Dështimi me Gjykatën Speciale, ia zgjat jetën Rezolutës 1244

Shtetësia dhe imazhi i Kosovës do të goditeshin rëndë nëse institucionet vendore dështojnë që të themelojnë Gjykatën Speciale dhe këtë përgjegjësi ia lëshojnë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, thonë analistët politik.Sipas tyre, Kosova tashmë ka marrë përsipër obligimin ndërkombëtar që të themelojë këtë Gjykatë dhe ky vendim është vulosur edhe me miratimin nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar.

Analisti politik, Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika ka thënë për Radion Evropa e Lirë se do të ishte tmerrshme nëse një Gjykatë e tillë do të themelohej nga Këshilli i Sigurimit.

Mes tjerash, ajo do të kishte një jetëgjatësi të pafund dhe do të sfidonte rëndë subjektivitetin dhe shtetësinë e Kosovës, ka thënë Rashiti.

“Nëse një gjykatë e tillë formohet nga Këshilli i Sigurimit, e cila do të jetë gjykatë tërësisht me karakter ndërkombëtar dhe i tërë mandati i saj si edhe mbyllja e saj do të jetë vetëm në dorën e Kombeve të Bashkuara. Do të kishim një rast sikurse me gjykatat tjera ndërkombëtare apo administratat tjera, sikurse kemi rastin me administratën e UNMIK-ut”, ka deklaruar Rashiti.

Ndërkohë, edhe analisti Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë rikujton se Kuvendi i Kosovës qysh vitin e kaluar ka marrë vendim që kjo gjykatë të themelohet.

Ky është një obligim tashmë ndërkombëtar dhe dështimi i themelimit të saj do të kishte pasoja të mëdha për Kosovën, ka theksuar Doli.

“Themelimi i një institucioni ndërkombëtar nga ana e OKB-së do të bëhej kryesisht në kuadër të Rezolutës 12 44 dhe me këtë rast shtetësia e Kosovës dhe kapaciteti i Kosovës si shtet në marrëdhëniet ndërkombëtare do të mohohej plotësisht. Për më tepër, themelimi i një Gjykate Speciale nga ana e OKB-së do të ketë pasoja shumë të mëdha në imazhin e Kosovës në të ardhmen”, ka vlerësuar Doli.

Themelimi i Gjykatës Speciale do të jetë problematik, parasheh analisti Doli.

Por, sipas tij, Kosova duhet ta dëshmojë aftësinë e saj si shtet që të çojë përpara zotimet e marra përsipër.

“Serioziteti i Kosovës në marrëdhënie ndërkombëtare matet çdo herë me mënyrën se si Kosova arrin të vë në jetë obligimet ndërkombëtare. Themelimi i Gjykatës Speciale pikërisht do të jetë njëkontribut i Kosovës, përveç përmirësimit të imazhit të saj, do të jetë kontribut në forcimin e imazhit të Kosovës si një vend që është në gjendje të zbatojë dhe vë në jetë të gjitha obligimet ndërkombëtare të cilat i ka marrë me vendimin e Kuvendit vitin e kaluar”, ka theksuar Doli.

Në anën tjetër, analisti Naim Rashiti thotë se themelimi i Gjykatës Speciale për Bashkimin Evropian nënkupton plotësimin e kushtit kryesor nga ana e Kosovës, qoftë për liberalizimin e vizave apo edhe përmbylljen e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Shtetet mike të Kosovës, ka vijuar ai, nuk duan që ky proces të rrëshqas kah Këshilli i Sigurimit, ku Kosova do të bllokohej sërish nga vendet që nuk e njohin atë si shtet.

“Faktori ndërkombëtar, si Brukseli ashtu edhe Uashingtoni janë shumë të interesuar që ky proces të mbetet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe të mos zgjerohet përtej kësaj kornize sepse armiqtë e Kosovës do ta përdornin këtë për ta rrënuar shtetësinë e Kosovës. Kosova nuk guxon të lejojë që një gjykatë e tillë të jetë me mandat të pafund apo të stërzgjatur, sepse do ta degradonte subjektivitetin e saj si shtet”, ka theksuar Rashiti.

Opozita, tashmë është pozicionuar kundër themelimit të kësaj Gjykate.

