Malaj: Demokratizimi i partisë, kusht për qeverisje demokratike

Ish ministri i Financave i Shqipërisë, Arben Malaj, tha se pa demokratizuar partinë nuk mund të ketë një qeverisje demokratike. Në një intervistë në studion e Zërit të Amerikës, Zoti Malaj iu referua një debati të rindezur brenda Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve për kryesinë e saj. Zoti Malaj, i cili më parë ka qenë pjesë e përpjekjeve brenda PS për ta demokratizuar partinë, tha se debati nuk dëmton. Ai ka ardhur në Uashington për të marrë pjesë në ceremonitë tradicionale “Mëngjesi i Lutjeve” që zhvillohen çdo vit në kryeqytetin amerikan.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, ekonomia shqiptare parashikohet që në vitin 2015 të jetë rritur me 2.7 për qind, megjithatë kjo rritje është më e ulët se 3 përqindshi i parashikuar fillimisht nga vetë qeveria. Ju si do ta vlerësonit rritjen ekonomike gjatë vitit 2015?

Arben Malaj: Sigurisht që rritja ekonomike në Shqipëri ka filluar të ngrihet nga pika më e ulët që pati në vitin 2013, por edhe ekspertët shqiptarë, edhe një analizë e fundit shumë e thelluar e Bankës Botërore, si të thuash paralajmëron për shqetësimin se ritmet e rritjes ekonomike në Shqipëri janë të ulëta edhe pse janë më të larta, janë në nivele të tilla që nuk ndihmojnë për të luftuar ato që janë si të thuash sfidat sociale më të mëdha që është papunësia dhe varfëria. Çështja më kritike është se cilat do të jenë burimet e rritjes ekonomike në të ardhmen, pas një periudhe 25 vjeçare ku faktorët që më përpara përcaktonin burimet dhe rritjen e ekonomisë shqiptare, siç duket kanë shterruar dhe duhet diçka e re.

Zëri i Amerikës: Cilët faktorë?

Arben Malaj: Ka ardhur në rënie pjesa e emigrantëve: remitancat, që ka qenë një faktor i rëndësishëm për të ushqyer konsumin. Për një kohë relativisht, pas viteve 2000, shërbeu si burim rritjeje kredia, ku për shkak të kredisë së keqe, ajo është kufizuar. Bumi që jepte sektori i ndërtimit sidomos për nevojat personale, ka ardhur në rënie dhe nuk mund të jetë i tillë, mund të ketë më shumë investime publike, por jo me të njëjtin ritëm i investimeve publike dhe atyre private.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, gjatë vitit të shkuar, u krijua një gropë e madhe në të ardhurat. Autoritetet kanë thënë se kjo situatë është krijuar për shkak të konjukturave ndërkombëtare, veçanërisht nga rënia e çmimeve të naftës e të tjera. Po shkaqe të brendshme, a ka patur, duke përfshirë edhe doganat?

Arben Malaj: Duhet të pranojmë që ka një ndikim nga faktori i jashtëm, por qeveritë në çdo vend, pikërisht këtë kanë për detyrë, kur bëjnë buxhetet afatmesme, kur bëjnë planet e zhvillimit, duhet të njohin trendin e zhvillimeve të jashtme dhe duhet të dinë se si ta kompensojnë, sepse parashikimet bëhen edhe afatmesme, por buxheti miratohet çdo vit. Sigurisht që ka ndikim të faktorëve të jashtëm, por unë mendoj se në të gjitha rastet – dhe kjo është këshilla që u jepet qeverive – është që duhen gjetur burime të tjera alternative, sepse ne duhet të realizojmë objektivin social,  të kemi një rritje më të madhe, të kemi ulje të madhe të varfërisë dhe të papunësisë.

Sigurisht që ka edhe probleme dhe natyrshëm në debatin që është bërë në Shqipëri midis luftës ndaj informalitetit dhe problematikës që krijon evazioni, fokusi kryesor është tek pasojat që ka në buxhet por edhe në politikë pasoja e zezë e kontrabandës. Pra është prioritare në reforma që Shqipëria ta ulë informalitetin dhe këtë duhet ta bëjë duke pasur një fokus tek formalizimi dhe një pjesë shumë e vogël tek penalizimi, por të gjitha qeveritë duhet ta mbyllin të çarën atje ku rrjedh më shumë, atje ku mungojnë më shumë para dhe problemi i menaxhimit të financave publike tek pjesa e mallrave të akcizës, e cila duhet thënë se nuk është thjesht evazion: ka tiparet e një krimi të organizuar.

Një shqetësim është që na mungojnë paratë në buxhet, e dyta është që kjo para e zezë ka ndikim negativ në disa sektorë të ekonomisë, por ka ndikim negativ edhe në politikëbërje sepse për të ruajtur këto fitime abuzive, siç ndodh edhe në vende të tjera, siç tregojnë të gjitha eksperiencat edhe në Shqipëri edhe në vende të tjera, këta individë duan që ta ruajnë këtë normë fitimi dhe këtë nuk e realizojnë nga një konkurrim në treg.

Zëri i Amerikës: Pra ju mendoni se biznesi i vogël u godit përsa i përket informalitetit më shumë sesa duhej dhe u injorua biznesi i madh?

