Donald Trump dhe republikanët

Republikanet

Megjithëse Donald Trumpi pritet të jetë kandidat zyrtar i Partisë Republikane për president, duket se ai nuk gëzon mbështetjen e udhëheqjes së partisë.

Në fakt, zyrtari më i lartë republikan, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongres Paul Ryan, tha të enjten se ai nuk është gati për ta mbështetur zotin Trump si kandidat.

Më parë zoti Ryan e pati kritikuar Donald Trumpin për thënien se në qoftë se ai nuk do të fitonte emërimin e partisë republikane, mbështetësit e tij mund të krijonin trazira në Kuvendin Kombëtar Republikan në korrik.

Ndërkohë, zoti Trump u kundërpërgjigj duke thëmnë se ai nuk është i gatshëm për të mbështetur programin legjislativ të kryetarit Ryan, por nuk përjashton një partneritet në të ardhmen për të ndihmuar popullin amerikan.

Donald Trump nuk ka fituar përkrahje nga shumë figura të njohura republikane, duke përfshirë edhe ish-presidentin George H.W. Bush dhe djalin e tij, ish-presidentin George W. Bush.

Të dy ish-presidentët nuk do të shkojnë në kuvendin e Partisë Republikane në korrik dhe nuk do të bëjnë komente publike mbi zotin Trump. (voa)

Ndalohet shitja e cigareve elektronike për të miturit

cigare elektronikeAdministrata amerikane e Ushqimeve dhe Ilaçeve po ndalon shitjen e cigareve elektronike dhe e produkteve të tjera të duhanit për personat nën moshën 18 vjeç. Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi pas 90 ditësh dhe do të kërkojnë edhe vendosjen e paralajmërimeve për rrezikshmërinë ndaj shëndetit.

Kjo është masa më e fundit e qeverisë amerikane për të shmangur ndërvarësinë e brezit të ri tek nikotina.

“Ndërkohë që ka rënë pirja e duhanit në grupmoshat nën 18 vjeç, përdorimi i produkteve të tjera të nikotinës dhe në veçanti të cigareve elektronike është rritur së tepërmi. Në periudhën 2011 – 2015, përqindja e nxënësve të shkollave të mesme që përdorin cigare elektronike është rritur me 900%”.

Përveç cigareve elektronike, qeveria po ndalon edhe shitjen e duhanit të hapur dhe purove për të miturit.

“Nuk është e drejtë të kufizohet një alternativë më e shëndetshme ndaj diçkaje që dihet që është e dëmshme. Industria e duhanit ka qenë negative që në fillimet e saj dhe të gjithë i dinë lidhjen me kancerin dhe sëmundje të tjera. Por, cigaret elektronike janë një alternativë më e shëndetshme. Unë ndjehem më mirë me frymëmarrjen, nuhatjen dhe shijen.”

Rregullat e reja që do të hyjnë në fuqi pas 90 ditësh, parashikojnë që prodhuesit e produkteve të duhanit të paraqesin për inspektim një listë të përbërësve dhe të vendosin paralajmërime për shëndetin në paketime dhe në reklama. (voa)

Alberta e Kanadasë nën zjarre masive

Alberta zjarre KanadaZjarret e furishme kanë detyruar evakuime në përmasa rekord në Albertën perëndimore të Kanadasë. Rajoni është përfshirë nga temperatura shumë të larta për këtë periudhë të vitit, si dhe erëra të forta që e kanë acaruar problemin. Mbi 90 mijë vetë janë detyruar të braktisin banesat. Disa nga 50 vatrat e zjarrit janë pranë zonave me rërë naftëmbajtëse, që përfaqësojnë rajonin e tretë në botë për nga depozitat e naftës. Shkaku i zjarrit mbetet i paqartë:

Kryeministrja e Albertës Rachel Notley vizitoi zonat nga ajri dje:

“Provinca e Albertës është në gjendje të jashtëzakonshme; kjo nënkupton se distrikti rajonal do të raportojë përmes administratës provinciale problemet, në mënyrë që të koordinojmë sa më mirë ndihmat në përgjigje të situatës,” tha zonja Notley.

Fluturimet komerciale mbi rajon janë pezulluar. Rreth 16 mijë struktura janë shkatërruar nga zjarri.

“Ky është zjarr shumë i madh, me përmasa shumë serioze. Ka vënë në rrezik një qytet deri tani. Do të garantojmë se banorët e Anzac-ut dhe Gregoire-t janë të sigurtë dhe se do të mund të evakuohen në kohë për në Edmonton,” tha Dale Bendfeld, punonjës i Shërbimeve Rajonale Mbrojtëse.

Disa prej personave të evakuuar shprehin shqetësim për zotërimet që kanë lënë:

“Nuk na lanë të marrim asnjë plaçkë; kemi humbur gjithçka,” thotë një banor.

