Kosova në prag të raportit final për liberalizimin e vizave

vizaUdhëheqësit e institucioneve të Kosovës kërkojnë nga Komisioni i BE që t’i sigurojnë Kosovës një vlerësim të mirëfilltë, transparent dhe të drejtë, pikërisht ashtu siç është proceduar edhe për vendet tjera të rajonit.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, iu bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të fokusohen në përmbushjen e kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave. Fokusi të veçantë sipas Samuell Zhbogar, duhet të jetë në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave, dhe të punohet shumë në riatdhesim dhe integrimin e atyre që kthehen. Këto deklarata, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, i bëri në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, ku fokusi i takimit ishte bilanci në përmbushjen e kritereve të Kosovës për liberalizimin e vizave.

Në këtë takim, i cili udhëhiqet nga presidentja Atifete Jahjaga, morën pjesë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, përfaqësuesi special të Bashkimit Europian, Samuel Zhbogar, deputetë të kuvendit, ministra, përfaqësues të organeve të drejtësisë, prokurorisë, të asociacionit të bizneseve e të shoqërisë civile.

“Fatkeqësisht këtë vit keni humbur shumë kohë në krijimin e institucioneve dhe jeni përballur me ikjet masive që kanë ndodhur në fillim të vitit. Kjo do të thotë se, nëse nuk fokusohemi, nuk kemi shumë kohë për përmbushjen e kritereve që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave. Siguria dhe sundimi i ligjit vazhdojnë të mbeten fushat më të ndjeshme. Prandaj, përmirësimi i sundimit të ligjit, adresimi i korrupsionit dhe pastrimit të parave, duhet të jenë prioritete që raporti, i cili do të dorëzohet për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, të marrë përgjigje pozitive”, tha Samuel Zhbogar.

Kosova ka parashikuar që deri në fund të këtij muaji ta ketë të kompletuar raportin me të gjitha kriteret që kërkohen për liberalizimin e vizave dhe atë ta dorëzojë në Komisionin Evropian për vlerësim.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila udhëheq Këshillin Kombëtar për Integrim Evropian, tha se institucionet e Kosovës janë në fazën e fundit të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, ndërsa, vlerësoj se përmbushja e pak kritereve të mbetura, tash është çështje e vullnetit politik kosovar për ta përmbyllur këtë proces.

“Kërkesat e mbetura që i kemi përpara varen tërësisht nga ne dhe ekziston një pajtim i përgjithshëm që në fund të këtij muaji, pra në fund të muajit maj, të jemi në gjendje ta dorëzojmë raportin dhe ta ftojmë Komisionin për të vlerësuar përmbushjen e standardeve me bindje për një vlerësim pozitiv gjatë këtij viti që do t’i hapte rrugë procesit të liberalizimit vitin e ardhshëm”, tha presidentja Jahjaga, duke bërë thirrje që të tejkalohet çdo pengesë institucionale apo ligjore dhe të mundësohet plotësimi i të gjitha kritereve të kërkuara nga Komisioni Evropian.

Presidentja përmendi një nga një sfidat dhe tensionet me të cilat u përball Kosova në gjysmën e parë të këtij viti, sidomos vala e migrimit ilegal që ishte më e madhja që nga përfundimi i luftës dhe që ka dëmtuar procesin e liberalizimit të vizave.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha se progresi i arritur viteve të fundit qoftë në konsolidimin e kornizës ligjore dhe strategjike, pastaj në konsolidimin e mekanizmave institucionalë dhe rezultatet e prekshme të arritura në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit, është reflektuar në raportet e fundit të Komisionit Evropian.

“Dëshiroj të theksoj se ky progres është vlerësuar edhe nga ana e përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Evropian. Megjithatë, jemi po ashtu të vetëdijshëm për kriteret e mbetura dhe të pa adresuara për të cilat institucionet tona janë zotuar t’i përmbyllin deri më 15 maj. Jemi zotuar që institucionet tona ta dorëzojnë raportin final deri në fund të majit, ku do të pasqyrohet progresi në përmbylljen e kritereve të mbetura”, tha kryeministri Isa Mustafa. Sipas tij, pakoja e ligjeve të gjyqësorit, të drejtave të njeriut, të prokurimit publik do të kalojë në Kuvend së bashku me ligjin për përgjimet dhe krahas aprovimit do të merren masa të menjëhershme për zbatimin e këtyre ligjeve, sepse ndërlidhen me aspekte të caktuara të liberalizimit të vizave.