Arben Malaj: Ideja është kjo: me biznesin e vogël ne kemi rënë dakord të gjithë si ekonomistë kur kemi diskutuar, që formalizimi i ekonomisë, pagimi i taksave, detyrimi për energjinë, detyrimi për ujin, janë pjesë e një ndryshimi që ka nevojë menaxhimi publik në Shqipëri, sepse duhet një mbështetje edhe më e madhe buxhetore qoftë për arsimin, qoftë për shëndetësinë, qoftë për shtresa sociale. Por duhet të ishte bërë më i butë. Vetëm para pak ditësh shefja e FMN-së, duke parë eksperienca të tilla në disa vende, prapë tërhoqi vëmendjen se qeveritë reformatore duhet të punojnë me reforma, reformat duhen shtrirë në kohë dhe kollona kryesore nga e cila fillon një reformë është: kush goditet nga kjo? Ato shtresa që janë në kufijtë e mbijetesës, ato patjetër duan një mbrojtje sociale. Ndërsa midis informalitetit, unë do të thosha që paraja në informalitet është më demokratike, është e shpërndarë në shumë duar dhe midis kontrabandës, kjo kërkon më shumë fokus, kërkon më shumë bashkëpunim, është më i vështirë, por pa fituar këtë luftë nuk mund të kemi as elementë të mirëqeverisjes, as shëndoshje të financave publike.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, ka patur mjaft debate kohët e fundit edhe për një nismë të qeverisë për një Partneritetit Publik-Privat për administrimin e Tatimit mbi Vlerën e shtuar. A mendoni se kjo është zgjidhja e duhur?

Arben Malaj: Unë besoj që po absolutizohet në Shqipëri mrekullia që mund të sjellë, dhënia me koncesion. Sigurisht që partneriteti faktor publik me faktor privat, është shumë më i gjerë sesa thjesht koncesion, ndërsa eksperiencat negative – dhe ky është qëndrimi që ne kemi mbajtur edhe si Institut, bashkë me kolegët e tjerë. Nëqoftëse qeveria është duke bërë një reformë më të plotë tek financat publike, deri tek alternativat për të bashkuar doganat me tatimet, na duhet të kemi një fokus dhe nëqoftëse kjo reformë do të kalojë në tre faza: a) kuadri ligjor që bashkon; b) kuadri institucional, si bashkohen tatimorët, doganore, që nga pika më e ulët deri në administratën më të lartë, brenda saj është edhe pjesa e IT-së. Atëherë të merremi me reformat e integruara, sesa me projekte spontane. Taksapaguesi shqiptar, biznesi shqiptar fatkeqësisht po paguan rëndë tre koncesione të para vitit 2013 në doganat shqiptare. Njëra ishte për skanimin e cila rezulton e dështuar, koha është rritur, pagesat janë rritur. Tjetra ishte për ngjyrosjen e karburanteve, tjetra ishte për pullat. Nuk ka asnjë të ardhur.

Zëri i Amerikës: Cili ka qenë fakti themelor për dështimin e tyre?

Arben Malaj: Do t’i përmbahem të njëjtit shqetësim që kemi diskutuar në atë kohë. Pikënisja shpeshëherë e këtyre konçesioneve është më tepër një përfitim afatgjatë i atyre që inicojnë se sa një ndryshim cilësor i shërbimit, kostos dhe kohës. Dhe një konçesion që nuk prodhon tre impakte pozitive, ta bëjë shërbimin sa më cilësor, ta bëjë me kohë sa më të shkurtër dhe me kosto sa më të vogël, atëherë ai nuk është më një partneritet. Kështu që është e lehtë të kuptosh që disa prej tyre kanë këtë mangësi që kur janë ideuar, skicuar etj., janë bërë një kosto e rënë edhe për ambientin e biznesin. Dhe ajo që pritej ishte që pas zgjedhjeve të 2013-ës, e para këto konçsione të skanoheshin çfarë probleme kishin, ku janë përgjegjësitë, sepse ka edhe përgjegjësi individuale përveç përgjegjësive të përgjithshme, dhe si nuk bien viktim e të njejtës absolutizim në konçesionet e tjera. Në rast të kundërt, pastaj, mund ta japim të gjithë ekonominë me konçesione. Por qytetarët votojnë për qeverinë, dhe në qoftë se konçsionet dështojnë…

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, si e parashikoni ekonominë për vitin 2016?

