Paris-Kajro: mbi fatin e avionit të pasagjerëve të EgyptAir

Një avion Airbus i shoqërisë EgyptAir me sa duket është rrëzuar gjatë fluturimit nga Prisi për në Kajro. Shkaqet janë të paqarta. 66 vetë ndodheshin në bordin e avionit. Kronologji e informacioneve mbi fatkeqësinë:

EgyptAirMe shumë gjasë avioni Airbus i shoqërisë ajrore EhyptAir ka rënë në det, tha në orët e para të mëngjesit në televizionin Sky News Arabia Ihab Raslan, zëdhënësi i autoritetit egjiptian të fluturimeve ajrore. Një kapiten i një anijeje tregtare i pohoi Ministrisë greke të Mbrojtjes, se ai ka parë flakë në qiell në distancë rreth 130 milje detare në jug të ishullit Karpathos.

Eshtë e paqartë, nëse avioni ka dhënë sinjal emergjence. Drejtuesi i avionit, sipas informacioneve të shoqërisë ajrore ka qenë me shumë përvojë. Ai duhet të kenë kryer në karrierën e tij rreth 6275 orë fluturim, prej të cilave më shumë se 2100 me një avion të tipit Airbus A 320 (fotografia ilustruese e artikullit nga arkivi tregon një avion të këtij tipi).

Qëkurse u dha ky lajm vazhdojnë spekulimet për një sulm të mundshëm terrorist si shkak i fatkeqësisë. Eksperti i njohur londinez për terrorin Peter Neumann përmes Twitter-it e shprehu këtë duke iu referuar deklaratave përkatëse të Jean-Paul Troadec, ish-shefi i agjencisë franceze për sigurinë e fluturimeve ajrore.

Një përfaëques i aeroportit grek i tha agjencisë së lajmeve AFP, se avioni me numrin e fluturimit MS804 është rrëzuar para ishullit Karpathos.

Presidenti i Egjiptit Abdel Fattah al-Sisi mblodhi këshillin kombëtar të sigurisë. Kryeministri Sherif Ismail i pyetur për mundësinë e një sulmi terrorist tha, se ndërkohë nuk mund të përjashtohet asgjë.

Ushtria egjiptiane hodhi poshtë të dhënat, sipas të cilave ka pasur një sinjal emergjence. Ndërsa pak më parë EgyptAir kishte njoftuar, se avioni – përkundër njoftimeve në media – kishte dhënë sinjal emergjence. Shoqëria ajrore dhe autoritetet e konsiderojnë të mundshme, që airbus të jetë rrëzuar.

Në Paris është krijuar një shtab krize, që koordinohet personalisht nga presidenti Francois Hollande, vë në dukje agjencia e lajmeve AFP. Autoritetet franceze e konsiderojnë të mundshëm një akt terrorist. AFP citon kryeministrin Manuel Valls me fjalët: “Asnjë teori nuk mund të përjashtohet.”

Autoritetet franceze kanë filluar qysh në orën 08:00 të mëngjesit të kontaktojnë pjestarët e familjeve të pasagjerëve. Gjithashtu është vënë në dispozicion edhe një numër i posaçëm telefoni emergjence, tha një zëdhënës i aeroportit Charles de Gaulle në Paris.

Në orën 03:05 avioni do të duhej të ishte ulur në Kajro. Nëse avioni është rrëzuar në det, në temperaturat aktuale të ujit, sipas meteorologëve, njerëzit mund të kenë shans për mbijetesë rreth 40 orë. (dw)

Maqedoni: kriza politike drejt zgjidhjes apo thellimit?

Pasi Gjykata Kushtetuese dhe parlamenti vendosën mosrealizimin e zgjedhjeve parlamentare më 5 qershor nuk ka shenja për një zgjidhje të shpejët të krizës në politikën e brendshme në Maqedoni.

parlamenti mkKoordinatori i grupit parlamenar të BDI-së Talat Xhaferi dhe i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, kanë inicuar një nismë duke propozuar ndryshime dhe plotësimin e ligjit për falje nga Presidenti Gjorgje Ivanov. Në këtë propozim parashikohet që presidenti të mund ta tërheqë vet vendimin për amnesti pa qenë nevoja të japë ndonjë arsyetim për opinionin, edhe në rast se ky anulim kërkohet nga vet personat e falur. BDI-ja mundëson dy skenare që të tërhiqet vendimi i fundit mjaft i diskutueshëm për falje nga Presidenti Ivanov. BDI-ja sugjeron, që Presidenti i shtetit ta shfuqizojë vendimin për falje për të gjithë 56 personat ose që ky vendim të tërhiqet ndaras, në varësi nga personat që janë falur.

Lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev deklaroi, se VMRO-DPMNE dhe BDI me propozimin e amandamentit mundësojnë që kriminelët e VMRO-DPMNE-së të shpëtojnë. Për shkak të propozimit për ndryshimin e ligjit për falje, Zaev theksoi se LSDM nuk do të marrë pjesë në punën e parlamentit, sepse ndryshimet mundësojnë që shumë kriminelë të VMRO-DPMNE-së të shpëtojnë. ”Ata duan të shpëtojnë kriminelët me këto vendime. Falja e Ivanov duhet të hiqet tërësisht. Duhet të jetë e qartë, se ata nuk do të shpëtojnë. Do të ketë zgjedhje të parakohshme, korrkte dhe demokratike”, ka thënë Zoran Zaev.

Vendimi i presidentit për faljen e mbi 50 zyrtarëve ishte miratuar më 12 prill dhe në atë listë kishte edhe persona që po hetohen nga prokuroria speciale për shkelje të rënda ligjore, që janë rezultat i asaj që njihet si aferë e përgjimeve.

Apele nga BE-ja për gjetjen e një zgjidhjeje

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka tërhequr vërejtjen Maqedonisë që të mos lejojë që kriza politike t’i dëmtojë shpresat për pranim në aleancë. Maqedonia gjendet në krizë të thellë politike: “Dera e NATO-s është ende e hapur, por është me rëndësi madhore për liderët e vendit që t’i shqyrtojnë problemet e sundimit të ligjit duke përfshirë këtu edhe tërheqjen e amnestisë aktuale presidenciale”, ka thënë Stoltenberg.

Ambasada e Gjermanisë në Shkup nëpërmjet një komunikate për shtyp informoi, se i dërguari i posaçëm gjerman, Johannes Haindl po qëndron në Shkup. Haindl sërish do të zhvillojë takime me partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Janë parashikuar edhe bisedime me presidentin e shtetit, Gjorge Ivanov dhe me kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanoski, thuhet në kumtesën e ambasdës gjermane.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijancic porositi partitë politike në Maqedoni që të respektojnë Marrëveshjen e Përzhinos. Sipas saj, partitë politike në Maqedoni bëjnë hapa të pa përgjegjshëm duke e vështirësuar realizimin e Marrëveshjes së Përzhinos. “Të gjita partitë politike në Maqedoni duhet ta respektojnë Marrëveshjen e Përzhinos. Kjo marrëveshje në vetvete përmban një element kyç për integrimin e vendit. Prandaj ajo është e domosdoshme të zbatohet”, theksoi Kocijancic. (dw)

Han dhe Mogerini mesazh për Maqedoninë

Mogerini-HahnPërfaqësuesja e politikës së jashtme të BE-së, Federika Mogerini dhe euro-komisioneri Johanes Han përmes një deklarate me shkrim kërkuan sot anulimin e zgjedhjeve të 5 qershorit dhe anulimin e vendimin të presidentit Ivanov për faljen e personave të dyshuar për vepra kriminale.

“Vendimi  i Gjykatës Kushtetuese i hapi rrugën Parlamentit për tu mbledhur sërish për ti anuluar zgjedhjet e 5 qershorit për të cilat nuk ishin plotësuar kushtet.

Kjo është një mundësi  që shteti të përqendrohet në më shumë çështje serioze të cilat janë në zemër të prolongimit të krizës politike. Rruga përpara duhet të definohet nga partitë kryesore politike së bashku, sepse vetëm me dialog të pjekur, inkluzivitet dhe përkushtim të parimeve demokratike, si dhe të reformave të nevojshme dhe zbatimin e tyre vendi do të kthehet në rrugën euroatlantike”.

