Terapi eksperimentale kundër leuçemisë

leucemiaMjekët në Britani kanë arritur të kurojnë leuçeminë në një vajzë të vogël që fillimisht u mendua se do të vdiste nga kanceri agresiv. Rezultati i trajtimit novator përmes imuno-terapisë është një tjetër sinjal shpresë-dhënës për luftimin e kancerit përmes ndërhyrjeve gjenetike.

Mjekët kishin përdorur të gjitha mjekimet dhe kurat ekzistuese tek Layla një-vjeçare. E vetmja shpresë për t’i shpëtuar jetën nga leuçemia ishte injektimi me qeliza të modifikuara gjenetikisht – një trajtim eksperimental që bazohet tek imuno-terapia.

Vetëm dy muaj më pas kanceri ishte zhdukur. Layla është kthyer në shtëpi. Nëna e saj thotë se e përqafuan idenë e mjekimit eksperimental pa hezitim:

“Nuk ishte vendim i vështirë për ne, ishte i vetmi vendim. Nuk kishim rrugëdalje tjetër. Nuk donin t’ia dinim nëse mund të kishte efekte anësore, donim të siguroheshim që i kishim provuar të gjitha alternativat”.

Trajtimi u përgatit nga shkencëtarët e spitalit Great Ormond në bashkëpunim me firmën franceze Cellectics. Përmes teknologjisë TALEN, e cila vepron si një gërshërë molekulare, gjene të një individi të shëndetshëm modifikohen për të krijuar qelizat T, të cilat janë rezistente ndaj ilaçeve kundër leuçemisë dhe luftojnë edhe vetë leuçeminë.

Është hera e parë që qeliza nga një individ i shëndetshëm përdoren në një terapi kundër leuçemisë tek një pacient. Kjo tentativë eksperimentale mund të sjellë një kurë premtuese për të luftuar kancerin me terapi standarte.

Disa shkencëtarë e kanë vënë në pikëpyetje këtë terapi, duke ngritur shqetësimin se organizmi i pacientit mund të mos i pranojë qelizat e një individi tjetër.

Por kompania franceze, e cila po bashkëpunon me gjigandin amerikan të farmaceutikës Pfizer, thotë se përdorimi i qelizave nga një individ i shëndetshëm, të modifikuara për të luftuar qelizat kanceroze, është metodë më e shpejtë dhe me kosto më të ulët se sa modifikimi i qelizave specifike nga çdo pacient i veçantë. Kompania do të fillojë prova të plota klinike vitin e ardhshëm.

Rezultatet e kurës eksperimentale të përdorur për Laylan do të prezantohen javën e ardhshme në konferencën vjetore të Shoqatës Amerikane të Hematologjisë. (voa)

FAZ: Po u mbyll kufiri – Maqedonia para një problemi

Si e rrezikon kriza e refugjatëve stabilitetin e Ballkanit? Institucionet atje janë të dobëta. Maqedonia është e paqartë se në ç’drejtim lëviz e mbyllja e kufirit nga Kroacia e Sllovenia e rrezikon, gjykohet në FAZ.

FAZ der SpiegelRreziku i luftërave në Ballkan për shkak të krizës së refugjatëve është i papërfillshëm. Kryeministri kroat Zoran Milanoviç ka të drejtë me këtë përgjigje, që i dha kancelares Merkel, shkruan në numrin e sotëm gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung. Por edhe pa e dramatizuar gjendjen pa nevojë, është e kuptueshme se vala e refugjatëve sjell me vete rreziqe për stabilitetin e Evropës Juglindore, të cilat do të shtoheshin, po t’i jepej fund politikës “së lejimit të kalimit”, vlerëson gazeta.

Vendet tranzit janë para sfidave të mëdha, qoftë edhe vetëm po të mendosh organizimin e kalimit të refugjatëve Në fakt me përjashtim të Sllovenisë ato janë vende, që gjatë rrugës nga diktatura socialiste për në demokraci ecin me vështirësi në moçalin e pasojave të luftës, korrupsionit dhe varfërisë. Ndërsa anëtarja e BE-së, Kroacia po stabilizohet dhe në Serbi duket se të paktën drejtimi është përcaktuar, për Maqedoninë është e paqartë se në ç’drejtim lëviz, veçon FAZ.

