SandersSenatori nga Vermonti, Bernie Sanders fitoi dje në zgjedhjet paraprake në Virxhinian Perëndimore, duke siguruar një numër të vogël delegatësh, ndërsa u zotua përsëri se do të vazhdojë deri në fund garën ndaj ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton.

Zoti Sanders fitoi 51 për qind të votës ndërsa zonja Clinton 36 për qind. Meqenëse sistemi proporcional që përdorin demokratët për të ndarë delegatët do të thotë se zoti Sanders merr të paktën 16 ndërsa zonja Clinton 11.

Ajo kryeson me 2,239 delegatë ndërsa senatori Sanders ka siguruar 1,469. Për të siguruar emërimin e Partisë Demokrate duhen 2,383 kandidatë.

Nga pala e republikanëve, zoti Trump, fitoi lehtësisht në Virxhinian Perëndimore dhe Nebraska. (voa)

A do të plasë marrëveshja BE-Turqi?

Brukseli dhe Ankaraja po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt një konfrontimi. Kjo rrezikon çështjen e marrëveshjes së refugjatëve. Sa do ta shpëtojë interesi i përbashkët i të dyja palëve marrëveshjen me Turqinë?

BE TurqiaËshtë grumbulluar mjaft lëndë për konflikt. Javën e kaluar, kryeministri turk Ahmet Davutoglu njoftoi dorëheqjen e tij. Ai jo vetëm kishte negociuar marrëveshjen me Brukselin, po në ndryshim nga Rexhep Tajip Erdogan ai është proevropian. Pastaj u arrestuan dy gazetarë turq kritikë ndaj qeverisë, gjoja për shkak se kishin botuar dokumente sekrete. Organizata “Reporterët pa Kufij” shprehet për një “gjykim frikësimi”, Shoqata Gjermane e Gazetarëve për “vendime arbitrare të një regjimi autokratik.”

Për Parlamentin Evropian kupa u mbush pas një deklarate të Erdoganit. Erdogan u shpreh se ai nuk ka ndër mend të ndryshojë ligjet anti-terror të kritikuara ashpër. “Ne ndjekim rrugën tonë, dhe ju tuajën”, tha Erdogani. Ndryshimi i këtyre ligjeve është një prej kushteve të Brukselit për liberalizimin e vizave për turqit në verë. Por Erdogani ka kërcënuar shpesh, se në qoftë se nuk do të ketë liberalizim të vizave, ai mund të lejojë në çdo kohë refugjatë që të vijnë përsëri në Evropë.

Parlamenti Evropian bën bllokadë

Komisioni përgjegjës për liritë civile dhe drejtësinë në Parlamentin Evropian nuk frikësohet prej deklaratave të tilla. Ai njoftoi se do të presë deri në fillimin e konsultimeve mbi regjimin e vizave deri sa Turqia të ketë përmbushur të gjitha 72 kushtet. “Dhe aty përfshihen edhe ligjet anti-terror”, tha Guy Verhofstadt, kryetar i grupit parlamentar liberal. “Ne jemi të gjithë në një vijë” tha Gianni Pittella, lideri i socialistëve, duke shtuar: “Ne nuk mund t’i pranojmë kërcënimet dhe shantazhet e Turqisë së Erdoganit.” Philippe Lamberts, bashkëkryetar i të Gjelbërve, tha në lidhje me perspektivën e heqjes së vizave për turqit: “Tani kam dyshime.” Nëse të dy palët do të ngulin këmbë në pozicionet e tyre, e gjithë marrëveshja për refugjatët mund të dështojë.

Politikanë të ndryshëm të majtë dhe të djathtë u shprehën që në vend që të bëhen përpjekje për të siguruar marrëveshjen për refugjatët me Turqinë, deri në fund të qershorit të synohet mbrojtja evropiane e kufijve të jashtëm, përpunimi i kërkesave për azil në ishujt grekë në kufij me Turqinë dhe debimi i azilkërkuesve që u refuzohet kërkesa.

