Koment: “Normaliteti i ri”

Moska armatoset, do ta zgjerojë arsenalin e armëve atomike. Preteksti se ky është reagim ndaj NATO-s është i planifikuar me kohë. Ingo Mannteufel mendon, se tani sërish duhet të ambjentohemi me retorikën e konfrontimit.

armatimiVladimir Putin komunikoi krijimin e më shumë se 40 raketave të reja ndërkontinentale për forcat e armatosura atomike ruse. Si justifikim për këtë armatim Moska paraqet planin e SHBA-së për dislokimin e teknikës së rëndë të luftës në vendet europiano-lindore të NATO-s. Në këtë kontekst Kremlini jo pa qëllim e anashkalon faktin, se zgjerimi i aftësive mbrojtëse në kufijtë lindorë të NATO-s duhet parë në kontekstin e politikës agresive ruse në Ukrainë.

Perëndimi dhe Rusia ndodhen – sërish – në një dilemë teorike të sigurisë: asnjra palë nuk ka besim tek tjetra dhe për këtë arsye ato i zgjerojnë kapacitetet e tyre ushtarake. Secila palë reciprokisht e ndjen veten të kërcënuar dhe intensifikon armatimet e veta. Rezultati është një spirale klasike armatimi.

Putin ka nevojë për konfrontim

Ky zhvillim nuk vjen papritur e veçanërisht gjermanët duhet të mësojnë ta konsiderojnë si “normalitetin e ri” retorikën e re konfrontuese nga Moska. Janë të shumtë ata që gabimisht e konsiderojnë konfliktin në Ukrainë si shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit.

Por konfrontimi për Ukrainën dhe në Ukrainë është pasojë ose shprehje e një zhvillimi të brendshëm me rrënjë më të thella në Rusi: fillimi i presidencës së tretë të Putinit 2011/2012 u shoqërua me protetsta të fuqishme të shtresave të vogla dhe të mesme qytetare në vend. Ndaj kësaj krize legjitimiteti të krijuar kundrejt Putinit Kremlini reagoi me një përkushtim edhe më të fuqishëm ndaj vlerave kombëtare ruse dhe ortodokse. Me këtë retorikë kundër Perëndimit, që ka fituar trajta të frikshme patologjike në konfliktin për Ukrainën, Putin ia ka dalë, që ta rrisë në vlera deri tani të paimagjinueshme në 80% kuotën e simpatisë ndaj tij, që në vitin 2012 ra dukshëm.

Ky fokus ndaj një rruge të tij të veçantë politike është shoqëruar edhe me një strategji të re ekonomike për Rusinë: në kohën e krizës globale financiare dhe rënies së çmimeve të energjisë Kremlini – shumë kohë përpara krizës së Ukrainës – vendosi për shkëputjen prej partneritetit të modernizimit të ofruar nga Perëndimi. Në vend të kësaj Moska që nga vitet 2011/2012 është përqendruar tek një riindustrializim i ekonomisë ruse sipas parimit sovjetik: përmes instituteve teknike studimore të atashuara në komplekset ushtarako-industriale duhet të rindërtohet ekonomia kryesisht në sektorin e prodhimit.

Armatim i planifikuar prej kohësh

Qysh në shkurt 2012 – asokohe ende kryeministër dhe kandidat për president – Vladimir Putin shpalli investime masive në industrinë ruse të armatimit në vlerën e rreth 23 trilionë Rublave deri në vitin 2022. E pikërisht përpara më shumë se tre vjetësh ai u shpreh për pajisjen edhe të dhjetë regjimenteve të tjera me raketa bërthamore të tipit Topol-M dhe Jars. Putin në fakt tani vetëm e ka përsëritur këtë – duke e ndryshuar kahun e shkakut dhe pasojës – në kontekstin e planeve të NATO-s për Europën Lindore.