Prej muajsh qeveria dhe opozita janë ngatërruar në një luftë të ashpër për pushtet, saqë zgjidhja është e mundur vetëm me ndërhyrjen e BE. Por kompromiset e arritura me mundim me ndihmën e BE-së për një qeveri kalimtare dhe zgjedhje të parakohshme vihen vazhdimisht në pikëpyetje, sapo largohen negociatorët e Brukselit. Kjo sepse  institucionet shtetërore janë të dobëta dhe gërryhen vazhdimisht nga brenda nga konflikti i vazhdueshëm. Dobësia e tyre lejon të ndodhin incidente, thekson FAZ dhe përmend incidentin e majit në Kumanovë duke theksuar se në atë kohë Kumanova ishte një stacion i rëndësishëm i lëvizjes së refugjatëve, megjithëse në pjesën tjetër të Evropës pakkush e dinte këtë.

Në Maqedoni atëherë vlenin ligje shumë të rrepta ndaj refugjatëve. Ata nuk lejoheshin të përdornin mjete të transportit publik, çdo shofer makine apo autobuzi, që i merrte me vete, rrezikonte të dënohej si trafikant. Kështu njerëzit, që vinin në Maqedoni nga Greqia përmes kufirit të gjelbër, e kalonin në këmbë të gjithë vendin. Kjo dukej si program mbështetës për korrupsionin dhe kriminalitetin. Policia i shihte fare mirë këta njerëz, që ndodheshin ilegalisht në vend, por shumë i mbyllnin sytë në këmbim të një ryshfeti. Refugjatët krejtësisht të pambrojtur ishin të rrezikuar nga bandat, që i sulmonin, i grabisnin dhe madje i mbanin peng, derisa merrnin haraçin.

Këtyre aktivitete kriminale, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung, iu pre rruga nga “politika e lejimit të kalimit”, që u sanksionua në ligj në mes të qershorit, kur refugjatët u lejuan të përdornin trenat dhe kur iu desh 72 orë kohë për të kaluar nëpër Maqedoni. Nga ana tjetër kjo  shkaktoi rritjen e numrit të refugjatëve gjatë verës.

Kryeministri kroat thotë se, nëse Gjermania mbyll kufirin, vendi i tij do të bëjë edhe më shpejt të njëjtën gjë. Po të ndodhte kjo, Maqedonia do të ndodhej para një problemi, vlerëson FAZ dhe ajo që ndodh në Maqedoni ka pasoja direkte në zonat në kufi në Kosovë dhe Serbi, ku ashtu si në veri të Maqedonisë jetojnë shqiptarë. Evropës mund t’i krijohej kështu shpejt një problem i madh. Edhe për këtë arsye BE duhet të kujdeset shpejt për kufirin e saj të jashtëm në Greqi, përfundon Frankfurter Allgemeine Zeitung. (dw)

BERZH, ul parashikimin për Shqipërinë

Banka europiane për Rindërtim dhe Zhvillim pret një rritje me 2.3 përqind në 2015, nga 2.5 përqind që ishte parashikimi në pranverë

BERZHBanka europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, ka rishikuar me ulje parashikimet e saj për ekonominë shqiptare në 2015. Sipas raportit të fundit të saj, mbi zhvillimet në vendet e Europës jug-lindore, rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë në nivelin e 2.3 përqind, nga 2.5 përqind që ishin parashikimet e saj në pranverën e këtij viti.

Në mesin e 2015 dhe autoritetet shqiptare vlerësuan se ekonomia nuk do të rritej në nivelin 3 përqind të parashikuar prej tyre në fillim të vitit, por se do të zbriste në nivelin e 2.7 përqind. Të njejtin riverësim kishte bërë më parë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në tremujorin e parë ekonomia shqiptare u rrit me 2.82 përqind, ndërsa në të dytin me 2.53 përqind.

