Supa, pjesë e rëndësishme e dietës

supaMbështetësit e një diete të re pretendojnë se ajo është ‘super e shëndetshme’. Tani banorët e Kalifornisë që i kushtojnë rëndësi të veçantë dietës po braktisin dietën që bazohet tek lëngjet e frutave dhe perimeve, në favor të supës së gatshme me perime dhe fruta.

Kanë kaluar ditët kur dreka më e shëndetshme e ofruar në Los Anxheles ishte një gotë me lëng frutash dhe perimesh.

Supa tani është prirja e fundit e dietave të shëndetshme dhe popullariteti i saj është në rritje.

Blogerja e temave të shëndetit, Jen Johnson thotë se ajo është praktikuese e rregullt e “pastrimit me supë”, një dietë disa ditëshe vetëm me supë.

Ajo thotë se kur ha supë, nuk ka dhimbje të forta urie siç i ka ndodhur me dietën e lëngjeve.

“Supa më pëlqen sepse ajo është një racion i plotë ushqimor. Kam provuar dietën me lëngje dhe nuk mund t’i qëndroja një ditë e jo më një javë të tërë. Dietën me supë mund ta bëj për pesë ditë dhe ndoshta më shumë”, thotë ajo.

Për ata që besojnë tek kjo dietë, supa ofron fibra dhe proteinë, gjë që nuk ndodh me dietën e lëngjeve, duke e bërë konsumin e supës më të lehtë dhe më të kënaqshme.

Një dietë mesatare e supës përfshin pesë deri tetë racione supe në ditë: disa të nxehta, disa të ftohta, disa me fruta, disa me perime, disa të përziera.

“Soupure”, një kompani me qendër në Los Anxheles shet lloje të ndryshme supe me produkte bio.

“Soupure” shet produkte të ndryshme në dyqanet e saj dhe në internet.

“Përmes supës mund të merrni të gjithë përbërësit ushqyes, përfshirë fibrën dhe proteinën. Çdo gjë është e lidhur, trupi e ka më të lehtë të tresë sheqerin natyror nga frutat dhe perimet në supë”, thotë Angela Blatteis, bashkë-themeluese e kompanisë “Soupure”.

Kompania ka punuar një vit për krijimin e recetave për produktet e saj të supës duke marrë ndihmën e ekspertëve të dietës dhe kuzhinierëve.

Dieta një ditore e prodhuar nga kompania “Soupure” përbëhet nga tetë pako supe, që së bashku kanë 1200 kalori dhe kushtojnë 79 dollarë.

“Beaming” është një tjetër kompani që ofron lloje të ndryshme supe në katër kafenetë e saj në Kaliforninë jugore.

Pronarja Lisa Odenweller thotë se dëshiron të ndihmojë njerëzit të kuptojnë fuqinë e ushqimit si ilaç.

Supa më e njohur e kompanisë “Beaming” është “Buda Bowl”, që përgatitet e freskët, me pure të lulelakrës, lakër jeshile, dhe arra.

“Është e mirë dhe ushqyese. Të bën të ndihesh i ngopur gjatë gjithë ditës. Metabolizmin ta mban aktiv, që është pjesë e rëndësishme e pastrimit. Kjo supë është e pasur me fibër, që nuk gjendet në dietën e lëngjeve”, thotë zonja Odenweller.

Sarah Mirkin, dietologe nga Los Anxhelesi që njihet në Hollywood me nofkën Trajnerja e Kuzhinës, thotë se ideja që duhet të konsumosh disa gjellë të caktuara për të pastruar trupin nga mbetjet toksike mund të jetë e gabuar.

“Tradicionalisht, dietologët kurrë nuk kanë rekomanduar pastrimin në përgjithësi sepse trupi e bën vetë detoksikimin. Këtë e bëjnë veshkat, mëlçia, zorra e trashë, dhe sistemi ynë imunitar. Megjithatë, tani në këtë epokë ne jemi të ekspozuar ndaj shumë ndotësve dhe kimikateve dhe trupi ka nevojë për një ndihmë të vogël shtesë. Supa dhe lëngjet, edhe pse unë nuk e rekomandoj sheqerin në lëngje, janë të pasura me antioksidantë dhe fitokimikate që mund të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve kronike”.

Pra, supa në vetvete nuk mund të jetë një dietë magjike, por siç thekson dietologia Mirkin, nuk ka asgjë të keqe nga konsumi i një sasie më të madhe frutash e perimesh, në çdo formë. (voa)

Apartamente luksoze në një ish-depo raketash bërthamore

apartamentePër ata që i tremben një shpërthimi bërthamor, sulmeve terroriste apo stuhive diellore, një apartament special ofron qetësi mendjeje dhe trupi. Në qyetin Konkordia të Kansasit po ndërtohen apartamente luksoze brenda një depoje të nëndheshme raketash të braktisur tshme. Korrespondentët e Zërit të Amerikës Enming Liu dhe Lin Yang e vizituan kohët e fundit kompleksin e ri të banimit:

Në zonat e pabanuara në veri të Kansasit sheh roje të armatosura rëndë, automjete të blinduara, kamera me rezolucion të lartë dhe kulla për snajper. Por nuk kemi të bëjmë me një objekt ushtarak.

Këtu dikur ndodhej qendra e nëndheshme e lëshimit të raketave balistike ndërkontinentale, Atlas.

Raketat Atlas i përkisnin sistemit amerikan të mbrojtjes gjatë Luftës së Ftohtë.

Biznesmeni Larry Hall e bleu atë pasi u nxorr jashtë përdorimit në 1965 dhe krijoi mjedise luksoze banimi.

“Këtu kemi qendrën e lëshimit të raketave Altas. Për sa i përket kapacitetit është goxha mbresëlënëse. Nëse do të duhej ta rindërtonim, do të kushtonte 120 milionë dollarë”.

14 katet e objektit lidhen me ashensor dhe ndërtesa ka një pishinë 25-metra të gjatë, një sallë kinemaje dhe një mur alpinizmi. Po ashtu ka një sistem shumë të sofistikuar furnizimi me ujë dhe energji.

“Nëse humbasim lidhjen me rrjetin elektrik, kemi gjeneratorin kryesor si dhe një gjenerator tjetër. Kemi turbina ere dhe një sistem furnizimi me bateri”.

Apartamentet janë projektuar me idenë për të jetuar në këto mjedise për pesë vjet pa kontakte me mjedisin e jashtëm. Një kat i tërë shërben për të magazinuar ushqime të konservuara.

Po ashtu kultivohen perime e peshk në bazene ujore për të garantuar furnizime të freskëta.

Dritaret elektronike, secila me vlerë 15 mijë dollarë, ndihmojnë për të luftuar psikozën që krijon jeta nën tokë për një kohë të gjatë.

“Nëse do të imagjinosh se po jeton në pranverë, apo në verë ose vjeshtë në Nju Jork, është krejt e mundur. Nëse do të zgjedhësh panoramën e San Franciskos, apo një qyteti tjetër, ne përdorim pamjet e një kameras me definicion të lartë”.

Një apartament që zë një kat të tërë, me sipërfaqe mbi 170m2 kushton mbi 3 milionë dollarë.Një apartament që zë gjysmën e katit kushton 1.5 milionë dollarë.

Por kërkohet të bësh pagesë të plotë me kesh. Pjesa më e madhe e banorëve i përdorin apartamentet si shtëpi pushimi. Leighton dhe Luke po kalojnë verën këtu.

