Euronews: Ja çfarë po ndodhë në Kumanovë

autoblindiRrjeti i njohur televiziv Euronews raporton siç thuhet se “policia maqedonase ka nisur një operacion në qytetin etnikisht të përzier verior të Kumanovës kundër njerëzve të armatosur dhe të uniformuar që besohet të jenë shqiptarë etnikë”.

Një fotograf i Reuters tha se njësi speciale policore dhe automjete të blinduara kanë mbyllur një zonë të tërë të Kumanovës, rreth 40 km në veri të kryeqytetit të Shkupit, ku kjo zonë njihet që ka pasur luftime gjatë kryengritjes shqiptare në 2001.

 

“Tensionet kanë qenë në rritje në vend pasi që opozita fajësoi koalicionin qeverisës konservatore e një përgjimin masiv të fushatës.  Një parti shqiptare etnike është pjesë e koalicionit qeverisës, por ekstremistët brenda në zonën e Kumanovës kanë kërkesa se pakica etnike  nuk gëzon të njëjtat të drejta si sllavët maqedonas. Muajin e kaluar një grup i armatosur që pretendojnë të jenë anëtarë të një force rebele etnike shqiptare mori një post kufitare në kufirin me Kosovën dhe pastaj u tërhoq nga zona”, raporton Euronews. (INA)

UÇK: Nuk jemi “grup terrorist”, por strukturë ushtarake

uckUshtria Çlirimtare Kombëtare mbrëmë pas mesnatës ka dalë edhe me një deklaratë, përmes se cilës konfirmon pjesëmarrjen në konfliktin e armatosur me forcat policore maqedonase, por mohon të jenë “grup terrorist”, siç i ka cilësuar ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska.

Ushtria Çlirimtare Kombëtare, duke konfirmuar numrin prej 5 policëve të vrarë dhe mbi 20 të plagosur kërkon nga Jankullovaska që të mos mashtrojë opinionin se kinse pjesëtarët e UÇK-së janë dorëzuar, duke thënë se të dorëzuarit janë civilë të mashtruar nga Qeveria maqedonase.

Nga qeveritë shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë kërkohet që të rrinë larg fjalëve diplomatike të pavlera për këtë situatë, të kthejnë vëmendjen me reagimin pozitiv drejt organizatave ndërkombëtare europiane, për ndaljen e dhunës policore mbi popullsinë civile të pafajshme.

Lexojeni të plotë kumtesën e UÇK-së:

KOMUNIKATË NR. 4
Opinionit shqiptar.
Në këtë kohë të vështirë letrat janë hapur me shtetin policor antidemokratik të IRMJ.

Konflikti i armatosur në qytetin e Kumanovës, dhe rrethinat e tij është një reagim i vendosur i strukturave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe jo “i grupeve terroriste”, sipas variantit zyrtar të Ministrisë së Brendshme të IRMJ.

Deklarimet e Jankullovskës janë të sakta për dëmet që kanë pësuar forcat e saj kriminale. Rezultojnë 5 policë të vrarë dhe mbi 20 të plagosur. Kjo është pasoja e reagimit tonë të ashpër, të cilin nuk do ta ndalim në ditët që vijnë.

Jankullovska tu vërë emrin e vërtetë “të arrestuarve” pas “dorëzimit të tyre”, të mos mashtroje opinionin e vëmendshëm shqiptar dhe më e pakta, t’i kthejë edhe një herë prapa ata civilë të paguar dhe t’i veshë me uniformën ushtarake.

Ne hedhim poshtë me përbuzje këtë inskenim të turpshëm dhe amator, pre e të cilave janë bërë një numër i madh portalesh dhe gazeta e agjenci lajmesh, të cilat në mënyrë jo profesionale janë përpjekur të dezinformojnë opinionin shqiptar. Jemi mësuar me veprime e qëndrime të tilla policore në një qeveri policore.

