Qeveria e Serbisë rehabiliton Slobodan Milosheviqin

MillosheviciDy ministra të Qeverisë së Serbisë kanë deklaruar publikisht se ish-lideri serb i viteve ‘90, Slobodan Milosheviq, “nuk ka qenë kriminel, por hero” dhe se ai ka luftuar për “interesat serbe”.

Duke komentuar vendimin e paradokohshëm të Tribunalit të Hagës, sipas të cilit Slobodan Milosheviqi lirohet nga akuzat për pjesëmarrje në krim lufte në Bosnjë dhe Hercegovinë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se në fund, do të vërtetohet se Milosheviqi “nuk ka qenë kriminel lufte, por luftëtar për interesa të serbëve”.

Daçiqi, që tani është kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), të cilën Milosheviqi e ka udhëhequr derisa ka qenë gjallë, në vitet ‘90, në kohën e luftërave në Bosnjë dhe Kosovë, ka qenë zëdhënës i kësaj partie, shkruan sot Koha Ditore.

“Herë do kurdo, e vërteta del në sipërfaqe. Kështu është edhe tani, Milosheviqi nuk ka qenë kriminel lufte, por i ka mbrojtur interesat serbe dhe këtë do ta dëshmojë historia”, ka thënë Daçiqi në një deklarim për tabloidin serb “Alo”. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

James HooperShkruan: James Hooper, ish diplomat amerikan, ekspert për Ballkanin (përktheu Artan Haraçia)

Fakti që nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara mund ta vizitojë Serbinë dhe Kosovën pa ndonjë atmosferë krize, pa pritje se ai duhet të vijë për të ndalur një luftë, tregon se sa shumë ka ecur para Ballkani.

Por, Kosova dhe Serbia duhet ta kuptojnë si duhet vizitën e Bidenit. Në mungesë të një krize, vëmendja e madhe e SHBA-ve për rajonin nuk duhet të merret më si diçka e sigurt, edhe nëse është fjala për një mik që i ka marrë gjithmonë seriozisht problemet e rajonit gjatë ditëve të errëta, kur dhuna ishte endemike dhe e ardhmja dukej e zbehtë dhe i cili ka dhënë kontribut të madh për stabilitetin relativ që rajoni tani e ka.

Mbi të gjitha, liderët e Kosovës kanë nevojë që t’ia shprehin nënpresidentit Biden, i cili do të jetë në detyrë deri më 20 janar, se ata janë në gjendje të angazhohen me SHBA-të në baza strategjike.

Kjo nënkupton përqëndrimi i vëmendjes në çështje që janë shqetësime amerikane, veçanërisht çështje që kanë të bëjnë me sigurinë e rajonit: e ardhmja e marrëdhënieve me Serbinë dhe si të ecët përpara; kërcënimi që mungesa e stabilitetit në Maqedoni të përhapet si infeksion dhe si të prandalohen ekstremistët nga nxitja e telasheve atje; përhapja e simpatisë për ekstremistët islamik në Kosovë dhe rajon, dhe si të zbutet ky ekstremizëm; dhe planet se si të zbutet korrupsioni në Kosovë pavarësisht se çfarë çmimi i dhimbshëm të ketë.

Shkurtimisht, liderët e Kosovës duhet t’iu japin arsye zyrtarëve të lartë amerikanë që janë pjesë e delegacionit për t’u angazhuar me Kosovën në çështje strategjike, në mënyrë që delegacioni të largohet nga Prishtina me bindjen se ka ende përparësi të dyanshme që Kosova të trajtohet si aleat i besueshëm dhe partner i afërt në rajon.

Rreziku më i madh është që udhëheqja kolektive e Kosovës do të shfaqë sjellje më provinciale dhe pritje që do të bindin zyrtarët amerikanë që ka pak rrezik dhe asnjë çmim për SHBA-të që të lejojnë marrëdhëniet bilaterale me Kosovën të vazhdojnë tutje.

Kjo nënkupton evitimin e tendencës së disa kosovarëve që të ankohen rreth vështirësive të tyre dhe të pyesin SHBA-të që të marrin përsipër zgjidhjen e çështjeve që në fakt Kosova ka fuqi t’i zgjidh vet, siç është puna me shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Bindja ime është, ndonëse unë nuk pretendoj se jam ekspert në lidhje me kufirin, por kosovarët kanë pasur mundësi ta trajtojnë këtë shumë më mirë nga fillimi dhe se ende nuk është shumë vonë që të kërkohet përfshirja e Komisionit të Venedikut për të gjetur një mënyrë për të zgjidhur problemin në mënyrë konstruktive.

Kosova do të ishte në një pozitë shumë më të fuqishme për të vazhduar qëllimin drejt anëtarësimit në NATO nëse liderët e saj shfaqin shkathtësinë e tyre për të zgjidhur këtë problem vet me malazezët se sa që të mbështetën në SHBA t’i lirojë nga barra dhe presioni i arritjes së një kompromisi që funksionon.

Sa i përket NATO-s, është legjitime për liderët e Kosovës që të angazhohen seriozisht me nënpresidentin Biden për të gjetur një rrugë realiste drejtë anëtarësimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit të para-anëtarësimit të saj me Aleancën.

Marrë parasysh rëndësinë e rolit që ka të bëjë me NATO-n në diskutimet me administratën e SHBA-ve, është e pranueshme dhe bile edhe e nevojshme për kosovarët që të kërkojnë perspektiven e Bidenit, këshillë dhe ndihmë në avansimin e kandidaturës së Kosovës në një mënyrë të qartë që shkon përtej retorikës rreth qëllime përfundimtare.

Kosovarët duhet të insistojnë dhe atë fuqishëm, për diçka të qartë nga Bideni sa i përket NATO-s. Duke e pasur parasysh se sa e rëndësishme është NATO për sigurinë përfundimtare të Kosovës, dhe pengesat që i ka drejtë anëtarësimit në BE dhe OKB, qëndrueshmëria e pavarur e Kosovës në një periudhë të caktuar do të lidhet me rrugën e saj të mundshme drejtë anëtarësimit në NATO.

Vizita e Bidenit në Serbi është potencialisht me rëndësi tejet të madhe, nëse ai do e sjellë me veti mesazhin se SHBA-të duan të zhvillojnë partneritet më të afërt me Beogradin.

Prej një marrëdhënie më të afërt SHBA-Serbi nuk do të përfitonin vetëm dy shtetet, por edhe Kosova.

Më e rëndësishme për Serbinë, kjo do iu jepte serbëve një mënyrë për të ecur përtej politikës së tyre që është e dalur afati dhe statike, një trashegimi i epokës së Titos kjo, duke e pozicionuar në mes të SHBA-ve/BE-së dhe Rusisë, në një mënyrë që nuk janë “as në perëndim, por as në lindje”.

