Kumanovë, shkatërrimet nga përleshjet e të shtunës

kumanovaBanorët e qytetit të Kumanovës, të befasuar nga ajo që ndodhi këtë fundjavë, sot dolën për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga operacioni i policisë në të cilin u vranë 22 njerëz duke thelluar edhe më tej pasigurinë dhe krizën që tashmë ka përfshirë vendin. Shumë shtëpi në lagjet me shumicë shqiptare të Kumanovës në Maqedoninë veriore, janë dëmtuar.

Qeveria e Maqedonisë thotë se tetë policë dhe 14 anëtarë të “grupeve të armatosura” janë vrarë në një betejë me armë, duke i ciclësuar personat e armatosur si ish-komandantë të rebelëve nga Kosova fqinje  e cila u shkëput nga Serbia në luftën e vitit 1999 dhe dy vite më vonë frymëzoi një kryengritje të shqiptarëve në Maqedoni.

Kryeministri konservator Nikola Gruevski, pushteti nëntë vjeçar i të cilit është kërcënuar nga akuzat për përgjime të ngritura nga udhëheqësi i opozitës Zoran Zaev, sugjeroi se disa nga të vrarët në Kumanovë kanë marrë pjesë në luftërat në “Lindjen e Mesme”.

Ramadan Baftiu dhe shtatë anëtarët e familjes së tij, përfshirë fëmijë, kaluan 12 orë në bodrumin e shtëpisë, duke pritur për përfundimin e operacionit.

Duke qëndruar pranë një muri të rrëzuar të shtëpisë së tij dy katëshe, e cila ishte goditur nga zjarri dhe plumbat, zoti Baftiu thotë se gjërat nuk duken mirë.

“Shtëpia ime së pari duhet të prishet dhe pastaj do të shohim se çka do të bëjmë. Unë dhe familja ime nuk mund të jetojmë këtu”, thotë ai.

Edhe shtëpia e Azem Brahimit u shkatërrua nga përleshjet e fundit në Kumanovë.

“Djali im ka punuar 20 vjet në Zvicër për të ndërtuar këtë shtëpi. Tani çdo gjë është shkatërruar”.

NATO, e cila e shpëtoi ish-republikën e varfër jugosllave nga rrëshqitja në një luftë civile në vitin 2001, bëri thirrje për një “hetim transparent” të ngjarjeve që ndodhën pas hyrjes së policisë së armatosur rëndë në lagjet shqiptare në Kumanovë të shtunën më 9 maj.

Dhuna e së shtunës mund të nxisë frikën e përsëritjes së konfliktit etnik të vitit 2001, kur kryengritësit shqiptarë morën armët për të luftuar kundër forcave qeveritare.

Mes pretendimeve kundërthënëse dhe paqartësive që u kujtojnë konfliktin e vitit 2001, banorët shqiptarë thonë se ata nuk e dinë se ku janë fshehur personat e armatosur, një pretendim që është i pamundur të verifikohet.

Për një banor shqiptar të Kumanovës, Zekerija Ismailin, dhuna nuk ishte vepër e militantëve.

“Terroristët nuk e bënë këtë sepse këtu nuk ka terroristë. Terroristët e vërtetë janë Nikola Gruevski,  Jankullovska, Ali Ahmeti dhe hajdutët e tyre. Ata e kanë sajuar këtë. Ne nuk kemi terroristë këtu”.

Përpjekjet e Maqedonisë për të hyrë në NATO dhe BE, që shihen në Ballkan si një premtim për vende pune, begati dhe liri të lëvizjes, janë bllokuar nga mosmarrëveshjet me Greqinë mbi emrin e vendit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski, tha se 37 policë janë plagosur gjatë përleshjeve, dhe la të hapur mundësinë e rritjes së numri të të vdekurve. Ndërkohë dy policëve të vrarë u është dhënë lamtumira në qytetin perëndimor të Tetovës. (voa)

Frika e Erdoganit nga humbja e votave

erdoganMë 7 qershor në Turqi zgjidhet parlamenti i ri. Partia në pushtet, AKP rrezikohet nga humbjet. Prandaj presidenti Erdogan u bie daulleve të joshjes së elektoratit për AKP-në, dhe injoron kësisoj rregullat kushtetuese.