Mashtrimi sipas versionit zyrtar të Ministrisë së Brendshme të IRMJ tregon qartë frikën që ka kapur strukturat shtetërore, përballë reagimeve tona dhe valës në rritje të protestave paqësore të shqiptarëve kudo, brenda dhe jashtë IRMJ. Mbështetja e vëllezërve tanë brenda dhe jashtë territoreve shqiptare është e ndjeshme dhe vazhdon të jetë në rritje.

Shtabi i drejtimit bën me dije se, forcat tona janë plotësisht të organizuara në zonën e tyre të aksionit, të disponueshme dhe të afta, me mjete të mjaftueshme që të vazhdojnë luftën kundër strukturave kriminale të shtetit të IRMJ. Shpifjeve “zyrtare” të Jankullovskës u doli ngjyra edhe në këtë rast.

I bëjmë me dije qeverisë shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë, larg fjalëve diplomatike të pavlera për këtë situatë, të kthejnë vëmendjen me reagimin pozitiv drejt organizatave ndërkombëtare europiane, për ndaljen e dhunës policore mbi popullsinë civile të pafajshme.

Ne nuk do të mbajmë më përgjegjësi për ata shqiptarë që vazhdojnë të qëndrojnë brenda strukturave policore dhe ushtarake të shtetit të IRMJ.

Strukturat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare janë në mbrojtje të popullatës dhe ju bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe rrinë larg vatrave të përplasjes me armë.

Të gjithë bashkë, kundër shpifjeve, gënjeshtrave, përçarjes dhe akuzave pseudopatriotike, me besim se do ta rrëzojmë këtë regjim kriminal, për ti hapur rrugën lirisë dhe dinjitetit kombëtar.
Rroftë Kombi Shqiptar
Zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare
Gostivar 
9 maj, ora 01. 30v

 

Qeveria e Maqedonisë shpallë ditë zie

qeveria e mkQeveria e Maqedonisë ka shpallur dy ditë zie pas vrasjes së pesë policëve në aksionin policor në Kumanovë.

Kështu, data 10 dhe 11 Maj do të jenë ditë zie dhe flamujt e Maqedonisë do të ulen në gjysmë shtyzë ndërsa mediat nuk do të transmetojnë muzikë dhe programe argëtuese. (INA)

DioGuardi: Maqedonia do të zhbëhet

Maqedonia nuk do të mundë të ekzistojë si shtet, nëse shqiptarëve nuk u jepet më shumë pushtet politik.

Kështu ka deklaruar në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive për gazetën “Zëri” ish-kongresisti amerikan, Joseph DioGuardi, duke shtuar se nëse nuk ndërmerren veprimet e duhura për 800 mijë shqiptarët që jetojnë atje, harroni shtetin që quhet Maqedoni.

Ish-kongresisti amerikan me prejardhje shqiptare thotë se nuk planifikon ta vizitojë Kosovën në një të ardhme të afërt, pasi që, siç thotë ai, jeta e tij do të ishte në rrezik.

“Nuk ka siguri për mua më në Kosovë. Jeta ime do të ishte në rrezik. Edhe Millosheviqi më ka fajësuar mua që e kam dërguar në Hagë. A nuk mendoni se disa serbë apo disa shqiptarë të çmendur mund të marrin disa para dhe të bëjnë ndonjë çmenduri”, shprehet mes tjerash ai

UÇK u kthye në Kumanovë për ti nxjerrë 3 bashkëluftëtarë

uckTre ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare kishin mbetur deri para pak qastesh në Kodrën e Trimave në Kumanovë, nga mëngjesi kur edhe kishin filluar luftimet në këtë vend.

Pjestarë të UÇK-së kanë konfirmuar për Gazetën Fjala se një grup është kthyer për ti nxjerrë nga luftimet ushtarët e mbetur në Kumanovë.

“Asnjë pjestar nga radhët tona nuk janë dorzuar. 3 prej tyre kanë mbetur atje por edhe ata janë nisur tash për me i nxerr. Ata të cilët janë arrestuar janë civil”, thotë ky pjestar për Gazetën Fjala.

Sipas tij, Qeveria e Maqedonisë ka përhapur dezinformata se janë arrestuar pjestarë të UÇK-së.

