Rezultatet e regjistrimit shkaktojnë tërmet në Bosnje dhe Hercegovinë

SarajevaTensionet janë në rritje në Bosnje dhe Hercegovinë për shkak të rezultateve të regjistrimit të parë të popullsisë prejse ka përfunduar lufta në këtë shtet. Këto të dhëna thonë se tani boshnjakët myslimanë përbëjnë shumicën e qartë në popullatën e këtij shteti.

Në përgjithësi, Bosnja dhe Hercegovina ka humbur një të pestën e popullatës gjatë 25 vjetëve të fundit, sipas të dhënave të publikuara mbi regjistrimin, që në fakt është kryer qysh në vitin 2013.

Menjëherë pasi Agjencia e Statistikave të këtij shteti ka publikuar të dhënat, Republika Serbe e Bosnjës ka thënë se refuzon të njohë regjistrimin si valid.

Publikimi i këtyre të dhënave është shtyrë për tri vjet, pasi përfaqësuesit politik që i përkasin etnive të ndryshme nuk janë pajtuar me metodologjinë.

Sipas këtyre të dhënave, shteti ka 50.1 % popullatë që vetën e quajnë boshnjakë myslimanë.

Ky grup ka shënuar rritje, pasi në vitin 1991, kur Bosnja dhe Hercegovina për herë të fundit kishte realizuar regjistrim të popullsisë, vetëm 43.5 % ishin deklaruar si boshnjakë myslimanë.

Shumë shpejtë pas regjistrimit të popullsisë në vitin 1991, Bosnja dhe Hercegovina u përfshi nga lufta e cila zgjati nga viti 1992 -1995, gjatë së cilës u vranë 100 mijë njerëz dhe 2 milionë të tjerë nga grupe të ndryshme etnike u zhvendosën.

Regjistrimi i vitit 2013 tregon se popullata e këtij shteti tani ka 30.8 % serbë, numër më i vogël ky prej vitit 1991, kur atëbotë në Bosnje dhe Hercegovinë 31.2 % e popullatës ishin serbë. Edhe grupi i kroatëve ka shënuar rënie, pasi në vitin 1991, 17.4 % e popullatës së Bosnjës i përkisnin këtij grupi etnik, derisa në regjistrimin e vitit 2013 kanë dalë 15.4 % kroatë.

Në përgjithësi, popullsia e tërë Bosnje Hercegovinës prej vitit 1991 ka shënuar rënie prej rreth 20 %, duke pasur tani pak më shumë se 3.5 milionë.

Rezultatet shihen tej mase nga prizmi politik, pasi ngjarjet e luftës vazhdojnë të jetë të freskëta, ndërsa marrëveshja e Dejtonit në nëntor të vitit 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, ndarjen e pushtetit e ka bërë në mes të tri grupeve etnike.

Disa analistë presin që këto të dhëna tani të ringjallin përpjekjet e partive boshnjake që të kërkojnë më shumë pushtet në çështjet e shtetit.

“Pa kaluar 50 përqindëshin nënkupton se pushteti duhet ndarë në tri pjesë të barabarta. Kur një grup etnik përbënë më shumë se 50 % të popullatës, atëherë shteti do të jetë ndryshe. Atëherë do të kemi një shtet boshnjak , pra Bosnja dhe Hercegovina me dy minoritete në të”, thotë Zlatko Dizdareviq, gazetar i pavarur në Sarajevë.

Duke refuzuar njohjen e këtyre të dhënave, zyrtarët e Republikës Serbe kanë sinjalizuar se ata nuk pranojnë ndryshime në mënyrën se si ndahet pushteti momentalisht në Bosnje dhe Hercegovinë.

Bile edhe vet zyra e entitetit serb, e cila e ka për detyrë të bashkëpunojë me agjencinë shtetërore të statistikave, nuk i ka publikuar rezultatet brenda Republikës Serbe, pasi ka thënë se regjistrimi ka numëruar edhe njerëz që janë larguar nga vendi gjatë luftës dhe tani jetojnë diku tjetër.

Autoriteti shtetëror i regjistrimit të popullsisë, kur ka publikuar rezultatet më 30 qershor, ka thënë se ata kanë përfshirë edhe 196 mijë njerëz që jetojnë jashtë shtetit, por që kanë ende prona në Bosnje.

Republika Serbe ka kërkuar përjashtimin nga ky regjistrim të të gjithë atyre që punojnë apo studiojnë jashtë shtetit, duke u mbështetur në shqetësimin që e kanë pasur se shumica e atyre që jetojnë jashtë janë boshnjakë dhe kroatë, të larguar gjatë luftës.

Përfshirja e një numri të madh të boshnjakëve myslimanë dhe kroatë në kuadër të popullatës që jeton në Republikën Serbe mund të dobësojë pushtetin e partive serbe në atë rajon, me gjithë faktin se sipas regjistrimit të ri, gati 16.5 % e popullatës në Republikën Serbe nuk janë serbë.

Zyrtarët kryesorë shtetëror në Republikën Serbe ende nuk janë deklaruar se çfarë do të jetë përgjigja e tyre drejt të dhënave të regjistrimit të popullatës, por politikanë të kësaj zone thonë se qeveria e Republikës Serbe do vazhdojë ta konsiderojë jo valid regjistrimin derisa aty të jenë të përfshirë edhe boshnjakët që jetojnë jashtë vendit.