E vërteta e hidhur është, se nuk është as konflikti në Ukrainë e madje as qendrimi i Perëndimit që kanë çuar në një konfrontim të ri mes Perëndimit dhe Rusisë, por është kursi politik që ndjek prej vitesh presidenti Putin që po shkon drejt kësaj luftë të re të ftohtë. Edhe pse Perëndimi ende nuk do ta besojë: ky është “normaliteti i ri”. (dw)

BQE pengon falimentimin e Greqisë

Ministri grek i Financave jep intervista dhe flet nëpër podiume. Që politikanët grekë mbeten kaq të shpenguar, ka një shkak të thjeshtë: ka kohë që e kanë kthyer BQE-në bashkëpunëtore të tyre.

Grekët luajnë një lojë fare të paskrupullt, thotë eksperti këlnas i financave dhe i ekonomisë, Max Otte: “Sa më gjatë zgjat pokeri, aq më shumë para duhet t’u përcjellë atyre Banka Qendrore Evropiane.” Me këtë ai ka parasysh kredi emergjente, të cilat Banka Qendrore greke ua jep bankave vendase me lejen e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), duke i mbajtur ato kështu në jetë. E thënë ndryshe: Bank of Greece i shtyp vetë bankënotat për bankat greke, të cilat përndryshe nuk do të kishin më qasje tek paratë. Këto kredi emergjente quhen ndryshe edhe ELA (Emergency Liquidity Assistance).

Që kur në pushtet ka ardhur aleanca e majtë Syriza, bankat në Greqi vuajnë edhe më shumë nga tërheqjet e kapitalit. Muaj për muaj grekët tërheqin para në shuma miliardëshe nga bankat e tyre. Kur bankat vuajnë për një kohë të gjatë nga mungesa e parave, ato në fakt falimentojnë. Por bankave të falimentuara nuk lejohet t’u jepen kredi emergjente. “Kufiri midis ELA-s dhe zvarritjes së shpalljes së konkursit është i papërcaktuar”, thotë Elke König, shefe e Agjencisë së Mbylljes së Bankave, Single Resolution Board.

Edhe Presidenti i Bankës Federale Gjermane, Jens Weidmann e shikon në mënyrë kritike këtë praktikë, që Këshilli i BQE çdo javë e zgjeron kuadrin për kredi ELA, duke e çuar së fundi në 83 miliardë euro. Kjo në një kohë kur shuma e mbajtjes përgjegjësi nga Banka Qendrore Greke, sipas Presidentit të ifo-s, Hans-Werner Sinn është vetëm 41 miliardë.

Dobitë e kredive ELA janë të mëdha

Interesante është edhe ajo që ndodh me kreditë emergjente. Me to paguhen fillimisht kreditë që u ka ardhur radha të paguajë Athina. Kështu shteti grek ruhet nga paaftësia për të paguar – pra një financim indirekt i shtetit, gjë që në bazë të statutit të BQE nuk është i lejuar. Së dyti, me këtë mbushen boshllëqet e krijuara për shkak të largimit të kapitalit në banka. Edhe kreditë private financohen me to, thotë Hans-Werner Sinn: “Grekët kanë shtypur vetë dhe i kanë dhënë hua përmes bankave ekonomisë private 115 miliardë euro shtesë, pra përtej nevojës normale për paratë”, tha Sinn në bisedë me DW. Paratë nxirren jashtë vendit ose futen në valixhe, thotë ai. “Këto para janë në rast të daljes së Greqisë nga eurozona para greke. Këto para ata i kanë siguruar. Kurse kërkesat e pambuluara të sistemit euro atëherë duhet t’i harrojmë”.