Të tjerët shprehen të ngushëlluar që janë shëndoshë e mirë:

“Këto gjëra ndodhin. Ndryshon moti, ndryshon era. Nuk ishte situatë e mirë, ishte koha për t’u larguar. Shtëpia jonë në qytet ndoshta është djegur, ndoshta jo. Por ne jemi gjallë dhe plaçkat mund të zëvendësohen,” thotë një banor.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau u bëri thirrje banorëve të kenë durim dhe premtoi ndihmë federale për Albertën.

“Forcat Ajrore Kanadeze janë të gatshme të ofrojnë ndihmë për Albertën me mjete ajrore për të ndihmuar evakuimet, për të dërguar furnizimet bazë dhe pajisjet e nevojshme për këto zona”.

Pritet që temperaturat të bien në ditët në vazhdim, por në mungesë të rreshjeve, vështirë se zjarret mund të vihen plotësisht nën kontroll. (voa)

Një sistem i ri për sinjalizmin e aksidenteve rrugore

road closedTë gjitha automjetet e reja në Bashkimin Europian do të pajisen deri në prill të 2018-ës me një sistem që kryen automatikisht sinjalizime urgjente në raste aksidenti. Sllovenia tashmë ka filluar ta përdorë sistemin eCall, i cili bën që sensorët në makinë të transmetojnë automatikisht vendndodhjen e tyre, kohën e saktë, drejtimin e makinës, si dhe numrin e njerëzve që ndodhen brenda në makinë kur ndodh aksidenti.

Sipas shifrave të Komisionit Evropian, gjatë vitit 2011 të paktën 30 mijë njerëz kanë humbur jetën në akisdente rrugore. Po sipas këtyre të dhënave, për çdo vdekje në aksident rrugor, katër të tjerë mbeten me dëmtime të përhershme nga plagët e marra në aksident, si dëmtime të trurit, apo të shtyllës kurrizore.

Deri në prill të vitit 2018, të gjitha modelet e reja të makinave që shiten në vendet e BE-së do të duhet të jenë të pajisura me eCall, një sistem i telefonatës automatike për rastet urgjente.

Kur ndodh një aksident, sistemi dërgon automatikisht sinjal tek shërbimet e emrgjencës dhe transmeton të dhëna bazë, si venddodhja e automjetit, drejtimi për ku ishte nisur dhe numri i pasagjerëve në makinë.

Sipas BE-së, numri i akidenteve vdekjeprurëse ka ardhur duke u pakësuar që nga viti 2001 dhe masa për instalimin e pajisjes eCall synon ta pakësojë më tej numrin e vdekjeve. Sllovenia është vendi i parë i BE-së që ka zbatuar sistemin eCall dhe operatorët në këtë qendër emergjence janë duke e përdorur atë.

Bostjan Tavcar drejton Qendrën për Informacion 112:

“ECall është një pajisje e vendosur në makinë dhe në rast aksidenti ajo zbulon ndryshimin tek shpjetësia e automjetit; në se jastëku i sigurisë është aktivizuar pajisja dërgon të dhëna, si psh ku ka ndodhur aksidenti, në ç’drejtim ishte nisur makina, sa pasagjerë kishte në bord dhe çfarë lloj karburanti përdorte. Avantazhi më i madh i pajisjes eCall është se mund të reagojmë menjëherë, edhe në aksidente ku nuk ka dëshmitarë okularë, ose në ato ku pasagjerët nuk kanë mundur të telefonojnë numrin 112 të urgjencës. 6 për qind e të gjitha aksidenteve në Slloveni ndodhin në rrethana të tilla. Një avantazh tjetër, veç vendndodhjes së makinës, është njohja e drejtimit të makinës, që është veçanërisht e dobishme në autostrada, sepse ekipi i shpëtimit zakonisht merr informacion të gabuar dhe nuk shkon në vendin e duhur.”

Komisioni Evropian e propozoi këtë rregull në vitin 2013 dhe vitin e kaluar Parlamenti Europian votoi në favor të zbatimit të tij.

Marijan Rimac është shef i asistencës teknike në klubin kroat të automjeteve, i cili gjithashtu e mbështet këtë masë.

Rimac thotë “Ideja është që të shpëtohet jeta e njerëzve. Sipas vlerësimeve, sistemi eCall mund të shpëtojë rreth 2 mijë jetë njerëzish në vit në Europë dhe pakëson së tepërmi pasojat e dëmtimeve në aksidente.”

Për personat e plagosur në aksidente, faktori kohë është thelbi i parandalimit të humbjes së gjakut dhe bllokimit të organeve, që mund të sjellin dëmtim afatgjatë, edhe në se shoferi, apo pasagjerët arrijnë të mbijetojnë.

Rimac thotë: “Veç shpjetësisë relae të makinës, sistemi mat tre forcat që veprojnë në makinë. Në se jastëku i sigurisë aktivizohet, sistemi sinjalizon menjëherë shërbimin e emergjencës. Sinjali mund të jetë një telefonatë e thjeshtë, apo një mesazh me të dhënat minimale.”

