Kushtetuta e Turqisë dhe laicizmi

erdoganKryetari i parlamentit të Turqisë Ismail Kahraman u shpreh në favor të një kushtetute të re të bazuar në parimet fetare, në dallim të qartë nga bazat laike mbi të cilat është themeluar shteti modern turk.

Zoti Kahraman, i partisë në pushtet AK tha gjatë një fjalimi mbrëmë se teksti i kushtetutës së re nuk duhet të përmendë laicizmin.

“Turqia, si një vend me shumicë myslimane, – tha ai, – nuk duhet të largohet nga feja”. Partia AK e presidentit Rexhep Taip Erdogan është përpjekur të ndryshojë kushtetutën dhe të shtojë kompetencat e presidentit.

Kritikët thonë se ndryshimet do të përqëndronin shumë pushtet në duart e një qeverie autoritare. Kushtetuta e tanishme e Turqisë ka dalë nga qeveria ushtarake që pasoi grushtin e shtetit në vitit 1980. (voa)

Të evakuuarit e Çernobilit

CernobilTë martën, më 26 prill, mbushen 30 vjet nga fatkeqësia e Çernobilit, kur një reaktor në një uzinë bërthamore në Ukrainën, atëhere pjesë e ish Bashkimit Sovjetik, shpërtheu, duke çliruar në atmosferë sasi shumë të mëdha radioaktiviteti. 116 mijë njerëz që banonin pranë uzinës u evakuuan dhe 220 mijë të tjerë u detyruan të largohen në vitet në vazhdim, me zgjerimin e së ashtuquajturës “zona e vdekjes”.

Lidhja me shtëpinë e fëmijërisë… kujtimet e largimit të dhimbshëm… Alexandr Gruzevitch jetonte me prindërit në shtëpinë numër 6, rrugaLeningradskaya të qytetit të Çernobilit.

 “Kur isha i vogël, nëna ndizte një zjarr të madh në vatër. Në dimër, kur jashtë ishte ngricë, vatra na ngrohte mirë”, – kujton ai.

Vite më pas, në orët e para të mëngjesit të 26 prillit të vitit 1986 – Gruzevitch doli jashtë të pinte një cigare.

“Pashë diçka si vezullim, si një perëndim dielli. Kishte një ngjyrë të kuqe gjak. Mendova me vete: kohë e çuditshme për një shkëlqim të tillë. Si ka mundësi që Dielli të perëndojë kështu, në këtë kohë? Megjithatë, ne edhe të nesërmen nuk ka treguan asgjë se ç’kish ndodhur”.

Shkalla e fatkeqësisë që kishte ndodhur tek termocentrali, u shfaq qartë deri 16 kilometra larg. Urdhëri për evakuimin e banorëve nga Çernobili erdhi 10 ditë më vonë.

Qyteza Pripjat u bë qendra e strehimit të punonjësve të termocentralit. Shumë prej tyre shihnin zjarrin që përfshinte me flakët ballkonet e apartamenteve të tyre.

Tani qyteti është si një monument i dëshpëruar kujtese për aksidentin më të keq bërthamor në botë. Ndërsa ndërtesat shkatërrohen ngadalë nga efekti i rrezatimit, mështeknat radioktive janë duke e përmirësuar tokën.

Në shkollën lokale, sheh të hedhura për tokë maska gazi për fëmijë, masa paraprake nga paranoja e Luftës së Ftohtë. Libra shkollorë të mbushura me vlerësime për arritjet e Bashkimit Sovjetik.

Por, mesrrënimit të përgjithshëm, gjen shenja befasuese të jetës. Disa qindra banorë, kryesisht të moshuar, të cilët u avakuuan atëhere, tani janë rivendosur në “zonën e ndaluar” dhe ky fakt po tolerohet me qetësi nga autoritetet. Shumë e kultivojnë vetë ushqimin e tyre, megjithë paralajmërimet se ndotja rritet me shpejtëtësi nën sipërfaqen e tokës.

Në qytetin e Çernobilit ende banojnë 3 mijë njerëz, të cilët punojnë për nxjerrjen nga përdorimi të uzinës. Ata lejohen të qëndrojnë në zonë vetëm për 14 ditë.