Kjo thuhet në deklaratën e përbashkët me shkrim të përfaqësuese së lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së Federika Mogerini dhe eurokomisarit për negociata për zgjerim Johanes Han në lidhje me ngjarjet më të reja në Republikën e Maqedonisë.

“Të gjitha partitë duhet ta respektojnë marrëveshjen e Përzhinës në të cilën u dakorduan vitin e kaluar. Kjo kornizë mbetet mënyra më e mirë për dalje të vendit nga kriza e vazhdueshme. Duhet të vazhdohet me punë në përgatitjen e zgjedhjeve kredibile si dhe në prioritetet urgjente reformuese përmes procesit inkluziv”, thuhet në deklaratën me shkrim nga Mogerini dhe Han.

Në kumtesë shtohet se partitë, gjithashtu, duhet urgjentisht t’i adresojnë shqetësimet  serioze rreth faljes së shumë përfaqësuesve zyrtarë nga ana e presidentit Ivanov. (INA)

Liberalizimi nuk e bind opozitën për Demarkacionin

protesta nisma me aakRatifikimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për shënjimin e vijës kufitare është kusht për aplikimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, ka porositur të hënën Komisionari për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn.

Por, përfaqësuesit e partive opozitare e kanë quajtur këtë kusht si gabim dhe kanë ritheksuar vendosmërinë e tyre për ta kundërshtuar këtë marrëveshje.

Ardian Gjini, anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, i ka quajtur të gabuara edhe procesin e shënjimit të vijës kufitare me malin e Zi, por edhe kushtin, të cilin e ka përmendur komisionari Hahn.

“Është gabim krejt procesi i Komisionit shtetëror të Demarkacionit dhe është gabim edhe kushti që është vendosur, por edhe që qeveria e ka pranuar këtë kusht. Bile, ka zëra që thonë se qeveria e ka kërkuar vet që ta ketë këtë kusht. Mali i Zi nuk e ka pasur kusht Demarkacionin me Kosovën kur e ka marrë liberalizmin e vizave”.

Albulena Haxhiu, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se kushtëzimi i liberalizimit të vizave për Kosovën me ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, është i padrejtë dhe, siç e ka quajtur ajo, standard i dyfishtë, i cili sipas saj po zbatohet ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, në procesin e liberalizimit të vizave..

“Ne e dimë që po flitet se çështja e Demarkacionit do të vij shumë shpejt në Kuvend. Mirëpo, natyrisht që jemi të obliguar që të vazhdojmë, siç kemi bërë deri më tani, do të thotë, duke e kundërshtuar një marrëveshje që i falë mbi 8 mijë hektarë Malit të Zi. Ne nuk mund të falim territore në emër të liberalizimit të vizave. Unë nuk besoj që ka qytetarë, i cili kishte për të falur territor për ta marrë liberalizimin e vizave”.

“Liberalizimin do ta marrim, jam shumë e bindur për këtë, mirëpo në asnjë mënyrë nuk duhet të lëshojmë pe sa i përket çështjes së Demarkacionit”, tha Gjini.

Në anën tjetër, për të përshpejtuar procesin për marrjen definitive tëliberalizimit të vizave, Kuvendi i Kosovës do të duhej ta ratifikojë marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, para se të shkojë në pushimin veror.

Në Kuvendin e Kosovës nuk ka një përgjigje të saktë nëse ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi do të vihet në rend dite para pushimeve verore.

Qeveria e Kosovës nuk e ka proceduar ende Projektligjin për ratifikim të kësaj marrëveshje.

Por, edhe në rast se një seancë e tillë e Kuvendit do të mbahej para pushimeve verore, sipas Ardian Gjinit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të marrë pjesë në çfarëdo seance, përfshirë edhe atë e cila do të thirrej eventualisht për ratifikimin marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me malin e Zi.

“Aleanca nuk merr pjesë në këto seanca dhe në atë votim. Ne nuk jemi kundër Demarkacionit të kufirit me malin e Zi, por jemi kundër Demarkacionit të gabuar”.

Haxhiu ka theksuar se deputetët e Lëvizjes vetëvendosje do të marrin pjesë në seancën e kuvendit të Kosovës kur do të votohet për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, por, sipas saj, vetëm për ta penguar një gjë të tillë.