Interesi i përbashkët mbetet

Janis Emmanouilidis nga European Policy Centre i njeh mendime të tilla dhe i konsideron për thuajse të parealizueshme. Në rast se Turqia do të lejojë sërish një numër të madh refugjatësh të shkojnë në ishujt grekë, “do të kemi sërish të njëjtat shifra si vitin e kaluar ose në fillim të këtij viti, dhe unë nuk mendoj se disa ishuj grekë do të shndërrohen në ishuj evropianë internimi”, tha Emmanouilidis për Deutschen Welle-n.

Për përmbajtje në debatin e nxehtë u shpreh ndërkohë Elmar Brok, deputet i CDU-së dhe kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin e Strasburgut. Në radion gjermane “Deutschlandfunk” ai tha: “Ne nuk duhet të flasim për planin B, nëse plani A nuk ka dështuar definitivisht.” Deri tani Turqia e ka zbatuar pjesën e saj të marrëveshjes, gjë që mund të shihet në rënien e fortë të numrit të refugjatëve.

Vetë Erdogani ka interes të madh për marrëveshjen për refugjatët. Nëse dështon heqja e regjimit të vizave për shkak të tij, ai do të humbasë popullaritetin në vendin e tij. Erdogani përdor shumë retorikë. “Kjo është arsyeja pse ne duhet të tregohemi të përmbajtur.”

Megjithë kritikat ndaj qeverisë turke dhe ndaj marrëveshjes me të Janis Emmanouilidis nuk beson se ndonjë nga dyja anët do të tërhiqet nga marrëveshja. “Situata është e vështirë. Por është ende në interesin e Erdoganit qi ai të arrijë një kompromis. Dhe e njëjta gjë vlen edhe për palën evropiane.” Në fund marrëveshja me Turqinë do të zbatohet, parashikon ai “dhe kjo përfshin patjetër edhe çështjen e vizave”. (dw)

Avionë privatë për pasagjerët e zakonshëm

avionetNjë kompani e teknologjisë në Britani kërkon ta bëjë të arritshëm për pasagjerët e zakonshëm udhëtimin luksoz me avionë privatë. Kompania “Stratajet” po krijon një faqe në internet që do të mbledhë të dhënat dhe çmimet në kohë.

Për shumë njerëz që kërkojnë të rezervojnë bileta fluturimi, avionët privatë i mendojnë me çmime mbi buxhetin normal. Por, sipas Jonny Nicol, themelues i kompanisë “Stratajet”, nuk është gjithnjë kështu:

“Portali ynë ngjason me faqet e tjera të internetit për udhëtime ajrore, por ka edhe elementë të shtuar. Mund të kërkosh sipas destinacioneve nëpërmjet kodit postar dhe jo vetëm nëpërmjet aeroporteve. Pasi jep kohën dhe vendin ku dëshiron të shkosh, faqja nxjerr një sërë variantesh me çmimet përkatëse.”

Deri më tani, fluturimet me avionë privatë janë menaxhuar nga tregtarë ndërmjetës. Ndërsa, kompjuterat e “Stratagen” i përllogarisin në pak sekonda të gjitha variantet e mundshme, dhe paraqesin një listë me opsione të ndryshme fluturimi.

Sipas zoti Nicol, kompania paraqet edhe të dhënat e avionëve privatë që nuk janë plotësuar me klientë, duke ofruar kështu udhëtimin me çmim të reduktuar:

“Po e shndërrojmë në një mënyrë udhëtimi të arritshme për të gjithë. Këta avionë udhëtojnë me vende bosh duke djegur kot karburant. Ne do të ulim kështu edhe çmimin për të pasurit, por ndërkohë do t’u mundësojmë edhe udhëtarëve të zakonshëm të fluturojnë me këta avionë privatë,”- thotë ai.