Përderisa edhe nga partitë në pushtet ka deputetë që e kanë vënë në pikëpyetje votën e tyre për themelimin e saj.

Themelimi i këtij “mini” Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën, ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bazë të këtyre supozimeve, prokurori amerikan Clint Williamson, ka zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

Aktualisht, një ekip nga Kosova, i kryesuar nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi është në negociata me Brukselin rreth infrastrukturës ligjore e kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale.

Zvarritjet e themelimit të kësaj Gjykate, përveç se rrezikojnë që procesin ta kthejnë kah Këshilli i Sigurimit, sipas prokurorit Williamson rrezikojnë edhe vet dëshmitarët e rasteve që pritet të gjykohen.

Në përmbyllje të hetimit të tij, një vëmendje të posaçme Williamson ia kishte kushtuar, asaj që ai e kishte quajtur klimë të frikësimit të dëshmitarëve, duke thënë se “ka pasur përpjekje për ta penguar gjithë procesin hetimor” që prej fillimit të punës së grupit hetues, përmes ndërhyrjes te dëshmitarët. (rel)

Biznesi dhe politika “ushqejnë” njëra – tjetrën

Biznesi dhe politika në Kosovë, i ofrojnë favore njëra tjetrës, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertët e çështjeve ekonomike.Në Kosovë, thonë ata, “nuk mund të jesh i suksesshëm në biznes nëse nuk je i afërt me politikën, apo nëse nuk je pjesë e saj dhe po ashtu, nuk mund të jesh politikan nëse nuk je biznesmen”.

Sipas tyre, vet fakti se shumë biznesmenë kanë hyrë në politikë, apo politikanët janë bërë biznesmenë, tregon dominimin e politikës në jetën ekonomike.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se ekonomia po keqpërdoret nga politika.

“Politika dhe biznesi janë bërë profesione të paevitueshme njëra me tjetrën, pasi që ato ushqejnë njëra – tjetrën, krijojnë favore dhe paradispozita shumë të mira, qoftë në terrenin politik, apo edhe në biznes e që është e dëmshme dhe është e ndaluar me ligjet e Kosovës. Ligji shumë qartë definon se sa politikani mund të jetë i futur në biznes dhe e kundërta, por fatkeqësia është se ai ligj nuk zbatohet”, thekson ai.

Kjo ndërlidhje ndërmjet biznesit dhe politikës, shton Rexhepi, rezulton me mbijetesën e kompanive të caktuara, por edhe me ngufatjen e bizneseve tjera.

Sipas tij, këto favorizime që bën politika për biznese të caktuara dhe anasjelltas është një dëm i madh që i bëhet vendit.

“Krijohen pozita favorizuese, pozita dhe mundësi për krijimin e monopoleve në treg. Në këto situata po i bëhet dëm i madh konkurrencës, zhvillimit, e në veçanti dëm i madh po i bëhet konsumatorit. Kjo e korrupton biznesin dhe në të njëjtën kohë edhe politikën”, vlerëson Rexhepi.

Ndryshe, në prag të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare në vitin e kaluar, partitë politike bënin “luftë” se kush po merr më shumë afaristë të kompanive të mëdha vendore në subjektet e tyre.

Zyrtarët e institucioneve në Kosovë, vazhdimisht kanë deklaruar se Qeveria nuk ka lidhje me komunitetin e biznesit, përveç se ndihmon në zhvillimin e politikave në përmirësimin e zhvillimit të aktiviteteve të tyre ekonomike.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se favoret që politika iu bën bizneseve në Kosovë dhe anasjelltas janë shqetësuese për një vend.

Petrit Zogaj, analist politik nga Lëvizja Fol, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e funksionimit të rregullave demokratike në Kosovë, ka bërë që biznesmenët bëhen politikan dhe politikanët biznesmenë.

“Kemi parë që biznesi e sheh mbijetesën vetëm duke qenë afër ose brenda pushtetit, sikurse partitë politike e shohin veten e tyre dominante nëse janë afër ose brenda biznesit. Fatkeqësisht kjo ka ndikuar që ne të kemi institucione të dobëta, që nuk funksionojnë si duhet”, shton Zogaj.

Kompanitë që janë të ndërlidhura më politikën, thuhet se janë kompani të derivateve të naftës, kompani të ndërtimit dhe telekomunikacionit.