“Ne e kemi obligim, para së gjithash dhe mbi të gjitha, që të mos lejojmë jetësimin e kësaj marrëveshje. Natyrisht që do ta pengojmë dhe do të kthehemi në Kuvend në qoftë se kjo çështje do të jetë si pikë rendit të ditës”.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të hënën, pas takimit me komisionarin Hahn, ka hedhur poshtë pohimet se Qeveria e Kosovës ka kërkuar që ratifikimi i marrëveshjes për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi, të jetë kusht për liberalizim të vizave.

Siç ka theksuar ai, në marrëveshjen me Malin e Zi, është paraparë se lëshimet eventuale të argumentuara mund të diskutohen me Malin e Zi, por marrëveshja nuk mund të rinegociohet. (rel)

HRW: ISIS ka vendosur regjim barbar në Libi

libiaEkstremistë të Shtetit Islamik kanë ekzekutuar në qytetin libian të Sirtes të paktën 49 vetë, që nga muaji shkurt 2015, duke përfshirë robër lufte, kundërshtarë politikë dhe banorë lokalë të akuzuar për magji, apo rituale pagane. Qyteti i Sirtes është baza më e madhe e ISIS jashtë Sirisë dhe Irakut, sipas një raporti të nxjerrë të mërkurën nga grupi ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch.

Ekstremistët e ISIS kanë kryer rrëmbime, ndërkohë që dhjetëra luftëtarë të grupeve paraushtarake libiane figurojnë të zhdukur në Sirte. Shumë prej tyre mendohen të vdekur, sipas organizatës Human Rights Watch.

Ligji Islamik

Ashtu si në qytete të tjera të kontrolluara nga ISIS në rajon, grupi xhihadist ka vendosur interpretimin e tij të rreptë të ligjit islamik, Sheriatin në Sirte, duke marrë nën kontroll të gjitha aspektet e jetës së përditshme të banorëve “deri tek gjatësia e pantallonave të burrave, gjerësia dhe ngjyra e rrobave të grave dhe lëndët e mësimit për nxënësit në shkollat shtetërore,” thotë Human Rights Watch në një raport me titull “Ndjehemi të Mallkuar”.

Ekstremistët nuk po arrijnë t’i sigurojnë popullatës lokale nevojat bazë. Sipas organizatës për të drejtat e njeriut “ISIS po ia kalon rezervat ushqimore, ilaçet, sasitë e karburantit, fondet monetare si dhe shtëpitë e konfiskuara pas largimit të banorëve, luftëtarëve të tij dhe funksionarëve që ka vënë për të drejtuar qytetin”.

Kontroll i një Shteti Policor

Raporti i Organizatës Human Rights Watch doli në një kohë kur banorët në Sirte raportojnë se ISIS ka forcuar kontrollet e sigurisë në qytet dhe ka filluar të grumbullojë rezerva ushqimore në përgatitje për një sulm të fortë kundër qytetit, që është edhe vendlindja e ish-udhëheqësit libian Moammar Gadhafi.

Të hënën, pas takimit në Vjenë të diplomatëve nga mbi 20 vende, fuqitë perëndimore njoftuan gatishmërinë e tyre për të ndihmuar libianët të luftojnë ISIS, i cili kontrollon afro 300 km të bregdetit libian, duke armatosur Qeverinë e Akordit Kombëtar, të ngritur në një process negociatash të ndërmjetësuar nga OKB.

Situatë e vështirë për Forcat e Mbështetura nga Perëndimi

Grupe paraushtarake nga Misrata, të cilët mbështesin Qeverinë e Akordit Kombëtar janë përfshirë në luftime të ashpra me ISIS dhe këtë javë arritën të marrin nën kontroll një udhëkryq të rendësishëm në Abu Grain, që ekstremistët e kishin vënë nën kontroll muajin e kaluar.

Forca besnike ndaj Gjeneralit Khalifa Haftar, të cilat kundërshtojnë Qeverinë e Akordit Kombëtar dhe mbështesin forcën rivale, Qeverinë e Shpëtimit Kombëtar kanë zhvilluar përleshje pranë Sirtes si dhe mund të jenë në përgatitje për një sulm të ri ndaj qytetit, para se fuqitë perëndimore të sjellin furnizime me armë për Qeverinë e Akordit Kombëtar, thonë analistët.