Sipas Sean Tipton, i Shoqatës së Agjentëve të Udhëtimit Britanikë, industria e avionëve privatë është në rritje:

“Po shtohet numri i personave me të ardhura të larta që udhëtojnë me avionë privatë, për të shmangur vonesat e kalimit përmes doganave etj.”

Megjithëse çmimet mesatare vazhdojnë të jenë më të larta se biletat e udhëtimit me linjat komerciale, rritja e shfrytëzimit të këtyre avionëve pritet të ulë edhe çmimet e biletave.

Kompania “Stratajet” ka shtrirë tashmë aktivitetin e saj në 44 vende në të gjithë Evropën, me një flotë prej 500 avionësh.

Së shpejti, kompania do të hyjë edhe në tregun e Shteteve të Bashkuara. (voa)

Kocijancic: BE-ja pret nga liderët politik në Maqedoni që të gjejnë zgjidhje për krizën

KocijancicBashkimi Evropian pret nga liderët politik në Republikën e Maqedonisë që të gjejnë zgjidhje për krizën politike në vend.

Këtë porosi e përsëriti sot në emër të Brukselit zyrtar, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijancic.

“ Shumë mirë është i njohur pozicioni i jonë në lidhje me krizën politike që po zgjat në IRJM. Ne si BE jemi në kontakt të vazhdueshëm me partitë dhe palët e përfshira.

Ne presim nga liderët në Shkup që të gjejnë zgjidhje nga kriza për rrugën euro atlantike të vendit dhe për të mirën e qytetarëve.

Duke folur në këtë kontekst, mund që të ju them se kontaktet në terren janë të ndërmjetësuara nga ambasadorët e BE-së dhe SHBA-ve”, deklaroi Kocijancic. (ina)

Derisa nuk tërhiqet abolimi, s’ka negociata për krizën politike

zaevKryetari i LSDM-së, Zoran Zaev pohon se për momentin nuk ka negociata për krizën politike, por bisedime bilaterale, por se është absolvuar se nuk mundet dhe nuk do të ketë zgjedhje më 5 qershor.

“Negociata nuk ka për momentin, ka bisedime, bilaterale, ne me të huajt dhe përfaqësuesit e tjerë të katër partive me ta. Kjo ndodhë sepse thamë se negociata do të ketë kur do të hiqet abolicioni dhe kur do të thirret Kuvendi në mënyrë që të shtyhen zgjedhjet deri në përmbushjen e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta, të drejta dhe demokratike”, tha Zaev. (INA)

Në kërkim të konsensusit për ratifikimin e Demarkacionit

kosova hartaQeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendim se kur do ta procedojë për ratifikim në Kuvend, marrëveshjen me Malin e Zi për Demarkacionin e kufirit.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thanë për Radion Evropa e Lirë se nuk e dinë saktë se kur çështja do të shkojë në Kuvend, por sipas tyre, kjo do të ndodh shumë shpejt.

“Nuk ka informacione se kur do të procedohet kjo çështje në Kuvend edhe pse e dimë që kjo duhet të përfundojë shpejtë”, ka deklaruar, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj.

Gecaj ka theksuar po ashtu se për ketë çështje partitë në pushtet dhe opozita duhet të ulen dhe të bisedojnë që të arrihet një pajtim.

Pak ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa kishte deklaruar se Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi duhet të zgjidhet sa më shpejt.

Sipas tij, gjatë kësaj jave do të zhvillohen takime me udhëheqësit e institucioneve më të larta të shtetit në mënyrë që kjo çështje të përmbyllet.

Përderisa qeveria është në përgatitje të procedimit të marrëveshjes për ratifikim, grupet parlamentare në Kuvend shprehin mendime të ndryshme karshi kësaj marrëveshjeje.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, konsideron se ratifikimi i marrëveshjes ndërkombëtare për Demarkacionin me Malin e Zi është një çështje e ndjeshme dhe ajo duhet të analizohet dhe vlerësohet drejtë. Ai thotë se shteti i Kosovës duhet ta ketë të shënjuar vijën kufitare me shtetet që e rrethojnë.

