Tahiri: E vërteta për Tom Doshin. Verifikuam çdo version, asnjë provë

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka dalë në një konferencë për shtyp për të dhënë hollësi për hetimin e deritanishëm për akuzat e deputetit Tom Doshi, pretendimeve të tij lidhur me një komplot të mundshëm, me porosi të kryeparlamentarit Ilir Meta dhe së fundmi edhe dëshmive të Durim Banit, i cili tha para prokurorëve se historia është e sajuar me kërkesë të deputetit Doshi. Tahiri vuri në dukje që në fillim se pretendimet e Doshit për komplot, janë të pavërteta.

Duke dhënë detaje, data, emra, Tahiri bëri ekspoze të plotë për gjithëçfarë ka ndodhur prej shtatorit të vitit të shkuar deri më sot.

“Asnjë prej prendimeve të Doshit nuk rezultoi i vërtetë nga policia”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, të dhënat e mësiperme për veprimtarinë e plotë të policisë, në mungese të një kallëzimi nga ana e Doshit janë të dokumentuara.

Ministri shtoi, se për këtë çështje ka hetime që vijojnë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e SHtetit, të cilat pritet shumë shpejt të zbardhin gjithë atë që ka ndodhur.

Fjala e plotë e ministrit Tahiri

Jam këtu për t’i dhënë fund, përmes një ekspozeje saktësisht të verifikueshme, spekullimeve të panumërta lidhur me pjesën e akuzës së deputetit Tom Doshi që përfshin mua si Ministër i Brendshëm dhe rolin e Policisë së Shtetit qysh prej ditës kur kam marrë dijeni nga vetë deputeti për pretendimin e tij.

Prita ditën e sotme për të shmagur humbjen e ekspozesë sime në tymnajën dhe zhurmën e politizimit ekstrem që Partia Demokratike po i bën një pretendimi të kthyer në akuzë bombastike, e cila në këndvështrimin e dikasterit që unë drejtoj, ka qenë e sqaruar ashtu siç i është komunikuar prej kohësh deputetit akuzues.

Kronologjia

Në dt 6 Shtator 2014, me kërkesë të Kryeministrit, jam takuar dhe kam dëgjuar deputetin Tom Doshi. Takimi është zhvilluar në Durrës, në mejdiset e zonës rezidenciale.

Gjatë takimit që ka zgjatur rreth 30 min, Z. Doshi më rrëfeu se kishte zbuluar një komplot për vrasjen e tij, dhe kishte identifikuar porositësit dhe ekzekutorët e krimit të pretenduar.

Tom Doshi gjithashtu më tha se vrasësin e pretenduar, e kishte në ato momente në shtëpinë e tij në plazhin e Durrësit dhe më kërkoi ta takoja.

Gjatë atij takimi, Tom Doshi, deklaroi se personi që kishte marrë përsipër ekzekutimin e tij, ishte një shtetas nga Fushë-Kruja, i cili kishte marrë porosi nga një shtetas tjetër me emrin Fatjon Skënderi, ish shofer i Kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

Tom Doshi deklaroi po në atë takim se në dt 1 Shtator 2014 (pra 5 ditë përpara takimit me mua), këtij shtetasi (pra Fatjon Skënderit) i ishte bërë atentat për ta vrarë, në hyrje të autostradës Tiranë Durrës, ngjarje pa pasoja por për të cilën Policia e Shtetit kishte filluar hetimet që në momentin kur u bë me dije.

Gjithnjë sipas tij, Tom Doshi më tregoi gjithashtu se në rrugë private kishte zbuluar qe në mjediset e lokal Viva në zonën e Bllokut në Tiranë, ish Shoferi i Fatmir Mediut së bashku me Agron Kulicin, ish nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Agim Ramën, kunat i ish Kryeministrit Berisha, Eugen Beci, Drejtues i Prokurorisë për Krimet e Rënda, shtetasin Ymer Lala dhe një shtetas me emrin Ylli (Xhaxhollari), pronari i lokalit, kishte organizuar vrasjen e Tom Doshi.

Z. Tom Doshi këmbënguli po ashtu se edhe vetë Prokrurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ishte i përfshirë në këtë komplot, (nëpërmjet Eugen Becit) sepse sipas Z. Doshi, të dhënat që deputeti i kishte dhënë konfidencialisht pak kohë më parë Z. Llalla, i kishin marrë vesh po këta persona, pra organmizatorët që sipas Z. Doshi kishin organizuar vrasjen, dhe këto i kishin marrë vesh nëpërmjet vetë Prokurorit të Përgjithshëm.

Pra sipas deputetit Tom Doshi, vetë Prokurori i Përgjithshëm kishte treguar te organizatorët, porositësit dhe vrasësit, se Z. Doshi kishte zbuluar komplotin e tyre ndaj jetës së deputetit.

Në përmbledhje të fakteve paraprake, Tom Doshi mu shpreh thellësisht i bindur se vrasjen e tij, ky grup kriminal ku sipas tij ishin të përfshirë nga Agim Rama e Agron Kuliçi tek shoferi i Fatmir Mediut dhe drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Eugen Beciu, e kërkonte për llogari të Sali Berishës, i cili, gjithënjë sipas Z. Doshi, ishte betuar të hakmerrej për humbjen e rëndë në Shkodër.

Tom Doshi ishte po ashtu i bindur se përmes Agron Kuliçit, organizatorët e vrasjes kishin siguruar mbështetjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Sikundër ia kam shprehur kryeministrit fill pas takimit, më është dukur skenar shumë i dyshimtë.

I kam thënë kryeministrit se sipas meje nuk më dukej gjëkundi si organizim real i një vrasjeje, por mbetej dhe më mbetet ende sot e paqartë arsyeja e vënies në lëvizje të këtij skenari çoroditës nga ky miks individësh.

Por theksoj se, në prani të Kryeministrit dhe të deputetit, kam parashtruar mendimin se e vetmja mënyrë për ta ndjekur këtë çështje, ishte denoncimi në rrugë ligjore i çështjes nga ana e Tom Doshit.

Tom Doshi ishte absolutisht kundër.

Ai këmbënguli deri në fund se përderisa në komplotin për vrasjen e tij, ai kishte zbuluar si pjesë aktive në komplot drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci dhe si mbështetës të komplotit Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Lllalla, ishte e pamundur të ecej në rrugë ligjore pa rrëzuar më parë Prokurorin e Përgjithshëm përmes parlamentit.

Me gjithë këmbënguljen e deputetit, si unë dhe si kryeministri në fund të bisedës, i kemi thënë Tom Doshit se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta adresuar pretendimin e tij përveç rrugës ligjore, dhe kam theksuar se çdo vonesë në kohë, do t’i vështirësonte veprimet hetimore.