Sipas BERZH-it,  “Shqipëria ka përballuar me sukses ndikimin e përmbytjeve të rënda në fillim të këtij viti, por qeveria po lufton për të arritur objektivat e miratuara sipas programit me e FMN-ën” shkruhet në raport, i cili vëren se “autoritetet rritën përpjekjet e tyre për uljen e informalitetit në ekonomi dhe promovuan në Prill 2015 Këshillin e Investimeve, i mbështetur nga BERZH, i cili synon përmirësimin e klimës së investimeve në periudhën afatmesme”. BERZH parasheh që rritja ekonomike të arrijë nivelin e 3.3 përqind në 2016 “mbështetur në pritshmëritë për përmirësime të situatës në eurozonë dhe fillimit të ndërtimeve të Trans-Adriatic Pipeline (TAP)”.

Dje dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genti Sejko vërejti se aktiviteti ekonomik “ka rezultuar në kahun e poshtëm” të pritshmërive, duke deklaruar se rritja pritet të luhatet mes 2.5-2.7 përqind. Sipas tij “në ndryshim nga parashikimet paraardhëse, projeksionet aktuale sugjerojnë se kthimi i ekonomisë në ekuilibër dhe i inflacionit në objektiv do të kërkojë një kohë disi më të gjatë. Gjithashtu, këto projeksione sugjerojnë nevojën për forcimin e stimulit monetar në ekonomi, për të nxitur më tej kërkesën e brendshme dhe për të forcuar më tej kanalin e kredisë”, theksoi ai, ndërsa njoftoi vendimin e Këshillit Mbikqyrës për të ulur sërish normën bazë të interesit, e 14-a radhazi që nga viti 2011, dhe e dyta brenda këtij viti. Norma e interesit ka zbritur në një tjetër minimum historik në kuotën e 1.75 përqind. Guvernatori nxiti qeverinë të vazhdojë me realizimin e reformave strukturore duke theksuar se stimuli monetar “nuk është në gjendje të sigurojë rritje afatgjatë ekonomike dhe nuk duhet parë si një zëvendësues i reformave”.

Serbia kërkon shtyrjen e debatit për pranimin e Kosovës në UNESCO

uneskoMinistri i Punëve të Jashtme i Serbisë Ivica Daçiq sot në Paris ka apeluar tek anëtarët e Konferencës së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë e Kulturë (UNESCO) që ta shtyjnë debatin për pranimin e Kosovës, siç ka thënë ai, transmetojnë medie të Beogradit, për t’iu dhënë shansi dialogut, sepse, sipas tij, dialogu është mënyra e vetme që të arrihet një zgjidhje e pranueshme dypalëshe, transmeton Koha.net.

Kështu, ka thënë Daçiq në Konferencën e Përgjithshme, do të evitoheshin ndarjet, politizimi dhe konfrontimi në UNESCO për t shtuar më pas : “Kërkojmë shans e marrëveshje në vend të njëanshmërisë”. Serbia ka bërë fushatë aq sa ka mundur për të ndaluar pranimin e Kosovës në UNESCO.

Vetë Daçiqi më herë kishte thënë se pranimi i Kosovës në UNESCO është i njëjtë sikur në këtë organizatë të pranohej ISIS.
Edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, kishtarë e shkencorë nga Serbia kanë zbrazur shumë fjalë fyese për Kosovën dhe kërkesën saj për anëtarësim në UNESCO.

Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s në Paris dje ka filluar dje punimet. Kosova në këtë Konferencë pritet të jetë në rend dite në fillim të javës së ardhshme. (zeri)

Shqipëria kërkon anëtarësimin e plotë të Kosovës në KiE

Deputetja e Parlamentit të Shqipërisë, Valentina Leskaj, mori pjesë në debatin e Komitetit Politik te Këshilit të Evropës (KiE) për çështjen e Kosovës, e cila u zhvillua në Paris.

 

LeskajDeputetja e PS Valentina Leskaj, duke folur gjate nje seance Parlamentare, ku eshte debatuar ne lidhje me vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj dhe publikimin e fotos se kryepoliceve me Arben Frrokun, te dyshuarin kryesor per ekzekutimin e Lamajt.