“Jam si askush tjetër, pasi askush tjetër nuk jeton nën tokë në kushte të tilla. Nganjëherë nuk më besohet se jam nën tokë, thjesht po jetoj në një shtëpi normale”.

Apartamentet në ish objektin e parë të lëshimit të raketave janë shitur plotësisht. Punimet kanë filluar në objektin e dytë dhe gjysma e apartamenteve në këtë projekt janë shitur.

Për ata që mund ta përballojnë koston, ky apartament është si një garanci ideale për sigurinë. (voa)

Nga mbetjet plastike në mobilje

plastik mobiljeZgjerimi i shpejtë i teknologjisë së printerave 3D po krijon një problem të ri ekologjik – mbetjet e pluhurit të najlonit. Në përpjekje për të bërë diçka, një grup studentësh britanikë kanë zhvilluar një metodë për t’i kthyer ato në mobilje.
Një metodë e përhapur e të shtypurit 3D quhet “sintering selektive lazer”, ose SLS, që do të thotë përzierje e grimcave të pluhurit të najlonit ose metalit për të formuar një objekt të ngurtë. Por kjo mënyrë lë pas rreth 44 për qind mbetje.
Studentët në Kolegjin Mbretëror të Artit në Londër, Fabio Hendry dhe Sung-il Choi, kanë zhvilluar një metodë të thjeshtë për bashkimin egrimcave të pluhurit të najlonit duke i kthyer ato në objekte të ngurta.

Një teli prej nikel-kromi i jepet forma e dëshiruar. Pastaj vendoset në një enë dhe mbulohet me një përzierje pluhuri najloni dhe rëre të imët. Kur lidhet me burim energjie, siç është një bateri makine, përzierja mbështillet rreth telit.
Fabio Hendry shpjegon:
“Për shembull, kemi telin, hedhim në të pluhur të përzier, e nxehim për 20 minuta, dhe nga kjo përftojmë një objekt që është shumë vështirë të prodhohet në mënyrë tjetër.”

Trashësia e strukturës së ngurtësuar varet nga koha që teli mbahet i lidhur me burimin e energjisë – zakonisht deri 30 minuta. Të dy studentët ekspozuan 12 stola artistikë të formave të ndryshme.

“Nuk kërkon gjë të madhe. Nuk përdor as pajisje të fuqishme. Është shumë lehtë dhe e thjeshtë për t’u bërë, gjithashtu shumë e qëndrueshme. Nuk kërkon as shumë energji”

Stolat janë paraqitur si projekt, për të treguar se si nga mbeturinat mund të prodhohen sende të ndryshme. Studentët Hendry dhe Choi shpresojnë që metoda e tyre, nëse përdoret në shkallë industriale, mund të zvogëlojë ndjeshëm sasinë e mbetjeve të pluhurit të najlonit. (voa)

Shqipëria drejt Francës pa asnjë humbje

futboll shqiperiaShqipëria është e pamposhtur. As në “Telia Parken”, kuqezinjtë e Xhani De Biazit nuk janë dorëzuar, duke hedhur edhe një hap para Francë 2016. Para Danimarkës, skuadra jonë ka arritur zyrtarisht dhe matematikisht në “play-off”, por vazhdon të mbetet e treta më e mirë, teksa ka barazuar 0-0 me Danimarkën dhe është në Europian për momentin. Një ndeshje ku kemi vuajtur, por që në fund i ka dhënë një pikë skuadrës tonë që duhet thënë se ka dhënë më të mirën e fushë. Ashtu siç ishte deklaruar, De Biazi ka hedhur në fushë debutuesin Gjimshiti dhe Gashin djathtas.

Gjithçka pothuajse perfekte, por që mund të kishte qenë edhe më e bukur nëse Roshi do të kishte bërë surprizën. Në fillim ndeshja ka qenë e vështirë, sepse skema e re e ekipit donte kualifikim në fushë. Ndeshja nis me danezët më agresivë që fillojnë të ushtrojnë menjëherë presion në mbrojtjen e kuqezinjve. Djemtë e De Biazit qëndrojnë të tërhequr dhe presin kundërshtarin. Megjithatë, Danimarka ka vështirësi të kërcënojë, kjo edhe për meritë të mbrojtësve tanë. Në minutat në vazhdim, Shqipëria fillon të shtyjë disi përpara dhe në minutën e 24-ët vjen rasti më i mirë.

Lenjani kroson rrezikshëm shpëtimtar, portieri kuqezi tregohet edhe njëherë vendimtar me pritjen e tij. Tre minuta më vonë zbritje e shpejtë e Shqipërisë me Gashin, që pason në të majtë për Migjen Bashën, por ky i fundit me zor e mbërrin dhe topi përfundon në fundore. Nëse Berisha shpëton një herë rezultatin, është tani kapiteni Cana që e bën për herë të dytë. Pasim perfekt për Bentdner që gjendet i pazbuluar brenda zonës. Në momentin final, kur sulmuesi do gjuante, vjen nga mbrapa Lorik Cana dhe i largon topin nga këmbët. Shqipëria në vështirësi. Ndeshja kthehet me një portë.

Vendësit mundohen që të shënojnë gol, por e kanë të pamundur. Dhe kur nuk pritej vjen shansi që mund të kishte qenë vendimtar. Është minuta e 92-të. Roshi ka shansin më të mirë për të shënuar, që mund të ishte një “deja vu” kuqezi. Mesfushori niset i vetëm drejt portës dhe nuk shërben në qendër por gjuan, duke i dhënë mundësinë portierit të presë topin. Më pas një rast drejt portës tonë nga danezët, por që nuk sjell asgjë. Danimarkë- Shqipëri mbyllet në barazim pa gola.

Ashtu si pritej, në Danimarkë luajtëm një ndeshje të shkëlqyer në aspektin taktik, sidomos në pjesën e parë, kur Danimarka nuk goditi asnjëherë drejt kuadratit tonë dhe ne i shkuam pranë golit me Cikalleshin, ndërsa në stadium më shumë dëgjoheshin brohoritjet e tifozëve të shumtë kuqezinj. Në pjesën e dytë, ashtu si pritej, Danimarka u hodh e tëra në sulm, pasi ishte e qartë që barazimi për ata ishte si humbje. Përfundimisht kthehemi në Tiranë me një pikë dhe shansin e madh kundër Portugalisë për të fituar. Kuqezinjtë tani në tre ndeshjet e mbetura kanë në dorë kualifikimin direkt. Janë në lojë edhe 9 pikë, tre më shumë se danezët që do të thotë se kuqezinjtë kanë mundësi reale për t’u kualifikuar në Francë 2016.

De Biazi: Portugezët? T’i mundim edhe ne të hënën

Njëshi i stolit kuqezi optimit për ndeshjen e ditës së hënë në “Elbasan Arena”

Trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi qan rastin e Odise Roshit. Trajneri pas ndeshjes ka qenë i qetë, por gjithashtu edhe i kënaqur me atë që kanë arritur kuqezinjtë. Ndoshta e ka pritur që skuadra të merrte këtë pikë dhe në fund ia ka dalë. Tani është Portugalia dhe De Biazi kërkon me ngulm fitoren. “Ndeshje shumë e vështirë pasi skuadra është shumë fizike, ne bëmë një ndeshje të mirë, luajtëm ashtu siç duhej të luanim. Një ndeshje e vuajtur, por besoj që u munduam me ndërrime të ndryshojmë skuadrën dhe ta sulmojmë Danimarkën. Këtë e bëmë më futjen e Sadikut dhe Roshit dhe me pak fat mund ta fitonim ndeshjen.