Në fund, deputeti Tom Doshi kërkoi që të takoja personin që sipas tij ishte vrasësi i porositur dhe i penduar, për ta nxitur të bashkëpunojë me policinë dhe për t’i dhënë besim duke i treguar mekanizmin mbrojtës që përdor shteti ndaj të penduarve që pranojnë të bashkëpunojnë me drejtësinë.

Jam takuar pas pak, së bashku me Tom Doshin me një zotëri, që sipas Tomës, ishte vrasësi i penduar.

Zotëria, që m’u prezantua si “Duri nga Fushë Kruja”, nuk foli vetë, por kryesisht pohonte me kokë dhe mërmërima deklaratat e deputetit, sipas të cilave, ai kishte marrë një porosi për të vrarë deputetin por këtë porosi i’a kishte rrëfyer vetë deputetit duke mos e kryer vrasjen.

Aty për aty i kërkova Tom Doshit, të paraqitej menjëherë bashkë me zotërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, për të marrë zyrtarisht kallzimin e këtij të fundit, pas të cilit do të mund të fillonim menjëherë hetimet penale.

Duke kuptuar refuzimin tim për t’u përfshirë me këtë çështje në rrugë të tjera përveç rrugës ligjore, Toma pranoi më në fund të paraqitej me zotërinë, por jo në Drejtorinë e Policisë, po vetëm në zyrën e Ministrit, dhe fillimisht pa prezencën e oficerëve të Policisë së Shtetit që duhet të merrnin deponimin ose kallzimin zyrtar për të filluar hetimin penal për këtë çështje.

Por as ky takim që unë e pranova për ta futur çështjen në rrugë ligjore, nuk u zhvillua për refuzim të vetë Tom Doshi dhe sipas tij, për shkak se personi i prezantuar si vrasës kishte mosbesim.

Ndërkohë me të arritur në Tiranë, kam thirrur Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe drejtuesit më të lartë të saj, për të filluar veprimet paraprake hetimore, pavarësisht refuzimit të deputetit për bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese.

Më pas kam marrë takim me Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, dhe pas tyre, me Prokurorin e Përgjithshëm.

Ky i fundit ishte në dijeni të deklarimeve të Tom Doshit, pas një takimi të mëparshëm ndërmjet të dyve.

E informova për gjithcka u vura në dijeni nga deputeti, si dhe për pretendimin e këtij të fundit për të mos filluar hetim penal sepse vetë Prokurori i Përgjithshëm dhe Prokurori i Krimeve të rënda, ishin të përfshirë në këtë ngjarje.

Prokurori i Përgjithshëm, i cili siç e thashë kishte marrë dijeni më parë nga vetë Tom Doshi, u shpreh shumë i gatshëm për ta hetuar penalisht këtë çështje në rast se do të kishim një deponim apo kallzim ose edhe në rast se, nga mbledhja me iniciativë e të dhënave paraprake nga Policia e Shtetit, do të rezultonte ndonjë e dhënë me vlerë për të nisur një procedim penal.

Pas bisedës me Prokurorin e Përgjithshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kam rithirrur dhe nxitur përsëri deputetin Tom Doshi për të paraqitur kallzim dhe të dhëna shtesë, ose deponim nga shtetasi i lartpërmenduar, duke e siguruar edhe njëherë deputetin se ishim të gatshëm t’i ofrojmë shtetasit statusin e dëshmitarit të mbrojtur me të gjitha garancitë që ligji parasheh për këtë status.

Por përsëri dhe vazhdimisht më tutje nga Tom Doshi kam marrë refuzim për ta kanalizuar shqetësimin e tij në rrugë ligjore.

Dua të nënvizoj këtu se gjithësesi, që nga momenti që jam vënë në dijeni, Policia e Shtetit i ka konsideruar me kujdesin maksimal pretendimet e deputetit – pavarësisht se nuk dispononim asnjë të dhënë, asnjë fakt dhe asnjë provë, dhe për më tepër asnjë kallzim apo deponim.

Në këtë kuadër, si dhe duke pasur në konsideratë hetimin për çështjen penale të ndodhur në 1 shtator ndaj shtetasit Fatjon Skënderi, i deklaruar nga Tom Doshi si ndërmjetës i grupit organizator dhe vrasësit të penduar, është bërë shoqërimi i shtetasit Fatjon Skënderi – jo një herë por disa here.

Eshtë marrë në pyetje, i është bërë kontroll në dy banesat e tij si dhe janë sekuestruar pamjet filmike në mjediset e njërës prej shtëpive të tij.

I është kqyrur po ashtu automjeti dhe të gjitha sendet personale, si dhe janë kryer një seri veprimesh të tjera hetimore në kuadrin e zbardhjes së ngjarjes së ndodhur në dt 1 Shtator, duke parë me imtësi çdo detaj e rrethanë edhe nën dritën e pretendimeve të deputetit Tom Doshi.

Janë marrë deklarime nga Z. Skënderi dhe nga Z. Ylli Xhaxhollari, si edhe janë pyetur shtetasit Xhoni Skënderi, Rezart Skënderi, Eraldo Myfati dhe Arben Manaj, të cilët nuk kanë dhënë asnjë fakt apo të dhënë me vlerë për hetimet.

Në kuadër të po këtij hetimi penal, tashmë i lidhur edhe me pretendimet e Tom Doshit, është bërë shoqërimi i shtetasit Durim Bami, si shtetas që kishte dijeni dhe mund të zbardhte rrethana të caktuara lidhur me ngjarjen e datës 1 shtator, e cila për policinë shërbente njëkohësisht për të hulumtuar versionin e servirur nga deputeti.

Gjithashtu, së bashku me vendimin e prokurorit, janë kryer një sërë veprimesh të tjera hetimore, vëzhgim, përgjim, mbledhje të dhënash dhe kqyrje materialesh filmike të kamerave të ndryshme të sekuestruara, nga të cilat nuk është mbledhur dot asnjë e dhënë me vlerë për të zbardhur pretendimin e Tom Doshit.

Disa ditë më pas, në një takim të dytë me Tom Doshin, ai më deklaroi se vetë vrasësi i kishte deklaruar se një tentativë konkrete për ta vrarë, ishte konsumuar dhe ishte dështuar nga vetë ata që ishin paguar për ta vrarë.

Sipas asaj që vrasësi i paguar i deputetit i kishte thënë atij dhe pastaj Tom Doshi ma deklaroi mua, rreth dt 21 qershor, Tomës i kishin vendosur eksploziv në afërsi të makinës së vet. Eksplozivi ishte vendosur në një motocikletë për transport picash dhe do të shpërthente kur Tom Doshi të shkonte tek makina.

Faktikisht Tom Doshi më ka deklaruar në dy here të ndryshme, dy arsye të ndryshme mbi motivet përse ky akt terrorist i përgatitur ndaj tij, nuk ishte kryer.