Arben Malaj: Unë besoj se tashmë, edhe ekonomia globale, ekonomia rajonale por edhe ekonomia shqiptare janë përfshirë në atë periudhën që nuk është shumë optimiste. Po të shikojmë ne rritjet ekonomike, ju përmendët 2015-ën, 2016-ën, po të shikojmë parashikimet edhe për dy vitet e tjera, të gjitha kanë ardhur në ulje. Pra, duhet të kemi parasysh që objektivat që kanë vënë qeveritë për rritje ekonomike, për rritje punësimi, për ulje varfërie, janë duke u tkurrur. Kjo i bënë më fragjile, edhe zhvillimet politike dhe zhvillimet sociale. Atëherë, çfarë i mbetet qeverisë në dorë? Sepse qeveritë nuk janë për t’u dorëzuar. Gjëja e parë fillon me kredibilitetin. Çdo reformë, çdo veprim, çdo aksion, duhet të japë një produkt, i cili duhet të jetë cilësor tek përfituesi fundor, te qytetari, te taksapaguesi. E dyta, duhet të ketë fokus, nuk mund të bëhen të gjitha menjëherë. Duhet që reformat e qeverisë të materializohen në tregues konkretë në jetën e përditshme. Në rast të kundërt, në qoftë se do mbetemi gjithmonë në parimin që kjo formë është më e mirë se një formë tjetër, por përfitimet reale do të duken në një kohë tjetër, kjo krijon probleme dhe e vështirëson qeverisjen. Qeveria duhet të ketë edhe vizionin por duhet të ketë edhe rezultate të matshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, ju disa vite më parë keni qënë pjesë e një nisme brenda Partisë Socialiste së bashku me deputetin Ben Blushi që kundërshtonit atë që e quanit stil autoritar nga ana e kryetarit të partisë, zotit Edi Rama. Debati është rindezur kohët e fundit nga zoti Blushi i cili kërkon zbatimin e rregulloreve të partisë, përshembull për rizgjedhjen e kryetarit. Ç’mendoni ju?

Arben Malaj: E para edhe për shenjë mirënjohje për misionin që ka pasur edhe Zëri i Amerikës që ka mbështetur gjithmonë zhvillimet pozitive, demokracinë. Sigurisht që kemi pasur debate në parti në atë kohë dhe normalisht tre ishin debatet kryesore: e para ndryshimi i kushtetutës pa transparencën e nevojshme dhe ekspertizën e nevojshme. Tani e kërkojnë vetë liderët e partive, por në atë kohë penalizuan brenda partive të tyre ata që ishin kundër, dhe u vërtetua se ndryshimi kushtetues nuk e mbështeti demokracinë në Shqipëri për më mirë, por krijoi pushtete absolute aq sa kryetarët e partive në debatin ditor quhen mbretër të partive të tyre. E dyta ishte qëndrimi ndaj bojkotit. Sigurisht ne ishim të shqetësuar për qeverisjen e keqe por mendonim që ndërkohë që sfida kryesore e Shqipërisë ishte integrimi evropian, Partia Socialiste mund ta harmonizonte pak më mirë qëndrimin e saj politik duke mos krijuar vonesa në procesin e integrimit. E treta dhe më kryesorja, për të dalë tek pyetja juaj, ka qënë debati jonë që pa demokratizuar partinë nuk mund të kemi një qeverisje demokratike. Shumë kolegë në atë kohë mendonin se gjëja kryesore në politikë është të fitosh pushtetin dhe për demokracinë flasim më vonë. Kështu që problemet nuk u trajtuan me përgjegjësinë që duhen dhe një pjesë e tyre tani dalin në sipërfaqe. Duke ndjekur debatin, edhe pse aktualisht unë jam më shumë i angazhuar në mësimdhënie. U kam dhënë fjalën studentëve të mi dhe kolegëve që kur fitova konkursin për të qënë profesor në Fakultetin Ekonomik, katër vjet do të jem i fokusuar në mësimdhënie. Më vjen keq që në debatin që bëhet nga disa kolegë të Partisë Socialiste këtë diskutim që bën zoti Blushi arrijnë e konsiderojnë deri në një – është investim i PD-së apo është gjuha e Berishës ose kjo zhurmë në parti po na vë në dyshim qeverisjen e vendit. Në asnjë vend të botës, në asnjë teori dhe në asnjë praktikë, zhvillimet pozitive, debatet se çfarë duhet bërë më mirë nuk e dëmtojnë një qeverisje.

Zëri i Amerikës: Më duket se Shqipëria nuk ka një përvojë dhe aq të mirë në mënyrën sesi drejtohen partitë politike nga brenda. Si mund të ndryshohet kjo kulturë?

Arben Malaj: Unë besoj që është një proces i vështirë. Fatkeqësisht trendi nuk ka qënë pozitiv vitet e fundit. Duhet më shumë angazhim, më shumë përgjegjshmëri, më shumë vet-kontribut edhe nga faktorë të tjerë socialë, shoqërorë, pjesa akademike, pjesa e kulturës, pjesa e njerëzve me influencë publike, sepse duke pritur që të modernizohen patjetër partitë politike ne do të shikojmë që nga duele do të shkojmë në duete dhe nga duete do të shkojmë në trio.

Zëri i Amerikës: Ka një stil autoritar. Zoti Blushi e kritikon kryetarin e partisë për klientelizëm, stil personal në drejtimin e partisë. Ç’mendoni ju për të gjitha këto, si do të jetë e ardhmja e kësaj partie dhe çfarë rreziqe i kanosen në rast se vazhdohet kështu?