“Këtë situatë e kanë inskanuar shteti Maqedon për arsye se ata e humbën luftën në ora 11, e për tu nxerr ata me fitore kanë vazhdu me popullatë, e për ti mbuluar vrasjet e tyre në popull civil ata i kanë paraqitur si UÇK edhe civilët. Kështuqë nga pjestarët e UÇK-së s’ka as të vrarë as të dorëzuar, veç të plagosur dy persona dhe askush tjetër”, ka thënë ai për Gazetën Fjala.

Sipas tij, “beteja” e Kumanovës i është dedikuar “Komadantit Harun Aliu që u vra 5 vite më parë me Xhafer Shalën në Radushë të Shkupit. Dhe kjo luftë ka pasur me ndodhë me datën 12, pikërisht në datën kur u vranë Komadant Harun Aliu me 12.05.2010 në Radush të Shkupit”, ka thënë ai./Gazeta Fjala/

Anëtari i UÇK’së: Nuk jemi dorëzuar dhe nuk do të dorëzohemi

u c kNjë anëtar i UÇK-së në Maqedoni ka mohuar lajmin e përcjellë nga mediat maqedonase për dorëzimin e 20 personave të armatosur, të cilët kanë shkëmbyer zjarr me policinë.

Në një lidhje telefonike për “News 24”, anëtari i UÇK thotë se nuk është dorëzuar asnjë pjesëtar nga radhët e tyre.

Sipas tij, situata në Kumanovë vijon të jetë e tensionuar, duke u shprehur se përplasjet me policinë maqedonase do të vijojnë edhe më tej, duke u bërë më të ashpra gjatë natës.

Ndërsa thekson se “nuk jemi dorëzuar dhe nuk do të dorëzohemi”, anëtari i UÇK-së thotë se ata janë vënë në mbrojtje të popullatës civile.

Duke komentuar situatën e sotme të krijuar në Kumanovë, ai thotë se nga shkëmbimet e zjarrit kanë humbur jetën 3 civilë, dhe 4 policë. Ndërsa flet edhe për mbi 20 policë të plagosur.

Jankullovska: 5 policë të vrarë, mbi 30 të plagosur

jankuloskaMinistrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska në një konferencë për shtyp shpalosi të dhëna zyrtare lidhur me përleshjen e sotme të armatosur në qytetin e Kumanovës.

Ajo tha se, personat të cilët janë përleshur me policinë e Maqedonisë kanë qenë të përgatitur dhe të armatosur fortë.

Sipas saj nga ky incident i armatosur janë vrarë pesë policë ndërsa 30 janë plagosur.

Jankullovska pohoi se nuk ka të dhëna zyrtare dhe të konfirmuara për numrin e të vrarëve nga grupi i armatosur dhe të civilëve.

Ajo tha se, situata në këtë qytet akoma është alarmante dhe se njësitet policore në terren janë ende në një situatë të vështirë dhe të rrezikshme për jetën e tyre. (INA)

Flet një ushtar i UÇK-së, për atë që ndodhi në Kumanovë

uckNjë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, grupit të armatosur në Kumanovë ka rrëfyer për Gazetën Fjala atë që ndodhi mëngjesin e së shtunës në “Lagjen e Trimave” në qytetin e Kumanovës.

“Në mesin e djemve që ishin aty isha edhe unë”, rrëfen një pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për Gazetën Fjala.

“Ka qenë diçka e paplanifikuar. Aty ishim vetëm 10 veta. Ndërsa, rreth banimit tonë ishin edhe 64 tjerë. Ishim në kurth. Por, ishte fati qe disa prej personave nga ne ishim zgjuar”, thotë pjesëtari i UÇK-së, që deklarohet se mban edhe pozitë të lartë në strukturat udhëheqëse të UÇK.

Ai bënë me dije për Gazetën Fjala se në sulmin e palës maqedonase janë të plagosur vetëm dy pjesëtarë të UÇK-së ndërsa nga pala maqedonase së paku pesë janë të vrarë.