Ligjvënësit evropianë thonë se do të jetë i mundur instalimi i sistemit eCall edhe në makina më të vjetra, ndoshta nën sediljen e shoferit dhe çmimi duhet të jetë i përballueshëm.

Por ligjvënësit në Parlamentin European, kanë shqetësimin se sistemi mund të cënojë të drejtën e privacisë të njerëzve.

Ndërsa prodhuesit e sistemit thonë se megjithëse eCall është i lidhur vazhdimisht me një operator të lëvizshëm, informacioni jepet vetëm në rastet e një aksidenti serioz.

Denis Gorjup, që punon për një qendër emergjence në Slloveni, thotë se sistemi i sinjalizimit është shumë i dobishëm për vizitorët, të cilët nuk janë në gjendje t’i japin shërbimit të emergjencës vendodhjen e saktë të aksidentit.

“Jam i mendimit se sistemi është shumë i vlefshëm për të huajt, sepse ata zakonisht nuk e dinë se ku ndodhen në mesin e një autostrade dhe përmes sistemit, ne përcaktojmë vendndodhjen e tyre në një aksident”.

Modelet e reja të makinave do ta kenë sistemin e sinjalizimit si një pajisje standarte, duke filluar nga 31 marsi i vitit 2018.

Ky vendim do të thotë që vendet anëtare të BE-së, industria e makinave dhe palë të tjera do të kenë dy vjet në dispozicion për ta shtuar sistemin tek makinat ekzistuese dhe do ta vendosin atë tek automjetet e reja. (voa)

Kush është emisari special bavarez që vjen në Shkup

Botschafter der Bundesrepublik Deutschland, Johannes Konrad HaindlAmbasadori i RF te Gjermanise, Johannes Konrad Haindl
Johanes Hajndëll është caktuar si emisar special i Gjermanisë për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni. Por kush është diplomati gjerman me një karrierë të bujshme profesionale në diplomaci, informon INA.

Hajndëll është i lindur në vitin 1956 në Mynih. Ai ishte gazetar, diplomat, ndërsa nga viti 2015 kryen detyrën e ambasadorit të Gjermanisë në Austri. Karrierën diplpmatike e ka nisur nga nga viti 1987, ndërsa para kësaj ka punuar si gazetar radioje.

Në fillim të karrierës diplomatike ai u punësua si staf në ambasadës gjermane në Jugosllavi, ndërsa nga viti 2001-2004 ka qenë Shef i Departamentit për Forcat Speciale në Ballkanin perendimor. Në vitin 2006 ai është emëruar përfaqësues i MPJ-së gjermane për Europën jug-lindore dhe Turqinë.

Në vitin 2009 Johannes Haindl është emëruar zv.Shef i Misionit në SHBA, pastaj ambasador në republikën Çeke, ndërsa aktualisht është ambasador i Gjermanisë në Austri. (INA)

Rama-opozitës: Votoni të hënën reformën në drejtësi; reagon Berisha

Parlamenti shqiptarKryeministri Edi Rama i ka bërë ftesë opozitës që të hënën të votojë reformën në drejtësi. “Po patët mundësi ditën e hënë hajdeni votoni reformën në drejtësi, të paktën në këtë pikë të mos u dali boja. Sepse është e rëndësishme më shumë për ecurinë e përbashkët të vendit tonë dhe integrimit tonë në BE”, tha Rama.

Ai i quan të zakonshme takimet e ambasadorëve të BE dhe SHBA me grupët parlamentare, duke e quajtur reformën në drejtësi një projekt të përbashkët.

“Reforma në drejtësi është një projekt i përbashkët, tërësisht i përbashkët. Në këtë pikë, thjesht për informacion, Shqipëria nuk bën përjashtim, nga asnjë prej vendeve që i janë bashkuar familjes evropiane. Përsa i përket reformimit të sistemit të drejtësisë, në vendet që i janë bashkuar familjes evropiane projekti ka qënë thellësisht i përbashkët. Ardhja e ambasadorëve nuk e di nëse ka ndodhur në vendet e tjera, po nëse ndodh në këtë vend, ndodh vetëm për takimin me grupin tuaj. Se nëse ndodh me ne dhe LSI janë të mirëseardhur, sepse koalicioni ynë PS-LSI janë shprehur shumë qartë, dhe kanë qënë të gatshëm ta votojnë paketën e ndryshimeve kushtetuese dje. Ju nuk keni qënë të gatshëm”, tha Rama.

Përfaqësuesit e BE dhe SHBA tha Rama do i bien unazë parlamentit duke u takuar me gjithë grupet parlamentare, për t’u takuar me PD-në që nuk është e gatshme të votojë reformën.