Një herë në javë, Alexandr Gruzevitch shkon nga Kievi për të punuar në në spitalin e Çernobilit, që ndodhet vetëm pak minuta më këmbë nga shtëpia e tij e vjetër.

“Nëna ime i thonte babait “Kthehemi prapë”, por ata nuk arritën. Megjithatë, rreth një muaj pas aksidentit, bashkë me babanë erdhëm tek shtëpia jonë e vjetër. Ishte shkatërruar. Xhamat ishin thyer, dyert ishin të hapura…Të gjitha orenditë i kishin vjedhur. Nuk kishte mbetur më asgjë,” – kujton Aleksandër.

Shkencëtarët thonë se “zona e ndaluar” nuk do të jetë e banueshme edhe për 20 mijë vjet të tjerë.

Por për disa të evakuuar Çernoboli mbetet shtëpia e tyre dhe dëshira e madhe për t’u kthyer i tejkalon rreziqet e padukshme, që fshihen këtu kudo. (voa)

Ndikimi i stilit të jetesës tek demencia

demenciaShumë njerëz nuk e dinë që ndryshimet në stilin e jetesës, mund të ulin në mënyrë dramatike rrezikun e demencias, sipas një sondazhi të ri të Institutit britanik për Studimin e Alcaimerit. Sipas studimit, vetëm një e katërta e të rriturve në Britani janë në dijeni të faktit se ushqimi i shëndetshëm dhe aktiviteti fizik mund t’i ulë shanset e tyre për t’u prekur nga sëmundja.

Numri në rritje i njerëzve me një formë të demencias, veçanërisht Alcaimer, e ka shtuar alarmin në gjithë botën. Mosha në rritje është faktori kryesor që rrit rrezikun për demencian dhe ndërsa njerëzit jetojnë më gjatë, barra e sëmundjes është rënduar.

Instituti britanik për Studimin e Alcaimerit, po publikon shifra të reja lidhur me këtë rrezik.

Raporti i ri e vë theksin tek hapat që mund të ndërmerren për të pakësuar rrezikun e demencias, përfshirë heqjen dorë nga duhani, një mënyrë aktive jetese dhe ushtirime fizike të vazhdueshme, si edhe të ndenjurit ulur sa më pak të jetë e mundur.

Po ashtu, një peshë e shëndetshme, një dietë e balancuar dhe konsumi i moderuar i alkoolit, si edhe mbajtja nën kontroll e kolesterolit dhe tensionit, janë të rëndësishme.
“Nuk ka një metodë fikse për të parandaluar demencian. Por në nivel popullate, mund të jemi në gjendje të ulim me 10, 20 e ndoshta edhe 30 për qind numrin e atyre që preken prej saj. Ia vlen të dimë se çfarë ndodh nëse ndiqen këto këshilla, por gjithashtu ia vlen të dimë kufizimet e ndryshimeve, prandaj është e rëndësishme që të vazhdojmë përpjekjet për zbulimin e kurave të reja, që pa dyshim do të jenë të nevojshme”, thotë Dr. Simon Ridley, drejtor i Institutit për Studimin e Alcaimerit.

Në vitin 2013, sipas një raporti në gjithë botën kishte 44.3 milionë njerëz që jetojnë me demencia. Kjo shifër pritet të arrijë në

135.5 milionë në vitin 2050.

Një nga faktet më të vështira për t’u pranuar nga pacientët është se nuk ka kurë, madje as trajtim për të ngadalësuar përparimin e demencias. Prandaj çdo masë parandaluese është e mirëpritur.

“Demencia prek shumë njerëz nga të gjitha udhët e jetës, nuk diskriminon dhe në botë ka nga 40 deri në 50 milionë vetë që vuajnë në gjithë botën nga demencia. Kostoja e saj tek individualët dhe familjet e tyre është e jashtëzakonshme, kostoja tek shoqëria është e jashtëzakonshme dhe madje edhe vetëm nga pikëpamja ekononike është një barrë e jashtëzakonshme”, thotë dr. Ridley.

