„Big fucking German“ – Marrëdhëniet gjermano-britanike

Nga data 23 deri në 26 qershor Mbretëresha e Anglisë, Elisabeta II viziton Gjermaninë. Një vështrim në marrëdhëniet gjermano-britanike rrëfen mbi klishetë negative, por edhe admirimin që i ka karakterizuar ato.

Elisabeta IINganjëherë barcaletat thonë më shumë se analizat fjalëshumë. Njëra të thotë: Kur Heinrich Lübke, presidenti gjerman i Republikës Federale (1959-1969), me sa duket jo aq i afërt me gjuhën angleze, pyetet nga një kamarier anglez, se çfarë dëshiron t’i ofrojnë, ai përgjigjet: „Një steak budalla“, me sa duket për shkak të ngjashmërisë presidenti ndërron (bloody-i gjakosur, pra- i skuqur pak) – me budalla. Përgjigja e kamerierit: „Me patate të dreqosura, sir?“

Nuk ka rëndësi nëse ka ndodhur vërtet kështu. Por përpjekjet e Lübkes për të folur anglisht në kohën kur ishte president ishin në Gjermani një ftesë për barcaleta dhe buzëqeshje për ata që nuk e donin. Lübke si tabelë për tallje – kjo shkonte me imazhin e britanikëve për „the germans“. Ne ishim „the huns“ – hunët, budallenjtë. Por humori anglez njeh edhe një anë tjetër. Admirimin: Futbolli është një lojë 11 me 11-të, përkufizoi njëherë Gary Lineker, sulmuesi i njohur anglez në vitet 80-të, por në fund fitonin gjithmonë gjermanët. Asnjëherë kjo nuk u bë më e qartë se në ndeshjen me Brazilin vitin e kaluar.

Afrim që të habit

Britanikët dhe gjermanët ka pasur gjithmonë më e pakta një marrëdhënie specifike. Megjithatë ka kohë që të dyja palët janë bërë miq. Gati 300.000 gjermanë jetojnë e punojnë rregullisht në Angli, tendenca në rritje. Për vit prindërit e interesuar për arsimin nga Flensburgu në Garmisch i dërgojnë fëmijët në shkollat angleze duke u paguar financierëve të konvikteve gati një pasuri të vogël. Për atë që fëmijët të veshin uniformë në shkollë. Nuk ka dyshim: Britania e Madhe është në modë dhe Londra – një nga qytetet më atraktivë të votës. E mbretëresha? Ajo gjithmonë ka qenë një objekt nostalgjik për teutonët.

Por edhe nga ana tjetër gjermanët kanë fituar prestigj. Boris Becker është i dashur për fitoret e tij në Wimbledon, e nën shprehjen në dukje ordinere „”Big fucking German” ngre krye një nderim për teutonin Per Mertesacker, mbrojtësin e Arsenal London. „Ju nuk jeni të komplikuar“, lëvdon Simon McDonald gjermanët, ambasadori i Britanisë së Madhe në Berlin, 25 vjet pas rënies së Murit të Berlinit. Por në vitin 1945 marrëdhëniet nuk ishin aspak të pakomplikuara.

“Don’t mention the war!” – Mos e përmend luftën

Nëse Lufta e Parë Botërore ishte halë në sy për anglezët– kjo sidomos për shkak të sulmit me gaz të gjermanëve, një shkelje e parimit të ndershmërisë për anglezët -, sulmi që Hitleri bëri me bombardimet në Coventry dhe Londër i rrënoi ndjenjat e afrimitetit. Populli britanik, dy dekada pas sulmit të njohur si D-Day ka qenë më armiqësori se çdo popull tjetër brenda NATO-s ndaj gjermanëve, kështu shkruan publicisti, Peregrine ëorsthorne.

Po, një gjysmëshekulli më pas vlente e kundërta e paralajmërimit të Basil Fawlty’s nga seria e njohur televizive, „Fawlty‘s Towers“ –„don’t mention the war“ – sepse gjithkush fliste për luftën. Edhe barcaletat jo korrekte politikisht ishin të zakonshme deri në vitet 90-të. Kjo kohë ka marrë fund. Shtypi bulevardesk i ndjek më shumë rregullat e „political correctness“. Sot gjermanët pranohen, por nuk mund të thuhet kështu për vitin 1965.

Vizita e Mbretëreshës në vitin 1965 –vizita e shekullit

Dy vite përgatitje u deshën për vizitën e Mbretëreshës Elisabeta II në vitin 1965, të parën që nga vizita e Edward-it të VII në tokën gjermane. Për të dyja palët kishte çështje që duheshin sqaruar. Sidomos si duhej vepruar me lidhjen faresfinore gjermane të bashkëshortit, princit Philip, madje disa anëtarë të familjes së madhe të Philipit kishin qenë të afërt me nazistët. Bashkëshorti i Mbretëreshës duhej të duronte akuzat e shtypit britanik, si „zëdhënësi i gjermanëve në Angli“. Asgjë nuk ishte më e padurueshme për britanikët se kujtesa e vazhdueshme për lidhjen e afërt mes Mbretërisë dhe gjermanëve.

