Protesta në shumë qytete të Maqedonisë

protesta-Ka nisur protesta e lëvizjes qytetare “Protestoj” ku qytetarët kanë nisur marshin protestues nga Prokuroria Speciale.

Sonte protesta do të kaloj nën shënjestër të institucioneve të korruptuara, ndërsa protestuesit pritet që të shkojnë edhe tek Komisioni për parandalimin e korrupsionit. Protestat nga “Protestoj” po mbahen edhe në 18 qytete të tjera.

Ndërkohë, edhe Lëvizja Qytetare për Mbrojtjen e Maqedonisë po zhvillon protesta në 5 qytete me slloganet për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor dhe kundër siç theksojnë skenareve për destabilizimin e Maqedonisë. (INA)

Diplomatët : VMRO dhe LSDM po kërcënojnë BDI-në me “bomba”

Diplomatë perëndimorë në Maqedoni thonë se gjatë vikendit do të ketë takime intensive, qoftë publike qoftë të fshehta, për të gjetur rrugëdalje nga kriza. Sipas tyre, në situatë më të vështirë për momentin gjendet BDI-ja e Ali Ahmetit.
“BDI do të duhej të jetë partia më komote në këtë situatë, falë numrit të deputetëve që ka në Kuvend, mirëpo nuk është ashtu. Kjo për shkak se edhe VMRO-DPMNE edhe LSDM posedojnë të ashtuquajtura ‘bomba’ përmes të cilave po shantazhojnë funksionarët e BDI-së që të përkrahin qëndrimin e njërës ose tjetrës (VMRO-së ose LSDM-së). Për këtë arsye BDI po insiston që çfarëdo zgjidhje të ketë, ajo të jetë e pranueshme edhe nga VMRO-ja edhe nga LSDM-ja, sepse nëse njërës parti nuk i pëlqen zgjidhja përfundimtare, atëherë ajo parti mund të publikon ‘bombat’ për funksionarët e BDI-së”, kanë thënë ata, transmeton “Lajm”.
Në BDI edhe zyrtarisht angazhohen për zgjidhje të pranueshme për katër partitë.
“Bisedimet për gjetjen e zgjidhjes vazhdojnë. Ne mbajmë qëndrimin se cila do zgjidhje, duke përfshirë edhe zgjedhjet duhet që të jetë e pranueshme për të gjitha partitë politike, nënshkruese të Marrëveshjes së Shkupit”, deklaroi zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani. (lajm)

Plisat: Nuk e tradhtojmë idealin kombëtar për një leckë

plisatGrupi i tifozëve “Plisat” nëpërmjet një postimi në Facebook në faqen zyrtare kanë thënë se nuk e tradhtojnë idelain kombëtar për një leckë.

Reagimi i tyre vjen pas pranimit të Kosovës në UEFA.

Grupi i tifozëve thotë se nuk mund t’ia mbajë anën Zvicres kur luan me Kosovën.

“Plisat jane per Kosoven edhe futbollin vendore, bile qe 16 vjet ska arë, livadh, fushe apo stadium neper Kosove qe nuk kane qene pas klubit te tyre te zemres. Por Plisat nuk jane dyftyresha e hipokrita dhe Plisat se shajne kalin pasi qe te kalojne lumin sic po bejne disa. Plisat nuk jane me zvicrren kur luan kunder vendit ame dhe perfundimisht rinia e Plisave nuk e tradheton idealin kombetar per nje lecke te cilen na impounuan dhe nuk e zgjodhem vete”, thuhet në këtë shënim. /KosovaPress/