Për disa njerëz nuk është befasuese dieta dhe ushtrimet fizike mund të pakësojnë rrezikun e demencias.

“Unë e shoh edhe personalisht se ushtrimet fizike dhe ushqimet e shëndetshme më bëjnë të ndihem shumë më mirë nga ana mendore, prandaj nuk më habit që ka lidhje me Alcaimerin”, thotë Helen Compton.

Edhe Ian Hutchinson bie dakord.

“Me kalimin e viteve, duhet të kujdesesh më shumë për veten. Nuk e dija që kishte ndikim tek demencia por është e natyrshme që shëndeti fizik ka ndikim tek mirëqënia mendore, prandaj sa më shumë aktivitet fizik të bësh, sa më shëndetshëm të hash, teorikisht aq më shpndetshëm je në moshë të shkuar”.

Megjithatë aktiviteti fizik dhe dieta nuk janë të mjaftueshme për të luftuar Alcaimerin dhe lloje të tjera të demencias, prandaj thotë zoti Ridley studimet janë jetike. Ai thotë se një objektiv për të gjetur një kurë ose trajtim deri në vitin 2025 është ambicioz, por është e rëndësishme sepse e ka kthyer vëmendjen tek studimet dhe mundësitë për kërkimet në këtë fushë. (voa)

Një projekt bërthamor për energjinë

projekt berthamor per energjiTë gjitha centralet e sotme bërthamore prodhojnë energjinë nëpërmjet procesit të ndarjes së atomeve të uraniumit – që krijon nxehtësi të dobishme, por edhe mbetje të shumta e të rrezikshme bërthamore që janë  vdekjeprurëse. Procesi i kundërt, ai i bashkimit të atomeve, apo fuzioni, gjithashtu krijon ngrohje, por edhe thuasje aspak rrezatim të dëmshëm. Problemi është se fuzioni është mënyra më e vështirë për t’u arritur. Shkencëtarët nga 35 vende, përfshi Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën, po përpiqen ta zgjidhin këtë problem – duke krijuar teknologji që mund ta furnizojnë botën me energji për mijëra vjet.

 

Shkencëtarët e dinë prej kohësh se nga bashkimi i atomeve të dy izotopeve të hidrogjenit, deuterium dhe tritium, çlirohen sasi të mëdha energjie dhe shumë pak rrezatim. Por, kjo kërkon atë lloj nxehtësie dhe presioni që gjendet tek dielli, por të përqendruar në një pikë shumë shumë më të vogël.

 

Teknologjia moderne thotë se kjo është shumë e vështirë por jo e pamundur për t’u arritur. Rrezet e fuqishme lazer do të siguronin presion dhe nxehtësi, ndërsa magnete të mëdha do të mbanin në ajër këtë diell të vogël,  të futur një dhomë të veçantë.

Sipas parashikimeve, kjo shkrirje atomesh,  do të jepte deri në 10 herë më shumë energji se sa konsumon.
Filluar në vitin 1985, një projekt në jug të Francës i quajtur ITER po zhvillohet ngadalë së bashku me planet për një reaktor funksionues energjie nëpërmjet bashkimit  bërthamor. Projekti është pllakosur nga vështirësitë politike, organizative dhe financiare.

Por, drejtori i ri i përgjithshëm, fizikanti dhe kimisti frncez, Dr. Bernard Bigoh thotë se reaktori më në fund është duke u ndërtuar.

“Për shembull pjesa e parë e asaj që ne e quajmë ‘cryostat’ po vjen nga India.  Ndërsa firma amerikane General Atomics ka qenë në gjendje të japë pjesën e parë të ‘solenoidit qendror”, – thotë Dr. Bigoh.