“Rezultati (i regjistrimit) nuk do të aplikohet në Republikën Serbe, pasi kështu është vendimi i parlamentit të Republikës Serbe. Do të ketë pasoja të tjera, gjithashtu. Përfaqësuesit serbë në agjencinë (kombëtare) të statistikave të Bosnje dhe Hercegovinës do të tërhiqen nga pozitat e tyre”, ka thënë Dragan Caviq, udhëheqësi i Partisë Nacional Demokratike.

Këto të dhëna të reja për popullatën mund të nxisin telashet rreth ndarjes së pushtetit, sepse marrëveshja e Dejtonit ishte arritur duke u mbështetur në të dhënat e regjistrimit të bërë në vitin 1991. Kjo marrëveshje, megjithatë, nuk e thotë se çfarë duhet bërë kur të kryhet regjistrimi i ri i popullatës. Marrëveshja ka pasur qëllim thjeshtë të vendos Bosnjën në rrugën e stabilitetit.

Momentalisht, qeveria e Republikës Serbe ka 16 ministri, tetë prej të cilave udhëhiqen nga serbët, pesë nga boshnjakët dhe tre nga kroatët etnikë. Entiteti tjetër, Federata e Bosnje Hercegovinës, që dominohet nga boshnjakët dhe kroatët, gjithashtu ka 16 ministri, por tetë udhëhiqen nga boshnjakët, pesë nga kroatët dhe tre nga serbët.

Regjistrimi kësaj radhe tregon edhe ndryshimin e boshnjakëve ndaj fesë.

Para luftës, myslimanët e Bosnjës e konsideronin vetën kryesisht jo besimtar, ndërsa sondazhet kryesisht tregonin se jo më shumë se 5 % e të anketuarve e tregonin fenë e tyre, islamin.

Megjithatë, regjistrimi i ri tregon se numri i njerëzve që e definojnë vetën si boshnjakë është pothuajse i njëjtë me numrin e atyre që e tregojnë përcaktimin e tyre fetar, Islamin. Diferenca është vetëm një përqind.

Ngjashëm qëndron puna edhe me serbët dhe zbulimin e përcaktimit të tyre fetar, ortodoksinë, si dhe kroatët, të cilët në masë të madhe e kanë treguar përcaktimin e tyre fetar, katolicizmin.

Publikimi i të dhënave të regjistrimit është bërë pas presioneve të mëdha nga Bashkimi Evropian që thotë se zbulimi i këtyre të dhënave është esencial për mundësinë që Bosnja të përfitojë fondet shumë të nevojshme nga Brukseli.

Mirëpo, shumë njerëz besojnë se këto të dhëna vetëm sa do të thellojnë ndasitë në mes të grupeve rivale që mezi bashkëpunojnë me njëra tjetrën.

Përgatiti: Artan Haraqija

“Nuk duam ta ballkanizojmë BE-në”

Që prej vitesh, në Bosnjë dhe Hercegovinë ka një statuskuo ekonomike dhe politike. Për këtë janë përgjegjës para së gjithash përfaqësuesit politikë të boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve në vend, thotë Michael Brandt.

presediumu BHDeputeti gjerman i Bundestagut, Michael Brandt (CDU) thotë se klasa politike boshnjake duhet të ofrojë më në fund rezultate dhe jo vetëm të zotohet se do t’i kryejë detyrat e shtëpisë. BE, por edhe Gjermania janë lodhur me premtimet që nuk zbatohen të Bosnjës. Edhe më e rëndësishme bëhet kjo përballë sfidave në temat e sigurisë, refugjatëve dhe Brexit, i tha Brandt në një intervistë DW. Në drejtësi, në shtetin juridik dhe në reformën administrative nuk ka përparime. Dhe kjo shihet në kryeqytetet evropiane.

Politologu Brandt tha se marrëveshja e Dejtonit në funksionon nuk është e përshtatshme për ta vënë në rrugë të mbarë Bosnjën. Por problemi është se klasa politike në Bosnjë dhe Hercegovinë jeton shumë mirë me bllokada. Një sërë politikanësh në Bosnjë dhe Hercegovinë jetojnë me sa duket shumë mirë me faktin që shteti nuk funksionon. Çmimin për këtë e paguajnë qytetarët. Brandt tha në Bosnjë dhe Hercegovinë kemi të bëjmë me një shtet partiak, ku edhe portieri në një spital duhet të jetë anëtar partie, për t’u marrë në punë. Por në situatën aktuale politikanët duhet ta kuptojnë se shanset për vendin nuk po shtohen.

Njëkohësisht Michael Brandt thotë se BE dhe Gjermania kanë detyrim moral përballë Bosnjë dhe Hercegovinës dhe një interes vetjak për stabilitet. Gjermania dhe BE duhet të ushtrojë më shumë presion, thotë ai, sepse elitat politike në Bosnjw arrijnë të bien dakord gjithmonë kur diskutohet a do ta marrin shumën tjetër të parave nga BE. Por edhe qytetarët në Bosnjë duhet ta shtojnë presionin. Politikanët boshnjakë nuk duhet të harrojnë se Bosnja nuk është kërthizë e botës, kujtoi Brandt dhe lojërat e tyre duhet të marrin fund.