Zgjedhjet në Maqedoni

zgjedhjet RMTë enjten në mesnatë ishte afati i fundit për dorëzimin e propozimeve me emrat e kandidatëve për këshillat zgjedhorë lidhur me zgjedhjet e planifikuara për më 5 qershor në Maqedoni; Por këtë e ka bërë vetëm partia qeveritare VMRO-DPMNE dhe jo tri partitë tjera më të mëdha. Kjo situatë pritet edhe një herë të shtyjë datën e zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkohë, opozita maqedonase ka qëndrim të prerë, se pa reformat e nevojshme nuk do të marrë pjesë në zgjedhje.
Data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare e caktuar për më 5 qershor ka mbetur pezull, me që tre nga katër partitë kryesore, nënshkruese të marrëveshjes, e cila parasheh zgjedhjet e parakohshme, nuk kanë dorëzuar listat me emrat e kandidatëve për në Këshillat zgjedhorë. Këtë e ka bërë vetëm VMRO-DPMNE, partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.
Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim edhepse ditëve të fundit nuk kishte një qëndrim të prerë mbi 5 qershorin, me mosparaqitjen e propozimeve për në Këshillat zgedhorë, lë të kupohet se data e planifikuar e zgjedhjeve do të dështojë. BDI-ja megjithatë nuk komenton vendimin, por zyrtarë të saj shprehen se data e zgjedhjeve duhet të mbështetet me konsensus nga të gjitha partitë kryesore në vend. BDI, ndërkohë bën të ditur se po zhvillohen bisedime me përfaqësuesit e partive për të gjetur një zgjidhje të pranueshme.
LSD opozitare mbetet e palëkundur lidhur me qëndimin për bojkotin e zgedhjeve të planifikuara nëse nuk plotësohen kushtet dhe se nuk mbështetë asnjë datë tjetër pa reformat e duhura. Këto reforma parashikojnë mes tjerash, pastrimin e plotë të listës zgjedhore dhe lirinë e medias, përkatësisht tërheqjen e kontrollit qeveritar ndaj tyre.
Opozita maqedonase lidhur me spekulimet që janë dëgjuar se Nikolla Gruevski mund të ndërrojë mendje për datën e zgjedhjeve nëse nuk preket vendimi i presidentit Ivanov për faljen, bën të ditur se një opsion i tillë nuk vjen parasysh.
Partia Demokratike Shqiptare, e cila publikisht nuk ka shpalsur qëndrimet e saj, duket se është në një vijë me rekomandimet e komunitetit ndërkombëtar lidhur me standardet e zgjedhjeve në Maqedoni
Diplomatët perëndimorë kanë lënë të kuptohet se po vazhdojnë komunikimin me drejtuesit e partive, por pa dhënë ndonjë hollësi se për çka bëhet fjalë konkretisht.
Sipas afateve të KSHZ partitë duhet t’i dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve për deputetë më së voni deri më 11 maj, ndërsa fushata të fillojë më 16 maj dhe të zgjasë deri më 3 qershor. (voa)

Ministria e Financave: FMN konfirmon trendin pozitiv të rritjes ekonomike

fmnFondi Monetar Ndërkombëtar ka konfirmuar edhe një herë se ekonomia shqiptare ka konsoliduar tashmë trendin e qendrueshëm të rritjes së saj.

Kështu deklaron Ministria e Financave, e cila në një njoftim për shtyp citon raportin mbi Çështjet Ekonomike Rajonale, i publikuar sot nga FMN, i cili sipas komunikatës përmban disa elementë tejet pozitivë për ekonominë shqiptare.

“Së pari, në Shqipëri raporti i pagës minimale ndaj pagës mesatare për vitin 2015 është mbi 45%, ose mbi nivelin mesatar në Europën Perëndimore dhe vendi ynë renditet i dyti pas Sllovenisë, për të gjitha vendet e CESEE”, citon MF raportin e Fondit.

Së dyti, vijon njoftimi, “risku i stabilitetit politik në mars 2016 është reduktuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke kaluar nga intervali ‘50-60’ në ‘40-50’”.

“Së treti, Shqipëria është përjashtuar nga grupi i vendeve që ekspozojnë hapësira për rritjen e borxhit të jashtëm, sikurse ka ndodhur me vendet e tjera për shkak të rënies në konsum dhe investimeve.

“Këto nuk janë thjesht vlerësime për ekonominë shqiptare, por janë rezultate të drejtpërdrejta të punës së maturuar dhe reformave të thella të qeverisë në çdo sektor”, thuhet në njoftimin e MF.

Dikasteri që qeveris financat e vendit pohon më tej se, ekonomia shqiptare në vitin 2015 u rrit me 2.62%, ose më shumë sesa mesatarja e rajonit.

Dhe sipas tij, “FMN, Banka Botërore dhe të tjera institucione ndërkombëtare kanë çertifikuar performancën e ekonomisë shqiptare gjatë dy viteve të fundit”.

