Liria e mediave e kërcënuar në të gjithë botën

Në Ditën e Lirisë së Shtypit mbahen me dëshirë fjalime të mëdha. Por është fakt që liria e shtypit dhe me të edhe e drejta për informacion e qytetarëve ndodhet në presion në të gjithë botën.

press freedom“Janë kohë të errëta për lirinë e shtypit dhe të mendimit dhe për të drejtat e njeriut në përgjithësi”, thotë avokati egjiptian dhe veprimtari i të drejtave të njeriut, Gamal Eid. Kundër tij dhe aktivistit të të drejtave të njeriut, Hossam Bahgar pritet të kryhet procesi gjyqësor për shkak të “njollosjes së emrit të vendit tënd” – dënimi në fund të procesit është i paqartë.

“Sot është e rrezikshme që të punosh si gazetar ose të thuash mendimin tënd në një roman, në internet ose në një gazetë”, i tha Eid Deutsche Welle-s duke folur jo vetëm për vendin e tij Egjipt,in por për të gjithë Afrikën Veriore dhe Lindjen e Afërme.

Ky vlerësim është i vlefshëm për të gjithë botën, thotë raporti vjetor i Organizatës Reporterë pa Kufij. Në vitin 2015, ishin 110 gazetarë, 27 qytetarë gazetarë dhe shtatë bashkëpunëtorë të medieve që e paguan punën me jetën e tyre. Raportin Reporterë pa Kufij e publikon në bazë të një pyetësori të gjerë dhe të vëzhgimeve në 180 vende.

Me titullin “Liria e medieve në tërheqje në të gjithë botën”, organizata përmbledh zhvillimin negativ të vitit 2015. “Nuk ka një emërues të përbashkët, por janë disa, ku mund ta reduktosh punën”, thotë atasheu i shtypit i Reporterëve pa Kufij, Christoph Dreyer.

Dekorim i DW-së për kryeredaktorin e “Hürriyet”

Në Turqi gazetarët nxirren në mënyrë masive para gjyqit, ndërsa faqet e internetit bllokohen. Mbajtësi i Freedom of Speech Award të Deutsche Welle-s për këtë vit është kryeredaktori i “Hürriyet”-it, Sedat Ergin, i cili si shumë gazetarë ndodhet para gjyqit, për gjoja fyerjen e Presidentit të shtetit Erdogan. Ai e merr çmimin “në emër të qindra gazetarëve në Turqi, të cilëve u duhet të punojnë në kushte të ngjashme”, thuhet në argumentimin e Drejtorit të Përgjithshëm të DW, Peter Limbourg.

Luftim i terrorit në kurriz të lirisë së medieve

Edhe Dunja Mijatovic e sheh me shqetësim zhvillimin e përbotshëm. Që prej vitit 2010 ajo është e Ngarkuara për Lirinë e Medies e OSBE-së – Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – dhe i ndjek zhvillimet në 57 shtete partnere të organizatës me shqetësim.

“Shtetet e OSBE-së nuk dallohen shumë nga pjesa tjetër e botës, kur bëhet fjalë për lirinë mediatike dhe për gazetarinë”, thotë ekspertja për mediet dhe të drejtën e medieve në intervistë me DW.

Ajo përmend veçanërisht masat antiterror, të cilat e kanë kufizuar në shumë vende lirinë e shtypit dhe të medieve. “Nuk është fjala që të kufizohet e drejta legjitime e një qeverie për të luftuar terrorin ose kërcënime të tjera”, thekson ajo. “Vetëm se kjo nuk duhet të ndodhë në kurriz të të drejtave të njeriut dhe të lirisë së mendimit. Liria mediatike është një pjesë thelbësore e demokracisë”.

Në lirinë e medieve bën pjesë edhe interneti. Sepse shtypja e medieve ka kohë që kryhet edhe në formë digjitale.

“Fusha e re e betejës për mediet e lira është hapësira kibernetike”, thekson Mijatovic në intervistë me DW. “Globalizimi i medieve dhe aksesi në informacion dhe jo së fundi edhe gazetarët e rinj blogera, i bëjnë shumë nervoze qeveritë. Dhe ato përpiqen ta shtypin këtë digjitalizim”.