Kjo i ka lënë ata në ekspozuar ndaj pretendimeve ekonomike dhe politike hegjemoniste të Rusisë pa iu dhënë atyre avantazh të rëndësishëm ndaj Rusisë apo perëndimit.

Biden duhet t’iu bëj të qartë serbëve që një partneritet më i afërt me Serbisë mund të arrihet vetëm duke u mbështetur në një themel solid të lidhjeve në mes të Beogradit dhe Prishtinës dhe se Serbia duhet të ecë shumë përpara që të mësohet me realitetin në lidhje me pavarësinë e Kosovës përfshirë edhe një anëtarësim të afërt në OKB.

Kjo nuk ka nevojë të ndodhë gjatë gjashtë muajve të administratës së Obamës, por do të ndihmonte sikur Biden t’iu ofronte bashkëbiseduesve në Beograd një horizont se kur kjo do të ndodhë.

Teksti u shkrua enkas për Radion Evropa e Lirë

Projekte të rëndësishme energjetike për Shqipërinë dhe rajonin

rrjeti energjetikMe mbështetjen e Gjermanisë janë mundësuar projekte të rëndësishme energjetike për Shqipërinë dhe rajonin, thotë në intervistë me DW-në ministri i Energjisë dhe i Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri.

DW: Së fundmi Shqipëria është kredituar me 30 milionë euro nga Gjermania për fazën e parë të projektit për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit mes vendit tonë dhe Maqedonisë fqinje. Cili është impakti i pritshëm konkret dhe cilat do të jenë hapat e mëtejshëm të këtij projekti?

Gjiknuri: Financimi i këtij projekti është i ndarë në dy pjesë: Elbasan – Qafë Thanë, kufiri mes Shqipërisë dhe Maqedonisë) dhe Elbasan-Fier. Me qeverinë gjermane kemi firmosur marrëveshjen për një kredi zhvillimi në vlerën 30 milion euro. Kjo është faza e parë, pasi në fazën e dytë do të firmosim edhe për një shumë tjetër prej 20 milion eurosh po për të njëjtin projekt, çka e çon shumën totale në 50 milion euro. Përveç kësaj, kemi siguruar edhe një grant prej 14 milion eurosh nga Bashkimi Evropian që plotëson mbulimin e plotë të projektit të linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Jemi aktualisht në fazat përfundimtare të përgatitjeve të nevojshme që punimet për ndërtimin e kësaj linje të fillojnë në pjesën e parë të vitit 2017. Ato parashikohet të zgjasin për një periudhë 3-vjeçare dhe linja të jetë në funksion në fillimin e vitit 2020. Do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e kapacitetit të transmetimit rajonal të energjisë elektrike. Gjithashtu, do të ndikojë në rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit nëpërmjet një efikasiteti të shtuar dhe besueshmërisë së sistemit të transmetimit në Shqipëri dhe rajon. Ndërtimi i linjës do të mundësojë që kapaciteti i transmetimit mes dy vendeve të rritet me të paktën 1000 MW. Përtej dy vendeve fqinje, kjo linjë interkonjeksioni i krijon mundësinë Shqipërisë që të lidhet edhe me Bullgarinë me të cilën mund të avancohet në shkëmbim të ndërsjelltë energjie me më shumë alternativa e përfitim reciprok.

DW: Duke marrë shkas nga ky projekt, çfarë po bën Shqipëria në atë që vazhdimisht përflitet si ndërtimi i rrjetit rajonal të energjisë? Cilat janë sfidat kryesore në këtë angazhim që ju e keni konsideruar si strategjik dhe si po bashkëpunoni me vendet e tjera?

Gjiknuri: Linja 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Maqedonisë e përmbyll plotësisht lidhjen e vendit tonë me fqinjët. Zhvillimi i infrastrukturës së interkonjeksioneve ka krijuar kushte për të realizuar një treg të hapur dhe konkurues duke shfrytëzuar gjithë mundësitë e diversiteteve të gjenerimit. Me masat e marra nga qeveria shqiptare për një kuadër ligjor bashkëkohor, në harmoni të plotë me direktivat europiane, krijimi i kësaj infrastrukture moderne do të sjellë edhe organizimin e një tregu energjie të hapur dhe konkurues. Ministria e Energjisë, në këtë periudhë është fokusuar në drejtim të plotësimit të akteve nënligjore, ku më i rëndësishmi është hartimi i modelit të tregut. Në bashkëpunim me konsulencën e Qeverisë së Mbretërisë së Norvegjisë po punohet për organizimin e tregut të një dite më parë (day ahead market) nëpërmjet Bursës Shqiptare të Energjise, Power Exchange – PX. Si një hap i rëndësishëm i këtij procesi të nisur tashmë, do të jetë organizimi i tregut të përbashkët Shqipëri-Kosovë nëpërmjet Market Coupling duke krijuar mundësitë për zhvillime të një tregu rajonal. Ndërtimi i burimeve të reja gjeneruese është shumë i rëndësishëm për Kosovën, por nga ana tjetër edhe për bashkëpunimin dy palësh të sistemeve tona komplementare. Edhe në këtë drejtim, të dy ministritë respektive kanë firmosur një Memorandum Mirëkuptimi ku angazhohen në gjetjen e mundësive financiare për ndërtimin e kapaciteteve të përbashkëta gjeneruese. Në këtë frymë të mirëkuptimit, për të çuar në një stad të mëtejshëm bashkëpunimin, po përgatitet udhërrëfyesi, për të gjitha hapat që duhen hedhur në realizimin e bashkëpunimeve konkrete dy palëshe.

DW: Sektori energjitik ka qenë dhe mbetet prioritar në marrëdhëniet e bashkëpunimit teknik e financiar mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Cilat janë konkretisht aspektet ku ju jeni duke punuar për të marrë mbështetje nga pala gjermane?