“Varet nga Qeveria se kur do ta sjellë në Kuvend. Varet nga ajo se kur vlerëson se është e përgatitur kjo marrëveshje për të proceduar më tutje”,ka thënë Grabovci.

Tutje, deputeti Grabovci thotë po ashtu se si Kosova ashtu edhe Mali i Zi janë deklaruar se nuk kanë interesa që të fitojnë nga territori fqinjë.

“Mund të përcaktohet, apo të korrigjohet, apo edhe të aprovohet kjo [marrëveshje] ashtu siç është mbi bazën e fakteve dhe argumenteve që mund të sillen dhe që ekzistojnë”, është shprehur Grabovci.

Marrëveshja për Demarkacionin është nënshkruar në Vjenë më 25 gusht të vitit të kaluar.

Ajo ishte prezantuar nga kryeministri dhe Qeveria e Kosovës si shumë e rëndësishme, pasi që Kosova po shënonte vijat kufitare me shtetet fqinje.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar me disa deputetë të LDK-së, por të njëjtit nuk janë në dijeni se kur qeveria do ta procedoj në kuvend marrëveshjen në fjalë. Në bazë të deklarimeve të mëhershme, disa deputetë të LDK-së kanë shprehur rezerva apo edhe kundërshtim të kësaj marrëveshjeje.

Ndërkaq, subjektet politike opozitare në Kosovë e kanë kundërshtuar në vazhdimësi marrëveshjen për demarkacionin, duke konsideruar se ajo cenon tërësinë territoriale të Kosovës.

Subjekti me i madh opozitar në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se ashtu siç është marrëveshja, nuk do të lejohet të ratifikohet në Kuvend.

Frashër Krasinqi nga Vetëvendosje, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky subjekt politik është interesuar që çështja e Demarkacionit me Malin e Zi të zgjidhet, por jo në dëm të territorit Kosovës.

“Duke e pasur parasysh që marrëveshja aktuale e Demarkacionit ia humb Republikës së Kosovës mbi 8 mijë hektarë, kjo e dyfishon padrejtësinë ndaj vendit tonë. Nuk është vlerë evropiane që marrëdhëniet në mes dy shteteve të zgjidhen në dëm të njërës palë. Nuk do të pranojmë dhe nuk do të lejojmë ratifikimin e kësaj marrëveshje dhe do të angazhohemi maksimalisht për parandalimin e saj”, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas tij, kërkesa për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, para se çështja e liberalizimit të vizave të shkojë në Parlamentin Evropian për miratim, është e padrejtë, ngase siç thotë ai, një kërkesa e tillë po i bëhet vetëm Kosovës dhe nuk i është bërë asnjë shteti të rajonit.

Lidhur me këtë çështje, në Kuvend, por edhe jashtë tij, opozita për gjashtë – shtatë muaj kishte organizuar protesta, duke kërkuar anulimin e marrëveshjes.

Dy subjektet e tjera opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë paralajmëruar sërish protesta.

Sidoqoftë, pas propozimit pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian, tani ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, mbetet kushti kryesor që Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Parlamenti Evropian ta miratojnë fillimin e zbatimit të liberalizimit, e që pritet të ndodh brenda 90 ditësh.

Ministri i integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, ka theksuar se në rast të vonesave të miratimit të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, liberalizmi i vizave mund të zvarritet tutje. (rel)

Serwer: Kosova nuk është problemi kryesor i Serbisë

SerwerSerbia është e rrethuar me shumë probleme dhe jostabilitet, por sfida kryesore për të në të ardhme do të jetë Bosnja, e jo Kosova, vlerëson analisti i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer.

Profesori në Universiteti “John Hopkins” ka thënë se destabiliteti në rajon paraqitet në Maqedoni, në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë që, sipas tij, për Serbinë, problem me të madh do të paraqet çështja e BeH.