Reporterët pa Kufij kritikojnë në SHBA mbikqyrjen gjithnjë e më të madhe të shtypit nga shërbimet informative dhe kritikojnë përndjekjen e atyre që nxjerrin sekretet, whistleblower, nën Presidencën e Barack Obamas.

Programe censure në vende si Kina ose edhe në Iran e bllokojnë qasjen e qytetarëve te faqe të padëshiruara interneti. Edhe Turqia e praktikon me dëshirë bllokimin e faqeve kritike të internetit. (dw)

Protestë për lirinë e fjalës në Maqedoni

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë në ditën e lirisë së shtypit proteston për të kërkuar të drejtën për informim të pavarur, mospengimin e gazetarëve në punën e tyre dhe përmirësimin e kushteve në median publike.

protestaNë deklaratën me këtë rast shoqata shkruan:

Në një kohë që mbarë bota demokratike shënon ditën e lirisë e shtypit, ne erdhëm para burgut të Shuto Orizarës sepse simbolika e tij më së miri flet për mungesën e lirisë së mediave në Maqedoni.

Pas këtyre mureve është burgosur gazetari Zoran Bozhinovski, për shkak të akuzave të pabaza. Faji i vetëm i tij është guximi për të shkruar për fytyrën e shëmtuar të pushtetit, për gënjeshtrat, krimin dhe jomoralitetin e tij.

Ata që Maqedoninë e shndërruan në laborator të përgjimit masiv nuk mund të akuzojnë të tjerët për spiunim. Të amenstuarit për krime të rënda nuk mund ta drejtojnë gishtin kundër të tjerëve për ndërmarrje kriminale. Me çfarë fytyre ky pushtet mund të akuzojë një gazetar për shantazh, kur i vetmi mjet i qeverisjes është shantazhi dhe presionet.

Fuqishëm solidarizohemi me kolegun Bozhinovski dhe duam ta sigurojmë se do të qëndrojmë përkrah tij për aq kohë sa ai nuk lirohet nga burgu.

Gazetarët burgosen, rrihen, përgjohen, etiketohen dhe diskreditohen me të vetmin qëllim që të sprapsen të mos flasin për keqpërdorimin e pushtetit. Mediat për shkak të lidhjeve korruptive me pushtetin janë shndërruar në makineri propagande për të mashtruar qytetarët.

Pushteti refuzon refoma në media, të cilat ndieshëm do të përmirësonin gjendjen me lirinë e shprehjes. Patjetër duhet të ndërpritet dhuna kundër gazetarëve, ndërsa autorët ashpër të ndëshkohen. Radiotelevizoni i Maqedonisë patjetër të jetë në shërbim të qytetarëve dhe rregullatori i mediave duhet të jetë i pavaruar nga ndikimet politike.

Kushtetuta e Maqedonisë garanton lirinë e mediave, ndërsa pushteti nuk lejon që kjo e drejtë të jetësohet. Qartë duam ta porosisim pushtetin se me asnjë kusht, nuk do të heqim dorë nga beteja për lirinë e fjalës. (dw)

Kosova anëtarja e 55-të në UEFA

Me 28 vota pro, 24 kundër dhe dy abstenime në kongresin e 55-të të UEFA-s në Budapest Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota.

uefaRepublika e Kosovës pranohet si anëtarja e 55-të e Unionit Europian të Futbollit, UEFA. Kongresi i UEFA-s në Budapest të martën (03.05) pranoi kërkesën e parashtruar nga Federata kosovare e Futbollit. Për vendimin delikat politik votuan 28 anëtarë të UEFA-s për pranimin e Kosovës dhe 24 kundër. Pati dy vota të pavlefshme. “Ju bëj thirrje juve, që t’u jepni mundësi të rinjve tanë të luajnë në vendin tonë”, tha Fadil Vokrri, president i shoqatës FFK, duke iu drejtuar para votimit 54 shoqatave të UEFA-s dhe duke iu referuar antarësimit të Kosovës edhe në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik: “Mungon tani vetëm futbolli.”

Republika e Ballkanit shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Rajoni në vitet 1998 – 1999 u trondit rëndë nga luftimet në Kosovë. Ndërkohë pavarësinë e shtetit të Kosovës me 1,8 milionë banorë e kanë njohur 111 shtete. Gjermania ishte ndër përkrahësit e saj. “Ky do të jetë një vendim me diferencë të ngushtë e gjithashtu mjaft politik”, u shpreh para votimit ish-presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit Wolfgang Niersbach.