Një herë sepse sipas tij vrasësit ishin bërë pishman, dhe një herë tjetër sepse vetë Toma nuk kishte dashur të hipte në makinë por kishte ecur në këmbë.

Në këtë kuadër, dhe në ecurinë e hetimeve për një tjetër ngjarje, Policia e Shtetit ka sekuestruar menjëherë pamjet filmike të një banke ekzaktësisht në venddodhjen e deklaruar nga Tom Doshi, duke marrrë dhe parë pamjet filmike nga dt 19 deri 26 qershor 2014 – pra brenda spektrit të kohor të datës 21 qershor që u tregua si dita kur do të kryhej vrasja.

Nga pamjet filmike nuk rezulton të jetë e vërtetë, pra të ketë ndodhur, asgjë nga ato që deklaron Tom Doshi.

Asnjë prej pretendimeve, nuk rezultoi të bazohej në faktet e mbledhura nga Policia, motorri përfshirë.

Ju informoj se të dhënat që përmenda më sipër dhe veprimet hetimore të kryera nga policia janë të dokumentuara dhe të administruara në fashikujt përkatës hetimor.

Më pas, saktësisht në dt. 14 Shtator, Tom Doshi kërkon të sjellë tek unë dëshmitarin e tij, pra vrasësin e pretenduar, por duke këmbëngulur në kushtet e mëparshme.

Jo në polici, jo me oficerë të policisë, por vetëm në Zyrën e Ministrit të Brendshëm.

E kam pritur së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm, Z. Didi, me Drejtorin e Krimeve të Rënda dhe me Drejtorin e Tiranës.

Tom Doshi ka refuzuar të zhvillojë takimin me këta persona dhe këmbëngulur që vetëm të dëgjohet versioni i vrasësit të pretenduar, pa kryer asnjë veprim procedurial.

Kam marrë edhe Drejtorin e Përgjithshëm në zyrën time bashkë me deputetin dhe shtetasin tjetër, në përpjekjen për t’i bindur të pranonin rrugën ligjore.

Ndërsa Drejtori i Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit dhe Drejtori i Tiranës, kanë pritur në mjediset e Ministrisë së Brendshme, për të qenë të gatshëm për fillimin e procedurave në rast se Tom Doshi dhe zotëria tjetër do të pranonin të kallzonin ose depononin.

Takimi ka zgjatur rreth një orë, gjatë të cilës Tom Doshi tregonte ngjarjen ndërsa vrasësi i pretenduar, përgjithësisht pohonte fjalët e deputetit ose shprehej se nuk donte të deklaronte.

Sipas atyre që ky i fundit deklaroi, Z. Fatjon Skënderi i kishte dhënë atij një shumë parash për të vrarë Tomën, dhe shumën tjetër do i’a jepte më vonë.

Madje tha se kishte kërkuar më shumë para për ta hequr qafe Tom Doshin dhe se kërkesën për të shtuar shumën e parave, Fatjon Skënderi e kishte konsultuar me Z. Agim Rama, në prezencë të Agron Kulicit dhe Eugen Becit që gjendeshin tek një tavolinë tjetër e lokalit Viva në zonën e Bllokut, ku sipas Tomës mblidheshin organizatorët e vrasjes së tij.

Sipas tij i ishin premtuar 200 mijë euro por ky kërkonte 500 mijë dhe gjithnjë sipas tij, tavolina tjetër e kishte miratuar kërkesën.

Gjatë këtij rrëfimi, në zyrën e Ministrit të Brendshëm, është edhe momenti i parë kur del emri i Kryetarit të Kuvendit, Z. Ilir Meta.

Tom Doshi i kërkon në formë nxitëse vrasësit të pretenduar të thotë diçka lidhur me dikë dhe zotëria thotë se sipas tij ai kishte dijeni se porositësi i interesuar ishte Ilir Meta.

Pas shumë pyetjesh lidhur me nga e kishte dëgjuar ai këtë, vrasësi i porositur, pohoi se këtë e kishte dëgjuar nga shtetasi Fatjon Skënderi të cilit i’a kishte thënë shtetasi Agim Rama.

Gjithashtu me sugjerim të Tom Doshit, zotëria pohoi se në lokalin Viva në zonën e Bllokut ai kishte shkuar disa herë dhe grupi organizator ishte gjithnjë aty, në të njëjtën tavolinë.

Pikërisht në njërën prej këtyra vajtjeve, nga tavolina e Agim Ramës, Agron Kuliçajt dhe Eugen Becit, atij i kishte ardhur po nëpërmjet Fatjon Skënderit edhe porosia për të eliminuar fizikisht deputetin Mëhill Fufi.

Për të cilin Fatjon Skënderi i kishte thënë se do të merrte 100 mijë euro dhe porosia vinte nga Ilir Meta përmes Agim Ramës.

Nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i është ofruar me një shpjegim të hollësishëm mbrojtje e posaçme dhe statusi i dëshmitarit të mbrojtur, por zotëria është shfaqur kategorik në refuzimin e tij.

Madje ka pohuar më shumë se një herë, që nuk donte fare të ngatërrohej me këtë punë dhe kishte ardhur vetëm pse deputeti kishte këmbëngulur të bënte një takim me mua si Ministër i Brendshëm.

Gjatë atij takimi, i është kërkuar disa herë vrasësit të pretenduar të japë qoftë edhe një fakt të vetëm për të provuar thëniet, qoftë edhe motorin ku kishte vendosur eksplozivin, apo çdo fakt tjetër sado dytësor, por ai ka deklaruar se nuk disponon asnjë fakt përveç fjalëve të tij lidhur me grupin organizator të vrasjes.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka mbajtur shënime të cilat mund ti duheshin policisë për hetimet paraprake që kishte nisur kryesisht.

Shtetasi është larguar bashkë me Tomën pa pranuar të thotë gjë më shumë, dhe duke këmbëngulur që as donte të depononte e as donte të bëhej pjesë e hetimeve.

Për këtë takim dhe gjithçka dëgjova së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm informova menjëherë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit dhe Prokurorin e Përgjithshëm, të cilët i kam mbajtur në komunikim të vazhdueshëm për ecurinë e veprimeve të policisë në këtë drejtim.

Pak kohë më pas, deputeti Tom Doshi më ka ritakuar dhe më ka deklaruar se dispononte pajisjen eksplozive.

Për cilën as ka pranuar marrjen procedurialisht nga Policia e Shtetit dhe as ka pranuar që policia të bënte veprimet përkatëse hetimore.

Vetëm ka deklaruar se e kishte në bagazh të makinës dhe e kishte gjetur në rrugë private.

Më tha se donte të ma sillte mua, por nuk kam pranuar pasi ky mund të ishte vetëm një veprim hetimor që duhet ta kryente ekskluzivisht Policia e Shtetit.