Por Mbretëresha nuk u step. Për 11 ditë rresht ajo vizitoi Gjermaninë nga Mynihu në Hamburg, shkoi në Berlinin Perëndimor, por edhe në qytete të vogla si Marbach, Kaub apo Soest. Deputeti socialdemokrat, Carlo Schmidt në një interviste për „Guardian“ vëren se “gjermanët e ndjenë këtë si dhënien fundi të statusit si një komb i përçmuar.“

Zilia gjermane për “Republikën me kurorë mbretërore”

Por edhe në vizitat e tjera, Mbretëresha Elisabeta II i entuziazmoi masat – në vitin 1978, 1992, 2004. Ajo vepron dhe dërgon mesazhe në një nivel tjetër, pavarësisht se në skenën politike mes Londrës e Berlinit –më parë Bonnit – ka përplasje. Mbretëresha “Elisabeth”, e cila më 10 shtator ngjitet në fronin e monarkes më të moshuar ende në detyrë duke tejkaluar Mbretëreshën Viktoria (1837-1901), ka ruajtur gjithmonë ekuilibrat. Pavarësisht nëse Margret Thatcher e torturonte BE-në me kërkesa provokative („I want my money back“), nëse paundi britanik nuk i bashkangjit unionit monetar, apo kryeministri Cameron kërcënon me daljen nga BE, -Mbretëresha ka qëndruar e pandikuar nga përplasjet në skenën politike europiane.

Ajo ka qenë dhe është për gjermanët që nga fillimi i regjencës së saj një figurë e mrekullueshme. Daily Mirror në vitin 1965 e shprehur më së miri këtë entuziazëm në shprehjen dygjuhëshe para vizitës në vitin 1965 –„It’s the Queen –wunderbar“ – „Është Mbretëresha –mrekulli“. Nuk është për t‘u çuditur që gjermanët brenda vetes ndjejnë pak zili për të afërmit e tyre britanikë, që sipas fjalëve të George Orwellit ia kanë dalë të kenë një „Republikë me kurorë mbretërore“. (dw)

Numëruesit jo “gardianë” të votës së partisë, por të votës së shqiptarëve!

Një reformë e papërfunduar, debate e fate politike lidhen me zgjedhjet vendore 2015 në Shqipëri: Ekspertja Sashenka Lleshaj mbi problemet e pritshmëritë që lidhen me këto zgjedhje -test për forcat kryesore politike.

votimi ALBDeutsche Welle: Ju i keni ndjekur me vëmendje zhvillimet parazgjedhore në Shqiperi. Cili është konkluzioni juaj pas këtyre vezhgimeve -duket sikur kemi pasur vërtet një fushatë të qetë deri më tani, megjithese për partitë këto zgjedhje janë sinjale të rëndësishme për 2017-n?

Sashenka Lleshaj: Mendoj se fushata ka qenë vertet “e qetë” në rast se si tension do të konsideroheshin konfrontimet arkaike fizike nëpër qendra zgjedhore, takime elektorale apo momente të tjera të ngjashme, pavarësisht se ka pasur disa incidente të vogla në Durrës, Vorë, etj. Tensioni i këtyre zgjedhjeve mendoj se lidhet më tepër me disa tema që i tejkalojnë këto zgjedhje, por që po testohen në zgjedhje, siç janë kriminalizimi i politikës, abuzimi me fondet publike dhe financimin e fushatave elektorale, etj.

Zgjedhjet vendore në gjysmëqeverisje janë gjithnjë test si për mazhorancën ashtu edhe për opozitën, por rëndësia e shtuar e këtyre zgjedhjeve, në krahasim me zgjedhjet vendore të mëparshme, mendoj që vjen nga fakti se reforma territoriale ka shtuar peshën specifike të secilit nga 61 kryebashkiakët që do të zgjidhen pas 21 qershorit. Në këto kushte, këto zgjedhje kanë rëndësi në vetvete, përveçse shërbejnë si matëse për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2017-ës.

Pra faza e fushatave të tensionuara ka kaluar, megjithëse problematik mbetet ende numërimi i votave. Si mendoni a do të kemi një përsëritje të fenomenit 2011 – kur numërimet u tejshtyne, duke sjellë kontestime dhe tension?

Ana teknike dhe proceduarale e zgjedhjeve mbetet sistematikisht problematike në Shqipëri. Jo vetëm numërimi, por edhe respektimi i afateve ligjore, vendimet, ankimimet, shqyrtimet e kërkesave, etj, duke filluar nga KQZ dhe gjithë struktura institucionale në vazhdim ka probleme në këtë pikë. Numërimi i votave diskutohet vazhdimisht dhe ka një frymë të pakapërcyeshme mosbesimi nga të gjithë aktorët në këtë pikë. Balancat në komisionet e numërimit dhe monitorimi i vazhdueshëm duket sikur janë aty më tepër për t’i garantuar secilës palë një “gardian” të votës për partinë apo kandidatin e tyre, sesa për të garantuar një proces të drejtë dhe të paanshëm në parim. Kështu, numëruesit dhe vëzhguesit e secilës palë deklarojnë se janë aty që “të mos vidhen votat e tyre” e jo që “të mos vidhen votat e shqiptarëve”, për këdo qofshin ato vota, pra që të respektohet vullneti i sovranit. Kështu, nuk shikoj asnjë ndryshim substancial në numërimin e votave nga zgjedhjet e 2011-ës në këtë zgjedhje.

Këto zgjedhje u paraprinë nga një reforme territoriale, cili është efekti i saj, ku do të ndihej më shumë kjo reformë?