Një ndeshje është ndeshja më e vështirë. Pas humbjes që ka bërë sot mund ta mundim edhe ne ditën e hënë, por do të jetë e vështirë. Ishte një pikë me vlerë dhe aq më tepër përballë një ekipi rival që sot e kërkoi fitoren me ngulm. Ne menduam më shumë për t’u mbrojtur dhe për fat të keq nuk ka funksionuar kundërsulmi. Ne kishim një mundësi të mirë për ta mbyllur ndeshjen me rastin e Roshit në fund, por nuk e arritëm. Megjithatë, rëndësi ka kjo pikë që na vlen shumë.

Dy barazime ndaj Danimarkës do të thonë shumë për ne dhe na japim më shumë besim. Ekipi luajti mirë, sidomos reparti i prapavijës ku arriti me sukses të largonte me sukses çdo rrezik. Tashmë na pret një ndeshje akoma më e vështirë si ajo ndaj Danimarkës, dhe duhet të jemi shumë herë më lart se sot. Kemi pak kohë në dispozicion, por do mundohemi të japim më të mirën. Është shpejt për të folur për rinovimin, pasi vëmendja jonë është te rezultatet dhe te objektivi i madh që kemi. Shpresoj të ecim kështu dhe gjithçka të shkojë mirë”, deklaroi De Biazi.

Duka: Dua fitoren me Portugalinë 

“Ishte një ndeshje e vështirë me emocion. Ndofta kemi bërë ndonjë gabim, por arritëm objektivin, dhe na jep më shumë forcë dhe siguri për të ardhmen. Nëse do të kishim shënuar me Roshin do të ishim të kënaqur. Gjithsesi, kemi bërë shumë mirë. Ne jemi skuadër për të shkuar në Francë, por kemi edhe tre ndeshje për të luajtur me kundërshtarin më të fortë të grupit dhe përse të mos e fitojmë këtë ndeshje. Dua të falënderoj të gjithë ata që erdhën në stadium dhe në rrugët e Kopenhagenit”.

canaCana: Franca? Jemi akoma më pranë

“Kemi pasur një sërë rezultatesh pozitive, por e dinim që kjo ndeshje do të ishte mjaft e vështirë për ne. Sot kemi hasur vështirësi në lojën tonë, pasi Danimarka e kërkoi me ngulm fitoren por për fat ia arritëm t’ia dalim duke marrë një barazim më vlera. Megjithatë, nuk do ndalemi këtu por do të vazhdojmë ëndrrën tonë të madhe që tashmë jemi akoma edhe më pranë. Pjesën e parë luajtëm mirë, por vuajtëm në pjesën e dytë. Mendoj se mund të luajmë më mirë në ndeshjet e ardhshme.

Rëndësi ka që nuk humbëm dhe tashmë duhet të përqendrohemi te ndeshja me Portugalinë. Ishte një ndeshje e rëndësishme, pasi kjo na mban shpresat tona ende gjallë. Barazhi është historik, por ne nuk do te ndalemi, pasi kemi force, dëshire dhe vullnet për ti fituar ndeshjet e ardhshme. Ndërhyrja te Berndter, ishte diçka që nuk shpjegohet, kur e pash atë në zonë ndërhyra duke provuar gjithçka. Por, në të ardhmen shpresoj mos të gjendemi në situata të tilla”.

Gjimshiti: Do ta ndal Ronaldon

Mbrojtësi  Berat Gjimshiti tregon emocionet për debutimin e tij me kombëtaren shqiptare. “U ndjeva shumë mirë, jam i lumtur për debutimin. 0-0 është një rezultat i mirë për ne. Kjo është një pikë e rëndësishme por duhet të qëndrojmë me këmbë në tok pasi që pas 3 ditëve kemi një tjetër ndeshje në të cilën duhet të marrim rezultat pozitiv. Ndaj Portugalisë nuk do të jetë aspak e lehtë. Nëse unë do të luaj, atëherë premtoi se do të kujdesem shumë mirë për Kristiano Ronaldon pasi që ai është idhulli im dhe kam shikuar shumë video të tij në Youtube. I di pothuajse gjitha lëvizjet e tij”.

Basha: Do ta shkruajmë historinë

“Danimarka është një kundërshtar shumë i vështirë dhe një pikë në këtë stadium do të thotë shumë. Është herët të flasim për Evropianin në Francë. Kemi një rrugë të gjatë për të bërë. Duhet të jemi të qetë, me këmbë në tokë. Ne kemi treguar se kjo kombëtare mund të arrij të shkruaj historinë, por duhet të jemi të qetë pasi që ka edhe shumë pikë në lojë”.

Marvraj-Meha japin zemër

Mërgim Mavraj, në një postim të tijin në faqen personale në rrjetin social Facebook, u jep zemër shokëve të ekipit dhe të gjithë tifozëve shqiptarë anembanë botës. “Shqiponja ka hapur krahët, le të fluturojmë drejt ëndrrës! Me Zotin dhe besim, do ktheheni me fitore në vendin e shqipeve! Fitorja sonte, inkurajim për sfidat e radhës”, shkruan Mavraj. Edhe Alban Meha i ka uruar djemtë e kombëtares shqiptare. “I uroj kombëtares shqiptare shumë sukses në përballjen me Danimarkën dhe Portugalinë. Shpresojmë se do të fitojmë. Edhe pse jam larg, me zemër jam pranë jush. Forca Shqipëria!”, shkruan njeriu i asisteve në klubet ku ka luajtur, por edhe në përfaqësuesen shqiptare.

 

BERZH-i investon në hekurudhat e Kosovës

treni kosoveBanka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ka ndarë një kredi prej rreth 40 milion eurosh për të financuar modernizimin e infrastrukturës hekurudhore të Kosovës, thelluar integrimin rajonal dhe për të forcuar zhvillimin ekonomik të vendit.

Kjo është transaksioni më i madh i BERZH-it në Kosovë deri më sot dhe investimi i parë i bankës në sektorin e transportit të vendit. Projekti do të përmirësojë lidhjen midis rrjetit hekurudhor të Kosovës dhe rrjetit evropian përmes korridorit VIII dhe korridorit të X-të në Maqedoni në jug të vendit dhe kufirin serb në veri.

Modernizimi i infrastrukturës së transporteve është përparësi e BERZH-it në Ballkanin Perëndimorë, për të ndihmuar përmirësimin e rrugëve tregtare dhe zhvillimin e një bashkëpunimi më të fuqishëm ndërkufitar.

Kredia për Infrastrukturën e Hekurudhave te Kosovës (Infrakos), do të sigurojë fonde për të përmirësuar vetëm lidhjen hekurudhore ndërkombëtare të Kosovës, e njohur si rruga hekurudhore 10. Ajo është 148 kilometra e gjatë dhe e ndarë në tre seksione: seksioni jugor Fushë Kosovë – Maqedoni; pjesa qendrore Fushë Kosovë-Mitrovicë; dhe pjesa veriore e Mitrovicës deri në kufirin me Serbinë. Kredia do të përdoret për rehabilitimin dhe modernizimin e këtyre seksioneve në faza të veçanta.