“Në raport me vitin 2013, kur rritja ishte vetëm 1.1%, vitet 2014 dhe 2015 shënuan ndryshimet më të mëdha të rritjes në rajon”, deklaron MF në njoftimin e saj.

Së dyti, vijon dokumenti, ekonomia shqiptare është ekonomia me trendin më të qëndrueshëm të zhvillimit në rajon, përkundër luhatjeve të theksuara të vendeve tona fqinje.

“Falë këtij stabiliteti dhe reformave të guximshme të kësaj qeverie, projeksionet e FMN për rritjen ekonomike, tregojnë se në vitin 2017 ekonomia jonë do të renditet në vendin e dytë në rajon”, përfundon njoftimi për shtyp.

/ Top Channel

Dhuna në derbi, Tirana dënohet me 8 ndeshje pa tifozë

dhuna stadionKomisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit ka dënuar Tiranën me 8 ndeshje pa tifozë për shkak të trazirave pas derbit me Partizanin.

Ky dënim, që është dhënë për “dështim në përmbushjen e përgjegjësive, duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të klubit kundërshtar pas ndeshjes dhe përgjegjësinë për sjelljen e gabuar të spektatorëve, llogaritet për ndeshjet brenda dhe jashtë stadiumit.

Gjithashtu, Komisioni i Disiplinës ka dënuar me 10 ndeshje pezullim edhe zyrtarin e KF Tiranës, Devi Mukën, i cili sulmoi zyrtarin e ekipit kundërshtar pas ndeshjes.

Edhe Partizani nuk shpëton pa dënime. Për sjellje të gabuar të spektatorëve (dëmtuan stolat e stadiumit, hodhën flakadanë dhe stola në fushën e lojës), klubi dënohet me 200 000 lekë gjobë, ndërsa zyrtari Amarildo Dajlani, për sulm ndaj kundërshtarit, dënohet me 10 ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Është hedhur poshtë kërkesa e Partizanit për fitore në tavolinë të ndeshjes, pasi sipas Komisionit të Disiplinës, “ndonëse jemi përpara dështimit në përmbushjen e përgjegjësive nga ana e KF Tiranës, nuk konstatohet ndërprerje e lojës.

/ Top Channel

“Kisha Ortodokse Shqiptare, një Histori Politike 1878-1937”

libri kisha ortodokseStudjuesi dhe gazetari Ardit Bido ka botuar librin e tij “Kisha Ortodokse Shqiptare, një Histori Politike 1878-1937” me parathënie nga Prof.Dr. Ferit Duka.

Ky është një botim i nisur 3 vite më parë dhe bazohet në arkivat shqiptare dhe në arkivat greke. Libri është promovuar para publikut, ku autori Ardit Bido ka vënë theksin tek historia e Kishës Ortodokse dhe ndërhyrjet e shpeshta që ka bërë shteti grek.

“Libri trajton një histori deri në vitin 1937, mirëpo në të do të shohim se ka shumë përafërsi të së djeshmes dhe të së sotmes. Do të shohim në këtë libër se si Greqia tentonte që të fuste njerëzit e saj në Sinodin e Shenjtë të Kishës, sidomos për dy qarqet Gjirokastër dhe Korçë. Do të shohim se si tentonte të krijone një gjyq kishtar me shumicë të emëruar nga patriakana, që fatëkeqësisht u realizua vetëm para një muaji. Se si kur ndodhnin histori patriotizmi shqiptare, reagimi i parë i shtetit grek ishte mbyllja e kufijëve, siç na ndodhi 3 vite më parë në Përmet. Se si tentonte që të hapte sa më shumë shkolla greke, nën maskën e kishës ç’ka fatkeqësisht mund të them se ndodhen sot. Se si drejtuesit kishtar të huaj pretendonin, shtireshin se nuk dinin të flisnin dhe të predikonin në shqip. Se si tentonte të fuste përçarje ortodokse shteti grek mes komuniteteve fetare, por që në të gjitha rastet nuk ja arriti ta realizonte dot, falë një pune atdhetare të drejtuesve politik ortodoks të asaj kohe, si Koço Kota, Pandeli Evangjeli e të tjerë me radhë dhe falë klerikëve të asaj kohe”, u shpreh autori Bido.