Gjiknuri: Gjermania ka patur një vëmendje të vazhdueshme për sektorin elektroenergjitik në Shqipëri. Në cilësinë e ministrit të Energjisë dhe Industrisë konstatoj se bashkëpunimi me qeverinë gjermane është në nivelet më të larta. Me mbështetjen e Gjermanisë, përmes Bankës KfW janë mundësuar projekte të rëndësishme investimi jo vetëm në sistemin e transmetimit por edhe në atë të gjenerimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike. Mjafton të ndalem kështu në disa projekte të rëndësishme si financimi për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV Elbasan-Tiranë-Podgoricë; financimi i projektit të ndërtimit të linjës 400 kV mes Shqipërisë dhe Kosovës ashtu sikurse edhe financimi i projektit “Linja unazore 110 kV e Shqipërisë së Jugut”. Po përmes këtij bashkëpunimi është vënë në jetë projekti për rehabilitimin e nënstacionit 110 kV dhe rrjetit të shpërndarjes në qytetin e Korçës. Ky investim sëbashku me ndërtimin e nënstacionit 400 kV të Zemblakut dhe linjës Zemblak-Korçë ka sjellë rritjen e sigurisë dhe cilësisë së furnizimit për Korçën, Kolonjën, Devollin, Pogradecin e Librazhdin. Përmes projektit “Furnizimi me energji elektrike i Shqipërisë së Jugut” është bërë e mundur investimi në ndërtimin e linjës 110 kV Bistricë-Sarandë, nënstacioni 110/20 kV në Sarandë, nënstacioni 110/20 kV në Gjirokastër dhe rehabilitimi i një pjese të rrjetit të qytetit të Sarandës. Është në zbatim projekti i energjive të rinovueshme dhe efiçencës së energjisë në vlerën 9 milion euro që parashikon mbështetje të biznesit privat në investime për energji të rinovueshme. Të kujtojmë protokollin e bashkëpunimit mes dy vendeve të 8 majit 2014, ku janë detajuar piketat e projekteve të ardhshme. Një prej tyre është financimi i sigurisë së digave në Kaskadën Mat-Drin në vlerën 20 milion euro. Përmes një tjetër financimi, Operatori i Sistemit të Transmetimit do të mund të fillojë punën për ndërtimin e dy nënstacioneve të rëndësishme në zonën e bregdetit të jugut, në Himarë dhe Orikum. Shoqëruar më tej edhe me investimet që do të kryejë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, do mundësohet që brenda vitit 2017 të marrë zgjidhje përfundimtare problemi i furnizimit me energji për vijën bregdetare të jugut. Po zbatohen tanimë edhe projektet e tjera të efiçencës së energjisë si ai në sektorin bankar apo ai për rikonstruksionin e godinave të Qytetit Studenti me parimin e efiçencës së energjisë. Aktualisht jemi duke punuar për të zgjeruar bashkëpunimin dhe kontributin e qeverisë gjermane për investime në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike, çka përbën edhe një prej sfidave më të rëndësishme me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe cilësinë e furnizimit me energji për qytetarët.

DW: Cilat janë problemet kryesore me të cilat ju po përballeni për të rritur eficencën e rrjetit të brendshëm energjitik, që të arrini furnizim të pandërprerë dhe cilësor për konsumatorët familjarë dhe bizneset, për të minimizuar humbjet dhe shpërdorimin e energjisë dhe të maksimalizoni eksportin?

Gjiknuri: Raportet e fundit të institucioneve prestigjoze ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore apo agjenci të njohura si “Standart & Poor’s” dhe “Moody’s” e kanë konsideruar reformën në sektorin elektroenergjitik shumë të suksesshme. Konstatohet se hapat e ndërmarra kanë krijuar një efekt pozitiv në financat publike duke e çliruar Buxhetin e Shtetit nga barra e një sektori thuajse zyrtarisht të falimentuar. Vitin e fundit, niveli i humbjeve u reduktua në shifrën rekord prej 31% ndërsa në vitin 2013 e gjetëm jo pak por 45%. Treguesit e 6-mujorit të parë të 2016 tregojnë për vijimësinë e reduktimit të humbjeve. Ato kanë zbritur në 28.86% ndërsa për të njëjtën periudhë të një viti më parë ishin 3.33% më lart. Operatori i Shpërndarjes arkëtoi për vitin 2015 shumën totale prej 65,7 miliard lekësh ndërsa dy vite më parë mblidheshin vetëm 38,3 miliard. Për 6-mujorin e parë të 2016 rezulton të jenë arkëtuar për faturat e energjisë dhe këstet e aktmarrëveshjeve 30,8 miliard lekë. Janë këto tregues dhe vendosmëria për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike arsyeja se përse institucionet ndërkombëtare e kanë rifituar tashmë besimin tek qeveria shqiptare duke u treguar të gatshëm për të mbështetur sektorin elektroenergjitik. Shikoni, përtej asaj çka është arritur në këto vite, padyshim jemi të vetdijshëm se ka ende shumë probleme që kërkojnë zgjidhje. Po vazhdojmë zbatimin e programit të rimëkëmbjes së sektorit për të ulur edhe më tej nivelin e humbjeve në rrjetin elektrik. Shqipëria po zbaton tashmë reformat ligjore në sektorin elektroenergjitik që e kanë bërë të jetë ndër të parët edhe në rajon. Po implementojmë një model tërësisht të ri të organizimit të tregut të energjisë elektrike duke përkrahur dhe krijuar kushtet për çdo iniciativë të bashkëpunimit rajonal të tregut, deri në krijimin e Bursës së energjisë. Po zbatojmë një reformë strukturore, e cila sëpari garanton kompanitë publike që të ushtrojnë veprimtari të ndara në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe detyrat funksionale që ato kanë dhe të kthehen në kompani vërtet tregtare e llogaridhënëse. Reforma tarifore dhe rregullatore bëri të mundur të krijojë kushtet për hapjen dhe funksionimin e tregut të liberalizuar. Prioritet ka qenë edhe mbështetja me infrastrukturë, ndërsa investimet që po kryhen rrisin sigurinë e furnizimit të vendit, përmiresojnë cilësinë e furnizimit të konsumatorëve. Me të drejtë, qytetarët kërkojnë një furnizim edhe më cilësor me energji. Jam i bindur se investimet që po kryhen në nënstacione të reja, linja, kabina e sisteme matjeje do të çojnë në uljen e kostove, reduktimin e ndjeshëm të defekteve dhe shkurtimin e kohës së riparimit të tyre. Shembull për këtë ishte padyshim edhe ky sezon turistik gjatë të cilit u vunë re shumë më pak probleme furnizimi me energji nëse krahasohet me vitet e kaluara. Jam i vetdijshëm se ka ende probleme edhe në raportin mes qytetarëve dhe kompanisë së shpërndarjes. Por, insistoj se vetëm vazhdimi i programit të rimëkëmbjes energjitike do të bëjë të mundur modernizimin e shërbimit ndaj klientit ndërsa aplikimi i teknologjive të reja do të mundësojë reduktimin e thellë të rasteve të problemeve me faturimin.

Në prag të vizitës së nënpresidentit amerikan Biden në Serbi dhe Kosovë

BidenNënpresidenti amerikan Joe Biden do të qëndrojë gjatë dy ditëve të ardhshme në Serbi dhe në Kosovë për të takuar udhëheqësit më të lartë të të dyja vendeve që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, ndërsa janë përfshirë në një proces bisedimesh të vështira për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Ai pritet që në Serbi të përçojë mesazhin e partneritetit. Muajin e kaluar Shtetet e Bashkuara transferuan në Serbi dy të burgosur nga burgu i Guantanamos një veprim që u vlerësua si gjest humanitar i Beogradit që po ecën në vijën e ngushtë ndërmjet synimeve për integrime evropiane dhe ruajtjen e lidhjeve tradicionale me Moskën.