Një biznes me vlerë për Greqinë

Sa më shumë që zgjaten negociatat, sa më shumë kredi emergjente që mblidhen, aq më të mëdha bëhen rreziqet e humbjes për vendet e tjera evropiane. Edhe nëse Grexit nuk ka qenë asnjëherë kaq pranë sa tani, ekonomisti Otte beson se edhe këtë herë nuk do të ndodhë: “në parim, politikanët kryesorë thonë: ne do t’i bëjmë gati të gjitha, të dashur grekë, jo vetëm duhet ta afroheni pak me pozicionin tonë”. Derisa qeveria greke të shprehë gatishmërinë për këtë hap, mund të kesh besim tek BQE. Ajo ka deklaruar tashmë se do të vazhdojë ta përdorë instrumentin e ELA-s. (dw)

Zaev: Veprime më dramatike kundër regjimit, Ahmeti lojë të dyfishtë

zaev 360

Lideri i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev paralajmëroi veprime më radikale të opozitës nëse deri në fund të muajit nuk arrihet ndonjë marrëveshje për zgjidhjen e krizës. Në emisionin 360 gradë, Zaev sqaroi se veprimet radikale nuk kanë karakter të dhunës, por do të jenë vetëm një ndryshim i veprimit që përsëri do të jetë me karakter paqësor.

‘Qëllimi për Maqedoni pozitive nuk arrihet përmes hapave radikal në kuptim të ballafaqimit me policinë ose gjëra të ngjashme. Ne mendojmë në hapa më ndryshe dhe më dramatike se kampi. Absolutisht në atë aspekt e mendojmë. Organizatat joqeveritare dinë të përdorin edhe fjalën radikal dhe të ngjashme, gjithçka është e hapur dhe personalisht unë dhe partia ime mendojmë se nuk guxon të ketë dhunë. Gjithçka duhet të arrihet përmes mënyrës së qetë dhe natyrore’, tha  Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Zaev akuzoi partnerin shqiptar të Gruevskit kreun e BDI-së Ali Ahmetin se po luan lojë të dyfishtë duke thënë se në Bruksel Ahmeti ishte kërcënuar se nëse dështojnë bisedimet ai do ta braktisë Qeverinë dhe kështu do të shkaktojë zgjedhje të parakohshme.

‘Nëse sot nuk arrijmë marrëveshje unë nesër do të thërras organet partiake dhe do të marr vendim që të dal nga Qeveria a me këtë Gruevski do të jetë i detyruar të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Këtë e thotë Ali Ahmeti i cili mundohet të paraqitet si neutral. Haptazi të thotë, Zaev merru vesh sepse do të ballafaqohesh me zgjedhje. Ja u kthyem në Maqedoni dhe nuk ka vendim për të dalë nga Qeveria. Duhet të dalin dhe unë i nxis për një veprim të këtillë. Përse them se BDI duhet të dalë nga Qeveria nëse nuk i barazojmë atë dhe kreun e VMRO-DPMNE-së, tërësisht e inkriminuar. Pra edhe një pjesë e BDI-së janë tërësisht të inkriminuar, ne publikuam disa argument dhe bomba edhe për ata. Nëse BDI del nga Qeveria atëherë Gruevski nuk ka shumicë dhe përderisa nuk ka shumicë, kush do ta shpërbënte Kuvendin për të shkuar në zgjedhje të parakohshme?’, shtoi Zaev.

Zaev tha se Marrëveshja e Ohrit ka shpëtuar shtetin e Maqedonisë andaj sipas tij ky dokument është i rëndësishëm edhe për maqedonasit. Ai madje propozoi që në krye të sekretariatit në të ardhmen të jetë një maqedonas.

‘Përse deri më tani nuk ka një maqedonas që do ta implementojë Marrëveshjen e Ohrit? Prej nga ky obligim politikanëve shqiptarë për marrëveshjen e Ohrit, jo maqedonas do ta implementoj. Ai është një detyrim i përbashkët nga viti 2001 dhe kjo marrëveshje kornizë është ajo që shpëtoi Maqedoninë në vitin 2001, ajo ka shpirt. Duhet të dalim jashtë kornizave të asaj marrëveshje dhe të bëjmë diçka më shumë dhe në mënyrë më të sinqertë për të gjithë ne qytetarët e Maqedonisë. Vetëm kështu do të kemi një vend të respektueshëm’, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së