“Se kur do jeni ju të gatshëm kjo është një çështje që nuk dua ta diskutoj tani. Përfaqësuesit e SHBA dhe BE do t’i bien unazë Parlamentit, grup më grup, që të takohen me ju, se jeni ju që nuk jeni të gatshëm të votoni. Ju shikoni një ëndërr me shqiptarë që marrin armët që tu mbrojë juve nga reforma në drejtësi. Po historia e ka zakon, përsëritet dy herë një herë si tragjedi e një herë si komedi. Nëse një herë i shkaktuar tragjedi duke i armatosur këtë herë bëni vetëm një gjë, tregoni se sa qesharak jeni, me në krye rapsodin tuaj që u përgatit të njëjtën këngë që vini e këndoni këtu. Më vjen keq kur kjo ndodh dhe me brezin më të ri që për fat të keq, duket i ri vetëm në pamje. Në fjalë jeni të gjithë njësoj, robotë rapsodikë të një partie që ka ikur për atje ku nuk thuhet”, tha Rama.

Kryeministri tha se Basha është duke përdorur sërish programin e qeverisë së mëparshme Berisha.

Braçe-Berisha përplasen sërish në sallë

Pas përfundimit të dënimeve respektive, i pari për fjalorin e përdorur në sallë dhe i dyti për deklaratën e armatosjes, Erjon Braçe dhe Sali Berisha u përplasën edhe këtë të enjte në sallën e seancave plenare.

Kjo ka bërë që të ndërpritet për pak minuta seanca, ndërsa me rinisjen e saj, kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka kërkoi mbledhjen e Byrosë së Kuvendit për të marrë masa ndaj Erjon Braçes, pasi sipas tij, deputeti socialist është përsëritës në shkeljen e rregullores.

Vetë Braçe ka dhënë përmes rrjeteve sociale versionin e tij.

“As që kam fyer kënd. Isha në derën e fundit, në dalje të sallës dhe i thashë Sali Berishës: Sali përse i çon fjalë atij biznesmenit që akuzon këtu që të mos bëjë padi ndaj teje?! Natyrisht, ky burrë je ti!”, shkruan Braçe.

Braçe thotë se e gjithë kjo ka ndodhur pas fyerjeve, sharjeve dhe shpifjeve banale, sipas tij, të një krimineli si Sali Berisha ndaj kujtdo në sallë apo jashtë saj!

Berisha-Ramës: Ti nuk di ç’është zhvillimi, di vetëm shkaravinat

Ish-kryeministri Berisha i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Rama në Parlament, duke mos i kursyer dozat e ironisë sa i takon zhvillimit të vendit, të pretenduar nga të dyja palët.

“Rama flet vetëm për shkaravinat e tij e asgjë tjetër. Shkaravina që s’ua hedh kush sytë. Ti fole për zhvillim, por t’i nuk di se ç’është zhvillimi, zhvillimi i qëndrueshëm apo zhvillimi tërësor e ku bazohet ai”, ka thënë Berisha.

Duke hedhur poshtë akuzat e pasardhësit, Berisha ka theksuar se, pas vitit 2005 Shqipëria kaloi në vend me rroga mesatare të larta dhe Banka Botërore hoqi kredinë e butë.

“Miqtë tanë amerikanë planifikuan 100 milionë dollarë investime. Ne bëmë gjithçka që t’i fitonim këto fonde, por nuk i fituam sepse kaluam në kategorinë e vendeve me të ardhura të mesme të larta dhe ligji amerikan nuk e lejonte”, tha Berisha.

Më tej ish-kryeministri është fokusuar edhe tek debati mbi rrugët, duke e vënë theksin tek ato që bëri ai kur ishte në pushtet dhe ato që sipas tij nuk po bën qeveria Rama.

“Në 3 vjet nuk u tregon shqiptarëve se ke ndërtuar një rrugë të vetme, por u tregon se po ndërton 900 m rrugë me 9.9 milionë dollarë. Ti po vjedh minimumi 7 milionë dollarë. Ti po ndërton 930 m rrugë në Lin me 9.9 milionë dollarë, në një kohë kur çmimi i tunelit në Krrabë është gjithësej 10 milionë dollarë”, ka thënë Berisha.

“Ndërkohë, në 8 vite, nga Konispoli, Kakavija, Qafë Bota deri në Han të Hotit, Morinë, Qafë Morinë të Kukësit e Tropojës janë ndërtuar në çdo fshat e qytet 11 mijë e 300 km rrugë të asfaltuara. Janë ndërtuar vetëm tunele 16 km”, ka thënë Berisha.

Ekonomia, replika mes Ahmetajt dhe Tabakut

Gjendja ekonomike e vendit ka qënë objekt debati mes deputetes së PD-së, Jorida Tabaku dhe ministrit te Financave, Arben Ahmetaj.

“Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit në vlerat minimale duke u përpjekur të ngjallë ekonominë, ndërkohë që ekonomia nuk konsumon, nuk prodhon. Ata që sot mburren me paketën fiskale duhet ta kuptojnë që janë pasojat e asaj që paralajmëruam në 2013. Ne nuk besojmë se shqiptarët janë as dembelë e as qorra.  Krim i madh i instaluar brenda katër mureve të këtij Parlamenti dhe asnjë prej nesh nuk po merr guximin ta votojë. Problemi më i madh është që përveç të gjithave, kjo qeveri është duke vrarë dhe kurajo, guximin dhe shpresën, sepse vetëm kështu besojnë se mund të nënshtrojnë shqiptarët”, tha Tabaku.