Deri më tani partia AKP e themeluar në vitin 2001 gjithmonë ka kryesuar në zgjedhjet parlamentare. Pasi në vitin 2002 asaj i mjaftuan rreth 34 përqind të votave për shumicën absolute të vendeve në parlament dhe si rrjedhojë mandatin për qeverisje, në 2007 ajo e rriti kuotën në 46 përqind dhe në vitin 2011 madje arriti të marrë pothuajse 50 përqind të votave. Kësaj radhe situata mund të ndryshojë. Sondazhet parashikojnë për partinë konservatore islamike, edhe pse ajo sërish është shumë më përpara e konkurrencës, vetëm rreth 40 deri në 45 përqind.

Në shikim të parë, kjo është një parti që është për më shumë se dymbëdhjetë vjet në pushtet, një rezultat për t’u krenuar. Por në radhët e AKP-së nuk ndihet aspak fryma për të festuar. Sepse 61-vjeçarit Erdogan, që edhe pas marrjes së postit të presidentit ka mbetur figura kyçe në parti dhe në qeveri, nuk i mjafton vetëm fitorja. Ai do të marrë një shumicë prej të paktën 330 prej 550 deputetëve në parlamentin e ri. Gjithashtu ai dëshiron ndryshimet kushtetuese drejt një sistemi presidencial – me veten e tij në krye, natyrisht. Por AKP aktualisht është larg këtij objektivi. Edhe me rezultatin e saj më të mirë të vitit 2011 ajo arriti të marrë vetëm 326 vende.

Erdogan mësyn sërish në beteja

Përveç tendencës në rënie që parashikojnë sondazhet për AKP-në, ajo ka edhe një problem tjetër: Në rast se partia kurde HDP e kapërcen pragun e përfaqësimit në parlament prej 10 përqind, atëherë mund të rrezikohet shumica absolute e AKP-së në parlament. E gjitha kjo e ka nxitur presidentin të mësyjë përsëri në betejën zgjedhore. Më shumë se 30 manifestime elektorale do të promovojë Erdgani deri në ditën e zgjedhjeve. Këtë maratonë ai e nisi në dielën (10.05.)në Karlsruhe në Gjermani për të joshur votuesit turq në emigracion.

Opozita sheh te sjellja e Erdoganit një shkelje të qartë të rregullave të përcaktuara nga kushtetuta për postin e presidentit. Ai duhet të qëndrojë jashtë politikës së ditës dhe nuk lejohet të jetë anëtar i një partie politike.

“Unë nuk do të qendroj i mënjanuar”

Megjithatë, Erdogan sfidon parimin e neutralitetit. Presidenti është një luftëtar i shkëlqyer dhe sposton anash kryetarin AKP-së dhe kryeministrin Ahmet Davutoglu si dhe praninë e tij. Duke pasur parasysh rëndësinë e zgjedhjeve të qershorit askush të mos presë “që unë do të jem i mënjanuar”, tha të premten (08.05)Erdogan.

Kështu Erdogan e shkel hapur Kushtetutën, thotë gazetari Yavuz Baydar në një intervistë për DW. Baydar konstaton prej disa javësh tek Erdogan dhe AKP “shenja të dukshme të panikut.” Partia në pushtet ka humbur votues dhe deri tani nuk ka gjetur recetën e duhur. Ndër të tjera, gjendja ekonomike luan një rol. Në muajt e fundit rritja ekonomike është dobësuar dhe papunësia është rritur.

Pakënaqësi në lidhje me sjelljen e Erdoganit

Nëse mundet Erdogani ta ndalë këtë tendencë, kjo është e pasigurt. Edhe në kampin e simpatizantëve të AKP-së ka një farë pakënaqësie në lidhje me mospërfilljen nga Erdogani të rregullave të presidencës, thotë gazetari Semih Idiz, në një intervistë për DW. “Mund të thuash, se ndoshta ky është një shijim paraprak i sistemit presidencial, në qoftë se Erdogani mund ta bëjë atë që ai dëshiron.” Ndoshta votuesit konservatorë të AKP-së prandaj kanë kaluar tek partia nacionaliste MHP (“Partia e Lëvizjes Nacionaliste”) apo edhe tek partitë e vogla islamike e ato të krahut të djathtë nacionalist.

Sipas disa parashikimeve elektorale AKP mund të detyrohet pas zgjedhjeve për të hyrë në koalicion ose në bashkëpunim me partitë e tjera në parlament. Kjo vlen veçanërisht në qoftëse HDP arrin të hyjë në parlament. Ndaj një objektiv kryesor elektoral i AKP është mbajtja e partisë kurde nën dhjetë përqind: Erdogani për këtë qëllim po mban një numër të madh fjalimesh në gjuhën kurde në Lindje të Anadollit. (dw)

Maqedoni, përfundon operacioni i policisë në Kumanovë, 22 të vdekur, mes tyre 8 policë

autoblinda kumanoveMinistria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka përmbyllur aksionin policor në lagjen e “Trimave” në Kumanovë me një bilanc tragjik.

Zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski tha se në përleshjen e armatosur kanë humbur jetën 8 policë dhe 14 pjesëtarë të grupit të armatosur, të cilët ai i ka quajtur “persona me uniformë”. Ai bëri të ditur se 37 policë janë plagosur, ndërsa 30 persona të armatosur i janë dorëzuar policisë.

Kotesvki tha se organizatorë të sulmit kanë qenë 5 persona, tre prej të cilëve i janë dorëzuar policisë. Kundër personave që janë dorëzuar është ngritur aktakuzë penale për terrorizëm dhe kërcënim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë së Maqedonisë. Të dielën pasdite ata kanë dalë para gjykatësit hetues.

Qëllimi i grupit të armatosur, sipas policisë, ka qenë që nga fillimi i majit të nisë me sulme ndaj institucioneve.

Operacioni i policisë maqedonase në lagjen e “Trimave” në Kumanovë, të banuar me shqiptarë, që ndodhet rreth 700 metra nga qendra e qytetit, nisi mëngjesin e ditës së shtunë.

Në këtë lokalitet u stacionuan forca të shumta të policisë, të cilat bllokuan rrugën drejt lagjes ku ka ndodhur përleshja.

Sipas ministres së Brendshme, sulmuesit ishin nga Maqedonia dhe nga një vend fqinj, të cilit nuk ia përmendi emrin. Jankullovska tha se personat e armatosur ishin të pajisur me armë automatike, granata dhe snajper.

Ndërkohë, përfaqësitë e SHBA-ve dhe BE-së në Shkup dënuan dhunën dhe bënë thirrje për të ruajtur qetësinë, e për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Edhe partitë politike shqiptare kanë bërë thirrje për qetësi dhe kanë ftuar qytetarët, që të mos bien pre e provokimeve.

Qeveria e Maqedonisë ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar mbi këtë ngjarje të rëndë, për të cilën ka shpallur edhe dy ditë zie, duke nisur nga dita e diel 10 Maj, e deri të hënën më 11 Maj.

/ Top Channel

Bisedat e përgjuara, Sami Ukshini ka biseduar me Thaçin

Sami Ukshini, njëri nga tre udhëheqësit e grupit të armatosur që janë dorëzuar mbrëmë ishte pjesë e bisedave të përgjuara dhe të publikuara nga lideri të opozitës, Zoran Zaev në një nga konferencat e tij të mëhershme.

Në këtë bisedë Sami Ukshini komunikon me liderin e PDSh-së, Menduh Thaçi. Biseda nuk ka asgjë thelbësore por vetëm dëshmon komunikim, afërsinë dhe raportet miqësore mes të dyve. Biseda mban datën e 28 shkurtit 2012. Nga LSDM thonë se jorastësisht kanë zgjedhur që të publikojnë këtë bisedë të liderit të PDSH-së, Menduh Thaçi dhe Sami Ukshini dhe nuk e përjashtojnë mundësinë që ditëve në vazhdim të publikojnë edhe biseda të tjera mes këtyre dyve. Në vazhdim ua sjellim bisedën mes Menduh Thaçit dhe Sami Ukshinit. Alsat-M

Kotevski: Aksioni ka përfunduar grupi i armatosur është asgjësuar

Në konferencën e sotme për media zëdhënësi i MPB-së Ivo Kotevski  ka njoftuar se në Kumanovë ka përfunduar plotësisht  aksioni policorë dhe se grupi i armatosur është asgjësuar në tërësi.

Sipas tij policia në vendngjarje ka gjetur 14 trupa me uniformë.  MPB-ja po punon në identifikimin e trupave të grupit të armatosur.
Kotevski gjithashtu njoftoi se është gjetur  sasi e madhe e armëve të cilat do të dërgohen për ekspertizë të mëtejme.

Sipas Kotevskit deri tani nuk ka njoftime për civilë të vrarë. (alsat)

Po vazhdojnë të shtënat në Lagjen e Trimave në Kumanovë

kumanovaNë Lagjen e Trimave të Kumanovës po vazhdojnë të shtënat sporadike dhe lëvizje të helikopterëve mbi këtë zonë.