Reforma administrative territoriale është pikërisht faktori që u ka dhënë rëndësi të shtuar këtyre zgjedhjeve. Do të ketë rreth 6-fish më pak njësi, e për pasojë peshë të shtuar të secilit kryetar dhe anëtar këshilli bashkiak që del nga zgjedhjet. Këta kryetarë dhe këshilltarë nuk do të jenë vetëm më të rëndësishëm, por edhe më të “barabartë” për sa i përket peshës së tyre, duke qenë se tashmë nuk do të ketë kryetarë komunash e bashkish me rëndësi shumë të ndryshme nga njëri-tjetri. Në anën tjetër, reforma territoriale do të ndihet shumë pak në kushtet e mungesës së një reforme decentralizuese që e shoqëron, e cila do të delegonte pushtet dhe para tek njësitë vendore. Kështu, reforma territoriale formalisht rindan territorin, por pushteti vendor nuk fiton automatikisht më shumë pushtet dhe kompetenca pa një reformë më të gjerë decentralizuese dhe ndryshime përkatëse në ligjin që rregullon pushtetin vendor në Shqipëri.

..Pritet më shumë decentralizim i pushtetit. Por sa avantazhe ka një decentralizim i tillë, kur bashkive në fakt u mungojne fondet?

Ky shqetësim i bashkangjitet pikës që sapo shtjellova më lart. Në fakt, reforma territoriale në Shqipëri ka qenë një parakusht për decentralizimin e mëtejshëm të pushtetit, pra një kusht i nevojshëm por jo i mjaftueshëm. Pra, decentralizimi real, dhe në këtë rast financiar akoma nuk ka përfunduar. Thënë kjo, një ndër arsyetimet më të forta të paraqitjes së reformës territoriale që në fillesat e saj ka qenë mungesa e efiçencës së ndarjes së mëparshme territoriale në menaxhimin e fondeve dhe në ofrimin e shërbimeve. Njësitë më të mëdha tashmë pritet të menaxhojnë një sasi më të madhe fondesh, të jenë më efiçente në menaxhimin dhe përdorimin e fondeve duke evituar kostot e koordinimit të mëparshëm midis njësive, si dhe të jenë në gjendje që me më shumë fonde dhe një territor më të madh të bëjnë investime përmbajtësore dhe madhore. Megjithatë, kjo nuk adreson në vetvete shqetësimin që lidhet me mungesën e decentralizimit real të pushtetit vendor në Shqipëri.

Gjithmonë në zgjedhje kemi parë se pavaresisht kush i ka fituar – në fokus kanë qenë interesat e klientelës partiake – vendet e punës e favoret për “Tanët” si thuhet rëndom në Shqipëri. Ndoshta kjo pasoje e nje shoqerie klanore, por që të bën të kuptosh se megjithë retorikën e bukur, në vend demokracia nxjerr në pah shumë defekte. Çfarë mund ta mënjanonte këtë fenomen?

Ky fenomen është jashtë mase i përbrendësuar në Shqipëri duke e shndërruar rolin e partive nga grupime që mbrojnë një ideologji dhe përpiqen të shtynë përpara një axhendë të cakruar publike, në zyra të mirëfillta punësimi, “aplikimi” në të cilat fillon gjatë fushatës dhe “përzgjedhja” më pas për vendin e punës bëhet sipas “meritave” dhe kontributit gjatë fushatës. Në këto kushte, fushata dhe zgjedhjet fitojnë një dimension të shtuar ekzistencial për shqiptarët dhe lidhet direkt me mirëqenien e tyre.

Mendoj se mënjanimi i fenomenit vjen vetëm përmes një qasjeje institucionale dhe ligjore që lidhet me statusin e nëpunësit civil, shtimin e masave ligjore për shkeljet në rekrutim, heqjet nga puna, etj. Gjykatat administrative janë tejmbushur me dosje gjyqësore ndërkohë që paratë e taksapaguesve shpenzohen për të mbuluar shkeljet e individëve të caktuar në funksione publike. Masat ligjore ndaj individëve të veshur me pushtet që bëjnë shkelje duhen shtuar, ndërkohë që aktualisht është institucioni publik ai që shpallet “fajtor” e për pasojë është buxheti i shtetit ai që dëmshpërblen qytetarët e shpunësuar padrejtësisht që fitojnë gjyqin.

Nëse fiton Aleanca për Shqipërinë Europiane e Partisë Socialiste, LSI e partnerëve -çfarë pasojash do të kishte kjo për pushtetin lokal? – Ka njerëz të thjeshtë që thonë, më mirë ta ketë një qeveri në dorë pushtetin lokal që të bëhen së paku ca punë…

Ky është vërtet një opinion që qarkullon dhe besoj se është shumë i frikshëm. Ka në bazë parimin se paratë janë të qeverive dhe se disa qytetarë janë të “njerkës” në rast se kanë votuar një kryebashkiak të ndryshëm nga ai që mbështet mazhoranca (qoftë ky i opozitës apo i pavarur). Nëse ky është parimi sipas të cilit qytetarët vendosin kë të votojnë, atëherë kjo është simptomë e një problematike më të gjerë me demokracinë në vend dhe na sjell edhe njëherë tek nevoja e reformës decentralizuese në Shqipëri.