Sidoqoftë, detyra e kryesore e shtetit në raport me ekonominë, në çdo vend të zhvilluar, thonë ekspertët, është krijimi dhe mbarëvajtja e funksionimit të platformës ligjore dhe institucionale, mbi të cilën zhvillohet aktiviteti ekonomik. (rel)

Berlin-Prishtinë: Bashkëpunim për ndaljen e refugjatëve

Gjermania në bashkëpunim me Kosovën do ta ndalë valën e azilkërkursve nga Kosova.Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier theksoi pas takimit në Berlin (02.03) me homologun kosovar Hashim Thaçi, se vetëm të përndjekurit politik kanë “një shans për azil” në Gjermani. Njëkohësisht Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka vënë në dispozicion një milionë Euro shtesë për të ndihmuar të kthyerit.
Numri i azilkërkuesve nga Kosova gjatë muajve të fundit është rritur ndjeshëm. Vetëm në janar kanë ardhur në Gjermani mbi 10 000 azilkërkues nga Kosova. Arsye kanë qenë fjalë që kanë qarkulluar se gjoja Republika Federale e Gjermanisë jep lehtësisht leje qendrimi. Steinmeier bëri të qartë: «Për këdo që nuk përndiqet për arsye politike, kërkesa për azil në Gjermani nuk rezulton me leje të përhershme qendrimi, por me kthimin në Kosovë.» Nuk duhet të zgjohen shpresa, që nuk mund të realizohen.
Kthimi me procedurë të përshpejtuar
Sipas të dhënave të Entit Federal për Migracion dhe Refugjatët shumë refugjatë japin si arsye të largimit, se nuk shohin më asnjë perspektivë në vendin e tyre për shkak të papunësisë dhe të ardhurave të ulëta.
Ministrat e brendshëm të landeve të Gjermanisë vendosën në shkurt për përshpejtimin e procedurave të shqyrtimit të kërkesave për azil për refugjatët nga Kosova. Azilkërkuesit nga Kosova që nga e mërkura (17.02) duhet të llogarisin me refuzimin e shpejtë të kërkesave të tyre për azil në Gjermani. Një sërë aplikimesh tani do të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar brenda 14 ditësh. Me këtë masë autoritetet kanë reguar ndaj rritjes masive të numrit të refugjatëve nga Kosova. (dw)

Koment: E vërteta mbetet e pazbardhur

Menjëherë pas vrasjes së Boris Nemcov shteti dhe Mediat ruse nisën një fushatë dezinformimi, mendon Ingo Mannteufel.Vrasja e politikanit të papërkulur opozitar rus Boris Nemcov të premten dhe marshimi përkujtimor në qendër të kryeqytetit rus të dielën ishin temat e editorialeve në Media gjatë gjithë fundjavës në Rusi. Ky atentat politik është padyshim edhe një ngjarje tragjike dhe me domethënie në historinë e re ruse. Interesant ishte të vërehej edhe se si Kremlini dhe Mediat e dirigjuara prej tij në Rusi vunë menjëherë në veprim makinerinë ndërkohë të zakonshme të dezinformimit dhe të mjegullimit informativ.
Mbingarkesë e qëllimshme informimi
Rëndom Mediat shtetërore dhe ato të afërta me shtetin në Rusi heshtin në emisionet e tyre kryesore të lajmeve lidhur me aksionet e kritikëve të Putinit. Me siguri që kështu do të kishte ndodhur edhe lidhur me marshimin e protestës të planifikuar nga opozita për ditën e dielë. Por mediet kësaj radhe nuk mund t’i shmangeshin lajmit për vrasjen e një politikani drejtues të opozitës në një urë që të çon drejt Kremlinit. Boris Nemcov si zëvendëskryeministër në vitet 90-të u bë i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Por sidoqoftë në informacionin e Medias as që mund të bëhej fjalë për një raportim të pavarur. Përkundrazi: doli në pah se si Kremlini i drejton mediet në këto rrethana dhe e manipulon popullin e vet.

