Sonda Dawn në orbitën e trupit qiellor Ceres

Anija hapsinore e NASA-s Dawn së shpejti do të mbërrijë pranë trupit qiellor Ceres. Kur të hyjë në orbitën e këtij trupi qiellor të akullt, që ka madhësinë e një planeti, sonda Dawn do të studiojë në se kanë ekzistuar apo jo ndonjëherë kushtet që bëjnë të mundur zhvillim e jetës. Sonda hapsinore Dawn u lëshua nga Toka më shumë se shtatë vjet më parë për të eksploruar dy trupa jashtë-tokësorë të sistemit diellor.

“Është hera e parë në 57 vjet që një anije hapsinore do të jetë në orbitën e dy objekteve jashtëtokësore.”

Dy destinacionet janë Vesta dhe Ceres, dy objekte në brezin kryesor me asteroidë mes Marsit dhe Jupiterit.

Në qendrën e kontrollit, ekipi drejtues i fluturimit dërgon udhëzime çdo sekondë tek sonda Dawn, duke pilotuar çdo lëvizje të saj përfshi edhe fotografimet.

Ky është imazhi më i fundit dërguar në tokë gjatë afrimit të sondës pranë objektit Ceres. Shkencëtarët besojnë se trupi qiellor përbëhet nga shkëmbinj të mbuluar me akull.

Sapo anija të futet në orbitën e trupit Ceres në muajin mars, ajo do të fotografojë dhe ndërtojë një hartë gjithëpërfshirëse të kësaj bote të huaj.

Anija do të studiojë përbërjen e trupit Ceres për të parë evoluimin e sipërfaqes dhe nëse aty kanë ekzistuar kushte të favorshme për jetën, thotë Carol Raymond me ekipin drejtues të misionit.

“Një prej interesave në objekte si Ceres dhe asteroidë të tjerë të akullt në periferi të sistemit diellor është nëse objekte të tilla ndikuan tek planeti ynë. Asteroidët sollën shumë ujë ndaj ka një debat intensiv sot nëse asteroidë të lagësht si Ceres dhe të tjerë që ndodhen në periferinë e brezit të asteroidëve kanë qënë burimi kryesor i ujit në oqeanet tokësore.”

Në fillim të misionit, sonda Dawn bëri një zbulim të papritur në trupin qiellor Vesta.

“Ekipi mendonte se ishte një trup i thatë. U habitëm kur pamë njolla të dukshme në sipërfaqe të tij që tregonin sasi të konsiderueshme uji brenda shkëmbinjve dhe ndoshta edhe në gjendje të lirë që mund të kishte rrjedhur në sipërfaqe në të kaluarën.”

Zonja Raymond thotë se nëse uji në Tokë erdhi nga trupa me lagështi si Cerese, atëhere bashkë me ujin, mund të ketë ardhur edhe jeta.

Nëse Dawn gjen se mjedisi në Ceres mund jetë i favorshëm për jetën, ky zbulim mund të nxisë eksplorime të tjera me instrumente të përshtatshme për testimin e hipotezës.

Anija në këtë mision do të mbledhë informacione për Ceres deri në verën e vitit 2016. Pastaj ajo që mbetet përjetë në orbitën e këtij trupi qiellor. (voa)

Debat i ashpër pas përjashtimit të Tom Doshit nga Partia Socialiste

Partia Socialiste në Shqipëri ka përjashtuar deputetin Tom Doshi nga rradhët e saj. Mbledhja e grupit parlamentar ku u morr vendimi erdhi pas akuzave që zoti Doshi bëri ditë më parë në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe shumicës në Kuvendin e Shqipërisë.“Kur të flas unë më tepër do t’i dridhen themelet shumicës dhe qeverisë. Edi Rama është mosmirënjohës dhe bukshkalë, për mua dhe të gjithë ata që e votuan në Shkodër, dhe këtë do ta shohë dhe në zgjedhjet lokale. Sapo ka filluar lufta mes meje dhe tij”, kishte thënë zoti Doshi.

Por, vendimi për përjashtimin e tij nga PS-ja bëri që Doshi të akuzojë të hënën përpara Mediave kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, të ketë “organizuar vrasjen e tij, dhe të një deputeti tjetër të Kuvendit të Shqipërisë, Mëhill Fufi”.