Organizata Human Rights Watch: Masakra në Sirte

Në raportin e saj organizata thotë se banorët përshkruajnë skena tmerri, me ekzekutime publike me prerje koke, kufoma të veshura në kominoshe ngjyrë portokallo të varura në publik, dhe ekstremistë me maska që rrëmbejnë burrat nga shtëpitë e tyre në mes të natës. Banorët thonë se policia e moralit, e njohur si Hisba, patrullon rrugët duke kërcënuar me gjoba ose rrahje me kamzhik burrat që pinë duhan, dëgjojnë muzikë, apo nuk kontrollojnë gratë dhe motrat për veshjen nga koka te këmbët me “abaya” të zezë.

Fuqitë Perëndimore të vendosura

Qeveritë perëndimore po ndjehen gjithnjë e më të alarmuara nga prania e ISIS në Libi dhe duket se janë të gatshme të mbështesin qeverinë e akordit në përpjekje për të rikthyer stabilitetin në vend. Por Qeveria e Akordit Kombëtar ballafaqohet me sfida reale në përpjekjet për të shtrirë autoritetin e saj përtej Tripolit, si rezultat i forcave politike rivale në Libi. (voa)

Fleckenstein: Reforma në drejtësi dëshmon kush kontrollon pushtetin

FleckensteinRaportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstein u shpreh sot se ka marrë garancinë e politikanëve shqiptarë për të miratuar reformën në drejtësi dhe se do të jenë javët e ardhëshme ato që do të përcaktojnë se kush është në mbështetje të kësaj reforme. Deklaratën e tij, raportuesi për Shqipërinë në PE e bëri gjatë një takimi me studentë në Universitetin e Shkodrës.

“Besoj se unë dhe kolegët e mi nga Brukseli kemi bërë bisedimet e nevojshme, por normalisht ka interesa të individëve të veçantë, të cilët nuk duan që kjo reformë në drejtësi të miratohet. E thënë me fjalë të thjeshta, ju do ta merrni vesht pas 6 javësh nëse ky vend drejtohet nga politikanë të vërtetë apo nga individë të tjerë, që ju nuk i keni zgjedhur”.

I pyetur nëse ai dhe Parlamenti Europian kanë identifikuar individë apo parti politike që nuk dëshirojnë miratimin e reformës në drejtësi, raportuesi për Shqipërinë në PE u shpreh se ka në mendjen disa emra, por shtoi se nuk dëshiron t’i bëjë publikë. Ndërsa, përsa i përket partive politike, ai tha se janë shprehur që do ta miratojnë reformen dhe kjo pritet të dëshmohet gjatë ditëve të ardhëshme.

Raportuesi për Shqipërinë në PE tha se kishte diskutuar me të gjithë drejtuesit e partive politike; si të PD, PS dhe partisë së Ilir Metës dhe se ata e kishin informuar mbi vendimin e tyre për ta miratuar reformën në drejtësi gjatë javëve të ardhëshme.

“Është shumë e rëndësishme, tha eurodeputeti gjeman, që brenda 6 javëve të ardhëshme të jetë miratuar reforma në drejtësi për t’i hapur kështu rrugën pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.

Pak ditë më parë, edhe ambasadori amerikan Donalt Lu, i cili morri pjesë në mbledhejn e Komisionit parlamentar për reformën në drejtësi, bëri thirrje që Komisioni ta miratojë reformën brenda muajit maj me qëllim që, në muajin qershor, reforma të miratohet në Parlamentin e Shqipërisë.

 

Clinton, më pranë kandidaturës demokrate

clintonIsh-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton dje hodhi një hap më pranë sigurimit të kandidaturës së demokratëve për president. Pas numërimit të shumicës së votave të zgjedhjeve paraprake në shtetin e Kentakit, zonja Clinton ka një epërsi prej rreth dy mijë votash ndaj rivalit të saj, senatorit Bernie Sanders. Zyrtarët e zgjedhjeve thanë se ende nuk do të shpallin fituesin, por zonja Clinton mbrëmë deklaroi fitoren.

Duke folur para mbështetësve dje, senatori demokrat Bernie Sanders e vlerësoi rezultatin e zgjedhjeve në Kentaki si një fitore për të.