Situata mbetet e pandryshuar prej mbrëmë. Një  pjesë e këtyre banorëve janë larguar nga shtëpitë e tyre për të evitur ndonjë incident, për shkak të përqëndrimit të përleshjeve të armatosura.

Njësitet speciale policore janë të stacionuara nga pjesa hyrëse kryesore e lagjes nga tregu i Kumanovës.

Nga ky lokalitet janë të përqëndruar edhe media të ndryshme vendore dhe të huaja, të cilat po ndjekin situatën.

Situata vazhdon të jetë jostabile dhe se pritet ndërhyrja e faktorëve ndërkombëtarë për të ndikuar në mundësitë e normalizimit të situatës.  (INA)

Në orën shtatë të mëngjezit sërish kanë filluar të shtënat e fuqishme me armë të kalibrit të rëndë në Qytetin e Kumanovës.

Situata  është e tensionuar dhe po vazhdon prania e shtuar policore kryesishtë e përbërë nga njësitet speciale .

Sic njofton Agjencia e lajmeve INA zhurmat e helikopterëve të shumtë të policisë dhe ushtrisë kanë zgjuar nga gjumi edhe banorët e qytetit të Shkupit. Nuk dihet akoma nëse ata janë nisur për Kumanovë.

Lidhur me këtë ngjarje dhe konflikt të armatosur ka të dhëna kontradiktore. Përderisa ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska mbrëmë në një konferencë të jashtëzakonshme deklaroi se grupi i armatosur i është dorëzuar policisë, të dhënat në terren konfirmojnë të kundërtën.

Pjesëtar të këtij grupi gjithashtu kanë deklaruar për mediat se Qeveria e Maqedonisë ka përhapur dezinformata se janë arrestuar pjesëtarë të UÇK-së.

“Këtë situatë e kanë inskenuar shteti maqedon për arsye se ata e humbën luftën në ora 11:00. Për t’u nxjerr me fitore kanë vazhduar me popullatë, e për t’i mbuluar vrasjet e tyre në popullin civil i kanë paraqitur si UÇK edhe civilët. Kështu që nga pjesëtarët e UÇK-së s’ka as të vrarë as të dorëzuar, veç të plagosur dy persona dhe askush tjetër”, ka thënë një pjesëtar i këtij grupi.

Sipas tij, “beteja” e Kumanovës i është dedikuar “Komadantit Harun Aliu që u vra pesë vite më parë me Xhafer Shalën në Radushë të Shkupit”.

“Kjo luftë ka pasur me ndodhë me datën 12, pikërisht në datën kur u vranë Komadant Harun Aliu në Radush të Shkupit”, ka thënë ai.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë konfirmuar zyrtarisht se deri më tani janë vrarë pesë policisë dhe 30 të tjerë janë plagosur. MPB nuk ka konfirmuar të dhëna lidhur me vrasjen e pjesëtarëve të këtij grupi dhe të civilëve. (INA)

Isamedin Osmani polici i vrarë nga radhët e policisë

kumanoveIsamedin Osmani, nga Studeniçani i Shkupit është pjesëtari i policisë së Maqedonisë që është vrarë në përleshjet e mbrëmshme të armatosura në Kumanovë.

Lajmi bëhet i ditur për INA, ndërsa bëhet e ditur se pjesëtari është nga Studeniçani i Shkupit, varrimi i të cilit do të bëhet sot pas namazit të drekës.

MPB pritet të jap hollësi dhe të zbardh identitetin e dy policëve të vrarë nga pesë policët që dje u vranë në përleshjet e armatosura në Kumanovë. Deri tani është zbardhur identiteti i tre pjesëtarëve të policisë. (INA)

Merren në pyetje dhjetra gra e pleq nga policia maqedonase

policia mkMë shumë se 50 shqiptar që kanë banuar në lagjen e Trimave në Kumanovë gjenden në stacionet policore në bisedë informative bëjnë të ditur informacione jozyrtare nga terreni. Në mesin e tyre gra, pleq dhe fëmijë.

Informacionet jozyrtare flasin se këta persona janë marrë nga policia në bisedë informative për kinse a kanë dijeni me grupin e armatosur që dje u përleshë me policinë maqedonase ku 5 pjestar të njësiteve speciale humbën jetën, ,ndërsa më shumë se 20 policë u plagosën.

Familjarët e këtyre mbi 50 personave kërkojnë ndihmë nga institucionet përgjegjëse dhe OSBE-ja që të dinë më shumë për fatin e tyre, pasi në mesin e tyre ka fëmijë , grad dhe pleq. (Fjala)