Pak pas atentatit ndaj Nemcovit presidenti rus paraqiti kursin për Mediat. Ai e shpalli vrasjen e kritikut të tij si një “provokim”, që synon destabilizimin e vendit. Me këtë për Putinin gjithçka ishte e qartë, se objektivi i vërtetë dhe viktima e këtij akti të neveritshëm nuk ka qenë Nemcovi, por ai, pra Putini vet. E në këtë frymë prokuroria e përgjithshme dhe Mediat e dirigjuara duhej të paraqisnin si doras të mundshëm të aktit të gjithë kundërshtarët e njohur tashmë të Putinit: “amerikanët”, “ukrainasit”, “islamistët” ose thjeshtë grupet e tjera, që duan të rrezikojnë sigurinë e vendit.
Në kontekstin e gjurmës islamiste Mediat ruse shfrytëzuan rastin për të theksuar veçanërisht faktin, se Nemcov ishte hebre. Në sfondin e përhapjes së antisemitizmit në Rusi efekti i një informacioni të tillë në kontekst me vrasjen është i kuptueshëm: as që mund të pritet simpati për viktimën 55 vjeçare, që për më tepër ishte i shoqëruar nga një e re ukrainase bukuroshe(!). Për të gjithë bashkëkohësit me mendje të kthjellët, të cilët ende posedojnë mjaftushëm forcën rezistuese ndaj teorive të konspiracionit që ndërkohë janë bërë të zakonshme në Rusi, gjurmët të çojnë tek bizneset e dyshimta të Nemcovit me pasuritë e patundshme.
Çështjet e rëndësishme nënvleftësohen
Pas këtyre shumë të vërtetave të përhapura mbi pistat e hetimit nuk qendron dëshira për një zbardhje dhe informacion të detajuar, por vetëm synohet përhapja e një mjegullnaje të qëllimshme. Ndërkohë që nuk tematizohet përgjegjësia e pushtetit të shtetit, që për vite me radhë përmes Mediave të kontrolluara prej tij ka shpifur ndaj kritikëve të tij. Madje në këtë stuhi dezinformuese nënvleftësohet edhe çështja, se si mund të ndodhë, që pikërisht në kohën e atentatit të gjitha kamerat e vrojtimit përreth Kremlinit kanë qenë të fikura, me defekt, ose për riparim. Në sfondin e kaq shumë “të vërtetave” të dëshiruara ka pak shpresë, që të dalë në dritë e vërteta e vërtetë. Edhe Boris Nemcov do të mendonte kështu. (dw)

SHBA mirëpresin vendimin për Tom Doshin

Në një deklaratë të lëshuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë, thuhet se Shtetet e Bashkuara e mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste për të përjashtuar Z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale.Shtetet e Bashkuara, thuhet në deklaratë, e marrin seriozisht kërcënimin e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike. Deklarata u bën thirrje të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive.

Aty i bëhet thirrje gjithashtu Prokurorit të Përgjithshëm të hetojë dhe ndjekë penalisht kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar në të gjitha nivelet.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri bëri një thirrje të ngjashme. (voa)

‘Nemcov – kritik i hapur i përzierjes ruse në Ukrainë’

Vritet në afërsi të Kremlinit, politikani opozitar rus Boris Nemcov. 55 vjeçari konsiderohej jo vetëm kritik i Putinit, por edhe i politikës së Rusisë në Ukrainë. Analisti Yury Barmin mbi rëndësinë e Nemcovit.Boris Nemcov kishte kritikuar ashpër politikën e përzierjes së Rusisë në Ukrainën lindore, duke e vlerësuar luftën në Ukrainë si një agresion rus. Në një apel, opozitari e kishte quajtur ilegale prezencën e ushtarëve rusë pa uniforma të dallueshme.
Pas vrasjes së politikanit Nemcov ka pasur reagime të tronditura nga e gjithë bota. Kancelarja Merkel u tregua e shokuar. Zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert bëri të ditur se kancelarja kërkon nga presidenti Putin të garantojë zbardhjen e vrasjes. Merkeli kërkoi nxjerrjen para përgjegjësisë të vrasësve. Edhe presidenti amerikan Obama dhe presidenti francez Hollande u shprehën në të njëjtën mënyrë dhe kërkuan zbardhjen e ngjarjeve. Reagimet pas vrasjes ishin të menjëhershme edhe në Rusi. Vetë presidenti rus e cilësoi vrasjen përmes zëdhënësit të tij një „provokim”. Analisti Yury Barmin në intervistë me Deutsche Wellen mbi zhvillimet e fundit në Rusi dhe rënësinë e Putinit.
DW: Pse po shkakton kaq reagime vrasja e politikanit opozitar, Nemcov?
Yury Barmin: Nemcov ishte një kritik i hapur i Putinit dhe i përzierjes së Rusisë në krizën e Ukrainës. Vrasja po shkakton kaq reagim, sepse Nemcov ishte po ashtu një organizator i protestës që zhvillohet të dielën në Rusi, 1 Mars. Opozita me shpejtësi u shpreh për një lidhje mes të dyjave.
Kush ishte Boris Nemcov?Çfarë e bëri atë kaq të rëndësishëm pas kaq vitesh?