Komisioni i Kongresit që miratoi pjesëmarrjen e SHBA.-së në këtë projekt e ka pakësuar mbështetjen e tij. Në vitin 1998 Komisioni u tërhoq nga projekti, vetëm për t’iu ribashkuar përpjekjeve në vitin 2005 dhe pastaj për t’i pakësuar në mënyrë drastike fondet në vitin 2008. Dr. Bigoh erdhi në SHBA në përpjekje për ta bindur Komisionin që të mos tërhiqet nga projekti.
“Shtetet e Bashkuara tani po pyesin nëse ia vlen të vazhdohet me projektin ose ndoshta të japin dorëheqjen. Prandaj ishte mjaft e rëndësishme për t’u treguar amerikanëve se përkundër faktit se ata mbulojnë vetëm  9% të investimeve, projekti po vazhdon dhe ia vlen që SHBA të qëndrojnë në të. “

Dr. Bigoh thotë se në qoftë se plani i ri i punës miratohet nga shtatë anëtarët kryesorë të projektit, duke përfshirë SHBA-në, Kinën dhe Rusinë, montimi i reaktorit mund të përfundojë deri në vitin 2025, me eksperimentet e para duke filluar nga viti 2028.

Në fund të fundit, reaktori do të kushtojë miliarda dollarë për t’u ndërtuar, por nëse punon, vlera do të jetë e pallogaritshme. (voa)

Mision i ri në kërkim të jetës jashtë sistemit tonë yjor

Stephen HawkingFizikanti britanik Stephen Hawking, miliarderi i lindur në Rusi Yuri Milner dhe themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg njoftuan këtë muaj se janë duke filluar një program ambicioz eksplorimi në hapësirë për të mësuar nëse ka jetë në pjesë të tjera të kozmosit. Milner do të ofrojë 100 milionë dollarë për projektin për  ndërtimin e një sonde të madhësisë së një çipi kompjuterik që do të udhëtojë në një sistem tjetër yjor dhe do të dërgojë informacione në Tokë brenda një perudhe kohore prej një brezi.

Projekti, i quajtur Breakthrough Spaceshot, parashikon dërgimin e një flote sondash të vogla robotike në sistemin më të afërt yjor, Alfa Centauri. Milner prezantoi një prototip të këtyre sondave në një konferencë në Nju Jork.

“Ky është një starchip, i pajisur me kamera, motorë me energji fotoni, energji elektrike, sistem navigimi dhe pajisje komunikimi”.

Milner thotë se çipi i madhësisë së një pulle postare, do të kushtojë jo më shumë se sa një iPhone. Së bashku me një velë të lehtë, ajo do të formojë atë që shpikësit e quajnë nanosondë. Një numër i këtyre sondave të vogla do të dërgohet në hapësirë nga pajisje me lazer të fuqishëm dhe do të udhëtojnë shumë më larg se çdo mjet hapësinor i mëparshëm.

Për një kohë të gjatë njerëzit kanë imagjinuar jetën në planete të tjera dhe udhëtimin ndëryjor. Por, pak njerëz besojnë se kjo është e mundur gjatë jetës së këtij brezi. Fizikanti Stephen Hawking është optimist se distanca mes Tokës dhe sistemit yjor Alfa Centauri, rreth 40 trilionë kilometra, mund të kalohet brenda një brezi.

“Unë besoj se ajo që na bën të veçantë është tejkalimi i kufizimeve tona. Graviteti na tërheq në tokë, por unë sapo erdha me avion në Amerikë”.

Shkencëtari amerikan Freeman Dyson thotë se ne mund të mos jemi në gjendje të shkojmë aq larg.

“Hapësira mes tokës dhe Alfa Centaurt-it nuk është e zbrazët, nuk është vetëm një boshllëk i madh të cilin ju duhet ta kaloni për të arritur diçka interesante në anën tjetër. Është e kundërta, pra ka mijëra objekte në mes këtyre dy pikave”.

Zoti Dyson beson se ka më shumë gjasa që jeta të gjendet në një asteroid ose në një tjetër objekt të vogël galaktik, se sa në një planet. Edhe nëse do të kishte jetë, duhen 20 vjet për të udhëtuar në këto objekte. Sipërmarrësit besojnë se mund ta realizojnë këtë mision në rreth 20 vjet. Pastaj, do të duhen edhe katër vjet të tjera për transmetimin e informacioneve në Tokë.