“Edi Rama sot ka një tutor që quhet Ilir Meta, i cili ka paguar lekë dhe ka urdhëruar të më vrasë mua dhe Mhill Fufin. Ka pesë muaj që ia kam bërë të qartë dhe vetë Ilirit, dhe Edi Ramës, dhe kryeprokurorit të Përgjithshëm”.

Menjëherë ka reaguar faktori ndërkombëtar i akredituar në Shqipëri.

Ambasada e Shteteve të bashkuara në deklaratën e saj me shkrim thotë se “Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar zotin Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale. Nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive. Më tej, i bëjmë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë të hetojë dhe ndjekë penalisht kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar në të gjitha nivelet.”

Në një postim në rrjetin social Facebook, Tom Doshi shkruan se ai ka një video prej 37 minutash ku zbardhen detaje për organizimin e vrasjes ndaj tij dhe deputetit Fufi. Ai shton se është i gatshëm që këtë material t’ia dorëzojë ambasadës amerikane në Tiranë.

Edhe përfaqësia e Bashkimit Evropian në Tiranë në deklaratën e saj shkruan se “BE-ja mbështet hapat që nevojitet të ndërmerren për një zbatim të plotë të marrëveshjes mes partive qeverisëse dhe opozitare në Parlamentin e Shqipërisë, përfshirë çështjen e individëve me rekorde kriminale të cilët mbajnë pozicione publike. “

Ndërkohë lideri i opozitës, Lulzim Basha, nga Partia Demokratike, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, pasi “mbi të rëndon akuza më e rëndë e ngritur në këto 25 vite”.

Ai ka kërkuar gjithashtu të hetohet se deri ku janë të implikuar kryeministri Edi Rama dhe ministri i rendit Saimir Tahiri.

Tom Doshi është një prej sipërmarrësve më të mëdhenj e të fuqishëm në Shqipëri. Ai renditet ndër deputetët më të pasur të parlamentit shqiptar. Mbështetja e tij e madhe për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, solli fitoren e PS-së në qarkun e Shkodrës në vitin 2013, i cili tradicionialisht është i djathtë.

Zoti Meta nuk është prononcuar në lidhje me akuzat, por deputeti i LSI-së, (Lëvizjes Socialiste për Integrim), partisë që ai drejton, njëkohësisht kryetar i komisionit parlamentar të Sigurisë Spartak Braho, ka deklaruar për gazetarët se Tom Doshi ka njoftuar Ilir Metën muaj më parë se, “ai kërcënohej për t’u vrarë nga njerëz pranë ish kryeministrit Sali Berisha”. (rel)

Rusët nderojnë udhëheqësin e vrarë Nemtsov

Me një ceremoni madhështore, rusët nderuan sot udhëheqësin e opozitës Boris Nemtsov, një kritik i ashpër i Moskës që u qëllua për vdekje pranë kremlinit javën e kaluar.Miq dhe pjestarë të familjes që mbanin lule të kuqe në dorë kaluan pranë arkivolit të 55 vjeçarit Nemtsov në ceremoninë e mbajtur në qendrën Sakharov në Moskë. 80 vjeçarja Valentina Gorbatova thotë se udhëheqësi i vrarë përfaqësonte endërrën e rusëve për një vend të përparuar.

“ Ai ishte drita e diellit për ne. Me ndihmën e tij, Rusia do të ishte bërë një vend i fuqishëm. Është ëndërra e të gjithë njerëzve që duan përparim në Rusi. Ai ishte i ndeshëm, punëtor dhe i dashur.”

Zëvendës Kryeministri Arkady Dvorkovish ishte mes përfaqësuesve të qeverisë ruse në ceremoni. Ambasadori amerikan në Rusi, John Tefft po ashtu mori pjesë në homazhe. Ishte edhe ish kryeministri britanik John Major.

“Ai besonte tek zbatimi i ligjit dhe liria e fjalës. Ai besonte tek liria. Gjerat me të cilat u përball po ashtu ishin shumë të rendësishme: agresioni, represioni dhe korrupsioni. Dhe, nëse dikush beson se zëri i tij do të shuhet nga kjo vrasje, ata gabojnë rëndë.”

Trupi i të ndjerit Nemtsov do të prehet në varrezat Troekurovskoye të Moskës. ish zëvendës kryeministri u vra të premten, i qëlluar katër herë pas shpine nga persona të panjohur ndërsa po kalonte në një urë sëbashku me një mikeshë të tij.