Nemcovi pati një karrierë të shkëlqyer politike. Në vitet 90-të ai shërbeu nën presidentin Jelcin si i dërguari i tij në qytetin Nizhny Novgorod. Më vonë ai ishte guvernator i rajonit të Nizhny Novgorod dhe më pas si zëvendëskryeministër i qeverisë. Ai ishte një politikan shumë i rëndësishëm gjatë viteve më liberale të Rusisë, dhe një avokat i tërheqjes së trupave ruse nga Çeçenia gjatë Luftës së Parë Çeçene. Nën Putinin, Nemcovi ishte deputet i parlamentit rus dhe anëtar i opozitës liberale. Kohët e fundit ai nisi me publikimin e raporteve të ndryshme për korrupsionin në Rusi.
A ishte Nemcovi kërcënim për Putinin?
Nuk mendoj se ai përbënte kërcënim për Putinin, së paku ai nuk perceptohej si i tillë. Sigurisht ai është një figurë kryesore e opozitës në Rusi, por politikisht nuk ishte ndonjë kërcënim për Putinin. Ilya Yashin, një politikan liberal dhe mik i Nemcovit, pretendoi se Nemcovi po bëhej gati të publikonte një raport për përzierjen e Rusisë në Ukrainë dhe logjikisht u hodh versioni se ai u vra për të ndaluar publikimin e këtij raporti.
Pse e quajti zëdhënësi i Putinit vrasjen e Nemcovit “një provokim” dhe çfarë ka të bëjë vrasja me protestën e së dielës?
Protesta kishte qenë e planifikuar për në 1 mars, ka qenë e etiketuar si një protestë ekonomike, kundër krizës. Kishte zëra se disa nga organizatorët donin t’i vinin asaj emrin e një proteste politike, për të kërkuar ndryshime politike në vend. Po ka një rivalitet mes këtyre dy grupeve brenda opozitës, që t’i shohin arsyet e protestës së njerëzve nga këndvështrime që në të vërtetë nuk ndryshojnë shumë.

Disa blogera pro Kremlinit janë shprehur se vrasja e Nemcovit ishte një mënyrë për të ndryshuar kahun e protestës së 1 marsit. Kështu zëdhënësi i Putinit afërmendsh ngriti supozimin se vrasja ishte një provokim kundër protestës së nesërme. Sigurisht Kremlini do që të çaktivizojë zërat se ka lidhje të qeverisë me vrasjen.
Ka pasur ndonjë vrasje tjetër të krerëve të opozitës në një mënyrë të tillë?
Në krye qëndron Vlad Listiev, një gazetar i njohur rus dhe kreu i Channel 1, i cili u vra 15 vite më parë. Në të vërtetë duhet kujtuar se edhe ajo vrasje ndodhi më 1 mars 1995, pra 20 vite me parë. Ai nuk ishte saktësisht një udhëheqës i opozitës, por një person me influencë – kaq është e sigurtë.
Ka pasur të dhëna që Nemcov ka qenë i përzier me mafian?
Nuk i njoh të dhëna të tilla. Sigurisht Nemcovi, si çdo politikan tjetër ka pasur rivalët e tij, që janë përpjekur ta përlyejnë imazhin e tij duke e lidhur me mafian, por unë besoj se këto mund të kenë qenë thjesht thashetheme.