Ai tha se gjatë bisedimeve në Bruksel kishte pasur tentim për të hapur edhe temën e amnistisë të cilën Zaev thotë se e kishte kundërshtuar menjëherë, ndërsa u shpreh se do ta refuzojë sa herë që ti propozohet. Arben Zeqiri

Përgjimet, Zaev: Ja bizneset dhe pazaret e Ahmetit dhe kreut të BDI-së(Audio)

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev publikoi bombën e 38-të ku nxorri skandale korruptive të BDI-së.

bombaLideri i LSDM-së, Zoran Zaev publikoi biseda të përgjuara ku sipas tij kryetari BDI-së, Ali Ahmeti dhe partia e tij është edhe lidhur me skandale korruptive dhe kriminale.

“Me përgjimet që po publikojmë sot vazhdojmë të zbulojmë fytyrën e vërtetë të kreut të BDI-së. Gruevski nuk ka bërë asgjë pa pasur dijeni edhe partneri i tij i koalicionit. Përmes njerëzve të besueshëm në rastin konkret bëhet fjalë për kryetarin e degës së BDI-së në Çair, Ahmeti ndërmjetëson tek një biznesmenë që ti shitet një tokë prej 1 mijë metrave katrorë”, theksoi Zaev.

Sipas Zaev, BDI e ka ditur mirë se përgjohen bisedat e tyre, andaj kanë pasur kujdes gjatë bisedave telefonike. (INA)

 

Shuhet “Albafone” në Maqedoni

albafonOperatori i katërt i telefonisë celulare “Albafone” nuk do të ekzistojë më.

Kjo kompani ka informuar klientët e saj përmes porosive se nuk do të funksionojë më dhe se ata duhet të transferohen tek operatorët e tjerë. Kompania “Albafone” ofroi shërbime të telefonisë celulare më shumë se një vit më parë me prefiksin 073.

Ajo kishte 16 mijë shfrytëzues dhe se po shfrytëzonte shërbimet përmes kompanisë “One”.  Ky operator i katërt i telefonisë celulare theksohet se ka edhe borxhe të mëdha përfshirë edhe ato ndaj mediave lidhur me fushatat mediale. (INA)

Vajgl: Maqedonia mund të përballet me krizë serioze

Eurodeputeti i Parlamentit Evropian dhe raportues për Maqedoninë, Ivo Vajgl theksoi se Maqedonia mund të përballet me pasoja serioze jo vetëm për Maqedoninë, por edhe rajonin.

“Mendoj se procesi i negociatave akoma është i hapur, dhe nëse ai do të dështojë, do të mund të ketë pasoja serioze jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin”, theksoi Vajgl në një intervistë për 24 Vesti. Ai konfirmoi se në negociatat për zgjidhjen e krizës, njërat nga palët nuk ishte e përgaditur për kompromis, por duke mos nënvizuar se për kë bëhet fjalë. (INA)

TAP hap tenderin për tubacionin detar, si lidhet me Italinë

gazsjellesi-tapGazsjellësi TAP ka shpallur hapjen e tenderit për pjesën inxhinierike, prokurimin, ndërtimin dhe instalimin të pjesës detare të projektit si tubacion nënujor me diametër 36 inç në detin Adriatik mes brigjeve të Shqipërisë dhe Italisë jugore me gjatësi rreth 105 km. Në tender pritet të marrin pjesë kompanitë e kualifikuara në muajin shkurt, ndërsa kontrata pritet të lidhet në fund të këtij vit, bëjnë të ditur burimet zyrtare të TAP-it.

Sipas tyre, punimet do të përfshijnë punimet përkatëse në vend dalje dhe vend hyrje në Shqipëri dhe Itali bashkë me mikrotunelin nënujor, instalimin në pjesën detare, ndërhyrjet në fundin e detit, instalimin dhe furnizimin e kabullit me fibër optike dhe aktivitetet e testimit dhe kontrollit. Ndërtimi i pjesës detare të tubacionit është planifikuar të nisë në vitin 2017.

