Padi arbitrazhi ndërkombëtar kundër Kosovës

Frankfurter Allgemeine Zeitung: Shoqëria e investimeve Axos ngre padi ndaj Kosovës duke kërkuar miliona, sepse ajo është dëmtuar prej marrëveshjes për blerjen e koncernit shtetëror të telekomit.

new bornKorrupsioni në Kosovë për herë të parë do të shqyrtohet nga një gjykatë ndërkombëtare arbitrazhi. Shoqëria e investimeve në Hamburg Axos Capital Partners ka hapur një proces arbitrazhi pranë Qendrës Ndërkombëtare të Arbitrazhit mbi Investimet (ICSDI) në Uashington, sepse qeveria në Prishtinë më 2013 tërhoqi në çastin e fundit marrëveshjen e negociuar prej kohësh për privatizimin e kompanisë së telekomunikacionit. Si rrjedhojë kompania Axos ka pësuar një dëm në vlerën e 180 deri në 500 milionë euro. Eshtë rasti i parë, në të cilin institucioni ICSID i krijuar nga Banka Botërore do të shqyrtojë një padi kundër Kosovës shkruan revista “Global Arbitration Review”. As Prishtina dhe as kompania Axos nuk duan të prononcohen për rastin. Por siç dëgjohet bëhet fjalë për dyshime mbi ryshfet dhe përfitim personal nga përfaqësues shtetëror të PTK-së. Siç shkruan më tej gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung“ (FAZ), prej vitesh organizatat ndërkombëtare, diplomatë e sipërmarrje kritikojnë shtetin e vogël, që shpalli pavarësinë nga Sebria më 2008, për ryshfet dhe një sistem të dobët drejtësie. Në raportin e fundit të Komisionit të BE-së mbi progresin thuhet: “Në Kosovë mbetet mjaft shqetësuese gjendja e shtetit ligjor, pavarësia e drejtësisë si dhe përparimet e pakta në luftën kundër korrupsionit.“ Sipas Komisionit të BE-së shitja e PTK në dhjetor 2013 dështoi për shkak të „një sërë akuzave për korrupsion“. Procesi i hapur tani i arbitrazhit mund të zgjasë me vite, shkruan ndër të tjera “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. (dw)

Liderët e Maqedonisë dështojnë në Bruksel

Në Bruksel përfunduan të mërkurën (10.06) pa ndonjë rezultat bisedimet midis liderëve të partive politike në Maqedoni.

gruevski zaevKomisioneri evropian për politika të fqinjësisë dhe negocimet për zgjerimin Johannes Hahn, i cili është ndërmjetësues i negociatave, në fund të takimit, që zgjati afro 12 orë, ka thënë se bisedimet ishin të hapura dhe të hollësishme, por nuk rezultuan në një marrëveshje përfundimtare. “BE u bën thirrje të gjitha palëve që në interes të vendit dhe qytetarëve të tyre, të gjejnë pa vonesë një kompromis politik dhe të dalin me propozime konkrete mbi bazën e marrëveshjes së arritur në Shkup më 2 qershor. Përkushtimi i shprehur për reformat duhet të zbatohen me urgjencë. Kjo është esenciale për çfarëdo përparimi në rrugën euroatlantike”, thuhet në komunikatën e Komisionit Europian.

Eurokomisioneri për zgjerim, Johannes Hahn, përmes rrjetit social Twitter ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me dështimin e negociatave në Bruksel dhe mosarritjen e një marrëveshjeje me liderët e partive kryesore të Maqedonisë.“Asnjë marrëveshje përfundimtare në bisedat për Maqedoninë. Shumë i zhgënjyer nga mungesa e përgjegjësisë dhe lidershipit nga disa liderë”, ka shkruar eurokomisioneri Hahn.

Tema kryesore e bisedimeve mes kryeministrit, Nikolla Gruevski, kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, atij të BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi, ishte forma e qeverisjes deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen në prill të vitit të ardhshëm, për të cilat u morën vesh në takimin e para dhjetë ditëve në Shkup me ndërmjetësimin e komisionerit Hahn. Derisa Zaev ka kërkuar qeveri teknike apo kalimtare pa Gruevskin si kryeministër, ky i fundit ka pranuar qeveri teknike, por që qeverisja e tij të vazhdojë deri në dhjetor dhe të jetë një qeveri e zgjeruar, e cila do të kryejë të gjitha pikat e marrëveshjes për organizimin e zgjedhjeve të caktuara në prill të 2016.

