhin Atdheun tonë. Misioni i tyre është të vazhdojnë të na bezdisin me llomotitje të çoroditura dhe në thelb të pakuptim. Lehjet e tyre janë një përzierje e shushatur vetëmburrjeje primitive, përgojimesh të gjithçka-je shqiptare dhe profeci të flakta të predikuesve injorantë përçarës antikombëtar.Kombi është një bashkësi njerëzore e qëndrueshme, e lindur mbi bazën e bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit shpirtëror që shprehet në bashkësinë e kulturës. Kombet kanë një shpirt të përgjithshëm dhe një unitet moral të vërtetë që i përfton ashtu siç janë. Ky unitet shfaqet sidomos nëpërmjet GJUHËS. Shqiptari i cili është duke flakur tej gjuhën amtare, zakonet e nderuara, dhe duke shkelur me këmbë dogmat kombëtare, ai fyen pikërisht ZOTIN.

Për një komb të caktuar, me rrënjët e veta-gjenealogjinë, me një kujtesë etnike, me një popullsi të dhënë, territorin, me zakonet e tij, gjuhën e tij, situatën gjeopolitike, pasuritë, cilësitë e mira e të këqija, duhen gjetur ligjet që i përshtaten.
***
Edhe pse shqiptarët nuk kanë druajtje të tepërt prej sundimtarëve, janë tejet të bindur dhe verbuar. Janë prej atyre kombeve që nënshtrohen jo pse autoriteti iu shkakton aq frikë, por sepse ata kanë aq frikë – jo nga autoriteti, por prej jetës – sa kërkojnë një pushtet të cilit t`i nënshtrohen. Ndërkaq, sundimtarët e tyre injorantë, kanë nevojë për një prijë të fuqishme, të fortë, që të kompensojnë ligështinë e tyre. Dhe, e gjejnë te fqinjët. Prandaj Shqipërinë e urdhëron Greqia, Kosovën Serbia, Turqia…

Kohët e fundit kam përshtypjen që jeni të vetëdijshëm se gjendeni në një botë të huaj dhe ju ka kapluar ndjesia e pafuqisë që rrjedh prej kësaj. Kjo lehtësisht mund t`ju mposhtë. Nëse do të ndjeni veten tërësisht pasiv, një objekt i thjeshtë, do të privoheni prej vetëdijes se keni një vullnet, një histori të lashtë dhe një identitet legjendar pellazg/ilir/shqiptar.

Nuk ka rrezik tjetër si ai kur mendja të ngulet në një pikë e nuk luan vendit, kurse unë jam vërtet nga ata që gjatë përmbushjes së detyrës, kanë nevojë për emocionet e lidhura me rreziqe e me marrje rreziqesh përsipër, për ta pasur mendimin të kthjellët. Ky është element i prirjeve të mia.

Një mik më pyeti: “Aurel, nga e nxjerrësh këtë kënaqësi emocionale, nga dashuria apo rreziku që vjen nga kjo lojë?”
Përgjigja ime ishte: “Nga rreziku. Sepse më nxit. Por, të lutem, mos më keqkupto, rreziqet nuk më pëlqejnë, më pëlqen t`u bëj bisht. Kështu u hapet rrugë energjive të mia.”

Ata që nuk kujdesen për ndjenjat e të tjerëve mund të bien shpejt në telashe. Shumica e vendimeve të marra janë të bazuara në emocione. Kjo ndoshta nuk duket ashtu sepse ne i maskojmë me fjalë të arsyeshme dhe shpjegime, por shpesh janë “ndjenjat e barkut” ato që vendosin.

Emocionet janë nxitës të fuqishëm në njerëz, për të mirë dhe për të keq dhe diçka që ne dëgjojmë me vëmendje kur ne të hasim në diçka që na sfidon. Janë instinktet origjinale indigjene që na tregojnë nëse ne duhet të ikim ose të luftojmë.

Të njohësh vetveten do të thotë të fitosh një kuptim thelbësor në rritje, mendore dhe ndijore, për pjesën tjetër deri më atë kohë të panjohur të psikikës vetjake. Ajo shkakton një shtim të energjisë, që çlirohet prej përgjegjësisë për të mbështetur kapërcimet; kështu pra, sa më tepër që njeriu është në ndërlidhje me realitetin e tij të brendshëm, aq më tepër është i dritësuar dhe i lirë.
***
Sa e shkurtër është rruga nga normal te i çmendur?
Çfarë është çmenduri dhe çfarë është normalitet? Kjo është një pyetje e lashtë me shumë përgjigje. Tradicionalisht ne e perceptojmë shpesh çmendurinë në lidhje me mangësinë e realitetit. Njerëzit që përjetojnë botën në një mënyrë krejtësisht të ndryshme se publiku i gjerë, shpesh konsiderohen si të sëmurë psikik, me çrregullime shpirtërore. Shumica e njerëzve e kuptojnë marrëzinë dhe çmendurinë si e kundërta nga e arsyeshmja.