Bashkë me BERZH-in, projektin është duke e ndihmuar edhe Banka Evropiane për Investime. Projekti përfiton edhe nga mbështetja e rëndësishme e Bashkimit Evropian dhe paratë e për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve nga kuadri investues për Ballkanin Perëndimor.

Nënpresidenti i parë i BERZH-it Phil Bennett tha se “infrastruktura bashkëkohore dhe e zhvilluar mirë e transporteve është thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Jemi krenar që rruga hekurudhore 10 e Kosovës është projekti ynë i parë në transportet e vendit. Rehabilitimi i linjës së vetme hekurudhore ndërkombëtare të Kosovës, është jetike për integrimin e mëtejmë të vendit në tregjet rajonale e ndërkombëtare. Lidhjet e përmirësuara të transporteve do të ndihmojnë shumë tregjet dhe bashkëpunimin rajonal e pan evropian”.

“Ky është një projekt më përparësi të lartë për Kosovën, meqë modernizimi i linjës hekurudhore do të sjellë përfitime të shumanshme politike dhe ekonomike për vendin. Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt përmirësimit të lidhjeve tregtare kombëtare e ndërkombëtare dhe rritë efikasitetin dhe cilësinë e transportit të njerëzve dhe mallrave”, tha ministri i financave të Kosovës, Abdullah Hoti gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes në selinë e BERZH-it në Londër.

Linja hekurudhore 10 e Kosovës, është pjesë e rrjetit kryesor hekurudhor të Ballkanit Perëndimorë, një zgjatje e rrjetit transportues trans evropian, që është pjesë  synimeve të Bashkimit Evropian për të nxitur lidhjet e transporteve në rajon.

BERSZH-i filloi të investojë në Kosovë që në vitin 1999. Deri tash, banka ka nënshkruar 39 projekte me një vlerë prek 124 milion eurosh. Kosova u bë pjesë e BERZH-it në dhjetor të vitit 2012. (voa)

Shqipëria dhe tregu rajonal i energjisë

Në Shqipëri po kryen një seri investimesh për projektin e transportit të gazit TAP si dhe në transmetimin e energjisë elektrike midis vendeve të Ballkanit.

Ministri Damian GjiknuriMinistri i energjisë dhe industrisë, Damian Gjiknuri, thotë se këto investime po shndërrojnë Europën jug-lindore në një rajon me interes të madh në fushën e energjisë.

Disa ditë u miratua në Vienë projekti i inter-koneksionit të Shqipërisë me Maqedonië, ndërsa ai me Kosovën përfundon vitin e ardhshëm.

Zëri i Amerikës: Z. Minister, si paraqitet aktualisht situata me mbrojtjen e minierave, kushtet e sigurisë, sepse në zonat minerare ndodhin shpesh vdekje të punëtorëve, apo të banorëve pranë tyre?

Damian Gjiknuri: Pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave mori një vendim, bllokoi duke e shpallur si zonë pashfrytëzueshme nga pikëpamja minerare një pjesë të zonës D. 18 subjekte minerare që zhvillojnë aktivitete aty, nuk do t’i zhvillojnë më për shkak të rrezikshmërisë së zonës. Këto janë zona që janë shfrytëzuar ndër vite dhe paraqesin rrezikshmëri të lartë shembjeje. Mendoj se është zgjidhja më e mirë për të evituar tragjeditë e vazhdueshme që ndodhin në këtë sektor, i cili për nga natyra është një sektor i rrezikshëm. Puna në miniera kudo në botë është e rrezikshme, por ndër vite, për shkak të mungesës së sigurisë teknike, kontrollit të dobët apo shfrytëzimit të zonave që nuk duhen shfrytëzuar këto viktima kanë qenë më të shumta. Gjatë dy viteve të fundit, për herë të parë pas 20 vjetësh po investojmë për mbylljen e galerive të braktisura. Galeri që janë në fakt burim rreziku për jetën e njerëzve, të cilët për arsye ekonomike hyjnë gjoja për të marrë minerale me vlerë minimale apo për të marrë edhe skrap por në të tilla raste kanë ndodhur tragjedi njerëzore. Brenda këtij viti, besoj se numri i përgjithshëm i grykave të galerive të braktisura që do të jenë mbyllur të shkojë afro 200 dhe ky proces do të vazhdojë. Sa i përket sektorit minerar, ne duam që të shmangim këtë fragmentimin e tepërt të punimeve minerare. Kemi adresuar përmes ndryshimeve ligjore problemin e zgjerimit të zonave minerare në mënyrë të pakontrolluar. Është adresuar çështja e territorit minerar në tërësi, për të vendosur rregulla se si do të shfrytëzohen rrugëkalimet në galeritë minerare, sepse edhe këto kanë qenë shpesh burime konfliktesh. Janë nxjerrë udhëzimet përkatëse edhe për rehabilitimin mjedisor. Javës tjetër do të kalojë për miratim në qeveri vendimi për shfrytëzimin e fondit të garancisë për rehabilitimin mjedisor. Pra, kur nuk e kryejnë subjektet rehabilitimin, me fondet e bllokuara nga garancitë e subjekteve, autoritetet shtetërore të bëjnë rehabilitimin e zonave minerare. Të gjitha këto janë masa që rrisin sigurinë. Së shpejti do ndryshojmë ligjin për të rritur autoritetin e inspektimit në miniera, sa i takon rritjen e sigurisë në punë.

Zëri i Amerikës: Si po ecën aktualisht puna e kompanive në minierat shqiptare?

Damian Gjiknuri: Në Shqipëri ka dy-tre industri të trashëguara, që janë edhe prodhuesit kryesorë të mineraleve në vend. Në industrinë e kromit përfaqësohet zona e Bulqizës me koncensionarin ACR; industria e bakrit, që ka një koncensionar tjetër – edhe kjo një kontratë e dhënë para shumë vitesh, i cili ka kryer investime dhe do të vazhdojë të kryejë. Së fundi, kemi afruar edhe një kompani kanadeze në zonën e Rehovës. Zona e Selenicës me bitumet, ka edhe aty kompani të huaja. Te zona e bakrit ju e dini që gjysmën e paketës së aksioneve në këtë aktivitet minerar e zotëron kompania më e madhe në botë për bakrin, një kompani kineze e listuar në klasifikimin e “Fortune 500”, një nga kompanitë më të mëdha dhe kjo është një element domethënës. Industria minerare është shumë e varur nga konjukturat ndërkombëtare të tregjeve dhe bursave. Fatkeqësisht, vitet e fundit, çmimet e mineraleve kanë rënë shumë, gjë që ka sjellë edhe një lloj frenimi në kërkesën e investitorëve për sa u përket mineraleve të ngurta. Por nga ana tjetër, qeveria nuk ka ndenjur duarkryq. Meqenëse çmimet e mineraleve bazë kanë rënë, qeveria ka stimuluar përpunimin e mineraleve në vend dhe rafinimin e tyre siç është rasti i ferrokromit. Po të shihni shifrat e ferrokromit, ato janë impresionuese sa i takon prodhimit të viteve të fundit. Parashikohet që me kapacitetet e reja që po shtohen, me uzinat e reja që u vunë në punë në Burrel dhe një kapacitet shtesë që do të bëhet në Elbasan, Shqipëria të prodhojë mbi 100 mijë ton ferrokrom. Pra, do të shesim me çmime jashtëzakonisht të larta dhe në tregje të afërta si Europa dhe jo më vetëm në Lindjen e Largët, siç shkojnë zakonisht mineralet e ngurta apo thjesht kromi deri diku i pasuruar.