Gjithashtu, që prej momentit që jam vënë në dijeni nga Z. Doshi, i kam kërkuar të më vërë në dispozicion, mua dhe Policisë së Shtetit, pamjet filmike ku pretendohet se vrasësi i pretenduar rrëfen ngjarjen.

Megjithë këmbënguljen time, këto pamje filmike nuk më janë vënë kurrë në dispozicion.

Gjithashtu i kam ofruar Z. Doshi, të gjithë mbrojtjen ligjore dhe garanci maksimale për sigurinë e tij, gjë që nuk është pranuar asnjë herë prej tij.

Nga tërësia e veprimeve dhe bazuar në konkluzionet e hetimeve paraprake më iniciativë të vetë Policisë së Shtetit, në mungesë të plotë vullneti të Tom Doshit e të vrasësit të pretenduar për të kallzuar apo deponuar ligjërisht, gjithçka deputeti pretendon na rezultoi pa asnjë bazë të arsyeshme.

Këtë përfundim i’a kam përcjellë kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe Prokurorit të Përgjithshëm, ashtu siç i’a kam thënë sigurisht edhe deputetit Tom Doshi.

Por po ashtu, e kam siguruar vazhdimisht Tom Doshin se në çdo moment që ai do të sillte ndonjë provë apo fakt më shumë, ne ishim tërësisht të gatshëm të hetonim në çdo aspekt.

Ashtu siç të gatshëm jemi edhe sot.

Kjo është kronologjia e ngjarjeve që lidhin këtë histori të shëmtuar të ditës me mua si Ministër i Brendshëm dhe Policinë e Shtetit.

Sipas nesh, bazuar në qasjet, provat dhe faktet e disponuara deri sot, askush nga personazhet e përfshirë në rrëfimin e tij të derisotëm nuk ka organizuar një vrasje të Tom Doshit, por theksoj se për këtë çështje ka hetime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit, të cilat pritet shumë shpejt çdo dyshim të hedhur në publik.

Kush dhe pse e ka sajuar këtë farsë mbetet një çështje tjetër.

/ Top Channel

DPA: Kaos i plotë në Maqedoni

Në Maqedoni mbretëron situatë kaotike, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, DPA, në një analizë kushtuar ngjarjeve të fundit tek ne. Analiza e kësaj agjencie që është ndër më prestigjiozet në botë, fillon me konstatimin se vendi kandidat për në BE dhe NATO, prej muajsh gjendet në një kaos të plotë. “Frontet mes qeverisë dhe opozitës janë larguar aq sa gjithçka duket e pashpresë”, thuhet në analizën e DPAsë. Agjencia prestigjioze shkruan më tej se vendi u largua nga integrimi si pasojë e kontestit për emrin, por ndërkohë situata e brendshme politike u keqësua. “Nga njëra anë Qeveria dhe nga ana tjetër opozita e cila ka një vit që akuzon për falsifikimin e zgjedhjeve dhe bojkoton Kuvendin, shkëmbejnë njëra¬ me tjetrën akuza nga më të ashprat. Opozita akuzon Qeverinë e Grevskit se është e korruptuar dhe e kriminalizuar. Qeveria kundërpërgjigjet se opozita ka planifikuar grusht shtet dhe se po kërkon me ndihmën e shërbimeve të huaja të shkaktojë kaos në vend. Intelektualët besnikë ndaj qeverisë kanë organizuar këto javë tubime në gjithë vendin, ku e paraqesin liderin e opozitës Zoran Zaev një tradhtar tipik”, thuhet në këtë analizë. Më tej, agjencia ndalet të skandali i përgjimeve dhe citon Zaevin se “materialet i ka siguruar nga shërbimet e brendshme të sigurisë që janë distancuar nga Qeveria”. (lajm)

Dëshmitari: Më paguan për të luajtur rolin sipas versionit të Tom Doshit

Ka marrë një kthesë tjetër historia e denoncimit “bombë” të deputetit Tom Doshi, që tronditi politikën shqiptare. Personi i arrestuar si atentatori i pretenduar ndaj Doshit dhe Fufit, Durim Bami, në deshmitë e para ka hedhur poshtë versionin e deputetit duke pohuar madje se ai është paguar për të luajtuar këtë rol.Bami i ka mohuar të gjitha thëniet e tij në videon që deputeti Tom Doshi ka folur dy ditë më parë dhe për të cilën thotë se e ka si provë.

Burime të Prokurorisë së Përgjithshme thanë se, përpara grupit të prokurorëve, Bami ka deklaruar se është shpërblyer nga deputeti Tom Doshi me një automjet tip “Audi” e blinduar, që të depononte në polici se kishte marrë një ofertë prej 500 mijë eurosh për të ekzekutuar dy deputetët, një të Partisë Demokratike dhe një të Partisë Socialiste.

Sipas Bamit, ai duhet të përdorte emrat e shokëve të tij, të cilët ndodhen jashtë Shqipërisë, për të sajuar një histori të tillë. Durim Bami ka shpjeguar se, 10 ditë më parë ai ka larguar edhe familjen jashtë vendit, ndërkohë që vetë ka tentuar të largohej përmes pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit, pikërisht ditën që u arrestua në kufi nga policia.

E gjithë deklarata e tij, thanë burimet, është filmuar nga grupi i hetimit, ndërkohë që nëse të enjten në Prokurorinë e Krimeve të Rënda do të paraqitet për t’u pyetur deputeti Tom Doshi, ata të dy do të ballafaqohen.

Bami u përpoq të largohej nga vendi ditën e arrestimit e tij, por u kap në kufirin me Malin e Zi. Ndërkohë rezulton se daljet më të shpeshta të tij jashtë vendit janë nëpërmjet pikave kufitare të Muriqanit e të Hanit të Hotit.

Prokuroria e Përgjithshme pohon se pasi e ka mbajtur të shoqëruar në kuadër të hetimeve të nisura për dyshimet se është konsumuar vepra e “vrasjes së mbetur në tentativë”, është urdhëruar ndalimi i Durim Bamit si person që ka interes për hetimet.