Kundër antarësimit u pozicionua, ashtu siç edhe pirtej, Serbia. “Politika dhe futbolli nuk duhet të ngatërrohen në mënyrën më të shëmtuar. Ne do të kujdesemi për një protestë në rajon”, tha para votimit Tomislav Karaxhiç, shef i Federatës serbe të Futbollit: “Kufijtë e një vendi nuk duhet të ndryshojnë. Një republikë e vetëshpallur nuk duhet të marrë lejen të bëhet anëtare e UEFA-s.”

Reagimet nga Kosova emocionale

Të gjithë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, klubet e futbollit dhe shumë sportdashës e kanë quajtur lajm historik pranimin e Kosovës në UEFA. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Fadil Vokrri, i cili ishte i pranishëm në kongresin e UEFA-as, anëtarësimin e Kosovës në UEFA e cilësoi një arritje historike dhe një drejtësi të vonuar. “Një drejtësi e vonuar, por, duke marrë parasysh bllokadat ligjore që i janë paraqitur Kosovës ne arritëm të pranohemi, kjo është një arritur e jashtëzakonshme. Momentet brenda kuvendit të UEFA-as, ishin të vështira për shkak të kahjes që i dhanë kuvendit disa shtete. Megjithatë ne arritën të anëtarësohemi në UEFA dhe tash është radha të anëtarësohemi në kongresin e FIFA-as në Meksikë që zhvillohet javën e ardhshme. Edhe në këtë kuvend, pranimi i Kosovës ose jo është në rend dite. Pra kjo është një fitore e të gjithëve”, tha Fadil Vokrri

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në profilin e tij në facebook shkroi: “Kosova në UEFA! Lajmi më i mirë i mundshëm për tifozët e panumërt në Republikën tonë. Tash e tutje do të luajmë në kampionate ndërkombëtare – disa lojë do t’i fitojmë, disa do t’i humbim, por kurrë më s’do të na ndalin nga fusha e gjelbër”.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i cili ndodhet në Hungari në vendin ku u mbajt kongresi i UEFA-as, tha se “pranimi i Kosovës në UEFA është një sukses kulminant historik. “Futbolli kosovar nga sot është anëtar i familjes evropiane të futbollit, UEFA-s. Shumë shpejt edhe i FIFA-s. Kosova po përjeton një periudhë të sukseseve të jashtëzakonshme. Rezultatet kulminante, produkt i përkushtimit tonë dhe përkrahjes së miqve ndërkombëtar, do të vazhdojnë në ditët në vijim” tha kryeministri Isa Mustafa.

Në të njëjtën linjë u shpreh në rrjetin social edhe kryetari i kuvendi të Kosovës, Kadri Veseli.“Dita e shumëpritur e daljes së futbollit tonë nga izolimi i padrejtë dhe i tejzgjatur, më në fund erdhi. Urime të gjithëve për këtë fitore të madhe për Kosovën! Tanimë jemi anëtarë me të drejta të plota në UEFA dhe futbollistët tanë mund të shpalosin talentin e tyre nëpër stadiumet më prestigjioze ndërkombëtare”, shkroi kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Anëtarësimi i Kosovës në UEFA i’u mundëson ekipeve kosovare që të marrin pjesë në garat evropiane të futbollit. Po ashtu, ky hap i hap rrugë Kosovës që të anëtarësohet edhe në Federatën Botërore të Futbollit – FIFA. Kjo organizatë do ta mbajë kongresin e saj ta radhës në Meksiko Siti më 12 dhe 13 maj. Dy vjet më parë Federata Botërore e Futbollit (FIFA), i ka lejuar Kosovës që të zhvillojë në ndeshje miqësore kundër shteteve anëtare të FIFA-s, mirëpo nuk i ka lejuar të zhvillojë ndeshje në rajon dhe të të intonojë himin e Republikës së Kosovës. (dw)

Viktima e parë në SHBA nga virusi Zika

virusi zikaGjatë fundjavës u njoftua vdekja e parë në SHBA nga virusi Zika ndërkohë që ligjvënësit janë larguar për një pushim një javor. Asnjë nga dhomat e Kongresit nuk ka miratuar ende fonde për të luftuar virusin Zika, pavarësisht paralajmërimeve në rritje nga zyrtarët e shëndetësisë.