Përsa i përket efektit të Brexit te zgjerimi i BE me shtetet e Ballkanit Perëndimor, Brandt shprehu bindjen se Ballkani Perëndimor dhe Bosnjë e Hercegovina kanë nevojë edhe më tej për një perspektivë në drejtim të BE. Por një gjë është e qartë, tha Michael Brandt: me integrimin e Ballkanit Perëndimor ne duam të forcohemi, jo ta ballkanizojmë BE. (dw)

Fuga: Ne nuk mund të shpikim një model drejtësie ‘allashqiptar’

Ajo nga e cila vuan sistemi i drejtësisë në Shqipëri vjen nga devijacionet që bëhen në aplikimin e drejtësisë. Shteti shqiptar në të gjitha instancat e veta është i politizuar, thotë për DW-në prof. Artan Fuga.

drejtesiaDW: Rreth finalizimit të reformës në drejtësi në Shqipëri ka mendime të ndryshme mbi rolin e faktorit ndërkombëtar në këtë process. Disa thonë se diplomatët dhe zyrtarët perëndimorë e kanë kaluar “vijën e kuqe”, madje duke cënuar dhe sovranitetin e vendit, ndërkohë që të tjerë e shikojnë si të vetmen zgjidhje angazhimin e tyre. Ju ku vendoseni në këtë spektër gjykimesh?

Artan Fuga: Mendimi im është që sistemi politik në Shqipëri, që në vitin 1990 e këtej, është ngritur mbi disa themele dhe një prej tyre, ndër kryesorët, ka qenë dhe mbetet ndihma, mbështetja, si dhe një lloj mbikëqyrje politike nga partnerët ndërkombëtarë perëndimorë. BE-ja, NATO-ja a SHBA-ja janë partnerë esencialë. Kjo ndihmë e mbështetje nuk është diçka e jashtme, pasi hapja dhe demokratizimi i vendit që në origjinë u bë me ato vlera e parime të njohura që u artikuluan në ditët e para të proceseve transformuese si ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa'; ‘Integrim evropian'; ‘Hapja ndaj demokracisë liberale’ e të tjera vlera që edhe sot e kësaj dite partneriteti me aleatët tanë perëndimorë as nuk mund të mohohet, as nuk mund të diskutohet, por dhe as mund të hamendësohet se si mund te evitohet.

Duke u kthyer te reforma në drejtësi, njëri prej problemeve që ka dalë është i ashtuquajturi veting. Me dilema që një përzgjedhje ndërkombëtarësh që do të vlerësojë në hallka të ndryshme të sistemit të drejtësisë mund të cënojë dhe sovranitetin. Personalisht e mendoj këtë si një problem të stisur, i cili mund të gjejë një zgjidhje të thjeshtë nga ana racionale. Si një qytetar i këtij vendi, unë e di se duhen respektuar kushtetuta a aktorët e brendshëm institucionalë, duhen respektuar parimet dhe ligjet, duke përfshirë dhe parimin bazë të sovranitetit. Por ama, kjo nuk përjashton që në procesin e zgjedhjes e selektimit të aktorëve në sistemin e drejtësisë të mund të merren këshillime, kritere, parametra përzgjedhës nga organizma ndërkombëtarë, parametra këto që mund të jenë shumë të saktë dhe të vijnë si metodologji delegimi. Pastaj nuk ka rëndësi se kush e aplikon nga pikëpamja njerëzore. Askush nuk e pengon shtetin shqiptar të marrë modele, kritere vlerësimi, a sisteme të aplikueshme drejtësie, të cilat nuk kanë lidhje me sovranitetin. E mendoj këtë si një problem që krijon një shqetësim të kotë nga mënyra se si trajtohet. Për mua ndërkombëtarët le të japin kriteret e seleksionimit dhe parametra shumë të saktë vlerësimi, pastaj kush e aplikon këtë, kjo nuk ka pikë rëndësie nëse këta të huaj do të jenë këshilltarë, ekspertë, ndihmës dhe nga ana tjetër vendasit mund t’i aplikojnë këto.

DW: Po sjelljen e klasës politike shqiptare si e vlerësoni në çështjen e realizimit të reformës në drejtësi?