Kryeministri Isa Mustafa, më tej tha se marrja e vizave tash për tash në ambasadat në Kosovë, është një proces shumë i vështirë dhe i ndërlikuar, si për ata që bëjnë biznes, për ata që dëshirojnë të studiojnë jashtë, ata që kanë nevojë të shërohen kur nuk gjejnë zgjidhje në Kosovë, e po ashtu edhe ata që shkojnë të vizitojnë të afërmit e tyre.

“Bashkimi Evropian nuk duhet të lejojë që kosovarët të mbesin edhe një kohë në geto, sepse vazhdimi i një gjendjeje të tillë do të ishte i dëmshëm si për Kosovën ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Qeveria e Kosovës do të bëjë përpjekje maksimale që t’i përmbushë të gjitha detyrimet, që t’i kryejë detyrat që i ka bazuar në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Prandaj, vlerësoj se Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet t’i sigurojnë Kosovës një vlerësim të mirëfilltë, transparent dhe të drejtë, as më shumë as më pak se sa çfarë është bërë me vendet tjera të rajonit”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Fenomeni që ka dëmtuar tejmase procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, është migrimi i paligjshëm që ndodhi në fund të vitit të shkuar dhe në fillim të këtij viti, ku dhjetëra mijëra qytetar të Kosovës mësynë drejt vendeve të Bashkimit Evropian duke kërkuar azil. Vendi ku më së shumti kosovarë kërkuan azil, është Gjermania. Në mediet e Kosovës vazhdimisht shkruhet se shanset e këtyre kosovarëve që t’u pranohet azili në Gjermani janë zero.

Nga një hulumtim i publikuara të hënën me (04.05) nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), thuhet se përgjegjëse për migrim eventual ilegal, është qeveria e Kosovës.

Rreth 88 për qind nga njëmijë të anketuarit, të cilët janë qytetarë më të prirë të migrojnë në vendet e BE-së, përgjegjëse e bëjnë qeverinë e Kosovës, sipas sondazhit.

Sipas këtij hulumtimi, arsyet se pse qytetarët e Kosovës do të migronin janë, humbja e shpresës se situata social-ekonomike dhe politike do të përmirësohet, kërkimi i një jetë më të mirë dhe situata e rëndë ekonomike.

Rezultatet e analizës tregojnë se shumica e individëve të gatshëm për të migruar i takojnë grupmoshave të reja.

“45 për qind e individëve që i takojnë grupmoshës 18-25 vjeç dhe asaj 25-34 vjeç, janë shprehur të gatshëm për të migruar”. Në këtë analizë rekomandohet që qeveria e Kosovës të ketë një qasje më proaktive në negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve për punësim sezonal me vendet e Bashkimit Evropian, SHBA-në dhe Kanadanë e Australinë. (dw)

Shpërthim i fuqishëm pranë selisë së BDI-së në Tetovë

selia bdiPranë selisë së BDI-së në Reçicë të Tetovës ka vazhduar prania e shtuar policore pas shpërthimit që ndodhi mbrëmë.

Burime të afëra partiake i kanë thënë portalit “TetovaSot” se dy persona me motoçikletë kanë hedhur mjetin shpërthyes pranë selisë së BDI-së në Reçicë të Vogël në Tetovë.

Në momentin e shpërthimit në ambientet e brendshme ka qenë vetëm një roje, dhe asnjë nga krerët apo shërbimet partiake.

Nga shpërthimi i fuqishëm është dëmtuar muri rrethues i selisë partiake.

Nuk raportohet për të plagosur, përveç një rasti të paraqitur në Klinikën e Tetovës. Banorët e zonës theksojnë se njëri nga fëmijët e fqinjëve i frikësuar nga shpërthimi i fuqishëm është rrëzuar pranë shkallëve të shtëpisë dhe ka pësuar lëndime të lehta dhe se pas trajtimit mjekësor ai po lëshuar për shtëpi.

Banorët e kësaj lagjeje nuk dijnë të shpjegojnë për detaje, përveç që kanë dëgjuar shpërthimin e fuqishëm. (INA)

03/05/2015 – 22: 15 - Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur sonte pranë selisë qendrore të BDI-së në Reçicë të Tetovës.

Mjeti shpërthyes është hedhur pranë selisë partiake, por deri tani bëhet e ditur për INA se nuk ka viktima në njerëz dhe të plagosur. Bëhet e ditur vetëm për dëme materiale.