Gruevski: Zaev ka frikë nga zgjidhja e krizës

Liderët e partive maqedonase Zoran Zaev dhe Nikola Gruevski kanë fajësuar njëri tjetrin për dështimin e negociatave. “Konstatimi im përfundimtar është se Zaevi nuk dëshironte të arrijë marrëveshje dhe as nuk iu afrua asaj. Shkaku është se ai nuk erdhi të dakordohet, por ai erdhi të mos dakordohet. Ai ka frikë prej zgjedhjeve. Ai e di se në zgjedhjet e ardhshme do të përjetojë fiasko të rëndë, se do ta përjetojë dështimin më të madh të LSDM-së deri më tani në historinë e tij. As nuk dëshiron të arrijë marrëveshje dhe as nuk dëshiron të ketë zgjedhje”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE Nikolla Gruevki pas dështimit të negociatave në Bruksel.

Opozita kërkon qeveri kalimtare pa Gruevskin

Lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev ka fajësuar Gruevskin për dështimin e negociatave. “Negociatat për zgjidhjen e krizës dështuan për shkak se është shumë e qartë dhe jologjike që krijuesi i krizës në Maqedoni Nikola Gruevski të vazhdojë të udhëheq me qeverinë, e cila duhet të organizojë zgjedhje të parakohshme. Kushtet tona janë të qarta dhe nuk ka pazarllëqe. Ne kërkojmë qeveri kalimtare pa Gruevskin kryeministër dhe brenda saj. Por Gruevski po bën çmos, që ai të mbetet në krye të qeverisë. Nëse do të kemi zgjedhje korrekte dhe demokratike, ai do të përjetojë humbje të thellë”, vlerëson Zaev.

Liderët e dy partive shqiptare Ali Ahmeti i BDI-së dhe Menduh Thaçi i PDSH-së nuk janë deklaruar lidhur me dështimin e negociatave në Bruksel.

Me kokëfortësi nuk zgjidhet problemi

Profesori universitar Denko Malevski thotë se kryeministri Gruevski duhet të pranojë të tërhiqet nga skena politike, pasi çdo refuzim do të thellonte edhe më shumë krizën. Të gjithë do të dëshironim që të ketë një epilog pozitiv për dalje nga kriza, megjithatë qëndrimet radikale mes palëve, apo qëndrimet diametralisht të kundërta mes dy partive politike nuk lënë shumë hapësirë për të besuar se mund të ketë zgjidhje të krizës. “Opinioni më i gjerë pret që partia udhëheqëse të marrë përgjegjesinë për situatën, të cilën e ka krijuar, që në kushte normale do të nënkuptonte tërheqje nga politika, apo nga pozitat udhëheqëse për t’i hapur rrugën një ekipi të ri për rimëkëmbjen e institucioneve dhe tërë sistemit demokratik në vend“, thotë Maleski .“Qeveria e re nuk do të kishte për detyrë vetëm organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, por edhe të rehabilitojë sistemin politik, atë që ka ndodhur me institucionet, si gjyqësinë, administratën, policinë e kështu me radhë. Këto punë nuk mund ti kryejnë ata që edhe i rrënuan, prandaj nevojitet një qeverisje krejtësisht e re”, vlerëson Maleski.

Ruzhin: Koha realisht punon për opozitën

Nga epilogu i bisedimeve të Brukselit nuk është i befasuar edhe profesori dhe ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin. “Dështimi i bisedimeve është një gjë e pritur, duke pasur parasysh se Gruevski në këtë periudhë gjithnjë insiston dhe punon vetëm për shpëtimin e tij. Ai kërkon të fitojë në kohë, sepse koha i jep mundësi t’i ruajë pozicionet e monopolit, që i mundësojnë ta ruajë pushtetin. Sa më gjatë të jetë në pushtet dhe sa më tepër që afrohet koha e zgjedhjeve të parakoshhëshme, ai do të mund të ketë nën kontroll mekanizmat, që do ti mundësojnë fitore në zgjedhjet e parakohshme. Edhe pse Gruevski po lufton të fitojë kohë, realisht koha po punon për Zaevin”, thotë Nano Ruzhin.