Qëllimi ynë është angazhimi në këtë mision i njerëzve në mbarë botën, sidomos i të rinjve pasi ata do të jenë ende gjallë në kohën kur ne do ta realizojmë këtë,” thotë Avi Loeb, i Universitetit të Harvardit.

Një person i lindur këtë vit mund të jetë në të 50-at në kohën kur pritet të realizohet ky mision. Përparimet teknologjike mund ta përshpejtojnë këtë proces.(voa)

Rreth botës me energji diellore

avioni me diellNjë avion që ushqehet me energji diellore ka zbritur me sukses në Kaliforni pasi përshkoi segmentin më të rrezikshëm të udhëtimit rreth botës – fluturimin prej 56 orësh mbi Oqeanin Paqësor, ku nuk kishte platforma për zbritje në rast defektesh në avion.

Avioni Solar Impulse 2 zbriti pak para mesnatës mbrëmë pranë rajonit të San Franciskos të njohur si Silicon Valley.

Gjatë udhëtimit për në destinacionin përfundimtar, ai fluturoi mbi Urën e Artë në San Francisko duke kënaqur spektatorët që kishin dalë për të ndjekur këtë moment historik. Avioni lëviz shumë ngadalë, vetëm 45 km në orë, por në orët kur ndriçimi i diellit është në kulmin e tij mund ta dyfishojë këtë shpejtësi.

Avioni do të përshkojë përsëri kontinentin e Amerikës së Veriut, drejt Nju Jorkut në brigjet lindore, më pas do të kalojë Oqeanin Atlantik dhe Evropën dhe do të mbërrijë më së fundi në Abu Dabi nga u nis për këtë udhëtim në mars 2015.

Ideja e këtij projekti është për të dëshmuar se energjia diellore mund të përmbushë nevoja që dikur konsideroheshin të paarritshme nga ky burim energjetik. (voa)

Makinat me hidrogjen më pranë realitetit

makina me hidrogjenTeknologjia e makinave elektrike, po kalon nga kompanitë e mëdha tek kompanitë më të vogla. Kjo lëvizje ofron shpresa për makina më të përballueshme financiarisht për konsumatorët por edhe miqësore me mjedisin.  Prototipi më i ri i ndërtuar në Uells mund të dalë në treg pas pothuajse dy vjetësh.

Makinat që operojnë me bateri të rikarikueshme tashmë janë të pranishme në treg, por me një çmim tepër të lartë. Ndërsa kompanitë e mëdha të makinave po mundohen të tërheqin konsumatorët me vetura elektrike, kompani të vogla si Riversimple me qendër në Pois të Uellsit, po përpiqen të ndërtojnë jo vetëm makina miqësore ndaj mjedisin, por makina të cilat do ta ndryshojnë edhe mënyrën e të menduarit tek konsumatorët e makinave.

Riversimple ka në plan që makinën dy vendëshe Rasa, ta nxjerr në treg deri në vitin 2018. Lënda djegëse është hidrogjeni i kompresuar që prodhon elektricitet. I vetmi nënprodukt i këtij reaksioni është avulli i ujit.

Këto makina me hidrogjen janë miqësore ndaj mjedisit dhe kanë rendiment të lartë.

Dr. Cristophe Mauz është inxhinier me Kolegjin Imperial në Londër:

“Makinat me hidrogjen përshkojnë distanca më të largëta se ato me bateri. Domethënë, makinat me hidrogjen konkurojnë me makinat me benzinë apo naftë në distanca deri 600 apo 700 kilometra në një serbarator.”

Me një kilogram e gjysëm hidrogjen, Rasa mund të udhëtojë deri në 480 kilometra me një shpejtësi pak më pak se 100 kilometra në orë.  Por, makinat me hidrogjen përballen me një pengesë të madhe.

Darren Moss është redaktor me revistën Autocar.

“Problemi qendron tek infrastruktura. Qeveria ka premtuar ndërtimin e 12 stacioneve furnizimi. Domethënë një numër mikroskopik po të krahasosh me karburantet në mbarë Britaninë e Madhe”.