Yury Barmin është një analist politik mbi çeshtjet e politikës ruse në Abu Dhabi. (dw)

Tom Doshi përjashtohet nga grupi i PS-së

Vendimi pas akuzave që deputeti bëri javën e shkuar. Kryeministri Rama: Eshtë i lirë t’i provojë para drejtësisë. Doshi: Meta ka paguar për vrasjen time dhe deputetit demokrat Mhill FufiNë Shqipëri, grupi parlamentar i Partisë socialiste vendosi sot të përjashtojë nga radhët e veta deputetin Tom Doshi, pas akuzave të këtij të fundit javën e shkuar se i kishte shpallur luftë kryeministrit Edi Rama dhe se do të trondiste shumicën me ato për të cilat ai kishte dijeni. Zoti Rama i konsideroi të papranueshme sulmet personale ndaj shumicës dhe qeverisë, ndërsa propozoi përjashtimin. Deputeti Doshi e shtoi dozën e këtyre akuzave duke deklaruar se kryetari i parlamentit Ilir Meta kishte paguar sipas tij një person për të vrarë atë dhe deputetin demokrat Mhill Fufi.

“Kur të flas unë më tepër do t’i dridhen themelet shumicës dhe qeverisë. Edi Rama është mosmirënjohës dhe bukshkalë, për mua dhe të gjithë ata që e votuan në Shkodër, dhe këtë do ta shohë dhe në zgjedhjet lokale. Sapo ka filluar lufta mes meje dhe tij”. Këto deklarata të bëra javën e shkuar dhe akuzat që deputeti Doshi lëshoi dhe ndaj drejtuesve të tjerë të lartë të institucioneve, duket se e vunë kryeministrin Edi Rama përpara një zgjedhjeje të detyruar, pavarësisht përpjekjeve të vecuara deputetësh socialist për t’i hedhur ujë zjarrit të ndezur.

Në fjalën e tij sot, para grupit parlamentar socialist, kryeministri nuk ka patur asnjë mëdyshje, ndërsa është shprehur se me deklaratat e tij deputeti Doshi e ka bërë të pamundur që të vazhdojë të jetë pjesë e grupit socialist, duke saktësuar se “me akuzat e tij deputeti ka shkuar përtej personit tim dhe ka cënuar rëndë dinjitetin e këtij grupi e të kësaj qeverie”. Sipas zotit Rama “gjithkush në grupin socialist është i lirë të thotë atë që mendon për qeverinë, por askush nuk mund të mendojë të thotë, as këtu dhe as në publik, se i ka shpallur luftë qeverisë”, është shprehur ai. Kryeministri ka nënvizuar se deputeti Doshi është i lirë “të shkojë të provojë në rrugë ligjore vërtetësinë e akuzave të tij të papranueshme në adresë të qeverisë e të shumicës parlamentare”.

Pas propozimit për përjashtim zoti Doshi ka marrë fjalën duke shtuar dozën e akuzave dhe më pas është larguar nga mbledhja duke u shprehur se “Edi Rama sot ka një tutor që quhet Ilir Meta i cili ka paguar lekë dhe ka urdhëruar të më vrasë mua dhe Mhill Fufin. Ka pesë muaj që ja kam bërë të qartë dhe vetë Ilirit dhe Edi Ramës, dhe kryeprokurorit të Përgjithshëm”.

Mhill Fufi është deputet i partisë demokratike, pasi zëvendësoi një tjetër deputet të dorëhequr. Ditën e zgjedhjeve të 23 qershorit të 2013 ai mbeti i plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri pranë një qendre votimi, ku u vra dhe një aktivist i Lëvizjes socialiste për integrim.

Deputeti Doshi tha se ai ka dhe prova për akuzat e tij. “Prova është se personi që ka marrë përsipër për të kryer këtë akt është takuar dhe me ministrin Tahiri. Disponoj video dhe gjithshka”, tha ai.

Largimi i zotit Doshi ka bërë që në mbledhjen e grupit të mos ketë debate të tjera, përvec një shkëmbimi replikash mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Ben Blushi, sipas të cilit, kjo që ndodhi “është historia e dy shokëve të ngushtë që u zunë për arsye që s’duan të na I thonë dhe as nuk duam t’i marrim vesh. Por fatkeqësisht, një histori miqësie disavjecare që u prish për arsye që nuk dua t’i di, po që nuk janë politike, po i vënë një damkë të madhe partisë socialiste. Dhe sigurisht Edi Rama si njeri që duhet ta administronte këtë gjë prej shumë kohësh, të qeveriste më mirë, ka përgjegjësinë e vet, sado që jam dakort me faktin që bashkëjetesa në këto kushte ishte e pamundur”.