Ky pjesëtar bën me dije se në këtë vend pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare kanë filluar të grumbullohen dy ditë më parë, por se dikush e ka njoftuar Policinë maqedonase pasi që ishte planifikuar që një aksion i pjesëtarëve të UÇK-së të bëhet në javën e ardhshme mbi Policinë dhe Ushtrinë maqedonase.

“Këtu kemi filluar të afrohemi qe dy ditë. Por, dikush i ka njoftuar Policinë pasi ne kemi planifikuar që aksionin ta bënim me datën 12”, bën të ditur ai.

Pjesëtari i UÇK bën me dije se të gjithë shokët e tij janë tërhequr nga lagjja e sulmuar qysh në mesditë.

“Ne jemi tërhequr nga vendi ku ishim në ora 11, kur kanë filluar maqedonasit t’i sulmojnë civilët”.

Ai bënë me dije se pas ndarjes në dy grupe kanë arritur të dalin nga rrethimi.

“Njëri grup që katër orë kemi arritur në shtab, ndërsa grupi tjetër ku ishte edhe Fadil Fejzullahu ende nuk ka mbërritur”, tregon.

Ky pjesëtar thotë se Fadil Fejzullahu, që u raportua se është vrarë është gjallë.

“Deri në ora 11 Fadili ka qenë gjallë, unë jam përshëndet me të”. /Gazeta Fjala/

Shqipëria, notë proteste Greqisë për kërkimet në det

deti shqiperiNis me tensionimin e marrëdhënieve komunikimi i Tiranës zyrtare me qeverinë e re në Athinë, shkak për të cilin duket se është një problem i mbartur; ai i përcaktimit të kufirit ujor mes dy vendeve.

Ministria jonë e Jashtme i ka dorëzuar dy ditë më parë një note proteste Athinës, për shkak të mungesës së transparencës së fqinjit tonë jugor për hartat e disponuara për kufirin detar dhe kërkimet për naftë, në zonën e diskutueshme midis dy vendeve tona.

Vetëm një ditë më pas, ambasadorit tonë në Athinë, Dashnor Dervishi, i është anuluar pritja nga ministri i Jashtëm grek, takim i fiksuar shumë kohë më parë se dërgimi i notës së protestës dhe kishte qëllimin e kontaktit me autoritetet e reja në Greqi, si dhe diskutimin e aktivitetit të pritshëm të SEECP-se në Tiranë.

Ministria e Jashtme shqiptare u njoftua për anulimin vetëm pak minuta përpara se diplomati ynë në Athinë të mbërrinte në Ministrinë e Jashtme greke dhe arsyeja lidhet me notën e protestës që dikasteri i Ditmir Bushatit i ka dërguar homologut grek, ku i kërkonte ndërprerjen e programit të kërkimit në det dhe të rishohë planin e saj për dhënien me koncension për kërkimin e naftës dhe gazit në detin Jon, pa u zgjidhur me parë çështja e kufirit ujor me Shqipërinë.

Bëhet fjalë për kuadratin Joni 5, koordinatat e të cilit përputhen me një pjesë të kuadratit 20, që Athina kërkon të japë me koncension gjatë ankandit të paralajmëruar në muajt e ardhshëm. Mësohet se pala shqiptare, në notën e protestës, kërkon që të mos koncensionohet ky kuadrat, pa u zgjidhur më parë statusi i zonës përmes një marrëveshje të re për detin me Greqinë, e nevojshme pas vendimit të Gjykatës sone Kushtetuese. Kjo e fundit rrëzoi si dëmtuese të interesave tona kombëtare marrëveshjen e negociuar nga qeveria “Berisha” me “Karamanlis”.

E pavarësisht se për këtë shkak marrëveshja nuk u ratifikua nga institucionet në Athinë, autoritetet atje insistojnë se ajo është një marrëveshje e mirë dhe e bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Nota e protestës së palës shqiptare, konfirmojnë burimet në Tiranë, vjen pasi ka rreth 6 muaj që Ministria jonë e Jashtme i kërkon vazhdimisht Athines t’i vendosë në dispozicion koordinat e kërkimit në kufijtë e Sektorit Joni 5 ose ndryshe për bllokun e 4-rt të kërkimeve.