Nënpresidenti Biden pritet të nxisë Beogradin që të përshpejtojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën por edhe të trajtojë me përparësi çështjet që lidhen me krimet e luftës. Në këtë kuadër ai pritet të diskutojë edhe ndriçimin e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyci, tre shqiptaro amerikanë që u vranë në rrethana të panjohura në korrik të vitit 1999.

Kryeministri serb, Aleskandër Vuçiç, është zotuar disa herë për ndriçimin e këtij rasti, por edhe 17 vjet pas luftës autorët nuk janë identifikuar dhe as vënë para drejtësisë.

Shtetet e Bashkuara luajtën rolin kryesor në fushatën e bombardimeve të NATO-s që çuan në përfundimin e luftës në Kosovë dhe në proceset politike që çuan në pavarësinë e saj e cila vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi.

Radikalët serbë, pjesë e të cilëve deri në vitin 2008 ishte edhe kryeministri aktual i Serbisë Aleksandër Vuçiç, kanë paralajmëruar protestë kundër vizitës së nënpresidentit Biden.

Në Kosovë ndërkaq po bëhen përgatitjet për vizitën e nënpresidenti Biden dhe udhëheqësit e saj e kanë cilësuar atë me rëndësi historike.

Vizita e tij e gjen Kosovën në një periudhë tensionesh për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Kjo çështje mund të zërë vend në takimet e tij në Prishtinë ku pritet që të diskutohet edhe përballja me ekstremizmin e dhunshëm si një sfidë në nivel botëror, por edhe me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Nënpresidenti Biden do të marrë pjesë të mërkurën në ceremoninë e emërimit të një rruge që çon në kampin e forcave amerikane të KFOR-it, me emrin e dalit të tij të ndjerë Joseph “Beau” Biden.

Kjo do të jetë edhe një nga rrugët që mbajnë emrat e personaliteteve amerikane, një formë kjo me të cilën në Kosovë shprehet mirënjohja për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën. (voa)

Me erë këmbësh kundër mushkonjave

MushkonjaMushkonjat nuk janë vetëm të bezdisshme. Çdo vit në botë vdesin mbi një milion vetë nga sëmundje që transmetohen prej tyre. Tani shkencëtarët kanë gjetur një mjet të ri kundër tyre.

Prej mijëvjeçarësh njerëzit zhvillojnë një luftë të mundimshme kundër mushkonjave – me dorë, me rrjeta kundër insketeve apo me vrarëse insektesh, me kremëra dhe ilaçe kundër mushkonjave apo madje edhe me pesticide helmuese.

Tani në luftë kundër mushkonjave studiuesit kanë një ide e re: mjekë, biologë dhe kimistë të Universitetit Wageningen në Holandë dhe të Institutit zviceran dhe për Sëmundje Tropikale dhe Shëndetin Publik në Bazel kanë testuar me kolegët e tyre të Qendrës për Fiziologjinë e Insekteve dhe Ekologjinë në Kenia një kurth të pazakonshëm kundër mushkonjave. Ky kurth imiton pothuajse në mënyrë të përkryer erën e trupit të njeriut. Dhe me sa duket pikërisht është kjo erë e cila i tërheq aq shumë mushkonjat.

Studiuesit e kanë publikuar përfundimet e tyre në numrin e fundit i revistës shkencore “The Lancet”.

Grupi studimor rreth profesorit Willem Takken ka zhvilluar një studim trevjeçar dhe nga i cili rezultoi se prej përdorimit të kurthit me erën e njeriut numri i mushkonjave që shkaktojnë ethe dhe malarie në ishullin kenian Rusinga ka rënë me 70%.

Era e këmbëve kundër mushkonjave

Dr. Renke Lühken, studiues pranë Institutit për Sëmundjet Tropikale “Bernhard Nocht” në Hamburg thotë në bisedë me Deutsche Welle-n se mushkonjat kanë nevojë për gjak që të riprodhohen dhe prandaj pickojnë njerëzit. “Ideja për t’i luftuar ato me erën e trupit të njeriut nuk është e re. Në Afrikë njerëzit përdorin prej kohësh çorape të përdorura që lëshojnë erën e trupit të njeriut për të ndjellë mushkonjat.”

Kurthi i ri i ngjan një kapuçi. Ai përmban një përzjerje që imiton erën e trupit të njeriut. Sapo mushkonjat e ndjejnë këtë erë dhe afrohen, ato thithen në “kapuç” prej një ventilatori.

Shkencëtarët që kanë shpikur këtë pajisje, theksojnë se kjo është një “metodë e qëndrueshme dhe e favorshme për mjedisin për t’i luftuar mushkonjat pa përdorur insekticide.” Willem Takken mendon se në ndryshim me kimikatet helmuese, në rastin e kurthit me erë njeriu, nuk ka gjasa që mushkonjat me kalimin e kohës të bëhen “rezistente” ndaj këtij kurthi, sepse atyre u nevojitet aftësia për të gjetur “viktima njerëzore” për të thithur gjakun që u duhet për t’u riprodhuar.

Një mjet efikas kundër malaries

Malaria është shkaku kryesor i vdekjes në kontinentin afrikan. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) çdo vit nga malaria vdesin rreth një milion njerëz – gjë që do të thotëgati dy vdekje për minutë. 90% e pacientëve me malarie jetojnë aktualisht në Afrikë. “Mposhtja e malaries, pa përdorur pesticide, është ëndrra ime”, thotë shpikësi i kapuçit me erë njeriu Willem Takken. Ai shpreson se përmes këtij aparati do të reduktohet jo vetëm numri i mushkonjave por edhe konsumi i pesticideve.

Po ashtu rryma që përdoret për ventilatorin e kapuçit në ishullin Rusinga prodhohet me panelë diellorë, sepse banorët e këtij ishulli nuk janë ende të lidhur me rrjetin qëndror të energjisë. (dw)

Puçi i dështuar, kriza e fundit që e largon Turqinë prej perëndimit

AtaturkShkruan Ilhan Tanir, analist turk dhe gazetar që jeton në Uashington

Efektet e grusht shtetit të dështuar në Turqi vazhdojnë të trazojnë këtë vend, dhe me të vërtetë ndikimi shkon edhe më tej. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, për grusht shtetin e fajëson klerikun Fetullah Gylen, i cili po jeton në ekzil të vetëshpallur në Pensilvania.