“Kemi probleme serioze në Maqedoni, probleme kronike në Bosnje dhe probleme në Kosovë. Sfida kryesore për Serinë do të jetë Bosnja”, ka thënë Serwer, i cili vlerëson se Serbia gjendet një situatë të vështirë, transmeton lajmi.net.

Në një intervistë për mediat serbe, ai ka bërë të ditur se nuk është e qartë mënyra se si BeH mund të funksionojë në mënyrë efikase si shtet në rrethanat aktuale, ndërsa ka shtuar se raportet mes Beogradit dhe Sarajevës në njërën anë dhe Beogradit e Banjallukës në anën tjetër, janë pjesë e rëndësishme e formulës për stabilitet në Bosnje.

“Është një shtet i ndarë dhe kjo ndarje është e mbështetur në kushtetutë që vështirëson edhe rrugën e reformave”, ka thënë Serwver.

Profesori amerikan vlerëson se kryetari i Republika Srpska-s, Millorad Dodik, e ka futur Serbinë në një situatë të vështire, duke kërkuar të mbajë referendum për shkëputje nga BeH.

“Është e pamundshme për Serbinë që të përshëndes hapa të tillë, ashtu siç e ka të vështirë të mos i mbështesë serbët në BeH. Ky është një problem shumë i madh”, ka thënë Serwer.

Pronat shqiptare, ligji i ri kthen polemikat e vjetra

Qeveria shqiptare po përgatitet të paraqesë përpara Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut ligjin e ri për trajtimin e pronave dhe aktet nënligjore si përpjekjen më të madhe shtetërore për të zgjidhur cështjen e pronave në mënyrë përfundimtare.

Përfaqësues të shtetit shqiptar u paraqitën në fillim të prillit në Gjykatën Europiane në Strasburg me ligjin e ri të pronave, ndërkohë që në Tiranë Gjyktata Kushtetuese vendosi në fund të prillit, që ligji i ri të mos i pezullohet zbatimi, ndërkohë që vazhdon shqyrtimi i padive ndaj tij.

“Jemi në limitet, ku dëmshpërblimi, që na vjen përditë për shkak të një mosveprimi të tejzgjatur të shtetit shqiptar, nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, po rrezikon kontributin e taksave të gjithë shtetasve shqiptarë në mbushjen e buxhetit të shtetit për veprimtarinë normale të shtetit” thotë Sonila Qato, drejtuese e Agjencisë së Trajtimit të Pronave.

Ligji i ri i pronave me formulën e re synon të përfundojë procesin e kompensimit të pronave.

Qysh nga janari, kur u miratua ligji, agjencia e re e trajtimit të pronave ka nisur nga puna për ta zbatuar këtë ligj me formulën e re.

Nga viti 1993 shumë pronarë janë pajisur me vendime të komisioneve të ndryshme për kompensim të pronave të zëna nga shteti për qëllime të ndryshme, por ende pas 25 vjetësh ata nuk kanë marrë asgjë.

“Ligji i ri nuk sjell ndonjë gjë të re, por përpiqet të vërë kapakun çështjes me një shprehje si “ligji për trajtimin e pronave” i gjithë paudhësive që janë bërë nga viti 1991 e deri sot. Janë 57 mijë vendime të dhëna për pronat, janë edhe 27 mijë kërkesa të tjera, që janë në agjenci të patrajtuara. Ato nuk mund të trajtohen me këtë ligj, sepse ndodh një përplasje edhe me kushtetutën dhe me vendimet dhe kërkesat e Gjykatës së Strasburgut” – tha zoti Gëzim Boçari, përfaqësues i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”.

Agjencia ka nisur një vlerësim ekonomik të pronave, sipas renditjes së vendim-marrjes më të vjetër, pra është bërë edhe një listim sipas një renditje kronologjike.

Brenda muajve maj dhe qershor agjencia do të mbyllë vlerësimet për vitet 1993 dhe 1994.