Ndërsa rritet numri i stacioneve të karikimit për makinat me bateri, prodhuesit e makinave me hidrogjen shpresojnë se e njëjta gjë do të ndodhë me stacionet e furnizimit me hidrogjen të kompresuar. (voa)

Athina pezullon çështjen e emrit me Maqedoninë: S’do bisedojmë për ca kohë

KoxiasMinistri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Koxias, përpara takimit të sotëm me shefin e diplomacisë maqedonase, Nikolla Poposki, ka thënë se çështja e emrin nuk është temë e bisedimeve për momentin për shkak të krizës së brendshme në Maqedoni.

Të dy ministrat janë takuar në margjinat e takimit rajonal për krizën e refugjatëve, i cili dje dhe sot është mbajtur në Selanik.

“Në këtë periudhë nuk do të bisedojmë për këtë çështje. Shteti fqinj është në krizë të thellë të brendshme, e cila duhet të merret parasysh dhe të ketë perspektivë për atë se sa është e mundshme që çështjet më serioze të zgjidhen”, ka deklaruar Koxias.

Në këtë takim u bisedua edhe për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe përforcimin e bashkëpunimit në ballafaqimin me sfidat e përbashkëta siç është kriza e emigrantëve, dhe po ashtu edhe lidhur me takimin e ardhshëm për masat për ndërtimin e besimit, i cili duhet të mbahet në fillim të javës së ardhshme në Shkup.(ina)

Protesta e kundër protesta në Shkup

protesta shkup 1Të enjten në mbrëmje në Shkup u zhvillua protesta e shoqërisë civile me pjesëmarrjen e disa mijëra qytetarëve, të cilët kundërshtojnë vendimin e presidentit Gjorgje Ivanov, për të falur një numër politikanësh dhe bashkëpunëtorësh të tyre të dyshuar për manipulime zgjedhore, korrupsion dhe vepra të tjera penale.

Protestuesit mbështesin Prokurorinë e Posaçme, e cila ka hapur disa raste kundër ish-ministrave dhe funksionarëve në pushtet.

Nga ana tjetër, disa mijë veta kishin ardhur nga qytete të ndryshme të Maqedonisë të organizuar, në mbështetje të qeverisë. Një organizatë që veten e quan Lëvizja Qytetare për Mbrojtjen e Maqedonisë, e njohur për afërsinë me partinë VMRO-DPMNE, tuboi para parlamentit të vendit në Shkup përkrahësit e kësaj partie për t’u dhënë mbështetje politikave qeveritare dhe për të kundërshtuar protestuesit e palës tjetër. Protestat kaluan pa incidente, ndërsa policia kishte bllokuar rrugët për të parandaluar përplasjet e mundshme.

Situata në Maqedoni kishte nxitur komisionarin e Bashkimit Evropian, Johannes Hahn të ftojë jë takim të katër drejtuesve të partive kryesore politike në Maqedoni. Por, takimi që ishte paralajmëruar për të premten në Vjenë, u anulua, meqë kryetari i LSDM-së në opozitë, Zoran Zaev tha e nuk do të marrë pjesë përderisa nuk tërhiqet vendimi i presidentit dhe nuk shtyhen zgjedhjet e paralajmëruara për datën pesë qershor.

Komisionari Hahn në një kumtesë tha se “në mungesë të përparimit, komuniteti ndërkombëtar detyrohet të shqyrtojë masa të tjera për plotësimin e kërkesave nga institucionet evropiane. Ne vazhdimisht kemi thënë se anulimi i Marrëveshjes së Përzhinës do të ketë pasoja shumë të rënda për vendin. Na vjen shumë keq për hapat regresiv që e zmbrapsin vendin nga aspiratat për anëtarësim në BE”, thuhet në letrën e zoti Hahn. (voa)

“Shullazi” trazon parlamentin

Debate të ashpra mes qeverisë dhe opozitës. Berisha: Shullazi lidhje direkte me Ramën dhe Tahirin. Shqiptarët të armatosen për të mbrojtur veten. Socialistët kërkojnë përjashtimin me 10 ditë nga parlamenti për ish kryeministrin

berishaParlamenti pati sot një seancë të trazuar kur për orë të tëra debatet në sallë u përqëndruan në një shkëmbim replikash dhe akuzash mes palëve rreth emrit të Emiljano Shullazit, një personazh i njohur për aktivitete kriminale, i arrestuar pak ditë më parë me një barrë të rëndë dyshimesh për një seri veprash penale.