Presidenti Vladimir Putin premtoi një hetim të plotë për vrasjen, për të cilën shumë aktivistë të opozitës thanë se ishte hakmarrje ndaj kritikave të Nemtsov-it kundër Moskës. (voa)

Detyrimi për vizë për kosovarët të shfuqizohet

Dhjetramijë kosovarë po vijnë ndërkohë në BE. Ky imigracion ka një traditë të gjatë, thotë eksperti i Ballkanit Norbert Mappes-Niediek. Dhe sipas tij, nëse ata legalizohen, Gjermania mund të përfitojë.Deutsche Welle: Rreth 50.000 kosovarë janë larguar vetëm brenda gjashtëmujorit të fundit nga vendi i tyre, që ka gjithsej rreth 1,7 milionë banorë. Përse i kthejnë shpinën atdheut të tyre kaq shumë kosovarë?
Norbert Mappes-Niediek: Unë besoj, se duhet të bëjmë një dallim të qartë mes arsyes dhe shkakit. Ka një largim të vazhdueshëm të shqiptarëve nga Kosova por edhe të pakicave të tjera. Arsyeja kryesore është mungesa e perspektivës. Çdo vit rreth 50.000 të rinj dalin në tregun e punës dhe nuk kanë asnjë shans atje. Shumë prej tyre praktikisht nuk kanë asnjë mundësi, veçse të shkojnë jashtë vendit.
Vala e emigracionit si në panik që arriti kulmin në dhjetor dhe ndërkohë ka nisur të bjerë, pati një dinamikë të vetën. Shkaku i vërtetë i saj është i vështirë të përcaktohet. Shumë thonë, se kjo kish të bënte me krijimin e qeverisë në fillim të dhjetorit. Pas kësaj u bë e qartë, se në Kosovë nuk do të ndryshojë asgjë. U desh të pritej gati një gjysmë viti pas zgjedhjeve derisa Kosova të bëhej me qeveri. Fillimisht u krijua një koalicion për ndryshimin e pushtetit. Por pas ndërhyrjes së fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare – edhe të Gjermanisë – kthesa në pushtet mbeti e parealizuar. Tani ka një koalicion me bazë të gjerë. Si rrjedhojë në Kosovë u krijua përshtypja: ne mund të votojmë, por në pushtet mbeten të njëjtët njerëz, nëse ata e duan këtë.
Edhe kriminaliteti i organizuar që gëlon në Kosovë jepet shpesh si arsye për arratinë e shumë njerëzve nga vendi. A mund ta pohoni edhe ju këtë?