Ekipe të SPB-së së Tetovës kanë dalur në vendin e ngjarjes. Dyshohet se bomba e hedhur është e tipit ‘kashikara’.

Policia ka siguruar zonën për të kryer ekspertizën dhe se nuk janë lejuar lëvizje pranë selisë partiake të BDI-së. (INA)

MASH nuk heq dorë nga matura shtetërore dhe testimi ekstern pavarësisht protestave

Ministria e Arsimit njoftoi në orët e pasdites se nuk heq dorë nga provimi i maturës shtetërore, si dhe nga testimi ekstern. Pavarësisht protestave dhe kampimit të nxënësve, nga MASH, sot njoftuan se, “si proces i verifikimit të njohurive të fituara në arsimin e mesëm dhe parakusht për vazhdimin e arsimimit të lartë, matura shtetërore do të vazhdojë të zbatohet edhe në vitin shkollor 2014/2015.

Gjithashtu, do të vazhdojë të zbatohet edhe procesi i testimit ekstern, përmes të cilit, prej 3 vjetësh tashmë kontrollohen arritjet e njohurive të nxënësve dhe objektiviteti i vlerësimit të mësimdhënësve. Por, nga ministria e arsimit, theksuan se lëshimi i vetëm është kthimi i modelit të vjetër të nënshtrimit të maturës shtetërore, pra, testimi të realizohet në formë të shkruar, ndërkohë që lënda e matematikës të jetë alternativë për të gjithë nxënësit. Nga dita e hënë do të fillojë edhe paraqitja e maturantëve për dhënien e maturës shtetërore sipas modelit të vjetër, ndërsa sa i përket testimit ekstern sipas praktikës së deritanishme, gjatë ditëve në vazhdim do të publikohen edhe pyetjet për të gjitha lëndët në këtë vit shkollorë. Nga ministria e Arsimit vënë theksin se mungesa e paarsyeshme e mësimit vendos në rrezik serioz procesin arsimor. (alsat)

 

Sekretariati i Energjisë mirëpret miratimin e Ligjit për Energjinë në Shqipëri

eric-buschelSekretariati i Komunitetit të Energjisë e ka mirëpritur të hënën miratimin nga Parlamenti i Shqipërisë të ligjit të ri për Energjinë Elektrike, në përputhje me Paketën e Tretë Rregullatore.

Dirk Buschle, zv.drejtori i Sekretariatit të Energjisë, ka deklaruar se, rëndësia e ligjit të sapomiratuar në Shqipëri shkon përtej anës formale të përmbushjes së detyrimeve të legjislacionit europian.
“Ligji përbën një hap vendimtar përpara në rrugën e gjatë të reformës energjitike në Shqipëri, për të cilën ai vendos një themel të fortë. Që në fazën e draftit paraprak të këtij ligji, ne kemi punuar ngushtësisht sëbashku me autoritetet shtetërore në Shqipëri. Jam veçanërisht mirënjohës për bashkëpunimin që kemi patur me partnerë të aftë e të përgjegjshëm në Qeveri dhe në Parlament, ndaj më duhet t’i përgëzoj për punën e tyre”, ka shtuar Buschle.

Mes vendeve kontraktuese të Komunitetit të Energjisë, Shqipëria është shteti i dytë që miraton kërkesat e Paketës së Tretë Rregullatore për sektorin energjitik.

/ Top Channel

 

Molusqet, qeniet me dhëmbë të forta

MolusqeDhëmbët e molusqeve janë tepër të forta. Ato përbëhen nga fibra mikroskopike, 100 herë më të holla se flokët e njeriut dhe më të forta se fibra sintetike.

Në se do të kishim një fije spageti të prodhuar nga ky material me të mund të ngrihej një hipopotam.

Substanca bazë e këtyre dhëmbëve është një lloj minerali nga i cili përbëhet ndryshku. Kjo i lejon molusqet të ngjiten pas gurëve ndërsa ushqehen me leshterikë.

Në të ardhmen ato mund të gjejnë vend përdorimi në makina, anije dhe aeroplanë për t’i bërë këto mjete më të sigurta. Fija e merimangave ka qenë materiali më i fortë natyror biologjik. Por jo më, tani dhëmbët e molusqeve zënë vendin e parë.    (voa)

Trajtim më i shpejtë: 99% e kërkesave për azil nga Kosova refuzohen

azilantetKryeministri i landit të Saksonisë së Poshtme kërkoi të shtunën trajtimin edhe më të shpejtë të kërkesave për azil që vijnë nga qytetarët e Kosovës. 40% e azilkërkuesve në Gjermani aktualisht vijnë nga Ballkani.