Arben Malaj: Unë mendoj që rreziku për PS-në nuk janë debatet e brendshme. Rreziku për PS-në është stërmundimi i disa kolegëve në Partinë Socialiste për të mbyllur çdo diskutim, qoftë dhe në qoftëse nuk respektohen disa rregulla shoqërore, miqësore apo etike. Ne duhet të ndajmë kush është risku më i madh, hapja e një debati dhe një diskutimi apo mbyllja me çdo mënyrë e çdo debati dhe çdo diskutimi. Në fund të fundit, partitë politike e kanë testin e tyre në opinionin publik dhe unë nuk di nga historia ime 20 vjeçare brenda politikës shqiptare që kur ne kemi pasur debat kemi humbur. Problemi ka qënë kur faktorë të tjerë e gërryejnë qeverisjen e një vendi dhe pavarësisht sado unike të duket një parti, (PD-ja ka qënë gjithmonë unike) por ka patur ciklet e saj, sepse pikërisht është gërryer në qeverisjen e saj dhe pastaj ka paguar një kosto elektorale.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, ju si e ndjeni veten jashtë Partisë Socialiste dhe jashtë këtij debati?

Arben Malaj:  Unë jam aktiv në debatet për t’i shërbyer taksapaguesve të vendit tim, me debatet për analizat ekonomike, sociale, si profesor apo me institutin, por nuk kam një ngutje të deformuar që të kthehem në sherret, debatet apo dhe kontributet politike. Është një vendim që e kam marrë pasi dola i pavarur dhe sigurisht nuk i shmangem detyrimit për t’i shërbyer vendit dhe e kujtoj shprehjen kurrë mos thuaj kurrë.

Mushkonja që transmeton Zikën edhe në Uashington

zikaVirusi Zika, që Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka deklaruar emergjencë ndërkombëtare, bartet nga mushkonja Aedes aegypti. Ndërsa fokusi kohët e fundit ka qenë tek pasojat e pranisë së kësaj mushkonje në Amerikën Latine, një biolog e ka zbuluar atë në Uashington, jo shumë larg ndërtesës së Kapitolit.

Andrew Lima është biolog i specializuar për mushkonjat.

Në vitin 2011, një mik i kërkoi ndihmë për t’i larguar mushkonjat që e pickonin vazhdimisht në apartamentin e tij në një lagje të Uashingtonit.

Ajo që zbuloi e tronditi thellë:

“Kur shkova në shtëpinë e tij, mushkonjën e parë që pashë e shtypa dhe e studjova me kujdes: ishte Aedes aegypti, që njihet ndryshe si mushkonja e etheve të verdha, e cila transmeton virusin Dengue,  dhe virusin Zika,”- thotë ai.

Ky nuk ishte një rast i izoluar. Lima e viziton këtë lagje prej 5 vjetësh dhe vazhdon të gjejë mushkonja të tjera Aedes aegypti:

“Vura re se në atë lagje nuk po vinin mushkonja të gjeneve të tjera, që do të thotë se këto mushkonja kishin qenë atje gjatë gjithë kohës, edhe në muajt e dimrit.”

Andrew Lima thotë se mushkonjat kishin gjetur një mënyrë për t’i rezistuar motit të ftohtë, ndoshta duke qëndruar nën ura, nëpër pemë, apo në struktura nën tokë, duke u shtuar në pellgjet aty pranë.

Por edhe pse mushkonja Aedes aegypti gjendet në kryeqytetin amerikan, Lima thotë se nuk duhet patur shumë shqetësim.

“Kjo lidhet me faktin që ne qëndrojmë shumë më pak jashtë, kemi ajër të kondicionuar dhe rrjeta nëpër dritare dhe ballkone, ndryshme nga vendet tropikale, ku njerëzit rrijnë dhe punojnë më shumë jashtë.”- thotë biologu.

Por ndërsa mushkonja mund të mos përbëjë rrezik, Andrew Lima mendon se ajo do të vazhdojë të qëndrojë në këtë zonë. Ai thotë se krahas me aftësinë për të gjetur strehim, ngrohja e temperaturave globale mund të jetë një faktor për zbulimin e mushkonjës Aedes aegypti që transmeton Zikën deri në këtë pjesë veriore të Kontinentit Amerikan. (voa)

Bashkëpunim ndërshqiptar përballë obstruksionit të Serbisë në Këshillin e Evropës

Aida + Glauk VVNënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbajtën sot një konferencë për media ku paraqitën problemet lidhur me Rezolutën më të fundit të miratuar në Këshillin e Evropës.

Serbia po e vazhdon fushatën e saj obstruktive kundër Republikës së Kosovës njëjtë siç bëri muaj më parë në UNESCO. Serbia po i përdor të gjitha kapacitetet e saj diplomatike për ta penguar Kosovën që të anëtarësohet nëpër institucionet ndërkombëtare. Në Këshillin e Evropës Serbia arriti që në raportin periodik për Kosovën t’i përfshijë amendamentet të cilat u integruan në tekstin e rezolutës në 7 dhjetor dhe u votuan me 28 janar në Asamblenë e Përgjithshme.

“Dy prej këtyre amendamenteve janë veçanërisht problematikë. Njëri amendament kërkon krijimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Kurse amendamenti tjetër kërkon rritjen e rolit të UNMIK-ut në fushën e drejtësisë dhe sigurisë. Pas gjithë kësaj lufte që po e bën Serbia kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare, është e pafalshme se si kryeministri Mustafa po e vazhdon dialogun me Serbinë në të njëjtat linja sikur më parë” – tha Konjufca.