Unë do të thoja, se njerëzit nuk largohen direkt prej kriminalitetit të organizuar, sepse ai nuk perceptohet kaq shumë në jetën e përditshme. Por padyshim që një arsye përse ata largohen është korrupsioni. Ata arratisen nga një shteti, i cili nuk ofron asgjë dhe në të cilin elita e vogël mbush xhepat e veta. Kjo elitë ka edhe lidhje me kriminalitetin e organizuar. Por në jetën e përditshme kjo nuk luan asnjë rol. Në Kosovë mund të lëvizësh i sigurt. Atje s’ke përse ke frikë, se mund të qëllojnë për vdekje apo të të ndodhë diçka e ngjashme. Atje mund të hapësh biznese pa u shantazhuar për mitmarrje. Ndoshta kjo funksionion atje më mirë se në ndonjë qytet tjetër të madh europiano-perëndimor.
Ç’pasoja ka emigracioni masiv për vendin?
Së pari ka si pasojë, që më të mirët largohen. Kjo ul mundësitë, që në Kosovë të lulëzojë ekonomia. Por emigracioni ka edhe funksionin e një ventili dhe të çlirimit nga barra, sepse kur shumë njerëz largohen tregu ekzistues i punës ndodhet më pak nën presion.
Megjithatë në këtë situatë nuk ka asnjë perspektivë, njerëzit thjeshtë largohen dhe nuk i bëhen më barrë shtetit. Se si kjo do të ndryshojë ndonjëherë në këtë vend, është fare e paqartë në këtë situatë.
Çfarë zgjidhjeje shihni ju që Kosova të përparojë në të ardhmen?
Unë mendoj se së pari duhet të shfuqizohet në BE detyrimi për vizë për kosovarët. Për të gjitha vendet e tjera fqinjë ky hap tashmë është ndërmarrë. Të gjithë shqiptarët, malazezët, boshnjakët, serbët dhe maqedonasit mund të lëvizin lirshëm në BE, të paktën si turistë për tre muaj.
Nëse detyrimi për vizë do të hiqet, kjo natyrisht nuk do të thotë patjetër, që kosovarët paskëtaj do të dalin për të vizitur kullën Eifel. Ata gjatë kësaj kohe do të punojhnë. E kësisoj do të dërgojnë para në shtëpi apo edhe do të kthehen pas një farë kohe, për të jetuar në Kosovë me paratë që kanë mbledhur gjatë kësaj periudhe në Perëndim. Sidoqofë në një rast të tillë krijohet një lloj shkëmbimi. Ky shkëmbim bën që në Kosovë të mundësohet më lehtë krijimi i diçkaje të re. Përveç kësaj me heqjen e vizave nuk do të kishte më largime në panik, siç kemi përjetuar javët e fundit.
Si e vlerësoni ju propozimin, që të investohet më shumë në shkollat gjermane në Kosovë, për të kontribuuar disi kundër mungesës së shumëpërfolur të forcave të kualifikuara të punës në Gjermani?
Kjo është një ide e mirë. Ky është një komportim disi provokues. Nuk duhet të harojmë, se ne nuk mund ta shkëpusim lidhjen me kosovarët. Në Kosovë thuajse nuk ka askënd që të mos ketë të afërm diku në Zvicër, në Gjermani apo në Austri. Lidhjet familjare janë shumë të forta. Ne e perceptojmë shpesh Kosovën si një vend të largët ekzotik. Por nuk është aspak kështu. Shumcia e kosovarëve kanë lidhje diku në Gjermani, në Zvicër apo në Austri. Nëse këto lidhje duhet të ripërtërihen, atëherë duhet kujdesur, që ata që vijnë tek ne të kenë kualifikim të mirë e ndoshta të kenë mësuar edhe gjermanisht, kur të vijnë këtu.
Gjermania mund të përfitojë nga një imigrim i tillë. Por për aq kohë sa ky është ilegal, ai mbetet një problem. Nëse ky emigracion legalizohet dhe vendoset mbi baza të arsyeshme, kjo është diçka e mirë.
Kosova është rajoni me dendësinë më të lartë të popullsisë në Ballkan dhe asnjëherë nuk ka qenë në gjendje të mbajë vetveten. Ajo ka qenë gjithmonë pjesë e një shteti më të madh dhe të shpresosh, se një ditë kjo do të ndryshojë, unë besoj, se ky është një iluzion. Imigrimi, pikërisht i djemve të rinj, ka një traditë të gjatë. Gjithmonë ka qenë kështu, që ata janë larguar dhe familjet kanë jetuar prej asaj që ata kanë dërguar në shtëpi. Sot kjo nuk është ndryshe nga sa ka qenë para 50 apo 100 vjetësh.
Norbert Mappes-Niediek është korrespondent në Europën Juglindiore për gazeta të ndryshme gjermane dhe autor i disa librave për Ballkanin. Ai udhëton rregullisht në Kosovë. (dw)

Jubileu i 65 -të i shkollës fillore “LIRIA” të Tetovës

Viti shkollor 1944-1945 është vit i një nisme të mbarë të arsimit shqip në Tetovë. Shkolla “LIRIA” e filloi punën me 1 mars 1945 me 530 nxënës dhe 8 mësues, nga të cilët vetëm Vehap Kadriu Xhevahir Vejseli ishin nga Tetova, 6 mësues të tjerë nga Shqipëria.Viti shkollor 1945-46 është vit i përfshirjes më masovike të nxënësve shqiptarë,19 mësues,1239 nxënës, nga të cilët 782 meshkuj dhe 457 femra, në gjithsej 20 paralele.