Nënkryetarja e Kuvendit dhe njëkohësisht Zëvendës Presidentja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Valentina Leskaj mori pjesë në debatin e Komitetit Politik të KiE-së për çështjen e Kosovës.
Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht Zëvendës Presidentja e Asamblesë Parlamentare të KiE-së,
Ky ishte takimi i radhës i Komitetit Politik të KiE-së, gjatë të cilit u paraqit raporti për Kosovën nga Reporteri i saj, Agustin Conde.

Në fjalën e saj, Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Valentina Leskaj, nënvizoi domosdoshmërinë që Kosova të bëhet anëtare e KiE-së me të drejta të plota.

“Kjo do të ishte një nxitje dhe inkurajim për Kosovën dhe popullin e saj në rrugën e integrimit evropian, një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin e mbarë rajonit dhe perspektivën evropiane të të gjithë vendeve të rajonit. Kosova ka arritur një progres në rrugën e saj drejt konsolidimit të demokracisë, të të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe qëndrueshmërisë së këtyre standardeve. Anëtarësimet e deritanishme të Kosovës në institucionet financiare botërore, por sidomos nënshkrimi i MSA-së dhe ratifikimi i menjëhershëm i saj nga Parlamenti i Kosovës, dëshmojnë për një vullnet të palëkundur politik drejt përmbushjes së standardeve të kërkuara”, vlerësoi Leskaj.

Në përgjigje, ndaj ndërhyrjes së deputetes serbe mbi raportin, Leskaj përmendi faktin se në të gjithë procesin e rëndësishëm dhe të vështirë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kosova ka shfaqur vullnet të qartë politik duke nënshkruar disa marrëveshje dhe duke i qëndruar opsionit të dialogut të hapur për të gjitha çështjet.

Leskaj nënvizoi se ky qëndrim përmirëson jo vetëm klimën e raporteve dypalëshe Kosovë-Serbi, por edhe ndikon në qëndrueshmërinë e stabilitetit në rajon.

Në vijim Leskaj shtoi se, gjuha e përdorur nga deputetja serbe nuk përkon me frymën e KiE dhe nuk kontribuon për paqen, stabilitetin dhe dialogun në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve.

“Këtu duhet të ofrohen modele pozitive: Një grup i madh studentësh serbë qëndruan gjatë në familjet shqiptare. Si studentët, ashtu edhe futbollistët e përfaqësueses serbe, deklaruan në mediet vendase dhe të huaja se u ndjenë shumë mirë në Shqipëri”, theksoi Nënkryetarja e Kuvendit Leskaj, duke shtuar se kjo bën që në rajonin tonë të fryjë era e bashkëpunimit dhe komunikimit mes vendeve dhe popujve.

Në mbyllje të fjalës së saj, Leskaj nënvizoi sërish se anëtarësimi i Kosovës në KiE do të ndihmonte Kosovën në mënyrë të veçantë në vazhdimësinë e reformave dhe atë të forcimit te ligjit. (rtk)

Partitë politike afër marrëveshjes? Ja detajet

Partitë politike janë shumë afër arritjes së marrëveshjes për çështjen e Qeverisë kalimtare, respektivisht kompetencat e ministrave dhe zv/ministrave. Siç mëson Alsat M, tashmë është arritur kompromis që për secilin vendim të ministrit të brendshëm, zv/ministri i VMRO DPMNE-së të ketë të drejtë vetoje.

Lideret-e-partive takimNë rast konflikti mes 2 zyrtarëve, kompetencat i kalohen Komisionit Shtetëror Zgjedhor, i cili do ta thotë fjalën e fundit. Sistemi i kontrollit do të vlejë edhe në nivelet më të ulëta. Vetoja nuk do të vlejë për ndryshimet kadrovike, ndërsa në poste ku ministri i ri do të emërojë kuadro të rinj, për ta do të ketë zëvendës, që do të kontrollojnë punën e shefit të tyre.

Jo-zyrtarisht, LSDM-ja tashmë ka pranuar që e drejta e vetos për çështjet e zgjedhjeve mund të realizohet që nga emërimi i funksionarëve të rinj. Gjithashtu është harmonizuar pjesa më e madhe e Ligjit për bombat, i cili po përpilohet sipas modelit francez. Konkretisht, ligji do të parashikojë dënime për mediat që do të publikojnë biseda private të njerëzve që nuk kryejnë funksione publike dhe nuk pretendojnë për to, respektivisht nuk merren me politikë. Publikimi i çështjeve me interesit publik, përfshi edhe bisedat private të funksionarëve dhe politikanëve, nuk do të sanksionohet me ligj.