/ Top Channel

Hyseni në Berlin: «Kosova është një vend i sigurt»

Dhjetra mijë kosovarë kanë ardhur në Gjermani qysh nga fillimi i vitit. Federata është përpjekur ta ndalë këtë valë në mënyra të ndryshme. Tani numri i azikërkuesve nga Kosova ka filluar të bjerë.Pas valës masive të kosovarëve që vinin drejt Gjermanisë në javët e fundit, numri i azikërkuesve nga ky vend i Ballkanit tani ka nisur të bjerë. Në fillim të shkurtit kanë ardhur çdo ditë rreth 1000 kosovarë në Republikën Federale, madje më 10 shkurt mbërritën 1500 syresh, tha të mërkurën në Berlin ministri i Brendshëm Thomas de Maizière (CDU) pas takimit me homologun e tij kosovar Skender Hyseni. «Kjo shifër vazhdon të jetë e lartë, por ka edhe një rënie të ndjeshme.» Tani duhet punuar, që që mbetet kështu.
Numri i azilkërkuesve nga Kosova javët e fundit u rrit vrullshëm. Në janar paraqitën 3630 vetë nga Kosova kërkesë pë razil në Gjermani – 85 përqind më shumë se në dhjetor. Në shkurt, sipas Ministrisë së Brendshme madje numri i kërkesave për azil nga ky vend arriti në 7000. Këtyre u shtohen edhe disa dhjetra mijë kosovarë, që ndërkohë ndodhen në Gjermani, nuk kanë praqitur ende kërkesë për azil, por që e kanë ndërmend ta bëjnë këtë. Sipas Ministrisë së Brendshme që nga fillimi i vitit kanë ardhru në Gjermani rreth 25 000 vetë nga Kosova. Kërkesat e tyre për azil do të refuzohen me ndonjë përjashtim të rrallë, sepse autoritetet nuk i konsiderojnë kosovarët si të përndjekur politik. De Maizière tha, se ky zhvillim ka preokupuar jo vetëm palën gjermane, por edhe qeverinë në Kosovë. «Kjo ka qenë e papranueshme për të dyja shtetet.»
Hyseni në Berlin: «Kosova është një vend i sigurt»
Hyseni theksoi, se kosovarët e duan Gjermaninë. Ndaj shumë syresh kanë marrë rrugën drejt Gjermanisë. Përveç kësaj gjendja ekonomike nuk është aspak e mirë. Njerëzit vijnë në Gjermani për arsye ekonomike, jo për arsye politike. «Kosova është një vend i sigurt», theksoi ai.
Hyseni pranoi megjithatë, se në vendin e tij korrupsioni është një problem i madh, ashtu si edhe në shtetet e tjera të Ballkanit. «Ne nuk jemi engjëj në Kosovë.» Siaps tij, ky problem nuk mund të zgjidhet afatshkrutër. Por qeveria e tij e ka vendosur në krye të agjendës luftën kundër korrupsionit. Nuk duhet lejuar, që “hajdutët dhe idiotët” ta shkatërrojnë vendin, tha ai.
Qeveria Federale e Gjermanisë përmes rrugëve të ndryshme është përpjekur që t’i bjë ballë dyndjes së kosovarëve në vend – ndër të tjera duke kontribuuar me ndihma në kontrollin kufitar në Ballkan si dhe përmes procedurave të përshpejtuara për shqyrtimin e kërkesave të kosovarëve për azil. De Maizière theksoi, se ende nuk është e sigurtë, që tendenda e rënies së numrit të azilkërkuesve kosovarë do të vazhdojë. Por të paktën kjo po vazhdon prej disa ditësh, pra nuk është krejt “spontane”. E rëndësishme është tani që azikërkuesit nga Kosova sa më shpejt të kthehen në atdhe.
Hyseni kërkoi lehtësimin e dhënies së vizave për vendin e tij, duke iu referuar faktti se kjo vlen edhe për vende të tjera të rajonit. De Maizière u shpreh i rezervuar lidhur me këtë. Me Serbinë kemi pasur përvojë të keqe, tha ai: numri i azilkërkuesve serbë në Gjermani është rritur ndjeshëm pas shfuqizimit të regjimit të vizave para pak vitesh.
Bashkëpunim Gjermani-Kosovë për ndaljen e fluksit të azilkërkuesve
Vala e rëfugjatëve nga Kosova duket se ka nxitur edhe takime tintensive mes politikanëve drejtues të Gjermanisë dhe Kosovës. Krahas vizitave të përfaqësuesve nga disa lande të Gjermanisë në Kosovë qendroi në Berlin të hënën (02.03) edhe ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi, i cili me takim me homologun gjerman Frank-Walter Stienmeier ka biseduar për problemin e refugjatëve. Të dy vendet do të bashkëpunojnë për përballimin e kësaj situate. Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier theksoi në Berlin (02.03), se vetëm të përndjekurit politik kanë “një shans për azil” në Gjermani. Njëkohësisht Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka vënë në dispozicion një milionë Euro shtesë për të ndihmuar të kthyerit.
Ministrat e brendshëm të landeve të Gjermanisë vendosën në shkurt për përshpejtimin e procedurave të shqyrtimit të kërkesave për azil për refugjatët nga Kosova. Azilkërkuesit nga Kosova që nga e mërkura (17.02) duhet të llogarisin me refuzimin e shpejtë të kërkesave të tyre për azil në Gjermani. Një sërë aplikimesh tani do të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar brenda 14 ditësh. Me këtë masë autoritetet kanë reguar ndaj rritjes masive të numrit të refugjatëve nga Kosova. (dw)