Deputeti Doshi, i cili njihet si një njeri me biznese tejet fitimprurëse, por mbi të cilat shpesh janë hedhur hije të forta dyshimi, ishte protagonist i fitores që për herë të parë e majta siguroi në zgjedhjet e fundit në Shkodër, zonë e njohur si një bastion i së djathtës. (voa)

Ukrainasit janë skeptikë për armëpushimin

Në Lindje të Ukrainës, separatistët dhe ushtria ukrainase tërheqin armët e tyre të rënda. Megjithatë të enjten vdiqën sërish tre ushtarë ukrainas. Në Kiev nuk beson thuajse askush që armëpushimi do të mbajë gjatë.Tani armët kanë heshtur, në pjesën më të madhe. Vullnetarët ukrainas të Narodny Tyl e përdorin këtë kohë për të mbushur rezervat e tyre. Thuajse askush këtu nuk beson në një armëpushim të qendrueshëm. Në të kaluarën janë thyer kaq shumë armëpushime, thotë Julia Gonçerova. Tek Narodny Tyl Gonçerova është përgjegjëse për farmacitë fushore dhe medikamentet për trupat. “Po të zbatoheshin marrëveshjet unë do të isha pa dyshim pro tyre. Por deri tani ato na kanë sjellë vetëm më shumë vdekje dhe humbje të mëdha territori.”
Këpucë dhe veshje të brendshme të ngrohta
Disa metra më tej, Tetjana ndihmon Sergejin që të ngjisë një karton. Në asnjë mënyrë nuk duhet të humbasë rrugës për në Lindje pakoja me sende me vlerë: këpucë të ngrohta dhe veshje të brendshme termike për frontin. Në sallën e vogël në qendër të Kievit janë mbledhur uniforma, thasë, farmaci fushore por edhe shampo dushi dhe furça dhëmbësh. Ushtrisë ukrainase i mungojnë gjërat më bazore. Para luftës Tetjana ishte menaxhere në një firmë stolish. Që do të kthehet së shpejti në jetën e saj normale, këtë as ajo nuk e beson.
Me metro shkojmë në redaksinë e gazetës së internetit Ukrainska Prawda. Kriza ekonomike ka lënë bosh sipërfaqe të tëra reklamash në shkallët e gjata lëvizëse të metrosë së Kievit. Por në vend të tyre, kudo sheh ngjyrat blu dhe të verdha të flamurit kombëtar me fjalët në gjuhën ukrainase dhe ruse “Vend i bashkuar”. Por deri sa të arrihet bashkimi, kjo mund të kërkojë dekada, deklaroi të enjten (26.02) ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier.
Edhe kryeredaktorja e Ukrainska Prawda-s, Sewgil Mussajewa-Borowik nuk lidh shpresa të mëdha me marrëveshjet e Minskut. Vërtet që kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti i Francës, François Hollande vunë shumë peshë politike në marrëveshjen Minsk II, kështu që të dyja palët do të ndërmerrnin gjithçka, që marrëveshja të mos dështojë, beson Mussajewa-Borowik. Por megjithatë ajo është skeptike, që armëpushimi të mbajë. “Do të hapet më pak zjarr, por do të ketë herë pas here incidente”, thotë gazetarja. Politika e Kremlinit dhe e separatistëve në Ukrainën Lindore është gjithsesi e vështirë për t’u parashikuar. “Objektivi i Rusisë dihet: ajo do t’i shkaktojë vazhdimisht probleme Ukrainës, që njerëzit të humbasin shpresën, se gjendja e tyre mund të përmirësohet.”
Sërish tri ushtarë të vrarë
Në Maidan, në sheshin e pavarësisë, qirinjtë dhe lulet kujtojnë të vrarët e revolucionit një vit më parë. Sot njerëzit kanë frikë se pas Debalçeves mund të bjerë edhe qyteti i rëndësishëm strategjik Mariupol. Pas dy ditëve qetësi, ushtria ukrainase informoi të premten (27.02) për tri ushtarë të vrarë. Megjithë armëwpushimin, separatistët patën sulmuar në tri vende të ndryshme gjatë vijës së armëpushimit. (dw)