Gjatë prezantimit të librit ishin të pranishëm Prof. Dr. Ferit Duka, historianja Nevila Nika, botuesi Henri Çili, si dhe shumë studjues e historian të tjerë. Prof. Dr. Ferit Duka i cili ka udhëhequr punimin theksoi se libri do të shërbejë për shkencat politike por edhe për historigrafinë.

/ Top Channel

Dorëheqje në Turqi: Çfarë po ndodh mes Erdoganit dhe Davutoglusë?

Në Ankara po fryn me gjasa era e zgjedhjeve të reja parlamentare. Largimi i kryeministrit Davutoglu ka rritur spekulimet për makinacionet e mundshme të Erdoganit.

erdogan DavutogluGjatë 20 muajve të qëndimit të Ahmet Davutoglusë në postin e kryeministrit turk dhe drejtuesit të partisë për “Drejtësi dhe Zhvillim”, AKP ka pasur shpesh zëra për një krisje në marrëdhënien mes kryeministrit dhe presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan. Por presidenti i hidhte poshtë ato në mënyrë të përsëritur. Njoftimi i tanishëm i kryeministrit turk se do të largohet nga posti, jep sinjale të tjera për marrëdhënien mes dy pushtetarëve.

Shenjat e mospajtimit mes dy udhëheqësve turq filluan të dukeshin në muajin e fundit, kur Davutoglusë iu hoq kompetenca e emërimit të drejtuesve partiakë lokalë dhe në distrikte, në një takim të Bordit Vendimmarrës Ekzekutiv të partisë. Pak ditë më vonë u shfaq online një blog “Dosjet e Pelikanit”, në të cilin një autor anonim trajtonte në shkrime marrëdhënien mes kryeministrit Davutoglu dhe presidentit Erdigan. Ka zëra se ky blog është bërë nga mbështetës të Erdoganit, ndërkohë që të tjerë besojnë, se ai është shkruar nga njerëz jashtë partisë, AKP.

Njoftimi i Davutoglusë për dorëheqje u shoqërua nga theksimi i luajalitetit për presidentin, Erdogan sigurisht edhe për të shuar zërat, se brenda AKP-së po zien. Davutoglu i qetësoi shqetësimet lidhur me dorëheqjen e tij, me deklaratën se do të qëndrojë kryeministër deri në kongresin e partisë, më 22 maj. Por largimi i tij ngre pyetjen, se si do ta përdorë tani presidenti Erdogan pushtetin e tij dhe se çfarë ndryshimesh politike e presin si qeverinë ashtu edhe opozitën.

“Film horror”

Në Ankara si efektet e dorëheqjes së Davutoglusë ashtu edhe se çfarë mund të ketë ndodhur vërtet mes Erdoganit dhe kryeministrit janë objekt interpretimesh nga më të ndryshmet. Sipas Ayse Ayata, profesore e shkencave politike në Turqi , ajo që po ndodh në Turqi i ngjason “një filmi horror” dhe po del si një “puç presidencial” i Erdoganit. “Ne flasim këtu për një kryeministër, i cili përjetoi rënien e votës në votimet e 7 qershorit dhe punoi për të rritur elektoratin në zgjedhjet e 1 nëntorit. Davutoglu është një kryeministër që arriti të marrë 50% të votës në shkallë kombëtare”, thotë për Deutsche Wellen, Ayse Ayta, profesore në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme.

Erdogani do të nxjerrë jashtë parlamentit opozitën e HDP-së dhe të shpallë zgjedhje të reja parlamentare, duke e çuar vendin në një situatë që do të dëmtojë demokracinë, shoqërinë dhe në fund të fundit “ka për të përfunduar keq”. Sipas Aytas “është e qartë se Erdogani nuk sheh asgjë që ta pengojë drejt rrugës për një sistem presidencial. Ai është po ashtu i përfshirë me mbrojtjen e vetes dhe familjes së tij. Kjo është e qartë.”