Zëri i Amerikës: Ndoshta një pjesë e këtyre burimeve kanë shterruar, minerale të ngurta dhe të lëngshme. Ato po shfrytëzohen prej 70-80 vjetësh…

Damian Gjiknuri: Një pjesë e burimeve janë shfrytëzuar dhe një pjesë e burimeve minerare mund të shterrojnë pasi nuk janë të pashterrshme. Investimet që po bëhen në industrinë e kromit në Bulqizë nga koncesionari aktual, pra hapja e pusit të thellësisë, i shtojnë mbi 20 vjet jetë minierës së Bulqizës. Në mungesë të këtij investimi, ajo për disa vite ishte drejt fundit. Ne këmbëngulëm që kompania të investonte në atë pus për thellësi të re, sipas kontratës. Shtresat e reja të pashfrytëzuara mund të shkojnë mbi 2 milionë ton çka e shton jetëgjatësinë e minierës edhe për 20 vjet të tjera pasi investimet që po kryhen garantojnë jetëgjatësinë e sektorit minerar. Të njëjtën gjë mund të themi te industria e bakrit. Ka kërkesa për kërkim – zbulim, mendoj se Shqipëria ka një rezervë shumë të madhe të hekur-nikelit. Nikeli është një metal me interes në të ardhmen dhe tregu ka kërkesa interesante për të. Do investime për sa i përket përpunimit të tij derisa të bëhet i tregtueshëm, por po punojmë në këtë fushë me investitorë të huaj, në mënyrë që edhe nikeli të ketë fushën e vet në ekonomi dhe punësim.

Zëri i Amerikës: Po nafta dhe gazi, si paraqiten? Janë disa zona të shfrytëzuar fort për shumë dekada, por ka edhe burime të reja.

Damian Gjiknuri: E ardhmja e naftës vendase është e mirë dhe e sigurtë. Kjo do të varet edhe nga zbulimet e reja, por disa elementë janë shumë shpresëdhënës. Së pari, prodhimi i naftës sa vjen e shtohet në Shqipëri falë punës së madhe, pavarësisht dështimeve që ka patur në sektor në të shkuarën. Nga ana tjetër, kemi zbulimet që ka bërë kompania SHELL dhe Petromanas të cilat janë në fazën e vlerësimit të rezervuarit dhe kjo do të dojë kohë, por mendohet se do të jetë një basen shumë i mirë në tokë. Kjo do të sjellë rritje të prodhimit të naftës dhe një shtim të burimeve për ekonominë e vendit. Nga ana tjetër, në bisedimet e fundit për blloqet e reja janë ofruar përsëri kompani shumë serioze. SHELL ka marrë një bllok shtesë për kërkim dhe për këtë jemi krenarë, që një kompani e tillë vazhdon ta shohë Shqipërinë me interes. Është afruar edhe një tjetër kompani e fuqishme izraelite, e cila në zonën mesdhetare njihet si një nga lideret e prodhimit sidomos të gazit. Ajo është kompani e Delek Group, një kompani shumë serioze dhe e listuar në bursë. Pikërisht një nga synimet e qeverisë, deklaruar që në fillim, ishte afrimi në naftë i kompanive me histori, që kanë përvojë në industri dhe janë të njohura. Ka ndodhur shpesh më parë, që fusha të Shqipërisë kanë rënë në dorë të ca njerëzve thjesht tregtarë letrash, që vinin gjoja për të bërë sizmikë dhe mundoheshin t’ia shisnin letrat dikujt tjetër. Kjo ishte bërë një pengesë për të hyrë investitorët seriozë në Shqipëri. Dihet se çmimet e naftës kanë rënë shumë dhe interesi i kompanive rritet kur edhe çmimi i naftës rritet. Gjithësesi, kompani serioze, edhe në kushtet e çmimeve të ulta, kanë interes për të investuar në sektorin e naftës në Shqipëri. Kjo është shumë domethënëse për ne, po të shohësh se në shumë vende të botës ka një tërheqje në investimet për kërkime zonash të reja. Naftë është zbuluar shumë këto vitet e fundit dhe çmimet e saj janë luhatur shumë.

Zëri i Amerikës: Po me energjitikën si po veproni?

Damian Gjiknuri: Energjitika ishte barra më e rëndë që trashëgoi kjo qeveri. Borxhet në sektorin energjitik përbënin 7-8 për qind të PBB-së. Qe një situatë katastrofale. Sektori i shpërndarjes nuk zotërohej nga qeveria dhe palët ishin në një konflikt të thellë ligjor me ish-investitorët çekë. Humbjet ishin alarmante; gati 46 për qind e energjisë së hedhur në rrjet nuk materializohej në para, pra vidhej e shpërdorohej. Buxheti i Shtetit ishte krejt i ekspozuar ndaj gjithë kësaj grope që kishte krijuar sektori energjitik. Një arritje shumë e madhe është ndalimi i gjithë kësaj hemoragjie dhe kthesa pozitive për ringritjen e sektorit. Ne, tashmë kemi një plan të qartë për rimëkëmbjen, hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore. Morëm në pronësi të gjithë sektorin e shpërndarjes dhe kërkuam financime për të, të cilat i shoqëruam me reforma. Rezultatet janë mbresëlënëse, ndonëse sektori nuk është çliruar krejt nga problemet. Mjafton tu them se vetëm në këto 7 muaj të pare të vitit 2015 janë arkëtuar 104 milionë dollarë më shumë se periudha e një viti më parë. Lufta ndaj informalitetit është gërshetuar me ndërgjegjësimin e qytetarëve. Humbjet janë reduktuar ndjeshëm; nga humbjet 45 për qind në 2013 tani ato janë 30-31 për qind. Tani sektori po mban vetveten, sepse deri tani ka qenë i subvencionuar, ka thithur para dhe garanci që mund të shkonin në sektorë të tjerë. Jemi në një plan të reformave strukturore, të cilat sjellin rezultat të ngadaltë dhe të sigurtë. Në sistemin energjitik shqiptar, ka qysh në 1970 që nuk është investuar, kur në fakt ato janë struktura që kërkojnë vazhdimisht investime. Paratë për këto investime tani po dalin nga arkëtimet e rritura. Në 4 vitet e ardhshme, vetëm sektori i shpërndarjes do të marrë çdo vit 50 milionë dollarë investime. Reformuam tarifat e energjisë, ulëm abuzimet, rritëm arkëtimet dhe tani sektori i energjisë elektrike po merr investime në të gjithë territorin.

Tani po krijojmë një treg dhe bursë rajonale të energjisë me ndihmën e qeverisë norvegjeze. Kjo do të hapë mundësi edhe për investitorët privatë. Qeveria e mëparshme dha në mënyrë kaotike një numër të palimituar licensash për ndërtim hidrocentralesh pa studiuar ndikimin ekonomik dhe atë mjedisor. Nuk u mendua fare për të ardhmen. Ato duhet të ishin pjesë e një modeli ekonomik të caktuar, por për këtë nuk u mendua. Kjo qeveri po përballet me faturat e politikave të papërgjegjshme. Prej reformave që ndoqëm, ne siguruam arkëtime më të mira, po gjëjmë një gjuhë mirëkuptimi me ata investitorë që kanë realizuar investime. Kemi bërë një marrëveshje, rishikuam edhe tarifat e blerjes së energjisë nga hidrocentralet private për ti sjellë në parametra të pranueshëm dhe për ti përgatitur këta investitorë për të dalë në treg. Synimi i vërtetë i investitorëve, sidomos në pjesën e energjisë është konkurueshmëria, dhe qëndrueshmëria e tyre afatgjatë në biznes, pra të konkurrojnë një treg likuid të energjisë.