Të gjitha këto veprime të Beogradit kundër Republikës sonë – vijoi më tej ai – do të mund të shfrytëzoheshin nga Qeveria e Kosovës që ne ta përmirësonim pozicionin tonë politik karshi Serbisë. Por në vend që të ndodh kjo, Qeveria po e vazhdon avazin e vjetër të kompromiseve, me ç’rast, pala që po lëshon pe është Kosova.

Konjufca theksoi se raporti për Kosovën nuk është vetëm rezultat i një fushate të egër të Serbisë kundër shtetit tonë, por është po ashtu tregues i një pasiviteti të diplomacisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga zv.Kryeministri Thaçi. Ai tha se mbi 2/3 e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Si është e mundshme që shumica e këtyre delegacioneve nacionale t’i mbështesin amendamentet e Serbisë dhe jo ato të Kosovës të paraqitura nga delegacioni i Shqipërisë. Kjo tregon që Hashim Thaçi e Petrit Selimi po flenë ndërkohë që pozicioni ndërkombëtar i Kosovës është degraduar dukshëm sidomos me dështimin e Kosovës në UNESCO dhe me Rezolutën 2094 të Këshillit të Evropës.

Në vend që Hashim Thaçi të japë llogari për këto dështime të diplomacisë shtetërore, ai është vetëm e vetëm i preokupuar me postin e tij të ardhshëm të Presidentit. Një sjellje e tillë është më se e mjaftueshme se si qeveria Mustafa është e ndërtuar mbi ambicien për poste e pushtet personal dhe fare pak apo aspak me kontributin për forcimin e shtetit dhe suksesin ndërkombëtar të Republikës.

Nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti paraqiti detajet e sesionit të fundit dhe veprimet e delegacionit të Kosovës përballë raportit të deputetit spanjoll Augustin Conde ku amendamentet e Serbisë janë përkrahur me unanimitet dhe janë bërë pjesë integrale e raportit për Kosovës.  Në këtë takim pra me 7 dhjetor nuk kanë qenë pjesëmarrës delegacioni i Shqipërisë, ndërkohë që prezent ka qenë delegacioni i Kosovës.

Dërguti sqaroi edhe njëherë pozicionin që ka delegacioni i Kuvendit të Kosovës me statusin e të ftuarit mysafir në Komisionin për Çështje politike dhe Demokraci që ia mundëson pjesëmarrjen ku ndonjëherë i jepet e drejta e fjalës por nuk ka të drejtë vote as të drejtë propozimi për ndonjë çështje.

“Për këtë rast Kuvendi i Kosovës ka filluar koordinimin me Kuvendin e Shqipërisë qysh në fillim të janarit me ç’rast janë hartuar amendamentet, të cilat janë dorëzuar zyrtarisht në Këshill nga delegacioni i Shqipërisë. Që nga moment i shkuarjes në Strasburg, kanë filluar takimet e delegacionit të Kosovës me delegacione të ndryshme të vendeve anëtare për ta sqaruar kundërshtimin tonë për amendamentet e Serbisë, duke u kërkuar përkrahje për amendamentet tona. Ndërkohë delegacioni i Shqipërisë së bashku me deputeten nga Maqedonia Ermira Mehmeti, kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme për dorëzimin e amendamenteve.” – tha Dërguti.

Pra delegacioni i Kosovës së bashku me atë të Shqipërisë, kanë vepruar si një ekip e si rezultat u arrit që amendamentet tona të marrin përkrahje të madhe, duke qenë shumë afër suksesit, pra vetëm për një votë.

Nënkryetarja e Kuvendit theksoi se bashkëpunimi në këtë rast na tregoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërshqiptar, sepse nga një situatë e pafavorshme që kishim në fillim kur amendamentet e Serbisë ishin përkrahur me unanimitet brenda komisionit në dhjetor, arritëm që votimin në seancë ta ndajmë në dysh.

Ajo tërhoqi vëmendjen se ky bashkëpunim i duhur dhe i domosdoshëm, do të vazhdojë me  koordinim shumë intensiv paraprak meqë herën e ardhshme do të diskutohet ngritja e nivelit të pjesëmarrjes së Kosovës në Këshill të Evropës.

2 shkurt 2016

Lëvizja VETËVENDOSJE!

Grupi Parlamentar

Zyrtarë të lartë shqiptarë në Maqedoni, pjesë e skandaleve seksuale

foto-aferat MaqedoniMes materialeve të përgjimeve në Maqedoni janë edhe qindra biseda dashurie dhe romance të qeveritarëve dhe politikanëve.

Këto materiale që cenojnë privatësinë e shumë personaliteteve, nuk dihet se a janë hapur apo ku do të përfundojnë, pasi ka dyshime se ato mund të shpërndahen në opinion dhe rrjetet sociale, por edhe mund të përdoren si dëshmi kushtëzuese ndaj viktimave që janë protagonistë të bisedave.

Një përfaqësues i opozitës thekson për portalin “INA” se në mesin e materialeve voluminoze të përgjimeve janë edhe shumë biseda private, ku protagonistë janë qeveritarë, përfaqësues të partive politike, biznesmenë dhe personalitete tjera publike. Por, sipas tij, nuk përjashtohet edhe tema të tilla.