Marrëveshja është shumë afër edhe për Ligjin për mbrojtjen e informatorëve, i cili do të jetë në pajtim me praktikën juridike evropiane. Tashmë prej kohësh është arritur marrëveshje për Komisionin Anketues Parlamentar për çështjen e përgjimit dhe për Kodin Zgjedhor, por këto dyja po mbahen peng për shkak të bllokimit të punës së Prokurores Speciale Katica Janeva me mos-zgjedhjen e ekipit të saj.

Siç mëson Alsat M, faktori ndërkombëtar po bën përpjekje intensive të ndërmjetësojë mes Prokurores Speciale Janeva dhe Këshillit të Prokurorëve, që të tejkalohet edhe kjo çështje. Siç thonë burime diplomatike për Alsat, kompromisi do të ishte që të votohen 5 nga 7 prokurorët e mbetur, ndërsa për tremujorët e ardhshëm të ketë edhe shkurtesa buxhetore për Prokurorinë Speciale.

Kompetencat e Ministrave dhe zv/ministrave

-Zv/ministrat të drejtë vetoje për çështje të zgjedhjeve
-Duar të lira për ndryshime kadrovike
-E drejta e vetos – nga dita e emërimit

Ligji për bombat

-Dënime për mediat që publikojnë biseda private të qytetarëve të thjeshtë
-Bisedat që zbardhin interes publik – nuk sanksionohen
-Bisedat private me indikacione shkeljesh nga politikanët – nuk sanksionohen

Ligji për informatorët

-Të ndiqet praktika evropiane

Prokuroria Speciale

-Të zgjidhen 5 nga 7 prokurorët e mbetur
-Të shkurtohet buxheti për periudhat e ardhshme.

(alsat)

Ngrihet aktakuzë ndaj 29 të arrestuarve nga ngjarjet e Kumanovës

te burgosurit KumanovaProkuroria Publike e Maqedonisë ka ngritur akuza kundër 29 personave për pjesëmarrje në ngjarjet e Kumanovës më 09 dhe 10 maj. Vendimi, thonë nga institucioni, është miratuar në bazë të dëshmive nga hetimi

“Të pandehurit akuzohen për vepra penale”, “Organizim terrorist” nga neni 394 -a dhe “Terrorizëm” nga neni 394-b i Kodit Penal. Prokurori kompetent në të njëjtën kohë dorëzoi një Propozim për vazhdimin e masës- Paraburgim për të akuzuarit”, thonë nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë.

Ngritjen e akuzës e konfirmoi Gjykata Themelore Shkup 1, prej nga sqaruan se akti tani do të shkojë në vlerësim.

“Aktakuza është caktuar për vendim në Këshill për vlerësim të aktakuzës”.

Sipas prokurorisë publike, 9 nga të akuzuarit janë shtetas të Maqedonisë, 18 nga Kosova dhe dy kanë shtetësi të dyfishtë të Kosovës dhe Shqipërisë apo shtetësi kosovare-gjermane. Për një person në vijim është procesi i ekstradimit nga Kosova. Në aktakuzë deri më tani nuk janë përfshirë personat aksioneve të fundit. Vijon hetimi edhe për dhjetë persona, pesë prej të cilëve janë në paraburgim, dy janë në arrest shtëpiak dhe tre janë të pakapshëm. Në luftimet në lagjen e trimave në Kumanovë mes forcave speciale policore dhe një grupi të armatosur i prezantuar si “Ushtria Çlirimtare Kombëtare”, janë vrarë 18 persona, prej tyre 8 policë dhe 10 anëtarë të grupit ndërsa 29 të tjerë janë arrestuar, shumica e të cilave janë shtetas të Kosovës.