Në përgjigje të saj, ministri i Financave Ahmetaj tha se rënia e varfërisë është me 2%. Ka shkuar në 45% nga 47% që ka qënë në 2012, që për ministrin ka qënë viti i rekordit të varfërisë. Ai ka kritikuar sërish programin e PD-së, duke u fokusuar tek elementet social të tij.

“Thatë do ktheni taksën e sheshtë, do e ktheni 9 %. Nuk do pushoj kurrë pa e thënë se taksa e sheshtë ju grabit sërish 100 mln dollarë nga xhepat tuaja qytetarë. Thanë do ribëjnë reformën e pensioneve. Të gjitha atyre, gati 80 mijë veta që përfitojnë pension social, këta ua grabisin paratë mbrapsht po të vijnë në pushtet. Dhe përtej kësaj, e di çfarë i bëjnë borxhit, e çojnë për një ditë 80 % të PBB. Ky korridori këtu (korridori në mes të sallës së Kuvendit) është rrugë psikologjike, e po deshët dhe botësh. Një botë që do të qeverisë në zi, dhe një botë që ka bërë reforma që sot fatmirësisht janë duke dhënë frutet e tyre”, tha Ahmetaj.

Znj. Tabaku ka replikuar duke thënë se shifrat e raportuara janë nga INSTAT, dhe jo nga opozita.

Blushi: Mbledhja e grupeve nga ambasadorët, turp për Parlamentin

Deputeti Ben Blushi, duke folur në seancën parlamentare të kësaj të enjteje, e ka cilësuar si të turpshëm për klasën politike shqiptare mbledhjen e grupeve parlamentare nga ambasadorët për realizimin e reformës në drejtësi.

Ambasadorët e SHBA dhe BE kanë vendosur të mbledhin grupet tona parlamentare, pra po mbledhin një seancë jashtë Kuvendit. Në këtë mënyrë Shqipëria po bëhet qesharake dhe ky Parlament ka humbur sovranitetin”, ka thënë Blushi.

Sipas tij, angazhimi i ndërkombëtarëve në këtë proces është pozitiv, por e gjitha kjo do të ketë një çmim. “Çmimi është tallja me ne, përçmimi i këtij Parlamenti, kësaj klase politike dhe në fund shfarrosja si specie e kësaj klase politike. Jemi shumë afër shfarrosjes, proces që shqiptarët për 25 vjet nuk e bënë dot me votë dhe Shqipëria ndoshta do të jetë më mirë kur ne të ikim”, ka thënë Blushi.

Ai është shprehur se miratimi i reformës me ndikimin e ndërkombëtarëve mund t’u japë shpresë shqiptarëve, por ka edhe një anë tjetër të medaljes.

“Mund t’u japë shpresë njerëzve se me mbështetjen e ndërkombëtarëve pronat e tyre nuk do të vidhen, deti nuk do të falet, stadiumi me majucë nuk do të ndërtohet më. Por kjo situatë tregon troç se ne nuk duam të bëjmë drejtësi, por po detyrohemi të bëjmë reformën në drejtësi”, ka thënë Blushi.

Nëse drejtësinë e marrin nën kontroll ndërkombëtarët, ka vijuar serish ai, atëherë ndoshta ky Parlament nuk do të jetë më sadist. “Sot 3 grupet tona parlamentare duhet të skuqen dhe unë nuk do të doja të isha pjesë e asnjë prej tyre. Koha e sadistëve dhe esadistëve ka përfunduar”, ka shtuar Blushi.

/ Top Channel

E Majta kërkon informacione nga qeveria gjermane mbi Serbinë e Kosovën

Qeveria gjermane i përgjigjet një kërkese me shkrim të disa deputetëve të Majtë të Bundestagut mbi Serbinë, marrëdhënien e saj me Kosovën, Bashkimin Europian dhe NATO-n, si edhe bashkëpunimin ushtarak serbo-rus.

bundestagNjë grup deputetësh gjermanë të partisë së Majtë, deputetja Sevim Dagdelen, Wolfgang Gehrcke, Heike Hänsel, Kathrin Vogler, Andrej Hunko, Niema Movassat, në emër të grupit tyre parlamentar në Bundestag i kanë drejtuar një kërkesë me shkrim qeverisë gjermane për informim me titull: “Kandidati i BE-së, Serbia dhe NATO”. Në një përgjigje 18-faqëshe , të cilën Deutsche Welle e ka ekskluzivisht, qeveria gjermane prononcohet mbi qëndrimet e saj ndaj Serbisë, marrëdhënien e kandidatit të BE-së me Kosovën dhe aleancën veriore-atlantike, por edhe mbi bashkëpunimin ushtarak serbo-rus.