Drejtuesja e Agjencisë së Trajtimit të Pronave Sonila Qato thotë se Gjykata e Starsburgut e ka pranuar si hap të parë kërkesën e qeverisë shqiptare dhe tani pritet vendimi i saj, nëse ligji i ri është në përputhet me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

“Çfarëdo përfundimi të nxjerrë Gjykata e Strasburgut, edhe pasi të shqyrtojë kërkesën e paraqitur nga ana e qeverisë shqiptare, ne si qeveri do ta marrim me shumë seriozitet për ta zbatuar, nëse ajo e pranon për ta vazhduar më tej punën e nisur. Nëse ajo ka vërejtje për këtë formulë, ne mund ta korigjojmë për të qenë sa më brenda Konventës Europiane për të Drejtat Njerëzore” – zonja Qato.

Zvarritjet mbi 20 vjeçare kanë krijuar një faturë të rëndë nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut për dëmshpërblimet e pronarëve, faturë e cila po cënon qëndrueshmërinë financiare të shtetit shqiptar.

Po ashtu janë edhe një numër të madh dosje pronash të pashqyrtuara ende si dhe një numër të jashtëzakonshëm vendimesh të pazbatuara.

“Qeveria raportoi që e ka zgjidhur problemin dhe kemi rënë në mirëkuptim me pronarët, por kjo nuk është e vërtetë. Ligji është miratuar pa marrë asnjë mendim të pronarëve. Ndërkohë, ne si pronarë kemi dhënë zgjidhje me një draft tonin të hartuar me specialistë qysh në 2013, por nuk është marrë në konsideratë. Ky draft e zgjidh problemin e pronës pa kosto dhe shumë shpejt” – thotë zoti Boçari.

Gjykata e Strasburgut kërkon një shpërblim të drejtë për pronarët, në përputhje me konventën e të drejtave të Njeriut, por sipas zonjës Qato shpërblim i drejtë nuk do të thotë detyrimisht shpërblim i plotë.

“Nëse Gjykata do ta pranojë formulën tonë si një shpërblim të drejtë, atëherë rruga e të gjitha çështjeve të tjera të depozituara deri më sot në Gjykatën e Strasburgut, apo edhe ato që mund të depozitohen në këtë çast pranë asaj gjykate do të jetë rikthimi, apo nënshtrimi i këtyre shpërblimeve sipas formulës së re që parashikon ligji i ri” – thotë zonja Qato.

Ligji i ri i pronave ka si qëllim kryesor kthimin fizik të tyre, atje ku ato janë të lira, dhe më pas kompensimin e tyre, kur janë të zëna.

Pas kthimit fizik të disave dhe kompensimit për ato që ka vendime komisionesh janë edhe rreth 11 mijë dosje pronash, që nuk janë shqyrtuar ende prej mëse dy dekadash.

“Nuk mund të bësh ti legalizim të objekteve që dikush ka ndërtuar në pronën time. Ato që janë ndërtuar pa leje në pronën e shtetit mund të bëhen ligje të tjera. Shoqata jonë ka në parim kthimin e pronës konform Kushtetutës. Qeveritarët tanë, të djeshëm dhe sotëm, asnjëherë nuk kanë pyetur se çfarë kërkojnë pronarët. Ne duam atë që është jona. Ne nuk jemi kundër kompensimit. Mund të bëhen edhe legalizime, por për raste të veçanta, jo ligj për legalizimet, sepse kjo kultivon anti-vlera” – thotë zoti Boçari.

Vlerësimi ekonomik i pronës me ligjin e ri po bëhet sipas hartave të vjetra në ato raste kur ka ndryshuar regjimi juridik i pronës ose zëri kadastral.

Në rastet kur zëri kadastral nuk ka ndryshuar, kthimi i pronës bëhet i plotë. Qeveria Rama mori përsipër para Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut identifikimin e mjetit të brendshëm efektiv dhe përfundimin e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave.