“Më lejoni të falenderoj banorët e shtetit të Kentakit. Në këto zgjedhje të mbyllura, formë të cilën unë nuk e preferoj aq shumë, ku të pavarurit nuk lejohen të votojnë, ku Sekretarja Clinton në vitin 2008 mundi Barack Obamën me një epërsi prej 250 mijë votash, duket se ne sonte do të marrim rreth gjysmën e delegatëve nga Kentaki”.

Rezultati përfundimtar nuk do të ketë shumë rëndësi pasi demokratët ndajnë delegatët në mënyrë proporcionale dhe të dy kandidatët do të përfundojnë me një numër pothuajse të barabartë të delegatëve nga Kentaki.

Senatori Sanders fitoi zgjedhjet në shtetin veriperëndimor të Oregonit.

Megjithatë, zoti Sanders do të duhet të fitonte rreth 85 përqind të delegatëve të mbetur për të kaluar në epërsi ndaj zonjës Clinton dhe për të marrë emërimin e partisë demokrate. Deri më tani, ai ka arritur të fitojë me një epërsi të tillë vetëm në shtetin e tij të Vermontit.

Demokratët më 4 dhe 5 qershor do të mbajne zgjedhje paraprake në Ishujt Virgin dhe Porto Riko. Këto dy territore nuk kanë delegatë të mjaftueshëm për t’i siguruar zonjës Clinton kandidaturën, por ajo pritet ta arrijë këtë më 7 qershor, kur gjashtë shtete do të zhvillojnë zgjedhje paraprake.

Kandidati i partisë demokrate do të përballet me kandidatin republikan Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Një anketë e kanalit NBC News e publikuar dje, tregon se zonja Clinton ka një epërsi të vogël ndaj zotit Trump, 48 me 45 përqind, duke shënuar një rënie në krahasim me anketat e mëparshme ku ajo kishte një epërsi prej pesë pikësh. (voa)

Infermierë nga Shqipëria me perspektivë të re në Gjermani

Shumë të rinj shqiptarë ëndërrojnë të jetojnë në Gjermani – por shanset për azil janë të ulëta. Një program i ri për infermierë synon të ofrojë një mundësi për të ardhur në Gjermani. Mund të përfitojë edhe Shqipëria.

infermierEdhe pse ora është pesë pasdite mësuesi Endrit Mulaj nuk ka nevojë ta motivojë grupin e tij të gjermanishtes që të jenë të vëmenshëm në mësim – fjala është për temen “Të ardhurat dhe paratë” pra si thuhet në gjermanisht para, dëshmia e rrogës, tërheqje parash nga bankomati e kështu me radhë.

Në klasën e institucionit mësimor “Inter Personel” në lindje të Tiranës janë këtë pasdite, shtatë gra të reja dhe tre burra – shumicës së tyre ua sheh në fytyrë se kanë lënë pas një ditë të lodhshme. Shumë prej tyre kanë ardhur direkt nga spitali se të gjithë ata që mësojnë këtu vullnetarisht tri orë në ditë gjermanisht, janë infermierë. Ata përgatiten një vit me radhë për të ardhur në Gjermani, ku do të punojnë nga muaji tetor punë në spitale ose firma që ofrojnë shërbim përkujdesi në shtëpi. Justin Toraku, 25-vjeç, tregon se pse po mëson gjermanisht: “Unë punoj prej tre vjetësh në sallën e operacionit të Spitalit Universitar të Tiranës, por të ardhurat këtu nuk janë të mira. Në muaj fitoj 30.000 lekë, rreth 230 euro. Me këto nuk mund të mbijetosh këtu se është e vështirë. Në Gjermani natyrisht do të kem mundësi të tjera fitimi. ”

Shkollim në bashkëpunim me partnerë gjermanë

Irina Dervishi, 37 vjeç, punon prej 15 vjetësh në një klinikë në Tiranë.