Mediat gjermane njoftojnë se kryeministri i landit gjerman të Saksonisë së Poshtme Stephan Weil i partisë socialdemokrate ka kërkuar që të përshpejtohet sa të jetë e mundur trajtimi i kërkesave për azil që vijnë nga qytetarët e Kosovës. Kërkesat e azilantëve nga Kosova refuzohen në masën 99%, është shprehur kryeministri i landit në gazetën e Hanoverit “Hannover Presse” në botimin e së shtunës. Stephan Weil ka kritikuar faktin që trajtimi i këtyre kërkesave zgjat më shumë se një vit, megjithëse vetë azilkërkuesit e kanë të qartë se ata nuk kanë të drejtë azili në Gjermani.

Qëllimi duhet të jetë sipas kryeministrit të landit të Saksonisë së Poshtme që më së voni pas një tremujori të kemi një vendim të bazuar ligjërisht. Me procedime të tilla të përshpejtuara mund të arrihet reduktimi i numrit të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit. Në muajt e fundit është rritur në mënyrë masive numri i azilkërkuesve nga vendet e rajonit, sidomos nga Kosova, Shqipëria e Serbia. 40% e të gjithë azilkërkuesve në Gjermani aktualisht vijnë nga Ballkani. Për autoritetet ky fluks bllokon fonde dhe punonjësit e zyrave të azilit për të ndihmuar ata refugjatë, të cilëve u është njohur azili, të ardhur nga vendet e luftës dhe krizave.

Kontrolle të rrepta në kufi

Politikanët gjermanë kanë kërkuar shpesh në javët e fundit kontrolle më rigoroze për kufizimin e imigrimit nga vendet e Ballkanit. Vetëm dy ditë më parë ishte ministrja e landit të Baden-Vyrtembergut për Integrimin, Bilkay Öney (SPD) e cila kërkoi kontrolle më të rrepta në kufij. “Kufijtë tani aktualisht janë shumë lehtë të kalueshëm”, ka thënë Öney për gazetën gjermane “Die Welt”, duke shprehur edhe keqardhjen pse nuk janë shpallur vende të sigurta origjine edhe Shqipëria dhe Kosova, ashtu si më parë edhe Serbia, Bosnja-Hercegovina dhe Maqedonia.

Aktualisht kryeministri i landit të Saksonisë kërkon shtimin e personelit për Zyrën Federale të Migracionit, dhe marrjen e shpenzimeve për trajtimin e kërkesave të azilit nga federata. Më 8 Maj kancelarja gjermane Angela Merkel ka ftuar në një takim të nivelit të lartë në zyrën e saj, temë debati do të jenë shpenzimet e akomodimit dhe integrimit të refugjatëve. (dw)

Bie vaksinimi në shkallë globale

vakcinimiOrganizata Botërore e Shëndetit shënon Javën Botërore të Imunizimit çdo vit gjatë javës së fundit të prillit. Këtë vit, Organizata Botërore e Shëndetit raporton se ka rënie të imunizimit dhe se fëmijët nuk po marrin vaksinat që u shpëtojnë jetët.

Luftëra, sëmundje e madje edhe zgjedhje personale kanë lënë fëmijët në vende të pasura dhe të varfëra të paimunizuar. Organizata Botërore e Shëndetit thotë se ritmet drejt objektivave globale për këtë vit janë larg synimeve. Jean-Marie  Okwo-Bele është me Organizatën Botërore të Shëndetit.

“Një në pesë fëmijë të paktën nuk është përfshirë në ciklin rutinë të vaksinave.”  

Në anën praktike kjo nënkupton se një milion e gjysëm fëmijë mund të vdesin nga sëmundje të parandalueshme si poliomeliti, tetanozi e të tjera.

Vetëm nga mesi i prillit filloi përsëri programi i imunizimit në vendet e goditura nga Ebola të Afrikës Perëndimore. OBSH thotë se shumica e fëmijëve të paimunizuar jetojnë në vendet më të varfëra të botës.

Por disa jetojnë në vende të pasura si Shtetet e Bashkuara. Amerika përjetoi përhapjen e fruthit që filloi në parkun Disneyland në Kaliforni dhjetorin e kaluar dhe zgjati deri nga mesi i prillit. Fruthi mund të shkaktojë vdekjen, humbjen e shikimit, dëgjimit apo dëmtim të përhershëm të trurit.