…por nëse fiton opozita shumë qytete, dihet ky do të ishte një sinjal për kryeministrin Rama. A do të mund të presim më shumë afrim të qeverisë me opozitën, apo bllokimi do të ishte varianti me realist për Shqipërinë?

Nuk mendoj se fitorja e opozitës në shumë bashki do të ndryshonte natyrën e marrëdhënies ekzistuese mazhorancë-opozitë. Në anën tjetër, në rast se do të kishte fitore të thellë të mazhorancës në këto zgjedhje, atëherë opozita do të përballej me dilema ekzistenciale, sidomos një Tiranë e humbur do të ishte e dhimbshme për opozitën. Bashkia e Tiranës, tashmë edhe më e madhe pas reformës territoriale, është pushteti më me rëndësi pas qeverisë, sidomos kur posti i kryetarit mbahet nga opozita e radhës. Ky fakt është evidentuar sidomos në tri mandatet e fundit të Bashkisë së Tiranës, ku Edi Rama kryesonte bashkinë në kohën e qeverisjes së demokratëve për dy mandate, ndërkohë që dy vitet e fundit të kryesimit të Lulëzim Bashës kanë qenë gjatë qeversjes socialiste. Në këto kushte, Bashkia e Tiranës bëhet balancuesja kryesore e qeverisë në rast fitoreje nga opozita dhe sendërtuesja e pushtetit qëndror në rast fitoreje nga mazhoranca.

Ekspertja e re për Europën Lindore, Sashenka Lleshaj ka studiuar në Universitetin e Oksfordit për Europën Lindore dhe Rusinë, aktualisht ajo punon si studiuese në Institutin Shqiptar për Studimet Ndërkombëtare. Së fundmi fondacioni gjerman Friedrich Ebert ka publikuar analizën e saj mbi zhvillimet parazgjedhore dhe problemet e reformës së papërfunduar.

Për inat të Europës shkon Greqia me Rusinë?

Gati gazsjellësi: Ishte një takim i frytshëm ai mes presidentit rus Putin e kryeministrit grek, Tsipras në Shën Peterburg. Rusia e Greqia planifikojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik, në qendër Turkish Stream.

Tsipras+Putin

Putin dhe Tsipras në Shën Peterburg, 19.06. 2015

Deri në nëntor, Rusia dhe Greqia do të përpunojnë një plan veprimi për gjetjen e mundësive të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Këtë e vendosën presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri grek, Aleksis Tsipras pas takimit të tyre të premten (19.06) në Shën Peterburg, theksojnë mediat. Presidenti rus, Vladimir Putin e vlerësoi bashkëpunimin ekonomik me Greqinë, i cili ka ardhur “si iniciativë e Greqisë”, ka thënë Putin.

Ujdia e dy vendeve për zgjatjen me punime të përbashkëta të gazsjellësit në Detin e Zi, Turkish Stream është një parakusht i mirë, i tha Tsipras agjencisë Interfax. Në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në ish-metropolin e carëve, një instancë mjaft e rëndësishme për Putinin, si Rusia edhe Greqia i dhanë shtysë përpara marrëveshjes për gazsjellësin. Projekti gjigand do të mbushë buxhetin grek me tarifat e tranzitit, ndërsa Rusisë do t’i hapë rrugë të reja për sjelljen e gazit në Europën Juglindore. Sipas ministrit rus të Energjisw Alexander Nowak, gazsjellësi do të financohet me fonde ruse. Nga ana tjetër planifikohet edhe krijimi i një Joint-Ventures ruso-grek, i cili do të ndërtojë gazsjellësin nga viti 2016- 2019.

Si shpërblim për pjesëmarrjen e grekëve në gazsjellësin Turkish Stream së shpejti rusët mund të lirojnë embargon e ngritur ndaj artikujve ushqimorë që hyjnë nga vendet e Bashkimit Europian. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov u shpreh se së shpejti me këtë do të merren ekspertët. Por në tërësi edhe Rusia do të zgjasë embargon e mallrave ushqimorë nga BE, si reagim ndaj zgjatjes së sanksioneve të BE-së. Por Putini dhe Tsipras nuk biseduan për ndihma të mundshme financiare për Greqinë e kërcënuar nga falimentimi, tha Peskov.

Tsipras: Europa të vendosë solidaritet apo kursime

Takimi i presidentit Putin me kryeministrin grek, Tsipras ka gjetur jehonë në media. Kështu gazeta gjermane “Neue Osnabrücker Zeitung” vëren se Tsipras në vend që të prezantojë një listë me propozime të qëndrueshme për reforma, fluturon në Moskë për t’iu kushtuar partnerëve. “Që Tsipras kërkon burime të reja financiare kjo është e lëvdueshme. Edhe ujdinë me Rusinë për gazsjellësin mund ta përshëndesësh. Por në të njëjtën kohë kjo vizitë pak para samitit vendimtar në Bruksel është një sinjal i qartë që Greqia mund të kthejë sytë më fort nga partnerë të tjerë. Kjo nuk parathotë asgjë të mirë për ecurinë e mëtejshme të negociatave. Nuk mund ta përfytyrosh si mund të gjendet zgjidhja në një situatë të tillë.”