TAP pritet të nisë së shpejti punën për ndërtimin e rrugëve dhe urave ku do të kalojë tubacioni në tokën shqiptare, pasi ndërtimi i tyre përbën hap vendimtar në përgatitjet për ndërtimin e tubacionit, të parashikuar që të nisë në vitin 2016. Dy muaj më parë, TAP përzgjodhi kontratën e parë për ndërtimin e rrugëve ndihmëse dhe urave në Shqipëri. Sipas kontratës, në Shqipëri do të ndërtohen dhe rehabilitohen mbi 100 kilometra rrugë përgjatë trajektores së tubacionit në Vishocicë, Trestenik, Vithkuq dhe Shtyllas në rajonin e Korçës, Çorovodë, Kakruk, rrethinat e Potomit në rajonin e Beratit dhe Seman e Topojë në rajonin e Fierit. Gjithashtu do të ndërtohen dy ura të reja dhe do të rehabilitohen rreth 50 ura ekzistuese në rajonet e Korçës, Beratit dhe Fierit.

Ndërtimi i Gazsjellësit në Shqipëri parashikon një gjurmë të TAP-it në rreth 210 kilometra në pjesën tokësore dhe 37 km në pjesën detare në ujërat territoriale shqiptare të Detit Adriatik. Seksioni fillon në Bilisht Qendër, në Qarkun e Korçës në kufirin shqiptar me Greqinë dhe mbërrin në Detin Adriatik 17 km në veriperëndim të Fierit, 400 metra në tokë nga vija bregdetare. Në afërsi të Fierit do të ndërtohet një stacion kompresor dhe është planifikuar një stacion tjetër në afërsi të Bilishtit, nëse kapaciteti i gazsjellësit zgjerohet në 20 miliardë metra kub.

Përgjatë kësaj gjurme do të ndërtohen nëntë stacione valvulash bllokimi. Në zonat malore do të ndërtohen afërsisht 51 kilometra rrugë të reja dytësore, ndërsa 41 kilometra ekzistuese do të përmirësohen, 42 ura do të rehabilitohen dhe do të ndërtohen tre të reja. Puna për ndërtimin e çdo “segmenti” zakonisht llogaritet të zgjasë nga tre në gjashtë muaj. TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz II në Azerbajxhan për në Evropë me një gazsjellës me gjatësi rreth 870 km, që do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në afërsi të kufirit turko-grek në Kipoi, do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik dhe do të dalë përsëri në tokë në Italinë e Jugut.
Shekulli

Ekonomitë e vendeve në zhvillim

Vitet e fundit, parashikimi ekonomik për shumë vende në zhvillim ishte pozitiv. Por Banka Botërore ka ulur parashikimet e saj për vitin 2015, duke thënë se këto vende tani përballen me një sërë sfidash të vështira. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Joe De Capua ka përgatitur raportin.

Banka Botërore parashikon që vendet në zhvillim do të rriten 4.4 për qind këtë vit dhe jo 4.8 siç u parashikua më parë.

Ayhan KoseAyhan Kose, drejtor i Grupit për Perspektivat e Zhvillimit në Bankë, jep një arsye themelore për uljen e parashikimit.

“Vendet në Zhvillim si grup kanë qënë në ulje që nga viti 2010. Por ajo që ndodhi në vitin 2014 dhe që vazhdoi për një pjesë të këtij viti, ishte një rënie e madhe në çmimet e naftës që filloi të dëmtojë veçanërisht ekonomitë e vendeve eksportuese të naftës”. 

Raporti i Bankës Botërore mbi Prespektivën Ekonomike Globale ve në dukje problemet në të ashtuquajturat ekonomi me rritje të shpejtë.

“Brazili pritet të kalojë në recesion. Rusia po kalon në një recesion të dhimbshëm. Të dyja këto vende janë ekonomi që konsiderohen me rritje të shpejtë. Në Kinë, ndonëse në mënyrë të kontrolluar, rritja ekonomike është ulur. Afrika e Jugut ka probleme serioze strukturore. Të gjitha këto të marra së bashku na çuan në një rishikim të parashikimit”, thotë zoti Kose.