“Ka edhe materiale të tilla, por ato nuk shikohen për shkak të privatësisë ose nuk do të bëhen publike asnjëherë, për shkak se cenojnë privatësinë e çdo personi publik. Siç e dimë, Zaev ka publikuar disa biseda që kanë të bëjnë me jetën private të personaliteteve publike”, theksoi një përfaqësues i opozitës.

Megjithatë nuk dihet në të ardhmen se sa do të jenë të mbrojtura këto materiale dhe ekziston mundësia e shpërthimit të tyre në opinion, duke hapur shumë skandale, sikur në disa shtete të tjera që kanë ndodhur raste të tilla. Po ashtu jozyrtarisht mësohet edhe për skandale seksuale nëpër zyrat qeveritare, ku dyshimet janë edhe për zyrtarë shqiptarë. /INA/

Konferenca ndërkombëtare “Germia Hill”

Germia HillKryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha të martën se institucionet e vendit janë angazhuar fuqishëm për të luftuar terrorizmin dhe radikalizmin. Ai i bëri këto komente në hapje të konferencës së tretë ndërkombëtare “Germia Hill”, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në bashkëpunim me Aspen Institute, me temën “arkitektura e sigurisë së Evropës Juglindore nën dritën e sfidave më të gjera botërore”.

Kryeministri Mustafa tha se parandalimi i ekstremizmit dhe radikalizmit që çon në terrorizëm mbetet përparësi e institucioneve të Kosovës. “Janë arrestuar shumë avokues të ISIS-it, janë thyer rrjetet e rekrutimit, janë mbyllur shumë organizata Jo qeveritare që e kanë keqpërdorur Kosovën për objektiva radikale, dhe janë marrë masa ligjore ndaj fondeve që dyshohet se janë përdorur për këto aktivitete. Qytetarët e Kosovës nuk e harrojnë për asnjë moment përkrahjen dhe solidarizimin e komunitetit ndërkombëtar në kohën kur ata ishin objekt i dhunës, krimit, terrorit dhe shpopullimit. Ne e vlerësojmë lartë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendeve demokratike dhe paqedashëse”, tha kryeministri Mustafa duke nënvizuar se angazhimi i Kosovës në luftimin e këtyre dukurive ka bërë që ulet numri i qytetarëve që u bashkohen grupeve të ndryshme radikale në Lindjen e Mesme.

Sekretari i Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, theksoi se ne jemi udhëheqës në rajon në ndërmarrjen e shumë masave për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit dhe terrorizmit. Sipas shërbimeve tona, numri i qytetarëve të Kosovës në konfliktet në Siri dhe Irak ka rënë nga rreth 300 sa do të kenë qarkulluar andej e këndej gjatë viteve të fundit, në më pak se 70 veta, që mund të gjinden tani atje”, tha kryeministri Mustafa.

Që nga viti 2012 Kosova është përballur me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në luftërat në lindjen e mesme, dhe kjo dukuri ka ngritur shqetësime të mëdha te autoritetet në vend.

Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet nga 60 deri në 100 veta. Mbi 50 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Që nga viti 2013 e deri tash autoritetet kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza. Në muajin mars të vitit të kaluar, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja. (voa)

Maqedoni: “Zgjedhjet mund të shtyhen!”

Maqedonia ka perspektivë evropiane. Por kjo varet nga reformat dhe nga përfundimi i krizës së brendshme politike, thotë ministri i shtetit për Evropën Michael Roth.

Michael RothDeutsche Welle: Maqedonia gjendet maktualisht në një krizë të rëndë politike. Partitë në pushtet kritikohen për korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit. Të martën në Shkup mblidhen përfaqësuesit e qeverisë, opozitës dhe aktivistët e shoqërisë civile, për të biseduar për gjendjen. Cili është qëllimi i vizitës suaj në Maqedoni?

Michael Roth: Vizita në Shkup është planifikuar kaherë. Si ministër i shtetit për Evropën unë i vizitoj të gjitha vendet e Ballkanit dhe kontaktoj me përgjegjësit politikë dhe shoqërinë civile. Qëllimi është që të sinjalizohet se këto vende kanë një perspektivë evropiane. Por duhet të plotësojnë kushtet e parashikuara. Sa më me vendosmëri të zbatohen reformat, aq më shpejt do të shkojë edhe procesi i afrimit me Bashkimin Evropian. Kjo është në interesin e këtyre vendeve por edhe në interesin e BE. Stabiliteti, demokracia dhe mirëqenia në tërë rajonin janë qëllimet tona.

A do ta cilësonit gjendjen në Maqedoni si shqetësuese?

Në ish-Republikën Federale Jugosllave të Maqedonisë duhet të zgjidhet sa më parë kriza e rëndë politike. Banorët e këtij vendi e meritojnë këtë. Në radhë të parë janë reformat dhe zbatimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike, sipas standardeve evropiane. Nga këto varet edhe afrimi i Maqedonisë me BE. Përpjekjet e palës evropiane do të nënvizohen edhe gjatë kësaj vizite.