Zëri i Amerikës: Po interkonektiviteti elektrik me rajonin, si është? Bashkëpunimi me Kosovësn, me Maqedoninë, me Malin e Zi dhe Greqinë?

Damian Giknuri: Të gjitha vendet e Europës Juglindore janë në një proces integrues jo vetëm fizik, por edhe në aspektin rregullator; ato duhet të bëjnë të ngjashme ligjet dhe rregullat me ato të BE-së. Kjo do të sjellë atë që vet vendet e Ballkanit do të krijojnë një treg energjie. Tani që flasim, kjo po ndodh; një zyrë në Podgoricë koordinon dhe alokon kapacitetet transmetuese të rajonit. Kjo ka sjellë ulje të kostove të transmetimit të energjisë, pra edhe përfitim për konsumatorët. Vendet e rajonit po punojnë për ndërlidhjen mes tyre. Shqipëria nuk ka mbetur prapa por ka investuar dhe po investon për konektivitetin më të mirë. Linja me Malin e Zi është funksionale për disa vite, po punohet për linjën me Kosovën, e cila përfundon në vitin 2016. Në Vjenë u sigurua plotësisht financimi, edhe me një pjesë të parave grant është projekti për interkonektivitetin me Maqedoninë. Projekti i tërë kushton 87 milionë euro sepse linja do të vijë deri në Fier. Kemi bërë një zgjatim të projektit deri në Fier sepse në perspektivë hapet edhe mundësia e lidhjes me Italinë me një linjë nëndetare. Për të patur interes do të duhej një treg më i madh se sa Shqipëria, ndaj lidhja me Italinë dhe Maqedoninë krijon mundësinë edhe në tregun bullgar, një nga prodhuesit më të mëdhej të energjisë elektrike. Kjo rrit mundësinë e kapaciteteve të tepërta dhe burimeve të tjera shtesë në Shqipëri prej investimeve që do të vazhdojnë.

Me lidhjen fizike krijohen edhe mundësitë e një tregu të përbashkët. Me harmonizimin e rregulloreve, legjislacionit dhe tarifave të tregtisë “Cross-Border”, ka më shumë mundësi që Ballkani të harmonizojë burimet energjitike mes vetes; Shqipëria me energji ujore, Kosova dhe Serbia me energji qymyrgurore. Kjo do të rregullojë bilancin energjitik mes vendeve dhe do të harmonizojë konsumin e energjisë edhe në bazë të fluktuimeve natyrale, pra atëherë kur nuk ka ujë të përdoret qymyri etj. Këto janë drejtimet për të cilat Shqipëria po punon dhe është në avangardë. Jemi vendi i dytë në Europën Juglindore që kemi miratuar një ligj për sektorin e energjisë sipas standarteve të BE-së. Kemi nisur punën reale për krijimin e një tregu rajonal të energjisë por për të gjitha këto reforma nevojitet disiplina financiare.

Zëri i Amerikës: Si po ecën puna me projektin TAP të gazit? Në fillim u pa me shpresë si një burim i madh punësimi, përfitmi etj.

Damian Gjiknuri: Puna ka filluar me hapjen e rrugëve, me ndërtimin e urave, pra pjesa infrastrukturore rrugore që krijon aksesin në kantier. Atje u zhvillua një ceremoni dhe sot që flasim aty po punohet. Po punohet në Skrapar, po punohet në Korçë, shumë shpejt do fillohet dhe në zonën e Fierit, pra ka filluar puna konkrete, paketa e parë e investimit që shkon rreth 70 milionë dollarë të cilat po hidhen në këtë drejtim. Nga ana tjetër, kompania TAP po zhvillon dhe prokurorimet për pjesët e tjera të projektit dhe në vitin 2016 parashikohet që të fillojë një intensitet më i madh pune me hapjen e vendeve për tubacionin, shtrimin e tubacionit, ndërtimin e stacioneve të presionit të pikave të daljes, një në Fier një në Korçë. Pra, të gjitha këto janë një proces që do të zhvillohet me më shumë intensitet gjatë viteve 2016-2017 kur kulmon edhe puna e projektit. Realisht puna ka filluar dhe nga kjo pikëpamje patjetër është një burim i rëndësishem investimi në Shqipëri edhe për punësimin e njerëzve edhe për investimin e huaj. Po kompletojmë një projekt shumë të rëndësishëm për Evropën dhe Shqipërinë siç është Korridori i Jugut pasi dhe Shqipëria parashikohet të përfitojë nga ky projekt. Po punojmë që ne ta materializojmë interesin tonë në këtë projekt duke përfunduar masterplanin e gazit dhe duke diskutuar me TAP-in për një mbështetje financiare edhe për lidhjen e termocentralit të Vlorës me pikën e daljes në Fier. Kjo në mënyrë që dhe termocentrali i destinuar për të punuar me naftë dhe me gaz, po që gaz s’kishte në Shqipëri, të mund të vihet në punë me gaz dhe të shërbejë si një kapacitet shtesë suporti për sistemin energjitik shqiptar, në raste të konsumit pik apo për nevojat kur situatat hidrike nuk janë të favorshme.

Zëri i Amerikës: Sa shpejt mund të realizohet vërtet instalimi i gjithë këtij rrjeti gazifikues në Shqipëri?

Damian Gjiknuri: Ky është një proces që do të marrë kohë. Pikërisht prandaj po bëjmë një studim parafizibiliteti dhe më vonë do të bëjmë një studim fizibiliteti. Kemi marë dhe një grant nga qeveria zviceriane për ndërtimin e kapaciteteve të gazit dhe insfrastruktures së madhe. Mbi të gjitha për kapacitetet njerëzore dhe është një proces i cili do të dojë kohë siç është dashur edhe në vende të tjera që kanë përjetuar të njëjtin problem si Shqipëria gjatë gazifikimit të vetes. Kjo ka ndodhur në Turqi ku dhe ky vend ka pasur periudhat e veta kaotike apo dhe raste të tjera ku përdorimi i gazit ka filluar të shtrihet në shumë sektore të ekonomisë por dhe te konsumatori familjar. Kuptohet është një proces që do të marë kohë por është e rëndësishme që Shqipërisë do ti hapë një sektor të ri të ekonomisë siç është gazi natyror. Do të jetë jo vetëm transmetimi, nesër do të jetë konsumi, qoftë për energji elektrike, për industri dhe për familjarë. (voa)

Putin në ndihmë të presidentit sirian

PutinPresidenti rus Vladimir Putin tha se Presidenti sirian Bashar al-Assad është i gatshëm të mbajë zgjedhje të parakohshme dhe të ndajë pushtetin me një opozitë “të shëndetshme”, siç u shpreh ai.  Rusia dhe Irani janë dy mbështetësit kryesorë të regjimit të Bashar al Asadit në mbi 4 vjet luftime që po vazhdojnë në Siri.

Komentet e sotshme të Presidentit Putin janë shprehja më e qartë e strategjisë së Rusisë për situatën në Siri. Moska e ka bërë të qartë se nuk dëshiron rrëzimin nga pushtetit të Presidentit sirian Assad.