Megjithatë Tsipras megjithëse mbetet optimist se do të gjendet një zgjidhje për krizën e borxheve. Kështu u shpreh në Shën Peterburg kryeministri grek, por bëri thirrje se Europa duhet të zgjedhë mes solidaritetit dhe kursimit që të fut në një qorrsokak. Problemi i Greqisë është një problem europian, tha Tsipras në Forumin Ekonomik të Shën Peterburgut. (dw)

Takimi i liderëve mbaroi pa marrëveshje konkrete, takohen sërish më 29 qershor

gruevski zaevTentativa e fundit për marrëveshje përfundimtare për zgjidhjen e krizës politike do të zhvillohet më 29 qershor në Shkup. Ky është rezultati i sotëm pas takimit 1 orësh të 4 liderëve politik, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, me ndërmjetësimin e ambasadorit të Bashkimit Evropian Aivo Orav dhe të SHBA-ve Xhes Bejli. Palët janë marrë vesh që të bëjnë përpjekjen e fundit në fund të muajit dhe nëse nuk arrijnë asnjë marrëveshje, të ndërpriten përfundimisht bisedimet. Liderët ranë dakord gjithashtu edhe për kthimin në piedestal të Marrëveshjes së Përzhinos, të arritur më 2 qershor, e cila mbeti as në tokë as në qiell pas dështimit të bisedimeve të 10 qershorit.

“Ne liderët e partive kryesore politike sot u pajtuam që ta riafirmojmë zotimin tonë ndaj Marrëveshjes së 2 qershorit si dhe të vazhdojmë me bisedimet për implementimin e plotë të saj në nivel liderësh më 29 qershor. Ne gjithashtu përkrahim menaxhimin transparent nga ana e BE-së me tekstin e kësaj marrëveshje si dhe me të gjitha rekomandimet specifike në lidhje me reformat sistemore në fushën e sundimit të së drejtës, që do të zbatohen në interes të të gjithë qytetarëve”, thuhet në deklaratën e përbashkët të 4 liderëve.

Marrëveshja e 2 qershorit mes tjerash obligon pushtetin që t’i zbatojë të gjitha rekomandimet nga Raporti Pribe, i cili përmban kritika të ashpra dhe të drejtpërdrejta ndaj pushtetit lidhur me sundimin e ligjit. Nga LSDM-ja thonë se edhe pse nuk kanë obligim eksplicit që të mos vazhdojnë me publikimin e bombave deri më 29 qershor, sipas të gjitha gjasave nuk do të publikojnë materiale të përgjuara deri në takimin e ardhshëm. Euro-komisari Johanes Han dhe euro-deputetët e përfshirë në bisedimet janë ftuar të ndërmjetësojnë këtë raund bisedimesh, por deri tani nuk ka konfirmime për pjesëmarrjen e tyre. Nëse konfirmohet ndërmjetësimi i Hanit, data e bisedimeve mund të lëvizë 1 ose 2 ditë varësisht nga agjenda e tij dhe euro-deputetëve. Benjamin Arifi

Fokus: Johannes Hahn, aksioner në projektin “Shkupi 2014″

HahnKomisioneri për zgjerim i Bashkimit Europian, Johannes Hahn, vazhdon të jetë shënjestër e kritikave dhe sulmeve nga ana e mediave maqedonase.

Në numrin e saj të fundit revista “Fokus” sjell një hulumtim ku përmend lidhjet e biznesit që ka Hahn me Maqedoninë.

“Pa marrë parasysh se cili është roli në negociata i komisionarit Hahn, i cili është aksionar në një kompani austriake që ka ndërtuar objekte në projektin “Shkupi 2014″, është fakt se Gruevski me mjeshtëri po eskivon gjitha apelet për verifikimi të krimit që shpalosin “bombat”.

“A munden SHBA-të ta prejnë Nyjën e Gordit në skenën politike?”, shkruan revista “Fokus”. (alsat)

Topi është në fushën e Greqisë

Edhe 12 ditë kanë mbetur për të arritur një marrëveshje mes Greqisë dhe huadhënësve. A mund të zgjidhet mosmarrëveshja e borxhit me Greqinë në mbledhjen e eurogrupit në Luksemburg?

greqiaAs ministri gjerman i Financave Volfgang Shojble, as ministri grek i Financave Janis Varufakis nuk shohin një shans real që mosmarrëveshja e borxhit me Greqinë mund të zgjidhet në mbledhjen e eurogrupit në Luksemburg. Varufakis tha para mbërritjes së tij në Luksemburg, se nuk e besonte një gjë të tillë. “Tani është koha për liderët politikë për të arritur një zgjidhje,” tha Varufakis të mërkurën në mbrëmje në Paris. Kancelarja gjermane Angela Merkel i paralajmëroi grekët në një deklaratë qeveritare në Bundestag në Berlin, se tani e kanë ata radhën. “Aty ku ka vullnet, ka një rrugë,” tha Merkel.

Stacioni tjetër: Samiti i BE-së

Pra i mundshëm është një rinegocim i liderëve të BE-së me kryeministrin grek Aleksis Tsipras javën e ardhshme në samitin e BE-së në Bruksel. Një mundësi tjetër do të ishte një samit i veçantë i 19 vendeve të euros. Por diplomatët e frustuar të BE-së në Luksemburg vënë në dukje se në katër muajt e fundit tani ka pasur mjaft samite të tilla të veçanta dhe në to nuk është gjetur ndonjë rrugëdalje. “Përveç kësaj nga ministrat e financave duhet të merren vendimet formale për të përfunduar programin e ndihmës dhe për të paguar 7,2 milardë eurot” tha një punonjës i BE-së. Por koha nuk pret sepse programi i ndihmës merr fund automatikisht më 30 qershor.