Moskthimi i pronave e paraqet vazhdimisht Shqipërinë si shtet i paditur përballë Gjykatës së Strasburgut, dhe është bërë pengesë kryesore për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. (voa)

Sadiq Khan: Pikëpamjet e Trumpit për Islamin, “injorante”

Sadiq KhanKryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan i cilësoi si “injorante” pikëpamjet e kadidatit republikan për President në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump për Islamin dhe tha se ky këndvështrim mund t’i bëjë “të dyja vendet tona më pak të sigurta”.

Reagimi i tij erdhi pasi zoti Trump sugjeroi që zoti Khan mund të përjashtohej nga një ndalim i përkohshëm i hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, propozuar nga kandidati republikan.

Vitin e kaluar, zoti Trump propozoi një ndalim të plotë të hyrjes së myslimanëve të huaj në Shtetet e Bashkuara.

I pyetur nga gazeta The New York Times se si do të ndikonte kjo politikë tek kryebashkiaku i pare mysliman i Londrës, zoti Trump tha se “gjithmonë ka përjashtime”.

Por zoti Khan tha “se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mua, por për miqtë e mi, të afërmit e mi, për gjithkënd që ka të njëjtin besim me mua, kudo në botë”.

Laburisti Khan, bir emigrantësh pakistanezë, u zgjodh javën e kaluar me një epërsi të konsiderueshme ndaj rivalit konservator Zac Goldsmith.

Ai tha të martën se zoti Trump dhe ata që ndajnë të njëjtat mendime me të “mendojnë se vlerat perëndimore liberale nuk përputhen me Islamizmin dhe Londra tregoi se ata e kanë gabim”.

Trump tha se ishte i lumtur për zgjedhjet e Khanit, por kryebashkiaku i Londrës tha se ai mbështeste demokraten Hillary Clinton. (voa)

Një i vdekur pas sulmit në Mynih

Sipas njoftimit të Spiegel Online atentati me thikë në Mynih nuk ka pasur sfond islamist. Një 27-vjeçar sulmoi të martën katër kalimtarë në një stacion treni në Mynih, një person lëndohet rëndë, një tjetër humbi jetën.

stacion treniSulm në stacionin e Grafing, Mynih

Sulmuesi i së martës nga landi i Hesenit (10.05), i cili nxorri thikën në orët e mëngjesit në një stacion treni në Mynih ka pasur me sa duket probleme psikike dhe merrte drogë, shkruan Spiegel Online duke iu referuar ministrit bavarez të Mbrojtjes, Joachim Herrmann. Atentati me thikë nuk ka pasur sfond islamist ,sipas hetimeve të para.

Rreth orës pesë të mëngjesit në stacionin e trenit lokal, Grafing, 27 vjeçari ka përdorur thikën verbërisht duke plagosur kalimtarë. Tre persona u plagosën, njëri prej tyre rëndë, ndërkohë që një 50-vjeçar humbi jetën nga plagët në spitalin e Mynihut po të martën. Fillimisht dyshohej për sfond islamist, sipas të dhënave të prokurorisë së Mynihut. “Autori i krimit ka përdorur shprehje të tilla në në vendngjarje që të çojnë në përfundimin e një motivimi politik”, ka thënë zëdhënësi i prokurorisë së Mynihut, sektori II, Ken Heidenreich.

Ende po verifikohet se cilat kanë qenë deklaratat e agresorit. Fillimisht disa dëshmitarë kanë raportuar se person ka thirrur “Allahu-Akbar” (Zoti është i madh) . Sipas prokurorisë bëhet fjalë për një 27 vjeçar gjerman që nuk është nga Mynihu ose rrethinat. Policia e arrestoi autorin ende në stacion. Sipas Zyrës së Kriminalistikës të Landit të Bavarisë, dorasi vjen nga landi i Hesenit, ai ka lindur në Gjermani dhe nuk ka sfond migrimi. Ende nuk ka informacione konkrete, nëse personi ka lidhje me milicët xhihadistë të “Shtetit Islamik”. (dw)