Duke vënë në dukje përparimin e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, Rusia i bën thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite, të bashkëpunojnë me Damaskun për të luftuar armikun e përbashkët:

“Synojmë të krijojmë një koalicion për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin dhe po bisedojmë me partnerët amerikanë. Kam zhvilluar bisedë telefonike me Presidentin Obama, Presidentin e Turqisë, udhëheqësit e Arabisë Saudite, Mbretin e Jordanisë, Presidentin e Egjiptit etj,” – thotë Vladimiri Putin.

 

Së bashku me Iranin, Rusia ka qenë aleatja më e fuqishme e zotit Assad gjatë luftës mbi katër vjeçare me të paktën çerek milioni viktima. Perëndimi dhe vendet e Gjirit thonë se zoti Assad nuk është pjesë e zgjidhjes dhe se duhet të largohet. Moska kërkon që sulmet ajrore të udhëhequra nga SHBA kundër Shtetit Islamik, të koordinohen me ushtrinë siriane dhe grupet e tjera:

 

“Nëse është i pamundur aksioni i përbashkët në fushëbetejë ndërmjet të gjitha vendeve të interesuara të luftojnë terrorizmin, atëherë është e domosdoshme të vendoset të paktën një lloj koordinimi mes tyre. Po bëjmë të gjitha përpjekjet për këtë gjë.”

Ndërkohë Presidenti amerikan Barack Obama pret sot në vizitën e parë në Shtëpinë e Bardhë, Mbretin e Arabisë Saudite Salman. Pjesë e diskutimeve pritet të jenë edhe përpjekjet e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA kundër Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, ndërkohë që Arabia Saudite vazhdon të godasë rebelët në Jemen, që kanë mbështetjen e Iranit.

Presidenti Putin po ashtu tha se Perëndimi është për t’u fajësuar për krizën e migrantëve nga Lindja e Mesme që synojnë të shkojnë drejt Evropës. Rusia kritikon Perëndimin, veçanërisht Shtetet e Bashkuara që kanë qënë në krye të përpjekjeve për të rrëzuar aleatët e Moskës në Irak dhe Libi, ku grupet radikale dhe ekstremiste janë sot aktive. (voa)

Mësimdhënësit kërkojnë tekstet shkollore nga Shqipëria

LIBRATGabimet skandaloze që hasen në tekstet e tanishme shkollore, dhe që janë të natyrës së  ndryshme, duke filluar nga gabimet gjuhësore, konceptuale e deri te fyerjet do t vazhdojnë të jenë prezent edhe gjatë këtij viti.

Edhe pse tani më një kohë u nënshkrua Marrëveshja në fushën e arsimit mes MASH-it të Maqedonisë dhe Shqipërisë, ende nuk ka asgjë konkrete se si mund të ndihmojë Shqipëria, Maqedoninë për përmirësimin e teksteve skandaloze.

Nga MASH nuk japin informacione se a do të bëhet një gjë e tillë si dhe a do të ketë unifikim të Abetares, gjithashtu edhe në ueb faqen e MASH-it nuk ka asnjë të dhënë për pikat që përmban kjo Marrëveshje.

Samet Jahiji, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë, dega Kumanovë, thotë se deri më tani duhej të ndërmerret një hap i tillë, pasi që gabimet hutojnë nxënësit si dhe shtrembërojnë historinë.  “Librat kanë gabime skandaloze, duke filluar nga përkthimi e deri tek përmbajtjet fyese dhe të shtrembëruara. Një gjë e tillë duhet të ndalohet se mësimdhënësit nuk dinë se çfarë të ligjërojnë sepse këto libra janë në plan program. Ata detyrohen të krijojnë vetë materiale të sakta dhe verifikuara, por prapë nxënësit hutohen me ato që shkruan në libra”, tha për Portalb, Jahiji.

Ai shtoi se sidomos unifikimi i Abetares është i domosdoshëm.

“Probleme me libra kemi tani më një kohë të gjatë, LASH e Kumanovës edhe më herët ka theksuar se unifikimi i teksteve shkollorë duke filluar nga abetarja, do të ishte një zgjidhje e përhershme e problemeve tona”, shtoi Jahiji.

Ndërkaq kohë më parë kryetari i LASH-it në Maqedoni, Nuhi Dardhishta  foli për librat e Kembrixhit, të cilat u cilësuan si zgjidhje e problemit të gabimeve në tekstet shkollore, nga ana e MASH, dhe tha për Portalb se autorët shqiptarë janë të bllokuar nga vetë fakti se këto marrëveshje kanë mbyllur konkurset e autorëve vendas.  “Ky është një lloj diskriminimi si për neve shqiptarët ashtu edhe për maqedonasit. Pse të merren libra nga jashtë? Ata ndoshta janë shumë të mirë mirëpo neve nuk kemi kushte që të punojmë me to. Shkaku i këtyre marrëveshjeve, MASH ka mbyllur konkurset për autorët dhe në këtë mënyrë askush nuk mundet të jep programet e tyre të cilat mund t’i kenë realizuar në tekst shkollor”, theksoi Dardhishta. (ina)

Zbardhen projektet e Vjenës, ja çfarë përfiton Kosova

projektet-e-vjenesJo të gjitha projektet infrastrukturore të miratuara në Samitin e Vjenës u bën publike pas mbylljes së punimeve. Referuar një dokumenti zyrtar të hartuar nga BE, që KosovaPress ka mundur të sigurojë, për vendet e Ballkanit Perëndimor zbulohet se është rënë dakord me financim të Bashkimit Evropian për një sërë rrugësh; hekurudhash, portesh e areportesh që lidhin vendet e Ballkanit me njëri-tjetrin.

Në këtë raport BE vëren se: “Axhenda e konjektivitetit (ndërlidhjes) do të sjellë qarkullim dhe shërbime më të lira për Ballkanin Perëndimor. Kjo nga ana tjetër do të rris mundësitë dhe potencialin që ka rajoni për të krijuar vende të reja pune. Po ashtu, e gjitha kjo do të çojë në një të ardhme të sigurisë energjetike dhe të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.”

Projektet

Në total kostoja e projekteve të financuara nga BE për vendet e Ballkanit Perëndimor për vitet 2014-2020, kap shifrën e 1 bilion eurove (1 mld euro). Janë 10 projekte të rëndësishme nga të cilat përfitojnë të gjitha vendet e rajonit. Ndërsa, kostoja totale e gjithë këtyre projekteve (bashkë me financimin e BE) mendohet se arrin në 7 miliard euro, ndërsa ndërtimi i këtyre korridoreve pritet të krijojë 200 mijë vende pune. Pjesa prej 1 miliard euro do të jepen për periudhën 5-vjeçare (deri në vitin 2020) nga fondet e Komisionit Evropian përpara anëtarësimit, (fondet IPA). Pjesa tjetër do të financohet nga Banka Evropiane e Investimeve por edhe nga vetë shtetet anëtare, (totali shkon në 7 mld euro).

Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka vendosur që të fusë në rrjetin evropian të transporteve (që konsiderohen si rrjet i financuar dhe mirëmbajtur prej BE) tre korridore:

  • 1.Korridori Mesdhetar,- që nis në Kroaci e përfundon në Igumenicë, në Greqi, duke kaluar nëpër Mal të Zi dhe Shqipëri. Itinerari i këtij korridori është: Rijeka – Zagreb – Tivar – Tirana/Durrës – Igoumenicë. Ky korridor do të ketë dhe aneksin Beograd/Sarajevo – Ploce; Rijeka – Ploce.