 

Vdekja e një të moshuari në Puerto Rico shënoi fillimin ogurzi të virusit Zika në SHBA. Infeksioni i virusit Zika zakonisht nuk është vdekjeprurës, por mund të transmetohet nga një grua shtatëzënë tek foshnja duke shkaktuar mikroqefali dhe probleme të tjera të rënda në tru.

“Kjo është një emergjencë e shëndetit publik. Na kanë paralajmëruar ekspertët e shëndetësisë.”

Shtëpia e Bardhë ka kërkuar rreth 2 miliardë fonde emergjence për të luftuar mushkonjat që mbartin virusin Zika dhe për të zhvilluar një vaksinë. Kongresi i udhëhequr nga republikanët ende nuk ka vepruar.

Senatori republikan John Cornyn:

“Duhet që administrata të paraqesë të paktën një plan se si do të shpenzohen paratë. Nuk ka plan. Është vetëm një çek i bardhë.”

Demokratët përmendin se Kongresi pati miratuar me shpejtësi fonde më të mëdha për të luftuar Ebolën dhe virusin H1-N1.

Senatori demokrat Harry Ried:

“Nëse nuk u japin ekspertëve mjetet që u duhen për të luftuar Zikan, atëherë çfarë propozojnë? Mund t’u kërkojmë mushkonjave mbartëse që të mos shumohen këtë vit.”

Nancy Pelosi, ligjvënëse:

“Ka një kërcënim për shëndetin publik. Ka një krizë. Ne kemi përgjegjësinë të mbrojmë popullsinë. Kongresi duhet të bëjë punën e tij.”

Pa fonde të reja në horizont, administrata Obama po transferon paratë e pashpenzuara për Ebolën, për të luftuar virusin Zika. Republikanët thonë se kjo manovër fiton kohë për të kuptuar më mirë se si do të shpezohen fondet në të ardhmen.

Paul Ryan, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve:

“Do ta ndjekim këtë çështje. Duhet gjetur një vaksinë. Rreth 600 milionë dollarë janë lëvizur dhe duhen përgjigjur pyetjet se ku po shkojnë këto para.”

Shtëpia e Bardhë këmbëngul se fondet e Ebolës nuk janë të mjaftueshme ndërkohë që koha po kalon.

Josh Earnest, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë:

“Nuk mundemi të gjejmë fondet të tjera për luftën kundër virusit Zika pas disa muajsh. Që të zhvillohet me efikasitet një vaksinë që do të mbrojë mbi 300 milionë amerikanë, duhet një përpjekje komplekse. Diçka për të cilën duhet të angazhohet edhe sektori privat.”

Zyrtarët amerikanë besojnë se mushkonjat mbartëse të virusit Zika mund të përhapen në të paktën 30 shtete amerikane. (voa)

Përdorimi i kamerave inteligjente

kameraShumë shtëpi sot janë të pajisura me kamera sigurie dhe sensorë për të njoftuar pronarët nëse dikush është duke lëvizur në pronën e tyre, një anëtar i familjes, postieri, apo ndonjë hajdut. Një kompani franceze ka krijuar një kamera inteligjente për shtëpitë që dallon fytyrat e personave dhe alarmon pronarët, nëse një i panjohur hynë në shtëpinë e tyre. Korrespondentja Zlatica Hoke njofton se kamera inteligjente e kompanisë Netatmo ka ndihmuar të paktën një pronar që të kapë një hajdut.

Kamera inteligjente mund të ndihmojë prindërit në punë që ata ta dinë në se fëmijët e tyre janë kthyer në shtëpi nga shkolla, apo nëse postieri ka sjellur postën në derën e shtëpisë. Ajo gjithashtu mund t’i njoftojë ata nëse një person i panjohur ka hyrë në pronën e tyre.

“Kamerat e tanishme të sigurisë nuk janë aq inteligjente. Ato mund të tregojnë nëse diçka është duke lëvizur, por nuk e dinë nëse objekti është njeri ose fëmija juaj. Pra, këto kamera nuk mund ta bëjnë dallimin.  Ato ju njoftojnë gjatë gjithë kohës edhe mbi ndryshimin e kushteve të ndriçimit që mund të jetë një gjë shumë e bezdisshme. Por, në qoftë se ju jeni shumë i zënë me punën tuaj profesionale, ju doni të dini se çfarë po ndodh në shtëpinë tuaj,” thotë Janina Mattausch, e kompanisë Netatmo.