Periudha në të cilën qeveria e ardhshme teknike, kalimtare, apo e ekspertëve, që do ti organizojë zgjedhjet pa Gruevskin, nuk guxon të ketë mandat më të shkurtër se 9 muaj apo 1 vit, sepse kjo është periudha minimale e nevojshme për të eleminuar të gjitha burimet dhe mekanizmat e parregullsive zgjedhore, thotë Ruzhin. (dw)

Hahn i zhgënjyer nga mosarritja e një marrëveshje

hahn twitterEurokomisioneri për zgjerim, Johannes Hahn përmes rrjetit social Twitter ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me dështimin e negociatave në Bruksel dhe mosarritjen e një marrëveshje me liderët e partive kryesore të Maqedonisë.

“Asnjë marrëveshje përfundimtare në bisedat për Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Shumë i zhgënjyer nga mungesa e përgjegjësisë dhe lidershipit nga disa liderë” , ka shkruar eurokomisioneri Hahn.

Por ai më tej ka theksuar se nuk do të ketë dorëzim sepse qytetarët e këtij vendi meritojnë më mirë

“Qytetarët (e Maqedonisë) meritojnë më mirë: demokraci, sundim të ligjit dhe një ardhmëri evropiane. Nuk do të dorëzohemi!”, ka shkruar Hahn, i cili nuk ka dhënë një deklaratë për media sikur në takimin e 2 qershorit në Shkup, kur kishte pasur një marrëveshje për zgjedhje të reja të parakohshme në prill të 2016. Komisioni Evropian ka dalur me një deklaratë të shkurtër duke informuar për mosarritjen e asnjë marrëveshje.  (INA)

Amerikanët, gjermanët dhe britanikët krijojnë Ballkanin e Ri

DE GB USASHBA, Gjermania dhe Britania e Madhe, vendet kryesore të partneriteti euroatlantik, këtyre ditëve me energji të ri do të nisen për të krijuar në rend të ri ballkanik. Ky rend i ri ballkanik, sipas të përditshmes më të madhe serbe, “Blic”, i bën shqiptarët në Ballkanin Perëndimor popullin me të fuqishëm.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përaferohen dhe të hyjnë në BE, mirëpo së pari duhet ta kenë prioritet sundimin e ligjit dhe ta zhvillojnë ekonominë e tregut. Por edhe forcimin e procesit me të cilin Serbia vështirë se do të pajtohet. Fuqitë perëndimor shohin ‘pacifizmin e nacionalizmit serb’, hyrjen në NATO, heqjen e Republikës Serbe dhe ‘kënaqjen e shqiptarëve’ në të gjitha shtetet që jetojnë”, shkruan “Blic”.

Sipas Ivan Vejvodës nga “Fondi marshall”, rajoni ynë mbetet i fundit për t’u zgjidhur në sytë e Perëndimit.

“Neve në korrik na presin dy ngjarje shumë të rëndësishme: vizita e gruas me të fuqishme në botë, Angela Merkel e cila më 8 dhe 9 qëndron në Beograd dhe shënimi i 20 vjetorit të masakrës së Srebrenicës, dy ditë më vonë”, shkruan kjo e përditshme.

Sipas “Blicit”, Merkel nga Serbia do të kërkoi që në fund të procesit të Brukselit me Kosovën, të pranoi anëtarësimin e shtetit tonë në OKB, por edhe të distancohet nga presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik dhe mos të pengohet forcimi i institucioneve qendrore në Bosnjë. Me fjalë të tjera, dobësim i madh i RS-së, transmeton Indeksonline.

Përvec në Beograd, kancelaria shkon edhe në Tiranë dhe Sarajevë. “Nga kryeministri Edi Rama do të kërkoi që të qetësoi radikalizmin nacional dhe islamik të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Kosovë, kurse me Serbinë të punoi në avancimin e raporteve. Boshnjakët do t’i paralajmëroi se është koha e fundit që të shuhen tensionet ndëretnike dhe të çrrënjoset korrupsioni endemik në shkëmbim me perspektivën evropiane”, thuhet tutje në analizën e gazetës “Blic”.  (INA)

Kosovë: Varrosen eshtrat e Isa Boletinit

Në fshatin Boletin afër Mitrovicës, sot u bë varrimi i eshtrave të Isa Boletinit, një nga personalitetet kryesore të pavarësisë së Shqipërisë.