Por nga pala greke janë ofruar vetëm hartat e bllokut 3, duke treguar mungesën e transparencës për kërkimet në kufirin ujor mes dy vendeve, çka sipas konstatimeve te Ministrisë sonë të Jashtme konfirmohet që kërkimet për naftë dhe gaz nga Greqia, në rastin më të mirë, prekin zonën ndërkufitare dhe në rastin më të keq hyjnë në zonën tonë ujore.

Në të dyja rastet, e drejta ndërkombëtare i detyron shtetet të ulen bashkë për të tenderuar kërkimet në det, ndërsa situata bëhet edhe më e vështirë në kushtet e mungesës së një marrëveshje ujore mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ndërsa Athina po mundohet ta përçojë këtë reagim të Tiranës, si presion të saj nga ata që Shqipëria i quan aleate strategjike, si Italia dhe Turqia.

Burime diplomatike greke thanë për Top Channel, se pala shqiptare nuk dëshiron zgjidhje të këtij ngërçi mes Athinës dhe Tiranës, si pasojë e presioneve të mëdha që nga Ankaraja dhe Roma. Madje, burimet shtojnë se edhe mbërritja e Presidentit turk në Tiranë gjatë javës së ardhshme është pikërisht në vrazhdën e këtyre presioneve.

Por ajo që nuk thotë Athina është pyetja përse nuk ka pranuar të ulet në bisedime me Tiranën për rinegociimin e marrëveshjes ujore, çka sipas të gjitha gjasave do të detyrojë vendin tonë t’u drejtohet institucioneve ndërkombëtare.

/ Top Channel

Gazsjellësi rus alarmon SHBA; Uashingtoni, presion Athinës për TAP-in

gazsjellesiI dërguari special i qeverisë amerikane për çështjet energjetike Amos Hokstein, mbërriti me urgjencë në Athinë, ku pas takimeve me ministrin grek të Energjisë deklaroi se, është e rëndësishme që Greqia të përqendrohet te gazsjellësi TAP.

“Në tryezë sot është vetëm gazsjellësi Transadriatik, që do të sjellë gazin azer. Ky është projekti që ka Greqia sot”, deklaroi Hokstein.

Gazsjellësi Transadriatik po ndërtohet për të transportuar gazin azer në Europë përmes Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë. Linja që përfundon në brigjet italiane mbështetet fuqishëm nga SHBA dhe Bashkimi Europian, pasi ul varësinë energjetike të Europës nga Rusia.

Por Moska nuk ka pranuar të qëndrojë duarkryq. Presidenti Putin ka njoftuar publikisht planin për të ndërtuar një tjetër gazsjellës, të ashtuquajturin “Turkish Stream”. Ky projekt do të transportojë gazin rus në Turqi, përmes Detit të Zi dhe më pas do të shtrihet deri në Greqi. Putin ka premtuar financimin e plotë të projektit nga Rusia, duke shtuar se ky gazsjellës e bën Greqinë një nga qendrat më të fuqishme të shpërndarjes energjetike në Europë e duke i sjellë asaj qindra milionë euro të ardhura në vit vetëm nga kalimi i gazit.

E uritur për para qeveria greke është hapur menjehërë ndaj projektit. Ministri grek i Energjisë, Panagiotis Lafazanis deklaroi se Athina do ta mbështesë variantin rus, sepse beson që ky projekt është i dobishëm për Greqinë.

Por Shtetet e Bashkuara dhe BE janë vënë në alarm, pasi avancimi i këtij projekti do të rriste edhe më shumë ndikimin rus, jo vetëm në rajon, por në gjithë kontinentin.

Çështja duket se është shndërruar në përplasjen më të nxehtë gjeopolitike mes dy fuqive të mëdha, ndërsa Ballkani është kthyer në fushëbetejen e kësaj përplasjeje.

/ Top Channel