Një armatë arsimtarësh kanë kryer punën edukative-arsimore nga të gjitha trojet shqiptare, si: Gani Jahja, Hikmet Kasapi, Ahmet Haxhi Hasani, Zija Sadiku, Hyreme Tresi, Qemal Hajrullai, Raif Maleziy, Abedin Qafjani, Xhelal Reka, Sheref Kazazi, Gani Luma, Qerim Arifi, Samet Adilçe, Seid Musai, Ana Sopi, Veronika Keli, Xhavit Kaba, Abdyraman Tresi, Faik Nuredini, Sylejman Arifi, Sanije Muhedini, Musa Arifi, Enver Palloshi, Emine Isaku, Myqereme Hajrullai, Nijazi Fanda, Neziha Kazazi, Elena Pulati, Suejla Skenderi, Çelebie Toska, Rifat Vela, Neziha Maleziu, Sabri Ramizi, Sami Hoxha, Burhan Hoxha, Zydi Kajnaku, Salajdin Hyseini, Mujdin Hadri, Nexhmedin Hyseini, Sami Palloshi, Riza Vela, Bajram Selimi, Abdylmexhit Ibrahimi…….janë shumë që e mbollën farën e dijes në shk. Fill. “Liria ” në Tetovë. Ju përkulemi për punën që e bënë në kohëra aq të vështira, por e përballuan me sukses dhe sot mburremi me veteranët e arsimit .Kërkoj ndjese se ndoshta nuk jane përfshire të gjithë.

Dhe përfundoj me fjalët e Rexhep Vokës: “Secili e din se deri sa të mos mësojmë edhe në gjuhen tone amtare kombit dije dhe edukim të përgjithshëm nuk mund t’i japim” dhe “Vetëm dritë e diturisë përpara do na shpjer”, si ka thënë Naim Frashëri. (Shpresa Sinani)

Zaev sërish asgjë për shqiptarët, protagonistët e radhës Stavrevski dhe Jankullovska

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev nuk publikoi edhe tani asgjë për shqiptarët. Në shënjestër ministrat Stavrevski dhe Jankullovska.Opozita maqedonase edhe sot vazhdoi me publikimin e materialeve të tjerë të përgjimeve të ashtuquajtura “bomba”, ku në qendër të vëmendjes ishin ministri i financave Zoran Stavrevski dhe ministrja e brendshme Gordana Jankullovska.

Bisedat siç mësohet kanë të bëjnë me fundin e vitit 2012, kur pritej miratimi i buxhetit, ndërsa në bisedat e përgjuara dëgjohen pakënaqësi lidhur me kaosin dhe krizën në buxhetin shtetëror, problemet me kreditë, borxhet e kryetarëve të komunave, presionet për pagesën e borxheve dhe shqetësimet për rritjen e harxhimeve për projekte që nënkuptohet kanë të bëjnë me projektin “Shkupi 2014”.

“Sot do dëgjoni se pse Nikolla Gruevski e Sasho Mijallkov kanë pasur detyrë të dëgjojnë bashkëpunëtorët e tij. Mes tyre janë Gordana Jankullovska e Zoran Stavreski. Miliona kreditë nga jashtë për miliona në buxhet, ku janë vënë në pikëpyetje punonjësit në administratën publike. Këto janë pranuar me gojën e vet nga Stavreski e Jankullovska për atë që ne rekomanduan, kaosin në buxhet dhe kolapsin në ekonomi, gjatë rebalancit të buxhetit, por edhe buxhetin e vitit 2014”, theksoi Zaev.

Mes tjerash në bisedën mes Stavreskit e Jankullovskës spikat në bisedë edhe paraqitja e ambasadorit të BE-së, Aivo Orav në një bisedë me ministren Jankullovska, ku kanë biseduar për ndërhyrjen e policisë në një protestë të qytetarëve para komunës Qendër në Shkup.

“Shkova në vikend, më lajmërohen nga Brukseli… Këtë që e bën VMRO nuk bëhet askund”, theksohet në bisedë, ku për këtë siç thuhet ambasadori i BE-së Orav i ka thënë Jankullovskës. Në këtë bisedë ndëgjohen edhe fyerje në adresë të ambasadorit Orav dhe zyrtarëve të tjerë të BE-së në Shkup, për të cilët thuhet se janë të korruptuar.

Në kuadër të këtyre bisedave shprehen shqetësime dhe ankesa të dy ministrave në adresë të kryeministrit Nikola Gruevski.