eshtrat e isesEshtrat e Isa Boletinit, njërës prej figurave kryesore të pavarësisë së Shqipërisë, u varrosën të mërkurën në fshatin Boletin afër Mitrovicës, një fshat në pjesën veriore të Kosovës, që është edhe vendlindja e tij. Një prej personaliteteve kryesore të luftës për çlirimin nga sundimi osman dhe kundër pushtimit serb të Kosovës, Isa Boletini u vra në Podgoricë të Malit të Zi në vitin 1916. Varrimi i eshtrave të tij u bë në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, një Kuvend i vitit 1878 kur shqiptarët kishin hedhur themelet e lëvizjes për çlirim nga Perandoria Osmane. Varrimi u parapri nga një ceremoni e veçantë në qytetin e Mitrovicës. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa vuri theksin tek përmasat e figurës së Isa Boletinit.

Isa do të prehet në dheun e vendlindjes së tij në Boletin, po rivarroset aty nga u nis në beteja me trimat e tij, aty nga shtegtoi në Vlorë për të shpall pavarësinë e shtetit shqiptar. Isa Boletini është Hero i Kosovës, dhe si i tillë duhet të ketë nderimin e të gjithë neve dhe të gjithë qytetarëve. Isa Boletini nuk është vetëm simbol i unitetit shqiptar, simbol i vetëflijimit për lirinë dhe prosperitetin e kombit të tij, por është edhe një simbol i jashtëzakonshëm i luftës dhe flijimit për lirinë universale njerëzore”, tha kryeministri Mustafa.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Kosova dhe Shqipëria sot janë ndryshe nga periudha kur Isa Boletini me shokë bënin luftë dhe diplomaci për lirinë e Shqipërisë.

Në kancelaritë diplomatike të perëndimit, ku dikur e çove zanin e Kosovës, sot janë miqtë më të mirë të lirisë dhe të shtetit tonë. Ne po punojmë bashkë me ta, që Kosovën ta bëjmë përditë e më të mirë, më të sigurt, më demokratike, më prosperuese për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht dallimeve etnike apo fetare që ata kanë. Është koha të rehatohesh edhe ti Bacë. Të jesh mirë, sepse mirë janë, edhe Kosova, edhe Shqipnia!”, tha zoti Veseli

Ndërsa presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani tha se Isa Boletini me Ismail Qemalin, që njihet si babai i pavarësisë së Shqipërisë, janë etërit e projektit politik të shtet formimit. Sot, tha ai Shqipëria dhe Kosova, janë shndërruar në faktor të paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan dhe me partnerë të mëdhenj siç janë Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe NATO-ja.

Ndaj tyre duhet të jemi mirënjohës për mbështetjen pakufi kur mizoria e kasapit të Ballkanit rrezikonte edhe ekzistencën e shqiptarëve. Çdo joshje tjetër, çdo lloj propaganda dhe çdo zë i çjerrë që tenton të mbjellë përçarjen ndaj nesh është thjeshtë një antishqiptar. Shqiptarët shquhen për harmoninë e tyre fetare. Me Besën dhe burrninë shqiptare duhet të izolojmë çdo shfaqje që komprometon të ardhmen evropiane të fëmijëve tanë. Këtë të ardhme e shohim në dialog miqësi dhe bashkëpunim me fqinjët. E shohim si proces që do të shëroj plagët e së kaluarës. Jo duke u bazuar tek harresa por tek reflektimi. Ku më shumë se para këtij memoriali të këtij burri të madh, të njërit prej etërve të kombit shqiptar do të t’i thosha këto fjalë. Sepse gjithçka që bëri dhe na la Isa Boletini, na çon në këtë drejtim. Nga dinjiteti dhe identiteti”, tha presidenti Nishani.

Rivarrimi kishte nxitur debate të shumta pasi që më 14 maj të këtij viti qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës vendosën që eshtrat e tij të prehen në Vlorë krah atyre të Ismail Qemalit. Por, reagimet ndaj këtij vendimi bënë që ai të ndryshojë dhe kjo të bëhet në Boletin, kryesisht nën arsyetimin se ajo është vendlindja e tij dhe heqja dorë do të ishte lëshim kundrejt përfaqësuesve serbë që nuk e shohin me sy të mirë këtë rivarrim dhe simbolikë e sovranitetit të Kosovës në veriun e saj të banuar me shumicë serbe. (voa)

Kotzias: Greqia, paketë propozimesh për zgjidhjen e problemeve me Shqipërinë

Kotzias GrekuMinistri i Jashtëm grek Nikos Kotzias ka deklaruar se shumë shpejt, Greqia do të ketë një paketë propozimesh për zgjidhjen e të gjitha problemeve me Shqipërinë. Ai ka folur në Ligjëratën vjetore SEESOX, në Kolegjin St. Antony, të Universitetit të Oksfordit.