2. Korridori i dytë do të jetë Korridori Orient/Medheu Lindor. Itinerari i tij do të jetë: Budapest – Beograd – Podgoricë – Tivar || Beograd – Nish – Kumanovë/ Prishtinë – Shkup –Selanik.

3.Korridori i tretë është ai Danubian, i cili ka itinerarin: Vukovar – Novi Sad – Beograd – Drobeta-Turnu Severin/Brçko

Ndër projektet prej të cilave përfiton Kosova, përmendet financimi për:

1. Rikonstruksionin e rrugës Nish-Prishtinë

2. Autostrata Prishtinë-Shkup;

3. Hekurudha Kraljevo – Prishtina – Gorce Petrov

Lidhja hekurudhore mes Maqedonisë-Kosovës dhe Serbisë.

Ky projekt apo investim do të mundësojë vënien në funksion të kanaleve, urave dhe tunele të vjetërsuara përgjatë Fushë Kosovë– në kufi me Maqedoninë, rrugë që do të zëvendësohen ose do të rinovohen. Financimi i BE është 80 milionë euro.

Rrjeti hekurudhor në Kosovë do të lidh Ballkanin Perëndimor me Austrinë, Greqinë dhe Bullgarinë. Sistemet e transportit të hekurudhave në Kosovë ndërlidhen me ato të Maqedonisë dhe Serbisë. Përafërsisht janë 64 km pista hekurudhore që do të rehabilitohen plotësisht. Lidhja hekurudhore me Serbinë nuk është më në funksion ( Fushë Kosovë- Podujevë) që kur u shemb tuneli i Merdares, në kufi në vitin 1990 , duke prerë kështu lidhjet mes pasagjerëve dhe mallrave nga Prishtina në Beograd.

Rruga do të rinovohet në tri faza:

1.Fushë Kosovë- në kufi me Maqedoninë

2. Fushë Kosovë – Mitrovicë

3. Mitrovicë- në kufi me Serbinë

Të tre këto seksione do të përfundojnë në vitin 2020. Kjo rrugë ofron transport të sigurt dhe efikas për 50 % të popullsisë në Kosovë. Parashikohet që në vitin 2040 numri i pasagjerëve në këtë rrugë hekurudhore për në Kosovë mund të arrijë një milion ndërsa mallrat në 206.8 milion ton / vit. Një investim prej 80.9 milion euro që pritet të sjellë në ekonominë e vendeve ku do të kalojë dyfishin e kësaj shume.

Sa i përket projekteve energjetike përmendet ai mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, një investim prej 49 milion euro. Në përfundim të këtij projekti që parashikohet në vitin 2016, do të përfitojnë elektricitet 800 mijë njerëz dhe biznese në Shqipëri.

Në raport theksohet gjithashtu se: Vizioni për Rrjetet Trans-Evropiane të Transportit (Trans-European Transport Netëorks (TEN-T), konsiston në rrugë, hekurudha, porte, aeroporte, të cilat shihen si çelësi i suksesit jo vetëm për integrimin mes vendeve anëtare dhe njerëzve të tyre por gjithashtu për të nxitur zhvillimin ekonomik. Korridoret kryesore sapo të perëndojnë do të sjellin një transport me cilësor për qytetarët dhe bizneset, gjë që sjell më tej integrimin brenda rajonit dhe po ashtu dhe me BE-në. Projektet prioritare do të ndihmojë në heqjen e pengesave, do të nxisin ndërveprimin mes shteteve, duke ndihmuar kështu në ndërtimin e lidhjeve të munguara ndërkufitare. /KosovaPress/

UNHCR kërkon program rivendosjeje për refugjatët

Aylan KurdiKomisionari i lartë për refugjatë i OKB-së Antonio Guterres, tha se kriza e refugjatëve do të jetë një “moment përcaktues” për Bashkimin Evropian

Komisionari i lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të pranojë mbi 200 mijë refugjatë në një “program rivendosjeje masive” për të lehtësuar valën e migruesve në kufijtë e BE-së që po kërkojnë strehim.

Antonio Guterres në një deklaratë të publikuar të premten kërkoi nga BE-ja që të zbatojë një program që kërkon përfshirjen e të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian, për të ndihmuar refugjatët që kanë nevojë për mbrojtje.

Guterres tha se kriza e refugjatëve do të jetë një “moment përcaktues” për Bashkimin Evropian. Ai tha se nga një BE e ndarë rreth kësaj çështjeje do të përfitojnë vetëm kontrabandistët dhe trafikantët.

Në ndërkohë, në qytetin hungarez Bicske, qindra refugjatë po refuzojnë të zbresin nga treni në të cilin kishin hipur në Budapest me shpresë për të shkuar në Gjermani e cila tha se do të pranojë 800 mijë kërkesa për statusin e refugjatit. Autoritetet hungareze ngulin këmbë se duhet të regjistrojnë migruesit sipas rregullave të Bashkimit Evropian.

Zyrtarë në Bicske, thanë se vetëm 16 veta zbritën vullnetarisht nga treni për t’u regjistruar në kampin e refugjatëve, ndërsa qindra të tjerë qëndruan në tren duke brohoritur “jo kampe” dhe “Gjermani, Gjermani.”

Qindra mijëra migrues nga Siria kanë ndërmarrë udhëtime të dëshpëruara që nga janari për të arritur në Bashkimin Evropian në përpjekje për të ikur nga lufta dhe varfëria.

Greqia dhe Italia ishin ndalesat e para për shumë migrues që kishin marrë rrugën e rrezikshme nëpër Mesdhe.

Udhëheqësit francez, gjerman dhe italian, thanë të enjten se duhet të ketë një shpërndarje të detyrueshme dhe të drejtë të refugjatëve gjithandej BE-së.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schultz, tha se shtetet anëtare të BE-së më një popullsi prej mbi 500 milionë banorësh, mund të absorbojnë një numër të madh refugjatësh për aq kohë sa migruesit nuk përqendrohen në vetëm disa vende.

babai i refugjatit kurdiNë një zhvillim tjetër, babai i refugjatit të vogël sirian, trupi i të cilit u gjet në bregdetin turk, po kthehet në Siri. Abdullah Kurdi, i biri i të cilit humbi jetën bashkë me të vëllain dhe të ëmën pas përmbysjes së barkës me refugjatë, po udhëton me tri arkivolet e familjarëve të tij për në qytetin Kobani në Siri.

Fotografitë zemërthyese të Aylanit trevjeçar, i veshur me bluze të kuqe dhe atlete, i shtirë me fytyrën e zhytur ne valët e detit, u shfaq në faqet e para në mbarë botën dhe në mediat sociale, duke u shndërruar në simbolin e krizës së refugjatëve të shkaktuar nga lufta në Siri.

Aylani, vëllai i tij pesëvjeçar dhe e ëma, ishin në mesin e 12 sirianëve që u mbytën kur barka e tyre u përmbyt derisa po largohej nga Turqia për në ishullin grek, Kos.

I ati, që i mbijetoi udhëtimit, u tha gazetarëve se ëndrrat e tij janë rrënuar.

Vendet e bllokut 28 anëtarësh të BE-së planifikojnë të mbajnë një takim emergjent për refugjatët më 14 shtator. (voa)