Çështje ditësh themelimi i Gjykatës Speciale në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, thotë se nëse dështon votimi në kuvend për themelimin e gjykatës, atëherë do të jetë rrezik, sepse me këtë çështje do të merrej OKB-ja.Përderisa një grup ekspertësh nga Kosova që kryesohet nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, po zhvillon negociata me Brukselin se si do të duket infrastruktura ligjore e kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale, në Prishtinë po zhvillohet debat rreth kësaj çështjeje dhe ka ndarje të thella ndërmjet partive politike se a duhen votuar ndryshimet kushtetuese për themelimin e gjykatës apo jo. Gjykata Speciale do të gjykojë disa raste për krime lufte të dyshuara të jenë kryer gjatë luftës nga pjestarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Partitë politike opizitare tashmë e kanë ndarë mendjen, ato nuk do ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha të merkurën (04.03), se institucionet e Kosovës kanë marrë obligime për themelimin e Gjykatës Speciale dhe tash kjo çështje duhet të përfundojë. “Ne në fund të kësaj jave ose javën tjetër do të procedojmë me themelimin e gjykatës. Është një proces i rëndë, por i ndihmon zgjidhjes së çështjeve të ngritura. Nuk është e drejtuar për UÇK, por për individë”, tha kryeministri Mustafa gjatë një debati të organizuar nga një organizatë joqeveritare, Lëvizja Fol.
Kryeministri Mustafa, thotë se Gjykata Speciale nuk është e drejtuar për UÇK-në, por për individë dhe se nëse votimi për themelimin e saj në Kuvend do të dështonte, atëherë kjo sipas tij do të jetë rrezik, pasi me këtë çështje do të merrej Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Partitë opozitare nga ana e tyre themelimin e kësaj gjykate po e cilësojnë si një nga të këqijat që po i bëhen Kosovës, ndonëse, partitë në pushtet, themelimin e gjykatës e arsyetojnë me kërkesat dhe trysnitë në rritje nga faktori ndërkombëtar.
Përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të lëvizjes Vetëvendosje, dy partitë më të mëdha opozitare, thonë se projektligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë për themelimin e Gjykates speciale “është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë Kosovës”.
“Republika e Kosovës dhe përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës nuk guxojnë ta aprovojnë një projektligj të tillë, i cili parasheh jo vetëm aktakuza për individë, por edhe në përgjithësi për kauzën tonë, për luftën e UÇK-së dhe për shtetin e Kosovës”, thotë Donika Kadaj-Bujupi nga AAK.
“Procedurat nëpër të cilat do të kalojë ndërtimi i këtij sistemi të plotë paralel të gjyqësisë në Kosovë nga ana e Gjykatës Speciale paraqesin gurin e fundit të atij pak sovraniteti të pavarësisë që kishte Kosova. Me këtë proces nuk mbetet më asgjë nga shteti i së drejtës në një republikë të pavarur”, thotë Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ministri i Drejtësisë, në qeverinë e Kosovës Hajredin Kuçi, ka deklaruar se hartuesit e draft-ligjit janë treguar të kujdesshëm që të mos preket në sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe organet e drejtësisë.
Ish-kryeministri i Kosovës, tani ministër i Jashtëm Hashim Thaçi, ndërkaq, thotë se kuvendi duhet ta votojë themelimin e Gjykatës Speciale, sepse sipas tij, qytetarët e Kosovës nuk mund të jetojnë përjetësisht siç thotë “me këtë re të zezë mbi kokë”.
Nëse kuvendi nuk e voton Gjykatën Speciale, fjalën e ka Këshilli i Sigurimit
“Duhet të vlerësojmë thellë a është më mirë që të merret vendimi nga institucionet Kosovës apo kjo çështje të shkojë në Këshill të Sigurimit. Nëse kjo çështje shkon atje, atëherë do të hapen edhe tema të tjera të cilat do të jenë të vështira për t’i tejkaluar që do të mund të zgjasnin jo tri deri në pesë vite, por deri në 20 vite”, ka deklaruar zëvëndëskryeministri Hashim Thaçi.
Në të njejtën linjë shprehen edhe disa analistë politik, të cilët thonë se institucionet e Kosovës nuk guxojnë të dështojnë në përgatitjen dhe miratimin e bazës ligjore që e mundëson themelimin e Gjykatës Speciale. Kjo çështje sipas tyre nuk duhet të shkojë në Këshill të Sigurimit të OKB-së.
Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, i tha Deutsche Welle-s, se “Kosova mund të negociojë dhe duhet të ketë të drejtën të negociojë termat e referencës, statutin dhe procesin e formimit, por jo mandatin e Gjykatës.
“Gjykata nuk mund të hapë rastet tashmë të mbyllura nga Tirbunali i Hagës. Por, Prishtina nuk ka mundësi të manovrojë dhe vë në dyshim ekzistencën dhe mandatin e gjykatës. Kjo për disa arsye. E para sepse nëse Kosova nuk e bën, vendet përkrahëse të Kosovës do të detyrohen ta lenë të shkojë në OKB. Atje do të vendosë Këshilli i sigurimit. Dhe së dyti sepse tani më janë bërë hetime të cilat kanë konkluduar se duhet formuar gjykata. Rezoluta e Këshillit të Evropës e detyron Kosovën të bëjë një hap të tillë. BE-ja do që ta bëjë në marrëveshje me Prishtinën. Përndryshe Këshilli i Europës do të kërkonte ndihmë nga OKB-ja. Së treti, ky është kriteri kryesor politik i BE-së për Kosovën dhe pa miratimin e gjykatës, Kosova nuk do ta nëshkruajë MSA-në dhe nuk mund të avancojë në rrugën e saj drejt BE-së, e cila edhe ashtu është shumë e gjatë”, thotë Naim Rashiti.
Debatet për themelimin e një Gjykate Speciale për Kosovën filluan qysh pas raportit të senatorit Zviceran Dick Marty dhe hetimet e inicuara nga Këshilli i Evropës nën dyshimet për krime të kryera gjatë luftës nga pjestarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një prokuror amerikan Clint Williamson, tashmë ka kryer një hetim të gjerë rreth këtyre pretendimeve. Kjo gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte. (voa)

Shqipëri-Serbi: Të rritet bashkëpunimi

Zonja Maja Gojkovic në Tiranë, vizita e parë e një kryetari të parlamentit serb: Të punojmë për cështjet e përbashkëta. Kryetari i parlamentit shqiptar Ilir Meta: Shqiptarët e Luginës së Preshevës gur themeltar në marrëdhëniet tonaShqipëria dhe Serbia angazhohen të forcojnë bashkëpunimin me tyre. Kjo u deklarua sot nga kryetarët e parlamenteve të të dy vendeve në përfundim të takimit mes tyre në Tiranë.

Kryetarja e parlamentit të Serbisë Maja Gojkovic ishte për vizitë zyrtare në Shqipëri, e para e një drejtuesi të parlamentit serb në kryeqytetin shqiptar. Ajo u takua me autoritetet me të larta të vendit. “Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë ngritur në një nivel të ri, më dinamik dhe vizita e zonjës Gojkoviç në Tiranë është tregues i qartë i këtij vullneti dhe momenti pozitiv që ekziston mes dy vendeve”, u shpreh kryetari i parlamentit shqiptar Ilir Meta.

“Shqipëria edhe Serbia kanë disa çështje më të cilat nuk pajtohen, por gjithashtu edhe anëtarët e Bashkimit Evropian kanë të njëjtat gjëra. Por bashkëpunimi midis tyre përsëri vijon për ato çështje për të cilat nuk kanë asnjë ndarje, kështu që – sipas zonjës Gojkovic – të dy vendet duhet të ndjekin këtë shembull dhe të bashkëpunojnë në fushat ku janë dakord , ndërsa për çështjet e tjera të hapura do të bisedohet më vonë”, nënvizoi kryetarja e parlamentit serb.

Nga ana e tij zoti zoti Meta ka ngritur edhe cështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës e cila sipas tiji “ka një domethënie të veçantë për Shqipërinë e cila e sheh dhe mirëqenien dhe integrimin me të drejta të plota të minoritetit shqiptar në Serbi si një gur themeltar të rëndësishëm të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe si një urë të fortë bashkëpunimi dhe miqësie mes tyre”, theksoi zoti Meta. (voa)

Në Maqedoni e Serbi besimi tek ushtria, në Shqipëri e Kosovë tek ndërkombëtarët

Në cilët institucione kanë besim më të madh qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.Në një hulumtim rajonal të zhvilluar nga disa institucione joqeveritare për hulumtimin e opinionit publik publikohet besimi i qytetarëve ndaj institucioneve ushtarake, shtetërore dhe ndërkombëtare.