“Greqia dhe Shqipëria janë të lidhura me një të shkuar të pasur, ëndrra të përbashkëta dhe perspektivë. Ka dhe disa probleme nga e shkuara, nga disa pikëpamje të udhëheqësve të vendit, si moszbatimi i marrëveshjeve, refuzimi i zbatimit të së drejtës ndërkombëtare, shkelja e të drejtave të minoritetit grek autokton. Ne kemi dëshirën dhe vullnetin për të zgjidhur problemet dhe për të tejkaluar vështirësitë. Ndaj po planifikojmë të propozojmë, në një të ardhme të afërt, një paketë zgjidhjesh për të gjitha problemet. Me realiz137m dhe në interes të të dy vendeve, larg nga stili nacionalist ballkanik, dhe që prodhon më shumë histori se sa mund të mbajë”, ka thënë ministri i Jashtëm grek, Kotzias.

Sipas tij, Greqia ka mirëpritur më shumë shqiptar se çdo vend tjetër në botë: “Një përqindje e madhe e GDP-së së vendit vjen prej tyre. Jemi me fat që i kemi pjesë të shoqërisë sonë. Në universitetet tona fëmijët nga emigrantët shqiptarë janë studentët më të mirë çdo vit. Së fundi, kemi kaluar një ligj që u jep atyre shtetësinë. Vendi ynë, qeveria jonë, është një nga më miqësoret dhe më të drejtat në botë, referuar emigrantëve”.

/ Top Channel

Marinza, “Bankers” avancon procesin e dëmshpërblimeve

demshperblim BankersKompania “Bankers” po ecën shpejt me procesin e dëmshpërblimit të banorëve të prekur nga incidenti i çlirimit të gazit, më 1 prill të këtij viti, në zonën e Marinzës.

Pas miratimit të raportit nga Komisioni i Vlerësimit të Dëmeve, “Bankers” ka dëmshpërblyer 45 shtëpi nga zona B, që është zona me dëme më të pakta.

Ndërkohë, 44 shtëpitë e tjera që i përkasin zonës A, që do të dëmshpërblehen 100%, do të nisin të marrin shumë shpejt pagesat.

“Brenda javës, pritet që Komisioni të miratojë raportin përfundimtar të dëmeve në zonën A dhe do të nisim menjëherë dëmshpërblimin e banorëve. Ne po ecim shpejt me procesin e dëmshpërblimeve dhe me rehabilitimin e rrugëve. Rehabilitimi i rrugëve publike dhe kanaleve ka përfunduar plotësisht, ndërkohë që kemi nisur rehabilitimin edhe të tokave private të banorëve”, tha Adriatik Golemi, menaxher i marrëdhënieve me komunitetin në kompaninë “Bankers Petroleum”.

Këtë e konfirmojnë edhe banorët. Dritan Nurka, shtëpia e të cilit u dëmtua nga çlirimi i gazit më 1 prill, tregon se tashmë e ka marrë dëmshpërblimin: “Komisioni erdhi në shtëpinë time, vlerësoi dëmet dhe menjëherë pasi raporti u miratua, ne morëm dëshpërblimin nga kompania ‘Bankers’. Jemi të kënaqur me ecurinë e procesit. Ka qenë i shpejtë dhe korrekt”. (tch)

Dështojnë bisedimet për zgjidhjen e krizës në Maqedoni

Hahn Gruevski

Kanë dështuar bisedimet në Bruksel ndërmjet drejtuesve të katër partive më të mëdha në Maqedoni. Kryetari i Lidhjes Social Demokrate në opozitë, Zoran Zaev, nuk ka lëshuar pé në lidhje me kërkesat për një qeveri të përkohshme, se kush do ta drejtonte dhe në ç’afat do të duhej formuar ajo. Opozita maqedonase nuk pranon asnjë lloj formati të qeverisë që do të drejtohej nga kryeministri aktual, Nikolla Gruevski.