Por disa prindër po lobojnë për të drejtën për të vendosur vetë për vaksinimin. Një prej tyre është edhe Elizabeth Bell.

“Dua të drejtën të vendos se çfarë mund të injektohet në trupin e fëmijës.” 

Shumë prej prindërve shqetësohen se vaksinat shkaktojnë autizmin, pavarësisht studimeve që tregojnë të kundërtën.

Një studim që hedh poshtë ndonjë lidhje mes vaksinës kundër fruthit dhe shytave dhe autizmit është publikuar në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë. Studimi hulumtoi afro 100 mijë fëmijë që ishin vaksinuar deri në moshën pesë vjeçare. Mjeku Anjali Jain udhëhoqi studimin.

“Nuk gjetëm prova të lidhjeve të dëmshme mes vaksinave dhe çrregullimeve të autizmit.”  

Sipas Organizatës Pan American Health, që është pjesë e OBSH, rubela, një sëmundje virale e ngjashme me fruthin, është zhdukur në Amerikë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë synon të eliminojë rubelën nga një tjetër rajon deri nga fundi i këtij viti dhe të dyfishojë përpjekjet për të siguruar që më shumë fëmijë të marrin vaksinat e nevojshme për të qënë të shëndetshëm dhe për një jetë produktive. (voa)

Shqipëria me gazetari në stanjacion

GazetariaDita Botërore e Lirisë së Shtypit 2015 në Shqipëri. Përfaqësuesit e mediave thonë se jemi larg lulëzimit të lirisë gazetareske dhe kemi gazetari në stanjacion.

Që nga viti 1991, 3 Maji, përkujtohet si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Kjo ditë u shpall nga Kombet e Bashkuara, me propozim të UNESCO-s, frymëzuar nga procesi i demokratizimit të shoqërive në Afrikë dhe fundi i Luftës së Ftohtë. Çdo vit, UNESCO përcakton një temë qendrore për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e shtypit në mbarë botën. Tema qendrore e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit 2015 është: Le të Lulëzojë Gazetaria! Drejt një Raportimi më të Mirë, Barazie Gjinore! Si paraqitet situata në Shqipëri në raport me këtë temë?

Ylli Rakipi, Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve, drejtues i programit ”Të paekspozuarit” një nga më të ndjekurit aktualisht në Shqipëri, në TV “Ora News” thotë për DW: ”Në Shqipëri shtypi, media nuk është drejt lulëzimit, pasi është pjesërisht e lirë. Nëse 10 vjet më parë, ishte politika që ushtronte presion të madh mbi shtypin, median sot janë pronarët që diktojnë politikën editoriale në favor të njërës apo tjetrës parti. Atë që para një dekade e realizonte politika, sot e realizojnë pronarët. Mungesa e lirisë ekonomike është faktori thelbësor, që i detyron pronarët të jenë partnerë të politikës. Për pasojë, një pjesë e rëndësishme e medias ekziston thjesht për trafik influencash me pushtetin dhe politikën. Ajo nuk mund ta informojë publikun në atë mënyrë që ai të jetë në gjendje ë marrë vendime që çojnë në zhvillimin e shoqërisë”.

Në vend të lulëzimit – stanjacion

Ky cënim i lirisë së shtypit dhe deformim i misionit të medias përbën edhe arsyen bazë pse në Shqipëri sot nuk bëhet fjalë për një lulëzim të gazetarisë. Ben Andoni, zëvendëskryeredaktor i revistës së përjavshme”Java” thotë për DW:
“Gazetaria e vitit 2015 është në stanjacion. Mungon një media specifike, ku politikat editoriale të jenë të pavarura. Ekonomikisht është shumë e vështirë që në Shqipëri të bësh një media të pavarur, pasi askush nuk është i interesuar ta mbajë ose të bëjë biznes përmes saj. Media është kthyer në një tifoze të mirëfilltë të politikës. Mjafton të shikosh renditjen standarde të edicioneve të lajmeve që të kuptosh se pesha specifike shkon tek politika, që do të thotë se politika editoriale është krejtësisht e varur nga interesat politike të pronarëve të shtypit dhe medias”