“Konflikti do të shkallëzohet”

Studiuesi i shkencave politike në Universitetin e Ankarasë, Baskin Oran thekson se Turqia po shkon drejt zgjedhjeve të reja. “Erdogani bëri hapin e fundit në drejtim të instalimit të një sistemi presidencial duke bërë një puç e nxjerrë jashtë qeverisë, Davutoglunë, sepse kryeministri Davutoglu nuk bëri çdo gjë, siç e kërkonte ai”, thotë Oran për Deutsche Wellen. Sipas studiuesit, Erdogan do të ndjekë një strategji të provokimit të kurdëve dhe duke mbajtur në koalicionin e tij të AKP-së, neonacionalistët dhe ushtarakët. “Erdogan do të shkallëzojë deri në fund konfliktet në vend. Me qëllim që të fitojë zgjedhjet, ai do të përfitojë nga një atmosferë e frikës dhe kaosit.” Por çështja kryesore është se sa kohë do të përfitojë Erdogan nga kjo strategji – dhe nëse ajo në fund të fundit mund të çojë në vetë rrëzimin e tij. (dw)

Gjermania ofron ndërmjetësues për krizën në Maqedoni

Gjermania ofron ndihmë në zgjidhjen e krizës maqedonase me emërimin e përfaqësuesit special për Maqedoninë, Johannes Haindl. Vendimi përshëndetet si një shtysë në drejtim të zgjidhjes së krizës.

Johanes HaindlAmbasadori amerikan në Maqedoni Jess. L . Baily dhe ai i Bashkimit Evropian, Aivo Orav marrin përforcim në misionin e tyre ndërmjetësues për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka bërë zyrtare emërimin e përfaqësuesit special për Maqedoninë për zgjidhjen e krizës politike. Bëhet fjalë për ambasadorin Johannes Haindl, i cili do të duhet të koordinojë aktivitetet së bashku me SHBA-në dhe BE-në në procesin e ndërmjetësimit të bisedimeve midis katër liderëve të partive politike në Maqedoni për dalje nga kriza.

Malevski: Lajm i mirë nga Berlini për Maqedoninë

Me emërimin e përfaqësuesit special, Gjermania ndërmerr një diplomaci më ofensive në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Analistët për çështje ndërkombëtare lajmin për emërimin e të dërguarit special gjerman për krizën në Maqedoni e kanë vlerësuar si lajm të mirë për Maqedoninë nga Berlini. Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Denko Malevski, thotë se emërimi i të dërguarit special gjerman në Maqedoni jep një mesazh të fortë se në Gjermani ekziston interes shtetëror për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

Me këtë hap Gjermania dëshmon se është një nga vendet me më përgjegjësi për stabilitetin e kontinentit të Evropës, për proceset e bashkimit të saj, por në të njejtën kohë edhe për unitetin e Bashkësisë Evropiane. Një Maqedoni jostabile dhe jodemokratike, e cila ka probleme të hapura me fqinjët e saj është në kundërshtim me vizionin gjerman për Europën, vlerëson Malevski. “Gjermania është forcë e madhe, ndërsa për zgjidhjen e çfarë do lloj krize vendore apo ndërkombëtare është më se e nevojshme ndërhyrja dhe angazhimi i një force të madhe, siç është në rastin konkret Gjermania”, shprehet Denko Malevski.

Selimi: Gjermania ka çfarë t’i ofrojë Maqedonisë

Gjermania po merr një rol më aktiv në Ballkan e në veçanti në Maqedoni. Që nga fillimi i krizës, diplomacia e BE-së nuk arriti të përdorë “shkopin dhe karrotën” për politikanët e Maqedonisë, vlerëson analisti Selim Ibrahimi. Zgjidhja e krizës politike në Maqedoni kërkon ndërmjetës dhe vëzhgues ndërkombëtarë sepse në të kundërtën nuk do të ketë rezultate. Gjermania si forcë kryesore, pa bagazhin burokratik të Brukselit ka çka ti ofrojë koncertit të ri ballkanik”, thotë Selim Ibrahimi.

Malina Ristevska, eksperte për çështje evropiane, ndan mendimin se prezenca më e theksuar e diplomacisë gjermane në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, do t’i japë asaj një kahje tjetër pozitive. “Përkushtimi diplomatik e forcon praninë e BE-së në Maqedoni. Në esencë, nëse çështja e krizës nuk zgjidhet atëherë ajo do të shkojë duke u komplikuar edhe më shumë”, vlerëson Ristevska.