Përpjekja për grusht shtet është ngjarja e fundit që trazon marrëdhëniet në mes të Turqisë dhe perëndimit, dhe derisa kjo aleancë vazhdon të përkeqësohet, kjo do të ketë pasoja serioze në sigurinë e rajonit në Lindje të Mesme, krizën në Siri, baraspeshën gjeopolitike dhe luftën kundër grupeve terroriste, siç është Shteti Islamik.

Pasojat në Turqi vazhdojnë, duke rrezikuar institucionet kyçe turke. Rreth 80 mijë njerëz që dyshohet se kanë lidhje me lëvizjen e Gylenit, që Turqia e ka shpallur organizatë terroriste në vitin 2015, të emërtuar Organizata Terroriste Gyleniste (FETO), janë pezulluar nga vendet e tyre të punës në institucione të ndryshme turke, përfshirë këtu edhe 45 mijë punonjës vetëm në Ministrinë e Arsimit. Të dhënat e fundit të ministrit turk të drejtësisë, Bekir Bozdag, thonë se 18 mijë persona janë arrestuar formalisht, derisa rastet e 6 mijë të tjerëve janë ende duke u proceduar.

Raportet thonë se sistemi penal i Turqisë edhe më parë ka qenë i tendosur me burgje tej mase të mbushura dhe gjykata që kanë pasur shumë lëndë pa shqyrtuar.

Këtë pranverë, burgjet turke kanë pasur 188 mijë të paraburgosur, rreth 8 mijë më shumë sesa kapacitetet ekzistuese. Tash vendi përballet me ngarkesën e shtuar të trajtimit të fluksit të dhjetëra mijëra të paraburgosurve të ndaluar pas grusht shtetit të dështuar. Në mesin e këtij grupi të paraburgosurve janë edhe rreth 3 mijë prokurorë dhe gjykatës, që përbën pak më shume se 20 % të stafit të gjyqësorit, sfidat nëpër gjykata dhe burgje turke janë duke u bërë pothuajse të pa kalueshme. Dhe, presidenti Erdogan ka thënë se këto arrestime janë vetëm maja e ajsbergut, pra është e arsyeshme që të priten shumë më tepër arrestime gjatë ditëve në vijim.

Erdogani është duke e forcuar kontrollin personal mbi vendin, dhe shumë kritikë të qeverisë së tij mund të përfundojnë në rrjetën e tij. Sipas rregullave të gjendjes së emergjencës, që mund të shpallet vetëm nga presidenti, autoritetet mund të paraburgosin të gjithë deri në 30 ditë pa pasur nevojë të kenë ndonjë dëshmi apo të shkruajnë aktakuzë. 77 gazetarë janë momentalisht në burg, 42 prej të cilëve janë të përfshirë në ndonjë mënyrë me përpjekjet për grusht shtet. Numri i vërtetë i gazetarëve të arrestuar mund të jetë më i lartë pasi paraburgosja e gazetarëve vendorë shpesh nuk raportohet fare në tërë vendin.

Sipas dëshmive, gazetarët e arrestuar janë pyetur rreth shkrimeve të tyre nëpër kolumne, postimet në “Twitter”, apo libra, por nuk iu është paraqitur ndonjë dëshmi nga autoritetet që do i lidhte ata me grusht shtetin e dështuar. Ata realisht po mbahen të mbyllur për krime të menduara, duke u akuzuar se e kanë “përqafuar FETO-n” dhe se kanë “shfajësuar përpjekjen për grusht shtet”, akuza këto tejet të paqarta. Gazetarët kurdë janë gjithashtu duke u mbyllur, edhe nëse nuk kanë kurrfarë lidhje me Gylenin.

Një Rrjet i Gjerë

Para puçit, shumë politikanë turq, liderë dhe burokratë të nivelit të lartë kanë bërë garë se kush më shumë po e merr bekimin e Gylenit. Si rezultat i kësaj, tash, pothuajse secili nga cilado parti politike turke mund të arrestohet për dyshimin se është anëtar apo ka lidhje me Lëvizjen e Gylenit, FETO. Në fakt, ish guvernatori i Stambollit, Huseyin Avni Mutlu, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në shtypjen e protestave kundër qeverisë në vitin 2013 rreth planeve që qeveria e Erdoganit kishte për parkun e njohur të qytetit, “Taksim Gezi”, është arrestuar me dyshimin se është anëtar i FETO-s, dhe deri më tash ai e ka pranuar se ka folur me Gylenin në vitin 2012.

Ndërkohë, disa prej gazetarëve të burgosur dhe të tjerë po kanë vështirësi të gjejnë mbrojtës për shkak se edhe shumë avokatë që kanë luftuar për të drejtat e njeriut gjithashtu janë paraburgosur dhe disa prej tyre janë në arrati. Në Turqi, avokatët mund të paraburgosen edhe për shkak të llojit të dyshuarve që mbrojnë, një sulm i pacipë ky mbi të drejtat fondamentale, që në fakt përbën esencën e institucionit të gjyqësorit.

Turqia asnjëherë nuk ka pasur media të lira. Megjithatë, në të kaluarën, gazeta relativisht të pavarura që kanë pasur lidhje me disa grupe të fuqishme në Turqi e bënin hapësirën mediale të Turqisë më të gjallë dhe që përfaqësonte segmente të ndryshme të shoqërisë turke. Derisa Erdogani e konsolidon pushtetin e tij, ai është bërë lideri i pa konkurrentë politik në Turqi, ndërkohë liria redaktoriale turke dhe hapësira për debat po tkurren në të njëjtën masë. Sipas Reporterëve Pa Kufij, Turqia renditet e 115-a nga 184 shtete në Indeksin e lirisë së medieve për vitet 2015 dhe 2016, duke u renditur edhe më keq se Rusia.

Pas grusht shtetit, gjërat janë bërë edhe më keq. Një dekret i shpallur nga pallati presidencial i Erdoganit më 27 korrik ka mbyllur mbi 130 organizata mediale (kanale televizive, revista, gazeta, portale lajmesh etj). Është e vërtetë që shumë nga ato media kanë qenë të lidhura me lëvizjen e Gylenit, por shumë të tjera që kanë qenë në atë listë nuk kanë asnjë lidhje.

Kjo shtypje, që është kritikuar nga shumë liderë perëndimorë, është duke e larguar edhe më shumë Turqinë nga aleatët perëndimorë.

Përpjekje për grusht shtet, siç e tha edhe vet Erdogani në orët e para të 16 korrikut, gjatë konferencës së mbajtur në aeroportin Ataturk të Stambollit, ka qenë “një dhuratë nga Zoti”, pasi kjo i jep atij mundësinë të pastrojë ushtrinë nga “pjesëtarët e bandës” dhe prej “viruseve”. Sidoqoftë, duket që edhe shumë të tjerë që s’kanë të bëjnë me Gylenistët gjithashtu po “pastrohen” nga institucionet e shtetit. Për shembull, neo-nacionalisti dhe koluminsti sekular, Emin Colasan, është ankuar zëshëm se edhe shumë qytetarë “pro Ataturkut, pro republikan dhe pro sekular” janë viktimizuar si pasojë e gjuetisë së shtrigave ndaj Gylenistëve.