Por, Zaev i pyetur lidhur me çështjet se përse kursehen shqiptarët dhe pse nuk publikohen të dhëna lidhur me rastin “Monstra” dhe për vrasjen e ish-komandantit Harun Aliu, u përgjigj:

“Nëse më pyetni se a posedoj argumente për vrasje të porositura, atëherë përgjigja ime është jo. Por mund të them se posedojmë dëshmi për gjëra lidhur me proceset gjyqësore konkrete që i përmendët ju”, deklaroi Zaev.

Sipas tij, nuk do të kursehen faktet për politikanët shqiptarë dhe se për këtë theksoi se do të publikohet gjithçka në të ardhmen.

“Duhet të keni durim që e vërtëta e plotë të dal në shesh, hap pas hapi para opinionit. Nëse diçka fshehim unë dhe opozita, atë e posedon Mijallkovi dhe ai do të publikojë dhe do ta publikojë duke na goditur edhe neve”, deklaroi Zaev. (INA)

‘Në përleshjen mes Zaevit dhe Gruevskit, shqiptarët janë vëzhgues që nuk dinë çka të bëjnë’

Analisti amerikan dhe ish-drejtor i Institutit për paqe në Uashington, Daniel Server thotë se Maqedonia nuk duhet të frikësohet nga shqiptarët, pasi që ata duan që vendi sa më shpejtë të integrohet në strukturat euroantlantike.Duke u përgjigjur në pyetjen nëse shikon ndonjë rrezik në këtë situatë që të aktivizohen edhe shërbimet e inteligjencës shqiptare që të kryejnë presion për shkatërrim të Maqedonisë, Server me përgjigje:

“Dyshoj në këtë. Por, shqiptarët në Maqedoni përfundimisht dëshirojnë ta shohin Maqedoninë në NATO dhe do të zhgënjehen nëse ky incident e dëmton perspektivën e këtillë”.

I pyetur nëse shikon rrezik nga përleshjet etnike në një të ardhme të afërt dhe rrezik nga ISIS mbi Maqedoninë, Server me përgjigje:

“Ekzistojnë ekstremistë në shumë shtete. Nuk mund të përjashtoj se janë në Maqedoni, sepse herë pas herë ka pasur në të kaluarën. Por, këtu nuk shikoj përleshje etnike si problem. Ky është konfrontim mes dy maqedonasve: Zaevit dhe Gruevskit. Shqiptarët janë vëzhgues që nuk dinë çka të bëjnë”.

“Maqedonasit dhe shqiptarët në të kaluarën kanë qenë mjaft të urtë që ta ruajnë vendin e tyre nga konfliktet më të këqija. Besoj se do të jenë të mençur edhe në të ardhmen”, thotë Server.

Thekson se e ardhmja e Maqedonisë është në strukturat euroatlantike dhe se ky proces duhet të përshpejtohet.

“Maqedona bën pjesë në NATO. Por, duhet të ketë shtëpi të sajën që edhe më tej të kualifikohet për anëtarësim”, tha Daniel Server.(INA)

Përgjimi i ambasadorëve, Koçijançiç: Maqedonia ka shkelur rëndë konventën e Vjenës

Zëdhënësja e Komisionerit për fqinjësi dhe bisedime për zgjerim Maja Koçijançiq shprehu shqetësim të thellë rreth pretendimeve për përgjimin e ambasadorëve të huaj, përfshi edhe të atyre të Bashkimit Evropian në vend. Në një deklaratë për Alsat, Koçijançiq theksoi se nëse Maqedonia ka përgjuar korrespodencën diplomatike, kjo do të thotë se ka shkelur parimet e Konventës së Vjenës.
“Bashkimi Evropian ka shprehur publikisht shqetësimin e thellë rreth indikacioneve për përgjime masive, të një origjine dhe ligjshmërie të panjohur, përmbajtja e të cilave duhet t’i nënshtrohet hetimit nga autoritetet adekuate, në mënyrë transparente dhe të pavarur. Nëse korrespodenca diplomatike është përgjuar, kjo përbën shkelje të përgjegjësisë nga shteti mikpritës, bazuar në Konventën e Vjenës”, tha Maja Koçijançiç, zëdhënëse e komisionarit për fqinjësi dhe zgjerim.

Nga ana tjetër analisti amerikan për çështjet e Ballkanit Daniel Server, ka hedhur poshtë pretendimet e pushtetit se përgjimet i ka realizuar ndonjë shërbim i huaj.