Alsat-M

Ekonomia, Sejko: Trajektorja pozitive, por zhvillimi poshtë potencialit

Guvernatori SejkoGuvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në komunikimin e tij me mediat ka deklaruar se, pavarësisht sinjaleve pozitive, ekonomia shqiptare ende nuk ka prekur nivelet e pritura të zhvillimit.

“Ekonomia shqiptare lëviz në trajektore pozitive zhvillimi, por kërkesa agregate, prodhimi dhe punësimi janë poshtë potencialeve. Edhe presionet afatmesme mbi inflacionin mbeten të ulëta”, ka deklaruar Sejko.

Ai ka thënë se, informacioni i ri ekonomik dhe financiar kanë qenë në linjë me pritshmëritë, por rritja ekonomike dhe ecuria e kredisë kanë rezultuar në krahun e poshtëm të tyre.

“Raundi i ri i projeksioneve të parashikimit të çon në përfundimin se skenari i ri i zhvillimit politik dhe monetar nuk ka pësuar ndryshimet e ndjeshme krahasuar me raundin e mëparshëm”, ka pohuar Sejko.

Sipas tij, në horizontin afatmesëm, BSH pret një kthim gradual të inflacionit në objektiv, të mbështetur nga përmirësimi progresiv i rritjes ekonomike.

“Por, në ndryshim nga projektimet parardhëse, projeksionet aktuale sugjerojnë se, kthimi i ekonomisë në ekuilibër dhe inflacionit në objektiv do të kërkojnë një kohë më të gjatë”, ka thënë Sejko.

Gjithashtu, ka vijuar guvernatori, “ato sugjerojnë nevojën për forcimin e stimulit monetar në ekonomi, për të nxitur kërkesën e brendshme dhe për të forcuar më tej kanalin e kredive”.

Për këtë arsye, ka vijuar ai, në mbledhjen e së mërkurës Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, nga nga 2% në 1.75 për qind.

/ Top Channel

NASA njofton një zbulim të madh për Marsin

marsi tokaPërmes një “cicërime” në Twitter, NASA njoftoi të gjithë ndjekësit e saj për bërjen publike të një zbulimi të rëndësishëm sa i përket planetit Mars. Me shumë gjasa bëhet fjalë për informacione që lidhen me atmosferën e “Planetit të Kuq”, gjetje që mund të na japin një pasqyrë më të qartë mbi të shkuarën dhe kolonizimin e mundshëm në të ardhmen të këtij planeti.

Megjithatë, para se NASA të na shuajë kureshtjen, ditën e enjte kur edhe do të dalë në konferencë për mediat, ja katër gjërat që mund të mësojmë prej saj:

Si e humbi atmosferën Marsi?

Në konferencën e paralajmëruar, paneli përbëhet më së shumti nga shkencëtarët e misionit MAVEN, (Mars Atmosphere and Volatile Evolution), një ekip që merret posaçërisht me studimin e atmosferës së sipërme, jonosferës dhe magnetosferës së “Planetit të Kuq”.

Sonda MAVEN mbërriti në orbitën e Marsit në muajin shtator dhe që prej atëherë ka mbledhur informacione mbi përbërjen e atmosferës së planetit, ndërkohë që në terren roboti Curiosity mbledh prej kohësh mostra nga sipërfaqja e planetit, ku së fundmi gjeti gjurmë liqenesh të tharë, lumenjsh dhe mineralesh, që sugjerojnë se dikur atmosfera e Marsit ishte më e dendur. Por sot, atmosfera e këtij planeti është 99 përqind më pak e dendur se atmosfera e Tokës.

Si e humbi densitetit? Shkencëtarët besojnë se në një periudhë prej miliona vitesh, sipërfaqja e planetit u ftoh aq shumë sa fusha magnetike u dobësuar, duke bërë që stuhitë diellore të depërtonin më lehtë në sipërfaqen e planetit duke avulluar në hapësirë ujin e Marsit.

A ka jetë në Mars?

Megjithëse detyra kryesore e MAVEN është mbikëqyrja e atmosferës dhe gjetja e përgjigjies se si u zhduk kjo atmosferë, shkencëtarët amerikane shpresojnë që të marrin një përgjigjie edhe mbi gjurmët e metanit të gjetura në Mars.