Siria, Katalizatori i Ndarjes së Turqisë me Perëndimin

Viti 2013 duket se ka qenë koha kur çdo gjë filloi të shkojë në drejtimin e gabuar sa i përket qëndrimeve ndërkombëtare të Erdoganit.

Në maj të vitit 2013, Erdogani si kryeministër e viziton Shtëpinë e Bardhë, duke i organizuar pritje të nivelit të lartë. Megjithatë, prapa skenës, liderët nuk janë pajtuar në çështjen kryesore, si të reagohet ndaj krizës në Siri. Dy javë pas këtij takimi shpërthejnë protestat në Parkun Gezi të Stambollit. E tërë bota dënoi mënyrën se si Erdogani i shtypi protestat, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët në perëndim. Fytyra e buzëqeshur e një Erdogani reformist u përmbys menjëherë, duke dalë në sipërfaqe fytyra e një lideri autoritar islamist. Erdogani, megjithë paralajmërimet e presidentit amerikan, Barack Obama, gjatë takimit kokë më kokë, vazhdoi të përkrahë të gjithë luftëtarët kundër presidentit sirian, Bashar al Asad, përfshirë këtu edhe xhihadistët.

Tensionet në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë vazhduan rreth Sirisë, fatit të Assadit, përgjigjes ndaj Shtetit Islamik dhe qëndrimit rreth grupeve kurde të Sirisë. Pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2015, gjatë të cilave Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e Erdoganit nuk arriti të sigurojë shumicën, qeveria turke vendosi të hap bazën ushtarake “Incirlik” për koalicionin e udhëhequr nga SHBA-të për t’u përdorur gjatë operacioneve kundër IS-it.

Shumë vëzhguesë menduan se kjo mund të përbejë pikë kthese për marrëdhëniet e Turqisë me perëndimin. Megjithatë, muaji i mjaltit nuk zgjati shumë. Turqia e vazhdoi luftën kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, në kohën kur shteti e hapi bazën ajrore “Incirlik” për operacionet e udhëhequra nga amerikanët kundër IS-it.

Qëndrimi i Ankarasë për grupin PYD të kurdëve të Sirisë dhe krahun e saj ushtarak YPG, që SHBA-të nuk e konsiderojnë terroriste, dhe që në fakt luan rol të rëndësishëm në strategjinë e Uashingtonit kundër Shtetit Islamik, gjithashtu është bërë më armiqësor. Duke insistuar se nuk ka dallim në mes të PYD-së dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, Erdogani ka thënë se nuk mund të thuhet që ka “terroristë të mirë dhe terroristë të këqij” dhe një organizate terroriste “nuk duhet dhënë legjitimitet” vetëm pse po lufton kundër Shtetit Islamik.

Erdogani ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi që të pajtohen me të. Mirëpo, SHBA-të vetëm sa e kanë shtuar përkrahjen për kurdët e Sirisë në luftën kundër IS-it, duke e shfrytëzuar bazën e “Incirlikut” në Turqi. Me fjalë të tjerë, derisa Erdogani akuzonte dy grupet kurde si organizata terroriste, Shtetet e Bashkuara po e zgjeronin përkrahjen logjistike pikërisht për këto grupe, duke e shfrytëzuar bazën ajrore që gjendet në tokën turke.

Politika e Erdoganit rreth Sirisë nuk ka qenë asnjëherë e pëlqyer nga publiku turk. Derisa kriza përgjatë kufirit u kthye në një luftë civile dhe miliona sirianë filluan të kërkojnë shpëtim në Turqi, politika e Erdoganit rreth Sirisë u bë pengesë.

Megjithatë, përderisa Erdogani e ka ruajtur ndikimin mbi botën e mediave private turke dhe derisa si president kontrollon stacionet televizive, radiot dhe agjencitë e lajmeve të shtetit, mundësia e tij që t’i jap formë opinionit publik nuk është sfiduar. Erdogani me sukses ka manipuluar votuesit, duke akuzuar disa liderë të huaj, përfshirë Assadin e Sirisë, liderin egjiptian, Abdel Fattah al Sisi,kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu apo komandantin e gardës revolucionare të Iranit, Kasem Solejmanin, diçka që e ka izoluar Turqinë edhe më tej dhe me thellë.

Duke e polarizuar vendin në mes të sekularëve dhe konservatorëve, alevitëve dhe sunitëve, turqve dhe kurdëve, në çdo kohë, Erdogani ka qenë në gjendje që të krijojë ndasi dhe të udhëheqë. Liderë jo kompetentë opozitarë kanë qenë të zënë duke konsoliduar pushtetin brenda partive të tyre duke eliminuar rivalët, thjeshtë vetëm për të mbetur në krye të partive të tyre, e jo për tu afruar me segmente më të gjëra të shoqërisë turke. Si pasojë e kësaj, megjithëse politika e Erdoganit rreth Sirisë nuk pëlqehej nga opinioni turk, ai nuk kishte nevojë ta ndryshonte atë, pasi nuk sfidohej sa duhet nga forcat opozitare.

Me gjithë pushtetin që ai e ka siguruar brenda Turqisë, sjellja e “çrregullt” e Erdoganit, politikat jo demokratike dhe deklaratat kundër perëndimit, bënë që të humbiste miqtë në perëndim dhe në lindje. Derisa ai e arriti një marrëveshje me liderët evropianë për të ndaluar turmat e migrantëve që të shkojnë drejt BE-së, marrëveshja nuk arriti t’i jap shtytje pozitës së tij ndërkombëtare. Edhe pasi Erdogani arriti ta tejkalojë përpjekjen për grusht shtet, liderët perëndimor nuk kanë pranuar ta vizitojnë Ankaranë. Siç e ka thënë disa herë Erdogani, asnjë lider i një shteti anëtar të BE-së nuk e ka vizituar atë t’ia shpreh ngushëllimet për grusht shtetin.

Krahas të gjithave, lufta kundër IS-it vazhdon

Mbi të gjitha telashet e brendshme të Turqisë dhe luftën kundër PKK-së, militantët e Shtetit Islamik filluan të sulmojnë me bomba caqe brenda Turqisë gjatë vitit të kaluar. Militantët fillimisht sulmuan caqe kurde para dhe pas zgjedhjeve të vitit 2015, që e çuan Erdoganin drejt presidencës. Më pas, turistët në Sultanahment ishin cak në muajin janar, ndërsa turistët izraelitë në Bejoglu në muajin mars. Më 29 qershor, dy javë para grusht shtetit, Aeroporti Ataturk i Stambollit është goditur nga një sulm vdekjeprurës që Ankaraja thotë se u krye nga militantët e Shtetit Islamik.