Artan Fuga: Më duket se klasa politike nuk është në lartësinë që kërkon një Shqipëri më e emancipuar dhe në hullitë e shtetit ligjor. Klasa politike në këtë drejtim ka dështuar dhe gjëja e parë që duhet të pranojë është ky dështim. Ajo nga e cila vuan sistemi i drejtësisë vjen nga devijacione që njerëz të ndryshëm bëjnë në aplikimin e drejtësisë, gjithashtu është dhe problem modeli. Shteti shqiptar në të gjitha instancat e veta është i politizuar. Nuk është një shtet neutral dhe i paanshëm, por bipartizan ose tripartizan. Të gjitha institucionet janë të ngritura në këtë mënyrë dhe kjo vjen nga vetë struktura kushtetuese e sistemit tonë politik, që kërkon kontrollin e vet mbi parlamentin, mbi sistemin e drejtësisë, mbi instittucione të tjera të pavarura. S’ka në Shqipëri institucione të pavarura nga palët politike. Për mua kur sistemi i drejtësisë ndodhet nën thundrën dhe mbrojtjen e politikës, atëherë e ka tejet të vështirë të funksionojë në parametra e duhur. Po t’i shikojmë ata që deri tani na janë paraqitur si ekspertë të pavarur në procesin e reformës në drejtësi, na rezulton në fakt se nuk janë të tillë. Nuk ekzistojnë ende në vendin tonë ekspertë të tillë apo agjenci që të japin një vlerësim të pavarur. Një tjetër çështje ka të bëjë me informacionin që duhet të kemi ne si qytetarë mbi modelet e sistemeve të drejtësisë të vendeve perëndimore, p.sh. të dimë modelin skandinav, apo ai anglosankson, mesdhetar etj., dhe të zgjedhim prej tyre. Ne nuk mund të shpikim një model drejtësie allashqiptar, të cilin nuk e gjen as në Kosovë, as në Itali, as në Francë, as Rumani a ndonjë vend tjetër për të ecur në rrugë të pashkelura. Kjo mua më duket abursde.

DW: Ka dy propozime kryesore që bëhen për modelin. Cilin preferoni ju?

Artan Fuga: Të dyja për mua janë problematike. Pse? E djathta propozon një kontroll, apo një ekuilibër nëpërmjet përzgjedhjes së gjykatësve nga vota politike në parlament. Këtë unë e kuptoj si një mënyrë kontrolli të gjyqësorit, për të shpikur një mekanizëm ekuilibri nën trysninë e rënies së kontrollit nga ana e qeverisë, ose partisë në pushtet. Por kjo nuk e zgjidh problemin, sepse jemi po në atë koncept që vuajmë prej rreth dy dekadash e gjysmë, shteti njëpartiak, shteti dypartiak a tripartiak, në vend të shtetit neutral që duhet të na ishte servirur. Nga ana tjetër edhe propozimi i krahut të majtë është po aq problematik. Sepse e konsideron sistemin e drejtësisë, aktorët e saj, si një korporatë më vete. Që e merr legjitimitetin nga vetja. Unë kam frikën e humbjes së legjitimitetit të së drejtës, që është një pushtet dhe jo një organ teknik. Pushtetet duhet të dalin nga sovrani dhe duhet të kontrollohen nga sovrani. E fundit, unë kam frikë se një sistem i tillë zgjedhjeje, si në rastin e sistemit universitar p.sh., mund të prodhojë një tension dhe devijacion të sistemit për shkak të frymës së trafikut elektoral. Ndaj për rolin e politikës në këtë aspekt unë mendoj se nuk është adekuat.

DW: Ka një prioritet të prioriteteve për Shqipërinë, integrimi evropian i vendit. Por ka një zhvillim të ditëve të fundit, kur pas një procesi referendar Britania e Madhe vendosi daljen nga BE. Në një kohë kur dalja nga BE po përflitet dhe si një proces zinxhir e për vende të tjera, a ka kuptim që Shqipëria dhe vende të tjera të rajonit të vijojnë të aspirojnë hyrjen?

Artan Fuga: Mua më shqetëson shumë mënyra se si përfaqësues politikë, publikë apo nga media po i përqasen me këtë ngjarje të jashtëzakonshme gjeopolitike. Dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja nuk prek, nuk cënon orientimin proeuropian të Shqipërisë. Ata që diskutojnë për këtë rast se çfarë do të bëhet me Shqipërinë pas daljes nga Unioni të Britanisë nuk kanë arritur të kuptojnë se çfarë është Europa e integruar, apo çfarë është fryma europiane. Pas 25 viteve ‘radiografia’ tregon se nuk paskemi marrë vesh asgjë. Akti i daljes së Britanisë nga blloku, nuk do të thotë se ky vend nuk është një fuqi europiane. Nuk do të thotë se Zvicra meqë nuk është në BE nuk është për tregun europian, nuk është për frymën europiane, nuk është për demokracinë euriopiane, nuk është për solidaritetin europian. Në këtë rast është e njëjta gjë dhe me Britaninë e Madhe. Që do të thotë se Europa është themeluar që t’i përmbahet 4 parimeve bazë, sipas dhe themeluesve të saj. Së pari, për paqe mes kombeve. Që do të thotë se si italianët, si francezët, si britanikët, elitat e tyre politike aspirojnë për një paqe në Europë dhe moskthim në kontinentin e luftrave botërore. Nuk shoh në klasën politike angleze a vende të tjera të Europës tendencë për heqje dorë nga ky parim themelor. Së dyti, është tregu i përbashkët, i cili shfaqet në nivele të ndryshme, si psh., te paraja e përbashkët, tarifat e përbashkëta etj., pra organizohet në shkallë të ndryshme. Dihet që vende të cilat nuk ndodhen në zonën euro kanë nivele bashkëpunimi me vendet europiane. E treta është shfaqja e Europës si një kontinent përballë pjesës tjetër të botës. Parimi i katërt themelor është fryma demokratike, mbrojtja e të drejtave të njeriut. Këto parime për Shqipërinë, iku apo erdhi Britania, është Zvicra apo nuk është Zvicra në BE, nuk e cënojnë frymën proeuropiane të vendit tonë. Pra, edhe sikur të konkretizohen hamendësimet e ‘procesit zinxhir’ të daljes nga BE, që më duket një skenar i largët dhe esktrem, nuk mund të cënojnë sot, nesër e pasnesër frymën europianiste të shtetit dhe elitave politike në Shqipëri.