Takimi që filloi para orës 12 të së mërkurës, ka zgjatur deri para mesnate dhe gjatë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar për rrjedhën e bisedimeve.

Bashkimi Evropian u bën thirrje të gjitha partive që në interes të vendit të tyre dhe të qytetarëve, të gjejnë pa vonesë një kompromis afatgjatë politik dhe të dalin me propozime konkrete, mbi bazë të marrëveshjes së arritur në Shkup, më 2 qershor. Zotimet e drejtuesve partiakë duhet të zbatohen me urgjencë, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Komisioni Evropian, ndërsa theksohet si çështje thelbësore përparimi i Maqedonisë drejt rrugës Euro-Atlantike. Komisioni mbetet i gatshëm të ndihmojë lehtësimin e bisedimeve.

Ky dështim i bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje për t’i dhënë fund krizës politike që ka përfshirë Maqedoninë tash katër muaj, në Shkup shihet edhe si dështim i përpjekjeve të Bashkimit Evropian dhe komisionarit Johannes Hahn, i cili ishte vënë në rolin e ndërmjetësit midis palëve.

Kryeministri Nikolla Gruevski, i cili njëherësh drejton partinë VMRO-DPMNE, Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social Demokrate, Ali Ahmeti i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi, patën rënë dakord javën e kaluar në Shkup, për zgjedhje të parakohshme, por opozita maqedonase ngul këmbë që këto zgjedhje të organizohen nga një qeveri teknike ose e përkohshme dhe kjo të bëhet brenda një afati më të shkurtër kohor.

Komisionari Hahn pas fillimit të takimit të së mërkurës shkroi në rrjetet sociale se shpresonte që kjo të ishte një ditë e mirë për të ardhmen e Maqedonisë. Por, në mesnatë ai shkroi në twitter se ishte “i dëshpëruar me mungesën e përgjegjësisë” së një pjese të politikanëve nga Maqedonia.

Drejtuesi opozitar Zoran Zaev para nisjes për në Bruksel i kishte thënë shtypit maqedonas se vetëm një qeveri e përkohshme pa zotin Gruevski mund të organizojë zgjedhjet parlamentare. Ai ka pranuar se qëndrimet janë skajshmërisht të kundërta në mes opozitës dhe pushtetit, ndërkohë që mendon se argumentet janë në anën e opozitës për shkak se “synimi i përgjithshëm është që të ketë zgjedhje të drejta dhe demokratike në Maqedoni”.

Dështimi i bisedimeve mund të ketë pasoja, sipas vetë aktorëve politikë, për afrimin e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian, përkatësisht vendi mund të rrezikojë humbjen e rekomandimit në raportin e progresit që do të dalë në muajin tetor, për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në.

Në bisedimet në Bruksel ishin edhe ambasadorët nismëtarë për zgjidhjen e krizës, ai i Shteteve të Bashkuara Jess Baily dhe i Bashkimit Evropian Aivo Orav, ndërkohë që komisionerit Hahn i ndihmonte edhe deputeti i Parlamentit Evropian, slloveni Ivo Vajgël.

Zgjedhjeve të parakohshme duhet t’u paraprijnë reforma ligjore, si ndryshimet e Kodit zgjedhor, pastrimi i listave të votuesve, një problem që është përsëritur gjatë çdo cikli zgjedhor, pastaj pavarësia e gjyqësorit dhe liria e medies.

Njohësit e rrethanave politike vlerësonin  se komisionari Hahn do të këmbëngulte që të paktën të shënohet një lloj suksesi ose përparimi nga takimi i së mërkurës. Analistët, megjithatë vlerësojnë se zgjidhja nuk do të jetë e shpejtë dhe në këtë rast Bashkimit Evropian do t’i duhet të dërgojë një përfaqësues të posaçëm në Maqedoni për të lehtësuar bisedimet, apo këtë ta bëjë edhe administrata amerikane duke dërguar një emisar që do të ndërmjetësonte në problemet e këtij vendi. (voa)

Turqia pas zgjedhjeve

turqia pas zgjedhjeveKryeministri turk Ahmet Davutoglu i paraqiti zyrtarisht dorëheqjen presidentit pasi partia në pushtet humbi shumicën në parlamentin e Turqisë për herë të parë në 13 vjet.  Partia për Drejtësi dhe Zhvillim ose AKP pësoi një humbje të thellë në zgjedhjet e përgjithshme të së djelës dhe do t’i duhet të kërkojë koalicion me partitë më të vogla.