Irina ka familje: bashkëshorti dhe tre fëmijë do të vijnë në Gjermani disa javë pasi ajo të ketë nisur punë. Edhe kjo është pjesë e konceptit të programit të Inter Personel: kursantët nuk lihen pas një viti mësimi në Shqipëri në mëshirë të fatit, por instituti organizon së bashku me një partner gjerman edhe vend dhe leje pune në Gjermani si dhe kujdeset edhe për banimin dhe strehimin e pjesëmarrësve të programit dhe të anëtarëve të familjeve të tyre. Në pesë qytete në Shqipëri marrin pjesë aktualisht në kurse 800 infermierë, thotë drejtori i institutit Musa Ahmeti:

“Në Gjermani mungojnë në spitale çdo vit deri në 10 000 infermierë. Kurse ne kemi në Shqipëri çdo vit rreth 2500 vetë që mbarojnë shkollimin si infermirë dhe kujdestarë pleqsh. Në Shqipëri këto janë degë studimi me diplomë universitare. Por vetëm rreth 300 prej tyre gjejnë punë këtu, pjesa tjetër është në përgjithësi e papunë. Aktualisht në Shqipëri ka 20.000 infermierë të papunë (…) Ne vrasim disa zogj me një gur. Ne u ndërmjetësojmë këtyre njerëzve një punë të mirë dhe bëjmë diçka edhe për tregun gjerman të punës. Po ashtu ne krijojmë një alternativë ndaj migrimit ilegal jashtë vendit.”

Shqipëria përfiton nga njohuritë e të kthyerve

Albanien profitiert laut Musa Ahmeti am Ende nicht nur durch das Geld, das die Auswanderer in der Regel nach Hause schicken, sondern viel mehr noch, wenn die albanischen Fachkräfte irgendwann reich an Erfahrung wieder in die Heimat zurückkehren. Bestes Beispiel hierfür ist Lehrer Endrit Mulaj. Der 39-Jährige hat in Rostock Deutsch studiert und insgesamt 12 Jahre in Deutschland gelebt. Der Wunsch eine Familie zu gründen habe ihn dann 2010 doch wieder nach Albanien gebracht. Bereut hat er diese Entscheidung bislang nicht:

Shqipëria përfiton sipas Musa Ahmetit, jo vetëm nga ana e parave që emigrantët dërgojnë zakonisht në shtëpi, por edhe më shumë, në rast se emigrantët shqiptarë kthehen dikur përsëri në Shqipëri duke sjellë me vete përvojën e tyre. Një shembull për këtë është mësuesi Endrit Mulaj. 39-vjeçari ka studiuar në Rostock gjeranisht dhe jetoi 12 vjet në Gjermani. Dëshira për të krijuar familje e ktheu atë sërish në vitin 2010 në Shqipëri. Ai thotë se nuk është penduar për këtë vendim dhe se u thotë kursantëve që pasi të shkollohen më tej në Gjermani të kthehen sërish në Shqipëri, sepse Shqipërisë i duhen ekspertë të tillë në të gjitha fushat. (dw)

 

Takimi në Vjenë për Sirinë

takimi vjene siriaGrupi Ndërkombëtar që Mbështet Sirinë ka shtuar përpjekjet për të ndihmuar në stabilizimin e Sirisë me klauzola të reja që do të përjashtonte mbrojtjen e shkelësve të përsëritur të armëpushimit në bazë të një marrëveshje për ndalimin e armiqësive dhe po ashtu do të zgjerojë hedhjet nga ajri të ndihmave humanitare në zonat e rrethuara. Sfida të shumta mbeten ndërsa grupi shumëkombësh i dha fund takimit në Vjenë.

Me çështje të pazgjidhura ku përfshihen akuza për vazhdimin e bombardimeve ajrore të popullsisë civile nga regjimi sirian, përparime të vogla në bisedimet politike të drejtura nga OKB mes qeverisë dhe opozitës, dhe pengesa në dërgesat humanitare, Grupi Ndërkombëtar që Mbështet Sirinë, u takuan në Vjenë për të diskutuar rreth krizës në Siri.

“Askush nuk mund të jetë i kënaqur nga larg me situatën në Siri e cila është thellësisht shqetësuese”, tha Sekretari i Shtetit John Kerry.

Gjatë takimit me homologun rus dhe të dërguarin e OKB për Sirinë, Sekretari Kerry nuk pranoi se Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë botërore kanë humbur ndikimin tek Presidenti Bashar al-Assad.

“Kjo luftë nuk do të përfundojë për Assadin apo popullin e tij pa një zgjidhje politike; të gjithë e kuptojnë këtë,” tha zoti Kerry.