Dihet që metani është një gaz që prodhohet nga organizma të gjallë dhe rrjedhimisht gjurmët e këtij gazi janë sugjerojnë se në sipërfaqen e këtij planeti ka organizma të gjallë.

NASA ra në gjurmët e metanit që në vitin 2003 dhe fakti që ka një prani të përhershme të tij në këtë planet, do të thotë që ka një burim të mirëfilltë që prodhon këtë gaz, duke ditur që metani është mjaft i ndjeshëm ndaj rrezeve ultravjollcë të Diellit dhe në kontaktin e parë me to shpërbëhet.

Gjurmë metani gjeti edhe roboti Curiosity në sipërfaqen e planetit në dhjetorin e kaluar, por matjet e reja të MAVEN mund t’i japin fund njëherë e përgjithmonë përgjigjie pyetjes nëse ka jetë në Mars apo jo.

A është Marsi miqësor për njeriun?

Ekipi i MAVEN pritet të japë më shumë hollësi mbi atmosferën e Marsit, të dhëna që do të ndihmojnë NASA-n në ngritjen e një baze të siguritë për kolonistët e së ardhmes.

Megjithatë, për shkak se praktikisht Marsi nuk ka atmosferë, planeti është armiqësor për njeriun dhe është i bombarduar vazhdimisht nga rrezet me radioaktive të Diellit.

Sërish kjo nuk e ka stepur NASA-n nga ideja e saj për të vendosur një koloni të përhershme në “Planetin e Kuqe” pas vitit 2030, por sërish frika kryesore e tanishmja është se jetëgjatësia e astronautëve do të vihej në pikëpyetje të madhe për shkak se rrezet radioaktive shkaktojnë kancer.

Sikur të mos mjaftonte kjo, një tjetër rrezik mbërrin nga sipërfaqja e planetit, që ende nuk e njohim mirë. Javën e shkuar, shkencëtarët zbuluan një mjegull me përbërje acidi tejet të rrezikshme. Sipas tyre, kjo mjegull është çliruar nga një aktivitet vullkanor.

Gjithsesi, as kjo nuk ka bërë që NASA të heqë dorë nga ideja e kolonizimit. Në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar janë duke u kryer testimet e para për përgatitjen e një grupi astronautësh në gjendje të ngrenë një kamp në sipërfaqen e Marsit. Agjencia amerikane synon në ngritjen e një kolonie krejtësisht të pavarur nga Toka, në gjendje që të sigurojë vetë ushqimin dhe energjinë.

Në këtë drejtim një ndihmesë të madhe mund të japë misioni MAVEN dhe gjetjet e tij mbi nivelin e oksigjenit dhe elementëve të tjerë të dobishëm që kolonistët e së ardhmes mund të përdorin në planetin Mars. Deri më tani, janë zbuluar ‘përrenj’ me ujë, që shkencëtarët e NASA-s besojnë se është ujë i kripur, që rrjeth në sipërfaqen e planetit.

Surpriza e fundit? NASA në postimin në Twitter u kërkon ndjekësve që të qëndrojnë në pritje të një “lajmi surprizë” ditën e enjte, por pa sqaruar nëse bëhet fjalë për atmosferën e Marsit apo për një gjetje krejtësisht tjetër nga kjo.

/ Top Channel

Varësia ushtarake e Serbisë nga Rusia

raketat serbiPërderisa Kroacia po merr armë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që Serbia po blen armë nga Rusia, mbetet pikëpyetje se a është ky sinjal që atmosfera e luftës së ftohtë është zhvendosur në Ballkan dhe se Serbia, e rrethuar me vende anëtare të NATO-s, po kthehet drejt aleancës ushtarake me Rusinë.

Ndonëse ende nuk dihen detajet e blerjes së armatimit rus nga Serbia, Marko Milosheviq nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, thotë se armatimi që po blihet, që nënkupton, sipas tij, pesë apo gjashtë armë artilerie, dy apo tre hedhës raketash, katër helikopterë dhe disa aeroplanë, janë shifra qesharake që nuk i çrregullojnë raportet në rajon.

Sipas tij, Serbia nuk po blenë armë vetëm nga Rusia.