Kur anëtarët e familjes hyjnë në shtëpi, kamera inteligjente i dallon ata dhe dërgon informacionin në telefonin inteligjent të pronarit. Pronari mund të kontrollojë informacionin në një kohë të përshtatshme. Por, në qoftë se një njeri i panjohur hyn në shtëpi, kamera dërgon një mesazh alarmi në telefonin e pronarit.

Kjo kohët e fundit i ndodhi Damien-it nga Paris.

“Të premten isha në punë, duke marrë pjesë në një takim të rëndësishëm mujor, kur telefoni im filloi të dridhej.  Në fillim mendova se ndoshta alarmi ishte i gabuar. Por, njoftimi që më erdhi në telefon thoshte se në banesën time kishte lëvizje të një personi që kamera nuk e njihte,” thotë Damien.

Pastaj, biznesmeni francez hapi videon dhe u trondit nga ajo që pa.

“Pashë një person i cili po ecte mbathur me këpucë, një veprim terësisht i ndaluar në apartamentin tim. Shikova videon drejtpërdrejt dhe u trondita. I kërkova një kolegu të më çonte në shëpi dhe gjatë rrugës i telefonova policisë. “

Damien i tregoi videon policisë dhe brenda ditës ajo e gjeti hajdutin, i cili më vonë u dënua me nëntë muaj burg.

Kamera inteligjente franceze është pjesë e një prirje në rritje të së ashtuquajturës teknologji e lidhur, e cila përmes internetit mundëson komunikimin ndërmjet pajisjeve të ndryshme. (voa)

Integrimi i sistemeve elektrike

rrjeti elektrikMë shumë se një shekull pasi bota filloi të përdorte rrymën alternative, si sistemin kryesor të shpërndarjes së energjisë elektrike, rryma e vazhduar po kthehet në përdorim. Në sajë të teknologjisë moderne, të dy sistemet tani mund të integrohen pa probleme, duke u sjellur kursime të konsiderueshme kompanive të energjisë elektrike, si dhe konsumatorëve të tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës George Putic sjell hollësitë.

Qendra e shpërndarjes Pitt Ohio Express në Pitsburg të Pensilvanisë është një objekt modern transporti që çdo ditë merret me qindra rimorkio të mëdhenj kamionësh.

Por, kjo ndërtesë është edhe një laborator eksperimental, ku inxhinierët e Universitetit të Pensilvanisë po testojnë se si mund të kombinohet sistemi i rrymës alternative me atë të rrymës së vazhduar, diçka që në të kaluarën ishte pothuajse e pamundur.

Për një kohë të gjatë, sistemi i rrymës së vazhduar, i shpikur nga Thomas Edison, kishte një disavantazh të madh.

“Kur ai fillonte të shpërndante rrymën e vazhduar në distanca të gjata mbi 1.6 kilometra, fuqia shtohej aq shumë saqë e bënte atë të pasigurtë. Për shpërndarjen e saj duheshin kabllo aq të mëdha sa që kjo metodë e furnizimit me energji elektrike nuk mund të ishte e përballueshme,” thotë profesori Gregory Reed.

Rryma alternative ishte më efikase, dhe u bë forma standarde e tranportimit të energjisë elektrike në distanca të gjata. Por rryma e vazhduar ende luan një rol të madh. Ajo përdoret pothuaj në të gjitha pajisjet e përditshme elektrike.

“Shumica e pajisjeve tona elektrike në shtëpi, serverat e dhënave, sistemet e biznesit, sistemet e ndriçimit funksionojnë vetëm me tension të ulët të rrymës së vazhduar,” thotë profesori Gregory Reed.

Rryma e vazhduar gjithnjë e më shumë po përdoret edhe tek makinat elektrike. Tani, për përdorimin e rrymës së vazhduar në këto pajisje nevojiten transformatorë të energjisë, një proces i cili çon në humbje të energjisë.

Në qendrën e shpërndarjes Pitt Ohio Express, rryma e alternuar vjen nga një turbinë e vogël që funksionon me erë, e cila pa probleme integrohet me rrymën e vazhduar të prodhuar nga panelet diellore.