A do të arrihet një zgjidhje e madhe?

Përfaqësuesit e tre huadhënësve, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Evropiane dhe Komisioni Evropian, mendojnë se qeveria greke do t’i bjerë murit me kokë dhe e ka vënë gjithçka në një kartë. “Grekët duket se mendojnë se eurogrupi nuk do të lejojë Greqinë të falimentojë, në mënyrë që të mos rrezikohet euroja.” mendon një zyrtar i BE-së. “Zgjidhja politike” që do të kërkojë përsëri në Luksemburg, ministri grek i Financave i Janis Varufakis, përfshin një falje të borxheve ose të paktën një ristrukturim të borxhit qeveritar kryesisht ndaj FMN-së dhe Bankës Qendrore Evropiane.

Kreu i ESM, fondit europian të shpëtimit, Klaus Regling, kujtoi në Luksemburg se Greqia deri në zgjedhjet në janar ishte në të vërtetë në një rrugë shumë të mirë. Vendet e tjera në krizë, Irlanda, Portugalia dhe Spanja i kanë paguar mandje borxhet e tyre të mara nga fondi i shpëtimit.

“Greqia është një kategori tjetër. Deri në mes të vitit të kaluar, ka pasur progres të rëndësishëm. Aftësia konkurruese është rritur dhe ka pasur rritje ekonomike. Shteti ishte madje në hedhur në treg bono të reja. Por, që nga fundi i vitit të kaluar, situata është përkeqësuar” tha Klaus Regling. Mediat greke raportojnë se ekonomia do të tkurret përsëri dhe bankat greke janë nën presion të madh. Grekët po tërheqin shumë para dhe po shtohet volumi i kredive të këqija, të cilat nuk mund të shlyhen. Banka Qendrore Evropiane vazhdon t’i mbështesë katër bankat e mëdha duke u aprovuar “hua emergjente”. Por kjo gjendje nuk mund të vazhdojë përgjithmonë, thotë Banka Qendrore në Frankfurt.

Ndoshta zgjedhjet të reja në Greqi

Qeveria greke ndërkohë e ka refuzuar kontrollin mbi lëvizjet e kapitalit. Zëvendësministri për Marrëdhëniet Ekonomike Ndërkombëtare, Euklidi Tsakalotos, tha në një intervistë me BBC, nëse qeveria e tij nuk mund të arrijë një marrëveshje me evropianët, do të ketë zgjedhje të reja apo një referendum. “Ne nuk kemi një mandat nga qytetarët grekë që të braktisim eurozonën”, tha Tsakalotos. Presidenti i Deutsche Bundesbank, Jens Weidmann e paralajmëroi që të mos bëhen përpjekje me çdo kusht për ta mbajtur Greqinë në zonën e euros. Rreziqet e mundshme të përhapjes së problemit që rrjedhin nga një dalje greke nga zona e euros nuk duhet të jetë një carte blanche për Athinën, tha Weidman në një intervistë me shtypin e huaj. “Ndërpreja e marrëveshjeve dhe ndalimi i pagesa ndaj partnerëve që e kanë ndihmuar apo ndaj BQE-së do të kenë për Greqinë me siguri pasoja të vështira për të kontrolluar. Në fund të fundit, përgjegjësia për qëndrimin e vendit në zonën e euros i takon qeverisë greke.” Ky është edhe mendimi unanim në ministrave të Financave në Luksemburg. Topi është në fushën e Greqisë. (dw)

Evropa po rrethohet me mure

Me një gardh në kufirin me Serbinë qeveria hungareze planifikon të ndalë refugjatët nga Lindja e Mesme dhe Afrika. Evropa reagon me zemërim, por ne duhet të ruhemi nga hipokrizia, mendon Robert Schwartz.

gardhiMjerimi dhe lufta janë në rritje në mbarë botën, fotografitë për valët e refugjatëve janë sot pjesë e mediave tona të përditshme. Njerëzit nga Afrika dhe Lindja e Mesme, nga Azia dhe nga zonat lindore dhe jugore kufitare të Evropës largohen nga vatrat e tyre me dhjetëra-mijëra. Ata kërkojnë mbrojtje jo vetëm kundër shkatërrimit dhe vdekjes, por edhe nga persekutimi politik dhe varfëria. Po Evropa e sigurt dhe e pasur? Ajo izolohet dhe nuk e konsideron veten në gjendje për t’i rregulluar këto çështje politikisht. Dhe me dorë në zemër, kjo nuk është e lehtë.

Muret nuk janë zgjidhje

Por zgjidhja nuk mund të jetë ndërtimi i mureve. Këtë na e ka demonstruar vazhdimisht historia në mënyrë mbresëlënëse. Këtë e di dhe Bashkimi Europian, dhe shtetet anëtare. Dhe megjithatë: po shtohen muret e larta dhe gardhet me të cilat Evropa po rrethohet vërtet me mure. Së pari, Spanja u përpoq ta mbronte veten ndaj fluksit të refugjatëve nga Afrika e Veriut me një gardh të me tel me gjemba. Në kufirin greko-turk dhe bullgaro-turk, janë ngritur tashmë mure. Dhe mure të tjera do të pasojnë në kufirin e Hungarisë me Serbinë.