Ai shton  se lajmet e këqija për vendet në zhvillim që eksportojnë naftë janë lajme të mira për importuesit e naftës.

“Është një fat i papritur për ekonominë globale. Dhe ne ende mendojmë se përfitimet e rënies së çmimit të naftës do të materializohet gjatë 12 apo 18 muajve të ardhshëm. Për ekonomitë eksportuese të naftës është një zhvillim i dhimbshëm. Por për ekonomitë importuese nuk ka dyshim se ky është një zhvillim pozitiv”.

Rënia e çmimeve të naftës është duke shkaktuar një ndryshim ekonomik global.

“Në fund të fundit, me rënien e çmimit të naftës ajo që shohim është një transferim të ardhurave nga ekonomitë eksportuese të naftës tek ekonomitë importuese, tek konsumatorët dhe përdorruesit,” thotë zyrtari i lartë i Bankës Botërore.

Ai shton se, megjithatë, konsumatorët janë ende në mëdyshje për të përdorur kursimet e tyre nga çmimet e ulëta të naftës për të blerë mallra konsumi. Shpenzimet nxisin ekonomitë, por ka ende një mungesë e besimit të konsumatorëve.

Ç’po ndodh me vendet eksportuese të naftës si Nigeria dhe Angola që i kanë shpresat e tyre të lidhura me rezervat e naftës?

“Për këtë vit, ne ulëm parashikimin e rritjes për Nigerinë dhe Angolën. Në të dyja këto vende ka nevojë për përshtatje të politikave. Nigeria uli shpenzimet fiskale. Angola gjithashtu. Ata po marrin masa për t’u përshtatur me mjedisin e ri. Në të njëjtën kohë, në aspektin afat-mesëm presim që ata të fillojnë diversifikimin – të mendojnë për më shumë investime në infrastrukturë dhe në kapitalin njerëzor”, thotë zoti Kose.

Parashikimet e Bankës për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore janë vetëm 2.2 për qind këtë vit. Zyrtartë po monitorojnë kriza të ndryshme që mund të cojnë në rritje të cmimit të naftës.

Një faktor tjetër që pritet të ketë ndikim negative në shumë vende në zhvillim është pritshmëria e rritjes së normave të interesit në Shtetet e Bashkuara.

“Normat e interesit në Shtetet e Bashkuara shërbejnë si referencë. Kur norma afatshkurtër e interesit në Shtetet e Bashkuara rritet, kjo ka një ndikim në koston e huamarrjes së vendeve të tjera. Kështu që mund të ketë një efet të gjerë tek konsumatorët në vende të ndryshme”, thotë zoti Kose.

Një rajon që duket ndryshe në parashikimin e Bankës Botërore është Azia Jugore. Ajo ka një parashikim rritje prej 7.1 për qind këtë vit.

“Azia Jugore po bëhet rajoni me rritjen më të shpejtë. Faktori kryesor aty është India me një kornizë të fortë të politikave monetare dhe gadishmërinë për reforma. Të gjitha këto dërgojnë një sinjal të fortë për prespektivën afatmesme të rritjes”, thotë zyrtari i Bankës Botërore..

Raporti i Bankës Botërore për prespektivën ekonomike globale është më optimist për vitin 2016 dhe 2017. Parashikimi i rritjes për vendet në zhvillim për këto dy vite është respektivisht 5.2 dhe 5.4 për qind. (voa)

Situatë dramatike rreth Greqisë

Edhe njëherë tjetër dështuan në Bruksel bisedimet midis përfaqësuesve të kreditorëve dhe të qeverisë greke. Presioni kohor po shtohet, mirëkuptimi për taktikën e negociatave të Greqisë po bie.