“Ne sjellim rreth 50 kilovatë energji diellore nga çatia në këtë prizë këtu, dhe më pas rreth 5 kilovat të energjisë së prodhuar nga era përmes sistemit të konvertimit e sjellim këtu në këto bateri,” thotë studiuesi Ansel Barchowsky.

Disavantazhet e transportimit në distanca të largëta të energjisë së vazhduar që e kanë bërë atë të papërdorshme në kohën e Edisonit, tani mund të tejkalohen me gjysmëpërçues elektronikë modernë, duke i sjellë kursime të konsiderueshme kompanive të energjisë.

“Ka plane për vendosjen e 40 sistemeve të tensionit të lartë me rrymë të vazhduar në mbarë Kinën,”  thotë profesori Reed.

Shumë çështje ende duhen zgjidhur, duke përfshirë standardizimin e tensionit, pajisjet dhe masat e sigurisë. Por, ndërkohë që rryma e vazhduar bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në jetën tonë të përditshme, studiuesit thonë se integrimi i saj me rrymën e alternuar është i pashmangshëm. (voa)

Rënia e kompanisë Apple

AppleFirmës më fitimprurëse në botë i ra vlera pas raportimit të shitjeve më të ulëta të celularit iPhone pas gati 13 vjetësh. Drejtori i kompanisë Apple, Tim Cook, fajëson gjendjen jo të mirë të ekonomisë kineze, por analistët radhisin një sërë faktorësh të tjerë, si mbingopjen e tregut të celularëve dhe mungesën e produkteve të reja. Për një kompani me vlerë mbi gjysëm trilionë dollarë, ky nuk është fundi i botës, por përfaqëson sidoqoftë një tendencë shqetësuese për investuesit dhe mundësinë se tashmë ditët e mira të Apple kanë kaluar.

Rreth dy miliardë njerëz në botë posedojnë celularë dhe gati një në pesë prej tyre është iPhone. E tillë është shtrirja e kompanisë Apple, me qendër në Kaliforni, e cila festoi rishtazi 40-vjetorin e saj.

“Mendoj se ka qenë shembulli fantastik i një kompanie të shekullit të 21-të. Jo vetëm për nga përmasa, por edhe për fokusimin tek novacioni.”

Por, ndoshta mund të kenë kaluar ditët kur njerëzit zinin radhë të gjata për iPhone-in më të fundit. Këtë javë, Apple raportoi për herë të parë rënie të të ardhurave, pas 51 tremujorë rresht me rritje. Disa thonë se ka rënë viktimë e suksesit të saj.

“Apple sigurisht që konkuron në segmentin e lartë të tregut, me pozicion shumë të fortë në SHBA, Japoni dhe Evropë Perëndimore. Këto janë ekonomitë ku po shikojmë mbingopje të tregut të clelularëve.”

Ngopja e tregut, çmimet e larta dhe ngadalësimi i Kinës, që është tregu më në rritje për Apple, mund të jenë shkaktarët.

“Apple duhet të kërkojë për tregje të reja. India është qartazi një treg me popullsi të madhe, me një klasë të mesme në rritje dhe që ofron mundësi. Por, nuk po përjeton rritjen që përjetoi Kina.”

Nëse Apple nuk ja del mbanë të konvertojë përdoruesit e Android, të cilët tashmë përbëjnë shumicën e tregut, ose të zgjerojë biznesin e saj online të programacionit dhe ruajtjes së të dhënave, atëherë ndoshta Apple duhet të dalë me diçka tjetër, përtej iPhone-it.

“Mund të shikonim një ndryshim nëse do të krijonin një produkt ose një çmim të pazakontë, në veçanti nëse është e diçka krejt ndryshe nga prodhuesit e tjerë në treg. Por, pa këtë novacion në opsione ose në çmime, atëherë tregu është shumë më i pasigurtë.”

Nuk është fundi i botës për Apple, të ardhurat e të cilës ishin mbi 50 miliardë për tremujorin e parë. Por, kjo mund të jetë pika e fillimit të rënies për këtë kompani, ndër më të mëdhatë e botës. Pikëpyetja kryesore për investuesit është nëse Apple do të vazhdojë të jetë lokomotiva e teknologjisë.(voa)