Negociatat me Serbinë përfundojnë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën

Deputetët e Majtë gjermanë kërkojnë të informohen nga qeveria gjermane mbi ndikimin që ka tek negociatat nga njëra anë mosnjohja e Kosovës dhe nga ana tjetër dëshira për pranim e Serbisë në BE. Ata pyesin se sa qëndron sipas qeverisë gjermane shtjellimi i mëposhtëm, se me hapjen e kapitullit 35 të negociatave të pranimit ku bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, nuk kërkohet drejtpërdrejt njohja e Kosovës, por hapa që duhet të bëjë Serbia, të cilat jo-drejtpërdrejt çojnë në pranimin e Kosovës si shtet i pavarur.

Për qeverinë e koalicionit me bazë të gjerë, është e qartë, kjo vihet re në përgjigje se “marrëveshja e negociimit e Serbisë me BE-në e vulosur në janar 2014 kërkon që deri në fund të negociatave të kemi një normalizim të zgjeruar të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, në formën e një marrëveshjeje me fuqi ligjore. Por nuk kërkohet njohja e Kosovës nga ana e Serbisë”, bën të qartë qeveria gjermane. Qeveria gjermane konfirmon se Serbia e refuzon momentalisht njohjen e Kosovës.

Deputetja Sevim DagdelenDeputetja e Partisë së Majtë, Sevim Dagdelen kërkon nga qeveria informacione mbi marrëdhënien e Serbisë me Kosovën, BE-në, NATO-n dhe Rusinë

Bashkëpunimi NATO Serbi

E Majta gjermane kërkon të dijë nëse qeveria gjermane ka dijeni (ndoshta edhe të shërbimeve sekrete) mbi vlerësimin e qeverisë serbe për gatishmërinë ruse që ta ndihmojë në mënyrë të vazhdueshme vendin ballkanik përtej çështjes së Kosovës. Përgjigja e qeverisë gjermane është se nuk ka njohuri të sigurta mbi qëndrimin e udhëheqjes serbe në këtë drejtim.

Për deputetë e Majtë gjermanë një çështje me mjaft interes është qëndrimi i Serbisë ndaj NATO-s, sidomos në kompleksitetin e neutralitetit serb dhe marrëveshjeve ushtarake me Rusinë. E Majta kërkon të dijë nëse është e vërtetë sipas njohurive të qeverisë gjermane se më shumë se dy të tretat e serbëve nuk e duan anëtarësimin në NATO dhe se për këtë në marrëveshjen e Serbi-NATO, e njohur si Plani Individual i Aksionit për Partneritet (IPAP), qëndron e përcaktuar edhe fillimi i një fushate propagandistike për NATO-n?

Qeveria gjermane në përgjigjen e saj pranon se në bazë të sondazheve të ndryshme, pjesa e serbëve që janë kundër një anëtarësimi në NATO lëviz në kuadrin e përmendur nga e Majta. Por ajo thekson se “çështja e anëtarësimit nuk luan rol në IPAP. Plani i Partneritetit vetëm se përcakton kuadrin e bashkëpunimit mes Serbisë e NATO-s. Këtu bën pjesë që në kuadër të marrëdhënieve me publikun, që të ketë informim mbi politikën serbe të sigurisë e mbrojtjes, përfshirë edhe bashkëpunimin me NATO-n. Kjo është e njohur në marrëveshjet e NATO-s me vendet partnere.” Po ashtu e Majta pyet, nëse është qëllim i qeverisë gjermane të fitojë Serbinë për NATO-n. Qeveria përgjigjet këtu, se Gjermania ndjek politikën e afrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor me BE dhe NATO-n, por thekson se intensiteti e formësimi i marrëdhënieve me NATO-n varet nga vullneti politik i Serbisë.

Bashkëpunimi Serbi – Rusi

Edhe qëndrimi i presidentit serb, Tomislav Nikolic mbi marrëdhënien Serbi-Rusi përbën interes për deputetët e Majtë. Ata kërkojnë të dinë, nëse qeveria gjermane e ndan qëndrimin e presidentit Nikolic, se një bashkëpunim i përmirësuar ushtarak serbo-rus, nuk bie ndesh me ambiciet europiane të Serbisë. Përgjigja e qeverisë gjermane lë të kuptohet se në ç’drejtim duhet të shkojë politika serbe e jashtme dhe e sigurisë. “Qeveria gjermane nuk e konfirmon se ka një bashkëpunim të përmirësuar ushtarak mes Rusisë-e Serbisë, po ashtu nuk e njeh deklaratën konkrete të presidentit Nikolic, së cilës i referohet Huffington Post. Parimisht një bashkëpunim me Rusinë, edhe në sferën ushtarake nuk bie ndesh me anëtarësimin në BE. Megjithatë Serbia si vend kandidat ka marrë përsipër detyrimin që të përshtasë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë deri në anëtaresim me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë në BE.”