“Jam i bindur se SHBA-ja nuk ka interes për destabilizimin e Maqedonisë dhe po ashtu jam i bindur se nuk është e interesuar aq për Maqedoninë që të përfshihej në një proces të përgjimit të mijëra njerëzve. Greqia dhe Rusia kanë më shumë arsye që të jenë të interesuara për një gjë të tillë, por nuk jam i sigurt se ata janë të përfshirë në përgjimet”, u shpreh Daniel Server, analist amerikan për Ballkanin.

Analisti amerikan gjithashtu ka hedhur dyshime mbi pretendimet e pushtetit rreth rastit “Puçi”, respektivisht për përgatitjen e grushtit të shtetit ndaj Qeverisë. Nga ana tjetër rreth pretendimeve për përgjimet e ambasadave të huaja në vend, bashkësia ndërkombëtare ka shprehur reagime serioze. Ambasada britanike, suedeze, italiane por edhe delegacioni i BE-së në Shkup iu bënë thirrje autoriteteve për një proces transparent dhe të pavarur gjyqësor që do të zbardhte pretendimet mbi përgjimet dhe përmbajtjen e tyre. Semra Jakupi

Papunësia, problem kryesor në rajon

Papunësi, por edhe dëshirë për ta braktisur vendin, janë problemet kyçe të Maqedonisë, të konstatuara në një reportazh të shkurtër të përgatitur nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, në kuadër të strategjisë së quajtur “Evropa Juglindore 2020”.
“Një nga problemet më të mëdha është papunësia. Mbaron fakultetin por nuk mund të punësohesh për atë që ke studiuar dhe kështu përpiqesh të gjesh punë tjetër, sa për të punuar pak”.

“Do të kisha menduar edhe për jashtë vendit, por unë para se gjithash dua të qëndroj këtu”.

Megjithatë, papunësia konsiderohet problem rajonal.

“Atë që pash në fillim, ishte një i ri që dëshiron ta shohë perspektivën e tij jashtë Maqedonisë, ndërsa gjysma tjetër është se duan 50% lirim nëpër restorantet në Shkup. Kjo vërtetë më tronditi. Ndërsa ajo që themi për rritjen inkluzive, dhe rritjen e ndarë në raportin e fundit të Bankës Botërore për Maqedoninë, thuhet se 40% e popullatës në Maqedoni jeton me të ardhura minimale. Kjo është një pjesë e aspekteve që kur e përgatitim modelin tonë për rritje, është në përputhshmëri me këtë strategji për Evropën Juglindore. Kjo është rritje inkluzive”, tha Fatmir Besimi, Kryeministër i euro-integrimeve.

Ministri i Ekonomisë Bekim Neziri thotë se nuk mund të pohoj se në Maqedoni gjërat po lulëzojnë, por thotë po bëhen përpjekje maksimale për përmirësimin e gjendjes. Në hulumtimin e Këshillit për bashkëpunim rajonal, Maqedonia është lidere për reforma dhe punësim, megjithatë njerëzit në Maqedoni janë pesimist të mëdhenj.

“Bëmë maksimumin e asaj që mund të bëhet. Kemi uljen e përqindjes së papunësisë për 9%. Por, në pjesën tjetër pamë se pesimizmi është më i madh në vendin tonë. Pesimizmi është çështje perceptimi, dhe perceptimi krijohet si rezultat i opinionit publik. Mediumet janë faktori kyç për krijimin e opinionit publik të qytetarëve. Kështu që, çdo kush prej nesh ka faj të caktuar në pjesën e krijimit të opinionit publik”, u shpreh Bekim Neziri, ministër i ekonomisë.

Qeveria në Maqedoni krijoi kushte për hyrjen e investitorëve të huaj, por nga ana tjetër sipas Goran Svilanoviqit, sekretar i përgjithshëm i Këshillit rajonal për bashkëpunim, në Maqedoni nuk është arritur efekti i pritur nga investimet e huaja.

“Përvoja deri tani tregoi se jo gjithçka që sjellin investitorët e huaj, është ajo që pritej. Mund të them se kam parë investitorë të huaj që futin teknologji të re, por kam parë edhe investitorë, emra të famshëm që vijnë me kryesi tërësisht të korruptuar, madje larg nga ajo që mund të quhet etikë punë, jo vetëm larg asaj që pritej, por edhe larg gjendjes aktuale”, tha Goran Svilanoviq, sekretar i përgjithshëm i Këshillit për bashkëpunim rajonal.