Prej kohësh, në mënyrë të përsëritur, opozita e ka lidhur emrin e tij me qeverinë aktuale, kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Kjo  ndodhi dhe sot nga deputetë të së djathtës duke kulmuar me fjalën e ish kryeministrit Sali Berisha: “Me lidhjet e tij direkte me kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm, ai de facto ishte në mënyrë absolute, nënkryetari i kësaj qeverisjeje”

Por zoti Berisha shkoi më tej, duke provokuar reagimin e shumicës, kur tha se “ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë për sigurinë e tyre, të armatosen, të sigurojnë armë, për të mbrojtur veten, vatrat, pasuritë e tyre sepse nuk kanë asnjë siguri. Nëse ju o organizatë kriminale mendoni të terrorizoni opozitën dhe qytetarët me bandat tuaja, ju garantoj se opozita dhe qytetarët janë të gatshëm t’ua kthejnë ju me të njejtat mjete, dhe të mos dini ku të futeni”

Menjëherë pas deklaratës së zotit Berisha, ndërhyri ministri i Brendshëm Saimir Tahiri: “Unë nuk di si ky parlament vazhdon ende diskutimet normalisht, kur një ish kryeministër, bën thirrje publike që populli të armatoset. Dhe unë nuk besoj se ka thirrje më kriminale se sa kaq, nuk besoj se ka thirrje më antikushtetuese se sa kaq, nuk besoj se ka më djallëzi se sa kaq. Dhe unë shpresoj shumë që Prokuroria të gjejë kurajon dhe ta thërrasë, pikërisht pse është vepër penale të bësh thirrje publike për armatosje”

Jashtë sallës së parlamentit, zoti Berisha e zbuti qëndrimin e tij duke saktësuar se nevojitet një ligj për armëbajtje personale, si në Shtetet e Bashkuara, theksoi ai. E majta kërkoi më pas zyrtarisht që ndaj ish kryeministrit të merreshin masa e të pezullohej për 10 ditë nga parlamenti.

Ndaj akuzave për lidhje direkte me Shullazin ishte përgjigjur më parë kryeministri Edi Rama i cili kishte kujtuar dy raste në të kaluarën kur Shullazi sipas tij kishte prishur mitingjet e së majtës në opozitës, ndërsa për arrestimin e tij nënvizoi se “normalisht arrestimet bëhen në bashkëpunim me prokurorinë. Por në këtë rast e vërteta është pak më ndryshe. Ndalimi është bërë nga policia e cila ka nisur procedurën pa patur një denoncim konkret, por duke u nisur vetëm nga një indicje, e paprovuar. Dhe e ka ndaluar e ka kërkuar nga Prokuroria autorizimin për arrestim dhe e ka marrë autorizimin pas mensate, ndërkohë që personazhi në fjalë ka qenë në qeli”.

Ndërsa ministri i Brendshëm Tahiri nga ana e tij deklaroi: “Unë jam shumë i gatshëm. Gjeni një provë të vetme të lidhjes sime të supozuar me Shullazin apo me këdo tjetër. Ngrini një komision hetimor, verifikoni nëse ka punuar policia apo jo? Nëse është e vetme policia që ka punuar për këtë cështje apo jo? Nëse ka punuar Prokuroria apo jo? Ngrini komisionin hetimor dhe premtoni publikisht që do bashkoni votat me ne që përgjegjësi që nuk ka bërë detyrën të largohet nga detyra”.

Fjalët e zotit Tahiri mbi përgjegjësinë e mundshme në rastin Shullazi u duk se i drejtoheshin Prokurorisë, aq më tepër që kryeministri Rama kish deklaruar më parë se sipas tij, kërkesës së Policisë për përgjimin e Shullazit, Prokuroria nuk i ishte përgjigjur. Një deklaratë të cilën pak më vonë ministri i Brendshëm e cilësoi si një lapsus.