“Po blihen dy helikopterë nga Rusia dhe dy nga Gjermania. Kjo vërteton neutralitetin ushtarak të Serbisë”, ka theksuar Milosheviq, duke shtuar se Serbia nuk po orientohet kah Rusia, përderisa vendet tjera në rajon janë orientuar kah Perëndimi.

“Këto janë banalitete të politikës ditore pa ndonjë vështrim më të thellë në realitetin. Pjesa më e madhe e vendeve përqark, Hungaria, Bullgaria, Rumania, Kroacia dhe Shqipëria, si anëtare të NATO-s, apo Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, si vende që mëtojnë të hyjnë në NATO, në inventarin e tyre, kryesisht kanë teknikë të lindjes”, tha Milosheviq.

Ditë më parë, ambasadori amerikan në Beograd, Majkl Kirbi, duke u përgjigjur në pyetjet e medieve lidhur me porosinë e Serbisë për armë në Rusi, ka deklaruar se nuk po ndodh asgjë e jashtëzakonshme dhe se Serbia ka të drejtë të blejë armë nga kushdo.

Jovan Teokareviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, thotë se rajoni i Ballkanit është larg nga vendet e konfliktit, si Siria dhe Ukraina. Por, megjithatë, duhet përkujtuar, siç ka thënë ai, prognozën kohë më parë, të sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry.

“Më duket se po realizohet prognoza e para disa muajve, se Ballkani, e veçanërisht sikur Serbia, Bosnjë e Hercegovina apo Maqedonia, janë në vijën e zjarrit ndërmjet blloqeve kundërshtare, NATO-s dhe Rusisë”, theksoi Teokareviq.

Përkujtojmë se gjithë rrëfimin për raportin e forcave në rajon, e ka nisur kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Porositë për armatim në Rusi, ai i ka vendosur në kontekstin rajonal, duke ndërlidhur armatosjen e Kroacisë fqinje, e cila nga Amerika ka marrë dërgesa ushtarake pa pagesë.

“Është interesant që të gjithë flasin për Serbinë, ndërkaq heshtin thuajse nuk ka ndodhur asgjë në rrethinë. Pra, thuajse është normale që dikush të blejë topa të koracuar, është normale që të marrë dhe granata hedhëse dhe raketa balistike dhe ne duhet të themi: Po, mirë është, bëhuni sa më të fortë dhe ne dëshirojmë të jemi të dobët. Këtë lloj rrëfimi nuk do ta dëgjoni nga ne”, ka thënë Vuçiq.

Megjithatë, profesori Teokareviq vlerëson se polemika e hapur lidhur me blerjen e armatimit nga Kroacia dhe Serbia, është vetëm për konsum të brendshëm politik.

“Kjo shërben për nevojat e brendshme politike, për të fryrje të vazhdueshme të patriotizmit nga ana e qeverive të të dyja shteteve”, ka theksuar Teokareviq.

Njohësi i zhvillimeve gjeopolitike nga Mali i Zi, Blagoje Grahovac, gjeneral në pension, shpreh mendimin se vendimi i Serbisë për të blerë armë në Rusi është i gabuar.

“Serbia duhet të qëndrojë aty ku përket me civilizim dhe në mënyrë gjeografike dhe kjo nënkupton, në Evropë. Tentimi i tashëm apo më mirë të themi, akti politik, që të bëjë aranzhime ushtarake me Rusinë, është gabim strategjik. Është një formulë e vjetër që thotë se ‘shteti që mbrojtjen e vet e bazon në fuqinë e armëve, në esencë është shtet i pambrojtur”, tha Grahovac.

Ai ka shtuar se Serbia është çelësi për largimin e lojtarëve gjeopolitik nga Ballkani. Sipas tij nuk ka Evropë të qëndrueshme pa Ballkanin e qëndrueshëm dhe siç ka thënë Grahovac, Ballkani mund të bëhet i qëndrueshëm vetëm në rast se Serbia është e qëndrueshme dhe e integruar në Evropë.

Për një gjë të tillë, ka thënë ai, Serbia duhet të ketë politikë të re.

Përgatiti: Bekim Bislimi