Pushteti i pronarëve dhe kasta e pasuruar e gazetarëve

Ajo që po ndodh në Shqipëri është se pronarët e mediave po shnëdrrohen nga dita në ditë në shkelësit kryesorë të lirisë së shtypit dhe minimit të një gazetarie në shërbim të publikut dhe zhvillimit të shoqërisë. “Pushteti i madh i pronarëve dhe përfitimet që ata marrin nga pushteti janë kërcënimi kryesor ndaj lirisë së shtypit. Pa harruar një kastë gazetarësh të pasuruar frikshëm, që u shërbejnë pronarëve apo grupime që informojnë pa kompetencë për çdo problem” thotë për DW, Ben Andoni.
Situata vjen e rëndohet ngaqë Shqipëria është një vend, që nuk ka një ligj për lirinë e shtypit. Ka vetëm një nen në Kushtetutë ku thuhet se “shtypi është i lirë; liria kufizohet vetëm përmes kushtetutës dhe ndalohet marrja e çdo mase tjetër që prek lirinë e shtypit”. “Mungesa e ligjit dhe shndërrimi i pronarëve në gardianë të medias së tyre përbëjnë kërcënimet kryesore të lirisë së shtypit” thotë për DW, Ylli Rakipi.

Media, korrupsioni dhe ligji

Por peisazhi mediatik në Shqipërisë nuk është uniform lidhur me kufizimin e lirisë dhe gazetarinë në shërbim të publikut.“Ka segmente mediatike që punojnë, që zbulojnë afera korruptive, abuzime me pushtetin, padrejtësira, por e keqja është që pas publikimit të tyre nuk ndodh asgjë, kjo sepse jemi një vend ku ligji ekziston por nuk funksionon. Publikohet një aferë korruptive dhe pas tri ditësh çdo gjë harrohet. Po të ishim në Perëndim dikush do të përgjigjej: ose pushtetari i lartë i korruptuar, ose media, ose gazetari që ka bërë publikimin” thotë Ylli Rakipi.

Për Ben Andonin pak afera korruptive zbulohen nga gazetarët.Për fat të keq ata që punojnë në mënyrë të pavarur janë të paktë.

“Zbulimi i aferave korruptive nga media më shumë përdoret kundër palëve. Në shumicën e rasteve korrupsioni në Shqipëri ka përfshirje të shumëanshme, ndërsa paraqitja e tij në shumicën e rasteve ka vetëm një kah, pa përmendur sistemin. Ka pak gazetarë që punojnë në mënyrë të pavarur, ata janë nën sulm dhe të pasigurtë” thotë ai për DW.

Mungojnë nismat në favor të lirisë së shtypit

Në Raport -Progresin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë vihet në dukje se mbetet një sfidë madhe “ndërhyrja në media e interesave politike dhe ekonomike”. A ka nisma që synojnë lirinë e medias dhe për pasojë luftën ndaj ndërhyrjeve të tilla? “Në Shqipëri nuk ka nisma reale që të favorizojnë lirinë e medias. Ka seminare, projekte të shumta, ku harxhohen jo pak para dhe fonde të BE dhe Perëndimit, ka organizma që janë bërë mjeshtra të këtij biznesi, ” thotë Ylli Rakipi.

Ndërsa Ben Andoni mendon se të tilla nisma nuk mungojnë. Por ato bëhen “nga të njëjtët subjekte, të njëjtët personazhe, që deri më tani nuk kanë arritur asgjë, pasi nuk kanë integritet moral”, thekson ai.“OSBE dhe Instituti i Medias kanë bërë disa nisma, por ato nuk ia kanë dalë mbanë të ndryshojnë situatën, sepse mendoj që autoriteti i tyre nuk i përgjigjet realitetit të sotëm në klimën mediatike shqiptare”, vëren Ben Andoni.
Barazi dhe ekuilibër gjinor?

Për Ylli Rakipin, sa i përket kësaj çështjeje në Shqipëri këtë 3 Maj ka tregues pozitivë. “Ka një raport të mirë gjinor, të ardhur në mënyrë normale, pa u sforcuar. Shpresoj që të mos ketë ndonjë nismë nga qeveria për hartimin e një ligji për barazinë gjinore në media! Të paktën kemi një vetërregullim që bazohet mbi kritere aftësie dhe profesionale.”
Kurse për Ben Andonin situata paraqitet ndryshe. “Dominon pjesa mashkullore, por edhe pjesa femërore, kur vjen në pozicionin vendimmarrës i bindet njësoj interesave”, mendon ai. (dw)