Një ekip ekspretësh i diplomatit gjerman Reinhardt Priebe i ka përkufizuar problemet në Maqedoni si: mangësi në shtetin juridik, mangësi të mëdha në pavarësinë e institucioneve, organeve juridike dhe mediave, si dhe mangësi tek ndarja e shtetit dhe partive. Ekspertët thonë se janë dhënë edhe shumë sugjerime. Si po zhvillohen gjërat me zbatimin e këtyre sugjerimeve?

Edhe më parë ka pasur sinjale për mangësi në zbatimin e reformave. Më vjen shumë keq, sepse e di që kjo zhgënjen shumë edhe gjeneratën e re proevropiane. Respektimi i vlerave tona evropiane siguron edhe një të ardhme më të mirë. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë vendosur vet që t’i respektojnë këto vlera. Ndaj pres që më në fund të fillojë realizimi i këtyre reformave. Sa i përket mangësive dhe reformave të propozuara nga Komisioni i BE, me të vërtetë është bërë shumë pak. Ndaj aktualisht është shumë e paqartë nëse zgjedhjet e 24 prillit do të zhvillohen sipas standardeve evropiane.

Partitë në pushtet duan patjetër që zgjedhjet të mbahen më 24 prill, pavarësisht shtyrjes së reformave dhe masave të tjera që kanë shkaktuar krizën politike. Opozita pohon se nuk do t’i pranojë zgjedhjet në këto kushte. Sa legjitime janë këto zgjedhje?

Ne e mbështesim pa rezerva ndërmjetësimin evropian. Forcat politike kanë rënë dakord për planin që nënkupton edhe zgjedhjet e reja sipas standardeve evropiane. Tani të gjithë përgjegjësit politikë e kanë për detyrim që ta zbatojnë në tërësi këtë plan. Këto kërkesa vlejnë në veçanti për qeverinë, e cila ka një përgjegjësi të veçantë. Kërkesat tona janë të qarta, që të mbahen zgjedhje të lira dhe korrekte, sipas standardeve evropiane. Nëse Komisioni i BE vlerëson se nuk janë krijuar kushtet për zgjedhje të tilla në fund të prillit, ato me siguri që do të shtyhen.

Por a mund të ndodhë që BE të bëjë lëshime, për shkak të rëndësisë së Maqedonisë në zgjidhjen e problemit me refugjatët?

Jo, Nuk ka lëshime politike në procesin e afrimit me BE. Kjo nuk do të thotë se ne nuk do ta ndihmojmë këtë vend në përballjen me valën e refuagjtëve. Me rëndësi është që në këto kohëra të bashkëpunojnë me vendet e Ballkanit për zgjidhjen e kësaj drame. BE dhe Gjermania po e mbështesin konkretisht Maqedoninë. Gjermania ka ndihmuar ndërkohë vendet tranzite – pra Maqedoninë dhe Serbinë – me 2,1 milionë euro dhe ka premtuar 1,3 milionë euro për masat e infrastrukturës. BE-ja ka ndarë 22 milionë euro për këto qëllime dhe ka krijuar një fond prej 46 milionë eurosh. Kjo është mirënjohje për solidaritetin dhe ndjenjën e përgjegjësisë që kanë treguar të gjithë.

Michael Roth është politikan gjerman, që nga dhjetori i vitit 2013 ai është ministër shteti për Evropën në Ministrinë e Jashtme dhe zëvendësminstër për çësthje politike. Pikërëndesa në punën e tij janë Evropa Lindore, Rusia dhe bashkpunimi mes Francës dhe Gjermanisë.

LSDM, dakord për pastrimin e listës zgjedhore

ZaevNë Maqedoni, Lidhja Social Demokrate e opozitës ka rënë dakord të martën mbi metodologjinë për pastrimin e listës zgjedhore. Kjo vlerësohet si arritje e marrëveshjes midis katër partive kryesore për listën zgjedhore, që mund t’i hapë rrugën zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare në vend. Të dhënat e votuesve, në bazë të metodologjisë së propozuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, do të merren nga institucionet shëndetësore, nga zyrat e gjendjes civile dhe institucione të ngjashme.

Maqedonia me rreth dy milion banorë ka afërsisht 1 milion e 800 mijë votues të regjistruar, një shifër kjo mjaft e diskutueshme. Edhe komuniteti ndërkombëtar dhe organizatat vëzhguese të zgjedhjeve, prej vitesh kanë bërë vërejtje për mungesën e pastrimit të listës zgjedhore. Ekspertët mendojnë se mungesa e një liste të besueshme zgjedhore krijon mundësi për manipulime të procesit. Madje, edhe në publikimet e bisedave telefonike nga skandali i përgjimeve dëgjohen zyrtarë të lartë qeveritarë duke folur për manipulime me votat.

Nga ana tjetër, opozita maqedonase nuk ka dhënë sinjale se do të marrë pjesë në zgjedhje, nëse ato mbahen më 24 prill, ashtu siç parashikon marrëveshja politike e 2 qershorit dhe 15 korrikut. (I.R.)