DW: Duke u kthyer në aspekte të politikës së brendshme. Viti i ardhshëm është jo vetëm vit elektoral, por përkon dhe me zgjedhjen e presidentit. Së fundmi po artikulohet versioni i zgjedhjes së kreut të shtetit me votë popullore. Ju si e mendoni një zgjidhje të tillë?

Artan Fuga: Ky pretendim në këtë çast ka elemente që nuk janë racionale. Jemi në pozitën që nga një grup deputetësh, a nga ndonjë segment i caktuar politik hidhet ideja e presidenti të zgjedhur direkt nga populli. Kjo është qartësisht një ‘dalje jashtë teme’. E dyta është se sistemi politik në Shqipëri ka njëmijë probleme të tjera dhe ne në vend që të ballfaqohemi me ato probleme që janë reale për të tashmen shpikim një problem që lidhet me të ardhmen. Në vend që të analizojmë të tashmen, konjukturën, bëjmë një devijim. Mund të jetë një problem i drejtë, por nuk ka lidhje me kontekstin. Kemi problem ligjin elektoral që nuk lejon partitë e vogla që të përfaqësojnë dhe ato qytetarin në skenën politike duke sjellë monopolizimin e pushtetit. Administrata është e politizuar dhe është e ndarë sipas partive politike. Tenderat dhe prokurimet e kanë nxjerrë nga tregu ekonominë shqiptare. Ne kemi sot njehsim të pushtetit, kur kryetari i mazhorancës është dhe kreu i qeverisë. Deputeti në parlament zgjidhet duke u devijuar vota e popullit. Këto probleme apo të tjera, nuk na i sjell zgjedhja e presidentit nga populli apo nga parlamenti. Ato duhet të korrigjohen dhe mënyra se si zgjidhet kreu i shtetit nuk ndikon në to. Edhe sikur presidenti të zgjidhet nga populli, kjo nuk do të thotë se zgjidhet problemi. Sepse nuk mund të jenë të themi 20 kandidatë që garojnë dhe populli do të vendosë. Realisht presidentin nga populli i propozojnë partitë, janë partitë që bëjnë propaganda, gjë që do të thotë se ai që ka për t’u zgjedhur nga kjo formulë nuk shpëton nga influenca partiake. Tjetër, një president nga populli në një rend kushtetues që ne kemi do të krijojë një shtet me ‘dy koka’, sa i takon kompetencave. Pra, këto propozime janë dalje nga tema, një utopi, një ikje nga problemet juridike dhe politike që ka vendi.

DW: Ju jeni nje zë i ndjeshëm që dëgjoheni në publik, përmes prononcimeve në media ose aq më shumë nga angazhimi në rrjetet sociale. Megjithatë zëri i qytetarëve është ende i zbehtë për mjaft probleme të mprehta me të cilat ata përballen. Pse ndodh kjo sipas mendimit tuaj?

Artan Fuga: Sepse nuk ka shoqëri shqiptare, duke e shprehur kështu në mënyrë radikale. Ju e dini që forcat më të gjalla të shoqërisë, të rinjtë, ikin, emigrojnë. Pasoja e parë e emigrimit nga pikëpamja politike është zbehja e opinionit publik si rezistencë e politikave shtetërore. Një pjesë aktive e popullsisë punon në administratën publike ose ndërmarrje a agjenci publike, të cilët për të ruajtur vendin e tyre të punës janë nën presion, pra, që e kanë shumë të vështirë të shprehin kundërshtimet, mendimet, alternativat, të japin një mendim të pavarur. Një pjesë e shoqërisë, pjesa më e madhe të rinjtë, janë të papunë. Bëhet fjalë për një masë që shkon nga 20 deri në 40 përqind të popullatës. Dhe i papuni që është inaktiv nga ana ekonomike, bëhet inaktiv dhe nga ana politike. Format e demokracisë sot në botë janë forma të demokracisë përmes aksionariatit paternalist, marrjen pjesë në demkracinë e prodhimit, të aksioneve, të financave etj., të tilla që nuk gjen sot në Shqipëri. Nga ana tjetër ka dhe një popullatë që jeton në zona rurale pa pjesmarrje. Mediat janë të politizuara. Pra, jemi shumë larg shoqërisë ku qytetari është në qendër.

Akademik Artan Fuga është profesor i gazetarisë dhe i shkencave të komunikimit.

Raporti i DASH për trafikimin e qenieve njerëzore

John KerrySekretari amerikan i shtetit John Kerry paraqiti sot Raportin e vitit 2016 për trafikimin e qënieve njerëzore në botë. Shqipëria dhe Kosova, ashtu si më parë, vazhdojnë të jenë në grupin e dytë. Raporti i grupon shtetet në tri kategori: në të parën bëjnë pjesë shtetet, qeveritë e të cilave pëmbushin standartet minimale, në të dytën vendet që nuk i përmbushin plotësisht standartet, por që bëjnë përpjekje të mëdha për t’i përmbushur dhe në të tretin janë vendet që nuk i plotësojnë standartet dhe që nuk bëjnë përpjekje.