Këshilli i bashkëpunimit rajonal me strategjinë për “Evropa Juglindore 2020” do të përpiqet të ndihmojë vendeve të rajonit në kapërcimin e problemeve kyçe me të cilat ballafaqohen. Natasha Stojanovska

Diplomati amerikan: Klasa politike në Kosovë e korruptuar, lidhje me krimin e organizuar

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara për të ardhmen e Kosovës, pasi sipas një diplomati amerikan në Prishtinë, i cili ka folur në kushte anonimitetit për lajmi.net, korrupsioni brenda politikës kosovare dhe lidhja e kësaj klase me krimin e organizuar ka krijuar një ambient të brishtë, të varfër dhe të pasigurt, që ka ndikuar në rritjen e ekstremizmit fetar.Ky diplomat amerikan, i shqetësuar, ka thënë se klasa politike kosovare duhet që sa më shpejtë të ndërrojë kursin e qeverisjes, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të parandalojë thellimin e mëtutjeshëm të ekstremizmin fetar brenda shoqërisë kosovare, ndryshe pasojat për shtetin e Kosovës do të jenë të paparashikueshme.

“Politikanët kosovarë, pa marrë parasysh se nga cila parti vijnë, deri më tani nuk kanë punuar për të mirën e vendit, por, shumë prej tyre, për qëllim të vetëm kanë pasur interesin personal, partiak, e klanor. I kemi paralajmëruar me dhjetëra herë, individë dhe institucione, shumë kohë përpara, për rrezikun që mund të vije nga këto fenomene që lindin e zhvillohen si pasojë e keqqeverisjes. Por vërejtjet tona janë injoruar, nuk janë marrë parasysh me seriozitet”, ka thënë diplomati amerikan në Prishtinë, duke bërë të ditur se si rrjedhojë e kësaj, Shtetet e Bashkuara tashmë kanë nisur të marrin masa konkrete ndaj individëve përgjegjës për situatën e krijuar në Kosovë.

“Washingtoni, që nga ndërrimi i lideshipit në Ambasadën e Prishtinës, ka ndryshuar qasjen kundrejt lidershipit politik kosovar, duke ju dërguar atyre mesazh të qartë se duhet të ndryshojnë mënyrën e qeverisjes dhe të mos ndjellin kulturë politike të bazuar në korrupsion e krim të organizuar. Prandaj, partitë politike që vazhdojnë tutje me këtë avaz, nuk do të konsiderohen partnere të SHBA-ve”, tha ai.

Diplomati amerikan ka thënë se shumë politikanë kosovarë kanë lidhje të drejtpërdrejt me bosët e krimit të organizuar, iu ndihmojnë atyre në kontrabandë dhe kryerjen e veprimtarive tjera kriminale, përmes ndihmës në procese hetimore apo gjyqësore.

“Disa prej këtyre të ashtuquajturve politikanë as që kanë frikë nga ligji, apo që kanë ndonjë brengë morale se janë duke i ndihmuar kriminelët në ndërmarrjet e tyre. Por, besoj se këta politikanë, edhe pse janë shumë, do të vijë koha kur do duhet të përgjigjen për pasurinë që kanë akumuluar gjatë këtyre viteve. Do të tregojnë nga i morën paratë për vetura që kushtojnë deri në 100 mijë euro!”

“Këta politikanë, të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar kanë krijuar një ambient të tillë që ka ndikuar në rritjen e ekstremizmit fetar dhe pakënaqësive tjera brenda shoqërisë. Kjo pakënaqësi aktualisht është duke u manifestuar me emigrimin e fundvitit 2014 dhe fillimvitit 2015. Gjendja e tillë është shumë shqetësuese, sepse ka shkuar deri në atë masë sa që mund rrezikojë sigurinë nacionale të SHBA-ve dhe progresin drejt shtet-ndërtimit të Kosovës. Prandaj Washingtoni ka marrë masa, dhe që gjendja të mos del jashtë kontrollit, këto masa duhet t’i merr edhe Prishtina”, ka thënë për lajmi.net ky diplomat amerikanë duke shtuar se “shqetësimi i Shteteve të Bashkuara do të duhej ta linte pa gjumë gjithë klasën politike në Kosovë, dhe jo vetëm këtë klasë”. /lajmi.net/