Rezultatet në Ajoua 2016

Cruz, Clinton, SandersCruz, Clinton, Sanders

Senatori Ted Cruz ishte fituesi i zgjedhjeve paraprake presidenciale republikane në Iowa, në provën e parë zyrtare të fushatës presidenciale. Por gara e demokratëve mes Hillary Clinton dhe sfiduesit Bernie Sanders përfundoi në barazim duke sugjeruar një betejë të gjatë përpara. Cruz kishte pas në një distancë të vogël miliarderin Donald Trump dhe senatorin nga Florida Marco Rubio, i cili u paraqit mjaft mire dhe që mund ta shjfrytëzojë këtë për garat e ardhshme.

Senatori i Teksasit Ted Cruz, një politikan konservator, doli mbi kandidatët e shumtë republikanë dhe shpalli fitoren.

“Sonte është një fitore për bazën. Sot është një fitore për konservatorët kurajozë në mbarë Ajouën dhe në pjesë të tjera të vendit. Sonte shteti i Ajouës tha fjalën e tij.”

Donald Trump, që kryesoi garën për muaj me rradhë, doli i dyti dhe premtoi të fitojë në betejën tjetër, atë në Nju Hemshër.

“Unë do të jem kandidati republikan dhe do ta kemi më të lehtë të mposhtim Hillary-n apo Bernie-n apo këdo që do të na dalë përpara!”

Senatori i Floridas Marco Rubio u radhit i treti, çuditërisht menjëherë pas Trumpit, duke dalë ndoshta si kandidati më favorit nga republikanët.

“Sonte këtu në Ajoua njerëzit dërguan një mesazh shumë të qartë. Pas shtatë vjetësh me Barack Obamën, ne nuk do të presim më gjatë për ta marrë drejtimin e vendit!”

Republikanët morën pjesë në shifra rekord në këto zgjedhje, si këtu në këtë qendër.  ku Sheila Waller mbështeti Marco Rubion.

“Mendoj se ai është më i përshtatshmi, shumë i edukuar dhe shumë i zgjuar për politikën e jashtme. Mendoj se këto cilësi e bëjnë atë shumë tërheqës.”

Gara mes demokratëve ishte shumë e ngushtë mes Hillary Clinton-it dhe Bernie Sanders-it. Por Clinton u shpreh sikur të kishte fituar.

“Një natë e paharruar. Një fushatë e shkëlqyer. Ka qënë një nder i madh të bëja fushatë në mbarë Ajouën me shumë prej jush, për të parashtruar të ardhmen e partisë demokrate dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”

Sanders gjithashtu shpalli fitore, i rrethuar nga votuesit e rinj që mbështesin mesazhin e tij për ekonominë. Ai është i gatshëm të shkojë në Nju Hemshër ku kryeson ndjeshëm ndaj zonjës Clinton.

“Me krizat që po përballet vendi, është vonë për politikën dhe ekonominë tradicionale.”

Demokratët që morrën pjesë në votime ishin gjithashtu të shumtë.  Në Des Moines, përkrahësit e Sanders-it dhe Clinton-it mezi prisnin të votonin.

“Ai ka ide të reja në procesin politik.”

“Ajo do të jetë kandidatja më e fortë për të vazhduar rrugën e Barack Obamës dhe për të punuar me Kongresin për të ecur përpara.” 

Demokrati Martin O’Malley dhe republikani Mike Huckabee i ndërprenë fushatat e tyre pas rezultatit të dobët në Ajoua. Të tjerët po bëhen gati për garën në Nju Hemshër të martën e ardhshme. (voa)

Kryqi i Kuq, masa urgjente për virusin Zika

mushkonjat ZIKAKryqi i Kuq bëri thirrje urgjente për fonde për të frenuar përhapjen e virusit Zika, i cili mund të infektojë deri në 4 milion njerëz në kontinentin Amerikan gjatë këtij viti.

Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Shoqatave të Gjysmëhënës së Kuqe bëri sot thirrje për 2.3 milion dollarë për të mbështetur një reagim rajonal ndaj krizës. Virusi besohet se ka lidhje me mikrocefalinë, një çrregullim neurologjik që i bën foshnjet të lindin me kokë më të vogël se normalisht.

Dje, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli virusin emergjencë globale të shëndetit publik, me parashikimin se 4 milionë njerëz mund të infektohen brenda këtij viti. Deri në fund të janarit, njëzet e katër vende kishin konfirmuar përhapjen e virusit Zika, për të cilin nuk njihet ndonjë kurë. (voa)

Kinë, skema më e madhe piramidale

kineAutoritetet kineze arrestuan 21 persona të dyshuar për mashtrimin e 900,000 investitorëve në shuma që i kalojnë 7 miliard dollarët, një ndër rastet më të mëdha të mashtrimit financiar që ka parë ndonjëherë vendi.

Ezubao, një kompani kreditimi, u kishte premtuar investitorëve fitime midis 9 dhe 14.6 për qind në vit për paratë e tyre, shumë më të larta se ato të ofruara nga bankat kineze.

Por sipas medias shtetërore kineze, 95 për qind e projekteve që pretendonte se financonte Ezubao ishin të rreme.

Autoritetet thonë se kjo firmë me qendër në provincën Anhui dhe e drejtuar nga 34-vjeçari Ding Ning, përdorte paratë e investitorëve të rinj për të paguar borxhet e vjetra. (voa)