Hulumtimi i tillë është realizuar në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi. Në Maqedoni projekti është realizuar nga Qendra për Hulumtim dhe krijim të politikave (QHKP), e cila ka publikuar edhe rezultatet e hulumtimit dhe se kujt i besojnë më shumë qytetarët.

Sipas rezultateve, institucionet me besueshmëri më të madhe në Maqedoni, por edhe në Serbi janë tek ushtria apo armata e vendit, me ç`rast për këtë janë deklaruar 71.5% e të anketuarve në Maqedoni dhe 69% e të anketuarëve në Serbi.

Por në Shqipëri dhe Kosovë ndodhë e kundërta dhe se qytetarët e tyre kanë besim më të madh tek institucionet ndërkombëtare.

Në Shqipëri besimi më i madh është shprehur tek NATO, edhe ate 71% e të anketuarëve, ndërsa në Kosovë tek KFOR, ku janë deklaruar 67% e të anketuarve. Në Shqipëri, ushtria shtetërore rradhitet e treta sipas besimit të qytetarëve (44%).

Në Mal të Zi, ushtria gjithashtu radhitet në vendin e katërt për nga besueshmëria, ndërsa besimi më i madh në këtë vend është tek sistemi shëndetësor – 60,3 % . Një shifër kontradiktore dhe që sjellë habi është besimi tek Kisha ortodokse serbe ku janë deklaruar 55 % e të anketuarve.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë ushtria radhitet si institucioni i dytë sipas besueshmërisë së qytetarëve (62%) përderisa më së shumti besohet në punën e ndërmarrjeve publike komunale (63.1%).

Gjergji Vurmo nga IDM në Shqipëri thekson se besimin e lartë në NATO e shpjegon me perceptimin publik se institucionet shtetërore janë të korruptuara dhe si pasojë qytetarët e drejtojnë besimin e tyre nga institucionet ndërkombëtare.

Qëndresa Sulejmani nga CRPM konsideron se në Maqedoni ushtria është e distancuar nga çështjet publike dhe nga ajo nuk dëgjojmë për skandale të mëdha, andaj dhe qytetarët nuk kanë arsye të mos i besojnë.

Irina Rizmal nga CEAS Serbi pohon se ushtria në Serbi tradicionalisht ka pasur besueshmëri të lartë dhe nuk është prekur nga krimet e luftës që shpesh lidhen me të, meqë ushtria shikohet si institucioni që i mbron qytetarët.

Sa u përket subjekteve me besueshmëri më të ulët, në katër nga gjashtë shtetet, partitë politike janë në fundin e tabelës. Besueshmëri të vogël kanë dhe gjykatat dhe kuvendet shtetërore. Hulumtimi i mendimit publik u realizua në kornizat e projektit “Avokatura për qeverisje të hapur” i financuar nga Bashkimi Evropian i cili implementohet në gjashtë shtete të rajonit. Ky projekt u realizua nga mesi i vitit të kaluar. (INA)

Skuadrat sekrete të vdekjes në Gjermani, dyshime për vrasjen e Gërvallës

Jusuf_GërvallaCila është e vërteta e funksionimit të Skuadrave sekrete jugosllave të quajtura të vdekjes, që vrisnin në emër të Titos.Televizioni shtetëror kroat HRT mbrëmë ka transmetuar një film dokumentar të autorëve Philipp Grull dhe Frank Hofmann me titull “Vrasjet në emër të Titos (Skuadrat sekrete të vdekjes në Gjermani)” .

Ky film dokumentar përfshinë një sërë vrasjesh më të pazbardhura që kanë ndodhur në Gjermani, deri në rënien e Murit të Berlinit, kur në Republikën Federale të Gjermanisë janë vrarë mbi 30 kundërshtarë të regjimit jugosllav.

Sipas të dhënave dhe sipas dokumentarit, shumica e të vrarëve kanë qënë me kombësi kroate që kanë qëndruar në ekzil, por viktima të këtyre vrasjeve politike kanë qënë edhe shqiptarët. Mjafton të përmendim vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, etj, transmeton INA.

Vrasjet janë porositur nga Beogradi. Hetuesit gjerman vite me radhë kanë tentuar që tu bien në gjurmë vrasësve dhe njerzve që u kanë ndihmuar e strehuar vrasësit në prapavijë.

Një nga lojtarët kyç dhe kryesor ka qënë Josip Perkoviç. Prokuroria Shtetërore Gjermane e ka akuzuar këtë agjent, funksionar të lartë të Shërbimit Sekret të Jugosllavisë në rastin e vrasjes së Stjepan Gjurekoviçit, që ka ndodhur para 30 vjetëve.

Josip Perkoviç dhe shefi i fundit i Shërbimit sekret të Jugosllavisë, Zdravko Mustaç, tani duhet të sqarohen dhe të përgjigjen para Gjykatës në Munih.

Philipp Grüll dhe Frank Hofmann kanë hetuar këtë rast, po sikur edhe shumë raste të tjera. Nga hetuesia dhe hulumtimet e tyre, ka rezultuar dokumentari “Vrasjet në emër të Titos (Skuadrat sekrete të vdekjes në Gjermani)” i tensionuar sikur të jetë trilera i John Le Carréa.

Robert Zagajski, në vitin 1983 ka qënë 17 vjeçar. Atë vit-1983, ia kanë vrarë babanë me urdhëresë të Shërbimit sekret të Jugosllavisë. Edhe sot e kësaj dite ate e mundon çështja e vrasjes, çfarë në të vërtetë ka ndodhur?

Deutsche Welle dhe stacioni Bayerischer Rundfunk, në këtë dokumentar përcjellin dhe shoqërojnë edhe fshehurazi Robert Zagajskin, në kërkim të së vërtetës së vrasjes së babait të tij, duke gjurmuar nëpër arkiva, nëpërmjet bisedave me dëshmitar të ndryshëm e deri tek një informator i Shërbimit sekret jugosllav.

Dokumentari jep shumë hollësi të veprimeve të pjestarëve të Shërbimit sekret jugosllav gjatë atyre viteve në Gjermani, ku cak i likuidimeve fizike kanë qënë personalitete të shquara të jetës politike të shiptarëve por edhe të tjerëve.

Vlenë të pritet se si do te përfundojë gjykimi në Munih i Josip Perkoviçit dhe Zdravko Mustaç, me gjase se do të jepen hollësi edhe për rastin e vëllezërve Gërvalla. (M.Latifi/INA)

S’ka transparencë, s’ka llogaridhënie, ka korrupsion

Mungesa e llogaridhënies dhe e transparencës nga ana e institucioneve të Kosovës, bën që niveli i korrupsionit të jetë i lartë, thonë përfaqësuesit e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe disa nga përfaqësuesit e shoqërisë civile.Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, tha për Radion Evropa e Lirë, se korrupsioni në vend vazhdon të mbetet një brengë dhe problematikë e madhe.