Ne duhet të jemi të sinqertë. Ka grupe në shoqërinë tonë që kanë një kokë bosh, gojë të madhe dhe një zë të lartë, por të cilët nuk janë myslimanë të vërtetë. Dhe, këta krijesa nuk përfaqësojnë shqiptarët mysliman. Ekstremizmi i tyre ka të bëjë me ideologjinë dhe jo Islamin. Më injorantët dhe më të çmendurit prej tyre:
• propagandojnë mësimin fetar islam në shkolla
• mbulesën me jorgan të femrave
• kërcojnë me dhunë të përhapin islamin politik
Politikanët injorantë, servil, tradhtarë dhe të korruptuar deri në vesh:
• vodhën dhe plaçkitën të gjitha pronat shoqërore
• motivojnë / detyrojnë ikjen e shqiptarëve dhe boshatisjen e vendit
• përpiqen të zvogëlojnë numrin e shqiptarëve të Kosovës, duke ua ndaluar lindjen e fëmijëve
• ua dhurojnë fqinjëve KOASH-in, qytetet (Mitrovicën), minierat (Trepçën), lumenjtë (Vjosa, Radika), detin, kodrat, fushat, malet, tokën, qiellin, ajrin…

Botëkuptimet e tyre të përdredhura për çështjet dhe gjërat, janë fuqia më shkatërruese për Kombin dhe Atdheun.
***
Nacionalizmi i shqiptarëve është vrarë si pasojë e“pastrimit të trurit”, ndërkaq fqinjët shovinist e përforcojnë gjithnjë e më tepër. Megjithatë, nuk ka probleme me të cilat nuk mund të ballafaqohemi. Përvoja, njohuritë dhe besimi në vetvete na tregojnë se si ato duhet të trajtohen. Doemos, edhe shoqëria shqiptare të pastron plehrat nga kopshti vet, të krijojë strukturë dhe institucione të mirëfillta, të përhershme, që i sigurojnë asaj qëndrueshmëri.
***
Në shtator 2012, me disa miq dhe bashkëluftëtarë të mi ishim në Shqipëri. Afër dy muaj u stërvitëm në bjeshkët madhështore dhe ujërat e kaltra të Ksamilit. Natën e fundit para ikjes, në ditarin tim shkrova:

Fryrë zemrat dhe faqet me ngjyra të ndezura, homazh të dashurit Atdhe. Emri i shenjtë. Gjumi im është i heshtur, dhe askush nuk mund të ëndërrojë në mënyrë të lehtë dhe kështu të heshtur, kur malet dhe deti bie në gjumë, dhe askush nuk mund të buzëqeshë në mënyrë të qetë dhe të lumtur, kur zërat lundrues mbinatyror vdesin. Dhe, pyjet janë duke fjetur në luginë.

Shqipëri, Shqipëria ime, ma jep mua pranverën tënde, me diell mbi ujërat që lëkunden, por më dëgjo mua, më dëgjo mua kur ditët kalojnë dhe hijet e mbrëmjes mbulojnë ballin tim. Pastaj më mëso të zbehem, o Shqipëri moj nëna ime, dhe të hipi në një krevat në tokën tënde të shenjtë, kur vera e lënë vendin…

Për Brukselin Maqedonia tashmë është e destabilizuar

Brukseli e konsideron Maqedoninë tashmë të destabilizuar. Shefja e diplomacisë së BE-së Federika Mogerini duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse kriza aktuale mund të prodhojë destabilizim në vend, Mogerini la të kuptohet se vendi tashmë është përfshirë nga destabiliteti. Ajo megjithatë e lë të hapur derën e BE-së duke thënë se Brukseli pikërisht në këto momente është më e gatshme se kur për të ofruar ndihmën në kapërcimin e krizës. Nga ana tjetër Komisionari për zgjerim Johanes Han, pasi dha një pasqyre të situatës reale në Maqedoni theksoi se institucionet e BE-së janë të gatshme të japin ndihmën e tyre por më parë vendi duhet të kthehet te standardet adekuate evropiane dhe ndërkombëtare.

“Për sa i përket pyetjes ndaj destabilizimit kam frikë se çështja tani nuk është më nëse do të ketë destabilizim… Maqedonia është në agjendë ashtu siç është në agjendë gjithmonë nevoja për mbështetje dhe ndihmë ndaj shteteve që janë kyçe për rajonin tonë, kur flasim për fqinjësinë, Ballkani nuk është as fqinjësi por është Evropë. Në këtë situatë të caktuar në veçanti është e nevojshme, unë lexova rekomandimet e Parlamentit Evropian dhe ndjek debatin dhe jam e gatshme që të ndjek atë së bashku me komisionarin Han me të cilin puna jonë në Ballkan është e koordinuar dhe do të mbetet në agjendë”, u shpreh Federika Mogerini, Shefja e Diplomacisë së BE-së.

“Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me liderët në Ish Republikën Jugosllave ne ofruam asistencën tonë që të zgjidhim krizën politike aktuale, të gjitha partitë duhet të vihen në lëvizje duhet të respektojnë sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e mediave dhe duhet të sigurojnë standarde të ngjashme apo të njëjta të politike sa i përket punës së parlamentit, ashtu si në vendet e tjera. Prandaj anëtarët eminentë të Parlamentit Evropian kanë ofruar gatishmërinë për të arbitruar në mes të partive të ndryshme në shtet, ata kanë pranuar këtë mbështetje dhe do të shohim se cilat do të jenë hapat e ardhshëm, por në mënyrë që të ruhet perspektiva evropiane është me rëndësi të zgjidhen problemet në shtet dhe të kthehen në standardet adekuate evropiane dhe ndërkombëtare”, tha Johanes Han, Komisionar për Fqinjësi dhe Zgjerim.

Krerët e Brukselit kanë theksuar prej kohësh nevojën e publikimit të të gjitha përgjimeve dhe nënshtrimit të një procesi të pavarur dhe transparent nga institucionet e vendit. Alsat-M