Ndërmjetësimi ndërkombëtar më se i nevojshëm për Shkupin

Për analistin Muhamed Jashari, Gjermania ka luajtur një rol kyç në shumë vatra të krizës ndërkombëtare, si në Ukrainë. Sipas tij, emërimi i përfaqësuesit special gjerman për Maqedoninë është një hap, i cili më shumë se kurrë i nevojitet skenës politike të Maqedonisë. Për Europën më e rëndësishme është që në Maqedoni të ketë zgjidhje të ngërçit politik se sa të vendosen sanksione. “Krizat në Europë gjithnjë e më tepër ilustrojnë fuqitë e politikës së jashtme të Gjermanisë, në këtë drejtim Berlini jashtëzakonisht mirë përdor dy elemente të fuqisë, atë diplomatik dhe atë të ekonomisë”, shprehet Jashari.

Intervenimi gjerman në kohë të duhur

Emërimi i një diplomati me besim, i njohur për nga transparenca, i qartë e i hapur në komunikim me politikanët, është një tregues për Gjermaninë se si ajo e koncepton zgjidhjen e krizës në Maqedoni, thotë ish-ambasadori i Maqedonisë Arsim Zekolli. Ky emërim, sipas tij ka ardhur në momentin e duhur sepse pas dështimit të takimit të Vjenës, në Shkup nuk ka lëvizje në procesin e zgjidhjes së krizës politike. “Angazhimi i të dërguarit special të Gjermanisë në Maqedoni është lajm i mirë për qytetarët e Maqedonisë, sepse kjo jep shpresë që zëri i tyre do të dëgjohet dhe do të merret në konsideratë si në Gjermani po ashtu edhe në BE”, thotë Zekolli. Gjermania që nga pavarësia e Maqedonisë e ka mbështetur atë në rrugëtimin e saj drejt rrugës euroatlantike. Midis dy vendeve ka programe të shumta bashkëpunimi ndërsa vëllimi tregtar mes dy vendeve para një viti ishte 2 miliardë euro. (dw)

“Një besimtar i gënjyer” – Kthimi i të penduarit nga Siria

Janë disa qindra luftëtarë të huaj që kanë shkuar nga vendet e Ballkanit të luftojnë në Siri në vitet e fundit. Ndër ta edhe shqiptarë. Njëri prej tyre kthehet i zhgënjyer nga realiteti brutal i IS-it.

Alepo shkatrimLuftime e shkatërrim në Alepo

Kush kthehet nga lufta e Sirisë në Gjermani duhet të përgjigjet njëherë para ligjit, parimisht kjo duhet të ndodhte edhe në Shqipëri: Ligji shqiptar e dënon me deri në disa vite burg pjesëmarrjen në konflikte të armatosura jashtë vendit, kjo që nga viti 2014. Megjithatë kundër të kthyerve nga Siria nuk është zhvilluar asnjë proces gjyqësor, kjo edhe për faktin se shumë prej tyre pas kthimit nuk duan të bien në sy dhe vazhdojnë jetën pa dashur të përballen me autoritetet. Sandër Lleshi, këshilltari për sigurinë i kryeministrit Edi Rama pranon se “ata që kthehen i druhen ndjekjes penale”. Megjithatë ai thekson se autoritetet e sigurisë mbeten të vëmendshme e përmend një sukses tjetër të autoriteteve shqiptare. “Duhet thënë që fenomeni i luftëtarëve të huaj sot është i bllokuar. Gati nuk kemi më asnjë person që të largohet nga Shqipëria në drejtim të Sirisë, kjo falë punës së autoriteteve tona.”

“Doja t’u ndihmoja vëllezërve të mi myslimanë”

Një prej të kthyerve nga Siria, që nuk e ka dashur përballjen me autoritetet është edhe Ebu Zaid. Këtë emër 28 vjeçari, i cili e ka pranuar fenë islame para disa vitesh, e ka zgjedhur para se të rrëfejë se si pamjet e internetit e ndikuan të nisej për në Siri. “Kam parë videot, gjithçka në internet, të gjitha këto mua si besimtar më kanë prekur. Doja t’u ndihmoja vëllezërve të mi myslimanë, prandaj vendosa të shkoj në Siri. Nuk kisha frikë, por ishte ajo ndjesia heroike që po ndihmoj për diçka të mirë, po ndihmoj në rrëzimin Bashar al-Asadit”.