Këmbëngulja e deputetëve të së Majtës gjermane për të marrë informata me shkrim nga qeveria gjermane mbi Serbinë dhe marrëdhënien me Rusinë vazhdon me pyetje të detajuara mbi pjesëmarrjen e Serbisë në manovrat ushtarake ruse dhe kohën kur ato janë zhvilluar. E Majta kërkon të dijë edhe se në cilat manovra ruse do të marrë pjesë Serbia në vitin 2016, e madje me çfarë forcash ushtarake. “Sipas dijenive të qeverisë gjermane, Serbia planifikon në vitin 2016 pjesëmarrjen në trajnimin “Slavyanskoye Bratstvo 2016″ në Serbi në shtator 2016, me trupa të krahasueshme me manovrën e vitit 2015.”

E Majta ka kërkuar të dijë edhe se sa dijeni ka qeveria gjermane mbi aktivitetet e qendrës humanitare ruse në Nish. Përgjigja e qeverisë gjermane mbi këtë është e përgjithshme. “Sipas njohurive të qeverisë gjermane, qendra humanitare në Nish drejtohet së bashku nga Serbia dhe Rusia. Qendra ka një drejtor serb dhe një bashkëdrejtor rus. Rreth 35 vetë përbëjnë trupën civile të rregullt. Gjysma e tyre janë shtetas rusë- Qendra është ndërrajonale dhe përgjegjëse për koordinimin e misioneve të ndihmës në raste katastrofash.” (dw)

Heqja e vizave me Turqinë: Biznesi ka çmimin e vet

BE e lidhi marrëveshjen e refugjatëve me Turqinë për të hequr qafe vërshimin e migrantëve. Ai që i hyn valles, duhet ta kërcejë deri në fund e t’ia bëjë Ankarasë lëshimet për të cilat u ra dakord, mendon Barbara Wesel.

eu turqiaNatyrisht që kemi të bëjmë me shantazh: pa i rënë anës qeveria e Ankarasë kërcënoi që nëse BE nuk i liron nga vizat qytetarët e Turqisë, ajo nuk do të pranojë më refugjatë nga Greqia. Por që të funksionojë një situatë e tillë duhen dy vetë: ai që bën shantazh dhe ai që e pranon shantazhin. Diçka duhet të marrë qeveria turke dhe Erdogani për lëshimet që i ka bërë Evropës – edhe nëse shumë evropianë e kanë tani të vështirë ta paguajnë çmimin.

A po zbulohet tani ana antidemokratike e Erdoganit?

Evropianët tani nuk duhet të bëjnë sikur e kanë zbuluar tani papritur, në rastin e liberalizimit të vizave, që Turqia nën Erdoganin largohet gjithnjë e më shumë nga rruga e demokracisë. Po t’i kishin lexuar raportet e tyre të përvitshme të progresit për Turqinë, evropianët duhet t’i kishin të qarta prej kohësh me detaje problemet. Por autokrati i Bosforit ishte i pranueshëm për aq kohë sa të lidhej me të marrëveshja për refugjatët. Kaq i madh qe presioni politik i brendshëm në disa vende të BE – midis tyre edhe në Gjermani – sa qeveritarët ishin të gatshëm të mos i vështronin njollat në jelekun e tij demokratik.

Po ta vështrojmë këtë çështje nga ana tjetër: Turqia ka pranuar deri tani mbi dy milionë refugjatë, edhe nëse shumë prej tyre jetojnë në kushte të mjerueshme. Pse duhet të jetë e gatshme ajo të pranojë edhe më shumë sirianë, po të mos marrë gjë për këtë? Tri miliardë eurot, që kanë premtuar evropianët, në fund të fundit nuk do të shkojnë në arkën e shtetit, por në projekte për furnizim më të mirë të refugjatëve në vend. Çfarë interesi tjetër do të kishte qeveria turke, po të mos i interesonte triumfi politik, që të marrë më në fund nga BE qarkullimin pa viza të dëshiruar prej dekadash?

Turqia nuk u vuri pistoletën në gjoks evropianëve që ata të lidhin me të marrëveshjen për ripranimin e refugjatëve. Përkundrazi: ishte përpjekja e dëshpëruar e Angela Merkelit, për të penguar shpërthimin e brendshëm të Evropës për shkak të krizës së refugjatëve. Ajo mbijetoi dalje delikate në publik me Presidentin Erdogan, lejoi ta trajtojnë me shpërfillje dhe natyrisht duke e ditur që biznesi me të do të kishte çmimin e vet. Prandaj shokët e partisë së saj tani nuk duhet të sillen si virgjëresha politike dhe të kërkojnë që “Turqisë të mos i jepet rabat”. Natyrisht që po. Çfarë tjetër?