Sistemi edhe ashtu i sfiduar i Turqisë është bërë më i thyeshëm prej 15 korrikut. Një muaj prej përpjekjes për grusht shtet, Erdogani tani duhet të ndërmarrë disa vendime të mëdha brenda vendit dhe rreth rajonit. Vendimi i parë është se sa do e zgjasë shtypjen ndaj institucioneve demokratike, grupeve opozitare etj. Nëse ai vazhdon drejt të njëjtës rrugë autoritare, regresioni politik dhe ekonomik i Turqisë, përgjatë shkatërrimit potencial të institucioneve të saj, mund të prodhojë më shumë jo stabilitet.

Çdo gjë tregon se Erdogani është jashtëzakonisht i zemëruar, për të thënë më së paku me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për shkak të mungesës së simpatisë së tyre për udhëheqësit civil të Turqisë,pas dështimit të grusht shtetit. Akuzat se SHBA-të ishin pas puçit, thënë hapur plotë herë nga mediet qeveritare dhe ministrat, janë shenja se marrëdhëniet në mes të Turqisë dhe perëndimit janë përkeqësuar edhe më shumë. Askush nuk mund ta thotë saktë se sa gjatë do e mbajë Turqia këtë retorikë kundër Amerikës dhe perëndimit dhe të mbetet aleat me SHBA-të dhe Evropën. Qëndrimi i Gylenit në Pensilvani i bën marrëdhëniet edhe më thumbuese.

A do i zëvendësojë Erdogani Uashintonin dhe Brukselin me Moskën dhe Teheranin, nëse Gyleni nuk ekstradohet? A mundet Rusia dhe Irani të zëvendësojë perëndimin? A dëshiron Erdogani me të vërtetë të ndajë ankorimin qindra vjeçar të Turqisë nga perëndimi dhe 70 vjet të historisë me NATO-n?

Këto pyetje tani po bëhen çdo ditë nëpër debate televizive, dhe nëpër bahçe çaji në tërë Turqinë. (REL)

Përgatiti: Artan Haraqija

Majlinda Kelmendi pritet nga qindra qytetarë në Prishtinë

MajlindaFituesja e Medaljes së Artë Olimpike në “RIO 2016”, xhudistja Majlinda Kelmendi, është pritur në Prishtinë nga qindra qytetarë që brohorisnin emrin e saj.

Ajo parakaloi nëpër sheshet kryesore të Prishtinës, me një autobus të hapur, bashkë me trajnerin e saj dhe xhudisten Nora Gjakova.

Pritja zyrtare e Majlinda Kelmendit, u bë nga kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, si dhe zyrtarë të lartë shtetërorë, në aeroportin ndërkombëtar Adem Jashari.

Në një konferencë për medie kampionja e xhudos u shpreh shumë e lumtur për arritjet në “RIO 2016″.

“Kemi punuar shumë që të arrijmë këtë sukses, që ndoshta shumë shtete në botë ëndërrojnë të arrijnë. Rruga ka qenë shumë e vështirë me shumë pengesa, por po shpresoj që brezat e rinj nuk do t’i kenë”, tha ajo.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi se “do t’i japim përkrahje maksimale këtij sporti në të cilin është arritur sukses maksimal”.

Qytetarë të shumtë e kanë pritur Majlinda Kelmendin edhe pas arritjes në aeroport.

Xhudistja nga Kosova, Majlinda Kelmendi, ka fituar medaljen e artë në kategorinë deri në 52 kilogramë në xhudo për femra në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro të Brazilit.

Kelmendi ka mposhtur në finale Odette Giuffrida nga Italia, për t’u stolisur më pas me medaljen e artë.

Majlinda Kelmendi, është b֝ërë kampione botërore në vitin 2013, në xhudo për femra, në kategorinë deri në 52 kilogram.

Kosova për herë të parë shënon fitore historike, duke fituar medalje olimpike.

Edicioni i 31-të i Lojërave Olimpike Verore ka nisur më 5 gusht në Rio Janeiro të Brazilit, ku Kosova është paraqitur për herë të parë.

Kosova në Lojërat Olimpike në Rio të Brazilit u përfaqësua nga 8 sportistë të disiplinave të ndryshme, të cilët nuk arritën të përfundojnë garat me sukses. (REL)

Usain Bolt, ende njeriu më i shpejtë në botë

Usain BoltSprintieri xhamajkian Usain Bolt mbetet njeriu më i shpejtë në botë. Ai fitoi garën e 100 metrave për të tretën Olimpike radhazi, gjë që nuk e ka arritur asnjë atlet tjetër më parë.

Xhamajkiani Bolt kaloi amerikanin Justin Gatlin tek 80 metërshi, duke arritur vijën e finishit në 9.81 sekonda.

Ishte një ndër garat më të pritura të atletikës, por edhe të mbarë Olimpikeve të Rios. Ndërsa në vendlindjen e tij, xhamajkianë entuziastë që e ndiqnin përmes televizorit në kryeqytetin e vendit, Kingston, shpërthyen në brohoritje kur ai arriti fitoren.

Por Bolt nuk e mbyll me kaq konkurrimin në Rio. Ai ka ambicje të fitojë edhe garën e 200 metrave dhe stafetën 4X100 metra për herë të tretë.

“Vazhdoni të më ndiqni, do të ketë të tjera,” tha ai të dielën. “Dikush tha se mund të bëhem i pavdekshëm. Edhe dy medalje dhe pastaj e mbyll. I pavdekshëm!”

Po dje, sprintieri afrikano-jugor Wade van Niekerk hyri në histori me fitoren në 400 metra, duke thyer edhe rekordin botëror me 43.3 sekonda, të vendosur në 1999 nga amerikani Michael Johnson.

Van Niekerk ishte në një pozicion disavantazhi, pasi ishte në korsinë e jashtme të pistës, kështu që nuk i shihte sa larg prej tij ishin konkurrentët e tjerë.

“Gjatë gjithë kohës vrapova si i verbër. Mendoja se dikush mund të ishte duke më zënë, s’e dija si po shkonte gara, por isha i motivuar dhe vazhdova me vrull,” tha pas fitores atleti.

Van Niekerk fitoi me një diferencë prej mbi 7/10 të secondës nga Kirani James i Granadës, i cili mori medaljen e argjendtë. LeShawn Merrit i Shteteve të Bashkuara doli i treti me medalje të bronxtë.