“Në institucionet e Kosovës nuk ka llogaridhënie, nuk ka transparencë, ka korrupsioni. Mbetet shumë për t’u dëshiruar të pjesa e luftimit të korrupsionit. Që 15 vjet pas luftës nuk kemi asnjë aktakuzë të fuqishme të prokurorive vendore kundër zyrtareve të lartë për korrupsion”.

“Mos të flasim për burgosje. S’ka aktakuza s’ka gjykime dhe për të qenë shumë i saktë vetëm një zyrtar i lartë tani për tani është në burg për korrupsion, dhe ai zyrtar vjen nga prokuroria”, tha Preteni.

Në Kryeprokurorinë e Shtetit, kanë deklaruar se luftimi i korrupsionit është prioritet i sistemit prokurorial të Kosovës.

Sipas tyre, Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka zhvilluar politika dhe ka ndërtuar mekanizma përkatëse, që përveç luftimit të korrupsionit, në Kosovë të ndërmerren hapa konkretë edhe në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Drejtori ekzekutiv në Lëvizjen Fol, Petrit Zogaj thotë se liderët politikë nuk janë llogaridhënës dhe në këtë mënyrë, nuk kanë ndërtuar dhe nuk po ndërtojnë institucionet të përgjegjshme.

“Liderët politik sikur ta kishin idenë e shtetndërtimit edhe ndërtimin e institucioneve të ndryshme, besoj se transparencën dhe llogaridhënien do t’i kishin parimet bazë të qeverisjes së tyre, e në mënyrë automatike nuk do të kishte afera korruptive ashtu siç ne i shohim prej zyrtarëve më të lartë, deri te një shërbëtor brenda një shkolle, një ofiqar në një zyre ofiqarie. ose edhe një infermier në një spital”, tha Zogaj.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë, konsiderojnë se zyrtarët e lartë apo bashkëpunëtorët e tyre vazhdojnë të jenë imunë ndaj hetimeve rreth korrupsionit.

“Lufta kundër korrupsionit nuk ka shënuar asnjë progres edhe ka mbetur në të njëjtin nivel siç ka qenë para një viti, ose edhe para dy vjetësh. Fatkeqësisht nëse nuk ka veprime që do ta stoponin këtë problematike, gjendja do të jetë në të njëjtin nivel edhe në vitin që vjen”, tha Petrit Zogaj.

Zyrtarët ndërkombëtarë në Kosovë kanë thënë se asnjë parti politike nuk mund të akuzohet si e vetme, pasi që disa prej liderëve apo zyrtarëve të tyre janë të përfshirë në raste të dyshuara për korrupsion. (rel)

Alergjitë nga kikirikët

Për vite me radhë prindërit janë përpjekur me të gjitha mënyrat për të shmangur kikirikët nga dieta e fëmijëve, me shpresën se ata nuk do të shfaqnin alergji prej kikirikëve në moshë të rritur. Një studim i ri ka arritur në rezultatin se duhet bërë e kundërta, pasi shmangia e plotë e alergjentëve të kikirikëve nga dieta e fëmijëve të vegjël e bën organizmin më të dobët dhe rrit shanset e alergjisë në moshë të rritur.Kur dy vëllezërit Dogherty zgjedhin diçka për të ngrënë, 10-vjeçari Garrett mendohet mirë. Ai ka alergji nga kikirikët dhe çdo gjë e sheh me atë sy:

“Kjo ka kikirikë, kjo tjetra ka fara luledielli por është pjekur me vaj kikiriku. Nuk e di a mund ta ha. Kjo tjetra është me bajame”.

Nëna e tij, Dana shpjegon çfarë ndodh kur ai ha diçka me kikirikë:

“I zihet fryma nëse ha apo thjesht është në kontakt me diçka që përmban kikirikë. I gjithë organizmi i tij pushon së funksionuari dhe i mbyllen rrugët e frymëmarrjes”.

Është një shqetësim i vazhdueshëm për prindërit e fëmijëve me alergji nga kikirikët, të cilët në çdo moment mund të jenë në rrezik jete.

Tani një studim i ri ka ngritur hipotezën se duke prezantuar kikirikët në dietën e fëmijëve pa mbushur një vjeç, ata zhvillojnë imunitet ndaj përbërësit që shkakton reaksion.

Dr. Rebecca Gruchalla, specialiste për alergjitë në Universitetin e Teksasit në Dallas, shpjegon:

“Kur tek fëmijët që janë në rrezik të shfaqin alergji nga kikirikët, pasi që në moshë foshnjore kanë alergji nga veza, apo kanë ekzemë të theksuar, fillojmë një dietë me përmbajtje kikiriku nga mosha 4-11 muaj, shanset e tyre për të shfaqur alergji nga kikiriku në moshë të rritur janë shumë më të ulëta”.

Instituti Kombëtar i Sëmundjeve Alergjike dhe Infektive në Shtetet e Bashkuara i cilësoi si “rezultate të papara” përfundimet e këtij studimi dhe shtoi se ato kanë potencialin të ndryshojnë metodologjinë në parandalimin e alergjive nga ushqimi.

Studiuesit e shoqëruan njoftimin me një paralajmërim të rëndësishëm: të gjitha foshnjat e përfshira në këtë studim u kontrolluan me kujdes për të garantuar që nuk kishin alergji nga kikirikët. Foshnjave iu bë një analizë në lëkurë dhe vetëm kur rezultatet dolën negative, u ekspozuan ndaj dietës me përmbajtje kikirikësh.

Studiuesit paralajmërojnë prindërit, sidomos nëse ata vetë kanë alergji nga kikirikët, t’u bëjnë fëmijëve analiza për të vërtetuar se fëmija nuk do të ketë reaksion nga kikirikët, para se të fillojnë dietën.

Studimi përmbys një bindje që ka ekzistuar prej vitesh tek prindërit, por edhe tek personeli mjekësor. Deri tani mendohej se fëmijët e vegjël nuk duhet të konsumonin produkte ushqimore me përmbajtje kikiriku në moshë të vogël, me bindjen se ishte më mirë që fëmija të fillonte të hante kikirikë në moshë më të rritur, kur ishte zhvilluar sistemi imuntar.

Nga studimi i ri rezulton se sistemi i imunitetit mund të modifikohet me prezantimin e hershëm të produkteve që shkaktojnë alergji, duke e ndihmuar organizmin t’u përshtatet dhe t’u rezistojë këtyre produkteve.

Dy për qind e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara vuajnë nga alergji ushqimore, në disa raste në nivele kërcënuese për jetën. Ende nuk ka një metodë për të kapërcyer alergjitë nga kikiriku, i cili shkakton një ndër reaksionet më të rënda tek njeriu. Por së paku studimi i ri ndihmon prindërit të parandalojnë prekjen e fëmijëve nga kjo alergji. (voa)