Indinjata është e madhe, por ne duhet të ruhemi edhe nga hipokrizia. Procesi i zgjerimit të BE-së në jug, lindje dhe juglindje u shoqërua nga fillimi me një sërë masash për të siguruar kufijtë e jashtëm. Anëtarët më të rinj janë u pranuan vetëm pasi ata siguruan kufijtë. Koncerne evropiane si EADS kanë modernizuar pajisjet elektronike të kufijve lindorë të BE-së shpenzime këto qä kanë kushtuar miliarda, agjencia kufitare evropiane, Frontex, ka ngritur tashmë një mur të padukshëm në Mesdhe. Europa është bërë një fortesë jo vetëm nga telat me gjemba dhe muret prej betoni.

Megjithatë, as gardhet e dukshme as ato të padukshme dhe muret nuk i kanë penguar refugjatët që të kërkojnë shtigje për të arritur në një farë mënyre siguri dhe një të ardhme. Përkundrazi statistikat dëshmojnë se fortifikimet kanë rritur kryesisht e numrin e të vdekur dhe të plagosurve. Numri i atyre që i kapërcejnë ato po shtohet po ashtu si dhe numri i përgjithshëm i refugjatëve.

Megjithatë, pavarësisht nga këto rezultate, ne mbetemi të patundur në mbrojtjen e kështjellës sonë evropiane prej refugjatëve dhe emigrantëve. Ne mbikëqyrim dhe mbikëqyremi! E gjitha kjo për hir të misrëqenies sonë! Ne deklarojnë shtete si vende të sigurta origjine, edhe pse ata janë ende larg standardeve demokratike. Dhe ne ngremë më lart muret!

Emigracioni – jo fatazmë frikësuese

Ndërkohë të gjitha këto masa e kanë humbur tashmë efektin e tyre të shpresuar. Është koha që politikanët përgjegjës në Bashkimin Evropian, jo vetëm të identifikojnë problemet, por edhe të kërkojnë në mënyrë specifike për zgjidhje efektive dhe humane. E drejta e azilit, e drejta për një jetë dinjitoze në liri dhe siguri – këto të drejta themelore nuk duhet të minohen më tej. Arsyet që i shtyjnë njerëzit të marrin arratinë duhet të luftohen më me forcë. Dhe muret duhen hequr – edhe në mendjet tona! Emigracioni duhet të jetë jo më një fantazëm populiste në BE!

Një qasje e parë tashmë ekziston: pas fatkeqësisë së fundit të anijeve në Mesdhe ku pati mijëra të vdekur, Komisioni i BE-së duket se do ta rishikojë politikën ndaj refugjatëve evropiane. Përpjekjet e deritanishme kanë dështuar për shkak të egoizmit të shteteve anëtare. Tani BE-ja mund të demonstrojë se ajo është serioze në lidhje me komunitetin evropian të vlerave. (dw)

Interesim i komunitetit ndërkombëtar për votimet në Shqipëri

Ambasadori i RFGJ në Shqipëri, Hellmut Hoffmann ka apeluar në ditën e fundit të fushatës elektorale për pjesëmarrje në votimet e ditës së dielë, në mënyrë që qytetarët të përdorin të drejtën e tyre për të zgjedhur.

zgjedhjet ALBKur kanë mbetur dhe pak kohë që në 61 bashkitë e Shqipërisë do të zhvillohen zgjedhjet për pushtetin lokal janë shtuar zërat e ndërkombëtarëve për mbarëvajtjen e tyre, duke e lidhur standardin e votimeve me procesin e integrimit evropian të vendit. Në një prononcim për mediat ditën e premte (19.06), që është dhe dita e fundit e fushatës elektorale, ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Hellmut Hoffmann theksoi rëndësinë shumë të madhe që kanë zgjedhjet në një sistem demokratik, pasi sipas tij, qytetarët kanë kështu mundësinë të përcaktojnë se kush do të duhet të drejtojë fatet politike të vendit.

“Zgjedhëset dhe zgjedhësit shqiptarë mund të vendosin ditën e dielë, se kush do të përfaqësojë interesat e tyre në nivel lokal vitet e ardhshme. Kjo është një mundësi për të bashkëformësuar të ardhmen e Shqipërisë dhe shpresa ime është, që shumë shqiptarë ta përdorin të drejtën e tyre për të zgjedhur. Vetëm kush shkon të votojë merr përsipër përgjegjësitë, që i takojnë një qytetari aktiv.”

Ambasadori Hoffmann kujtoi në deklaratën e tij dhe kontekstin e procesit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. “Pikërisht në një vend, që është kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, zgjedhjet vëzhgohen me vëmendje të veçantë në nivel ndërkombëtar, duke qenë se janë një test i rëndësishëm për zhvillimin e demokracisë, e për këtë arsye është tejet e rëndësishme që ato të zhvillohen në mënyrë transparente dhe ligjore.“

Të dielën rreth 100 vëzhgues si përfaqësues të BE-së

Për të shprehur rëndësinë që kanë zgjedhjet, më herët shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadorja Romana Vlahutin, konfirmoi se në ekipin e vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it do të jenë dhe rreth 100 përfaqësues nga shtetet anëtare të BE-së, të cilët janë në pjesën më të madhe përfaqësues të selive diplomatike të akredituara në Tiranë. Ambasadorja Vlahutin vuri theksin tek fenomeni i shitjes së votave dhe spekulimeve me ushtrimin e të drejtës së votimit nga qytetarët, pasi sipas saj ata duhet të marrin pjesë në demokraci, sepse ata nuk janë objekti i spekulantëve, por janë subjekt i procesit të votimeve.