Shqipëria

Edhe në raportin e këtij viti, Shqipëria vazhdon të klasifikohet në kategorinë e dytë përsa i përket trafikut me njerëz. Raporti thekson se Shqipëria mbetet vend burimi dhe destinacioni në trafikun e seksit dhe në punën e detyruar si brenda vendit, ashtu edhe në vende fqinje si Kosova, Maqedonia, apo Greqia.

Raporti ngre problemin e fëmijëve të komunitetit rom e egjiptas që shfrytëzohen si lypës apo në forma të tjera pune të detyruar, si dhe problemin e grave e vajzave që shfrytëzohen në tregtinë e seksit, pasi martohen me shkesëri në Shqipëri ose jashtë vendit. Korrupsioni dhe lëvizjet e shumta në personelin policor e bëjnë joefikase punën e forcave të rendit kundër problemit, thuhet më tej në analizën e Departamentit të Shtetit.

Problemet që vazhdojnë e bëjnë të pamundur që Shqipëria të përmbushë standardet minimale për t’u klasifikuar si vend që ka eliminuar trafikun, por raporti vlerëson se po bëhen përpjekje të konsiderueshme në këtë drejtim.

Autoritetet kanë përmirësuar reagimin e forcave të rendit duke shpallur fajtorë më shumë trafikantë se në 2014, ndër të cilët edhe individë që detyronin fëmijët të punonin si lypsarë.

Por raporti nënvizon se ka rënë numri personave të identifikuar si viktima, apo i individëve të dyshuar si trafikantë të cilët ndiqen penalisht, krahasuar me 2014. Në 2016, qeveria dhe OJQ-të identifikuan 109 viktima të trafikut dhe individë të kërcënuar nga trafikimi, krahasuar me 125 në vitin 2014. Raporti thekson edhe problemin e mos-identifikimit të personave të shfrytëzuar si viktima të trafikimit, por thjesht si çështje të lidhura me “shfrytëzim prostitucioni”, duke e bërë situatën e viktimave më të vështirë si gjatë procesit të hetimeve, ashtu edhe më pas në akordimin e mbështetjes.

Në 2015, qeveria ndoqi penalisht 15 të dyshuar, krahasuar me 18 të ndjekur penalisht në 2014. Të gjithë personat e shpallur fajtorë për trafikim u dënuan me burgim nga 6-17 vjet, megjithëse dënimi për tre prej tyre ishte nën standardin minimal prej tetë vjetësh burgim.

Qeveria, thuhet në raportin e DASH mbi trafikun me njerëz, ka ulur fondet për strehat shtetërore për viktimat e trafikimit, megjithëse ka vazhduar të financojë rrogat për 12 punonjës në dy qendra strehimi. Qeveria ka vazhduar praktikën e hetimit dhe ndëshkimit të viktimave për akte penale që janë kryer gjatë kohës që ishin të trafikuar, megjithëse ligji i mbron viktimat nga ndjekja penale.

Raporti nënvizon se plani i veprimit 2014-2017 përsëri nuk ka pasur fonde të mjaftueshme. Departamenti i Shtetit rekomandon në raportin e tij që Shqipëria të ndalë ndëshkimet ndaj viktimave, për akte që janë kryer gjatë periudhës që ishin të shfrytëzuar nga trafikantë; të rrisë fondet e OJQ-ve për strehat e viktimave, të përmirësojë mbështetjen mjekësore, psikologjike dhe të riintegrimit për viktimat në streha. Raporti bën thirrje për infrastrukturë përmes shoqërisë civile për identifikimin e viktimave dhe për t’i mbështetur ata të raportojnë mbi trafikantët, zyrtarët e korruptuar dhe të përfshihen në procesin e hetimit të trafikantëve.

Në një deklaratë të ambasadës amerikanë në Tiranë të publikuar të enjten, thuhej se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë bashkëpunimin e ngushtë me Qeverinë e Shqipërisë, shoqërinë civile dhe veçanërisht Koordinatoren Kombëtare Anti-Trafikim Elona Gjebrea për synimin e përbashkët të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Kosova

Raporti i Departamentit të Shtetit mbi trafikun me njerëz e rendit Kosovën në kategorinë e dytë për nga përmasat e këtij problemi në vend. Raporti thekson se Kosova është vend burimi dhe destinacioni për viktimat e trafikut, të cilat përdoren në industrinë e seksit, si dhe në punë të detyruar, përfshirë në restorante.

Shumë nga viktimat, thuhet në raport, sillen në Kosovë me premtime të rreme për martesa, punë si këngëtare apo kërcimtare në klube, por më pas detyrohen me forcë të punojnë në industrinë e seksit në apartamenti, shtëpi private, klube nate apo sallone masazhi. Raporti vë në dukje problemin në rritje të përdorimit të medias sociale në rekrutimin e viktimave.

Përveç shfrytëzimit të viktimave në Kosovë, shumë shtetas të Kosovës shfrytëzohen në vende të ndryshme të Evropës nga trafikantët.