euroMesazhi serioz vjen nga Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Mario Draghi: drama e situatës greke nuk do të thotë se përgjegjësinë për të e mbajnë të tjerët. Ai tërhoqi vëmendjen në faktin që ndihma e likuiditetit për bankat greke aktualisht është 118 miliardë euro, kjo është e barabartë me 66 përqind të produktit kombëtar grek. BQE vazhdon të mendojë se bankat greke kanë aftësi paguese dhe se garancitë janë të mjaftueshme, për t’i furnizuar ato ende me para. Megjithatë gjendja po avancon dhe duhet vërejtur shëndeti i bankave greke. Një sinjal se në rast të një falimentimi shtetëror në fund të muajit, situata mund të ndryshojë me shpejtësi rrufeje. “Na nevojitet një dakordim serioz dhe i gjerë me Greqinë”, paralajmëron Draghi. Po ta mbyllë ai rubinetin e parave, Athina merr fund.

Edhe Presidenti francez, Francois Hollande paralajmëron: duhet të zhvillohen me shpejtësi sërish negociata, sepse tani afatet për Greqinë janë shumë të shkurtra. Gjëra të ngjashme dëgjohen edhe nga Berlini. Vetëm Alexis Tsipras vetë duket se ka në dispozicion të gjithë kohën e botës dhe i deklaron një gazete greke, se do të presë me durim, derisa institucionet të kalojnë në një “pozicion më realist”.

Raundi i fundit i bisedimeve dështoi

Të shtunën pasdite, një delegacion grek, i përbërë nga drejtuesi i negociatave, Euclid Tsakalotos dhe dy të besuar të ngushtë të Tsiprasit u takuan në Bruksel me një përfaqësues të Presidentit të Komisionit Evropian. Biseda do të sillte më në fund kthesën. Pas një masazhi të ri shpirtëror disa orësh javën e kaluar nga Angela Merkel, Francois Hollande dhe Jean-Claude Juncker, Tsiprasi donte të paraqiste një propozim të ri, me të cilin të kapërcehej hendeku midis borxhlinjve dhe kreditorëve. Por oferta nuk mbërriti.

Meqenëse të shtunën Tskalatos dhe kolegët e tij nuk sollën me vete ndonjë dokument me propozime, palët u ndanë shpejt. Në mbrëmje pastaj u zhvillua një raund tjetër bisedimesh, në të cilin grekët paraqitën një dokument jozyrtar. Sipas tij, qeveria greke tregon gatishmëri për kompromis përsa i përket tepricës në buxhet pas heqjes së borxheve, por reformat dhe kërkesat për shkurtime refuzohen. Në vend të kësaj grekët kërkojnë një falje tjetër të borxheve si dhe një paketë investimi për ekonominë. Por mbi këtë bazë nuk qe e mundur të bihej dakord. Kreditorët e llogarisin diferencën e debatueshme në buxhetin grek në rreth dy miliardë euro.

Pasditë vonë të dielën u zhvillua takimi tjetër. Ishte takim i shkurtër: brenda 45 minutave u bë e qartë se nuk mund të kishte dakordim. “Ata janë në yll tjetër”, deklaruan diplomatët e BE për sjelljen e pakuptueshme të grekëve.

Dakordim në takimin e nivelit të lartë?

Koha po mbaron: që sot nuk është më teknikisht e mundur të arrihet një kompromis deri në takimin e ministrave të financave të Euros të enjten. Po ndoshta Tsiprasi as nuk e do një dakordim të tillë. Për këtë flet intervista më e fundit e ministrit të Financave, Varoufakis, dhënë gazetës Bild. Ai kërkon një lloj oferte të jashtëzakonshme shpëtimi personalisht nga Angela Merkel. Me sa duket grekët duan t’u shkëpusin kreditorëve lëshime të reja në nivelin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive. Një takim i tillë mund të zhvillohet më e vonta fundjavën e ardhshme, si takim i jashtëzakonshëm i nivelit të lartë të vendeve të euros. Sepse pa arritur fundi i muajit, parlamentet e disa shteteve anëtare, midis tyre Bundestagu gjerman duhet të kenë dhënë miratimin për një zgjatje të re të programit të ndihmave. (dw)