Ndryshimi i fakteve në terren do të çbllokonte situatën në Siri, thotë Nussaibah Younis me Këshillin e Atlantikut.

“Të kesh ndikim ushtarak që mund të përdoret për të mbështetur pjesën tënde të argumentit dhe përfundimisht kërcënuar palën tjetër se do të ketë pasoja nëse nuk janë të përgatitur që të arrijnë një marrëveshje politike.”

Të tjerë thonë se Amerika dhe grupi shumëkombësh që mbështet Sirinë duhet të vazhdojnë trysninë për një zgjidhje politike gjithëpërfshirëse.

“Duhet bërë e qartë që nuk ka tolerime nga kërkesat tona dhe thënë qartë kërkesa që Assadi të mos jetë aty në fund të procesit”, thotë Perry Cammack me Carnegie Endowment për Paqen Ndërkombëtare.

Nëse dështon kjo, thotë analisti Perry Cammack, fuqitë botërore duhet të nxisin uljen e dhunës dhe shtimin e mbështetjes humanitare, lëvizje që të paktën do të pakësojnë vuajtjet e popullit sirian. (voa)

Maqedoni: Gjykata Kushtetuese pezullon veprimtaritë zgjedhore

ustaven sudGjykata Kushtetuese e Maqedonisë vendosi njëzëri të pranojë nismën e Bashkimit Demokratik për Integrim, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për shpërndarjen e parlamentit të Maqedonisë, që votoi për vetshpërbërjen e tij më 23 shkurt dhe u shpërnda në fillim të prillit për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja që ishin caktuar për datën pesë qershor.

Gjykata vendosi që deri në vendimin përfundimtar të pezullojë të gjitha veprimtaritë dhe vendimi u arsyetua me sic thuhet ” ndjeshmërinë e situatës në të cilën ndodhet Maqedonia”.

Nisma e Bashkimit Demokratik për Integrim ka pasuar vendimin e VMRO-DPMNE-së, së Nikolla Gruevkit që e vetme të shkojë në zgjedhjet e 5 qershorit.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti e mirëpriti vendimin e gjykatës që sipas tij, mundëson rikthimin e parlamentit si hap i parë dhe i domosdoshëm për zgjidhjen e krizës së rëndë politike.

“Ftoj të gjithë liderët, mediat si dhe shoqërinë civile që të veprojnë me përgjegjësi të plotë përballë gjendjes në të cilën gjendet vendi dhe të kontribuojnë për rikthimin e sigurisë, stabilitetit si dhe të përkushtohemi fuqishëm për një agjendë serioze reformuese”, thuhet në reagimin e kryetarit të BDI-së.

Më 11 maj qe mbyllur afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 5 qershorit dhe vetëm partia VMRO-DPMNE i dorëzoi emrat e kandidatëve në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Tri partitë tjera më të mëdha: Lidhja Social Demokrate, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare nuk i dorëzuan emrat e kandidatëve.

Kjo bëri që edhe diplomatët perëndimorë të fillojnë përpjekjet për të bindur autoritetet maqedonase që të krijojnë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve, duke nënvizuar se standardet e jo data, kanë rëndësi për zgjedhje demokratike, të ndershme dhe të pranueshme.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u panë si zgjidhje për krizën politike në Maqedoni, të shkaktuar nga skandali i përgjimeve dhe marrëveshja për to u arrit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Por kriza u thellua pasi që më 12 prill, presidenti George Ivanov, vendosi të ndërpresë hetimet lidhur me skandalin e përgjimeve, duke nxitur protesta të opozitës e cila e cilësoi vendimin si “grusht shteti”. Edhe diplomatët perëndimorë kanë shtuar trysninë mbi presidentin që të heq dorë nga vendimi.

Të martën, zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Bryan Yee do të zhvillojë takime me udhëheqësit e katër partive kryesore politike ndërsa të enjten i dërguari i posaçëm gjerman për Maqedoninë, Johannes Haindl, pritet të diskutojë gjendjen në Maqedoni me përfaqësuesit politikë të saj.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka karakter të përkohshëm, por ai mund të shërbejë si një pikë kthese në përpjekjet për tejkalimin e situatës së krijuar në Maqedoni. (voa)