Megjithë problemet që e pengojnë Kosovën të klasifikohet si vend që përmbush standardet minimale të eliminimit të trafikut, Departamenti i Shtetit vlerëson përpjekjet që kanë bërë autoritetet e Prishtinës kundër këtij fenomeni. Qeveria ka liçencuar dy OJQ që merren ekskluzivisht me punën në mbështetje të viktimave, ka shtuar fondet për strehat e viktimave si dhe u ofron atyre shërbime. Po ashtu po bëhen përpjekje për të analizuar situatën në grupe demografike të rrezikuara për të diktuar individë në rrezik si dhe ka filluar zbatimi i një plani veprimi në shkallë kombëtare.

Megjithatë, qeveria ka identifikuar më pak viktima dhe më pak të dyshuar se një vit më parë. Po ashtu numri i personave të shpallur fajtorë vjet ra në nivelin më të ulët në pesë vjet. Autoritetet hetuan 165 raste të mundshme trafikimi, një rritje krahasuar me 155 raste në 2014. Qeveria hapi 53 procese të ndjekjes penale, një rënie e ndjeshme nga 93 të dyshuar në 33 çështje gjyqësore në 2014. Gjykatat shpallën fajtorë vetëm 13 trafikantë krahasuar me 41 në vitin 2014, duke arritur numrin më të ulët të vendimeve “fajtor” që nga viti 2010 në Kosovë.

Raporti nënvizon se zyrtarët e përfshirë në aktivitet të paligjshëm që lidhej me trafikun ishin ndëshkuar me masa administrative, por gjykatat i kishin shpallur të pafajshëm në lidhje me akuzat për trafikim. Në lidhje me këtë problem, raporti i Departamentit të Shtetit ndalet tek rastet e disa zyrtarëve komunalë të akuzuar për shfrytëzim të viktimave të trafikut me njerëz. Megjithëse disa prej tyre ishin bërë objekt ndjekjeje penale, gjykatat i kishin shpallur të pafajshëm ose kishin deklaruar mungesë provash. Në një rast tjetër, një polic i akuzuar për abuzim detyre dhe shfrytëzim të një viktime trafiku, ishte liruar nga akuzat për mungesë faktesh dhe ishte kthyer në detyrë. Në një rast tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Punës ishin akuzuar se kishin pajisur me leje pune viktima të trafikut. Megjithëse ishin ndëshkuar me gjobë, zyrtarët ishin liruar nga akuzat për përfshirje në trafik me njerëz dhe në krim të organizuar.

Më tej në raportin e DASH thuhet se megjithëse parashikohet me ligj, ende nuk ka një fond për kompensimin e viktimave.

Departamenti i Shtetit rekomandon në raportin e sivjetshëm që Kosova të hetojë intensivisht, të ndjekë penalisht dhe të ndëshkojë trafikantët, përfshirë zyrtarët e korruptuar, si dhe të japë dënime të konsiderueshme, përfshirë burgosje, për aktet e trafikimit. Po ashtu raporti rekomandon që të zbatohen plotësisht nenet e Ligjit të vitit 2015 për Kompensimin e Viktimave, përfshirë krijimin e një fondi për kompensimet dhe ndarjen e fondeve për viktimat; kualifikimin e avancuar për gjykatësit, hetuesit, prokurorët dhe policët që merren me këto raste; trajnimin e zyrtarëve që të identifikojnë viktimat e trafikut, si dhe për identifikimin e individëve të rrezikuar sidomos fëmijëve; shtimin e përpjekjeve për të ndihmuar fëmijët që shfrytëzohen si lypsarë; shqyrtimin e rasteve që presin prej kohësh lidhur me akuza për trafikim, në mënyrë që të hetohen plotësisht dyshime të tilla; ngritjen e strehëve për viktima në komunat veriore dhe krijimin e mundësive që viktimat të lëvizin lirisht mes strehëve. (voa)

Austria kërkon që itinerari ballkanik të mbetet i mbyllur

Qëllimi i publikuar i Ministrisë së Brendshme të Austrisë: që itinerari ballkanik të mbetet i mbyllur për refugjatë. Lidhur me këtë kanë biseduar në Vjenë shefat e policive të vendeve ballkanike.

refugjatetAutoritetet e Austrisë duan të përgatiten mirë për valët e reja të mundshme të refugjatëve. Ministri i Brendshëm austriak Wolfgang Sobotka (ÖVP) thotë se një prej parakushteve është bashkëpunim i ngushtë me vendet fqinje. Javën e kaluar ai ka takuar disa nga kolegët e tij për të biseduar për rrugët e kalimit të refugjatëve dhe parandalimin e imigrimit ilegal. Më parë ai ka takuar homolgun italian Angelino Alfano, atë të Hungarisë Sandor Pinter, e tani bisedoi edhe me shefat e policive të shteteve ballkanike. Në takim janë propozuar masat për parandalimin e kalimeve ilegale të kufirit.

“Vala e refugjatëve, migrimet dhe lëvizjet në itinerarin e Ballkanit ende shkaktojnë shqetësime. Ne duhet të shikojmë me shumë kujdes rrugët nëpër Rumani, Bullgari, Serbi dhe vendet tjera”, tha Sobotka.