Tifozët brazilianë shpërthyen në brohoritje entuziaste gjatë konkurrimeve të gjimnastikës, kur u paraqit gjimnasti i tyre Hypolito Diego. Ai mori medalje të argjendtë në konkurrimet e dyshemesë, ndërsa braziliani tjetër Mariano Arthur mori të bronxtën. Britaniku Max Whitlock fitoi medaljen e artë në konkurrimet e dyshemesë, si dhe në konkurrimet në kaluç.

Ndër garat e gjimnastikës për femra, amerikania Simone Biles e çimentoi dominimin e saj duke marrë medaljen e artë në kërcimin e kaluçit, e treta medalje e artë në këto lojëra. Ajo mundi rusen Marika Paseka dhe zvicerianen Giulia Steingruber. Sot Simone Biles do të përpiqet për një medalje tjetër në traun e ekuilibrit.

Rusja Aliya Mustafina fitoi dje në konkurrimet në paralele, ndërsa amerikania Madison Kocian mori medaljen e argjendtë dhe gjermania Sophie Scheder të bronxtë.

Golfi u rikthye pas 104 vjetësh në Olimpike. Britaniku Justin Rose mori medaljen e artë, pasuar nga suedezi Henrik Stenson me të argjendtën, në vend të tretë amerikani Matt Kuchar.

Në tenis, britaniku Andy Murray mori medaljen e artë në garat teke për meshkuj duke mundur argjentinasin Juan Martin del Potro.

Keniania Jelagat Sumgong fitoi maratonën për femra me kohën 2:24:04, me një diferencë prej nëntë sekondash nga Eunice Kirwa, me orgjininë keniane, e cila përfaqësoi Bahrenin. Etiopiania Mare Dibaba doli e treta.

Sot zhvillohen konkurrime në unaza dhe kërcim kaluçi në garat e gjimnastikës për meshkuj.

Në atletikë, zhvillohen finalet në 400 metra dhe 3000 metra vrapim me pengesa për femra, si dhe 800 metra për meshkuj.

Po sot zhvillohen gjysmëfinalet e futbollit për femra, ku Brazili do të ndeshet me Suedinë dhe Gjermania me Kanadanë. (voa)

Donald Trump dhe plani i tij kundër ISIS-it

Donald TrumpKandidati republikan për president, Donald Trump do të flasë nesër mbi mënyrën se si do të luftojë terrorizmin islamik. Vetëm disa ditë më parë ai tha se ishin Presidenti Barack Obama dhe kandidatja demokrate për presidente, Hillari Klinton që e kishin themeluar grupin militant Shteti Islamik.

Zoti Trump, manjat i pasurive të patundshme, prej muajsh ka thënë se do të jetë më i ashpër ndaj xhihadistëve në Lindjen e Mesme sesa Presidenti Obama, por ende nuk ka dalë me një plan konkret se si do të veprojë në këtë aspekt.

Ai ndezi kritika të shumta javën e kaluar me deklaratën se Shteti Islamik ishte krijuar nga Obama dhe Clinton. Më pas ai tha se kjo ishte thjesht një ironi nga ana e tij.

Një nga mbështetësit kryesorë të zotit Trump, senatori i Alabamës, Jeff Sessions, i tha të dielën televizionit ABC se kandidati republikan “do të flasë rreth asaj se si duhet të rivendosim besueshmërinë me aleatët dhe me miqtë tanë në rajon, të cilët gjithashtu e kundërshtojnë këtë lloj terrorizmi. Ai do të flasë mbi mënyrën se luftohen armiqtë, si punohet me miqtë dhe se si duhet patur kujdes për të mos destabilizuar vende të ndryshme siç kanë bërë Obama dhe Clinton”.

Një mbështetës i zonjës Clinton, ish-Sekretari i Mbrojtjes Leon Panetta, tha se është e nevojshme që kandidati republikan ta bëjë të ditur planin e tij konkret.

Zonja Clinton, ish-sekretare e shtetit është në avantazh me afro 7 përqind ndaj zotit Trump në sondazhet politike dhe gjithashtu është përpara në disa shtete me rëndësi ku mund të vendoset rezultati i zgjedhjeve të 8 nëntorit.

Në një seri komentesh që bëri të dielën në Twitter, zoti Trump ia hodhi fajin mediave për rezultatin e tij në anketa.

Ekran i padukshëm për Iphone

iphoneNjë shpikës kurd në Turqi ka zgjidhur një çështje pikante për shumë njerëz që përdorin telefonin në publik, por kërkojnë privaci. Celal Goger ka shpikur një ekran sekret për iPhone-n që mundëson vetëm përdoruesin të shohë përmbajtjen e ekranit. Kjo realizohet falë një mikroprocesori në syzet e diellit.

Celal Goger-it, i cili jeton në juglindje të Turqisë, ju deshën gjashtë muaj që të ndërtojë mikroprocesorin e parë për syzet që mundësojnë shikimin e ekranit sekret të celularit.

“Aktualisht veprimet kryhen përmes një mikroprocesori, por dua ta përmirësoj atë me një nano-procesor, me madhësi shumë shumë të vogël. Nëse do të kem sukses, kjo mund të vendoset në të gjitha syzet e diellit”, thotë Goger. Përdoruesit mund të montojnë nano-procesorin në njërën anë të syzeve për të mundësuar komunikimin me iPhone-n.

“Ndërsa mu deshën gjashtë muaj për të ndërtuar procesorin e parë, katër për të dytin, dy muaj për të tretin, dhe tani më duhen vetëm 10 ditë.”

Shpikja tërhoqi vëmendjen e shumë njerëzve në rrugët e qytetit Bismil ku jeton Goger. Shumë prej tyre thonë se privacia është problem. Ata nuk duan që njerëzit përreth tyre të shikojnë vjedhurazi ekranin e telefonave të tyre. Nevah Ayhan është banor i qytetit Bismil.

“Ekrani është tërësisht i bardhë dhe nuk shikohet asgjë. Kur më dha syzet e diellit, pashë gjithçka. Po të kem këtë teknologji askush nuk mund të shohë ekranin e telefonit tim ndërsa shkoj në punë.”

Ahmet Ugur shpreson që kjo teknologji të dalë sa më parë në treg.

“Shpresoj të fillojë prodhimi në masë sepse kështu mund të përfitojmë nga shpikja sepse njerëzit mund të ruajnë privacinë e mesazheve, emailave dhe ftotove. Sepse kemi gjëra që nuk duam që të tjerët ti shohin.”

Celal Goger thotë se ndërtimi i ekranit të padukshëm i kishte kushtuar vetëm katër dollarë. Por një variant i përmirësuar që mund të përdoret në syze të ndryshme mund të kushtojë deri në 10 dollarë. Ai shpreson që së shpejti ta nxjerr në treg shpikjen e tij. (voa)