Kryeministri u takua me presidentin Recep Tayyip Erdogan në Ankara për të dorëzuar dorëheqjen. Në një deklaratë zyrtare thuhet se presidenti pranoi dorëheqjen e zotit Davutoglu dhe se kryeministri do të qëndrojë në post deri në formimin e një qeverie të re. Por presidenti turk nuk foli në publik.

“Kanë kaluar dy ditë, besoj se ora po ikën. Ky është një vlerësim i rëndësishëm. Nuk jemi mësuar me këtë. Presidenti ynë flet shpesh dhe fjalimet e tij transmetohen gjithmonë në televizion. Duket sikur kemi rënë në greminë”, thotë Deniz Zeyrek, redaktor i gazetës Hurriyet.

Kryeministri Davutoglu do të përpiqet të formojë një koalicion qeveritar dhe partia Lëvizja Nacionaliste e krahut të djathtë shihet si një partner i mundshëm. Drejtuesit e partisë kanë kritikuar ambicjet e zotit Erdogan për presidencë ekzekutive, në kundështrim me kushtetutën e Turqisë. Disa ish aleatë të presidentit kanë kritikuar deklaratat e tij para-zgjedhore ku promovohej partia që ai ndihmoi të themelonte në vitin 2001.

“Kushtetuta thekson paanshmërinë. Betimi që bën presidenti thekson gjithashtu paanshmërinë. Kështu që disa nga votuesit reaguan kundër mbështetjes së presidentit për një parti dhe retorikën kundër partive të tjera”, thotë Abdullatif Sener, anëtar themelues i partisë AK dhe ish-mik i Erdoganit.

Udhëheqësit opozitarë që tani mund të hyjnë në koalicion me qeverinë e kanë bërë të qartë se nuk do të tolerojnë ndërhyrje nga zoti Erdogan.

Shtetet e Bashkuara thanë të martën se janë gati të bashkëpunojnë me qeverinë e ardhshme të Turqisë.

“Turqia është një aleate e Natos dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë bashkëpunimin tonë politik, ekonomik dhe të sigurisë”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest.

Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar përpjekjet e Turqisë për të bllokuar fluksin e luftëtarëve të huaj që kalojnë kufirin për t’u bashkuar me Shtetin Islamik në Irak dhe Siri duke i bërë thirrje Ankarasë të bëjë më shumë. (voa)

Ilaç i ri kundër kolesterolit

barnaKëshilltarët federalë shëndetësorë rekomanduan për miratim një ilaç kolesteroli tepër shpresëdhënës,  por duke paralajmëruar se më shumë të dhëna janë të nevojshme në lidhje me aftësinë e tij afat-gjatë për të reduktuar goditjet në zemër.

Grupi i ekspertëve votoi 13-3 që Administrata Për Ushqime dhe Barna (FDA) ta miratojë ilaçin injektues, të quajtur Praluent.

Ilaçi duhet të përdoret vetëm për pacientë me nivele të larta kolesteroli të shkaktuar nga një çrregullim i trashëguar. Ekspertët thanë se donin të shihnin më shumë të dhëna nëse Praulent pakëson  problemet me zemrën, para se ilaçi të përdoret edhe për këta pacientë.

Nëse FDA ndjek rekomandimet e grupit, ilaçi Praulent  mund të miratohet për përdorim për një numër shumë më të të kufizuar njerëzish se sa shpresonin zhvilluesit e tij.

Praluent është pjesë e një grupi të ri barnash injektues që ulin kolesterolin më shumë se barnat statin, që janë përdorur për trajtimin standard të kolesterolit për më shumë se 20 vjet.

Grupi i ekspertëve pritet të rekomandojë edhe një tjetër ilaç, Amgen, që mund të përdoret për të ulur kolesterolin për të mbrojtur pacientët nga goditjet në zemrës.  Barnat janë prodhim i firmave farmaceutike Sanofi dhe Regeneron, të cilat thanë se janë të kënaqura me vendimin.

Ilaçet e reja mund të marrin miratimin e plotë nga Administrata Për Ushqime dhe Barna këtë verë. (voa)