Ebu Zaid shkon në Siri bashkë me dy shqiptarë të tjerë në vitin 2014. Prindërve i thotë se do të shkojë për studime fetare. 28 vjeçari kujton se nuk ishte e vështirë të kaloje në Siri në atë kohë, pas mbërritjes në Turqi ishte e lehtë të dilje në anën tjetër, në kufi nuk të pyeste kush. Fillimisht ai lufton në krah të Al-Nusras në rrethinat e Alepos. “Gjithçka ishte e organizuar, ushqimi, veshja. Kam takuar djem të rinj nga vende të ndryshme europiane, Franca, Gjermania, Danimarka. Por ngaqë e njihja gjuhën arabe, kisha kontakte të mira me të gjithë.”

“Shteti Islamik” më i organizuar

Pas një muaji qëndrimi ai merr pjesë edhe në luftime. A ka vrarë? Ebu Zaid përgjigjet se “nuk kishte dyshime, ata që qëndronin përballë ishin ushtarë të Bashar Al-Asadit, nuk kishte mëshirë pas gjërave që kishin bërë ata.” Përditë kam parë të vrarë dhe shumë vuajtje, rrëfen luftëtari shqiptar. Nuk kalon shumë kohë dhe bëhet më e qartë lufta e brendshme mes Al-Nusrës dhe “Shtetit Islamik” që çoi më vonë në ndarjen e tyre. Ebu Zaid rrëfen se në atë kohë atij i dukej më i organizuar “Shteti Islamik”, prandaj në muajt e fundit të qëndrimit në Siri, i bashkangjitet këtij grupimi. “Shteti Islamik ishte më i organizuar, kishte më shumë para, financim më të mirë, nuk di nga vinte ky financim.”

Por realiteti i dhunshëm tek xhihadistët e “Shtetit Islamik” e zhgënjen shpejt të riun shqiptar. “Ata nuk kishin njohuri fetare, madje as kuranin nuk e njihnin mirë se nuk lexonin, prandaj edhe ky ekstremizëm që kanë. Po qe se të kapnin me një cigare në dorë të qortonin rëndë, kush dëgjonte muzikë ia prishnin edhe kompjuterin. Por kishte shumë vetë që i ndiqnin qorrazi urdhrat e tyre.”

Ebu Zaid e sheh veten “një besimtar të gënjyer”

Ajo që i bëri përshtypje luftëtarit nga Shqipëria ishin të rinjtë europianë që i ishin bashkuar “Shtetit Islamik.” Ata po ashtu kishin shumë pak njohuri fetare, por kishte edhe shumë që donin të ktheheshin. “Kur më pyesnin mua, a lejohet sipas islamit të kthehem në Europë, unë i thoja “po”, më vonë ata pyesnin të tjerë që u thonin se nuk lejohet të kthehesh, atje nuk është vendi i islamit.” Në vitin 2015 Ebu Zaid është vetë njëri nga ata që do të kthehet në vendlindje. “Nuk ka qenë vetëm zhgënjimi nga ajo që pashë atje. Por sidomos fytyrat e fëmijëve të mi dhe lotët e nënës kur bisedonim në Skype, më bënë të merrja vendimin e kthimit.”

Ebu Zaid jeton sot në Tiranë si punëtor i thjeshtë, duke u përpjekur të mos u bjerë në sy autoriteteve. Duke kthyer vështrimin pas ai vëren se “sot do ta quaja veten një të gënjyer, një besimtar të gënjyer. Lufta është luftë, nuk është e bukur dhe asnjëherë për hajr.” Por pavarësisht vetëpërcaktimit si të gënjyer, personat e kthyer nga lufta në Siri konsiderohen nga autoritetet e sigurisë në Shqipëri si rrezik potencial. Këshilltari për sigurinë, Sandër Lleshi thekson se “këta persona duhet njëherë të ballafaqohen me ndjekjen penale, pastaj vijnë masat e tjera si rintegrimi i tyre.” (dw)