Takimi me krerët e policive

Në Vjenë ishin shefat e policisë nga Bullgaria, Greqia, Kroacia, Maqedonia, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Çekia dhe Hungaria, si dhe përfaqësuesit e Europolit dhe Frontexit. Pas takimit nuk u dhanë shpjegime të hollësishme për masat e propozuara. “Austria është e prekur me valët e fundit të refugjatëve nga Ballkani por edhe nga Deti Mesdhe. Ne do të jemi syçelë, sepse migracionin ilegal mund ta luftojmë me sukses, vetëm nëse i harmonizojmë qëndrimet”, tha Konrad Kogler, drejtori i përjgithshëm i sigurisë publike në Austri. Ky takim konsiderohet si pjesë e përgatitjeve për konferencën ballkanike për refugjatë, e cila do të mbahet në Vjenë në mes të korrikut. Ministri i Brendshëm Sobotka tha se qëllimi kryesor është që rrugët e Ballkanit të mbeten të mbyllura.

Rrugët e reja edhe më të rrezikshme

Fabrice Leggeri, shef i Frontexit, ka shprehur shqetësim me zhvillimet e fundit. Në veçanti Italia është e ngarkuar me refugjatë, sepse kohët e fundit në Itali kanë ardhur nga Libia 13 -14 herë më shumë njerëz se sa numri i atyre që kalojnë nga Turqia në Greqi. Kjo rrugë shfrytëtzohet më së shumti prej refugjatëve nga Afrika perëndimore dhe Briri i Afrikës. Në Eritre, Senegal, Gambi, Bregun e Fildishtë dhe Nigeri po mbretëron një gjendje e rëndë dhe nuk ka një perspektivë të duhur ekonomikel. Por këto rrugë po i shfrytëzojnë edhe persona të tjerë, thotë Liggeri.

Austria ka shprehur gatishmër që të mbështesë me ekspertë për përballjen e kësaj vale dhe hapjen e “Hotspots”, në mënyrë që të ardhurit të regjistrohen që në anije. “Ata që nuk kanë nevojë për mbrojtje duhet të kthehen, ndërsa të tjerët mund të futen në Itali”, thotë Sobotka.

Itinerari ballkanik

Me mbylljen e itinerarit ballkanik dhe nënshkrimin e Marrëveshjes mes BE dhe Turqisë, numri i refugjatëve që kalojnë nga ky vend në Greqi ka rënë në mënyrë dramatike. Këtë konfirmojnë edhe të dhënat e fundit. Por gjendja e atyre që kanë mbetur në Ballkan është shumë e rëndë, mendon Armina Galijas nga Qendra për Studime Juglindore në Graz. “Ata po përpiqen të kalojnë në vendet perëndimore, ndërsa kontrabandistët kërkojnë tani shumë edhe më të mëdha parashë“. Ajo kritikon edhe sjelljet e përfaqësuesve të BE. “Shumë politikanë në Ballkan konsiderohen si autoritar dhe nacionalistë. Por kur u përgjigjen kërkesave për ndalimin e refugjatëve, atëherë trajtohen si partner të rëndësishëm“, thotë Galijas.

Tani edhe Austria ka plane të reja me partnerët në Ballkan. “Bashkëpunimi i mirë mes vendeve tona ka qenë çelësi i ndalimit të valës së refugjatëve”, pohon Konrad Kogler. Takimi në Vjenë kishte për qëllim që ky bashkëpunim të vazhdojë. (dw)

Reforma në Drejtësi në kalendarin e parlamentit

parlamentiNdryshimet kushtetuese në programin trejavor të muajit korrik. Debate në konferencën e kryetarëve të grupeve dhe për 7 projektligjet që shoqërojnë Reformën

Në Shqipëri, ndryshimet kushtetuese të parashikuara nga Reforma në Drejtësi janë përfshirë në kalendarin tre javor të punimeve të parlamentit në muajin korrik. Në konferencën e Kryetarëve të grupeve parlamentare, ku u diskutua çështja e kalendarit pati sërish përplasje mes shumicës dhe opozitës. Kjo e fundit këmbëngul në arritjen më parë të një dakortësie për pikën e vetme të mbetur pezull, atë të formulës së emërimeve nga ana e parlamentit të anëtarëve të disa prej institucioneve të sistemit të Drejtësisë.

Po ashtu, mosmarrëveshje gjatë mbledhjes pati edhe lidhur me kërkesën për përfshirjen po në rend të ditës së 7 projektligjeve që duhet të shoqërojnë Reformën në Drejtësi, për të mundësuar një zbatim sa më të shpejtë të saj. Vendimi përfundimtar pritet të merret në fund të seancës së sotme të parlamentit, ku kalendari trejavor do të hidhet në votim, ku nevojitet vetëm një shumicë e thjeshtë. Shumica ka kërkuar që ndryshimet kushtetuese të votohen më 21 korrik.

Po sot administrata e parlamentit u ka shpërndarë deputetëve një botim të Kushtetutës së vendit ku janë përfshirë dhe ndryshimet e reja të parashikuara nga projektii Reformës në Drejtësi. Botimi është mundësuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe misioni amerikan I ndihmës ligjore nga Departamenti I Drejtësisë, OPDAT. (voa)