“U kemi bërë thirrje qytetarëve, që të bëjnë kujdes dhe të mbeten të angazhuar, dhe të refuzojnë çfarëdo rryshfeti dhe presioni që mund t’u bëhet. Vota juaj është e fshehtë, ajo është liria juaj dhe askush nuk mund ta marrë atë. Dita e zgjedhjeve është një mundësi që qytetarët të përmirësojnë demokracinë dhe përmes saj të përmirësojnë jetesën e tyre të përditshme” – ka apeluar shefja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. (dw)

Maqedonia dhe Kosova vendet më jostabile në Ballkan

policia MKKush janë vendet më stabile dhe më jostabile në Ballkan dhe botë, sipas “Global Peace Index 2015″.

Maqedonia dhe Kosova konsiderohen si vendet më jostabile në Ballkan.

Ky vlerësim del nga hulumtimi i realizuar nga Instituti “Global Peace Index 2015″.

Sipas vlerësimeve të bëra, Maqedonia është vendi më jostabil në Ballkanin Perëndimor i renditur në vendin e 71. Më pas radhitet Kosova në vendin e 69, dhe pas saj Mali i Zi në vendin e 57.

Sipas kësaj liste, vendi më i qetë në Ballkan është Kroacia e cila zë vendin e 27-të nga gjithsej 162 vende, ndërkohë pasojnë Serbia në vendin e 46, Shqipëria e 52-të dhe Bosnje e Hercegovina e cila ndodhet vendin e 53-të të listës.

Nga vendet e rajonit të gjerë të Ballkanit, vendi më i qetë është Sllovenia e cila ndodhet lartë në vendin e 15-të listës, dhe pasojnë Hungaria (22), Sllovakia (23), Rumania (26) Bullgaria (32) dhe Greqia në vendin e 61.

Vendi më i qetë në botë është Islanda, ndërsa vendi më jostabil është Siria. Vendet më jostabile të kontinentit evropian janë Rusia dhe Ukraina, të cilat më shumë se një vit janë në marrëdhëniet mjaft të tensionuara.

Sipas kësaj liste, vendet më stabile në botë janë: Islanda, Danimarka, Austria, Zelanda e Re, Zvicra, Finlanda, Kanadaja, Japonia, Australia dhe Republika Çeke. Pas tyre vijojnë Portugalia, Irlanda, Suedia, Belgjika, Sllovenia, Gjermania, Norvegjia, Butani, Polonia dhe Holanda.

Ndërsa, nga vendet më jostabile në botë janë: Siria, Iraku, Afganistani, Sudani Jugor, Republika e Afrikës Qendrore, Somalia, Sudani, Kongo, Pakistani dhe Koreja e Veriut.

Instituti për Ekonomi dhe Paqe, i cili ka publikuar raportin ka përdorur 23 kritere në mënyrë për të marrë rezultate, duke përfshirë nivelin e dhunës, nivelin e vrasjeve, jostabilitetin politik dhe numrin e vdekjeve në konflikt të brendshëm. (INA)

Engel: Shqiptarët në Maqedoni duhet të kenë status të barabartë

eliot engelKongresisti amerikan Eliot Engel deklaroi për INA se është i pakënaqur nga mosrespektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

“Jam i pakënaqur me mosrespektimin e Qeverisë së Maqedonisë së Marrëveshjes së Ohrit. Unë mendoj se ka shumë punë për të bërë, ngaqë mendoj se Maqedonia, është një vend i rëndësishëm, dhe aleat i Shteteve të Bashkuara. Ne kemi mbështetur këtë vend që të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike. Por dua që të gjithë qytetarët e këtij vendi, duke përfshirë edhe shqiptarë, duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të jenë të barabartë”, deklaroi për INA, kongresisti Engel, pas një takimi që zhvilloi në Uashington me kryetarin e Lëvizjes për Reforma të PDSH-së, Ziadin Sela.

Ai ka theksuar se ka qenë i shqetësuar për ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë dhe për ngecjen në planin e dialogut politik. I pyetur për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni, Engel ka theksuar se ata duhet të kenë të drejta të barabarta.

“Së fundi jam edhe i shqetësuar me atë se çfarë po ndodh me komunitetin shqiptar në Maqedoni. Unë dëshirojë t’ju sigurojë me këtë rast që shqiptarët në Maqedoni, duhet të trajtohen njësojë si të gjithë qytetarët, të jenë me të drejta të plota dhe të pa nëpërkëmbura”, deklaroi Engel, duke premtuar se gjatë disa javëve të ardhshme do të qëndrojë për vizitë në Maqedoni.

“Pas disa javëve do të jem në Maqedoni, duke shpresuar se mund të takohemi dhe të flasim për disa probleme, edhe me liderët e tjerë shqiptarë”,  deklaroi kongresisti demokrat, që është edhe anëtar i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit Amerikan.  (B.Sina/INA)