Kritikat – të nevojshme

Në mënyrë që të mos krijohen keqkuptime: Evropa duhet t’i kritikojë sot e gjithë ditën shkeljet e të drejtave të njeriut, përndjekjen e kurdëve, proceset kundër gazetarëve. Dhe ajo duhet të ushtrojë çdo presion politik dhe ekonomik për të frenuar tendencat diktatoriale të Erdoganit. Megjithatë, në kushtet që janë, ajo ndoshta nuk duhet ta kishte lidhur marrëveshjen me Turqinë. Është një marrëveshje e pisët. Është një dëshmi varfërie për Evropën, që ajo nuk është në gjendje të pranojë të paktën të njëjtin numër refugjatësh sa ka pranuar Turqia. Por që të bësh më vonë sikur e ke zbuluar në mënyrë të papritur karakterin e lëkundur demokratik të Ankarasë, kjo është thjesht hipokrite. Ai që porosit, paguan edhe faturën – kjo vlen edhe në politikë. (dw)

Turqia, së shpejti me kryeministër të ri

DavutogluTurqia po ballafaqohet me amulli politike, me largimin e pritshëm të Ahmet Davutoglu nga roli i kreut të partisë në pushtet dhe si rrjedhojë edhe nga posti i kryeministrit. Tërheqja e tij vjen si rezultat i përplasjeve me Presidentin Recep Taip Erdogan dhe pritet ta çojë vendin në zgjedhje të parakohëshme:

Partia në pushtet AK do të zhvillojë një kongres të jashtëzakonshëm më 22 maj dhe sipas medias lokale, kryetari aktual Ahmet Dovutoglu nuk do të kërkojë të rizgjidhet, duke u tërhequr edhe nga posti i kryeministrit.

Vendimi është rezultat i fërkimeve që ka pasur prej kohësh zoti Davutoglu me Presidentin Recep Taip Erdogan, kryesisht lidhur me disa politika të presidentit, në veçanti rezistencën e tij ndaj ndryshimeve kushtetuese që synonte Erdogani për të forcuar dhe zgjeruar kompetencat e presidentit. Mospajtimet u thelluan edhe më shumë javën e kaluar, kur Partia AK i hoqi kryeministrit autoritetin për të emëruar drejtues lokalë.

Presidenti dhe kryeministri u takuan mbrëmë në përpjekje për të sheshuar mospajtimet, por pa rezultat.

Largimi i Ahmet Davutoglus vjen në një kohë kur vendi përballet me një numër sfidash që nga dobësimi i ekonomisë, kërcënimi terrorist në kufijtë me Sirinë dhe Irakun, fluksi i refugjatëve, si dhe përpjekjet për antarësim në Bashkimin Evropian.

Lajmi për largimin e zotit Davutoglu ka shqetësuar investitorët. Si rezultat vlera e lirës ra sot, ndërkohë që ra 1.5% edhe indeksi kryesor i aksioneve në bursën e Stambollit.

Për shumë turq, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar nga ky zhvillim:

“Është një lajm që na çuditi, por edhe e prisnim. Ishte e qartë se mes dy udhëheqësve kishte përplasje. Zoti Erdogan do një presidencë ekzekutive dhe po përpiqet të heqë çdo pengesë që ka përpara,” thotë një banor.

Për disa turq, kjo është thjesht një krizë politike në partinë AK dhe nuk përbën ndonjë shqetësim për situatën e përgjithshme politike në vend:

“Ka shumë rëndësi se si do të pritet nga tregu kryeministri i ri. Duhet të jemi të duruar dhe të shohim a kemi të bëjmë me krizë politike apo qeveritare? Për momentin nuk ka krizë. Po ndryshon kryeministri dhe kreu i Partisë AK. Kryeministri i ardhshëm mund ta udhëheqë vendin në një drejtim më pozitiv,”thotë Mehmet Akif Turker, pronar i një firme për Kambio.

Njerëz të afërm me presidentin thonë se situata mund të kapërcehet pa nevojën e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare. Megjithatë, largimi i Ahmet Davutoglus nga posti i kryeministrit pritet të acarojë marrëdhëniet e Turqisë me Bashkimin Evropian, në një kohë kur Ankaraja sapo ka finalizuar një marrëveshje për menaxhimin e fluksit të refugjatëve, përshpejtimin e bisedimeve për antarësim në BE dhe regjimin për liberalizimin e vizave. (voa)

Dy ish presidentë republikanë nuk e mbështesin z. Trump

BushKandidati republikan për president Donald Trump tha se dëshiron të bashkojë partinë republikane, por ai nuk do të ketë mbështetjen e të paktën dy ish presidentëve republikanë. George W. Bush, i cili shërbeu për dy mandate para presidentit Obama, tha se ai nuk ka në plan të marrë pjesë, ose të komentojë për garën e këtij viti. Ndërsa një zëdhënës për të atin e tij, George H. W. Bush u shpreh ish presidenti është larguar tashmë nga politka.

Bushi i vjetër, i cili humbi në zgjedhje ndaj Bill Clintonit në vitin 1992, në 1996 mbështeti kandidatin Bob Dole, në 2000 pa dyshim mbështeti djalin e tij, George W. Bush dhe në 2008 të dy Bushët mbështetën John McCainin, i cili humbi ndaj Barac Obamës. Në 2012 ata mbështetën Mitt Romney-n. (voa)